...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rubio “dashuri shën-valentiniste” me evropianët: SHBA-ja nuk do ta braktisë aleancën

Ai u përpoq të qetësonte evropianët e shqetësuar nga një vit tarifash dhe kërcënimesh të Donald Tramp ndaj aleancës ndëratlantike të NATO-s

Financial Times

15/02/2026 - 07:12

Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, u ka thënë vendeve europiane se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndër mend të braktisin aleancën transatlantike, duke theksuar se Uashingtoni dëshiron të punojë “së bashku me ju, miqtë tanë” në kontinent.

Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Rubio bëri thirrje për një partneritet “të ripërtërirë” mes SHBA-së dhe Evropës, të bazuar mbi një “qytetërim të madh” të përbashkët. Ai u përpoq të qetësonte evropianët e shqetësuar nga një vit tarifash dhe kërcënimesh të Donald Tramp ndaj aleancës ndëratlantike të NATO-s. Rubio theksoi dëshirën e Uashingtonit për të punuar “së bashku me ju, miqtë tanë këtu në Europë”, duke e përshkruar lidhjen SHBA–Evropë si “një trashëgimi të shenjtë, një lidhje të pathyeshme”.

“Ne i përkasim njëri-tjetrit,” tha ai. “Jemi pjesë e një qytetërimi, qytetërimit perëndimor. Na lidhin lidhjet më të thella që kombet mund të ndajnë: histori e përbashkët shekullore, besimi i krishterë, kultura, trashëgimia, gjuha, prejardhja dhe flijimet e paraardhësve tanë.” Nëse presidenti Tramp “kërkon seriozitet dhe reciprocitet”, kjo është “sepse na intereson thellësisht”, shtoi Rubio.

Fjalimi synoi të forconte audiencën evropiane ende të tronditur nga kërcënimet e Trampit për të pushtuar Grenlandën muajin e kaluar, çka shkaktoi përçarjen më të thellë mes SHBA-së dhe kontinentit prej dekadash. Ai shënoi gjithashtu një largim nga deklaratat përplasëse të bëra vitin e kaluar në të njëjtin forum nga zëvendëspresidenti amerikan Xhej-Di Vens, i cili e kishte akuzuar Evropën se po shtypte lirinë e shprehjes dhe po tërhiqej nga “vlerat themelore”.

Kryetari i konferencës, Volfgang Ishinger, tha se kumti pajtues i Rubios – “qetësues, partneriteti” dhe “marrëdhëniet e ndërthurura” – solli “një psherëtimë lehtësimi në sallë”. Ai i tha Rubios se fjalët e tij i kujtuan “deklarata të bëra dekada më parë nga paraardhësit tuaj”.

Rubio shtoi: “Në një kohë kur titujt paralajmërojnë fundin e epokës ndëratlantike, le të dihet qartë për të gjithë se kjo nuk është as qëllimi ynë dhe as dëshira jonë; sepse për ne amerikanët, shtëpia mund të jetë në hemisferën perëndimore, por ne do të jemi gjithmonë fëmijë të Evropës.”

Megjithatë, ai përsëriti shumë nga idetë dhe synimet e politikave të paraqitura nga Vensi vitin e kaluar. Rubio u ankua për zhvendosjen e industrisë amerikane jashtë vendit, mbizotërimin joperëndimor të zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe politikat e energjisë së gjelbër që, sipas tij, synojnë të “qetësojnë një kult klimatik” duke “varfëruar njerëzit tanë”. Mbi të gjitha, ai theksoi se Evropa dhe SHBA-ja përballen me kërcënimin e migracionit masiv dhe rrezikun e “fshirjes së qytetërimit”.

“Siguria kombëtare… nuk është thjesht një seri çështjesh teknike,” tha ai. “Çfarë po mbrojmë saktësisht?… Po mbrojmë një qytetërim të madh… Vetëm nëse jemi të hapur dhe krenarë për trashëgiminë tonë të përbashkët, mund të fillojmë së bashku punën për të përfytyruar dhe krijuar të ardhmen tonë ekonomike dhe politike.” Sipas Rubios, migracioni masiv “vazhdon të jetë një krizë që po shndërron dhe prish shoqëritë në të gjithë perëndimin”, por ai këmbënguli se kjo “nuk është shprehje ksenofobie apo urrejtjeje; është një akt themelor i sovranitetit kombëtar”.

Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, e sfidoi “vizionin e Rubios për rendin botëror” dhe pretendimin se perëndimi e kishte “deleguar” sovranitetin e tij tek institucionet ndërkombëtare. “Po, organizatat tona ndërkombëtare kanë dështuar të zgjidhin kriza dhe konflikte,” tha Pistoriusi. “Por përgjigjja nuk mund të jetë që një fuqi e madhe të veprojë e vetme. Kjo mund të funksionojë në afat të shkurtër, por në një botë me më shumë fuqi të mëdha konkurruese, kjo nuk do të funksionojë në afat të gjatë.” Sipas tij, Evropa dhe SHBA-ja duhet të punojnë për “reformimin dhe ripërtëritjen e organizatave ndërkombëtare… që të ofrojnë atë që është thelbësore: paqe dhe siguri. Këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku.”

Rubio kritikoi gjithashtu “shtetet e mirëqenies” që, sipas tij, Evropa i ka ndërtuar në kurriz të financimit të sigurisë. Pia Fyrhop, shkencëtare politike në institutin gjerman SWP, tha se fjalimi i Rubios dukej i sjellshëm në sipërfaqe, por se ai po përpiqej ta tërhiqte Evropën drejt mendësisë Maga. “Është një dhuratë e helmuar,” tha ajo për kumtin e tij të bashkëpunimit.

Edhe audienca e priti fjalimin me ftohtësi. “Jo përgjigjja që po kërkonim,” tha një diplomat gjerman, duke shtuar se fjalimi ishte më shumë për publikun “e brendshëm” amerikan sesa për evropianët. “Ishte Maga, por pa asnjë thellësi,” tha një zyrtar i lartë evropian. “Asnjë përmendje e Rusisë, asnjë përmendje e Ukrainës.”

Megjithatë, Jyrgen Hart, deputet i lartë gjerman, tha se “Rubio ka mbetur besimtar i NATO-s, gjë që është pozitive. Ne evropianët, megjithatë, nuk do të hyjmë në luftërat kulturore amerikane.”

Gjithë ligjërata e tij mund të lexohet këtu.

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA