...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zgjedhjet e 11 majit 2025: me shkelje të ligjit të zgjedhjeve dhe medias dhe përsëritje e ‘oligarkisë përfaqësuese’

Do të ishte një lajm i mirë nëse shqiptarët nuk merrnin pjesë në zgjedhje nëse e shohim mospjesëmarrjen e tyre si shenjë revolte kundër keq-qeverisjes

Ylli Përmeti

12/05/2025 - 08:57

Zgjedhjet e 11 majit nuk treguan, sigurisht, mospjesëmarrje, por treguan një të vërtetë të madhe: se KQZ-ja me kryetarin e saj s`është e aftë të numërojë as sasinë e votave pas mbarimit të votimeve. Praktikisht nuk është e vështirë për KQZ-në të paraqes një numër të saktë për numrin e pjesëmarrësve menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve.

Kur mbaruan votimet ajo njoftoi një numër prej rreth 400 mijë votuesish. Por kur numërimi ishte afër fundit ajo tregoi një shifër disafish më të madhe: 1,460,409 nga 3,467,962. Nga ato PS-ja pati 775,227 vota, PD-ja 503,583, dhe mbi 200 mijë vota partitë e tjera. Nëse i krahasojmë me zgjedhjet e vitit 2021, PS-ja është rritur me rreth 17 mijë vota (nga 768,250) ndërsa PD-ja ka humbur rreth 100 mijë vota (nga 622,265). 

Por e vërteta e madhe e zgjedhjeve të majit është shkelja e ligjit të zgjedhjeve nga qeveria “Rama” (sipas OSBE-së, qeveria përfitoi nga kushtet e pabarabarta dhe përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatës fushatës”) dhe ligjit të medias si nga qeveria ashtu dhe nga kundërshtia “Berisha”.

Por mbi të vërtetën e shkeljeve ligjore si nga qeveria ashtu dhe nga kundërshtia, qendron e vërteta e stërmadhe se pavarësisht se pjesëmarrja qendorn në shifrat e vitit 2021, ajo vazhdon të jetë pakicë krahasuar me numrin e gjithë votuesve.

Pakicën në fjalë demagogët dhe media e tyre e përligjin me të vërtetën tjetër se një përqindje e madhe e votuesve banojnë jashtë vendit. Por ajo përligjje nuk duhet të na bëjë ne të heshtim dhe të mos e quajmë “demokracinë” përfaqësuese edhe “oligarki përfaqësuese”, sepse demokracia është së pari pushteti i shumicës së popullit pastaj i shumicës parlamentare.

Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndonjë kufi lidhur me përqindjen e votuesve. Si pasojë, zgjedhjet me pjesëmarrje të vogël, duhet të parashikonte ligji, duhet të shpallen të paligjshme, sepse nuk mund të drejtohet një popull prej rreth 3 milion e gjysmë votues nga “epshet” e pakicës.

Nëse ndonjëra nga partitë që fiton zgjedhjet, rrjedhimisht, zgjedh të qeverisë me numrin përkatës, dhe për më tepër, me akuzën se ajo shkeli ligjin e zgjedhjeve dhe medias, ajo nuk do të tregojë vetëm papërgjegjshmëri por do të rrezikojë kokën e saj, sepse shumica që s`ka marrë pjesë në zgjedhje, do të jetë e gatshme të rebelohet kundër qeverisjes së oligarkisë, jo vetëm në kuptimin se kushtetuta jonë krijon oligarki politike dhe kjo e fundit oligarkinë ekonomike dhe të dyja bashkë qeversin, por dhe në kuptimin se pakica mbështet pakicën për të qeverisur shumicën.

Për t`iu shmangur shkeljeve ligjore nga qeveria u kërkua nga kundërshtia “Berisha” krijimi` një qeverie teknike. Por ajo përpjekje dështoi dhe pas zgjedhjeve, kur u pa se Rama kishte bërë “batërdinë”, filluan ankesat nga e njëjta kundërshti. Një arsye se pse dështoi ajo përpjekje ishte përfshirja e Spak-ut në procesin zgjedhor. Por siç u pa, Spak-u as e parandaloi e as e ndaloi shkeljen ligjore të qeverisë por dhe kundërshtisë “Berisha” lidhur me ligjin e medias.

Ditën e parë pas zgjedhjeve, kur OSBE-ja kishte njoftuar përfundimet e saj, Berisha ushqente shpresa të kota duke thënë se “gjithë treguesit tregonin” se aleanca e tij kishte fituar. Por një ditë më pas zgjodhi të mos i njihte ato dhe njoftoi protestë më 16 maj.

Megjithatë, zgjedhjet u vodhën nga të dyja partitë, për sa kohë që të dyja përfshihen në shkeljen e ligjit të medias, ndërsa qeveria përfshihet edhe në shkeljen e ligjit të zgjedhjeve. Kjo është arsyeja kryesore se pse unë bëra thirrje —fill pas njoftimit të OSBE-së— për mosnjohje të zgjedhjeve dhe për protesta. 

Gjasat janë se në ditët në vijim nuk do të kemi vetëm protesta por dhe ndonjë sulm nga Spak-u ndaj qeverisë, sepse hetimet duhet të kenë përparuar ndërsa organi hetimor do të gjendet nën trysninë e akuzave se ai nuk (para)ndaloi shkeljet ligjore të qeverisë dhe kundërshtisë, sigurisht, nga protestuesit e ndershëm dhe jo nga shtirakët si Berisha dhe mbështetësit e tij, por dhe nën trysninë se po bën politikë dhe nuk po zbaton parimet juridike.    

OSBE ‘akuzon’ qeverinë për shkelje të ligjit të zgjedhjeve ndërsa përfshin dhe kundërshtinë/opozitën për shkelje të ligjit të medias

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, sipas OSBE-se, ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se ishin përballur me kërcënime. Administrata zgjedhore e drejtoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Votimi jashtë vendit, i mundësuar për herë të parë për këto zgjedhje, u drejtua mirë, pavarësisht marrëveshjes dhe miratimit të vonë politik të kësaj mase dhe disa çështjeve organizative. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një sipëri (avantazh) të panevojshëm të postit në detyrë. Pati gjithashtu akuza të shumta për trysni mbi votuesit, veçanërisht mbi punonjësit publikë. Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk i penguan praktikat kundravajtëse.

Përqendrimi i pronësisë së medias që dëmton shumësinë e burimeve të lajmeve, së bashku me vetëcensurën midis gazetarëve dhe dy partitë më të mëdha që mbizotërojnë mbulimin e lajmeve, kufizuan mundësinë e votuesve për të bërë një zgjedhje dijeplotë. Përdorimi gjallërues i rrjeteve sociale nga garuesit zgjeroi ligjërimin e fortë ballafaques dhe nuk u caktua asnjë autoritet për të zbuluar përmbajtjen e dëmshme hileqare. Mekanizmi i ri i bashkërendimit midis institucioneve për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore është një zhvillim i mirëpritur, por ndjekja e tij është e nevojshme për të ngritur shqetësimet e vazhdueshme të keqpërdorimeve zgjedhore.

Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë, por pati një mungesë të shpeshtë të ndjekjes së procedurave dhe u shënua nga një numër ndodhish frikësimi dhe nxitjeje të votuesve dhe disa mangësi procedurale dhe tejdukshmërie në numërimin e votave. Korniza ligjore paraqet një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nevojës së vazhdueshme për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përmes këshillimeve publike gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë e vërejtura zvogëlojnë qartësinë e kuadrit ligjor dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e tij si në shkronjë ashtu edhe në frymë.

Ndërkohë që disa nga këshillat e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës u trajtuan, shumica e këshillave të hershme, duke përfshirë ato që lidhen me përbërjen e komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët, raportimin e ndërmjetëm mbi financimin e fushatave dhe dispozitat për të siguruar një mjedis të përshtatshëm mediatik, duke përfshirë heqjen e përgjegjësisë penale për shpifje, nuk janë trajtuar ende, duke treguar mungesë të vullnetit politik për reforma gjithëpërfshirëse. Parlamenti zgjidhet përmes një sistemi zgjedhor të ndryshuar që ndërthur listat e mbyllura dhe parapëlqyese, i cili u paraqit përpara këtyre zgjedhjeve. 

...

*Shifra e pjesëmarrjes është përditësuar   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA