...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zbërthimi i aktakuzës “Mcgonigal”: qëllimet e Ramës dhe shkeljet e tij ligjore

Shkeljet ligjore të Ramës, rrjedhimisht, janë dy: njëra lidhet me përfshirjen e tij për të ndihmuar këshilltarët e tij në biznesin e tyre ndërsa tjetra lidhet me dijeninë e tij se këshilltarët dhe biznesmeni dhe politikani shqiptar do të korruptonin zyrtarin amerikan

Ylli Përmeti

24/01/2023 - 20:30

Çështja e hetimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së amerikane ka disa muaj që qarkullon në shtypin amerikan: ajo quhet e pazakontë për nga natyra sepse rrallë herë hetohen ish-zyrtarët amerikanë.

Media amerikane “Insider”, për shembull, ka shkruajtur një raport që në shtator të vitit të kaluar. Në të përmendet dhe lidhja e tij me Ramën; madje dhe lidhjet e mundshme të tij me qeveritë e Boznje Hercegovinës, Kosovës dhe Malitëzi.

Sipas një email-i të riparë nga media në fjalë, McGonigal përdori email-in e tij zyrtar për të realizuar një takim me Ramën dhe nje firme private amerikane që Rama mendonte ta përfshinte në një nismë kundër korrupsionit. Por FBI-ja nuk i dha leje për ta takuar dhe ata kurrë nuk u takuan.

Po sipas medias përkatëse, një përfaqesues i Ramës kishte thënë se marrëdhënia e tyre ishte “një marrëdhënie tërësisht private pa interes publik. Ne nuk dimë ndonjë gjykatë dhe asnjë autoritet i SHBA-së s`na ka njoftuar rreth saj. Atje s`ka patur kurrë takime me firma, dhurata, pagesa, shpërblime udhëtimesh përpara ose pasi Z. McGonigal la zyrën”.  

Akuza ndaj tij, rrjedhimisht, nuk përbën befasi.  

Një ditë pas njoftimit të akuzës së gjykatës amerikane Rama ‘pranoi’ konkluzionin e aktpadisë së gjykatës amerikane, se ai ishte takuar “këtu e atje”, por mohoi të kishte lidhje me të ndërsa shtoi se paratë e marra nga zyrtari amerikan ishin “borxh” “nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në Amerikë”. Për këtë të fundit, emëri i të cilit është Agron Neza, Rama tha se “nuk e kam njohur më parë asnjë herë, nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së”.

Por ndërsa ai mund të mos ketë patur “lidhje” me Nezën, ishte pikërisht Dorian Duçka, shoku i tij, që krijonte lidhjet. Në fakt, takimi privat në vetvete krijon një lloj lidhje. Por për Ramën takimi i tyre nuk është lidhje! Neza, në fakt, pohoi për ABCnews se “paratë për të cilat akuzohet se i ka dhënë McGognigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin” ndërsa përgënjeshtroi qendrimin e Berishës sipas të cilit “paratë u dhanë nga qeveria për të lobuar kundër tij”.   

Berisha, në fakt, pretendon se Rama ka përdorur “McGonigal si vrasës me pagesë për të manipuluar, falsifikuar, trilluar kundër opozitës”.  

Rama pranoi, gjithashtu, se Duçka “ka qenë zëvendësministër i Energjitikës në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë”. Herën e fundit që janë parë publikisht bashkë me Duçkën ka qenë vitin e kaluar në Kiev kur ky i fundit shoqëronte Ramën me delegacionin e tij.   

Opozita u përqendrua si fillim tek përpjekja e Ramës për të shfrytëzuar zyrtarin e FBI-së për të dëmtuar opozitën “Basha” dhe jo tek vetë veprimi. Këtë tezë mbështeti dhe Bushati ndërsa e kundërshtoi Bazja. Ky i fundit pretendon se Berisha ngutet me qëllim që të mbulojë njerëzit e tij (Nezan etj.), të cilët kanë punuar kundër Bashës.

Nuk ka dyshime se Rama e ka përdorur zyrtarin amerikan për të dëmtuar opozitën. Por këtë qëllim nuk e ndalon asnjë ligj: as kushtetuta as kodi penal. Çështja është veprimi, paratë e dhëna dhe takimet dhe jo qëllimi i Ramës, nëse pranojmë se ai kishte si qëllim vetëm të dëmtonte opozitën, sepse ngasa tregon aktuakuza, njerëzit e përfshirë kanë disa “qëllime”; madje dhe Rama ka më shumë se një qëllim.

Thënë në fjalë të tjera, dhe gjykuar gjithnjë nga çka thuhet në aktakuzë, Rama kishte dy qëllime: të dëmtonte opozitën e Bashës dhe të ndihmonte biznesin e shqiptarëve, të cilët sipas aktakuzës “ishin miq dhe partnerë biznesi me njëri tjetrin” ndërsa dy partenët shqiptarë përdorën Ramën që të mos i jepte leje për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse, sipas tyre, “guackë”.

Të dy partnerët, në fjalë të tjera, “kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare”. Përveç këtij qëllimi, kemi dhe një qëllim tjetër, këtë herë nga “një biznesmen dhe politikan shqiptar“, i cili i kërkoi ndihmë McGonigal-it dhe Duçkës, dhe hamendësisht dhe Ramës, që “dikush të hentonte për një komplot të dyshuar” për ta vrarë atë.  

Shkeljet ligjore të Ramës, rrjedhimisht, janë dy: njëra lidhet me përfshirjen e tij për të ndihmuar këshilltarët e tij në biznesin e tyre ndërsa tjetra lidhet me dijeninë e tij se këshilltarët dhe biznesmeni dhe politikani shqiptar do të korruptonin zyrtarin amerikan.

Pyetjet e gazetarëve (dhe prokurorëve) kundrejt Ramës për përmendjen e tij në aktakuzën e gjykatës amerikane, rrjedhimisht, do të ishin si vijon: a jeni përfshirë ju zoti kryeministër për të ndihmuar këshilltarët e tu në biznesin e tyre dhe a ishit në dijeni se paratë e dhëna nuk ishin borxh por korruptim për shërbimin e bërë? Me siguri këtyre dy pyetjeve Rama do t`u përgjigjësh me mohim tërësor ndërsa gazetarët do të ngrinin pyetjen e radhës: si mund të marrë borxh një zyrtar i lartë amerikan nga ortakët e tij shqiptarë kur dihet se ai e ka rrogën mjaft të lartë: sipas “Insider” ai kishte një rrogë prej 300,000-350,000 dollarë në vit, përfshirë shtesën e rrogës!   

Lidhur me shumën e parave, të cilat janë dhënë në tre këste, mund të ketë kontribuar dhe Rama përsa kohë që ky i findit po e përdorte zyrtarin amerikan për dy qëllimet e përmendur më herët por edhe mund të kenë kontribuar vetëm dy këshilltarët dhe biznesmeni dhe politikani shqiptar. Këtë dyshim mund ta vërtetojë vetëm prokuroria. 

Pa u habitur, ditën e dytë pas njoftimit të skandalit me ish-drejtorin e FBI-së të kundërzbulimit qarkulloi “thashethemi” se Rama ishte sëmurë. Qoftë edhe kur reagoi në një debat televiziv në televizionin Top Channel, ai reagoi me njoftim nga zyra e shtypit në Kryeministri. Në njoftimin përkatës ai mbajti të njëjtin qendrim me qendrimin që mbajti një ditë përpara, se s`ka lidhje me ngjarjen etj. 

Gjykuar nga pohimet e Ramës dhe nga përfundimet e aktuakuzës është e qartë se Duçka është përdorur si nga Rama ashtu dhe nga zyrtari amerikan por dhe nga biznesmeni ose politikani shqiptar për interesa të ndërsjella dhe paratë e dhëna nuk kanë qenë “borxh” siç është lënë të kuptohet apo siç pretendon Rama por shpërblim për shërbimin që ka bërë ndaj Ramës, këshilltarëve të tij, dhe politikanit shqiptar. Por këtë pretendim duhet ta vërtetojë prokuroria jonë, SPAK-u, i cili duhet të kishte filluar hetimet që kur filluan hetimet amerikane dhe qarkulluan pretendimet e lidhjeve të zyrtarit amerikan me Ramën: vitin e kaluar. 

Ndryshe nga kjo analizë, e cila nuk është e vështirë për t`u bërë, televizionet gëlojnë nga përçudnimet. Vetëm Kreshnik Spahiu tregoi se ka kuptuar përqindjen më të madhe të skandalit por edhe ai i ngatërron çështjet ndërsa opozita e Berishës s`ka treguar ―të paktën deri tani― se i ka kuptuar shkeljet ligjore. Kjo është arsyeja kryesore që ajo mbivendos çështjen politike ―dëmtimin e opozitës― mbi çështjet ligjore.  

Ky ediotrial është përditësuar në datën 28 janar, 2023 dhe si asnjë tjetër shoqërohet me raportet e Voa-s me qëllim që lexuesi të krijojë një bindje më të qartë. 

 

Raportet sipas Voa-s:

Të mërkurën, ish zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, arrestuar të shtunën nga autoritetet amerikane, pritet të dalë para gjykatës në Uashington për t’u shprehur nëse i pranon apo jo akuzat se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.

Akt-padia e bërë publike dje nga gjykata në Uashington nuk e identifikon më tej Personin A. Por, në bazë të një njoftimi tjetër të shtypit amerikan, në shtator të vitit të kaluar, ku njoftohej se ish zyrtari i FBI-së McGonigal ishte nën hetime, portali “Business Insider” boton kopjen e një dokumenti të jurisë së madhe, ku në listën e atyre që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, që dekada të shkuara ka punuar për shërbimet inteligjente të Shqipërisë.

Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, i cili “ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare.”

Nëse i referohemi sërish dokumentit të jurisë së madhe, në të, personi tjetër, që duhej marrë në pyetje është Dorian Duçka, ish zv/ministër për energjitikën dhe më pas konsulent i pavarur.

Personi A dhe Personi B, sipas akt-padisë, “ishin miq dhe partnerë biznesi me njëri-tjetrin.”

Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar [Edi Rama] dhe me Personin B [Dorian Duçka]. Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”.

Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeminstri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, lidhur me marrëdhëniet e kryeminsitrit me ish zyrtarin e FBI-së, zëdhënësi i qeverisë mohoi që takimet të kenë patur ndonjë lidhje me ato që thuhen në aktpadi:“Siç e ka sqaruar edhe më parë, kryeministri Edi Rama ka pasur një raport miqësor me zyrtarin e FBI, me të cilin janë takuar disa herë, qoftë në Tiranë, qoftë në New York, po takimet e tyre s’kanë pasur asnjë lidhje me çka thuhet në akt-padinë në fjalë lidhur me persona të tjerë.”

Sipas akt-padisë, ishte pas këtij udhëtimi në Shqipëri në shtator që “i pandehuri McGonigal ka mbajtur një miqësi të vazhdueshme me Kryeministrin [Rama].”

Sipas akt-akuzës, nga shtatori 2017 deri në mars 2018, McGonigal dhe Kryeministri Rama janë takuar 4 herë në Shqipëri dhe në SHBA.

Sipas akt-padisë, gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

Disa javë pas këtyre takimeve, më 5 tetor 2017, sipas akt-padisë, “jashtë një restoranti, në një makinë të parkuar në Nju Jork, McGonigal mori afro 80 mijë dollarë kesh nga Personi A. Po atë vjeshtë ai mori edhe dy pagesa të tjera nga Personi A në shumat 80 mijë dollarë dhe 65 mijë dollarë në rezidencën e banorit A. McGonigal i la të kuptohej Personit A se paratë do t’ia kthente.”

Sipas akt-akuzës, McGonigal i kishte kërkuar Personit A nëse ai mund t'i siguronte një sasi parash që në gusht të vitit 2017 dhe një muaj më pas në shtator, ata kishin diskutuar përsëri rreth përpjekjeve të Personit A që t'ia siguronte paratë dhe që Personi A t'ia jepte ato pjesë-pjesë.

Dy muaj pas vizitës në Shqipëri, më 18 nëntor 2017 McGonigal së bashku me një prokuror nga Departamenti i Drejtësisë, takuan dhe morën në intervistë në Austri, biznesmenin-politikan, që ai e kishte takuar në shtator në Shqipëri. Personi A mori pjesë në këtë takim si përkthyes.

Intervista e bisnesmenit-politikan nuk është raportuar dhe nuk figuron në dokumentet e FBI-së. Në të njëjtën ditë të intervistimit në Austri, po më 18 nëntor, McGonigal dhe biznesmeni-politikan, janë takuar edhe në Shqipëri, por këtë herë pa praninë e prokurorit të Departamentit të Drejtësisë. Sipas akt-padisë “politikani-biznemsmen diskutoi me të pamdehurin McGonigal dhe Personin A për mundësi biznesi”.

“Më 19 nëntor i pandehuri takohet me Personin B për darkë dhe një ditë më pas më 20 nëntor takohet me kryeminsitrin”, sipas akt-padisë.

Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, me të cilin takoi politikanin-biznesmen në Austri, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Personi B.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Në akt-padinë ndaj McGonigal, përmendet se në dhjetor të vitit 2017 ai është takuar në Uashington me personin A dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe në Nju Jork me Personin A dhe kryeministrin Rama.

Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës, McGonigal mori informacion për lobistin amerikan nga Personi A dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Më 22 janar ai mori përsëri informacion nga Personi A për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. Personi A, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.

Sipas akt-padisë “më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal. Më pas Personi A u identifikua si burim konfidencial në mbështetje të hetimit. Persomni A i ka ofruar informacione zyrës së FBI-së në Nju Jork gjatë hetimit.”

Po sipas akt-padisë “Më pas Personi B ndihmoi në organizimin e një takimi mes zyrës së FBI-së në Nju Jork dhe dëshmitarëve në Evropë, duke paguar mes të tjerash për shpenzime udhëtimi të dëshmitarëve”.

Më 25 qershor 2018, i pandehuri McGonigal, i ka propozuar personit A që të nënshkruajë një kontratë me një individ nga Bosnia të indentifikuar si Personi D në mënyrë që në kompaninë e personit A të depozitoheshin 500 mijë dollarë nga Personi D dhe firma e tij farmaceutike për të mundësuar një takim mes Personit D dhe një përfaqësuesi të delegacionit amerikan në OKB.

Ndërkohë që në muajin prill, McGonigal ishte takuar në Gjermani me dy individë nga Bosnja, Personin C dhe Personin D, të cilët kishin lërkuar të takoheshion me ambasadoren amerikane në OKB-së, ose ndonjë zyrtar tjetër të lartë për një çëshjte politike për Bosnje Hercegovinën.

Akuzat për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë

Akt-padia tjetër ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së ka lidhje me ndihmën për oligarkun rus, Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane. Aktiviteti i tij në favor të miliarderit rus është zhvilluar pasi ishte larguar nga FBI-ja. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me një ish diplomat rus, Sergey Shestakov, që tashmë punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.

Rreth gushtit 2021, McGonigal, Shestakov dhe një person i identifikuar si Agjenti 1 (Këshilltar i Deripaskas) hartuan dhe ekzekutuan një kontratë, sipas së cilës një Korporatë e Qipros do t’i paguante një Kompani në Nju Xhersi 51,280 dollarë paraprakisht dhe më pas 41, 790 mijë çdo muaj për informacione zbulimi biznesi me interes për korporatën ruse. Megjithëse pagesat do t’i jepeshin McGonigalit dhe Shestakovit në emër të Deripaskas, asnjëri prej tyre nuk përmendet në kontratë.

Sipas akt-padisë së Nju Jorkut, kompania e Nju Xhersit është në pronësi të një “Miku” të zotit McGonigal. “Miku” kishte ndihmuar që McGonigal të angazhohej me kompaninë e Nju Xhersit, ndërsa ai ishte ende agjent me FBI-në.

Në një dokument të Departamentit të Drejtësisë, ku depozitohen aktivitetet e lobimit për qeveritë e huaja, (FARA) të depozituar nga Shestakovi, ndonëse përmbahen pak hollësi, përmendet emri Charls McGonigal dhe firma “Spectrum Risk Solutions”.

Kjo firmë, në dokumentin e jurisë së madhe të dalë vitin e kaluar, figuron si kompani e Agron Nezës.

Sipas akt-padisë së Nju Jorkut, McGonigal i ka thanë Shestakovit se “nuk e kishte informuar “Mikun” se po përdorte Kompaninë e tij për të marrë paratë nga kontrata. Shestakov falsifikoi firmën e Mikut pa dijen apo miratimin e tij. Më pas kur Miku i kërkoi McGonigalit të shpjegonte se pse Banka Ruse po i bënte pagesa Kompanisë së Nju Xhersit, McGonigal tha se pagesa ishte për punë “Legjitime” që ai po bënte për një “pasanik rus”. Miku më pas pranoi që të përdorej Kompania e tij dhe transferoi fonde në përputhje me kontratën, nën udhëzimin e McGonigalit, për atë dhe Shestakovin.   

Rama pranoi takimin me ish-zyrtarin e FBI-së por s`ka ‘lidhje’ me të

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama mohoi kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.

Duke folur me gazetarët pas një takimi pune në selinë e Partisë socialiste, zoti Rama deklaroi se “në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përvec faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në Nju Jork”.

Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York. “Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda e opinione lidhur me ato fusha u sigurisht ai ishte një ekspert i nivelit të lartë, krimi korrupsioni, pastaj Amerika, Ballkani Shqipëria, asnjë lloj marrëdhënie tjetër”, deklaroi të mërkurën në mbrëmje kryeministri.

Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës të cilin akt-akuza e përshkruan si “i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.

Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, por dha disa shpjegime rreh marrëdhënieve të tij me ta. Për zotin Nezën ai tha se “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”.

Sa i përket zotit Duçka u mjaftua të shprehej se “ka qenë zëvendësministër i Energjitikës, në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë”. Zoti Rama nuk dha shpjegim se deri kur zoti Duçka ka punuar pranë tij. Herën e fundit që ata janë parë së bashku, të paktën publikisht, ka qenë në qershor të vitit të shkuar, kur zoti Duçka ishte pjesë e delegacionit që shoqëronte zotin Rama gjatë vizitës së tij në Kiev, e madje ishte dhe në tryezën e bisedimeve me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky.

Kryeministri nuk dha ndonjë sqarim as se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare, aq më tepër që të paktën në një rast, sipas akt-akuzës, Neza “e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”.

Në dokumentat e akt-akuzës nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare, por periudha në të cilin kanë ndodhur këto zhvillime përkon me rastin e lobistit Nick Muzin i cili ishte angazhuar muaj më parë për llogari të Partisë Demokratike. I pyetur të martën nga Zëri i Amerikës “nëse e ka njoftuar, kryeministri, zyrtarin e FBI-së, përmes dy personave të tjerë Agron Neza dhe Dorian Duçka, për aktivitetin lobues të Nick Muzin-it në SHBA, në favor të PD-së”, zëdhënësi i qeverisë shqiptare tha se “kjo është një fantazi që nuk figuron as në akt-padinë në fjalë dhe jo më në realitetin e marrëdhënies së kryeministrit me zyrtarin e FBI”.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA