Arabia Saudite dhe Rusia “shuplakë” SHBA-së me vendimin e Opec+
Vendimi vjen pas dy mospajtimeve arabe me politikat e Uashingtonit dhe orientimit të vendit në fjalë drejt Rusisë dhe bllokut të ri ekonomik të euroazisë. Kjo është një zhvendosje historike për Arabinë Saudite e cila shënon, gjithashtu, luftën e re të Uashingtonit kundër sauditëve
SHJ
06/10/2022 - 15:42
SHBA-ja u ‘godit’ nga një tjetër “shuplakë” kur Arabia Saudite njoftoi nga mbledhja e Vjenës të Opec+ gjatë ditëve të para të tetorit vendimin lidhur me kërkesën e Uashingtonit për të rritur prodhimin e naftës dhe për të goditur të ardhurat ruse dhe të ulte inflacionin në Amerikë përpara zgjedhjeve të mesmandatit që zhvillohen në nëntor.
Financial Times raportoi përpara mbledhjes se Arabia Saudite dhe Rusia planifikonin të kundërtën duke shpërfilluar SHBA-në. Riadi dhe Moska vendosën të ulnin prodhimin me më shumë se dy milionë fuçi në ditë (ose 2 për qind të ofertës botërore) me qëllim që rënia e ofertës në treg të shtyjë çmimet më lartë.
Vendimi i mor kur Rusia tregtonte naftë me zbritje të madhe për shkak se blerësit evropianë braktisën blerjet si pasojë e sanksioneve; u mor, gjithashtu, dy muaj pas vizitës së Bajdenit në Jeddah ku takoi Princin e Kurorës Muhamed bin Salman, pas të cilës tha se mbretëria do të “merrte hapa të shtuar” për të rritur ofertën; u mor, në fund, kur qeveria “Bajden” u tha rafinerive amerikane në gusht për të rritur shpikjen vendore se sa të eksportonin më shumë naftë ndërsa grupet e lobeve të industrisë së naftës amerikane nxitën ministrin e energjisë amerikane të “shpirnjihte” kufizimet e mundshme për shkak se do të rrisnin më tej çmimet në SHBA dhe ndërkombëtarisht.
SHBA-ja nuk mendonte të hidhte në treg nga rezervat e saj pas shitjeve të dhjetra milionë fuçive në një përpjekje për të ulur çmimet e energjisë. Por ajo bashkë me G7 planifikojnë të imponojnë një tavan mbi çmimet e naftës ruse këtë vit, një lëvizje që mund të çojë në ofertë më të ulët nga Rusia përgjatë shtrëngimeve të sanksioneve evropiane që priten të vendosen në dhjetor. Vetë prodhuesit e Opec-ut shqetësohen se mos tavani i çmimeve ndaj energjisë ruse mund të bëhet shembull dhe përdoret kundër prodhuesve të tjerë.
“Vendimi për të ulur prodhimin erdhi pavarësisht lobimit të madh të qeverisë amerikane përpara mbledhjes dhe shënon një çarje të rëndësishme me administratën e Bajdenit” citoi FT. Ndaj ajo e kritikoi vendimin dhe e quajti “dritëshkurtër”. Si përgjigje ndaj vendimit, SHBA-ja tha se do të vazhdonte të hidhte në treg nga rezervat e saj ndërsa do të shqyrtonte “veprime të tjera” për të rritur ofertën. Bajdeni do të punojë gjithashtu me Kongresin mbi një ligj për të “ulur kontrollin e Opec-ut mbi çmimet e energjisë, duke e lidhur atë me një ligj anti-kartel të njohur si NOPEC i cili është marrë parasysh nga ligjëvënësit amerikanë për një kohë të gjatë por nuk është miratuar kurrë. Sipas analistëve perëndimorë, vendimi i Arabisë Saudite “shënoi një moment të rëndësishëm në aleancën energjitike 75 vjeçare me SHBA-në”.
Në fakt, vendimi vjen pas dy mospajtimeve arabe me politikat e Uashingtonit dhe orientimit të vendit në fjalë drejt Rusisë dhe bllokut të ri ekonomik të euroazisë. Kjo është një zhvendosje historike për Arabinë Saudite e cila shënon, gjithashtu, luftën e re të Uashingtonit kundër sauditëve. --Ylli Përmeti
Raporti sipas Voa-s:
Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi, dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor.
Gjatë takimit në Vjenë, Ministrat e Energjisë të vendeve të OPEC-ut vendosën të ulin prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar në muajin nëntor. Ky është takimi i parë ku ministrat marrin pjesë personalisht që nga fillimi i pandemisë. Ulja e prodhimit në nëntor mund të sjellë përfitime për Rusinë, anëtare e OPEC-ut, ndërsa vendet evropiane janë angazhuar për t’i dhënë fund importit të naftës ruse sa më shpejt të jetë e mundur.
Përveç një uljeje simbolike të prodhimit të naftës muajin e shkuar, shkurtimi drastik është një kthesë e papritur, ndërsa OPEC-u kishte vazhduar të shtonte prodhimin pas shkurtimeve të thella të bëra gjatë pandemisë. OPEC+ tha përmes një deklarate se vendimi bazohej në “pasigurinë për perspektivat e ekonomisë globale dhe tregun e naftës”.
Presidenti Joe Biden shprehu zhgënjimin me vendimin që Shtëpia e Bardhë e konsideroi “dritëshkurtër”. Zoti Biden i bëri thirrje administratës së tij dhe Kongresit që të eksplorojnë mënyra për të rritur prodhimin e energjisë në SHBA dhe për të reduktuar kontrollin e OPEC-ut mbi çmimet e energjisë pas njoftimit të OPEC-ut, tha Shtëpia e Bardhë.
Lëvizja e organizatës nënvizon hendekun në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite në politikën e energjisë.
"Presidenti është i zhgënjyer nga vendimi dritëshkurtër i OPEC+ për të ulur kuotat e prodhimit, ndërkohë që ekonomia globale po përballet me ndikimin e vazhdueshëm negativ të agresionit ndaj Ukrainës nga (presidenti rus Vladimir) Putin," thanë në një deklaratë këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan dhe drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Brian Deese.
Vendimi i OPEC-ut vjen ndërsa nafta e papërpunuar tregtohet me një çmim shumë më të ulët se kufiri i vendosur gjatë verës për shkak të frikës se ekonomitë e mëdha botërore si SHBA apo Evropa do të zhyten në recesion për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së normave të interesit që synojnë të frenojnë rritjen e çmimeve të konsumit dhe pasigurisë rreth agresionit rus në Ukrainë.
Rënia e çmimit të karburantit ishte e mirëpritur nga amerikanët, që tani po përjetojnë përsëri rritje çmimesh, si edhe për Presidentin Joe Biden ndërsa partia e tij demokrate, përgatitet për zgjedhjet në Kongresin amerikan muajin që vjen. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve të martën se SHBA nuk do të zgjasë shfrytëzimin e karburanteve nga rezerva e saj strategjike.
Në qershor çmimi mesatar i karburantit ishte rreth 1.3 dollarë për litër. Presidenti Biden është përpjekur të fitojë pikë me uljen e çmimit, ndërsa zyrtarët e administratës thanë në fund të marsit se do të viheshin në dispozicion një milion fuçi në ditë nga rezerva strategjike për gjashtë muaj rresht.
Pas vendimit të së mërkurës, zoti Biden paralajmëroi se do të vazhdojë të udhëzojë vënien në dispozicion të naftës nga Rezerva Strategjike e Naftës së vendit "sipas nevojave”.
Inflacioni i lartë është faktori kryesor që ka ndikuar tek rënia e mbështetjes për Presidentin Biden dhe ka pakësuar shanset e demokratëve për zgjedhjet e nëntorit. Ndikimi i uljes së prodhimit në çmimet e karburanteve do të jetë disi i kufizuar sepse vendet anëtare në OPEC+ tashmë nuk janë në gjendje të përmbushin kuotat e vendosura nga grupi.
Aleanca tha gjithashtu se po përtërinte bashkëpunimin mes anëtarëve të OPEC-ut dhe vendeve jo-anëtare, më e rëndësishmja prej të cilave është Rusia. Marrëveshja do të skadonte në fund të vitit.
Furnizimi me naftë mund të përballet me shkurtime të mëtejshme në muajt e ardhshëm, pasi në dhjetor Evropa ndalon shumicën e importeve ruse. Ndërkohë SHBA dhe vende të tjera anëtare të G-7 kanë plane për vëndosjen e një çmimi tavan për naftën ruse, çfarë mund të pakësojë furnizimet nëse Rusia hakmerret duke refuzuar t’u shesë naftë vendeve dhe kompanive që respektojnë kufirin e çmimit.
BE-ja ra dakord të mërkurën për sanksione të reja që pritet të përfshijnë një kufi çmimi për naftën ruse. Rusia “do të duhet të gjejë blerës të rinj për naftën e saj kur embargoja e BE-së të hyjë në fuqi në fillim të dhjetorit dhe me sa duket do të duhet të bëjë lëshime të mëtejshme çmimi për ta bërë këtë”, thonë analistët e bankës gjermane Commerzbank.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 171 reads



