Ngjarja e vitit: përballja “Rama/Balluku-Spak” dhe përfundimi` saj në Gjykatën Kushtetuese
Përballjen mund ta fitojë Spaku dhe fitorja mund të çojë në hetimin dhe rrëzimin e Ramës
Ylli Përmeti
23/11/2025 - 12:30
Pas njoftimeve të medias së oligarkisë (së censurës dhe shkeljes së kushtetutës dhe ligjit të medias dhe detyrës së gazetarisë) për masat e Spakut ndaj Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj në orët e para të paradites së ditës së 20 nëntorit, në mbrëmje të po të njëjtës ditë, organi` hetimeve njoftoi hetimin “për procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Jashtme” në Tiranë, ku ishin gjetur “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”.
Sipas njoftimit, Balluku dhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë, paracaktuan fituesin e tunelit të Llogarasë ndërsa kishin vepruar njësoj për Unazën, me të vetmin ndryshim se për këtë fundit përfshihen gjashtë bashkëpunëtorë. Si pasojë, gjykata e posaçme e shkallës së parë vendosi masa sigurie ose “me karakter shtrëngues”: “ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin e detyrave a shërbimit publik”, të parashikuara në nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale. Paralelisht me njoftimet e medias, Balluku shkoi në kryeministri ku u “ngujua” për disa orë bashkë me Ramën. Por nuk mbajtën ndonjë qendrim.
Skema ose qëllimi për të vjedhur shtetin përmes prokurimeve të “veprave publike” (autostrada, tunele etj.), duke miratuar “kërkesat” e ndërmarrjeve pranë “fondit limit” dhe jo ato që kursejnë nga kursimet tona, është përdorur nga të dyja qeveritë dhe që nga fillimi` qeverisë “Rama”: për shembull, një shqyrtim i 21 nga 23 tenderat e Unazës së Madhe të Tiranës, që u zhvilluan mes viteve 2011–2024, ku u dhanë 45.9 miliard lekë, tregon “se dhjetë procedura u fituan me më shumë se 98% të fondit limit, pjesa tjetër me mbi 94%; ndërsa vetëm në dy tendera ndërmarrjet në garë dhanë oferta që i kursyen buxhetit mbi 20% të fondit” (BIRN).
Rama: vendim anti-demokratik
Rama mbajti qendrim për vendimin e Spakut një ditë më pas, në një shfaqje të quajtur “Regional Leaders` Summit on the Growth Plan, OUR PATHWAY”, i rrethuar nga burokratë të Brukselit dhe gazetarët e oligarkisë, ku foli si fillim për planin e “rritjes” ose “talljes” ose “mashtrimit” më të madh të të gjitha kohërave, lidhur me popullin tonë, siç e kam quajtur kur erdhi në tetor presidentja e komisionit evropian, von der Layen, për gjithë arsye që citoj atje por dhe në vend tjetër, dhe më pas përmendi edhe një herë rrëfenjën e tij se drejtësia është e pavaruar pikërisht sepse desh ai dhe partia e tij për ta “shkëputur nga e kaluara 100 e kusur vjeçare, të pandëshkushmërisë”, duke e “varrosur atë”, por…ajo “ka shfaqur” sipas tij “dhe dobësitë e natyrshme të një pushteti krejt të ri, fëminor për nga mosha, si dhe reflekse të vjetra anti-demokratike”, të cilat kanë kosto për vendin dhe “jo thjesht” për “ne”, por megjithatë, ajo duhet “të mbrohet dhe ruhet e pavarur” meqë sipas tij, pavarësia është parakusht për çdo qendrim nga ana e pushtetarëve (ose “nga ana jonë” siç tha ai), sepse, “kurrë nuk duhet hedhur fëmija”, tha ai, “bashkë me ujin e pistë”, duke përmendur një thënie të mençur. Kështu pezullimi` Ballukut ishte “një tjetër shfaqje pikërisht e atyre dobësive” dhe “e reflekseve anti-demokratike”, sipas tij.
Si i tillë, rasti është “unikal në historinë e Evropës dhe po ashtu në historinë e trupave specialë të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit evorpian të vendeve të Lindjes ish-komuniste (…), ku s`ka ndodhur kurrë (…) që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë-më-kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Por nëse një prokuror special dhe një gjykatës special i Shkallës së Parë të Speciales këtu në Shqipëri kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të një pushtetit tjetër të pavarur siç është ekzekutivi, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit dhe të Parlamentit – prej nga buron mandati i qeverisë dhe çdo ministri – zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja, si gjithmonë për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht edhe në këtë rast ekstrem”…“ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as nuk të angazhohemi, larg qoftë, në një betejë politike, retorike me drejtësinë”. “Por, ne do të vazhdojmë me durimin tonë strategjik”, tha në fund Rama.
Ai e vazhdoi një ditë më pas përpjekjen e tij duke përmendur rastin e një prokurori amerikan të shekullit të kaluar, Robert Xheksonit —në përpjekjen e tij për të nxitur prokurorin dhe gjykatësin e Spakut të rishikojnë vendimin— duke theksuar edhe një herë se drejtësia duhet të “jetë pavarur por kurrë e papërgjegjshme” dhe duke cituar disa fjalë që ia mvesh Xheksonit, të cilat nga një kërkim që kryeve në internet, nuk janë të tijat, “se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet”. Ai më tej citon një fjalim të Xheksonit, për të njëjtën arsye: për të nxitur Spakun të rishikojë vendimin e tij.
Rama, në fjalë të tjera, vërtet tha një ditë pas akuzës së Spakut se do të “respektonte pavarësinë” e gjyqësorit dhe do të ndiqte rrugën e drejtësisë—domethënë, se do të shkonte në gjykatën kushtetuese—por paralelisht po përdor qendrimet politike si mjet për të ushtruar trysni ndaj organeve të drejtësisë. Qasja e tij, rrjedhimisht, është me dy drejtime; edhe politike edhe juridike, pavarësisht se s`kemi parë deri tani të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
Hetimet ndaj Ballukut duhet të kenë filluar në fund të janarit të vitit 2025 kur u akuzua për herë të parë nga Ahmetaj. Kjo është një kohë e mjaftueshme për të ngritur akuzë dhe për çështjet përkatëse (lehtësisht të hetueshme). Duhet thënë se Spaku u është përmbajtur ligjeve në fuqi në akuzën e tij por me një përjashtim: kur përmend nenin 242, “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në pikën 2 thuhet se masa “nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”—çka nënkupton se nuk mund të përdoret kundrejt Ballukut meqënse ajo është zgjedhur ose pretendohet se është zgjedhur, sipas tij.
Kjo mund të jetë arsyeja që e shtyn Ramën dhe Ballukun ta apelojnë vendimin e Spakut në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Spaku mund të përdor nenin 228, pika a, b, c, ku parashikohen masat e sigurisë, apo qoftë edhe nenin 230 pika 3, ku parashikohen masa të veçanta. Kështu, përballja mes Ramës/Ballukut dhe Spakut në gjykatën kushtetuese, ku Spaku do të paraqesë prova për akuzën dhe masat e tij, mes tyre dhe pretendimi se ajo paracaktoi fituesit e punëve publike, me siguri fitohet nga Spaku dhe Rama/Balluku dështon edhe një herë pas dështimit me Veliajn (ose siç thotë populli, “shkuan për lesh dhe u kthyen të qethur”) por më kryesorja, përpjekja e Ramës do të shtyjë Spakun të hetojë më pas Ramën.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 42 reads



