...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nju Jork Tajms vërteton qëllimet&shkeljet ligjore të Ramës; por a implikohet PD-ja?

Dizdari ka përfituar konçesionin nga qeveria dhe është njeri i afërt me Berishën dhe PD-në ndërsa janë provuar dhe lidhjet e tij me Gazpromin rus dhe ndërmarrje serbe të naftës

Ylli Përmeti

04/02/2023 - 15:46

Gazeta “Nju Jork Tajms” publikoi një raport lidhur me skandalin “McGonigal”. Ajo citon prokurorët që po hetojnë rastin duke cituar që në fillim se “ai përdori ofiqin e tij për të përfituar një biznes i një ortaku në Evropën Lindore”; ndaj rasti i tij “paraqet një kthesë befasuese për një zyrtar të lartë të cilit i ishte besuar qasja në disa nga sekretet më të ndjeshme të ruajtura nga komuniteti i inteligjencës amerikane”.

Rasti i tij nxori, gjithashtu, në pah, citon e njëjta gazetë, “rrëmujën brenda byrosë për të vlerësuar dëmin e mundshëm dhe përcaktojë se nëse ndonjë kundëzbulim ose veprimet e zbatimit të ligjit ishin kompromentuar”. 

“Episodet e përshkruar në një palë aktakuzash të zhvulosura javën e kaluar nga prokurorët e Uashingtonit dhe Nju Jorkut”, të cilat e paraqesin atë “si ndërmjetës agresiv duke kërkuar të bënte biznes përmes lidhjeve dhe pushtetit që i jepte ofiqi atij, duke vepruar thuajse sheshit pa u diktuar pavarësisht rrezikut që dikush me njohurinë e tij mund të paraqeste nëse korruptohësh”, thuhet në raport.

Ndërsa qendronte në FBI ai zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe veproi në dobi të politikanit”. Më tej ajo bën lidhjen mes tij, Ramës dhe një oligarku rus të sanksionuar. “Z. Rama e ka portretizuar veten si një reformator dhe ka kundërshtuar luftën ruse në Ukrainë. Por pas pensionimit të pas vitit 2018, Z. McGonigal punoi për palën tjetër, në librin e pagave të oligarkut rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, që dikur shihësh si një anëtar i rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir V. Putin”.

Më tej citohet fakti se ai “mund të ketë gënjyer ndërsa qendronte në byro rreth pranimit të parave nga një ortak biznesi dhe për lidhjet me individë të huaj”.

“Dëshira e tij për t`u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, tregon se ai nuk e ka mbajtur përfshirjen e tij atje një sekret nga kolegët e tij...ndërsa “përdori adresën e email-it të FBI-së dhe telefonin për çështje të lidhura me Shqipërinë”, thuhet në raport.

Madje veprimet e tij quhen tradhëti ndaj FBI-së: “tradhëtia e agjencisë nga dikush me kalibrin e Z. McGonigal për 225,000 dollarë, nëse provohet, do të ishte e habitshme duke ditur se ish-zyrtarët mund të fitojnë shuma të rëndësishme si këshilltarë pasi dalin në pensione, mbi pensionet e majme”.

Më tej raporti citon veprimet e tij me Duçkën, Nezën dhe Ramën: “Mes dhënies së të dhënave ndaj Z. Rama, Z. McGonigal duket se është përpjekur të bindë kryeministrin drejt dhënies së një leje shpimi për naftë kundrejt një ndërmarrje të lidhur me Z. Neza dhe Z. Duçka” ndërsa “është përpjekur të ndihmonte Z. Neza për të realizuar marrëveshje me një politikan dhe tregtar shqiptar i cili donte të hetonte atë çfarë ai thoshte se ishte një komplot për jetën e tij”.

Raporti nuk harron të përmendë paratë e marra nga Neza, në tre këste, ndërsa shton se prokurorët nuk e kanë akuzuar ende për marrjen e tyre. Ai përmend, gjithashtu, faktin se “që nga viti 2018 Neza vazhdoi të përcillte të dhëna ―disa prej të cilave buronin drejtpërdrejt nga zyra e Ramës― rreth Z. Muzin drejt Z. McGonigal”. “Neza ishte mes burimeve të besueshme që furnizonte me të dhëna përgjatë hetimit ndërsa Duçka pagoi për dëshimtarët në Evropë për të udhëtuar në një takim me FBI-në”.

Në fund, vlen të përmendet fakti se McGonigal është akuzuar për shkejljen e sanksioneve amerikane dhe për shpëlarjen e parave, jo për veprimet që ka bërë në Shqipëri por për paratë (218,000 dollarë) që mori përgjatë tre muajve nga një ndërmarrje guackë në Qipro përmes një banke ruse, e cila i kaloi në një bankë amerikane të një miku të tij, në New Jersey, duke përdorur firmën e Nezës.

Nga ky raport nuk citohet ndonjë fakt i ri. Por ai sqaron më shumë lidhjet e Ramës me këshilltarët e tij dhe zyrtarin amerikan. Sqaron, gjithashtu, faktin se rasti “McGonigal” është në hetim dhe se ato s`kanë mbaruar. Por tregon, edhe një herë, dy qëllimet e Ramës: të mesonte për veprimet e paligjeshme të kundërshtarit të tij, Bashës, dhe të ndihmonte këshilltarët e tij në biznes. Për këtë të fundit, bëhet fjalë për një ndërmarrje naftënzjerrëse. Madje gazeta “Dita” bëri lidhjen mes raportit të Nju Jork Tajmsit dhe Shefqet Dizdarit.

Sipas saj, “në mars 2018, kompania shtetërore e naftës Albpetrol mbajti një tender për dhënien me koncesion të vendburimeve Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë, duke shpallur fituese, pikërisht kompaninë e Dizdarit. Kompania kanadeze Letho Resources Corp bëri padi në Gjykatën Administrative të Vlorës.

Vendimi i Gjykatës Administrative të Vlorës, tregon se Terraoil nuk i përmbushte kushtet për t’u kualifikuar në garën për tre fushat e reja naftëmbajtëse dhe aq më pak për t’u shpallur fituese.

Sipas gjykatës, kompania Terraoil Swiss sh.a me administrator avokatin Shefqet Dizdari, në aplikimin e saj në tender nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara për kushtet teknike.

Gjykata vëren gjithashtu se tenderi është mbajtur në mungesë transparence nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ndërkohë që Terraoil Swiss është shpallur fituese, edhe pse kishte një ofertë financiare “më pak të favorshme” se pala paditëse për njërin prej vendburimeve, atë Cakran-Mollaj.

“Në vlerë monetare, oferta e “Letho” për palën shteti shqiptar është rreth 10 milionë dollarë më e mirë në krahasim me ofertën Terraoil Swiss (ish-Transoil Group sh.a),” shprehet Gjykata Administrative e Vlorës.

Megjithatë, më 9 maj 2018, ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjes me kompaninë Terraoil Swiss (në atë kohë quhej Transoil Group).

Një muaj më vonë, ministri i kërkoi Albpetrolit që të bëjë kërkesë në Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore për pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit.

Gjykuar nga këta fakte ajo ngre pyetjen se nëse është favorizuar kompania e tij nga Rama (i ndikuar nga McGonigal) dhe pse opozita “Berisha” nuk e përmend këtë fakt: sepse, sipas saj, Dizdari ka përfituar konçesionin nga qeveria dhe është njeri i afërt me Berishën dhe PD-në ndërsa janë provuar dhe lidhjet e tij me Gazpromin rus dhe ndërmarrje serbe të naftës.

Nëse është kështu, çështja përfshin më shumë shtete dhe njerëz dhe implikon dhe opozitën. Deri tani Berisha nuk e ka zgjeruar akuzën e tij. Nëse ai nuk e zgjeron, do të tregojë se e kupton implikimin e partisë së tij në rastin në fjalë. Për pasojë, protesta e tij do të ishte një tjetër hipokrizi.   

Zbërthimi i aktakuzës “Mcgonigal”: qëllimet e Ramës dhe shkeljet e tij ligjore

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA