Zgjerimi i kapitalit amerikan në Shqipëri përmes megaprojekteve dhe sfidat
Si investimi për gazin ashtu dhe për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, janë pa perspektivë, si për vetë amerikanët ashtu dhe për shqiptarët. Nga këta të dy me më pak përspektivë është hidrocentrali i Skavicës.
Ylli Përmeti
20/03/2021 - 14:01
Dy investimet kryesore amerikane në Shqipëri po paraqiten nga shtypi i përditshëm (lexo këtu, Dita) si të dobishme madje dhe shumë të dobishme! Por si investimi për gazin ashtu dhe për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, janë pa të ardhme, si për vetë amerikanët ashtu dhe për shqiptarët. Nga këta të dy sektorë me më pak të ardhme është hidrocentrali i Skavicës.
“Dhoma Amerikane” në Shqipëri, (“pjesë e organizatës jo-qeveritare më të madhe botërore tregtare që përfaqëson interesat e më shumë se 3 milionë bizeneseve amerikane të gjithë përmasave, sektorëve dhe rajoneve...dhe që është krijuar për të përparuar interesat dhe qendrimet e bizneseve amerikane jashtë vendit”) anëtarët e së cilës përfaqësojnë një bashkim kompanish me 38 mijë punonjës dhe me xhiro të përbashkët sa 21 për qind ose sa rreth ¼ e PPB-së sonë, kërkon ulje taksash dhe përgatiti 40 rekomandime për qeverinë për të zgjeruar veprimtarinë e kapitalit të huaj, për transparencë të lartë [...] në prokurime dhe kufizime për zyrtarët e përfshirë në korrupsion ndërsa dy korporata amerikane kërkojnë të investojnë në Shqipëri.
Por le t`i shqyrtojmë këto investime dhe të shohim se nëse janë në dobi të amerikanëve dhe shqiptarëve.
Në SHBA hiqen mijëra diga dhe hidrocentralet po shkretohen nga thatësira; në Shqipëri ndërtohen!
Dy ndërmarrjet kryesore amerikane, “Exxon Mobil” dhe “Bechtel”, kanë nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë “Rama”: njëra, sipas qeverisë, “për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri” duke përfshirë konvertimin e lëndës djegëse të TEC-it të Vlorës nga naftë në gaz dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e tij...duke synuar shndërrimin e “Vlorës në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm”.
Në fakt, qeveria ose s`është në dijeni ose bën propagandë mashtruese lidhur me argumentin se Vlora do të kthehet në një “hub” ose qendër rajonale për gazin e lëngshëm amerikan: sepse qeveria greke ka krijuar të njëjtën qendër në Selanik në përpjekjen e saj për të përfshirë sa më shumë interesat amerikane në rajon dhe për të mbajtur larg kërcënimet turke (përdor interesa ekonomike për të realizuar interesa gjeopolitike). “Bechtel” ka marrë përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin, të cilin e kishte në shënjestër dhe BE-ja por hoqi dorë kur pa se u përfshin amerikanët në të. Siç citon një raport:
“Problemet dhe vonesat u shkaktuan nga ndërhyrja komerciale e një kompanie konstruksioni amerikane. Drejtoria e zgjerimit në BB lëshoi në datë 12.01.2021 duke kontaktuar Bankën e Investimeve Europiane për të ndërprerë menjëherë çdo ndihmë në këtë projekt. Drejtoria e Zgjerimit, fuqimisht këshillon që në të ardhmen asnjë lloj bisedimi të mos zhvillohet me autoritetet shqiptare”.
Në fakt, qeveria “Rama” e ndau në dy faza ndërtimin e hidrocentralit. Si fillim kërkoi nga Bechtel të kryente studimin kundrejt një shpërblimi marramendës prej 16 milionë euro dhe më pas do ta ndërtojë ndërsa shkeli të drejtën e dijësimit të popullatës lidhur me dëmet në mjedis dhe shmangu konkurrencën pasi “parapërcaktoi një ndërmarrje të vetme për studimin dhe ndërtimin”. Kjo është nga dhuratat më të mëdha të qeverisë “Rama” ndaj amerikanëve.
Për hidrocentralin në fjalë janë zhvilluar shumë protesta nga banorët dhe nga ekologjistët, për mos ndërtimin e tij. Por qeveria “Rama” i shpërfilli ato siç ka shpërfilluar qindra protestat e tjera për hec-et e tjerë që po shkatërrojnë ekosistemin...në kohën kur hidrocentralet e mëdhenj nuk janë ekonomikë; kur ka plotë rrugë të tjera —tërësisht ekologjike— për shfrytëzimin e energjisë hidrike dhe kur, dhe më e rëndësishmja, në SHBA digat e hidrocentraleve kanë shkatërruar biolarmishmërinë e lumenjëve dhe tani mijëra diga (mbi lumin Klamath etj.) përballen me prishjen e kontrolluar për të njëjtën arsye pas shumë përpjekjeve dhe bisedimeve nga organizatat mjedisore ndërsa të tjerë po shkretohen nga thatësirat! Në SHBA janë hequr mbi 1700 diga duke përfshirë 90 gjatë vitit 2019.
Një arsye tjetër është e ardhmja e klimës: ajo parashikohet të jetë plotë thatësira dhe lumenjtë në thatësira nuk kanë ujë për kafshët e jo më për digat dhe prodhim energjie. Dëftues është fakti se në SHBA hidrocentrali Hoover, me digë të lartë sa një ndërtesë me 60 kate dhe trashësi mbi 13 metra, që u ndërtua gjatë depresionit të madh ekonomik (1931-36), dhe që ishte krenari kombëtare, liqeni që krijon (Lake Mead) tani është në krizë të padëshmuar ndonjë herë gjatë mijëvjeçarit të fundit duke zëbritur në nivelin më të ulët historik ndërsa shtetet perëndimore rreth tij, Arizona dhe Nevada, përballen me shkurtime të rënda uji mes një thatësire të gjatë prej dy-dekadash.
Kujtoj thatësirën e vitit 2017 kur thuajse të gjitha digat u fikën dhe ne importuam energji nga vendet e tjerë. Thatësira si ajo do të jenë më të shpeshta në të ardhmen. Përjashto mundësinë e ndalimit të çlirimeve toksike dhe moti gradualisht balancohet. Por edhe nëse ndalojnë çlirimet balancimi i motit do të marrë dekada për mos të thënë mijëra vjet.
Thatësira që ka përfshirë Taivanin, një vend tropikal (në jug) dhe subtropikal (në veri) ku rreshjet janë shumë më të mëdha se rreshjet në vendin tonë, është gjithashtu dëftuese. Tajfunet atje janë të zakonshëm gjatë verës dhe vjeshtës dhe musonet nuk mungojnë. Por vitin e kaluar nuk pati asnjë tajfun dhe pati pak rreshje duke e zhytur ishullin në thatësirën më të madhe të 56 viteve të fundit. Shumë nga rezervuarët e tij kanë më pak se 20% sasi uji dhe në disa niveli i tij ka rënë poshtë 10%. Rezervuarët furnizojnë me ujë industrinë e gjysëmpërçuesve prej 100 miliardë dollarë dhe për pasojë kërcënojnë mbarëvajtjen e saj. Furnizojnë dhe bujqësinë, e cila është goditur fortë nga thatësira!
Duke ditur këtë fakt, por dhe faktin tjetër se investimi në hidrocentral është i madh, ku e çon “mushka” investitorin amerikan?!
Qoftë edhe nëse hamendësojmë se në marrëveshje përfshihet çështja e thatësirave dhe qeveria pranon të kompensojë humbjet gjatë thatësirave, ku do ta gjejë “kompensimin” kur dihet se populli ynë do të varfërohet më shumë në të ardhmen?!
Parë nga këndvështrimi i pushtetit ekonomik, nga nevoja e qeverive tona për mbështetje politike amerikane dhe nga varësia e vendit tonë në raport me SHBA-në, në terma politikë dhe gjeopolitikë, Dhoma Amerikane e Tregëtisë bashkë me ambasadën amerikane aktualisht mund të kërkojë dhe të imponojë çdo kërkesë mbi qeverinë shqiptare. Nuk është e rastit që kërkon transparencë të “lartë” në prokurime publike por jo të “plotë”!
Gazi amerikan injektohet në rrjetin e TAP-it por...
Lidhur me gazin vlen të përmendet fakti se gazi amerikan është shumë më i shtrenjtë se gazi i linjave të tjera siç është TAP-i që kalon në Shqipëri dhe vështirë se mund të blihet nga populli i zakonshëm. Nga projekti në fjalë Italia përfiton më shumë se çdo vend tjetër: sepse do të jetë pikë shpërndarëse për gjithë Evropën. Aktualisht ajo furnizohet nga gjashtë burime (Austria, LNG, Zvicra, Algjeria, Libia etj.). Çmimi i gazit të linjës së TAP-it ra shumë gjatë vitit 2020 por çmimi i tij është përgjithësisht konfidencial.
Shqipëria, Kosova dhe Malizi, aktualisht përdorin energji të ripërtëritshme dhe naftë për energji dhe nevoja ngrohëse. Shqipëria, vendi më i madh nga këta të tre, gjatë vitit 2017 përdori një përzierje mes naftës (63%) dhe hidrocentraleve (rreth 20%). Rreth 12% u gjenerua nga bioenergjitë, 4% nga qymyri dhe vetëm 1.8% nga gazi. Vendi përshkohet nga një rrjet i vjetër gazi prej 400 km me presion të ulët duke lidhur fusha të vogla gazi dhe një përqindje e këtij rrjeti përdoret për të dërguar prodhimin vendor të gazit në ndërmarrjet naftënxjerrëse për veprimtaritë e tyre përpunuese.
Por gjatë viteve të fundit, operatori i sistemit të transportit Albgaz — i cili u nda nga Albpetroli në janar të vitit 2017 — planifikoi një zgjerim me pesë fish të sistemit të gazit. Synimet e Albgazit përbëjnë pjesë të një plani më të gjerë gazi të hartuar nga qeveria “Rama” në vitin 2014-të, i cili përfshin gjithashtu ndërtimin e një impianti të ri (CCGT), një magazinë të nëndheshme për magazinimin e gazit në Dumre dhe një linjë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës (ALKOGAP).
Qeveria shqiptare pret që kërkesa për gaz të rritet me rreth 2 bilion metër kubik çdo vit deri në vitin 2040 ndërsa 770 milion kubik prej tij do të përdoren për prodhimin e energjisë. Faza e parë e TAP-it është hartuar që vetëm të kalojë në Shqipëri ndërsa pritet të fitohet një dalje nga linja përkatëse në Fier gjatë fazës së dytë, aktualisht nën ndërtim. Greqia, Bullgaria dhe Greqia fitojnë gaz nga faza e parë e TAP-it. Në këtë mënyrë ata ulin varësinë e tyre nga gazi rus.
Kështuqë gazi amerikan mbetet të përdoret kryesisht në TEC-in e Vlorës për prodhimin e energjisë elektrike të cilën ose do ta eksportojmë ose do ta përdorin vlonjatët me kosto...të lartë sigurisht. Përjashto mundësinë e subvencionimit të gazit amerikan nga kursimet e popullit shqiptar.
Rama, në fakt, shtoi dhe një kompani italiane në ndërmarrjen shtetërore të gazit: Snam S.p.A. Ajo nënshkroi një memorandum mirëkuptimi “mbi mundësinë e bashkëpunimit për të ndërtimin e një gasjellësi nga Terminali i Vlorës në drejtim të infrastrukturave të mundshme të gazit natyror në Shqipëri”, në mes të korrikut. “Nëpërmjet [tij], Albgaz, Excelerate dhe Snam do të eksplorojnë së bashku zgjidhje, të cilat mund të furnizojnë potencialisht një impiant të depozitimit të gazit natyror në Shqipëri, duke ofruar kështu siguri energjetike në rajon”, citon njoftimi i ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë.
Kësaj ngjarje i parapriu “nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e stacionit të matjes dhe reduktimit të presionit” me TAP-in në Fier, “pika e daljes” siç quhet ndryshe. Marrëveshja synon të larmojë burimet energjitike dhe të kontribojë në zhvillimin e rajonit. Domethënë, të shitet gazi në vendet e rajonit. Ai është dydrejtimor (ose “bidireksional” siç e quajti një punonjës i ministrisë!): “jo vetëm të mundësojë gazifikimin e vendit por do të mundësojë të gjithë operatorët e interesuar ta aksesojnë dhe injektojnë gazin në TAP”.
Presidenti i ndërmarrjes amerikane, Excelerate Energy, Steven Kobos, tha në një bisedë me VOA-n se “ky burim energjie do të plotësonte nevojat për energji” në vendin tonë dhe do ta kthente atë në një pikë për eksportin e tij në vende të tjera të rajonit” dhe se deri në tremujorin e tretë të këtij viti [2021] pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për projektin dhe puna pritet të fillojë në vitin 2023”. Si ndërmarrje ata synojnë të kontribojnë në dekarbonizimin e ekosistemit me zhvillimin e impianteve me burim energjie gazin, të cilët do të zëvendësojnë impiantet e rajonit me qymyr. Për përfshirjen e ndërmarrjes përkatëse, tregon presidenti, ka luajtur rol të dobishëm ambasadorja amerikane në Shqipëri, Kim, e cila ka organizuar disa takime me qeverinë “Rama” dhe ndërmarrjen.
Pyetjes se sa mund të konkurrojë gazi amerikan gazin rus, presidenti nuk kishte përgjigje, “sepse kjo ka të bëjë me detajet”. Në bisedë ai përmendi dhe faktin se hidrocentralet varen nga gjendja e mirë e motit dhe nëse ai përshkohet nga thatësirat, ata mund të zëvendësohen nga impiantet e gazit. VOA, si duket, nuk ishte në dijeni për projektin e qeverisë “Rama” lidhur me gazin e TAP-it, as edhe për linjat e tjera që po ndërtohen në Mesdhe, as edhe për faktin se Greqia ka bërë një marrëveshje me amerikanët ku bënë pjesë dhe ndërmarrja në fjalë për ta kthyer vendin e saj në një qendër energjitike të Ballkanit vitin e kaluar, për të cilën vetë VOA ka njoftuar, dhe gazetarja duhet të ishte në dijeni!
Athina dhe amerikanët nxjerrin blof qeverinë “Rama” për “qendrën energjitike” në rajon
Marrëveshja greke, në fakt, përfshin amerikanët, vendet e rajonit dhe BE-në. Ajo u inagurua në fillim të majit 2022, kur rajoni kërcënohesh me mungesë gazi nga sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe u nënshkrua nga Miçotaki dhe kryeministri bullgar Kiril Petkov, në prani të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ambasadorit të SHBA në Greqi, Geoffrey R. Pyatt dhe aksionerëve. Njësia (ose terminali FSRU) e re e gazit do të nisë punë në dhjetor të vitit tjetër. Qëllimi i Athinës është të jetë furnitorja kryesore e rajonit dhe të furnizojë tregjet e Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë Veriore etj. Madje synon të furnizojë dhe Ukrainën. Njësia lundruese shmang dhe Turqinë.
Si pasojë, Greqia shtoi dhe një pikë tjetër furnizimi me gaz krahas asaj në Revithusa, ishull në perëndim të Athinës; ndërsa planifikon të ndërtojë një të tretë në Korintho; një të katërt në Selanik; një të pestë në Trakë; dhe një në Volo. Tre të parat do të kenë një vëllim tërësor prej 8.500.000 m³. Ndërsa kostua tërësore e fundores së Aleksandropulit është 410 milionë euro ajo u financua me fondet evropiane (166.7 milionë euro, përmes Programit Operacional të NSRF/“Competitiveness, Enterpreneurship and Innovation 20142020/EPAnEK) dhe vendore me përfshirjen e aksionerëve privatë. Njësia filloi të ndërtohësh në gusht të vitit 2016 kur u nënshkrua një marrëveshje mes Ciprës dhe homologut të tij bullgar, Borisov dhe do të qendrojë në det, rreth 18 km larg nga qyteti, ku do ta shpërndajë gazin përmes një tubi nënujor i cili do të lidhet me linjën tokësore dhe do të shpërndahet për blerësit. Njësia shpërndarëse do të furnizohet me anije nga burime të ndryshme gazi ku do të përfshihet dhe gazi amerikan; dhe pasi të kthehet në gaz do të shpërndahet drejt vendeve të përmendura më herët.
Kryefjala e kësaj marrëveshjeje ishte se Greqia po shkon drejt pavarësisë energjitike dhe se ajo po kthehet në një qendër energjitike për rajonin. Në fakt, as të parën dhe as të dytën nuk mund të realizojë Greqia për sa kohë që varet nga prodhimi i vendeve të tjerë dhe praktika e njësive lundruese shton koston e gazit dhe e bën atë të papërballueshëm për klasat e ulëta të shoqërisë. Por marrëveshja greke nxjerr blof propagandën e qeverisë “Rama” se ajo do ta kthejë Vlorën ―bashkë me amerikanët― në qendër energjitike për gjithë rajonin. Madje pak ditë përpara se të nënshkruhësh marrëveshja “greke” Rama dhe ministrja e tij e energjitikës (ose turpit) propaganduan edhe një herë “pavarësinë” energjitike të Shqipërisë dhe kthimin e saj në vend “eksportues” me ndihmën e gazit amerikan dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës!
Në të njëjtën linjë ―propaganduese― ishte dhe dhe shtypi dhe media jonë e “majtë”: gazeta “Dita”, për shembull, përktheu një “broçkull” të gazetës greke “To Vima”, sipas të cilës ne kthehemi në qendër energjitike për rajonin falë gazit amerikan ndërsa “Top Channel” publikoi të njëjtën broçkull por të marrë nga një portal grek: Euroactive! Pas këtyre rendën dhe idiotë të tjerë të medias vendore.
Por është e sigurt se presidenti i ndërmarrjes amerikane është në dijeni të çmimit të gazit rus dhe nuk dëshiron ta përmend për arsyet e tij. Me shumë gjasa, ai është pjesë e përpjekjes amerikane, veçanërisht e ambasadës amerikane, për të krijuar idenë se qeveria “Rama” do të sjellë investime të mëdha amerikane me qëllim që të fitonte zgjedhjet edhe një herë dhe të përparonte reforma në drejtësi: sepse nuk është e vështirë për një drejtor ndërmarrjeje të realizojë një studim paraprak për tregun e gazit në rajon: domethënë, se nga kush konkurrohet dhe sa mundësi ka të blihet nga kërkesa e popujve të rajonit.
“Excelarate Energy L.P.” paraqitet si një “lider në teknologjinë e impianteve pluskuese të GNL-së”. Ajo vepron aktualisht me 13 terminale rreth botës ndërsa ndërmarrja italiane Snam, “është një nga pronarët dhe operatorët më të mëdhenj të infrastrukturës energjetike në botë dhe një aksioner kryesor në Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP)”. Kjo siguroi mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri dhe do të veprojë duke e mirëmbajtur në të ardhmen.
Thënë, në fjalë të tjera, ndërmarrja amerikane Exxon Mobil do të ketë mundësinë e injektimit të gazit amerikan në linjën e TAP-it të ndërmarrjes shtetërore shqiptare, Albgaz; ndërmarrja e dytë amerikane, Excelarate Energy do të ndërtojë terminalin; dhe ndërmarrja italiane do të mirëmbajë linjën. Pa u çuditur presidenti dhe shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane, Excelarate Energy, Steven Kobos, në një intervistë tjetër me Voa-n tha se ishte “entuziast” për memorandumin. Ai tha, mes të tjerash, se po shqyrtonte mundësinë e hapjes së një tregu për GNL në rajon dhe më gjerë dhe se ndërmarrja ka 20% për të aksioneve në TAP.
Por është e qartë se gazi amerikan mund të shitet në sasi të mëdha brenda vendit (në SHBA) ku fuqia blerëse dhe përdorimi i tij është më i madh se sa në vende si Shqipëria dhe Ballkani në përgjithësi. Veçanërisht kështu kur ai konkurrohet nga një sërë linjash në rajon: linja të tjera nga Mesdheu dhe Lindja e Mesme pritet të shfaqen. Në rajonin tonë mund të përdoret si energji “luksi” meqë ka cilësi të lartë. Mund të përdoret dhe si “armë” diplomatike: të paktën kështu po e përdor Gjermania aktualisht e cila po përparon linjën e veriut të gazit rus. Për çmimin e tij, ministri rus i energjitikës, ka thënë se është të paktën 30-40 për qind më i lirë se gazi amerikan.
Sidoqoftë, herët a vonë amerikanët do ta kuptojnë se gazi i tyre nuk ka të ardhme në rajonin tonë kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë blerëse dhe konkurrencës së lartë. Kujtoj se Serbia furnizohet me gaz rus dhe për të njëjtën arsye dhe ka krijuar një avantazh shumë të rëndësishëm tregtar me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo është një arsye se pse Serbia është protegoniste në krijimin e “federatës ballkanike” të nxituar nga BE-ja: sepse e di se me epërsitë (avantazhet) e saj (këtu përmenda vetëm njërin ndërsa të tjerët mund të lexohen në analizën përkatëse) mund t`i pushtojë ekonomikisht sërish fqinjët e saj dhe veçanërisht Kosovën dhe për pasojë të diktojë politikat dhe të kthejë rrotën e historisë —edhe një herë— në dobi të saj. Për avantazhet përkatës klasa jonë politike e Prishtinës nuk është plotësisht në dijeni ndërsa e Tiranës ka vite që fle gjumë bashkë me të ashtuquajturit “akademikë”!
Kështu, ndërsa kapitali amerikan konkurron me kapitalin e BE-së për vepra të mëdha infrastrukturore dhe ku fitimet janë të mëdha, qoftë edhe duke diktuar “ofertuesin”, qeveritë tona kanë lejuar veprimtarinë ekonomike amerikane për një arsye të thjeshtë: për të siguruar mbështetje politike afatgjatë nga qeveria amerikane. Domethënë, për arsye ‘pragmatiste’. Qeveria “Rama” e ka nxitur më shumë veprimtarinë ekonomike amerikane që kur filloi të merrte udhë reforma në drejtësi. Për të njëjtën arsye Dhoma Amerikane e Tregtisë pret zgjerimin e veprimtarisë së saj. Thënë ndryshe, reforma në drejtësi dhe zgjerimi ekonomik amerikan shoqërojnë njëra-tjerën.
*Përditësuar ndërsa referencat mund të gjenden në origjinal.
Clark dhe gjahtarët amerikanë po ‘rrjepin’ Kosovën - Politiko
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 285 reads



