...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Koxhiasi falendron qeverinë e Ramës për ndërtimin -dhe me kursimet e popullit shqiptar-...e varrezave greke

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Koxhias e ka quajtur një hap shumë pozitiv, vendimin e qeverisë shqiptare për rifillimin e ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke.

Dita

19/12/2017 - 15:23

Sipas kreut të diplomacisë greke, ky akt pason vendimin e kaluar të qeverisë shqiptare, e cila po rindërton gjithashtu me fondet e saj edhe kishën e vogël të Shën Athanasit, e cila u shkatërrua vitin e kaluar në Dhërmi të Himarës.

I pyetur sesi e komenton vendimin e qeverisë shqiptare për varrezat greke, Kotzias ka deklaruar: “Mendoj se ligji zbatues i miratuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë me anë të të cilit zgjidhen çështjet e varrezave të ushtarëve dhe oficerëve grekë që ranë në luften italo-greke, është një hap i madh për atë që ne e themi në mënyrë popullore ‘qetësimin e shpirtit të të rënëve’, por është gjithashtu një hap besimi mes dy vendeve tona”.

Kotzias dhe kryeministri Tsipras janë sulmuar shumë këto ditë nga opozita e mediat opozitare, pas vizitës së presidentit turk Erdogan në Greqi. Ata janë akuzuar se po tregohen të dobët ndaj Turqisë e fqinjëve të tjerë, ndaj Kotzias nuk ka harruar të shigjetojë kundërshtarët pas këtij suksesi diplomatik.

“Ky akt i madh, ashtu si dhe të tjera më të vogla, vërtetojnë se diplomacia mund të arrijë shumë më tepër se klithmat e protestës pa asnjë përmbajtje, se diplomacia është rruga për të zhvilluar marrëdhëniet pozitive me fqinjet dhe se qeveria dhe unë personalisht, kemi zgjedhur pikërisht këtë rrugë, duke marrë përsipër barrën e pajtimit paqësor, të diplomacisë dhe të zhvillimit të një axhende pozitive me shtetet fqinje”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Greqisë.

Pas takimit të 11-12 nëntorit në Kretë midis Kotzias e Bushatit, dy ministrat e Jashtëm do të takohen sërish më 20 janar, këtë herë në vendin tonë, në Korçë. Edhe në këtë takim objektivi do të jetë arritja e një marrëveshje të re midis Shqipërisë e Greqisë.

Kujtojmë se në mbledhjen e saj të fundit më datë 13 dhjetor, Qeveria ka miratuar vendimin për ndërtimin e varrezave të reja ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.

Ky ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur gati çdo qeveri greke në bisedimet greko-shqiptare.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA