...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama është “rrethuar” nga akuzat (deri tani politike) por rrëzimi` tij varet kryesisht nga ne

Jemi ende në fillimin e përfshirjes së Ramës në hetim

Ylli Përmeti

21/11/2025 - 08:04

Ditët e fundit kanë treguar se rrëzimi` Ramës varet kryesisht nga ne —njerëzit vërtet të ndershëm dhe protestat tona— se sa nga Spaku dhe Berisha ndërsa sjellja e Ahmetajt në Shqipëri, i cili mund të ndihmojë në ndalimin e Ramës, nga Spaku, siç do të tregoj në vijim, bart ‘sfida’ ligjore. Me dhjetra të ndaluar nga radhët e partisë së tij dhe për arsye politike dhe sigurie kombëtare, Rama duhet të shkarkonte Ballukun dhe pastaj dhe veten menjëherë pas njoftimit të akuzës ndaj saj, për mos të thënë më parë. Janë me dhjetra raste në Evropë dhe jo vetëm që kur kryeqeveritarët apo anëtarët e një qeverie akuzohen për zvetënim nga organet hetimore, ata dorëhiqen.

Rastet më të fundit janë kryeministri Lituanisë (Gintautas Paluskas) korrik 2025 dhe i Portugalisë (Antonio Costa) nëntor 2023. Por kemi dhe një rast të viteve të fundit —kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy— të vitit 2018: ngaqë partia e tij u akuzua nga gjykata kombëtare (jo thjesht nga prokuroria) se ajo përfitoi nga një skemë mashtrimi, vendimi shkrepi një votë-besim (ose “mocion” siç e quajnë ndrikullat tona procesin në fjalë) të mbrothët në kuvend për shkarkimin e tij. Ndryshimi kryesor mes këtyre rasteve është se të parët u dorëhoqën për shkak të akuzave ndaj tyre ndërsa rasti spanjollit për shkak se akuza ishte ndaj partisë.      

Në rastin e Ramës mungon akuza nga organet hetimore por ka akuza tejet të rënda ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë (Balluku, Veliaj etj.) dhe ka, gjithashtu, akuza tejet të rënda ndaj tij nga Ahmetaj.

Deri tani Spaku s`i ka shfrytëzuar akuzat e Ahmetajt ndaj Ramës pavarësisht se thuhet se po përpiqet ta sjell atë në Shqipëri dhe ta dënojë për akuzat që ka ngritur ndaj tij, madje dhe për një akuzë të re lidhur me dyshimin se janë zhvendosur 3 milionë euro drejt Austrisë. Ndoshta kjo e fundit është shtuar nga prokurorët e Spakut për të bërë të mundur sjelljen e tij në Shqipëri, sepse ligji` dëbimit ose “ekstradimit” siç quhet nga ndrikullat tona “akademike”, në Zvicër, parashikon dëbimin e një të akuzuari por vetëm nëse përputhet me disa kërkesa: se ai është “i dënueshëm” në të dy vendet, më shumë se një vit, nuk ndiqet për arsye “politike” etj. Ahmetaj e ka paraqitur si “politik” ndjekjen e tij dhe vërtet, rasti` tij anon nga ndjekja politike, pavarësisht se ai ka kryer shkelje sipas kodit tonë penal—sepse ai ka qenë në dijeni të krimeve politike të eprorit të tij dhe nuk i kallëzoi ato siç kërkon ligji por heshti ndërsa për akuzat e tjera ndaj tij, Spaku deri tani nuk bind.

Unë bëra thirrje për shkarkimin e Ballukut nga Rama dhe gjykata e posaçme veproi një ditë më pas duke e pezulluar atë nga detyra dhe duke ndaluar daljen e saj jashtë vendit. Sipas gjykatës, ajo mund të shtrembëronte provat dhe përfrikësonte dëshimtarët meqënse drejton një ministri me përqindjen më të madhe të buxhetit të qeverisë dhe ka ndikim të madh (masë e zakonshme). Megjithatë, një arsye tjetër mund të jetë shfaqja shtirake e saj në kuvend ku u mundua ta paraqeste veten si të pafajshme dhe mbështetëse reformën në drejtësi. 

Sidoqoftë, gjykuar nga historia e Spakut por dhe nga aftësia e tij për të hetuar shpejt dhe drejt, që nuk është i tillë por me shumë të meta, mund të thuhet se jemi ende në fillimin e përfshirjes së Ramës në hetim dhe nëse ndjekim rastet që përmenda më herët, Balluku duhet të ishte shkarkuar nga Rama ose të kishte kërkuar dorëheqjen e saj, siç veprohet në këto raste, dhe për dy arsye të tjera: sepse ndryshe do të akuzohet se e mbron atë nga drejtësia (ose duke e mbajtur atë në pushtet pikërisht për arsyet që tha gjykata, për të shtrembëruar provat dhe përfrikësuar dëshmitarët) ndërsa rrezikon të shkaktojë protesta dhe paqendrueshmëri.

Megjithatë, ai ka treguar se është më shumë se gjysmakë në arsyetim juridik (20 vjet në pushtet s`ka mësuar as detyrat e gjykatave se të mësojë parimet juridike s`bëhet fjalë) dhe për pasojë s`e kupton rëndësinë e shkarkimit të saj dhe as kupton “rrethimin” e tij nga akuza që mund ta çojnë atë në burg të përjetshëm nëse vazhdon me “dredhitë” e tij politike.  

Këto zhvillime nuk u shfrytëzuan nga partitë kundërshtare—në kuptimin që të ushtronin trysni ndaj Spakut që të përshpejtonte hetimet dhe të ngrinte akuzë ndaj Ramës; përkundrazi, ato u morën me padrejtësitë e tij (buxheti 2026 etj.). Shehaj ngriti nevojën e shkarkimit të Ballukut por ai s`ka mendim të qartë mbi çështjet juridike dhe nuk do të ketë ndonjë herë ndërsa Berishën e braktisën dhe besnikët e tij historik siç u bë e qartë në protestën e fundit dhe për pasojë ai s`ka fuqi të detyrojë Ramën të dorëhiqet me protesta (apo të kërkojë votë mos-besimi në kuvend) dhe bashkë të krijojnë një qeveri teknike. Kështuqë mbetet në detyrën tonë për të udhëhequr shkarkimin e Ramës. 

Vlen, në fund, të përmendet e vërteta e madhe, të cilën kam vite që e them, dhe përveç meje asnjë tjetër, se Rama mori një shuplakë të dytë përveç asaj nga gjykata e posaçme, të njëjtën ditë, nga Britania kur ajo njoftoi dëbimin e më shumë se 700 familjeve shqiptare që nuk përmbushin detyrimet ligjore, duke prishur dhe marrëveshjen e heshtur që kishte bërë me Ramën për shfrytëzimin e tregtarëve të drogës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Madje në ditët në vijim Britania mund të përpiqet të tregojë më shumë fuqinë ekonomike të mafias shqiptare në Britani dhe Shqipëri (është në dobi të saj) dhe kështu të shënjestrojë Ramën si krye-organizatorin e saj dhe të dëmtojë fitimet e saj por dhe besueshmërinë e tij dhe ndoshta —nëse ai nuk dorëhiqet— ta shpallin Shqipërinë një narko-shtet.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA