Nën hijen e Trampit, Putinit dhe Orbanit, NATO-ja gatitet për luftë ndërsa BE-ja ‘shpëton’ Ukrainën
Gjatë javës së tretë të janarit 2024 Gjermania dhe vendet evropiane kufi me Rusinë u pushtuan nga ‘paniku’; si pasojë, NATO-ja shpalli stërvitje disa mujore pavarësisht se vlerësimi i saj ishte se Rusia nuk përbënte ndonjë rrezik
Ylli Përmeti
20/01/2024 - 08:38
Si fillim ishte gazeta gjermane “Bild” e cila raportoi një dokument “sekret” të forcave ushtarake gjermane (Bundeswehr) sipas të cilit do të ndodhë një përshkallëzim mes NATO-s dhe Rusisë deri në shkurt të këtij viti; ndaj ajo po përgatitet.
Dokumenti ravijëzon fazat përmes të cilave konflikti do të zhvillohet. Sipas tij, konflikti do të kulmojë me zbarkimin e mijëra trupave të NATO-s dhe fillimin e një lufte në verën e vitit 2025. “Konflikte kufitare” dhe “trazira me shumë viktima” janë të mundshme në “Korridorin Suwalki” (mes Bjellorusë dhe Kaliningradit, i cili shtrihet përgjatë kufirit polako-lituanez). Por se sa do të ketë mundësi NATO-ja ta përmbajë Rusinë mbetet një pyetje e hapur.
Pak ditë më pas ministri` mbrojtjes gjermane tha se Putini mund të sulmojë NATO-n në 5-8 vitet e ardhshme por jo duke paraqitur ndonjë raport por thjesht sepse “ne dëgjojmë thuajse çdo ditë kërcënime nga Kremlini”. Ai shtoi, gjithashtu, se tanipërtani s`ka gjasa për ndonjë sulm por “ekspertët” gjermanë “presin një periudhë prej pesë deri tetë vjet që sulmi të ketë gjasa”. Më herët kreu i komitetit të NATO-s, Rob Bauer, tha se aleanca përballësh me “botën më të rrezikshme prej dekadash” dhe bëri thirrje për një “shndërrim luftarak të NATO-s”.
Krahas këtyre raporteve dhe qendrimeve politike Gjermania ndryshoi doktrinën ushtarake dhe strategjike vitin e kaluar, për herë të parë që nga viti 2011, duke synuar t`i kthejë forcat ushtarake gjermane të afta për luftë. Moska i ka quajtur “spekulime” këto pretendime dhe pasojë e frikës së humbjes së luftës në Ukrainë. Putini, madje, ka shënjestruar Bajdenin dhe e ka quajtur atë “mjeshtrin” e NATO-s dhe orkestruesin e ‘frikës’ së elitave evropiane për një sulm të mundshëm nga Rusia pasi të ketë mbaruar lufta në Ukrainë, duke përmendur një phim të tijin se “nëse Putini merr Ukrainën, ai s`do të ndalojë atje”.
Shqetësimit gjerman dhe vendeve lindore evropiane në kufi me Rusinë iu përgjigj NATO-ja: mbledhja e zhvilluar në Vilnius, kryeqytetin lituanez, vendosi zhvillimin e stërvitjeve ushtarake ―më të mëdhatë në tre dekadat e fundit― pavarësisht se vlerësimi për aftësitë ushtarake ruse ishte se “ndërsa sulmet e fundit [në Ukrainë] ruse ishin shkatërruese, ato nuk janë efektive ushtarakisht”. Sipas njoftimit të tre krerëve të NATO-s, stërvitjet e quajtuara “Ushtrim i Palëkundur Mbrojtës, 2024”, sipas doktrinës së “përfrikësimit dhe mbrojtjes së zonës euroatlanike”, fillojnë javën e fundit të janarit dhe do të vazhdojnë deri në maj; ato do të përfshijnë 90,000 forca ushtarake nga 31 shtete duke përfshirë dhe Suedinë dhe do të zhvillojnë “skenarë kundër një kundërshtari gati të njëjtë”.
Vendzhvillimi i stërvitjeve tregon dhe “kundërshtarin”: sipas një deklarate tjetër të NATO-s stërvitjet do të zhvillohen “përgjatë mijëra kilometrave, nga Veriu deri në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në çdo rrethanë”. Stërvitje të ngjashme por me më shumë trupa, 125,000, u zhvilluan në vitin 1988, në kulmin e Luftës së Ftohtë, kur stërvitjet e quajtura “Reforger” (Return of FORces to GERmany) përgatiteshin për një konflikt të mundshëm me Paktin e Varshavës dhe Bashkimin Sovjetik por ndaluan pas rrënimit të tij në vitin 1993.
Qendrime të ‘ngjashme’ me ato gjermane patën dhe krerët e vendeve fqinje me Rusinë: nga Estonia, Lituania dhe Suedia deri në Poloni. Madje shtetet balltike u pajtuan të ngrejnë një zonë të perbashkët mbrojtjeje në kufijtë e tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë. Për këtë qëllim ata do të ndërtojnë një mbrojtje “kundërlëvizëse”, krahas pajisjeve me municione dhe fuqisë ushtarake do të zhvillojnë bashkëpunim në raketa dhe artileri. Estonia do të ndërtojë 600 bunkerë përgjatë kufirit të saj prej 294 km. Çdonjëri do të strehojë 10 ushtarë ndërsa ndërtimi i tyre fillon në vitin 2025.
Megjithatë, pak ditë pas këtyre zhvillimeve, Putini u rizotua për të luftuar ‘nazizmin’ në Ukrainë dhe shtoi dhe vendet baltike, ku, sipas tij, po diskriminohen pakicat kombëtare ruse dhe përdoren ‘ideologji dhe metoda hitleriane’ ndërsa disa vende evropiane nxisin rusofobinë përmes politikave shtetërore, duke paralajmëruar se “ne do të bëjmë gjithçka – çdo gjë për të zhdukur nazizmin për mirë”. Ai udhëzoi, gjithashtu, ministrat e tij që të ndihmojnë veteranët e luftës që të bëhen pjesë e elitës ruse.
Paralelisht NATO-ja po përparon planet për krijimin e një rrejti të “korridoreve ushtarake” përgjatë Evropës për t`iu shmangur rregullave të ndërlikuar të cilët tani kufizojnë shkëmbimin e pajisjeve dhe personelit mes anëtarëve, raportoi The Times. Nëntorin e vitit të kaluar gjeneral-koloneli i NATO-s Aleksandër Sollfrank nxiti vendet të krijojnë zona për lejimin e lëvizjes së shpejtë të trupave dhe armatimeve në rast lufte me Rusinë. Sipas gazetës, ideja ka vite që qarkullon por tani po përparon, e cila do të njoftohet në mbledhjen e korrikut. “Lëmshi bizantin i rregullave që kufizon shkëmbimin dhe bartjen e pajisjeve ushtarake” në BE ka krijuar një “dhimbje koke” për planifikuesit e NATO-s, citon gazeta.
Ndërsa BE-ja përballësh me refuzimin e Orbanit për të miratuar ndihmën e radhës për Ukrainën prej 50 miliardë euro dhe të dërgonte armatime, të vendoste sanksione të reja ndaj Rusisë dhe të nxirrte ndonjë dobi nga pasuritë e ngrira ruse për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës, Rusia u përgjigj se NATO-ja u krijuar që në fillim për t`u përballur me Rusinë dhe ajo ishte një “mjet për lufte” e drejtuar nga SHBA-ja dhe se Moska do të merrte masa mbrojtëse nëse trupat perëndimore afroheshin pranë kufirit rus.
Një analist amerikan (Robert Bridge) beson idenë e disa analistëve të tjerë ushtarakë se nëse ngjarjet në Ukrainë përkeqësohen në dobi të Rusisë, trupat e NATO-s do të hyjnë në Ukrainën perëndimore me qëllim që të përkeqësojnë marrëdhëniet me Rusinë dhe të bëjnë të pamundur qëllimin e Trampit, i cili synon të ndohmojë procesin e paqes mes dy vendeve. Por kjo ide shpërnjeh faktin se hyrja e trupave të NATO-s në Ukrainë miratohet nga gjithë anëtarët e organizatës dhe do të shkelte një ndër qëllimet e saj: se ajo mbron vetëm anëtarët e saj.
Për më tepër, ndërhyrja do të ishte shpallje lufte me Rusinë meqënse ajo po përpiqet të ndalojë pikërisht integrimin e Ukrainës në NATO. Ideja, në fjalë të tjera, besohet nga “analistë” ushtarakë që s`e kanë të qartë karakterin e organizatës dhe efektin e pushtimit ushtarak të NATO-s.
Ndërsa ‘broçkulla’ të tilla riprodhohen dhe nga televizioni rus, RT, Orbani nuk beson në zgjidhjen ushtarake dhe dërgimin e parave dhe armëve, sepse ato vetëm “përshkallëzojnë” gjendjen në vend ta zgjidhin atë. Përpjekjet e Bruskelit disa javore duke përdorur “kulaçin dhe kërbaçin” dështuan aq sa Orbani e akuzoi atë për “shantazh” ndërsa mendohej përdorimi i planit B.
Ky është një plan që përfshin një buxhet afatgjatë për Ukrainën dhe një paketë ndihme, me mbështetjen e 26 vendeve. Por diplomatët e Bruskelit thonë se qoftë edhe ky plan është i pavolitshëm, sepse minon njëzëshmërinë e BE-së lidhur me Ukrainën, duke “dërguar një sinjal të keq në Kiev, Moskë dhe Uashington”. Mund të shtyjë gjithashtu zhgënjimin e udhëheqësve me Orbanin në një nivel tjetër duke shkrepur bisedime për zhveshjen e Hungarisë nga të drejtat e saj për të votuar.
Të gjitha këto në kohën kur fermerët ―nga Polonia, Gjermania, Franca, Belgjika, Spanja, Italia dhe Greqia (dhe Shqipëria), protestojnë kryesisht për shkak të rritjes së kostos së prodhimit nga lufta perëndimore kundër Rusisë― dhe zgjedhjet evropiane të korrikut po afrojnë dhe parashikimet tregojnë se parlamenti evropian do të mbizotërohet nga përfaqësues miqësorë ndaj Rusisë dhe armiqësorë ndaj Ukrainës dhe kontinenti është “pushtuar” nga skandalet e politike dhe korrupsioni.
Megjithatë, Orbani u tërhoq në mbledhjen e ditës së parë të shkurtit duke miratuar ndihmën prej 50 miliardë euro dhe duke sqaruar se donte të “shtynte BE-në të rimendonte politikën ndaj Ukrainës”. Marrëveshja parashikon një bisedim vjetor dhe të drejtën për ta riparë ndryshe ngasa kërkoi Orbani, një votim vjetor, kërkesë e cila mund të rrezikonte paketën me veto.
Ky raport është përditësuar në datën 1 shkurt
Lexo për më shumë arsyet kryesore se pse siguria evropiane dhe e SHBA-së është në rrezik dhe elitat neoliberale s`kanë kuptuar gjë:
Shkatërrimi` Patriot-it nga hipersoniket ruse dhe implikimet për sigurinë amerikane dhe evropiane
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 194 reads



