Shqipëria zhbëhet më shumë me programin e neosorosistëve: Lapaj dhe Shabani
Kur lexon politikën e saj “fiskale” kupton dhe “thelbin” e saj. Ajo kërkon të zbatojë taksimin e sheshtë prej 10% ndërsa ata që punësohen në “dy apo më shumë” punë do të kenë “tatim të shumëfishtë...sa 10% e totalit nga të gjitha burimet e të ardhurave”. Domethënë, korporatat si ajo e Manes apo e të huajve paguajnë më pak taksa se një punëtor i zakonshëm që punon në dy punë!
Ylli Përmeti
07/05/2025 - 16:09
Ndryshe nga Shehaj, “Shqipëriabëhet” ka paraqitur katër kërkesa apo zotime kryesore: referendumet; sistemin zgjedhor; votën e diasporës; dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Lidhur me referendumet ajo i sheh ata si “vendimmarrje reale” dhe kërkon një ligj të posaçëm për ta vendosur në veprim, meqënse parashikohet në kushtetutën tonë dhe në disa dispozita të Kodit Zgjedhor por, sipas saj, mungon “procedura”. Për referendumet, në fakt, nuk është se nevojitet ndonjë “procedurë” ligjore nëse me ta kuptojmë thjesht ftimin e popullit të votojë për një çështje të rëndësishme që prek jetën e tij. Por ata s`janë shfrytëzuar mjaftueshëm nga klasa jonë politike, pikërisht për ta mashtruar dhe shtypur popullin.
Britania, për shembull, përdori një referendum për të vendosur populli nëse dëshironte të ishte anëtare në BE në vitin 2016 pas referendumit që kishte zhvilluar në vitin 1973 kur populli u ftua të votonte për t`u anëtarësuar. Britania ka përdorur referendume për çështje madhore edhe pse s`e ka në Kushtetutë. Në fakt, ajo s`ka kushtetutë por ka ligje parlamentare (statutes), marrëveshje ose konventa, vendime gjyqësore dhe traktate. Në rastin tonë, ligjin e referendumit e kemi në kushtutetutë por nuk është përdorur kurrë nga klasa jonë politike për çështje madhore. Hamendësisht, sepse ka frikë nga “vullneti”` popullit lidhur me çështje madhore si anëtarësimi ynë në BE, për të cilën do t`i duhet të tregojë dobitë dhe jodobitë e anëtarësimit në fjalë, sepse deri tani përsërisin si papagallë vetëm dobitë dhe fshehin jodobitë.
Kërkesa e “ShqipëriaBëhet” për referendumet bëhet kur Kodi Zgjedhor i vitit 2003 përcakton rregullat për shpalljen e një referendumi dhe kur në Shqipëri janë zhvilluar disa referendume, qoftë edhe në mungesë të Kodit përkatës: një në 5 nëntor të vitit 1994, për projekt-kushtetutën e kohës kur shumica i tha jo atij; një në 29 qershor, 1997, për formën e qeverisjes, “republikë” apo “monarki kushtetuese”, kur shumica zgjodhi “republikën”; dhe kur vetë kushtetuta e Shqipërisë është miratuar më 28 nëntor të vitit 1998 përmes një referendumi, kur shumica i tha po asaj. Janë shënuar dhe disa përpjekje të tjera për zhvillimin e referendumeve, me më të fundit në vitin 2013 kur gjykata kushtetuese “ndezi dritën e jeshile” për zhvillimin e një referendumi për “mbetjet” pasi u vu në lëvizje nga KQZ-ja. Këto ndryshime kushtetuese dhe ngjarje të rëndësishme, nuk duhet t`i shpëtonin një “juristi” si Lapaj.
Lidhur me “sistemin zgjedhor” ata kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor mbi listat (neni 163) — dhe t`i bëjnë ato të gjitha të hapura dhe të përputhshme me nenin 17 dhe 45, pika 4, të Kushtetutës. Kjo kërkesë është më shumë se gjysmake, në të vërtetë, sepse partia përkatëse shtrembëron nocionin e demokracisë. Ja se ç`thotë ajo për “demokracinë”, se ajo “bazohet në përfaqësim”—domethënë, për të s`ka ngjizje tjetër demokracie, për shembull, jopërfaqësuese!
Në fund, “depolitizimi” i administratës zgjedhore është një kërkesë që tingëllon e drejtë meqënse njerëzit që drejtojnë zhvillimin e zgjedhjeve duhet të mos përfshihen me partitë politike. Por kodi zgjedhor ndalon përfshirjen e tyre (p.sh, neni 13 ndalon Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, të përfshihet në “listën e kandidatëve që votohen”) ndërsa nëse ligji shkelet nga zbatuesit e kodit zgjedhor, ka masa ndëshkimi.
Megjithatë, SHB-ja parashtron kuptim tjetër të “çpolitizimit”: ajo e lidh atë me punësimet apo rrogat e shumëfishta të drejtuesve të zgjedhjeve, të cilat na kushtojnë, sipas saj, 30 milion euro, pasi kur mbarojnë zgjedhjet, ata vazhdojnë të marrin rrogë dhe punësohen në vende të reja në administratë. Ky lloj ndalimi nuk mund quhet “depolitizim” siç e quan SHB-ja por thjesht ndalim i një veprimtarie të padrejtë. Megjithatë, nuk kam gjetur asnjë raport që tregon se shteti humbet 30 milion euro nga punësimet e dy apo trefishta të punonjësve përkatës ndërsa është raportuar nga ministria e shtetit se ndaloi të gjitha procedurat e rekrutimit për periudhën e fushatës zgjedhore prej 3 marsit. Sidoqoftë, kjo çështje meriton hetim të mëtejshëm. Për të njëjtën arsye pretendimi` SHB-së është jobindës.
Lëvizja në fjalë, nëse mund ta quajmë “lëvizje”, botoi dhe një “program politik” prej 20 faqesh (shih në fund). Por gjykuar nga katër pikat kryesore që sapo shqyrtova —se ato nuk mbështeten në ndonjë hetim dhe shqyrtim por në kërkesa që vetëm njerëzit e papargjegjshëm dhe mashtrues i bëjnë— kuptohet se dhe programi ashtu do të jetë: një gjepur tjetër por më e zgjeruar.
Ajo e fillon ngjizjen e “programit” nga arsimi ose “ardhmëria” siç e quan ajo, dhe shkon te familja dhe siguria dhe shteti` së drejtës, Shqipëria sociale dhe mirëqenia, dhe pastaj shkon tek ekonomia. Parë nga një këndvështrim rreziqesh —se ne kanosemi më shumë nga kriza ekologjike dhe ushqimore— por dhe parimor, se pa ekonomi s`mund të thurësh ëndërra për sektorët e tjerë që varen nga ajo, ajo duhet ta kishte filluar ngjizjen e programit pikërish nga ekonomia; dhe ngaqë ekonomia përfshin kryesisht taksimin, burimet tona ekonomike dhe industrinë, ajo do të përdorte parime të drejta për ta.
Por kur lexon politikën e saj “fiskale” kupton dhe “thelbin” e saj. Ajo kërkon të zbatojë taksimin e sheshtë prej 10% ndërsa ata që punësohen në “dy apo më shumë” punë do të kenë “tatim të shumëfishtë...sa 10% e totalit nga të gjitha burimet e të ardhurave”. Domethënë, korporatat si ajo e Manes apo e të huajve paguajnë më pak taksa se një punëtor i zakonshëm që punon në dy punë!
Mjafton kjo politikë fiskale për të kuptuar se SHB-ja është armik i punëtorëve dhe mik i milionerëve ndërsa pikat e tjera nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Për zhvillimin e industrisë bujqësore dhe blektorale, për të cilën vendi ynë ka nevojë të madhe, ajo flet se do të themelojë një bankë agrare kombëtare për kreditimin e ndërmarrjeve; do të zhbëjë skemat e subvencionimeve duke përdorur vetëm një “formulë” dhe do të ndërmarrë disa masa që partitë e vjetra kanë vite që i ndërmarrin (dëmshpërblime nga “fatkeqësitë” natyrore etj.), pasi, sigurisht, nuk marrin asnjë masë për parandalimin e katastrofave ekologjike dhe për ta mbrojtur prodhuesin tonë nga dinamika botërore —konkurrenca— përveç “formulës” së subvencionimit dhe një pike jo shumë të qartë lidhur me “ndalimin e eksportuesve”.
Përgjithësisht SHB-ja e zhbën më shumë Shqipërinë jo vetëm për shkak të karakterit të saj oportunist dhe të dënueshëm, parë nga këndvështrimi se veprimtaria e saj politike financohet nga oligarkia jonë por dhe të huajat me në krye Sorosin, por kryesisht sepse ajo do të vazhdojë politikat neoliberale që përdor klasa jonë politike për më shumë se 20 vjet por me disa “ndryshime” të vogla që tingëllojnë “fisnike”. Qëllimi, sigurisht, është mashtrimi` (edhe një herë) i popullit.
Fushata politike ka filluar dhe bashkë me të “rrëfenja e madhe”: dukuria ‘Lapaj’ dhe implikimet me Sorosin dhe amerikanët
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 30 reads