...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Spak-u me mungesa ka hetuar rreth një rast e gjysmë në ditë gjatë vitit 2020

Me mungesa, SPAK-u ka hetuar gjithsej 588 procedime penale, nga të cilat 204 kanë ardhur nga ish-prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe 384 procedime të reja

SHJ

15/06/2021 - 20:25

Nga 15 prokurorë që kërkon ligji janë emëruar 13 (8 në vitin 2019 dhe 5 në vitin 2020) ndërsa 2 janë në procedurën e emërimit, sepse nuk kanë përfunduar ende procesin e skanimit (vetingun). Gjatë vitit 2020 kanë ushtruar detyrën 13 oficerë të policicë gjyqësore. Sipas raportit vjetor, Spak-u ka ushtruar detyrën me disa mangësi, si:

• Mungesa e organikës së plotësuar me numrin e prokurorëve të miratuar nga KLP-ja

• Mungesa e strukturës hetuese të BKH-së për gjatë gjithë vitit 2020.

• Duke filluar nga muaji Janar 2020 dhe deri në fund të vitit 2020, i gjithë stafi ka qënë i vendosur në disa zyra provizore pranë gjykatave të posaçme, për arsye të rikonstruksionit të plotë që i janë nënshtruar të gjitha ambientet e punës të SPAK.

• Duke filluar nga muaji Mars 2020 dhe deri në fund të 2020, situata e vështirë dhe bllokimi aktiviteteve, si rezultat i pandemisë Covid – 19.

Me këto mungesa, SPAK-u ka hetuar gjithsej 588 procedime penale, nga të cilat 204 kanë ardhur nga ish-prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe 384 procedime të reja. Nga kjo tërësi, për 24 procedime penale është vendosur bashkimi i çështjes, duke pasur në hetim gjithsej 564 procedime penale, me 746 persona nën hetim ndërsa kanë përfunduar hetimet për 216 procedime penale me 534 persona nën hetim, ku për 70 procedime penale është paraqitur kërkesë për gjykim, për 28 procedime penale është paraqitur kërkesë për pushimin e çështjes, 100 procedime penale janë transferuar për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, për 18 procedime penale është vendosur pezullimi i hetimeve.

Ndërsa, 348 procedime penale janë mbartur në hetim në vitin 2021. Nga 746 persona nën hetim që janë hetuar gjatë vitit 2020, kanë përfunduar hetimet për 534 persona nën hetim/të pandehur, që i korrespondon 71,5 % e numrit total të personave në hetim, ndërsa për vitin 2021 janë mbartur hetimet për 212 persona nën hetim.

Përgjatë të njëjtit vit, Spak-u ka përdorur metodën e përgjimit për 91 procedime penale. Janë përgjuar rreth 1175 subjekte ose autorë të dyshuar ose në dijeni të veprave penale, 1373 pajisje fundore (telefona) prej të cilëve janë ndaluar rreth 171 persona të dyshuar për kryerje të veprave penale. Pjesën më të madhe e zënë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 49 procedime penale; më pas vijnë grupet e strukturuara kriminale në trafikim të lëndëve narkotike me 36 procedime penale. Veç këtyre, prokuroria e posaçme ka bashkëpunuar në 69 hetime të karakterit ndërkombëtar: që lidhen me shtetet e tjerë. Në to ka marrë pjesë me skuadra të përbashkëta hetimore nën drejtimin e “Eurojust”.

Nga prokurorët e posaçëm përgjatë vitit 2020 janë paraqitur në gjykatë 120 kërkesa për sekuestrim* pasurie. Nga këto, 68 kanë qenë sekuestro me kërkesë të prokurori. Janë sekuestruar 373 pasuri të paluajtshme; 233 pasuri të luajtshme; 51 subjekte/aktivitete tregtare; 4 llogari bankare.

Gjatë vitit 2020 janë vënë në ekzekutim 27 vendime penale të formës së prerë me 50 të dënuar dhe të hetuar. Për të gjithë të dënuarit prokuroria e posaçme ka një rol të rëndësishëm në procesin e vendosjes së të dënuarve apo të paraburgosurve në regjimin e posaçëm. Për realizimin e këtij synimi ajo bashkëpunon me ministrinë e drejtësisë. 

*Sekuestrimi nënkupton ndalimin me rrugë ligjore përdorimin a shfrytëzimin e një prone ose të një pasurie vetjake nga një i dënuar dhe kthimin e saj në pronë të shtetit përmes konfiskimit ose transferimit të saj.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA