...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë dhe arrorëve*

Bujqësia dhe blektoria nuk mund të zhvillohet pa dije teorike-sistemike dhe disiplinare. Domethënë, duke kuptuar sistemin në raport me sistemin global dhe bujqësinë, bletorinë dhe tërësinë e sektorëve të ekonomisë.

Ylli Përmeti

07/11/2017 - 10:06

Kujtoj se vetëm kur ne kuptojmë shkaqet e rënimit të një sektori ekonomik – ne mund ta zhvillojmë atë. Për të treguar shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë shqiptare, këtu do të shqyrtoj bujqësinë dhe blektorinë si bazë të ekonomisë sonë. Sa e rëndësishme është, rrjedhimisht, pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave në kuadër të BE-Eurozonës dhe Globalizmit Neoliberal dhe cila është lidhja e “standarteve” evropiane me sektorin e bujqësisë dhe blektorisë? Greqia, për shembull, radhitet në vendet më të varfra të Eurozonës bashkë me Spanjën, në një nivel varfërie më shumë se 20%. Sa i përket strukturës së punës, Greqia radhitet në nivele të ulëta rrogash dhe të ardhurat bruto për orë të manifakturës brenda komunitetit. Në vitet 1970 ato ishin 47% dhe në vitin 1994 ishin 46%, dhe sot është poshtë gjysmës së Europës perëndimore, vende këto që tashmë kërkojnë reduktim të rrogave të punëtorëve, pavarësisht borxhit vendor. Ky fakt është evident dhe ka krijuar një rreth vicioz i cili nuk lejon rritjen e ekonomisë vendore. Kërkesa e tregut për produktet vendore dekurajon investitorët vendorë, gjë që çon në vetëpunësim.[1] Shqipëria, nga ana tjetër, pavarësisht se nuk është integruar plotësisht në të njëjtin rend, rrënimi i ekonomisë së saj po ecën me ritme të shpejta: bujqësia, për shembull, ndonëse me rendimente të kënaqshme përgjatë tre dekadave të para të socializmit marksist, me prodhim në drithëra, 5,3 herë më të lartë se viti 1945 në krahasim me vitin 1985,[2] por me probleme në shpërndarjen e prodhimit,[3] është paralizuar totalisht. Sasia e tokës së kultivueshme në vend është në mjerim. Toka kultivohet shumë pak dhe praktikat janë primitive dhe prodhimet janë të mbingarkuara me hormone dhe koncentrate. Një sasi e konsiderueshme është betonizuar dhe pjesa tjetër po moçalohet.[4] Një pjesë tjetër e fermerëve nuk kanë kurajën për ta kultivuar tokën — për dy arsye kryesore:

1.      arsyeja e parë lidhet me pamundësinë e çdo bujku apo/ose fermeri që të kultivojë tokën mekanikisht — d.m.th me ndihmën e industrisë bujqësore. Krijimi i një kooperative bujqësore në Shkodër,[5] për shembull, tregon se kjo problematikë është kuptuar deri diku. Por ajo do të dështojë nëse synon cilësinë, sepse në treg dominojnë mallrat e huaj me çmim shumë më të lirë se prodhimet vendore: për dy (nën)arsye: sepse vendet fqinje janë integruar herët në tregun kapitalist dhe përdorin fára me ndryshime gjenetike ndërkohë që përgjatë rritjes e pjekjes përdorin hormone bimore. Ndryshimet gjenetike në kombinim me plehrat kimike dhe teknologjinë e lartë — ulin koston e prodhimit. Nuk është e rastit që një pjesë e mirë e fermave në Britani po braktisin mbarështimin “bioorganik” të gjedhëve pavarësisht kërkesës në rritje. Sepse kostua e lartë e ushqimit të gjedhëve është e papërballueshme.[6] Ferma të tjera përdorin praktika monstruoze.[7] Në Amerikë ndërmarrjet që shpërndanin ushqim të koncentruar janë në tkurrje.[8] Sepse konsumatorët kanë kuptuar efektet negative në shëndetin e tyre dhe janë në kërkim të ushqimeve tradicionale. Si pasojë, një perandori është në rënie të lirë dhe një tjetër po ngrihet. Ato kanë filluar që nga viti 1980-90-të - të reduktojnë shpenzimet në marketing, kërkimin shkencor dhe në kuptimin e konsumatorëve duke theksuar më shumë promocionet tregëtare, uljen e çmimeve, krijimin e marrëveshjeve me studiuesit dhe shpërndarjen e prodhimeve në raftet e supermarketeve. Shkurt, çdo kooperativë duhet ose t’i përshtatet tregut kancerogjen ose të prodhojë produkte cilësore dhe t’i shesë ato te shtresat e larta. Thënë ndryshe, në kuadër të një shoqërie klasore dhe një shoqëri përfitim-orientuese fermerët ose do t’i përshtaten praktikave më fitimiprurëse — domethënë, do të manipulojnë me prodhimin, ose do të sigurojnë blerësit e mundshëm dhe do të prodhojnë me cilësinë që ata imponojnë. Nëse gjykojmë nga praktikat e ndërmarrjeve kapitaliste, ato zakonisht sigurojnë në një shkallë të lartë blerësit dhe prodhojnë në bazë të kërkesës që krijon sistemi. Pjesa tjetër e ndërmarrjeve i përshtatet tregut. Ndryshimet gjenetike dhe përdorimi i hormoneve, rrjedhimisht, me gjithë pasojat që shkaktojnë në organizmin e njeriut, bimëve dhe kafshëve, bëhen të pashmangshme. Në kuadër të propozimeve hileqare dhe idiote kohët e fundit, disa akademikë gjermanë në bashkëpunim me disa homologë shqiptarë, sugjeruan jo ndryshimin e filozofisë ekonomike, por thjesht ndryshimin e teknologjisë me qëllim që të konkurrojmë vende të tjerë të rajonit! Por teknologjia kineze, për shembull, që nuk ishte efiçente sa teknologjia e kohëve tona, mbështeste zhvillimin e tonë në një shkallë të lartë: më shumë se 40% të PBB-së. Ndërsa tani ai është rreth 18% ose rreth $2.2 milionë![9] Kjo përqindje është përmbysur, sepse toka në socializëm ishte pronë e përbashkët dhe kultivohej një sipërfaqe e madhe me pak mjete bujqësore industriale (traktorë, autokombanjë, etj.). Për kooperativistët ishte krijuar një proces që shoqërohësh me ekspertizë shkencore dhe mirë-organizim —përmes të cilit realizonin njëherësh disa objektiva: rrisnin cilësinë, sasinë dhe ulnin koston e prodhimit. Kujtoj, edhe një herë, se agronomia shqiptare arriti nivele të lartë cilësie dhe prodhimi falë organizmit shkencor të disiplinës përkatëse, në teori dhe praktikë, pavarësisht se dekadën e fundit filloi abuzimi me kimikatet. Domethënë, u përmbys raporti i plehrave në përdorim për bujqësinë, mes plehut organik dhe plehut kimik. Kështu ndërsa përmes këtij procesi realizoheshin objektivat, burokracia shtetërore ndikonte në rritjen e kostos. Sot bujkut i duhet të sigurojë njëherësh edhe tokën edhe mjetet bujqësore, por edhe njohurinë e nevojshme —empirike dhe shkencore— për të arritur në rendimente dhe cilësi të lartë, por edhe të gjejë blerësin e mundshëm. Aspekti i ‘fundit’ të prodhimit në tregun aktual është më problematiku sepse prodhuesit nuk mund të dinë se nëse do ta shesin apo jo prodhimin. Dhe është pikërisht kjo dinamikë që pengon zhvillimin e çdo kooperative. Gjithashtu, sugjerimi i “akademikëve” gjermanë, lidhur me teknologjinë, fsheh një të vërtetë tjetër: ata kërkojnë të shesin teknologjinë e tyre pavarësisht sesa e domosdoshme, cilësore dhe e dëshirueshme është ajo. Sepse me krizën energjitike që do të përfshijë vendet e industrializuara në të ardhmen, meqenëse i karakterizon e njëjta dinamikë, me atë të fermerëve, teknologjia gjermane duhet t’i përshtatet epokës post-naftë. Ndërsa kontributi i bujqësisë ka rënë më shumë se gjysma (22%), që nga koha e socializmit (1990), toka e privatizuar e cila përdoret në bujqësi është në shifrën 80%.[10] Pjesa tjetër (20%) hamendësisht është shtetërore. Kjo nënkupton se në Shqipëri do të shohim firma të huaja fantazma për të investuar në këtë sektor, pasi “ekspertët” e establishmentit e mbështesin politikën e ‘shitjes’ së tokave si rrugëzgjidhje për bujqësinë! Nuk do të ishte e çuditshme që blegtoria jonë të tkurret, sidomos dekadën e fundit: numri i lopëve, për shembull, është më i ulëti që nga viti 1983.[11]

2.      arsyeja e dytë lidhet me “monopolet në nivel botëror”: bujqësia dhe prodhimet e saj gjenden nën presione të tregut botëror, i cili është monopol i korporatave mbikombëtare të cilat dekadat ‘70-‘80-‘90, modernizuan fermat me ekipe shkencore duke e rritur rendimentin -  jo cilësinë - me ndërhyrje gjenetike — domethënë duke modifikuar elementët përbërës të farave.[12] Atje janë të paktën gjashtë korporata shumëkombëshe. “Monsato” udhëheq kursën.[13]Dy janë arsyet bazë se përse modikimi i farave ndërmerret: që bima të jetë rezistente kundrejt herbicideve me nivel të lartë toksik, siç është “glyphosate” dhe “roundup”, të cilët janë patentuar nga kompania amerikane “Monsato” në vitet 1970;[14] dhe që të ulet kostua e prodhimit.

Harta e rajonizimit të bujqësisë: një tjetër “propagandë e zezë”

Qeveria “Rama1+2” na komunikoi “hartën e rajonizimit të bujqësisë” përmes së cilës kërkon të rigjallërojë sektorin![15] Edhe kjo praktikë - është adoptuar nga politikat e BE-së. Përmes kësaj harte qeveria kërkon të nxisë ndërmarrjet e vogla për t’u orientuar drejt bujqësisë duke u garantuar dëmshpërblimin nëse nuk shesin prodhimin. Ajo kërkon të kalojë ‘nga një bujqësi e mbijetesës te një bujqësi e dijes e konkurrencës dhe e përfitimit përmes konkurrencës’dhe të rrisë‘efektivitetin e skemës së mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit, si dhe vendosjen gjithmonë e më shumë para syve të të gjithë njerëzve të sektorit dhe shembujve të suksesit që krijojnë zinxhir vlerash’! Për ta realizuar këtë objektiv ajo do të integrojë pesë masa kryesore:

  • Agropërpunuesit do të lehtësohen me një ulje të TVSH-së prej 20% nga 6% që ishte;
  • Ndërmarrjet e vogla nuk do të paguajnë TVSH për importimin e makinerive agro-ushqimore;
  • Sektori i peshkimit do të përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe e karbonit për karburantet;
  • Nafta për bujqësinë do të jetë plotësisht e subvencionueshme përkundër faturës; dhe
  • Do të hiqet tarifa doganore për grurin, materialin biologjik, miellin, dhe ushqimin për kafshët.[16]

Por përtej faktit që subvencionimi ngre koston për qytetarët e tjerë, sepse çdo ‘subvencionim’ buron nga tërësia e taksave të qytetarëve, ky “riorganizim” i sektorit nuk ndihmon as në rritjen e cilësisë as edhe të sasisë, sepse praktikat aktuale janë në shumicën e tyre primitive. Ndërmarrjet e agropërpunimit, për shembull, përgjithësisht janë monopole në treg, sepse vitet e fundit janë pajisur me makineri cilësore dhe në to, siç dihet, janë aksionerë politikanët tanë profesionistë, tërthorazi dhe drejpërdrejt. Nga ulja e taksës për këtë kategori ndërmarrjesh, rrjedhimisht, qeveria pasuron monopolet dhe varfëron popullin. Dhe për të mbuluar deficitin qeveria po vazhdon të marrë borxhe, të cilët, ia faturon popullit. Ndërsa heqja e TVSH-së për ndërmarrjet e vogla është një fiasko përsa kohë që ato s’kanë fuqi blerëse. Ndërkohë detet dhe liqenet tanë, për mos të folur për lumenjtë, janë tejpeshkuar, për mos të thënë shkatërruar, nga peshkimi intesiv dhe barbar (me dinamit etj.). Për të njëjtën arsye, peshkimi duhet të riorganizohet mbi baza rigorozisht shkencore: ai jo vetëm që duhet t’i përmbahet ciklit të shumimit të peshqëve, por përmes një politike ekologjike qeveria duhet të zhvillojë rezervate ku mund të kultivohen peshqit dhe të mbulohen nevojat e popullit për ushqim. Subvencionimi i naftës për bujqësinë kontribuon disi në kursimet e fermerëve, por nuk e zhvillon sektorin, as në cilësi as në sasi. Heqja e tarifës doganore për grurin dhe nënproduktet e tij jo vetëm që kërcënon shëndetin e përgjithshëm të popullatës, sepse nuk dihet se çfarë cilësie do të importohet, por kërcënon edhe më shumë zhvillimin e kulturës së grurit në vend.

Heqja e tarifës doganore, në të vërtetë, bëhet për të mbajtur të palëvizur çmimin e bukës: sepse tregu ynë dominohet nga gruri rus dhe serb (rreth 50% dhe 30%). Dhe Rusia së fundmi rriti tarifat doganore mbi grurin. Gruri blihet me dollarë dhe ky i fundit u rritë në vlerë. Vlera e tij i bënë importet më të shtrenjtë. Për ta kontrolluar situatën, ish-ministri i bujqësisë, Panariti, u sugjeroi tregëtarëve të rrisin stokun: nga një muaj në tre muaj. Tregëtarët, nga ana tjetër, nuk u kënaqën me heqjen e tarifës doganore por i kërkuan qeverisë edhe heqjen e TVSH-së deri sa të vijnë të korrat e vitit![17] Padija e ministrisë së bujqësisë vazhdoi dhe Peleshin kur ai paraqiti “shtatë piketa” për zhvillimin e bujqësisë: së pari, ai këkon të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, sepse, sipas tij, i mungojnë sektorit; së dyti kërkon të ulë koston e prodhimit duke iu referuar modeleve më të mira; së treti, kërkon të krijojë “zinxhirin e vlerës”, i cili, sipas tij, lidhet me eksportet; së katërti kërkon të ngrejë agrobiznesin, sepse ky qendron mes bujqësisë dhe turizmit; së pesti kërkon të përmirësojë standartet; së gjashti të formalizojë sektorin që të përfitojmë fonde nga BE-ja; dhe në fund, do të decentralizojë kompetencat që lidhen me institucione të rëndësishme në bujqësi siç janë bordet e kullimit!

Se çfarë realizohet përmes masave të para është e qartë: pasurimi i oligopoleve të agrobiznesit dhe varfërimi i popullit. Ndërsa përmes masave të dyta, realizohet krijimi i një iluzioni tjetër. Më konkretisht, ministri kërkon të rrisë produktivitetin pa kuptuar se si rritet ose se nga buron ai! Por ka shumë gjasa që Peleshi ta lidhë rritjen e ‘produktivitetit’ me konkurrueshmërinë. Nuk është e rastit që ai vendosi bashkë rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Hamendësisht, sepse beson, siç besojnë disa homologë të tij, të kohëve tona, se rritja e konkurrencës (ose krijimi i sa më shumë ndërmarrjeve private) çon në rritje të produktivitetit. Nëse është kështu, që me shumë gjasa është kështu, sepse Peleshi si gjithë ministrat e tjerë ka katapultuar në administrimin e insitutcioneve shtetërore pa kuptuar as se si administrohen institucionet e as se si zhvillohet dhe administrohet ekonomia. Për shembull, rritja e produktivitetit lidhet ngushtë me kërkesën dhe jo me konkurrueshmërinë. Lidhet, për më shumë, me zhvillimin e urtësisë praktike dhe teorike të punëtorëve të sektorit. Konkurrenca, në këtë proces, luan rol dytësor dhe nuk është forca e parë e rëndesës. Se cila është forca e parë e rëndesës, është bërë e qartë tashmë edhe për puntorin më të thjeshtë të ekonomisë: përfitimi. Kërkesa, zhvillimi i urtësisë praktike dhe teorike, jo vetëm lidhur me prodhimin e një ndërmarrje ose me procesin e brendshëm por dhe lidhur me gjithë prodhimin e ekonomisë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë, dhe përfitimi, janë mekanizmat bazë që çojnë në rritjen e produktivitetit. Pa kuptuar mirë dhe drejtë këtë raport, gjithë “piketat” e tjera të Peleshit janë shprehur në kuadër të padijes dhe përpjekjes së tij për të treguar se e kupton sistemin dhe mekanizmat e tij. Janë, në fjalë të tjera, “ide” kopjative pa asnjë kuptim.    

Ndërsa praktikat primitive për kultivimin e bimëve dhe praktikat barbare për mbarështimin e kafshëve do të vazhdojnë — sepse edhe nëse një fermer përfiton nga masat e mësipërme, nëse ai shkon në treg ku furnizohet me plehra për bimët dhe ushqim për kafshët, ai do të vazhdojë të blejë produktet që kanë kosto të ulët për të ulur koston e prodhimit dhe rritur përfitimet. Produktet —të cilët nuk mungojnë, falë integrimit tonë në Rendin e Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N)— ndihmojnë në përshpejtimin e zhvillimit dhe pjekjes së bimës dhe gjedhit dhe në rritjen e prodhimit të qumshtit. “Dap-i” tashmë është bërë plehu “organik” i fermerëve dhe përmendin kudo dhe pa ndroje. Dhe fermeri do të vazhdojë të këshillohet nga “specialistët” e tregut, se si, për shembull, do të zhvillojë prodhimin. Shkurt, prodhimet kancerogjene do të vazhdojnë të kultivohen në treg. Këto prodhime, pikërisht sepse kanë kosto të ulët prodhimi, do të blihen nga shtresat e varfëra me gjithë sëmundjet që shkaktojnë dhe koston e lartë për mjekimin e tyre. Nuk është e rastit që “harta e rajonizimit” nuk përmend askund prodhimet “bio”. As edhe Peleshi i përmend ato! Përkundër, për shembull, përpjekjeve të Kubës për të zhvilluar prodhime ‘bio’.

Në të vërtetë një projekt për zhvillimin e prodhimeve “bioorganike” është komunikuar nga qeveria aktuale. Ai financohet nga qeveria zvicerane.[18] Sipas tij, ajo synon inspektimin dhe çertifikimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me qëllim që të integrohen në tregun ndërkombëtar të marketingut — d.m.th. të eksportojnë dhe të zbusin varfërinë e fermerëve të vegjël. Por ndërsa ky objektiv mund të realizohet në një farë shkalle, në të vërtetë, Zvicra synon të përfitojë nga kostua e ulët e prodhimit. Domethënë, nga rrogat e ulëta të punëtorëve. Nga kjo nismë do të përfitojnë edhe shtresat e larta në Shqipëri: sepse vetëm ato do të kenë mundësi t’i blejnë prodhimet “bio”. Por ata që do të përfitojnë më shumë do të jenë zviceranët dhe vende të tjerë perëndimore. Për të realizuar këtë objektiv qeveria aktuale ka përfshirë fondin “Besa”, një fond “jobankar” burimet financiare të të cilit janë institucione ndërkombëtare financiare (Open Society Institute, Wold Bank etj.). Kjo është arsyeja që ky institucion financiar ka adoptuar konceptin e “zhvillimit” ekonomik që propagandon qeveria aktuale: “zinxhirin e vlerave”![19] Panariti, për më shumë, pasi trashëgoi oligopolet nga qeveria pararendëse dhe sajoi tregun e të varfërve dhe të pasurve dhe, siguroi përftimet analoge për oligopolet, kërcënoi se ‘ata që s’e punojnë tokën do të taksohen më shumë’! Qartësisht, bujqësia dhe blektoria nuk mund të zhvillohet pa dije teorike-sistemike dhe disiplinare. Domethënë, duke kuptuar sistemin në raport me bujqësinë dhe tërësinë e sektorëve të ekonomisë.             

Shkatërrimi i arroreve

Ndërsa kjo është gjendja bujqësore dhe blegtorale në Shqipëri, për mos t’u shtrirë këtu në sektorin e frutikulturës...gjendja e ‘arrorëve’ për vendin tonë është edhe më kritike. Zhvillimi i këtij sektori — d.m.th i arrave, bajameve, lajthive, shegëve etj.— do të sillte ushqime dhe rezerva dimërore sepse ato bartin vlera kurative dhe ushqyese për organizmin e njeriut (por edhe për kafshët). Ky sektor, ndryshe nga pretendimet e ish-kryeministrit Berisha, është shkatërruar. Siç citon një studim i Ministrisë së Bujqësisë:

Statistikat në dispozicion mbi prodhimin e arrave në Shqipëri janë të kufizuara, megjithatë është vlerësuar se ka rreth 50 mijë pemë të kultivuara që prodhojnë arra, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 500 hektarësh. Është vlerësuar se ka edhe rreth 94 mijë pemë në formën e pyjeve në rritje, duke mbuluar një sipërfaqe të llogaritur prej 1350 hektarësh...në Shqipëri prodhohen rreth 1600 tonë arra në vit dhe se fshatarët marrin rreth 200 lekë për kg arra të thara, pasi i kanë hequr lëvozhgën. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka importuar arra me vlerë prej afërsisht 1 milion dollarësh në vit. Shqipëria rezulton se ka edhe 177 mijë hektarë me pyje gështenjash dhe një prodhim vjetor të vlerësuar në 2500-3000 tonë. Shqipëria eksporton rreth 900 tonë gështenja në vit dhe importon rreth 100 tonë... është vlerësuar se ka rreth 133 mijë rrënjë lajthish me një prodhim prej rreth 15 kv/ha në vit. Pemishtet e lajthive kryesisht mund të gjenden në rrethet e Fierit, Korçës, Pogradecit dhe Gjirokastrës”...Shqipëria rezulton se importon 61 tonë lajthi në vit me vlerë 230 mijë dollarë.[20]

Duke ndjekur importet e ushqimeve bazë, të cilët arrijnë në 700 milionë dollarë në vit, dhe eksportet nuk përbëjnë as gjysmën e eksporteve, vendi ynë më shumë importon sesa eksporton, edhe në sektorin e arrorëve. Por çdo të ndodhte nëse do të investohej në këtë sektor? Në rast se kryhet investimi për zhvillimin e arrorëve, do të krijohen 1.765 vende pune nga të cilat, 925 vende pune do të jenë në bujqësi dhe 840 do të jenë në përpunim. Të gjithë këta të punësuar do të përfitojnë pas maturimit të investimit 14.4 milionë dollarë paga në vit...Vendi do të fitojë 161 milionë dollarë eksporte në vit, ndërsa vlera e shtuar e këtij sektori mund të jetë 291 milionë.[21]

Efekti i ‘tregut dhe prodhimit të lirë’ në bujqësi: plehrat kimike shkatërrojnë tokat dhe ujërat

Përdorimi i plehrave kimike (një tip fisfori) nga bujqit për prodhim bimor nuk shkakton vetëm prodhim kancerogjen dhe helmon trupin e njeriut por helmon dhe ujërat përreth – sidomos ujërat e liqeneve, deteve dhe oqeaneve ku shkarkohen ujërat që kullojnë nga tokat. Dihet se plehrat kimike shpërndahen në rrinjët e bimës dhe një pjesë e tyre i merr uji dhe i çon në ujëra të ndenjur ku zhvillohet alga helmuese ose tosike që nuk shkatërron vetëm jetën nënujore por çon në vdekje njerëzish nëse prekesh nga ajo kur noton në ujë. Amerika në disa shtete është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të algës përpakatëse. Qindra kafshë shtëpiake dhe të egra kanë ngordhuar pasi kanë pirë ujë të ndotur me algën përkatëse. Zonat me uri-oksigjeni të shkaktuara nga alga janë shtuar 30 herë që nga viti 1960-të duke shkaktuar shkatërrimin masiv të peshkut. Zona verore e këtij viti (2017) në Golfin e Meksikës ishte më e madhja që është regjistruar ndonjë herë. Algat ndihmohen dhe nga ndryshimi i klimës: ujërat bëhen më të ngrohtë dhe më miqësor për algat. Masat e qeverisë amerikane në sektorin e bujqësisë —për bashkëpunim vullnetar mes fermerëve për të reduktuar përdorimin e plehrave kimike— kanë rezultuar pa asnjë suskses. Fermerëve u kërkohet të mbjellin “drithëra mbulimi” për të reduktuar erozionin stinor, ose instalimin e sistemeve ujitëse më efiçente — zakonisht me kursimet e qytetarëve. Amerika ka shpenzuar më shumë se 29 miliard dollarë në programe vullnetare nxitëse në vitin 2009-të për të bërë rreth 500,000 ndërmarrje më miqësore me mjedisin. Fermerët nuk pranojnë ‘diktime’ të tjerë nga qeveria dhe janë duke ‘eksperimentuar’ me njëri-tjetrin![22] Alga po kthehet shpejtë në një epidemi botërore dhe ndërsa shfarrosin jetën e ujërave shfarrosin dhe jetën tokësore. Qeveritë nuk dinë si ta zgjidhin problemin. Fermerët nuk pranojnë ‘diktime’. Qeveri të tjera –si qeveritë tona- as që e mbikqyrin këtë proces. Thjesht kanë dëgjuar ‘treg të lirë’ dhe nxisin bujqit të punojnë tokën ndërsa paralel me ta bashkëjetojnë “ekspertët” e agronomisë së tregut. 

 


[1]T. Fotopoulos, ‘9’, Po aty, f, 52.

[2]Fitoteknika, Botimi i Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, f, 9.

[3]Shih për më shumë, Ramiz Alia, Shpresa dhe Zhgënjime, Dituria, Tiranë, 1993, f, 80.

[4]Sipas raporteve të ‘Shqipëria Tjetër’, në Top Channel. Gjithashtu, dhe sipas dëshmisë së çdokujt që vrojton shtytjen e tokave nën ujë, here nga vërshimet e hidrocentraleve dhe herë nga mungesa totale e njeriut në sistemin e kullimit.

[5]Sipas një raporti në edicionin e lajmeve në Top Channel, 6/7/2012.

[6]Why are organic farmers across Britain giving up? The Guardian, 14 March 2015.

[7]Overgrowth, George Monbiot,  The Guardian, 17 Dhjetor, 2014.

[8]US consumers: craft versus kraft, FT, March 16 2015.

[9]Ndërkombëtarët: Ndryshoni teknologjinë e bujqësisë,Shqip, 2011, 06, 18.

[10]Sipas një interviste në TVSH, emisioni Log, datë 07/13/2012, me të ftuar: Ndoc Fasllia, Irfan Tarrelli, Enver Ferizaj, Ardian Mici, në të cilën jo vetëm që kritika mungonte, por mungonte me të vërtetë njohja e bujqësisë shqiptare në shifra meqenëse paguhen për t’i mbledhur!

[11]Mishi i importit po zhduk bagëtinë në Shqipëri, Shqip, 2011, 07, 25. 

[12]Genetically Manipulated Crops: The GMO Catastrophe in the USA. A Lesson for the World, F. William Engdahl, Global Research.

[13]The future of GM, The Independent, 23 March 2015.

[14]Shih, Glyphosate, Wikipedia.

[15]Për herë të parë fermerët kanë Hartën e Rajonizimit të Produkteve, Kryeministria, 21 Nëntor 2014.

[16]Po aty.

[17]Dollari dhe taksa “Putin” ngrenë çmimin e grurit, tregtarët te Panariti, Shqip, 27 Janar 2015.

[18]Zvicra dhe Ministria e Bujqësisë mbështesin zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri, Ministria e Bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave, 07 Shkurt 2015.

[19]Panariti: Mbështetje rritjes së investimeve prodhuese, Ministria e Bujqësisë, 20 Nëntor 2014.

[20]Studimi i arrorëve, 700 faqe për qindarka, Shqip,  2011-11-30.

[21]Po aty.

[22]Taxpayer-funded far program no match for algae plague, AP, 16 Novemer 2017.

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA