...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Padija e establishmentit akademik dhe politik dhe nevoja e ri-edukimit të policisë

Edhe nëse ka të rinj që protestojnë pa u nxitur nga partitë kundërshtare të qeverisë aktuale, ata protestojnë sepse jetojnë në një shoqëri klasore shumë më të mprehte se shoqëria e shekullit të kaluar. Shoqëria klasore, me radhë, krijon dinamika shoqërore të ndryshme (padrejtësi më të mëdha, zemërim më të madh etj.). Arsyeja se pse policia është kthyer në dhunë sistematike, rrjedhimisht, lidhet së pari me mosangazhimin politik të elitës aktuale për punësim të plotë; dhe së dyti me padijen e elitës (politike dhe akademike) për të edukuar policët dhe përgjithësisht shoqërinë..

Ylli Përmeti

10/12/2020 - 09:16

Qeveritë jo-virtuoze gjithnjë krijojnë polici dhe qytetari jovirtuoze

Vrasja e të riut Klodian Rasha në Tiranë në mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020 nga policia duhet të parë së pari nga një qasje pedagogjike: se policët nuk edukohen me qëllim zhvillimin e virtyteve të tyre. Policët kanë nevojë të zhvillojnë kryesisht dy virtyte: të drejtësisë dhe përmbajtjes—sepse pa virtytin e drejtësisë ata nuk mund të përmbahen. Për shembull, të gjykojnë drejtë një njeri në raport me një urdhër ose ligj. Në rastin konkret, polici vrau të riun sepse nuk kishte zhvilluar virtytin e drejtësisë—të gjykonte drejtë se sa i rrezikshëm ishte ai për shoqërinë dhe rendin e saj— dhe rrjedhimisht as virtytin e përmbajtjes. Por këta virtyte nuk i ka zhvilluar Rama dhe Saimiri dje dhe sot Lleshaj (apo Berisha, Muli dhe Basha). As synohen nga sistemi arsimor: sepse shkencat sociale nuk dinë të zhvillojnë virtyte sociale (etike). Në këto kushte, si mund të pretendohet që polici të zhvillojë virtyte të nevojshme për punën e tij dhe shoqërinë?

Dëftues është fakti se Lleshaj iu drejtua Murrizit, deputetit që aktualisht ushtron profesionin e deputetit falë braktisjes së mandatit të partisë së tij, në një seancë parlamentare, se ai “polic ka qenë dhe polic ka mbatur” duke nënkuptuar faktin se policët nuk gjykojnë drejtë…kur dihet se Lleshaj është ministër i brendshëm dhe përgjegjës për edukimin e policëve! Kritika e Murrizit se “pandemia u luftua me diagaçë, tanke e autoblinda, me gjoba për qytetarët e gomerët”, nuk është sigurisht plotësisht e drejtë nëse e shohim nga një perspektivë sistemike pandeminë (siç kam treguar në studimin përkatës). Por kjo s`do të thotë se ministri i rendit duhet të përdorë një argument fyes për policët dhe pastaj të mbrohet se nuk e kishte me atë kuptim pa treguar ndonjë kuptim tjetër! As duhet të na kënaqë fakti se Murrizi —të cilit i paguajmë rrogë të majme— kritikon qeverinë me gjysëm të vërteta. Në fakt, ato janë thjesht konstatime të veprimeve të qeverisë dhe nuk kanë asnjë lidhje me shkaqet e pandemisë.

Çfarë mund të bëhet në këto kushte?

Vetëm njerëzit kuptimplotë—ata që kuptojnë rolin e pedagogjisë dhe edukimit— dhe të ndershëm, mund të ndihmojnë në ndryshimin e gjendjes. Së pari, të refuzojnë partitë jo-virtuoze. Së dyti, njerëzit jo-virtuozë. Dhe së treti, të bashkohen me njerëzit virtuozë!  

Kronika e protestët dhe karakteri i saj

Një ditë më pas, në kohën kur polici që vrau të riun ishte në arrest dhe pritësh gjykimi i tij, një protestë u organizua përpara ministrisë së brendshme e cila, pasi shkaktoi tension dhe dhunë në hyrje të saj, më pas shkaktoi dhunë më të madhe përpara kryeministrisë dhe ngaqë shiu e shoqëronte në këtë fazë dhe policia përdori gaz lotsjellës, një dhunë tjetër u shkaktua përpara Bashkisë. Nga dhuna e ushtruar nga protestuesit u lënduan disa policë (nëntë të plagosur, disa rëndë dhe disa më lehtë), u dëmtuan trotuare, ndërtesa dhe disa “pemë” zbukurese për festat e fund-vitit. Protesta u njoftua në rrjetet sociale dhe u tha se ishte “spontane”.

Thirrjet që mbizotëruan ishin “ne jemi Klodiani”, emri i viktimës, dhe sharje të ndryshme, nga më të fëlliqurat, kundrejt ministrit të brendshëm dhe kryeministrit. Në thelb kërkuan dorëheqjen e ministrit të brendshëm por dhe të kryeministrit.

Sjellja e policisë ishte vërtet e përmbjatur këtë herë: ndoshta ngaqë ndihësh fajtore për vrasjen. Sjellja e saj më kujtoi sjelljen e policisë greke kur përballet me protestuesit atje, kryesisht anarkistët, dhe policinë britanike, kur kjo përballet me dhunën e organizuar të grupeve të ndryshme qytetare. Si e tillë, sjellja e saj ishte fisnike por duhet të kishte bërë më shumë për mbrojtjen e jetëve të policëve.  

Kthehemi tani tek natyra e protestës: pjesëmarrësit mund të kategorizohen në dy kategori: në ata që thjesht u revultuan dhe donin të shprehnin revoltën e tyre pa dhunë dhe në ata që u “revoltuan” dhe donin të ushtronin dhunë. Katagorisë së dytë mund t`i shtojmë dhe mundësinë e “dhunës spontane”: se ajo nuk ishte e planifikuar por ishte pasojë e spontanitetit të revoltës. Sidoqofshin, kjo revoltë bart një papërputhshmëri të madhe me vrasjet e tjera që ndodhin rreth nesh: të punëtorëve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë (minatorët etj.) por dhe qytetarëve të zakonshëm që vriten për shkak të keqdrejtimit të vendit (nga përmbytjet etj.).

Gjykuar nga numri i atyre që ushtruan dhunë —të cilët ishin disa dhjetra— dhe nga mungesa e të njëjtës indinjatë për vrasje të tjera, por dhe nga gjuha e tyre (kur quajmë njëri-tjetrin vëllezër, si mund të shajmë tjetrin nga robtë, motra apo gjaku në emër të padrejtësisë?!), mund të konkludojmë se dhuna nuk ishte spontane dhe e drejtë në raport me indinjatën por e nxitur nga kundërshtarët e qeverisë.

Si e tillë, ajo ka karakter partiak dhe pushtetor (jo ‘politik’, sepse ‘politika’ shqetësohet për shëndetin e shoqërisë dhe natyrës dhe jo për pushtetin) dhe nuk lidhet me indinjatën e qytetarëve. Ajo do të kishte qenë e drejtë, nëse do të ishte vërtet pasojë e indinjatës, do të ishte e njëjtë ose thuajse e njëjtë në raste të tjerë dhe nuk do të buronte nga rinia e partive opozitare të cilat dihet se janë të kriminalizuara. Por fakti që nuk është shfaqur e njëjta indinjatë në qindra raste të tjerë, ose qoftë edhe në një shkallë më të ulët, tregon karakterin e saj. Sigurisht, mes tyre mund të ketë patur ndonjë me indinjatë dhe mund të ketë ushtruar dhunë për shkak të indinjatës meqënse vrasja nga polici prek më shumë se në raste të tjerë. Këtë fakt duhet ta marrë në konsideratë policia dhe organet e drejtësisë. Fjalën e fundit për këtë dyshim mund ta thonë hetimet: sepse është fare e lehtë të tregohet lidhja mes partive në pushtet dhe dhunës. 

Më hipokrit ishte qendrimi dhe “revolta” e të rinjëve të partisë “demokratike” kur thirrën protesta dhe thanë se do t`i bashkoheshin çdo proteste nga “shoqëria civile” apo grupe të tjerë: sepse “revoltohen” për një vrasje, e cila konsiderohet përgjithësisht e padrejtë, gjykuar ngasa u njoftua nga gazetarët, dhe pavarësisht se gjykata nuk kishte folur, vendimi i së cilës mund të ndikohet nga partia në pushtet, si në raste të tjerë...dhe nuk “revoltohen” për qindra vrasjet e tjera që përmenda më herët dhe vrasjet që ka shkaktuar kryetari i partisë përkatëse në 21 janar dhe pararendësi e tij. Këta janë të rinj që nuk shohin vrasjet e partisë së tyre, as kërkojnë hetimin e tyre, por vetëm të kundërshtarëve! Të rinj të ngjashëm ka dhe partia “socialiste”: ata burojnë nga klasa e mesme e cila paraziton duke u majmur nga partia në pushtet. Të ngjashëm ka dhe LSI-ja.

Shkurt, një njeri i drejtë dënon protestën e dhunshme siç dënon dhunën e padrejtë të policëve me protesta dhe qendrime të drejta dhe nuk bëhet pjesë e lojës hipokrite të partive!

Në fund, revoltën e përcolli kryesisht “News24”. Gazetarët përkatës me komentet e tyre e shfajësonin dhunën e ushtruar nga protestuesit kur dihet se mungon indinjatë e ngjashme në raste të ngjashme ose thuajse të ngjashme! 

Qartësisht, dorëheqja e Ramës dhe Lleshit nuk e zgjidh problemin me të cilin përballemi.

Keqformulimi i ligjit për policinë dhe keqedukimi i policisë nga elita

Rastet e përdorimit të dhunës dhe gazit lotsjellës në protesta lidhen pikërisht me moskuptimin e drejtë të ligjit ose teorisë dhe praktikës së policisë. Në fakt ligji nuk sqaron drejtë se si përkthehet në praktikë koncepti i “proporcionit”! Fjala “proporcion” ka disa kuptime dhe si fjalë përdoret në gjuhët me prejardhje latine dhe gjermanike (anglisht etj.). Si duket ligjhartuesi mendonte anglisht kur e shkruante ndërsa kërkon të vendosë në veprim policët shqiptarë shumica e të cilëve nuk di anglisht dhe rrjedhimisht kuptimi i fjalës përkartëse mbetet e vagët! Kështuqë, mirë është ta sqarojmë si koncept. Kuptimi i saj lidhet me forcën që duhet të përdorë polici kur përballet me një apo më shumë qytetarë. Forca e policit duhet të jetë e barabartë me forcën që ushtron qytetari kundrejt policit. Ligji synon të mbrojë qytetarin nga dhuna e policit dhe i thotë këtij të fundit që mos ta tejkalojë dhunën e qytetarit. Në rast të kundërt, polici dënohet.

Mirëpo, përkthimi i kësaj “fuqie” në praktikë mbetet i vagët edhe nëse kuptimi është e drejtë: së pari, sepse ligji nuk konsideron raportin e pabarabartë mes një polici dhe një qytetari (policin e pajisim me pajime mbrojtëse ndërsa qytetari është i pambrojtur) dhe së dyti, sepse që të ushtrojë “forcë” të barabartë me qytetarin një polic duhet të zhvillojë artin ushtarak që njihet si “art që lufton duke u mbrojtur” por me një synim të mëtejshëm: të ruajë shëndetin e atij që e sulmon pavarësisht se e sulmon. Ky “art luftarak” nuk synohet nga ligji as e kemi dëshmuar nga veprimet policore kur patrullojnë apo përballen me protesta. Përveç një rasti: kur u sulmua kryeministria në mbrëmjen e 9 dhjetorit ku një grup i vogël policësh u ‘sakrifikua’ për mbrojtjen e godinës. Por jo sepse policia ka zhvilluar “artin luftarak” që përmenda. Por sepse ndihësh fajtore. Pas asaj nate, policia shkeli ligjin. Dhuna që dëshmuam ishte e turpshme për mos të thënë kriminale. Por sërish, ajo është pasojë e keqedukimit të policëve në raport me ligjin. Vetë ligji, është keqformuluar dhe përdor terma të huaj kur dihet se i drejtohet shqiptarëve dhe ai nuk zbërthehet nga “profesorët” kur kualifikojnë policët as në teori as në praktikë.

Një çështje tjetër është mungesa e shqyrtimit dhe gjykimit nga trupa policore e veprimeve të policisë në terren. Kjo praktikë do të ndihmonte policinë të zhvillonte arsyetimin dhe të rriste kuptimin për rolin e saj në shoqëri - veçanërisht për të rinjtë e rekrutuar në të. Se pse nuk zhvillohet “vetgjyqësia” në gjirin e policisë lidhet me ministrinë e rendit. Për shembull, Lleshaj pohoi se ai donte të “udhëhiqte” me “shembullin” e tij. Kjo është qasje që ndiqet nga elitat e dy shekujve të fundit, komuniste apo borgjeze qofshin ato. Mirëpo, kjo qasje shpërnjeh jo vetëm rolin e edukimit në raport me ligjin (teorinë dhe praktikën) por dhe efektin e “shembullit”: në rastin konkret Lleshaj si “shembull” udhëheqës kishte një qendrim të ‘ashpër’ në publik (ndoshta ai vetë mund ta konsiderojë sjelljen e tij si autoritare meqënse besohet nga elitat se përmes autoritarizmit vendoset rregull dhe disiplinë) deri sa kulmoi me fyerjen e policëve në mes të parlamentit kur u “përlesh” me Murrizin.

Ndryshimet mes policisë së Enverit dhe Berishë-Ramës dhe shkaqet e degjerimit të saj

Qartësisht, policia ka nevojë për edukim në raport me ligjin dhe rinkoncetim organizativ me qëllim që të mbrojë qytetarin dhe mos të degjenerojë. Por ka një ndryshim të madh, sidoqoftë, mes policisë së socializmit dhe policisë së elitës sonë borgjeze të 30 viteve të fundit: ajo zhvillohësh në dinamikën e ideologjisë socialiste ku mbrotja dhe lumturia e popullit ishte e para dhe ku korrupsioni dënohësh ndërsa policia e sotme jo vetëm që nuk miredukohet në raport me ligjin që administron por kurruptohet së pari nga qeveritë (ministrat dhe kryeministrat) dhe së dyti, kur korruptimi fillon nga lartë, ashtu do të veprojnë dhe të tjerët në shkallaret e tjera të hierarkisë policore. Korrupsioni në polici është endemik. Një studim i realizuar në vitin 2014, “Police Integrity and Corruption in Albania”: Arjan Dyrmishi, tregon shkallën e korrupsionit në polici dhe ndonëse përpiqet të tregojë shkaqet e tij dhe i lidh ata me faktorë edukativë dhe strukturor ose organizativë, ai nuk bën një lidhje të qartë mes ligjit dhe filozofisë së tij dhe efektit të hierarkisë.    

Një ndryshim tjetër, që lidhet me angazhimin politik të elitave, është punësimi i plotë gjatë socializmit dhe punësimi i pjesshëm gjatë 30 viteve të fundit. Punësimi i plotë i shoqërisë nga elita e kohës pakësonte nevojën për policim të shoqërisë ndërsa mospunësimi i plotë nga elita e 30 viteve të fundit rrit nevojën për policim të shoqërisë: sepse një njeri i papunë dhe pa virtyte gjithnjë do të përfshihet në veprimtari kriminale. Punësimi i plotë mundësonte dhe shkollimin e fëmijëve ndërsa mospunësimi i plotë krijon analfabetë dhe familje të brishta dhe thekson klasat sociale. Kështu me punësimin e plotë dhe arsimimin e gjithë shoqërisë elita komuniste -marksiste- reduktoi nevojën e policimit të shoqërisë.

Kjo është arsyeja se pse raporti mes numrit të policëve dhe shoqërisë ishte tejet i vogël në atë kohë ndërsa është rritur gradualisht dekadat e fundit dhe bashkë me ta dhe kostua. Kështuqë, edhe nëse ka të rinj që protestojnë pa u nxitur nga partitë kundërshtare të qeverisë aktuale, ata protestojnë sepse jetojnë në një shoqëri klasore shumë më të mprehte se shoqëria e shekullit të kaluar. Shoqëria klasore, me radhë, krijon dinamika shoqërore të ndryshme (padrejtësi më të mëdha, zemërim më të madh etj.). Arsyeja se pse policia është kthyer në dhunë sistematike, rrjedhimisht, lidhet së pari me mosangazhimin politik të elitës aktuale për punësim të plotë; dhe së dyti me padijen e elitës (politike dhe akademike) për të edukuar policët dhe përgjithësisht shoqërinë.

Por duhet thënë se elita komuniste përpiqësh ta edukonte policin edhe me veshjen e policisë. Veshja e tyre u zgjodh sipas qasjes së përgjithshme komuniste në estetikë: thjeshtësisë. Kjo qasje u braktis nga qeveria “Nano” e vitit 1998, sepse ishte e papërputhshme me ideologjinë kapitaliste. Domethënë, me luksin. Kështu ajo u përputh me uniformat e vendeve europiane. Thjeshtësia dhe luksi janë gjithnjë shije të kundërta. Shijet e luksit u theksuan më shumë me Ramën. Ky i fundit e ka dashur luksin që në rininë e tij, sepse ishte pjesë e fëmijëve borgjezë që lindnin nga gjiri i elitës komuniste. Për këtë dukuri ishin në dijeni anëtarët e elitës dhe shqetësoheshin. Por nuk e kuptonin se pse fëmijët e tyre degjeneruan nga vlerat socialiste drejt “vlerave” borgjeze.   

Por si e fitoi autoritetin policia e Enverit? ‘Autoritet’, në kuptimin e respektimit të figurës së policit nga populli. Policia e Enverit ishte pasojë e luftës. Kjo e fundit spikati organizatorët dhe luftëtarët “më të mirë”. Rrjedhimisht, kur u çlirua Shqipëria policia u drejtua nga “më të mirët” e luftës. Autoriteti i saj ishte i padiskutueshëm. Por ngadalë ajo degjeneroi pavarësisht se përpjekjet për edukimin e saj nuk munguan. Arsyeja kryesore ishte përqendrimi në ideologji se sa në zhvillimin e virtyteve të domosdoshëm në polici. Ideologjia kërkonte që policia të udhëhiqte popullin me veprimet e saj. Domethënë, të ishte mbi të gjitha e drejtë. Por që të “udhëhiqte” asaj i nevojiteshin njerëz virtuozë dhe Marksi nuk i mësonte komunistët se si të zhvillonin njerëz virtuozë—me vlera sociale të qendrueshme. Për pasojë, policia humbi autoritetin e saj dhe në dekadën e fundit të socializmit filluan të qarkullonin talljet e popullit me figurën e tij dhe nuk mungonte as në rolet e teatrit aq sa shumë fëmijë —unë gjithashtu— shpesh kalonim ditën duke përsëritur talljet popullore me policët.

Dy dekadat e para të socializmit policia ishte aq e suksshme —në uljen e kriminalitetit, në zbulueshmëri, në eliminimin e gjakmarrjes etj.—saqë në vitin 1970 presidiumi i kuvendit popullor e dekoroi me “Urdhrin e Shërbimit të Klasit të Parë”.  

Edukimi universitar i policisë filloi në vitin 1971. Që nga ajo kohë nuk vërehet përmirësim mes policëve. Kualifikimi nuk bazohet në zhvillimin e balancuar mes mendjes dhe trupit. Domethënë, koha mes “stërvitjes” mendore dhe fizike, nuk është e balancuar. Për pasojë, shumica e policëve janë mbipeshë. Kjo e fundit shkakton një sërë sëmundjesh (diabet, kancer etj.). Mbipesha ul dhe efiçencën në punë dhe rrit stresin. Si pasojë e padijes, klasa politike e rriti aq shumë numrin e policëve saqë në vitin 2019 kaloi disa fish mesataren e BE-së: për 100 mijë banorë ajo ka rreth 392 policë – rreth 74 policë më shumë se mesatarja e BE-së ose 1 polic për çdo 254 banorë! Të dhënat e drejtorisë së përgjithshme të policisë thonë se kemi rreth 10,985 policë. Në BE ka rreth 312 policë për çdo 100 mijë banorë ndërsa gjithë unioni ka rreth 1,6 milionë oficerë policie. Numri i tyre atje ka ardhur duke u pakësuar ndërsa në Shqipëri duke u shtuar. Udhëheq, në fjalë të tjera, në dhunë policore ndërsa në gjithçka tjetër është e fundit!                           

Si të rrëzojmë qeverinë “Rama” dhe klasën politike për një javë me ndihmën e policisë?

Dy dekadat e para të socializmit mund të quhen pa frikë “epoka e artë e policisë shqiptare”. Por pas atyre 25 vjetëve policia degjeneroi gradualisht pavarësisht se shteti shqiptar rriti vitet e edukimit me ngritjen e degës universitare të policisë. Kjo është një ndër kontradiktat kryesore të policisë dhe mund të shërbejë si rast studimi për studiuesit e pedagogjisë. Domethënë, fakti se policia e 25 viteve të parë të socializmit ‘shkëlqeu’ pavarësisht se shumica e pjesëtarëve të saj nuk kishte arsim universitar ndërsa kur filloi arsimi universitar ajo filloi të degjeneronte! Studiuesit e establishmentit nuk përqendrohen në këto faza zhvillimi. Hamendësisht, sepse nuk i japin dot përgjigje dukurisë.

Sidoqoftë, ‘shkëlqimi’ i policisë së dekadave të para të socializmit lidhet me fazën e luftës gjatë së cilës u kalitën aftësitë organizative dhe udhëheqëse të partizanëve dhe komunistëve. Lufta, në fjalë të tjera, shërbeu si fazë “edukative” për drejtuesit e policisë së shtetit.

Por policia degjeneroi më shumë gjatë tre dekadave të fundit me ndryshimin e sistemit: nga socializmi marksist në kapitalizmin neoliberal ose në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut të ndërkombëtarizuar. Arsyeja kryesore është padija si në raport me qeveritë ashtu dhe në raport me sistemin edukativ. Në fakt qeveritë kanë dashur ta kontrollojnë drejtëpërdrejt policinë ndërsa kanë propaganduar konceptin e “depolitizimit” të saj. Domethënë, se policia është pa parti dhe e paanshme.

Por ligji është hartuar në mënyrë të tillë që policia të kontrollohet dhe drejtohet nga qeveria. Për shembull, drejtori i policisë, i cili përgjigjet për gjithçka lidhur me të, emërohet nga këshilli i ministrave ndërsa vetë ministri i brendshëm “harton dhe mbikqyr zbatimin e politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit” (Neni 7). Kështuqë, nëse ka një shkak kryesor se pse policia ka degjeneruar, ajo është qeveria. Policia, në fakt, duhet të bashkëpunojë me qeverinë.

Qoftë edhe gjatë fazës kur ajo shkëlqeu ajo bashkëpunonte me qeverinë komuniste dhe kontrollohësh nga ajo. Ndaj dhe shkaqet e degjenerimit të saj lidhen së pari me qeveritë e 30 viteve të fundit dhe së dyti me edukimin. Ky i fundit nuk bazohet në virtyte pavarësisht se si koncept përmendet nga elitat moderne. Nuk gjendet askund, për shembull, në literaturën policore, domosdoshmëria e zhvillimit të virtytit të drejtësisë dhe përmbajtjes: sepse pa virtytin e drejtësisë nuk mund të zhvillohet virtyti i përmbajtjes.

Ligji, për shembull, citon dhjetë parime bazë të policisë: ligjshmëria; b) mosdiskriminimi; c) respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; ç) proporcionaliteti; d) pavarësia operacionale; dh) paanshmëria politike; e) integriteti, merita dhe profesionalizmi; ë) transparenca; f) ruajtja e informacionit të klasifikuar; g) kontrolli dhe llogaridhënia.

Por këta parime dhe koncepte nuk zbërthehen gjëkundi! Qoftë edhe nëse konsiderojmë “parimet bazë” të policisë do të kuptojmë se nga burojnë, sepse një njeri i drejtë...me ligjin (ose ligjshmërinë) është dhe jodiskriminues ose nuk bën dallime; respekton dhe të drejtat e njeriut; përdor fuqi të barabartë kur sulmohet, sepse synon ruajtjen e tjetrit; është i pavarur në veprimet e tij; është i drejtë dhe rrjedhimisht i paanshëm ose i depolitizuar lidhur me partitë politike; është i ndershëm (me integritet siç thonë demagogët); është meritokrat sepse është i drejtë në gjykimin e tij; është profesionist sepse është i drejtë; është i tejdukshëm sepse është i drejtë; e ruan informacionin e klasifikuar sepse falë virtytit të tij të drejtësisë kupton se ai mund të shkaktojë dëme ndaj shtetit; është i vetkontrolluar ose i përmbajtur sepse është i drejtë dhe llogarijep sepse një njeri i drejtë e di se veprimet e tij duhet të gjykohen nga të tjerët.

Parimet e policisë, në fjalë të tjera, nuk qartësohen nga ligji. Dhe kur nuk qartësohen në ligj, si mund të pretendojmë të kuptohen dhe zbatohen drejtë nga policët, të vjetër qofshin ata apo të rinj?

Gjykuar nga këto fakte —se polica ka degjeneruar për shkak të padijes së qeverive dhe padijes së sistemit edukativ lidhur zhvillimin e vityteve të domosdoshëm për policinë— cilat mund të ishin kërkesat tona si popull:

1. Largimi i qeverisë “Rama”, sepse e ka treguar se nuk ka dije politike dhe administrative dhe pikërisht sepse nuk ka dije është ajo e para që korrupton policinë siç ka korruptuar gjykatat dhe shoqërinë;

2. Integrimin e qasjes ‘virtuoze’ në sistemin edukativ të policisë dhe jo vetëm; në rastin e policëve, ata e kanë të domosdoshme të zhvillojnë virtytin e drejtësisë dhe përmbajtjes, ndryshe të bëjnë gjëmën, siç na e kanë bërë prej dekadash, dhe zvogëlimin e numrit të policëve ndërsa rifitohet autoriteti i policit dhe zvogëlohet barra e saj me punësimin e plotë të shoqërisë dhe edukimin e saj;

3. Krijimin e kushteve shoqërore për krijimin e një qeverie të re bazuar në virtyte drejtuese/administrative.

Kërkesa e tretë nënkupton se protestuesit duhet të kërkojnë bashkëpunim me policinë dhe mos ta shohin atë si armike të popullit: sepse armiku i parë i popullit tonë është ajo që vetëquhet “elitë” ose “klasë politike” ndërsa armiku i dytë është veprimi (kur voton parti kriminale) dhe mosveprimi (kur nuk vepron drejtë) i vetë popullit. Policia, në fund të fundit, përbëhet nga njerëz të klasës së mesme dhe të ulët si shumica e shqiptarëve. Kështuqë, ajo qendron më afër popullit se sa “elitës” pavarësisht se mes tyre ka “besnikë” të betuar ndaj saj.

Për të njëjtën arsye, protestuesit duhet të ndryshojnë taktikë: të bëjnë “përvete” policinë me qëllim që mos t`i bindet “Ramës”. Edhe nëse mes protestuesve ka nga ata që nxiten me paratë e pista të partive kundërshtare, Berisha dhe Meta, siç ka akuzuar Rama dhe demagogët e tij, ata janë gjithashtu pjesë e shumicës së shqiptarëve, klasë e varfër, dhe nëse punohet me ta, ata mund të ndryshojnë qendrim dhe mos t`u binden “nxitësve” milionerë. Nëse punohet në këtë mënyrë dhe të gjithë kontribojnë në këtë drejtim, shfuqizojmë si qeverinë “Rama” ashtu dhe kundërshtarët e tij, Berisha dhe Meta, brenda një jave. Por vetëm nëse kontribojnë të gjithë. Ndryshe protesta do të shuhet përkohësisht, policia dhe klasa politike do të mbetet e njëjtë; dhe dhuna do të shtohet!             

Si prokuroria ashtu dhe gjykata por dhe qeveria “Rama” nuk vepruan drejtë as me gjykimin e policit dhe as me dëmshpërblimin e familjes: kështu ndërsa prokuroria —pas hetimit— e akuzoi autorin për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijëve të mbrojtjes së nevojshme” dhe kërkoi dënim me burg deri në shtatë vite, sipas nenit 83 të Kodit Penal, një akuzë që u pranua nga gjykata dhe e dënoi autorin me “arrest me burg”…qeveria dëmshpërbleu familjen me vendim të Këshillit të Ministrave duke e quajtur vrasjen “aksident”!

Mirëpo, një ditë më pas u publikua një video e siguruar nga një kamera e rrugës ku ndodhi ngjarja e cila tregonte se viktima ishte “rrahur një herë pastaj ishte vrarë me pistoletë”. Këtë fakt e vërtetojnë dhe dëmet që janë shkaktuar mbi viktimën (qepje etj.). Kështu hetimi i prokurorisë nuk ishte i plotë dhe i drejtë; ndaj dhe përcaktimi do të ishte “rrahje dhe vrasje në kapërcim të detyrës”. Ky përcaktim do ta dënonte autorin më shumë se shtatë vjet burg. Në fakt Kodi Penal mbron policin më shumë se qytetarin. Kur vritet, për shembull, një polic nga një qytetar, dënimi është jo më pak se tridhjetë vjet (Neni 79).

Padrejtësitë e qeverisë “Rama”, prokurorëve dhe gjykatës

Padrejtësisë së prokurorisë dhe gjykatës iu shtua dhe padrejtësia e qeverisë: ajo e quajti “aksident” dhe nuk hetoi lidhur me mënyrën e edukimit dhe rekrutimit të policit në radhët e policisë! Si duket, ka frikë se mos shkarkon ndonjë zyrtar të lartë! Në këtë mënyrë la sistemin edukativ të policisë së shtetit të paprekur gjithashtu dhe njerëzit që i rekrutojnë ata! La, gjithashtu, dhe strukturën policore ose mënyrën organizative të saj të paprekur. Domethënë, faktin që policia nuk zhvillon ndonjë “autokritikë” në gjirin e saj me qëllim edukimin e trupës policore, qeveria nuk e konsideroi fare! As, sigurisht, dhe kritikët e saj—gazetarët e tipit “analistë” (Abilekaj, Gjekmarkaj etj.), të cilët pa pikë turpi shkojnë nga një studio në tjetrën pa e studiuar fare policinë, as nga këndvështrimi pedagogjik e as nga këndvështrimi strukturor përmes të cilit qeveritë e 30 viteve të fundit korruptojnë policinë dhe sistemin e saj “edukativ” me pedagogë partish.   

Ndryshe nga prokuroria, gjykata dhe qeveria, një popull i drejtë dhe i mençur do të kishte vepruar drejtë: do të reflektonte për sistemin arsimor dhe do të kërkonte hetim të drejtë të ngjarjes dhe pasi të kishte dënuar autorin sipas ligjit, do të dënonte dhe pedagogët e partive, të cilët “edukojnë” dhe kualifikojnë policët, por dhe burokratët e ministrive të cilët i rekrutojnë ata në trupën policore por dhe gazetarët e partive për të cilët shpenzojmë kohë nga koha jonë e vyer. Ky është, në fjalë të tjera, hetim i plotë dhe gjykim i drejtë, i cili do të shtronte rrugën për një polici të denjë dhe të drejtë, të respektuar nga populli dhe me autoritet.

Por qeveria “Rama” nuk veproi kështu duke treguar edhe një herë karakterin e saj reaksionar ndërsa kritikët e saj çirren pa realizuar asnjë studim për administratën përkatëse ndërsa përpiqen të tregojnë se janë më të “aftë”, më të “mençur” e më të drejtë se qeveria!

Gjykuar nga rrethanat (rrahja dhe pastaj vrasja) autori nuk mund të ketë “vrarë në kapërcim të kufijëve të mbrojtjes se nevojshme”, sepse nuk është sulmuar, as mund të quhet “aksident” siç e quajti qeveria, term, të cilin, Rama e mbrojti ditën e nesërme kur tha se “personi e humbi jetën në kushte të një përplasje aksidentale”, por ishte pasojë e gjaknxehtësisë së policit ose pasojë e mungesës së virtytit të përmbajtjes dhe virtytit të drejtësisë: sepse një njeri i drejtë është i përmbajtur dhe një njeri i përmbajtur e përmban gjaknxehtësinë edhe nëse përballet me sjellje të keqe ose të kundraligjshme. 

Pas më shumë se një jave nga vrasja gjaknxehtë e policit të shtetit dhe kur u njoftua se prokuroria do të ndryshonte akuzën nga vrasje në “tejkalim” të detyrës në “vrasje me dashje”, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në policinë e shtetit filloi të hetonte “nga afër” policimin e njësisë “Shqiponjat” si dhe historikun e mënyrave të shoqërimit të qytetarëve, sepse rezulton njësia me më shumë raste ankesash nga qytetarët. Njësia policore “Shqiponjat” ka marrë kompetenca shtesë nga ish-ministri Saimi Tahiri dhe u krijua me shpejtësi sipas një plani që parashikonte “zëvendësimin e policave barkderra”. Njësia mori dhe kompetencat e policisë gjyqësore dhe rrugore.      

Përçartjet e qeverisë “Rama” dhe kundërshtarëve lidhur me protestat

Pas protestave u shpalosën dy qendrime kryesore në publik: njëra e qeverisë “Rama”, se ato ishin pasojë e të miturve të manipuluar dhe abuzuar nga kundërshtarët e qeverisë, Berisha dhe Meta, me pará, akuzë për të cilën tha se do të paraqesë fakte, dhe një tjetër, “opozitar”, se ato ishin pasojë e zemëratës ose frustrimit të protestuesve! Në këtë të fundit përfshihet dhe OP-ja. Por të dy qendrimet nuk janë të drejtë jo vetëm lidhur me realitetin por dhe lidhur me shkaqet e protestës. Nga dy qendrimet, i qeverisë është më i padrejti: sepse qoftë edhe nëse e pranojmë se ata janë “manipuluar” nga kundërshtarët e qeverisë me “pesëdhjeçet” e tyre, siç argumentuan disa përfaqësues të qeverisë, ky fakt tregon se ata janë nevojtarë dhe në nevojë —sidomos të rinjtë— që janë papunë dhe pavirtyte, dihet se do të “shiten”. Kështu në vend të shikojë veten si shkak —sepse është detyrë e qeverisë të edukojë të rinjtë dhe t`i bëjë ata virtuozë dhe të punësojë prindërit e tyre— i karakterizon ata si të “manipuluar” dhe të “abuzuar”. Disa të tjerë i karakterizojnë edhe më keq: rrugeçër, alabakë etj. 

Por kujtoj edhe një herë se partitë kanë krijuar “forumet” rinore për të riprodhuar veten. Forumi i partisë “demokratike” thirri protesta një ditë pas vrasjes dhe me siguri që ka nxitur pjesëmarrjen edhe në mënyra të tjera ndërsa Meta i mbështeti ato pavarësisht se është president në një shqoqëri të pushtuar nga partitë politike, roli i tij është ekuilibrues. Kështuqë, shtysa e parë për protesta erdhi nga partitë kundërshtare. Argumenti i qeverisë, rrjedhimisht, është edhe i drejtë edhe i padrejtë: sepse ata vërtet u nxitën nga kundërshtarët e saj, përmes forumeve rionore, por jo sepse u manipuluan. Forumet janë krijuar që të zbatojnë urdhëra dhe si forumi rinor i qeverisë, kërkojnë pushtet. Për ta, rastet “flagrante” të kundërshtarit shërbejnë për realizimin e objektivit të tyre. Këtij mobilizimi partish në proces mund t`i jenë shtuar ata që qeveria quan të “manipuluar”. Por jo se ata janë të gjithë të manipuluar. Në fakt, si rinia e kundërshtarëve të qeverisë ashtu dhe rinia e qeverisë, janë të padrejtë: sepse protestojnë për drejtësi kur dihet se janë pjesë e partive të padrejta ose partive kriminale për të cilat është bërë punë e madhe vitet e fundit për t`i hetuar, gjykuar dhe dënuar me krijimin e Spak-ut.

Duke shpërnjohur këtë realitet, “opozitarët” e qeverisë, duke përfshirë dhe “Organizatën Politike, argumentohet se protestat ishin kryesisht rezultat i zemëratës së atyre që morën pjesë! Ky argument, në fakt, ka disa grimca të vërtetash: sepse mes forumeve rinore të partive ka nga ata që zemërohen me padrejtësi të këtij lloji—sepse është një vrasje barbare dhe prek edhe njeriun e “pandieshëm” për padrejtësi të tjera (kur vriten punëtorët etj.). Por ky kontigjent nuk u mobilizua si pasojë e zemëratës por kryesisht si pasojë e urdhërit të kryetarëve të partive. Kontigjenti tjetër, ai për të cilin flet qeveria —se është “manipuluar— është gjithashtu i ndieshëm kundrejt padrejtësive por pa shtysën e partive ai kurrë nuk do të vetorganizohet. Mund të ketë vetorganizime sponante dhe t`i bashkohen organizimeve jospontane të partive, meqë të rinjë janë dhe mosha e kërkon aventurën, sidomos kur janë pavirtyte, por ata kurrë nuk mund të trimërohen aq shumë sa të sulmojnë policinë të organizuar. Këto janë disa nga arsyet se pse shtova mënyrën se si mund ta rrëzonim qeverinë dhe gjithë klasën politike me bashkëpunimin e policisë.           

Në këto qendrime të padrejta shtohen dhe mësuesit dhe pedagogët e universiteteve. Lektorja e folozofisë së edukimit në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta, për shembull, kur kundron (nëse ka mësuar të kundrojë) për shkaqet e protesave citon se ato lidhen “më së shumti...si një protestë e fëmijëve ndaj mënyrës si po qeverisim mendjen tonë dhe si po na qeverisin ata që pretendojnë se na udhëheqin” [sepse] “ne kemi dështuar në dy filozofi qeverisëse brenda të njëjtit sektor, në atë të sigurisë dhe të policimit komunitar”. Më tej ajo sqaron se nuk është objekti i shkrimit “të analizojë këto dështime me përkatësi emërore por përsëri...koncepti “komunitar” është edhe në dështimin e tretë qeverisës, atë të shkollës komunitare. Ajo shkolla që ka për mision parandalimin e dhunës përmes cilësisë së edukimit dhe pjesëmarrjes aktive në edukim. Pra, është një dështim spektakolar i propagandës qeverisëse aktuale”.

Duke lënë mënjanë gabimet drejtëshkrimore dhe stilin e saj gjuhësor që nuk i shkon për shtat një lektori të filozofisë, lidhja e saj me “dy filozofitë qeverisëse —“të sigurisë dhe policimit komunitar”— si shkak i sjelljes së dhunshme të adoleshentëve në protesta, vetëm i drejtë nuk është nesë kemi parasysh “shtysat” e protestave të cilat i përmenda më herët. Autorja, si lektore filozofie, nuk ka kuptuar as faktorin vendimtar të sjelljes së dhunshme të të rinjëve: se qeveritë neoliberale kanë braktisur angazhimin për punësim të plotë, kryesisht për t`i shërbyer oligarkisë qeverisëse se sa popujve ndërsa krijojnë përshtypjen se kanë themeluar “demokracinë”.

Por le ta lëmë mënjanë këtë faktor meqë lektorja në fjalë s`e ka idenë nga filozofia politike, që si disiplinë përfshin dhe filozofinë e edukimit, dhe të përmendim faktorin për të cilin flet: mungesën e edukimit mes të rinjëve. Ajo ka të drejtë se edukimin e kanë shkatërruar partitë por cilin “edukim”, sepse dimë nga filozofia, se edukimit modern i mungon orientimi “virtuoz” i shoqërisë. Domethënë, padija e sistemit arsimor për të zhvilluar njerëz vituozë. Gjendja bëhet edhe më e dhimbshme kur elita jonë, në bashkëpunim me akademikët e zhytur në padije, nuk ‘lejon’ të integrohet një qasje virtuoze në edukim. Teza ime, për shembull, çensurohet! Autorja bëhet edhe më problematike kur na tregon si shkak të protestave mungesën e policimit komunitar duke nënkuptuar se ne duhet policojmë fëmijët nëpër komunitete që t`i disiplinojmë ata!

Këtë qasje, tejet shqetësuese, gazeta “Dita” e vendosi kryeartikull!

Qoftë edhe qasja e Arlindit, se rrënjët e protestave lidhen me faktorë social-ekonomikë, domethënë, “momenti i shfryrjes së zemëratës së akumuluar ndër vite me keqtrajtime ekonomike, politike dhe sociale”, nuk është i drejtë jo vetëm sepse shpërnjeh “shtysat” që përmenda më herët, të cilat janë shkaktuar kryesisht nga partitë në pushtet, për të cilat populli i ndershëm pret dënim, por sepse nuk përmend as sistemin arsimor ku edukohen policët dhe fëmijët e tjerë, as natyrën e ligjit të policisë (ai nuk shoqërohet me filozofi ligjore dhe mundëson korruptimin e policisë nga qeveritë) as edhe siç pritet të na tregojë një pedagog i shkencave sociale, natyrën e arsimit në përgjithësi.

Por kritika e tij është e drejtë kur kundërshton argumentin e ministres së arsimit, Evis Kushi, e cila tha se adoleshentët nuk mund të protestojnë dhe se kanë nevojë për psikologë, por jo duke na treguar vetëm “dhunën sistematike” të policisë në njërën anë dhe zemëratën e të rinjëve në anën tjetër. Kjo është një qasje tejet e ngushtë dhe si e tillë riprodhon krizën si në polici ashtu dhe në shoqëri. Pështjellim të njëjtë tregoi kur nuk dënoi dhunën e nxitur nga partitë. Për ta përligjur atë kundërshtoi dhe Ramën pasi ky fundit nuk kishte hasur dhunë të ngjashme as në mendimet e filozofëve francezë të ekstremit të majtë, duke i citur atij disa mendimtarë modernë. Kështu në vend të tregonte se nga buron dhuna sistematike e policisë dhe qeverisë dhe kundërdhunën e organizuar nga partitë në pushtet, përligji kundërdhunën!

Por le ta shqyrtojmë pohimin e ministres së arsimit se “adoleshentët nuk lejohen të protestojnë”: sa i vërtetë është ky pohim? Së pari, nuk citohet në kushtetutë se atyre u ndalohet protesta. Së dyti, dhe gjykuar nga fakti se kur votojmë për herë të parë —në moshën 18 vjeç— dhe çfarë nënkupton kjo e drejtë —se njeriu pas kësaj moshe është qënie politike dhe e aftë të gjykojë drejtë, dhe përpara kësaj moshe prezumohet se nuk mund të gjykojë drejtë, por dhe nga fakti se adoleshentët janë më shumë spontanë se sa qenie racionale dhe mund të dëmtojnë dhe dëmtohen, adoleshentët nuk duhet të lejohen të protestojnë. Kështuqë nëse ka nga ata të rinj që janë korruptuar nga partitë në pushtet, me pará siç thuhet, duhet të dënohen partitë.            

Përfundime

Duke kuptuar drejtë problematikën me policinë — se policëve nuk mungon ligji por u mungon filozofia ligjore kur kualifikohen si policë, domethënë, kuptimi dhe përdorimi i drejtë i ligjit, ose shkrimi i ligjit në mendje, shpirt dhe zemrën e policëve, një proces që nënkupton jo vetëm teorinë por dhe praktikën dhe zhvillimin e virtyteve, kryesisht virtytet e drejtësisë dhe përmbajtjes, mund të kuptojmë dhe argumentin që po përdoret nga pedagogët e partive dhe jo vetëm por dhe nga gazetarët e partive, në këtë rast, të partisë së “Ramës”!

Plarent Ndreca, për shembull, jurist me përvojë në sektorin e policisë gjyqësore dhe një ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë së brendshme, i cili u largua nga detyra në muajt e fundit të ministrisë “Lleshaj”, e paraqiti ndryshe gjendjen në polici në një studio llasticash: se është “gabim njerëzor” dhe nuk mund të përgjithësohet gjithë policia! Ndreca ka çdo arsye që ta paraqesë rastin si “gabim njerëzor” meqënse është “burrëruar” në polici. Por nëse e mbështesim këtë “argument” problemi me policinë mbetet i pazgjidhur: sepse nëse do t`i kuptonin drejtë dhe zbatonin drejtë ligjet nuk do të kishim padrejtësitë që dëshmojmë nga policët kur përdorin më shumë dhunë se ç`nevojitet.

Në fakt dhuna mund të përdoret vetëm në rastet kur kuptohet se një njeri përbën kërcënim për shoqërinë. Por ky lloj kuptimi kërkon hetim dhe policët kur kualifikohen duhet të mësojnë të hetojnë dhe mos të veprojnë pa hetim. Në rastin konkret bëhet fjalë për ligjin e ndalim-qarkullimit pas orës 22:00. Ligjin përkatës nuk dinë ta zbatojnë thuajse të gjithë policët. Ata përputhin ligjin me çdo rast dhe jo rastin me ligjin: sepse si parim ligji zbatohet mbi të gjithë njëlloj por rastet ndryshojnë. Për shembull, në rastin e ligjit të ndalim-qarkullimit, një njeri mund ta shkelë ligjin për arsye serioze (për nevoja jetike). Por kjo s`do të thotë se ligji ose polici që zbaton ligjin duhet të ndalojë dikë kur bëhet fjalë për nevoja jetike.

Në këtë rast, polici e ndihmon njeriun në fjalë dhe nuk e ndalon: sepse ai është polic për të siguruar jetën dhe “nevojat jetike” janë pjesë e jetës. Ja pse themi se ligji duhet të kuptohet drejtë nga policët përpara se të lejohen ta zbatojnë atë. Por që ta kuptojnë drejtë ata kanë nevojë për filozofi ligjore ose juridike — filozofi, e cila, në dijeninë time nuk është integruar në pedagogji. Pse? Sepse “prefesorët” ligjor janë kualifikuar pa filozofi ligjore. Në këtë mënyrë riprodhohet padija ose dija gjysmake. Unë kam punuar një kapitull në librin tim të parë për këtë çështje dhe kam treguar natyrën e ligjit dhe çfarë nevojitet për zbatimin e tij. Por establishmenti akademik dhe partiak nuk e akrediton sepse dëmtohet!     

Kështu vërtet policia e shtetit duhet të mbrojë jetën e njerëzve sipas ligjeve në fuqi. Neni 21 i Kushtetutës së Shqipërisë citon se “Jeta e personit mbrohet me ligj” ndërsa ligji nr. 108/2014, “Për policinë e shtetit”, tregon më në hollësi se si policia mbron jetën e personit juridik. Por jo në kushte kaosi të cilin e krijon qeveria me (pa)dijen e saj; padijen sepse as e edukon popullin sipas Kushtetutës (Neni 57) as e punëson atë sipas Kushtetutës (Neni 59, pika ‘a’). Ndaj parazitët e televizionve që na tregojnë policinë si shkaktare të vrasjeve që po dëshmojmë këto ditë, apo në të kaluarën, dhe me siguri në të ardhmen, ta mendojnë mirë përpara se të tregojnë policinë si shkaktare. Parazitëve të televizioneve iu shtua dhe presidenti Meta gjatë ditëve të para të qershorit kur vrasjet përmes atentateve u shtuan më keq se në filmat “far west”: ai kërkoi nga policia “të shkundet dhe të luftojë krimin në çdo qelizë”. Kërkoi, në fjalë të tjera, parandalimin e krimit nga policia kur dihet se shoqëria është lënë qëllimshëm në kaos (pa edukim etik dhe pa punë) nga klasa politike ku ai bën pjesë! Si kundërshtar politik i Ramës këtë herë nuk sulmoi qeverinë e tij por policinë! Nuk munguan çaprazë dhe reaksionarë të tjerë që të tregojnë popullin si përgjegjës për vrasjet mafioze dhe jo qeveritë dhe detyrat e tyre të cilat citohen në Kushtetutë.           

Krimet masive në rrugë dhe familje dhe udhëkryqi i madh i policisë dhe shoqërisë shqiptare

Qeveria “Rama” nuk mësoi as nga vrasja e Klodianit. Ajo u mjaftua me zëvendësimin ministrit të brendshëm: Lleshajn me Çuçin (ose priftin me hoxhën). Njësoj veproi pas vrasjeve në Velipojë ku u vranë katër njerëz për shtrirset (“shezlong” quhen përgjithësisht nga gazetarët dhe hotelet duke ndjekur fjalën e ndërkombëtarizuar franceze “chaise longue”) të ranishteve të bregdetit dhe aksidentit rrugor në autostradën Fier-Vlorë ku u shua një familje me katër anëtarë (dy fëmijë dhe dy prindërit) si pasojë e shpejtësisë marramendëse të një 22 vjeçari me automjet luksoz. Ajo paralajmëroi ndryshime në polici...ndërsa bleu aeroplanë pa pilotë (ose “dronë super-inteligjentë”, sipas ministrit) nga Turqia për të mbikqyrur (“monitoruar” tha ministri!) rrugët dhe gjobitur shkelësit e kufijëve të shpejtësisë.

Nuk harroi të përmendte dhe përgjegjësinë e gjykatave të cilat veprojnë (“operojnë” tha ministri!) sipas parimit “kap ça të kapësh”, një slogan i përdorur nga Rama...të cilat nuk dënojnë shkelësit e ligjit. Për të parandaluar vrasjet në ranishte (“plazhe” tha ministri!) përmendi procedurat “transparente në ndarjen e tyre përmes shërbimit nga platforma e-Albania”, sepse, sipas tij, “policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare”. Duke mos përjashtuar të metat e policisë por pa i përmendur ato, ministri tha për ata që “flasin me të madhe për rritje të kriminalitetit apo të fataliteteve në qarkullim”, se është e “pavërtetë” meqë “shifrat pohojnë krejt të kundërtën”.   

Siç paraljamëroi pas mbrojtjes së tij publike ashtu ndodhi pas më shumë se një jave: rokadoi “titullarët e strukturave të policisë [14 prej tyre] në nivel qarku” duke e shtrirë ndryshimin “hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Shqipërisë”. Më tej ministri argumentoi se qeveria ku ai bën pjesë, do të krijojë një kuadër rregullator të ri për të futur në praktikat e hetimit “të ardhurat e drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtja ligjore në qarkullim” ndërsa “do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi”, meqë “komisariati dixhital” tha minsitri, “po forcohet nga pikëpamja teknologjike dhe operative”. Nga qendrimi i tij minsitri theksoi që në fillim se “policia e shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve”.

Pas tij doli dhe foli për mediat dhe Rama. Ky përsëriti faktin se krimi nuk por rritet dhe për të njëjtën arsye ai ka “zero shqetësim”! Pas katër ditësh Rama kërkoi nga drejtuesit e rinj në një takim me ta që policia “t`i japë fund pa-ndëshkueshmërisë në radhët e saj”. “Në radhët e forcave të rendit”, tha ai, “nuk mund të ketë më bashkëpunëtorë të krimit, që korruptohen nga kriminelët dhe lejojnë të shkelen ligjet në kurriz të qytetarëve” ndërsa kërkoi nga policia që “brenda 100 ditëve të riorganizojë punën përballë kërkesave në rritje të opinionit publik për shërbime me standarte europiane”. Ai shtoi “se është i patolerueshëm korruptimi dhe bashkëpunimi i policëve me njerëz që shkelin ligjet e ndërtimit, kërkimi i rryshfeteve shoferëve në rrugë, apo indiferenca ndaj dhunës në familje”. Sipas tij arsyeja e vetme i gjendjes së krijuar në policinë e shtetit është korruptimi i punonjësve të policisë duke përmendur dhe paketën përforcuese që kaloi në kuvend muajët e fundit. Në fjalë e tij:

“Për cilën arsye në botë, ne duhet të kemi akoma shfaqje, sado sporadike, të ndërtimeve pa leje? Për cilën arsye në botë? Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit. Asnjë arsye tjetër nuk ka, bashkëpunimi në krim, ndërkohë që në Parlament, në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët shqiptar nuk kanë arsye të paguajnë për to”.

Nuk harroi të përmendte se qytetarët duhet të trajtohen të barabartë në shkeljet dhe të drejtat e tyre ndërsa forcat e rendit i kanë të gjitha mundësitë —fuqitë njerëzore dhe pajisjet elektronike— që të kontrollojnë territorin dhe të ndëshkojnë shkelësit e ligjit. Atje ku policia nuk ndërhyn “është e qartë se e kanë kompromentuar ata që shkelin ligjin nga lokalet e bregdetit e deri te betonieret nëpër ndërtime të paligjshme”.

Shtoi në fund shqetësimin tjetër lidhur me shoqërinë tonë: dhunën në familje dhe kërkoi nga policia që mos ta nënvlerësojë atë dhe kërkoi që çdo strukturë policore të përcaktojë një njësi të posaçme për të ndërhyrë në sinjalizimet për dhunë në familje, të mbrojë gratë e fëmijët dhe të mundësojë nxjerrjen para ligjit me prova dhunuese [të shkaktarëve] e jo të shpëtojnë të nesërmen dhe t`i kthehen sërish dhunës në familje.

Qartësisht, Rama, ministri i tij dhe vartësit e tjerë të ministrive, s`e kanë të qartë as krizën në polici (sepse për krizë bëhet fjalë) as krizën në shoqëri. Për krizën në polici ai nuk duhet të mjaftohësh as me zëvendësimin e ministrit Lleshaj me Çuçin pas ngjarjes së parë as me rokadën e drejtorëve të policisë pas ngjarjes së dytë. Por duhet të synonte pikë së pari zvogëlimin e numrit të policisë meqë është shumë më i lartë se mesatarja evropiane dhe rikonceptimin e saj duke rikualifikuar policët. Për të zvogëluar numrin e policëve dhe rrjedhimisht koston që paguajmë për kualifikimin dhe për strukturat policore, nevojitet punësimi i të papunëve ndërsa paralelisht ri-konceptohet arsimi përmes të cilit synohet zhvillimi i virtyteve etike krahas virtyteve intelektuale.

Qeveria “Rama” ka vendosur si objektiv punësimin e të papunëve por jo punësim të plotë. Ndaj dhe ka punësuar disa qindra të papunë - një përqindje e të cilëve janë punësuar në administratën publike. Ndaj dhe e lë policinë të përballet me një masë të madhe njerëzish jo vetëm të papunë por dhe pa virtyte (njeriu pa virtyte dhe i papunë gjithnjë do të përfshihet në krim). Dhe jo vetëm me “këtë masë” njerëzish por dhe përballë një “mase” tjetër: armët që qarkullojnë lirshëm në popull falë globalizmit neoliberal ose lirisë së lëvizjes së njerëzve mes shtetesh. Edhe nëse policia kontrollon, për shembull, doganat dhe çarmatos tërësisht njerëzit brenda shtetit tonë, ajo s`ka asnjë mundësi të kontrollojë tregëtimin e armëve përmes pikave të tjera kufitare as ka mundësi të shuajë “etjen” e njerëzve për t`u armatosur brenda vendit.

Një ndër arsyet kryesore se pse armatosen njerëzit, është pasuria: ata vënë shumë pasuri dhe ngaqë pasuria e tyre lakmohet, ata detyrohen të blejnë armë për ta mbrojtur atë. Ka dhe nga ata që e blejnë armën për të “bërë të fortin”. Këta jetojnë me mendësinë e të fortit ose të njeriut që realizon qëllimet e tij duke bërë të fortin ose duke përdorur dhunën. Krahas këtyre, qendrojnë organizatat kriminale: këta pa armë nuk zhvillojnë dot as një lloj veprimtarie kriminale.

Në kontigjentin e parë —të njerëzve që blejnë armë për të mbrojtur pasurinë— bënë pjesë shumica e shqiptarëve. Këta vënë pasuri të madhe kryesisht sepse jetojnë pa parime dhe imitojnë të tjerët: sepse përmes pasurisë mund të realizojnë synime të tjerë shoqëror (të duken të zotë; të mashtrojnë ndonjë femër etj.). Parimi, të cilin e citoj dhe në studime të tjerë, se “pasuria që lakmohet është e rrezikshme ndërsa ajo që dyshohet nuk është e ndershme”, as është kuptuar e as do të kuptohet ndonjë herë nga shoqëria jonë nëse puna përkatëse nuk bëhet pjesë didaktike shkollore dhe shoqërore: sepse ky është vetëm një parim nga shumë parime të tjerë që duhet të zhvillojë një shoqëri që të zvogëlojë krizat.

Në kontigjentin e dytë —të njerëzve që jetojnë me mendësinë e të fortit— është gjithashtu një përqindje e madhe e popullit tonë meqë këtë lloj mendësie e kemi trashëguar brez pas brezi dhe nuk është zhvilluar mendësia tjetër që qendron kundër saj: e të qenit virtuoz. Kjo lloj mendësie zhvillohet vetëm kur në arsim dhe shoqëri synohet zhvillimi i njerëzve virtuozë.

Në të tretin —kontigjentin e organizatave kriminale— bën pjesë një pakicë e popullit. Ky kontegjent është pasojë kryesisht e braktisjes së anagazhimit për punësim të plotë nga partitë politike. Për sa kohë, rrjedhimisht, do të kemi të njëjtat parti në pushtet, por dhe parti apo lëvizje të tjera politike që nuk janë në pushtet dhe nuk synojnë punësim të plotë, për aq kohë do të krijohen organizata kriminale. Dhe për sa kohë që në arsim dhe shoqëri nuk synohet zhvillimi i vityteve etikë —siç nuk synohet— për aq kohë do të kemi njerëz që do të blejnë armë dhe do të jetojnë me mendësinë e të fortit, sidomos në kushte kur dihet se policia nuk mund të kontrollojë dot —edhe nëse dyfishohet numri i policëve— as kërkesën e as ofertën. Këtë të fundit mund ta kontrollojmë vetëm kur në arsim dhe shoqëri zhvillohen virtytet etike.

Dukuria e krimeve në rrugë dhe në familje nuk ndryshon shumë në Amerikë: atje jetohet, gjithashtu, me mendësinë e të fortit dhe mendësinë e të qenit pasanik. Ndryshimi kryesor që kemi me amerikanët, të cilët shumë prej popullit tonë i admirojnë, është se atje lejohet armëmbajta. Ndaj themi se atje policia përballet me një popull të keqedukuar dhe me një det armësh. Në vendin tonë policia nuk përballet me një “det” armësh si atje por sërish përballet me njerëz të armatosur, të cilët edhe nëse çarmatosen të gjithë, me dinamikën e krijuar —mendësinë e të fortit dhe mendësinë e pasanikut— ata do të armatosen shumë shpejt. Ja pse them se çështja e krimeve në rrugë dhe familje nuk mund të zgjidhet nga policia por nga një forcë politike që ka dijen e administrimit të shtetit.      

Një ndryshim tjetër me amerikanët është punësimi: elita atje synon punësim të plotë, të cilin e ka realizuar deri diku përmes politikave monetare meqë politikat social-demokrate nuk mund t`i përdor në kuadër të politikave globalizmit neoliberal. Kjo është ndër arsyet kryesore se pse krimet atje luhaten 30 vitet e fundit: duke qendruar në përqindje thuajse konstante por vazhdon të jetë e lartë.                      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA