...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Berlini ‘përkëdhel’ Uashingtonin me “thellim” bashkëpunimi ushtarak, ndërsa përplasja Merz–Tramp acarohet

Gjermania po vendos një oficer të lartë amerikan thellë në strukturat e komandës së saj ushtarake, si shenjë e bashkëpunimit të ngushtë që vazhdon pavarësisht acarimit të marrëdhënieve politike

Politico

30/04/2026 - 07:37

BERLIN — Duke nisur nga tetori, një kolonel amerikan do të shërbejë tek Komanda e Ushtrisë Gjermane në një rol kyç si zëvendësshef i Divizionit të Operacioneve, aty ku planifikohen misionet dhe përgatiten vendimet, sipas ushtrisë gjermane dhe Pentagonit.

Kjo e vendos oficerin amerikan në bashkëveprim të ngushtë me homologët gjermanë në qendër të forcave tokësore të Gjermanisë. Qëllimi, sipas një zëdhënësi të ushtrisë gjermane, është “të thellohet më tej bashkëpunimi gjermano-amerikan dhe të përmirësohet aftësia e përbashkët vepruese brenda NATO-s”.

Ekziston një traditë shkëmbimi oficerësh të huaj në Bundesver, por një përfshirje kaq e thellë në strukturat kryesore të komandës është e pazakontë — dhe vjen në kohën kur marrëdhëniet mes Presidentit amerikan Donald Tramp dhe Kancelarit gjerman Fridrih Merc po përkeqësohen hapur.

Shtetet e Bashkuara dërgojnë rregullisht oficerë për të punuar me ushtri aleate, ndërsa edhe oficerë të vendeve partnere shërbejnë si zëvendës të komandantëve të lartë në njësi amerikane. Ata veprojnë si vëzhgues, por kanë edhe një nivel të caktuar autoriteti komandues, me synim thellimin e lidhjeve mes ushtrive. Vendimi për vendosjen në Gjermani ishte marrë disa vite më parë.

Gjeneral-lejtënant Kristian Frojdingu, shef i ushtrisë gjermane, e quajti këtë hap zgjerim të bashkëpunimit dypalësh: “Përfshirja e një oficeri të lartë amerikan në Divizionin tonë të Operacioneve është shprehje e besimit tonë të ndërsjellë dhe të thellë.”

Nga ana amerikane u theksua edhe pesha strategjike e këtij vendimi. Ekziston një marrëveshje për shkëmbimin e oficerëve në një bazë “tejet përzgjedhëse”, tha zëdhënësja e ushtrisë amerikane, nënkolonele Vonie Rajt.

Oficeri do të caktohet në selinë e ushtrisë gjermane dhe do të përqendrohet në përmirësimin e ndërveprueshmërisë “në mbështetje të NATO-s dhe kërkesave dypalëshe”.

Ndërsa të dyja palët e paraqesin këtë si dëshmi të lidhjeve të forta ushtarake, ajo shihet edhe si shenjë se SHBA-të po rishikojnë praninë e tyre në Evropë dhe kanë nevojë për një oficer të lartë në terren gjatë këtij procesi, tha eksperti i mbrojtjes Niko Lange.

“Në këtë fazë, një oficer amerikan i përfshirë në shtab ka vlerë të madhe,” tha ai.

Në nivel politik, marrëdhëniet Uashington–Berlin janë acaruar ditët e fundit. Trampi sulmoi publikisht Mercin, duke e akuzuar se po e vlerëson gabim kërcënimin nga Irani. Më herët, Merci kishte thënë se SHBA-të ishin “poshtëruar” nga Teherani.

Trampi ka vënë shpesh në dyshim edhe dobishmërinë e NATO-s, e cila ka qenë shtylla e sigurisë së Evropës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Aleatët evropianë janë të shqetësuar se SHBA-të mund të tërheqin një pjesë të trupave nga kontinenti. Për herë të parë në dekada, Pentagoni nuk ka në plan të publikojë një shqyrtim të shumëpritur mbi vendosjen e trupave jashtë vendit.

Kjo paqartësi po i shtyn vendet evropiane të marrin një rol më të madh në mbrojtjen e tyre — një drejtim që përforcohet edhe nga Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare e SHBA-ve për vitin 2026, e cila kërkon që partnerët “të marrin drejtimin përballë kërcënimeve që për ne janë më pak të rënda, por për ta më të theksuara”, me mbështetje më të kufizuar nga SHBA-të.

Sipas Lange, Bundesveri do të duhet të marrë përsipër aftësi që deri tani janë mbështetur fort tek SHBA-të. “Është më mirë që ky kalim të drejtohet së bashku, në frymë marrëveshjeje,” tha ai.

Megjithëse niveli i kësaj vendosjeje amerikane është i pazakontë, ushtria gjermane bashkëpunon ngushtë me shumë aleatë. Kjo shihet qartë në lidhjen me forcat holandeze, ku disa brigada janë të përfshira plotësisht në divizione gjermane. Ekziston gjithashtu bashkëpunim i ngushtë edhe në nivel komandash.

Struktura të tilla shihen si model për mbrojtjen evropiane që mbetet e lidhur fort me NATO-n, edhe pse marrëdhënia tradicionale e sigurisë me SHBA-të po ndryshon.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA