...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Hidrocentralet: katastrofa social-ekologjike e elitave moderne

Dy janë arsyet se përse ndërtohen hidrocentralet e mëdhenj: sepse (1) “ekspertët” dhe njerëzit e zakonshëm janë tejet optimistë për koston, kohën dhe përfitimet dhe, (2) promotorët e projekteve mashtrojnë vendim-marrësit dhe publikun me keqparaqitje strat

Ylli Përmeti

20/09/2017 - 11:05

Hidrocentralet, nga të cilët prodhohet hidroelekticitet, një model teknologjik që është kopjuar nga mullinjtë e bluarjes së drithit që nga Mesjeta, përbëjnë burimin më të madh të energjisë së ripërtëritshme (jo e gjelbër!) botërore. Në botë, hidroelektriciteti llogaritet të zërë 19 % të sasisë së energjisë së gjeneruar. Avantazhi i kësaj energjie është se rezerva e tij është në ujë dhe ai mund të përdoret sa herë është i nevojshëm; por gjithashtu, në kohë thatësire, ai mund të ngjitet me pompë dhe të ri-përdoret ose mund të ri-përdoret në diga të vazhdueshme nëse terreni është shumë i thyer dhe krijimi i tyre fillon nga lartë-poshtë. Energjia e përfituar në energjinë e investuar (EPEI) është mjaft e madhe.

Por si në të gjitha burimet e tjera energjitike, edhe këtu digat përbëjnë pengesë për lëshimin e vezëve — të peshqve që në shekuj kanë mësuar dhe sakrifikuar të udhëtojnë kundër rrymës së fortë të lumenjve, me qëllim që të ri-prodhojnë veten dhe banojnë botën e detit dhe të lumenjve me më shumë peshq; rrjedhimisht, më shumë ushqim për njeriun. Ky shkatërrim i faunës dhe florës së lumenjve, vërtetohet edhe në një nga studimet e bëra në Jug të Greqisë ku më shumë se 37 lloje peshqish, shumë herë të ndryshëm nga një lum te tjetri, rrezikojnë, në mos janë zhdukur, nga 250 mikrohidrocentralet e rinj që janë licensuar së fundmi nga elita greke; dhe jo vetëm; këta lumenj rrezikohen edhe nga mbetjet kimike, të ambalazheve të pa-asimilueshëm dhe një mori sendesh të tjerë nga aktivitet humane.[1]

Digat e hidrocentraleve nuk administrohen dot as nga punëtorët e sektorit. Për shembull, diga më e lartë e Amerikës, “Oroville”, është keqadministruar dhe keqparaqitur në sytë e publikut. Sipas një hetimi, u gjet, “mes të tjerash, se mbikqyrësit e shtetit federal mbivlerësuan qendrueshmërinë e dy pasazheve. Në qëndrimet publike përgjatë gjendjes së jashtëzakonshme, ata dështuan të njihnin — ose ndoshta të pranonin— se ndërsa ishin të zënë duke u marrë me një krizë, ata krijuan një tjetër”.[2] Sigurisht, kjo histori shkoi në sytë e publikut falë shtypit. Jo falë transparencës së sektorit. Shqipëria është rast tipik për mbulimin e keqadministrimit të digave dhe ujërave nga politikanët. Këto veprimtari ndotin dhe ujin dhe shtojnë në krizën e përgjithshme krizën e ujit. Siç citon një studim mbi krizën e ujit dhe implikimet:

Ne mbetemi me të keq të varur nga uji për mbijetesën tonë. Uji i freskët është kaq i vlerësueshëm, saqë edhe sot me sistemet e sofistikuar hidro-inxhiniere, më shumë se gjyma e popullsisë botërore jeton brenda 3 kilometrave (2 milje) nga një sipërfaqe me ujë të freskët siç është një liqen ose lum. Më pak se 10% jeton më larg se 10 km (6 milje). Me shtatë miliardë njerëz që kanë nevojë për ujë, agrikultura, industria dhe gjenermi i energjisë, kërkesa njerëzore për furnizimin me ujë në nivel global nuk ka qenë kurrë më e madhe. Dhe shumë nga kjo është në dëm të njerëzve që përdorin ujin mbi këtë planet – të gjitha speciet kanë nevojë për ujë, dhe ekosistemet rreth botës po vuajnë nga rënia e furnizimit. Problemi ynë është se 97% i ujit të planetit është ujë oqeani i kripur. Nga 2.5% e tij është ujë i freskët, pjesa më e madhe e tij është bllokuar në akullnajën e Antarktidës, Groelandës dhe maleve. Vetëm 0.008 e 1% i të gjithë ujit mbi Tokë është mbajtur në sipërfaqen e lumenjve, liqeneve dhe vendeve të lagështa ku ne mund të shkojmë tek ai. Një sasi shumë e vogël mbahet në atmosferë si re dhe shi… Dy të tretat e lumenjve botërore tashmë janë prishur me më shumë se 50,000 diga në një përpjekje për të rezervuar ujë dhe për të furnizuar me energji. Në SHBA, janë më shumë se 85,000 diga, duke ndaluar lumenj të mëdhenj dhe të vegjël, dhe në shumë raste duke transformuar rrjedhën natyrale. Rasti më i dëgjuar është Diga Hoover, e ndërtuar në vitin 1930-të, që është përgjegjëse për faktin se Lumi gjigand i Kolorados nuk pasuron më oqeanin![3] (Nënvijëzimi në origjinal)   

Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, 245 hidrocentrale të mëdhenj (me diga më të larta se 15m) janë joekonomikë. Kostot reale janë dyfish i vlerësimeve para se të ndërtohen dhe nuk janë përmirësuar përgjatë 70 viteve të fundit.[4] Sipas studimit, dy janë arsyet se përse ndërtohen hidrocentralet e mëdhenj: sepse (1) “ekspertët” dhe njerëzit e zakonshëm janë tejet optimistë për koston, kohën dhe përfitimet dhe, (2) promotorët e projekteve mashtrojnë vendim-marrësit dhe publikun me keqparaqitje strategjike. Në të njëjtin qerthull ka rënë edhe Kina — që nga koha e Maos: ajo ka ndërtuar dhe do të ndërtojë...—në emër të rritjes ekonomike dhe zvogëlimit të ndotjes mjedisore— duke u përballur me rezistencën e ekologjistëve, tre hidrocentrale gjigandë madhësia e plotë e të cilëve mund të shikohet vetëm me satelitë![5]

Por studimi i Oksfordit, njëlloj si Banka Botërore, inkurajon ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, sepse ata bartin kosto më të ulët mjedisore dhe buxhetore! Por siç kam treguar në vend tjetër,[6] ne kemi mundësi që koston mjedisore (faunën dhe florën) ta eliminojmë plotësisht. Norvegjia, për shembull, furnizohet 99% nga energjia ujore dhe nga hidrocentrale të vegjël. Por ajo ka shpërnjohur koston mjedisore (faunën dhe florën)! Digat, për më shumë, në nivel shoqëror, ngaqë përmbytin fushat e shumë vendbanimeve, krijojnë probleme për varrezat e etërve të një komuniteti dhe lidhjet shpirtërore që krijohen me tokat e përmbytura; në mjedis, përmbytjet e pakontrolluara, mund të shkaktojnë përmbytje kultivarësh dhe çlirime gazi dhe helmime të ujit për peshqit. Këta të fundit, në udhëtimin e tyre kundër rrymës, për të lenë vezët, mund të shkaktojnë dëme në turbinat e hidrocentralit.

Prodhimtaria e tokave – florës dhe faunës, shkatërrohet. Implikimi tjetër është juridik: sepse lumenjtë lundrojnë përmes dy apo tre shteteve: nëse ngrihet një digë në një vend, shteti tjetër dëmtohet dhe do të kundërveprojë ose duke kërkuar ndalimin e tyre ose duke vepruar njëlloj! Armiqësitë janë pjesë e ndërmarrjeve. Në stuhi të mëdha, përbëjnë rrezik të madh për banorët që banojnë afër rrjedhës së lumenjve, nëse masa paraprake nuk janë ndërmarrë, si në rastin Shkodrës në Shqipëri vitet e fundit. Në të vërtetë, qeveritë tona, si pasojë padijes, dhe duke ndjekur logjikën e elitës komuniste të socializmit, dhe të “ekspertëve” të tregut, janë hedhur në sulm për të shkatërrur çdo monument natyror, duke kulmuar me qeverinë “Rama”: si fillim me liqenin artificial të Tiranës, më pas, me parkun, pastaj me Vjosën dhe tani me Valbonën! Ndryshimi është se këta të fundit propagandojnë digat e vogla; ndërsa të parët, të mëdhat. Edhe në këtë rast ndjekin logjikën e vendeve të ashtuquajtur të “zhvilluar”: prodhojnë energji nga mikro-hidrocentralet. Domethënë, nga lumenj të vegjël, si në Sri Lanka, Zimbabve dhe Hollandë, të cilët janë gjithashtu rrezik për jetën e planetit.

Për të gjitha këto arsye, pezullimi i ndërtimit të digave të reja dhe ulja paralele e kërkesës për energji elektrike, lënia e lirë e rrjedhës së lumenjëve dhe zhvillimi i burimeve energjitike alternative, gjithashtu dhe ruajtja e shtratit të tyre me bimë ujore (të cilat pengojnë erozionin dhe frenojnë përmbytjet), peshqve, shpendëve dhe kafshëve, bëhet e domosdoshme.

Mashtrimi dhe krimi me mega-projektet dhe energjinë teknologjike: drejt një revolucioni tekno-energjitik

 

Ylli Përmeti

Publikuar në librin “Revolucion për demokraci gjithëpërfshirëse dhe Fronetike”, Dudaj 2013.


[1] Εμ-φραγμα στα ψάρια των ποταμών, Ελευθεροτυπία, 1 Νοεμβρίου 2011.   

[2] AP exclusve: Da managers made missteps in hadling crisis, AP, 19 April, 2017.

[3] Why damming world's rivers is a tricky balancing act, BBC, 28 June 2012.  

[4] Large dams are uneconomic, The Ecologist, 22nd April 2014. Hydroelectric dams are doing more harm than good to emerging economies, Bent Flyvbjerg and Atif Ansar, Guardian Professional, 7 April 2014.  

[5] The Chinese are ebsessed with building giant dams, BBC, 15 October 2015.

[6] Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë.    

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA