...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pellazgët, grekët dhe ilirët/shqiptarët: cila është lidhja mes tyre?

Abstrakt: Ky studim synon së pari të hedhë dritë mbi origjinën e grekëve në përgjithësi dhe “minoritarëve” grekë në Shqipëri në veçanti; të tregojë politikat ‘ostraciste’ të Athinës klasike dhe moderne mbi popujt fqinj; lindjen e gjuhës në përgjithësi, si është zhvilluar gjuha greke në veçanti dhe cila është rëndësia e saj lidhur me një popull; dhe së dyti të nxjerrim mësime për të ardhmen.

Ylli Përmeti

18/10/2017 - 16:46

 

Fakti që pellazgët flisnin një gjuhë dhe gjuha jonike dominoi me ardhjen e jonianëve në Atikë dhe fakti që gjuha jonike përmban “grimca” nga gjuhët pellazge që kuptohen me shqipen dhe fakti që në trojet pellazge s’flitet gjuhë tjetër veç shqipes dhe shqipen e flasin shqiptarët, pellazgë janë shqiptarët.   

Miti i ‘ndarjes’ së fesë nga shteti modern dhe ofensiva greke në Shqipëri

Athina zyrtare ka vite që propagandon ‘ndajen’ e fesë nga shteti. Mundohet të na bindë se politikat e qeverive në Athinë nuk ndikohen nga feja! Qeveria e “SYRIZA”-s po mundohet të krijojë një lloj tymnaje me fenë. Por feja nuk mund të ‘ndahet’ nga shteti dhe politika përsa kohë që ajo institucionalizon dhe mishëron “etikën” e saj qoftë përmes arsimit qoftë përmes festave fetare dhe kulteve. Përmes arsimit, ajo tregon përmbajtjen e fesë te fëmijët; përmes festave shtetërore, ajo përsërit ritet fetare dhe mishëron “etikën” e saj; dhe përmes kulteve ajo përsërit formën e saj. Feja, në fjalë të tjera, është e kudondodhshme dhe e përsërit veten në të gjithë nivelet e njeriut: në sy, vesh dhe nuhatje (shqisa), mendje dhe shpirt. Përsëritja e saj është një strategji që i ka fillesat e saj në Perandorinë Bizantine dhe Romake. Në të gjithë këta procese shteti modern kontribuon vendimtarisht qoftë përmes politikës qoftë përmes ekonomisë. Për të njëjtën arsye, Athina zyrtare ka koordinuar të gjithë mekanizmat e saj (ekonomik, fetar dhe politik) për të asimiluar popullin shqiptar edhe në Shqipëri. Për ta realizuar këtë objektiv ajo shfrytëzon orientimin tonë për t’u integruar në Rendin e Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N) dhe BE: sepse përmes orientimit në fjalë — domethënë, përmes borxheve dhe investimeve të huaja dhe politikave konçesionare— ne pretendojmë të zhvillojmë ekonominë tonë. Ky është një mekanizëm “zhvillimor” dhe sistemik që imponohet mbi të gjithë vendet e integruar në G/N qoftë dhe mbi Greqinë. Por Shqipëria, ndryshe nga Greqia, nuk mund të japë borxhe dhe të investojë jashtë vendit në përqindjen e saj: sepse në kohën kur ra rendi social-ekonomik i socializmit, në Shqipëri nuk ishin zhvilluar banka zhvillimore private dhe ndërmarrje kapitaliste. As ishin hartuar dhe krijuar fonde “borxhesh” për vende të tjerë, si në Greqi: sepse Greqia në kohën statiste zhvilloi një rend tjetër social-ekonomik: social-demokracinë, ku bankat private dhe ndërmarrjet kapitaliste hodhën themelet dhe oligarkët ishin organizuar.

Në kaosin modern në përgjithësi dhe në G/N në veçanti ku pushteti ekonomik parapërcakton politikat dhe sjelljen e popujve, nuk do të ishte e çuditshme që kryetari i PPDNJ-së, Vangjel Dule, të tregojë padije qoftë lidhur me origjinën e tij qoftë lidhur me efektin e politikës së Athinës zyrtare në Shqipëri dhe Greqi. Dulja diskutoi pak vite më parë çështjen e ksenofobisë dhe incidenteve ndëretnike me Artur Zhein, Sabri Godon etj., duke shpërnjohur të gjithë bashkë pikërisht ndryshimet sistemike dhe (dis)avantazhet, vendimtare për vendin tonë! Por ndërsa Dule mund të jetë plotësisht i bindur se është me origjinë greke dhe rrjedhimisht ka çdo arsye të çorientojë opinionin publik për ndryshimet në fjalë, përfaqësuesit tanë (Zheji etj.) nuk kanë asnjë arsye! Përkundrazi, ata duhet të na tregojnë shkaqet e ksenofobisë dhe incidenteve ndëretnike dhe (dis)avantazhet mes nesh në rendin përkatës me qëllim që të ndriçojnë popullin. Edhe më keq paraqitet e vërteta nga Kristo Frashëri, historiani ynë i mirënjohur, kur i ngatërron të gjitha dhe na thotë se ilirët nuk janë pasardhës të pellazgëve![1]           

Por siç do të shohim këtu, klasa politike greke, duke shfrytëzuar koniukturën aktuale historike, është riorganizuar për ta minuar të ardhmen e Shqipërisë. Përpjekja është sistematike dhe duket qartë edhe nga deklaratat e përfaqësuesve seriozë të popullit grekë. Ish-presidenti grek, Kostas Stefanopulos, për shembull, pohoi se Korça është greke![2] Ndërsa presidenti aktual, Pavlopulos, dhe ministria e jashtme greke nën qeverinë “SYRIZA”, kanë intesifikuar ndërhyjet në politikën e brendshme: një herë për politikat e rikonceptimit të qendrave urbane në Himarë, përmes së cilës kurthoi partinë “socialiste” duke iu përgjigjur ndërhyrjeve të saj dhe duke nënkuptuar se Himara ka minoritet; një herë kur dënoi gurët e sheshit “Skënderbej” që kishin ardhur nga Filati, fshat çam, si veprim “irredentist”; dhe një herë duke i vendosur katër kushte Shqipërisë për integrimin! Por jo vetëm që Korça nuk është greke, dhe minoritarët grekë në Shqipëri nuk janë të tillë, nëse gjykojmë nga zhvillimi historik i shteteve modernë, por tërësia territoriale e Greqisë moderne, nuk është greke, nëse konsiderojmë origjinën e popullit grek. As edhe gjuha greke nuk mund të konsiderohet kryekëput greke: sepse ajo bart karakteristika dhe vlera nga shumë gjuhë dhe popuj. Shkurt, populli grek, falë bujarisë së popullit indigjen në Jug të Greqisë, zhvilloi vendbanimet e tij, dhe falë zhvillimeve demokratike në dy brigjet e detit Egje, u zhvillua Athina klasike: ajo lulëzoi falë zhvillimit të principeve demokratike dhe shkencave. Dhe ishin këto principe dhe shkenca që krijuan kushtet për asimilimin paralel të popujve indigjenë. Më vonë ajo u pushtua nga Perandoria Bizantine, Romake dhe Otomane dhe, pas rënies së kësaj të fundit, filloi të krijonte shtetin modern grek dhe adoptoi –krahas “etikës” kristiane— vlera folklorike me origjinë indigjene (Çamëria). Si e tillë, kultura e saj është sa indigjene aq edhe huaj. Por le t’i shqyrtojmë një e nga një këto çështje.        

Cila është lidhja e emërtimit “grek” me popullin dhe gjuhën greke?

Emërtimi i njerëzve, sendeve dhe vendeve ka lindur bashkë me komunitetet. Emërtimi është pjesë e gjuhës: ai shërben për orientim dhe përpikmëri ndërsa gjuha për përshkrim dhe bashkim. ‘Gjuha nuk është vetëm një instrument komunikimi midis ndërgjegjesh të ndryshme; ajo është baza e komunikimit të vetë ndërgjegjjes – e cila është si të thuash, thjesht e ndërgjegjjes. Qoftë edhe një mendim solipsistik, nëse ne do t’i thërrisnim këtij krijimi të imagjinatës, nuk mund të jetë pa gjuhë. Por gjuha nënkupton shenja – dhe kështu ajo nënkupton ‘gjëra’ të ngulitura dhe të qendrueshme – jogjëra (gjëra që konsiderohen si jogjëra, domethënë si shenja), dhe të dy aspektet e këtij operacioni nënkuptojnë të folurën si një institucion social-historik, i cili tregon, edhe një herë, pamundësinë e të menduarit të mendimit në një perspektivë egologjike, dhe së fundmi mendimin e të qenit ndërsa përgënjeshtron socialen’.[3] Gjuha është vetë-ndërgjegjje e cila ekziston njëherësh për veten dhe të tjerët. Për ‘veten’ sa herë që mendimi përdor gjuhën për veten e tij. Për të ‘tjerët’ - sa herë “shkrinë” me të tjerët. Natyrshëm, rrjedhimisht, prindërit quajnë fëmijët dhe popujt - popujt. Emërtimi “Ellinas”, për shembull, sipas Herodotit, është shfaqur si fillim te banorët e Greqisë Qëndrore, në Ftias të Thesalisë.[4] Aristoteli emërtimin “Hellas” e lidh me fisin më të vjetër të Grekëve. Sipas tij ai gjëndet në Dodon të Janinës. Pjesa më e madhe e grekëve, në kohën e Aristotelit jetonte në brigjet Jugore të gadishullit. Siç citon vetë Aristoteli:

...përmbytja në kohën e Deukalionit, për shembull, ndodhi kryesisht në botën Greke dhe veçanërisht në të, lidhur me Helenët e vjetër, vendi i Dodonës dhe i Akileut, një lum që ka ndryshuar rrjedhën e tij shpesh’...Qoftë edhe në atë kohë Periokët, ose popullata e nënshtuar nga Kreta, qeveriseshin nga ligjet origjinalë të cilët hamendësisht i ka shpallur Minos-i. Ishulli duket të ketë prirjen nga vetë natyra të dominohet nga Hellas, dhe të jetë i mirë-vendosur; ai shtrihet pikërisht përballë detit, rreth të cilit thuajse të gjithë Helenët janë vendosur; dhe ndërsa një kep nuk është larg nga Peleponezi, tjetri arrin thuajse rajonin e Azisë rreth Triopiumit dhe Rodhosit. Ndaj dhe Minos fitoi perandorinë e detit, duke nënshtruar disa ishuj dhe duke kolonizuar të tjerë; në fund ai invadoi Siçilinë, ku ai vdiq afër Kamikusit.[5] (theksi u shtua)

Ndërsa Dodona ishte kryeqendra e Helenëve të vjetër popullsia më e madhe e saj, sipas Aristotelit, shtrihet në Jug të Gadishullit. Duhet përmendur fakti se në kohën kur shkruante Aristoteli për grekët ishte krijuar botëkuptimi kozmopolit i njerëzve që jetonin në gadishull. Por Herodoti hedh më shumë dritë për origjinën e popullit grek. Ai i ndan si fillim qytetet autonomë sipas para-ardhësve dhe tregon se si popujt u asimiluan me kalimin e kohës nga Athina. Siç citon vetë ai:

Lakedemonët (spartanët), janë me origjinë Dorike dhe Athinasit, me origjinë Jonike...të parët janë pasardhës të kombit Pallazgë, të dytët, të kombit grekë...kombi i Atikës [aty ku shtrihet Athina] ishte Pallazg por u kthye në Grek dhe gjuhën e mësoi më vonë...sepse edhe pellazgët nuk flisnin të njëjtën gjuhë...gjuha greke më vonë u shfaq, e shkëptur nga gjuha pellazge. (përkthimi është bër nga vetë autori dhe origjinali i Heroditit; gjuha arkaike).[6]

Herodoti, në fjalë të tjera, argumenton se Athiniotët e kishin origjinën nga Jonianët. Pasardhësit e pellazgëve, rrjedhimisht, sipas Herodotit, ishin spartanët dhe qytete të tjerë antikë të Ballkanit jugor. Herodoti shkruante për historinë e popujve në kohën kur karakteri kozmopolit i popujve nuk ishte ngjizur — më shumë se 100 vjet përpara Aristotelit. Për të njëjtën arsye ai bën një dallim mes popujve indigjenë të kohës dhe popullit të tij – nga i cili buronte. Gradualisht jonianët dominuan mbi popullin pellazg meqënse zhvilluan demokracinë, shkencat dhe mirëqënien. Shkaqet se pse dominuan mbi popullin pellazg të kohës duhet të kuptohen në raport me bujarinë e popullit pellazg dhe nevojën e popullit jonian për të zhvilluar veten —në mes të popullit pellazg— më shumë se populli vendas. Pakicat brenda një shumice me prejardhje tjetër gjithnjë zhvillohen më shumë. Fëmijët e shqiptarëve të emigruar e ilustrojnë mjaft mirë këtë dinamikë: sepse kanë një shtysë më shumë se vendasit për t’u zhvilluar: shtysën për të treguar se janë më të mirë se vendasit. Kjo dinamikë shpjegon edhe shkëputjen e gjuhës greke nga gjuha pellazge. Pellazgë, sipas Herodotit,[7] janë të gjithë popujt e gadishullit jugor, përveç jonianëve. Thuajse në të njëjtën epokë u shfaq edhe emërtimi “Pan-Ellines”. Për të zbutur dallimet fisnore të kohës, Demokracia Klasike e Athinës vendosi për herë të parë mbi çdo fis ‘qytetarin’ të cilin e konceptoi si “qytetar të botës”. Në një fjalë: “kozmopolit”. Gjykuar nga kjo dinamikë dhe ky botëkuptim — do të ishte e natyrshme që luftëtarët më të mëdhenj të kohës (Aleksandri, Pirua etj.) të konsiderohen “grekë” në origjinë: sepse kozmopolitizmi nënkuptonte se vlerat e ‘qytetërimit’ në zhvillim do të mbivendoseshin mbi vlerat fisnore. Me zhvillimin e këtyre vlerave u zhvillua dhe gjuha zyrtare. Thuajse paralel me këtë proces u zhvillua bindja por dhe nevoja për të përhapur të njëjtat vlera në popujt fqinj. Kjo bindje nënkuptonte përdorimin e mekanizmave ‘homogjenizues’ të kulturave të ndryshme të kohës.   

Mekanizmat e homogjenizimit të kulturave

Praktikat hegjemoniste të Athinës u kritikuan ashpër edhe nga Aristoteli: sepse Athina pushtoi vendet fqinje në emër të shkëlqimit të saj. Madje, vetë Aleksandri, bir i Princeshës së Mollosëve, një mbretëri që përmendet gjithashtu nga Aristoteli në studimet e tij, ku citon të mirat e saj, krahasuar me mbretëritë e tjera të kohës, kryesisht për karakterin e saj jodespotik, sepse pushteti i mbretit ishte i kufizuar,[8] pushtoi shumë vende duke propaganduar shkëlqimin e Athinës. Në atë kohë gjeografia ballkanike përbëhësh nga qytet-shtete dhe krahina më të vogla dhe të pavarura, sesa nga shtete të dimensionit modern dhe të varura nga qendra. Më vonë, me shfaqjen e Perandorive Bizantine dhe Romake, Grekët u quajtën edhe Romë, nga vetë Romakët. Sepse ata ishin pjesë përbërëse e Perandorisë Romake. Përgjatë Mesjetës shkëlqimi i Athinës (“Hellenizmi”) u venit sepse boshti i ‘pushtetit’ u transferua në Romë. Pas çlirimit nga Perandoria Otomane, në vitin 1821 — në të cilin kontribuan vendimtarisht luftëtarët shqiptarë, siç ishin Boçari, Griva, Xhavella, Picari, Andhruço, Kolokotroni etj., (nentëdhjetë nga njëqind heronjtë e Greqisë ishin shqiptarë)[9] Greqia adoptoi të njëjtin emër: “Hellas”. Ishte pikërisht kjo periudhë kur helenizmi filloi të asimilonte Çamërinë me intesitet më të madh: sepse në gjimnazin e parë të Janinës, të Zosimesë, dominonin mësimet në gjuhën greke. Nuk është e rastit që në të njëjtin gjimnaz u shkolluan shumë rilindas shqiptarë (Naim Frashëri etj.). Por ishin strukturat e shtetit modern helen që u shfrytëzuan nga priftërinjtë grekë, në njërën anë, dhe mungesa e një shteti të organizuar shqiptar, në anën tjetër, që bënte të mundur ekspansionin e kishës greke në Shqipëri. Që nga koha e formimit të shtetit grekë, Jugu i Shqipërisë, u asimilua gradualisht. Duhet thënë këtu se asimilimi i popullit shqitar kishte filluar që në kohën e Perandorisë Bizantine: sepse kjo e fundit kishte institucionalizuar jo vetëm “etikën” kristiane por edhe gjuhën greke në administratën publike. Nuk është e rastit që popullsia numërohet në bazë të përkatësisë fetare: kristianë dhe muslimanë![10] Të parët, konsiderohen grekë, nga grekët; të dytët, turq, nga otomanët. Kriteri i përbërjes demografike të popullsisë së kohës është feja (jo etnia: gjuha etj.) për të dyja shkollat e kohës: shkollën Otomane dhe shkollën kishtare greke. Ndërsa Turqia tregonte fuqinë e saj demografike në Ballkan, Greqia mundohësh të ruante identitetin e saj të epokës Bizantine: sepse Kisha greke, qoftë edhe aktualisht, shfrytëzon pikërisht komponentin e fesë në Perandorinë Bizantine dhe e paraqet atë si “projekt” grek pavarësisht se përbërja demografike e Perandorisë Bizantine ishte e përzier. Përmes kësaj strategjie u asimilua Jugu i Shqipërisë, domethënë Çamëria dhe Thesprotia. Kjo strategji ndikoi edhe në krahinat jugore të Shqipërisë.

Por ky proces ndaloi përgjatë socializmit në Shqipëri. Sepse rendi politiko-ekonomik socialist që u zhvillua në Shqipëri, ashtu si rendi social-demokrat që u zhvillua në Greqi, pas Luftës së Dytë Botërore, vendosi kontrolle demografike dhe përmes rendit në fjalë homogjenizoi në një shkallë të lartë kulturat. Nëse, për shembull, në Shqipëri minoritetet homogjenizoheshin nën kulturën socialiste, në Greqi, homogjenizoheshin nën kulturën fetare dhe kapitaliste. Domethënë, në rendin socialist kulturat u homogjenizuan përmes shkencës dhe pushtetit politik. Në Greqi, kulturat u homogjenzuan përmes pushtetit politiko-ekonomiko-fetar dhe tregut. Me rënien e socializmit dhe orientimin tonë për t’u integruar në RRB të G/N, Greqia filloi sërish asimilimin e Jugut të Shqipërisë: si fillim duke pushtuar Shqipërinë me ‘pushtetin’ ekonomik (ndërmarrje, banka etj.) dhe më vonë duke ngritur shkolla në Korçë, Himarë dhe vende të tjera në brendësi të Shqipërisë.

Një mekanizëm i dytë, që luan rol vendimtar në homogjenizimin e kulturave, është shkalla e dhunës sistemike: sa më e lartë të jetë ajo aq më shumë dhunohen kulturat etnike në një shtet modern. Nëse, për shembull, në administratën publike punësohen njerëz që i shërbejnë devotshmërisht diktatit të përgjithshëm të shtetit, ata do të ushtrojnë trysni mbi minoritetet. Përdorimi i emrave me origjinë greqishten, për shembull, është një formë trysnie. Një tjetër, është kërcënimi me papunësi. Në rastin e parë, përfshihet kisha greke; në të dytin, shteti dhe administrata publike. Kjo është arsyeja që shumë shqiptarë në Greqi, mohojnë origjinën: sepse kërcënohen me papunësi. Në rastin e parë Kisha përfshihet qoftë kur pagëzohet një fëmijë qoftë kur natyralizohet një i huaj. Pa miratimin e saj nuk mund të quhet fëmija apo të natyralizohet një i huaj. Në shtetin modern grek, rrjedhimisht, është një mekanizëm i përgjithshëm që ndikon vendimtarisht në asimilimin e kulturave: “etika” fetare e cila është institucionalizuar. Një nënmekanizëm i këtij mekanizmi është përdorimi i emrave. Dhe një mekanizëm tjetër, por shtetëror dhe politik, në këtë rast, është kërcënimi me papunësi. Dhe një i tretë, gjithashtu shtetëror, është ‘ostracizmi’, për të cilin do të flasim në vazhdim.  

Politikat ‘ostraciste’ të Athinës Klasike

‘Ostracizmi’ në shqip mund të përkthehet ‘dëbim’. Ky koncept është kryesisht politik dhe buron nga praktikat e Demokracisë Klasike të Athinës. Ai zhvillohësh përgjatë kohës kur populli mblidhësh një herë në vit dhe vendimmerrte në Eklisi të Dimos — dhe kur çdo qytetar shkruante mbi një copë poçeje (ostrako) emrin e personit që gjykonte se duhet të dëbohësh. Dhe ngaqë qytetarët e Athinës gdhendnin në copëza poçeje (ostraka) emrat e personave që donin të dëbohësh, konceptit iu shtua një “εξ”.Por Aristoteli e zgjeron si koncept dhe praktikë dhe hedh dritë më shumë se ku(r) mund të përdoret:

Ostracizëm është një masë e po të njëjtit lloj, i cili vepron duke nxjerr të paaftë dhe duke ndaluar qytetarin më të spikatur. Pushtetet e mëdha bëjnë të njëjtën gjë në qytetet dhe kombet e tyre, sikurse Athiniotët bënë te Samiotët, Kiosët, dhe Lesbiotët; ata nuk e kishin kuptuar qysh herët perandorinë [e Athinës], dhe ata poshtëruan aleatët e tyre kundër marrëveshjes; dhe Mbreti Pers kishte shtrydhur pa ndalesë Medesët, Babilonët, dhe kombe të tjerë, kur shpirti i tyre u përzie nga ri-përzgjedhja e madhështisë së mëparëshme të tyre. Problemi është universal, dhe njëlloj shqetëson të gjitha llojet e qeverisjeve, të vërtetën dhe fallcon; sepse megjithëse forma të zvetënuara mund të adoptojnë këtë politikë për interesin e tyre, ata që kërkojnë interesin e përbashkët bëjnë po të njëjtën gjë. E njëjta gjë mund të vrojtohet tek arti dhe shkencat; për këtë arsye, piktori nuk do t’lejojë një këmbë e cila, megjithëse e bukur, nuk është në përpjestim më dëshirat e tij; as edhe ndërtuesi i anijeve nuk do të lejojë bashin ose pjesë të ndryshme të jenë shumë të mëdha, as edhe mjeshtri i korit nuk do të lejojë ndonjërin që këndon më fortë ose më mirë se sa të tjerët në një kor. Monarkët, gjithashtu, mund të praktikojnë shtrëngim dhe të vazhdojnë të jetojnë në harmoni me qyetet e tyre, nëse qeveria e tyre është në interes të shtetit. Sepse kur atje është një fuqi pushtetare e përnjohur argumenti në favor të ostracizmit është i bazuar mbi këtë lloj të drejte politike. Do të ishte sigurisht më mirë që ligj-vënësi që në fillim të rregullojë shtetin e tij që mos të ketë nevojë për një ndreqje të tillë. Por nëse paraqitet nevoja, gjëja e parë që duhet të bëjë është të mundohet - me qëllim që të ndreqë diallin me ostracizëm ose me masa të njëjta. Principi, sidoqoftë, nuk është aplikuar drejtë në shtete; për këtë arsye, në vend që të kërkojnë për të mirën e kushtetutës së tyre, ata kanë përdorur ostracizëm, për arsye fraksioniste. Është e vërtetë që nën forma pushtetare të zvetënuara, dhe nga pika e tyre e kënd-vështrimit, një masë e tillë është e drejtë dhe e përshtatshme, por është gjithashtu e qartë se nuk është absolutisht e drejtë. Në shtetet e përkryera do të kishte shumë dyshime për përdorimin e tij, jo kur zbatohet me forcë të tejmadhe, kundrejt pasurisë, popullaritetit, ose të tjera si këto, por kur përdoret kundrejt dikujt që është i para-spikatur në virtyt — çfarë duhet të bëjmë me këtë njeri? Njeriu i zakonshëm nuk do të thojë se një njeri i tillë duhet të përjashtohet ose dëbohet; në anën tjetër, ai nuk duhet të jetë një subjekt — që do të ishte sikur njeriu i zakonshëm të rivendikonte të fuqizonte Zeusin, duke ndarë ofiqet e tij midis tyre. E vatmja alternativë është që të gjithë duhet me plot gaz t’i binden këtij pushtetari, sipas asaj që duket se është redi i natyrës, dhe njerëzit si ai duhet të jenë mbretër në shtetin e tyre për gjithë jetën...[11] (Theksi u shtua) 

Në fjalë të tjera, ostracizmi mund të zbatohet edhe mbi personat më të spikatur të një shoqërie. Sidomos kur ostracizmi buron nga populli dhe kur ky i fundit manipulohet nga demagogët. Por ai përdoret më shumë nga pushtet e përqendruar. Nuk është e rastit që shumë ishuj dhe krahina ishin jashtë influencës së Athinës — por ato, me kalimin e kohës u asimiluan. Ky proces u përshpejtua kryesisht kur u zhvendosën kontributet e qytet-shteteve fqinje në Athinë të cilët shërbenin për ushtrinë e përbashkët e cila, me rradhë, synonte të mbronte vendin nga Perandoria Perse. Zhvendosja e kontributeve dhe vendosja e shtabit ushtarak në Athinë krijuan kushtet për delegim të përhershëm të një shkalle të lartë të pushtetit politik të qytet-shteteve fqinje. Por ndryshe nga ajo kohë, në modernitet Athina zyrtare ushtron ostracizëm politik kryesisht kundrejt anarkistëve të cilët sfidojnë karakterin e shtetit modern grek: mungesën e lirisë politike.    

Si zhvillohen gjuhët dhe pse janë të ndryshme: rasti i gjuhës greke dhe shqipe

Sistemi ushtron pa ndërprerje trysninë e vet në ndryshimin e normës gjuhësore, por edhe norma (duke përfshirë edhe veprimtarinë normëzuese të vetëdijshme) ndikon në vetë ndërtimin e zhvillimin e sistemit, domethënë në evolucionin tipologjik të gjuhës letrare kombëtare...norma gjuhësore, përpara se të jetë një rregull e pranuar nga shoqëria, domethënë një kategori subjektive, është, në thelb, një kategori objektive: në një masë a në një tjetër ajo pasqyron jetën reale të vetë sistemit të gjuhës.[12]

—Androkli Kostallari

Se si zhvillohet gjuha e një populli dhe pse gjuhët janë të ndryshme, është një çështje që duhet të studiohet dhe kuptohet drejtë. Gjuhëtarët nuk i japin dot përgjigje kësaj pyetje. “Dijetarët” e krishtërimit na thonë se në fillim toka (ose populli i saj) kishte një gjuhë dhe të njëjtat fjalë. Por më vonë Zoti i ngatërroi popujt me gjuhë të ndryshme sepse gjuha e njëjtë do të mundësonte gjithçka — hamendësisht, do t’i bënte të rrezikshëm![13] Fetarët e muslimanizmit, nga ana tjetër, janë ngatërruar në qasjen që parashtrojnë “dijetarët” përkatës se megjithëse të gjitha gjuhët e popujve janë krijesë e Zotit – arabishtja është gjuha që ai zgjodhi për të kumtuar me popujt! Kështu ata mbivendosin arabishten mbi gjuhët e popujve të tjerë! Por me këtë qasje ata bëhen dy herë të padrejtë: një herë kur –nëse supozojmë se kumti buronte nga meditimet e Muhametit dhe rrjedhimisht nga Zoti— gjuha ishte e para dhe kumti ishte i dyti, sepse supozohet se Muhameti kishte mësuar një gjuhë përpara se të kumtonte ‘kumtin’ e dhënë nga Zoti dhe një herë tjetër kur, duke shpërnjohur pikërisht këtë proces, mbivendosin arabishten mbi gjuhët e kombeve të tjerë. Kështu ata s’na dijësojnë as se si zhvillohen gjuhët e as se pse janë të ndryshme!

Në përgjithësi, kafshët, komunikojnë në bazë të perceptimit instinktiv. Por njeriu zhvilloi një nivel më të lartë komunikimi: gjuhën. Gjuha është veçori e njeriut dhe ajo shoqëron zhvillimin e tij. Çdo komunitet zhvillon një gjuhë dhe vlerat që i korrespondojnë; dhe çdo komunitet një shoqëri dhe çdo shoqëri një shtet. Sërish, çdo komunitet një shoqëri dhe rend social-ekonomik dhe çdo rend një sistem të tërë gjuhësor. Ndryshe nga kafshët e tjera, njeriu zhvillon gjuhën e folur për dy arsye kryesore: sepse ai zhvillon bazat organike (shqisat dhe kujtesën) që e mbështesin dhe sepse lind me instinktin e imitimit. Por është kujtesa dhe instinkti i imitimit që mundëson ndryshimin nga kafshët e tjera: sepse shqisat (sytë, veshët dhe nuhatjen) i ka thuajse njëlloj si kafshët e tjera. Perceptimi instinktiv dhe instinkti i imitimit ndryshon: me të parin percetohet bota që na rrethon; me të dytin imitohet. Botën e jashtme e perceptojnë thuajse të gjitha kafshët. Por pak janë ato që e imitojnë.[14] Në këtë kuptim gjuha është produkt i njeriut dhe jo i Zotit. Por ajo zhvillohet më shumë kur ndërvepron me gjuhë të tjera. Zhvillimi i sistemit të gjuhës greke, për shembull, bëri që mbreti i maqedonëve, Filipi, të adoptojë gjuhën atikase si gjuhë zyrtare dhe administrative krahas gjuhës dialektikore që përdorte mbretëria e tij: sepse Atika me zhvillimin e demokracisë dhe shkencave zhvilloi një gjuhë librike mjaft të lartë. Siç citon filologu grek Vasilis Vertudhakis:

Si fillim Ionianët krijojnë eposin, disa lloje të poezisë lirike (elegji, epigram, jamb) dhe më vonë historiografinë. Dorikët krijojnë poezinë korale dhe më vonë idilin, ndërsa Eolët kultivuan poezinë lirike. Dhe së fundmi, në Atikë do të lindë drama dhe do të zhvillohet retorika dhe filozofia. Kështu, çdo krijues nuk shkruan në gjuhën amëtare dialektikore por në dialektin që tradicionalisht për llojin letrar në të cilin i përket puna e tij. Për shembull, Herodoti, pavarsisht se e kishte zanafillën nga një krahinë dorike (nga Alikarnasoi) i shkruan historitë e tij në dialetin ionik dhe Tivet Pindari (i origjinës eolike) sintetizon këngët e tij korike në dialektin dorik. Është karakteristike e fuqisë së traditës, se në Atikë, ku kultivohet drama, poetët tragjikë përdorin dialektin e Atikës në pjesët dialogjike, ndërsa ngjyrosin me elementë dorik koret (të ashtuquajturat stasizma).[15]

Kështu, gradualisht gjuha greke (ionike), bashkë me demokracinë dhe shkencat, u përhap kudo. Por dialektet vazhduan të përdoreshin në vatrat familjare dhe, pavarësisht dominancës së gjuhës zyrtare jonike, janë trashëguar pjesërisht. Kjo është arsyeja se përse edhe sot, në Atikë, përdoren dialekte të ndryshme, qoftë edhe me origjinë shqiptare. Dhe nëse i krahasojmë ato kohë me kohët moderne, ku hegjemonizimi anglosakson dominon popujt, vërejmë thuajse të njëtën dukuri: ndërsa punët shkencore përgjithësisht shkruhen në gjuhën angleze, meqënse e imponon tregu, autorët, në pjesën më të madhe, janë me origjinë joanglosaksone. Athina ose hapësira e Atikës, bartte, pa dyshim, dialektikën e saj, dikur dialekte pellazge, dhe më vonë, me ardhjen e jonianëve në Pellazgji, përzierje dialektikore,[16] e cila natyrshëm përplasësh dhe ndërvepronte me gjuhë të sendërtuara në qytete të tjerë, dhe kështu gjuhët pasuroheshin. Sidoqoftë, populli grek (jonik), ka zhvilluar një gjuhë indo-evropiane,[17] sipas teorisë së Anglezit, Sir Williams Jones, e cila u përpunua në fund të shekullit 18-të. Siç analizon filologu, Vasilis Vertudhakis, origjinën e gjuhës greke:

Gjuha greke e lashtësisë, siç shfaqet në tekstet klasikë, është një sintezë me bazë lëndën Indoevropiane, e pasuruar me fjalë nga nënshtresa e vendit parahelenik dhe huazime nga gjuhë të tjera...Kur popujt greqishtfolës arritën në vendin e sotëm të Greqisë nuk gjetën një vend të pabanuar. Këtu banonin të ashtuquajturit, Karianët, Lelegët, Pellazgët, të gjithë ata që quajmë Paragrekë. Grekët besohet se morrën pasuri lëndore fjalësh nga këta popuj. Bëhet fjalë për ato fjalë që nuk mund të etimologjikohen në bazë të gjuhës greke dhe as, sigurisht, nuk mund të krahasohen me rrënjët e fjalëve indoevropiane...Paraqitja e parë e kësaj gjuhe, sipas vërtetimeve tona, është sistemi B vijor/linear i tabelave minoike (shek. 14-13). Ky ishte një sistem bashktingëllor [pa zanore]. Pas rënies së sistemit mbretëror Minoik nuk kemi dëshmi të shkruajtura në gjuhën greke. Janë “vitet e errëta” të cilët zgjasin deri në shekullin e 8-të p.e.s., kur kemi dëshmitë e para të shkrimeve greke në shkrim alfabetik...të gjitha dëshmitë përputhen se Grekët sistemin e alfabetit semitiko-verior e morrën nga Fenikasit por nuk qëndruan të ngjitur tek ai. Meqënse fenikasit kishin një shkrim të bazuar vetëm te bashktingëlloret, grekët, shpikën zanoret, ndaj alfabeti i tyre, megjithëse me huazime nga Fenikasit, u konsiderua grek. Në këtë mënyrë, ata arritën të krijonin që çdo shkronjë të deklaronte një tingull. Grekët e lashtë, siç është Herodoti, e pranonin se shkronjat e alfabetit të tyre ishin fenikase, ndaj dhe i quanin “shkronja fenikase”.[18] (theksi në origjinal)        

Helenizmi i antikitetit ishte një helenizëm shumë-dialektikor,[19] dhe kaloi pesë faza:

 

·         Gjuha para-greke, deri në shekullin e 15 p.e.s.);

·         Gjuha arkaike greke (nga shek. 15 deri në vitet 300 p.e.s.);

·         Gjuha helenistike e përbashkët (300 p.e.s., deri në shek. e 6-të e.s.);

·         Mesjetare (shek. i 6-të e.s., deri në shek. 15-të.); dhe

·         Gjuha e re greke (shek. 15-të-sot.).[20]

Këto janë pesë faza që nuk mund të merren si ekzakte, por, sidoqoftë, ato i shërbejnë zhvillimit të një gjuhe dhe analizës sonë: sepse në çdo popull, pavarësisht se është shkruajtur një gjuhë apo jo, ka ekzistuar një gjuhë; sepse gjuha bënë të mundur komunikimin midis tyre. Dhe meqënse kufij nuk ekzistonin, deri në shfaqjen e shtetit modern, gjuha jonike vazhdoi të njëjtësonte dialektet. Rrjedhimisht, ishte shteti modern që njëjtësoi në një shkallë më të lartë dialektet dhe krijoi një gjuhë zyrtare, kryesisht, për arsye praktike. Koncepti i shtetit modern është adoptuar nga elita mbikombëtare, e cila,përmes tregut, përqendrimit të pushtetit dhe masmedias, trazon gjuhët e kombeve dhe meqënse vlerat e tregut dominojnë vlerat kombëtare (traditat etj.), ndërtojnë gradualisht një gjuhë të vetme globale! Gjuha angleze, rrjedhimisht, meqënse institucionet globale (FMN etj.) dominohen nga anglosaksonët, do të jetë dominante përsa kohë që RRB i G/N do të vazhdojë të operojë. Kjo nënkupon se kulturat e kombeve (gjuha etj.) kërcënohen seriozisht nga kuadri institucional i globalizmit neoliberal. Shkurt, mjeti është tregu; nevoja është asistenti; dhe rezultati përfundimtar është tjetërsimi i popullatës.

Cilën gjuhë flasin minoritarët grekë në Shqipëri?

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është gjuha që flasin minoritarët “grekë” në Shqipëri: ata flasin një gjuhë jo shumë të ndryshme nga gjuha neo-greke ose gjuha që përdoret pesë shekujt e fundit. Kjo gjuhë është përcaktuar në kushtetutën e shtetit modern grek që në vitin 1976-të dhe është quajtur “Δημοτική” (gjuhë popullore).[21] Nga kjo gjuhë kuptohet se ‘katharevusa’,[22] e cila përdorësh në fillimet e shtetit modern grek, ose gjuha arkaike, nuk është mësuar nga minoritarët grekë. Ndryshe nga kjo dukuri, shqiptarët që kanë mërguar në zona të ndryshme të botës (Kalabri etj.), flasin dialekte të vjetra — shpesh herë të pakuptueshme për shqiptarët e sotëm. Kjo tregon se minoritarët grekë janë asimiluar dy shekujt e fundit, sidomos pas shtet-formimit grek. Në të vërtetë, në këtë drejtim ka kontribuar edhe Vilajeti i Ali Pash Tepelenës: sepse ai përdorte gjuhën greke si gjuhë zyrtare dhe administrative dhe punësoi shumë grekë në administratë nga jugu i Greqisë. Për të njëjtën arsye pretendimi se minoritarët janë grekë bie: sepse nëse do të ishin jonianë ata do të flisinin si gjithë popujt e tjerë gjuhën arkaike greke ose një përzierje midis gjuhës së re greke dhe gjuhës arkaike. Pas rënies së vilajetit të Aliut në duart e otomanëve disa familje greke nuk u larguan nga trojet e reja që kishin gjetur mbrojtje për disa vjet. Pretendimi se grekët e jugut janë autoktonë dhe kanë të drejta të barabarta me shqipatarët, është i gabuar: sepse Shqipërinë e vitit 1912 e çliruan vetë shqiptarët pa ndihmën e grekëve (në të vërtetë, grekët e sulmuan Shqipërinë në vitin 1912 deri në pavarësinë e saj dhe e penguan çlirimin e saj nga otomanët) ndërsa Greqia u çlirua jo thjesht me ndihmën e shqiptarëve por pa shqiptarët nuk do ta çlironin kurrë. Njëlloj vepruan edhe “grekët” e Greqisë veriore, Maqedonët, në antikitet. Sepse:

Maqedonët përdornin dialektin e Atikës si gjuhë administrative të shtetit. Me përhapjen e influencës së Maqedonëve mbi Mbretërinë e Madhe të Persëve, d.m.th., deri te lumi Indian, gjuha e Atikës filloi të përdorësh në të gjithë atë zonë të pafund. Me kalimin e kohës gjuha greke bëhet —përtej administratives— edhe gjuhë tregëtare, e ekonomisë, e diplomacisë dhe edukimit akademik. Bëhet gjuha e përbashkët për komunikim, lingua franca, siç themi, e të gjithë Lindjes së Mesme dhe të Afërt. Zakonisht krahasohet me influencën e gjuhës Angleze të epokës moderne.[23]

Me imponimin e feve monoteiste mbi popujt dhe pas shekullit të 4-ërt e.s., dialekti i Atikës u shfrytëzua edhe nga elita fetare e kohës, duke filluar me Pavlon deri te tre apostujt grekë më vonë: Vasili, Grigori dhe Joani. Sot kisha greke përdor në ligjëratat e saj të njëjtën gjuhë. Në thelb, kisha greke ka për mision të përhap frymën e Zotit. Por bashkë me të ajo përhap edhe gjuhën greke. Dhe gjuha, bart edhe vlerat e një populli. Kjo është arsyeja që priftërinjtë grekë kërcënojnë vlerat e popujve autoktonë. Strategjia që ndjek kisha greke në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, për Shqipërinë, që nga koha e ngritjes së shtetit modern, është ngritja e shkollave: sepse indoktrinimi i fëmijëve ngjizet në shkolla më mirë se në çdo hapësirë tjetër. Përmes lëndëve mësimore dhe lidhjeve që krijojnë shkollat me tregun - fëmijët orientohen në treg. Një pjesë të mirë të këtij të fundit e dominon kapitali grek (ndërmarrjet, bankat etj.). Dhe ndërsa nxënësit kualifikohen dhe orientohen drejt tregut, tashmë edhe me përpjekje objektive nga qeveria aktuale (Rama), dhe punësohen në të, ku pronarë janë grekët, turqit dhe italianët, lidhja e ngushtë pronar-punëtor bënë që punëtori t’i përshtatet praktikave dhe objektivave të pronarit. Nëse, për shembull, pronari sjell praktika nga vendi i origjinës, ato do të mësohen edhe nga punëtorët. Këta të fundit, me rradhë, të njëjtat praktika i çojnë në familje. Dhe nëse në një vend operojnë ndërmarrje me origjinë nga vende të ndryshme të botës - ashtu do të jenë edhe praktikat: të shumëllojshme. Por ato do të jenë jo vetëm të imponuara mbi një popull por vetëm në fazën fillestare të tilla: sepse dinamika e tregut çon në monopolizimin e tij dhe monopolizimi i tij homogjenizon praktikat. Ndërsa ky është dimensioni i praktikave, atje krijohet edhe një padrejtësi tjetër: se punëtorët (shqiptarë) kontribuojnë vendimtarisht për fitimet e të huajve të cilët, në fund, i çojnë në vendin e origjinës!  

Kështu, gjuha shoqëron njohurinë e individit. Kur njohuria ndërvepron me njohuri të tjera, dhe rrjedhimisht, gjuha, gjuha adopton vlera të tjera. Argumenti i gjuhëtarëve se gjuha “evolon”, pa treguar formën organizative të shoqërisë dhe pushtetin, nuk qendron: sepse gjuha ‘evolon’ vetëm nëse evolon njohuria. Nëse njohuria është statike - njëlloj do të jetë edhe gjuha. Evolimi i gjuhës varet vendimtarisht nga ‘pushteti’: nëse pushteti ushtrohet nga një popull, gjuha evolon bashkë me njohurinë, sepse njeriu ndërvepron vazhdimisht me ndërgjegjje të tjera; dhe nëse ‘pushteti’ ushtrohet nga elitat, si në statizëm dhe globalizmin neoliberal, gjuhët e kombeve dytësorë varfërohen: sepse varfërohet njohuria — sepse gjuha është produkt i ushtrimit të pushtetit dhe jo e kundërta. Kjo vërtetohet nëse konsiderojmë studiuesit: sa më shpesh të ushtrojnë aftësinë e tyre mendore dhe shkrimore aq më të pasur e kanë fjalorin. Sepse:

Fjalët e folura janë simbolet e përvojave mendore dhe fjalët e shkruara janë simbolet e fjalëve të folura. Njëlloj si të gjithë njerëzit që nuk kanë të njëtin shkrim, ashtu të gjithë njerëzit nuk kanë të njëjtët tinguj të të folurit, por përvojat intelektuale, që simbolizojnë direkt këto, janë njëlloj për të gjithë, siç janë gjithashtu ato gjëra mbi të cilat përvojat tona janë shëmbëllesa.[24]

Zhvillimi i gjuhës, rrjedhimisht, duhet të kuptohet në raport me ushtrimin e pushtetit; por lindja e saj, së pari, në raport me natyrën e njeriut: sepse është natyra e njeriut që mundëson zhvillimin e gjuhës ndryshe nga një fis, krahinë apo komb tjetër — sepse ne lindim me instinktin e imitimit, aftësinë e dëgjimit dhe të shikimit: ndërsa me instinktin e imitimit ne imitojmë tingujt që dëgjojmë dhe sjelljet që shikojmë, lindja e gjuhës lidhet kryesisht me dëgjimin: sepse tingujt dëgjohen dhe nuk shikohen. Por ne nuk i dëgjojmë njëlloj tingujt; as i imitojmë njëlloj sjelljet: sepse ne nuk i perceptojmë (me shqisa) njëlloj ngjarjet.[25] Ndryshueshmëria në dëgjim, rrjedhimisht, krijon kushtet për zhvillimin e gjuhëve të ndryshme. Kur ne, për shembull, dëgjojmë një zhurmë ose tingull, dhe kërkojmë t’ia tregojmë një tjetri, se dëgjova...ne mundohemi ta imitojmë atë. Dhe kur ne mundohemi të komunikojmë me tjetrin, qoftë edhe nëse nuk kemi zhvilluar ndonjë gjuhë të përbashkët, ne mundohemi të komunikojmë me simbole dhe veprime. Tingujt, si fillim me zanore dhe pastaj dhe me bashkëtingëllore, bashkë me simbolet, rrjedhimisht, mundësuan zhvillimin e gjuhëve. Por është ndryshueshmëria në dëgjim, perceptim dhe kuptim, që mundëson zhvillimin e gjuhëve të ndryshme. Nga një këndvështrim zanifillor, rrjedhimisht, mund të themi se gjuhët e kombeve bartin grimca shpirti të një fisi në raport me vendin ku ka banuar. Nga një qasje barazimtare, përdorimi i gjuhëve të kombeve të tjerë, qoftë edhe për përshëndetje, siç ndodh aktualisht me popullin shqiptar, ku disa përdorin për përshëndetje fjalën italiane, “ciao”, dhe disa të tjerë, fjalët arabe “salam alekum”, dhe ndoshta dhe fjalë të tjera, pavarësisht shkaqeve, nuk është i drejtë: sepse nënvlerëson përpjekjen e disa fiseve – dhe mbivlerëson përpjekjen e fiseve të tjerë, pavarësisht se ndër shekuj, kombet humbasin fisin zanafillor të një gjuhe. Dhe së fundmi, qasja etimologjike, se kjo fjalë është shqipe apo greke, sepse ngjan me këtë apo atë, apo ka pësuar rotacion kështu apo ashtu, është e gabuar nëse nuk konsideron natyrën njerëzore në raport me mjedisin, shoqërinë dhe pushtetin: sepse gjuhët janë së pari përpjekje njerëzore pastaj identitare. Gjuhët, si të tilla, duhet të ruhen dhe respektohen njëlloj: sepse ato reflektojnë gjuhën e Natyrës dhe të Universit përmes njeriut pavarësisht ndryshimeve. Sipas kësaj qasje, gjuha e parë është folur kur ka lindur njeriu i parë: ajo ka qenë e varfër por e mjaftueshme për të komunikuar. Por ndërsa kjo lloj gjuhe përfshin kryesisht instinktin e imitimit dhe mendjen, gjuha telepatike, përfshin kryesisht ndjenjat dhe shpirtin. Do të ishte rrjedhimisht e nevojshme që njerëzit t’i zhvillonin të dyja, dhe veçanërisht të dytën: sepse e dyta përfshin kuptimin ndijimor në një shkallë më të lartë.             

Përfundime

Mund të konkludojmë se shteti modern grek përbëhet nga popullsi heterogjene (kryesisht pellazge) dhe s’ka asnjë lidhje biologjike dhe fisnore me popullin ionik të antikitetit. Sepse që të ruhet trashëgimnia biologjike në një vend – ai nuk duhet të përfshihet në ‘tallaze’ nga ndonjë shoqëri tjetër me fuqi (politike, ekonomike e ushtarake) më të madhe. Dhe dihet se Greqia e antikitetit u përfshi nga Perandoria bizantine dhe romake - kryeqendrat e të cilave (Roma dhe Konstadinopoja) krijuan kushtet për emigrimin e popujve të Atikës. Gjuha neogreke është vjega kryesore e shtetit modern grek. Ajo bart shkronjat e gjuhës arkaike greke dhe bazën e saj gjuhësore por nuk ka asnjë lidhje sintaksore me gjuhën arkaike. Greqia moderne ka ngërthyer karakteristikat kryesore të popullit grek të antikitetit dhe të popullit shqiptar të mijëvjeçarit të dytë. Ishte Konstadinos Paparigopulos, babai i historisë greke, i cili u detyrua —sepse pas revolucionit të vitit 1821 Greqia moderne kërkonte të krijonte identitetin kombëtar— të fliste për afrimin e grekëve dhe shqiptarëve të kohës me institucionalizmin e inteligjencës dhe një farë fisnikërie të kulturës së popullit grek të antikitetit dhe gjallërinë, vrullin dhe trimërinë e popullit shqiptar.[26] Këto cilësi burojnë nga arvanitët e Sulit (Boçari etj.) dhe Bregdetit Jugor (Kolokotroni etj.). Këta komponentë, bashkë me fustanellën e gardës greke —veshjen karakteristike të shqiptarëve në Ballkan— karakterizojnë shtetin modern Grek. Por integrimi i inteligjencës dhe fisnikërisë së kulturës greke në shtetin modern grek nënkupton se në institucionet e shtetit modern do të përzgjidheshin, siç përzgjidhen, kryesisht grekë ose individë që, ose nuk e njohin të kaluarën e tyre ose e mohojnë atë për shkak të dinamikës që krijohet. Ndërsa integrimi i gjallërisë, vrullit dhe trimërisë shqiptare nënkupton se ushtria do të dominohet nga individë që janë me origjinë shqiptare ose arvanitase. Kjo është arsyeja që fustanella mbeti karakteristikë e gardës greke. Dhe kjo është një zgjedhje politike: sepse shtetëtarët neogrekë duhet të kënaqnin disi popullin shqiptar të kohës i cili jo vetëm që jetonte në Greqinë moderne por edhe luftoi heroikisht për çlirimin e saj. Në krijimin e identitetit të shtetit modern grek ndikoi vendimtarisht monarku i Bavarisë, Ludovigu i parë: sepse ai e adhuronte botën antike greke. Ludovigu, ndërsa shkatërroi çdo shenjë që kujtonte perandorinë otomane, rindërtoi Athinën e re duke spikatur ndërtesat e mbetura të antikitetit, integroi modelin institucional të Mynihut dhe filozofinë dhe gjuhën e antikitetit në shkolla. Ky orientim krijoi dy dinamika: ndërsa populli adhuronte gradualisht botën antike ai braktisi besimin fetar. Kisha greke, ndryshe nga misioni i saj kundër-revolucionar, u përdor nga shteti i ri grek për të revolucionarizuar të rinjt duke sajuar shkolla të fshehta ku mësohësh gjuha greke (“katharevusa”), mbrujtësh atdhedashuria dhe parimet kombëtariste. Gradualisht ngritja e Greqisë moderne u bë projekt europian: sepse Europës i mungonte identiteti filozofik. Greqia moderne, përmes Greqisë së antikitetit, do të zinte një vend shumë të rëndësishëm në identitetin e Europës moderne. Dhe ishte ky proces adhurimi, të cilin e krijuan bavarezët në bashkëpunim me neogrekët, që mundësoi zëvendësimin e gjuhës shqipe me gjuhën e re greke. Nuk do të ishte, rrjedhimisht, e çuditshme që ky mit të tregohet i zhveshur së fundmi nga dokumentari i televizionit “Skai” duke tronditur mendësinë e popullit modern grek, i cili, për më shumë se një shekull, dhe veçanërisht shekullin e kaluar, është trushpëlare me “pastërtinë” e tij greke. Dhe nuk do të ishte e çuditshme, gjithashtu, që shqiptarët e emigruar së fundmi, bashkë me shqiptarët vendor (“arvanitasit”), të mos përfshihen në institucionet shtetërore dhe masmedia dhe të diskriminohen dhe përbuzen nga “inteligjenca” neogreke. Gjykuar nga e njëjta qasje, kombi shqiptar ka trashëguar kryesisht gjuhën e tij pavarësisht luftës që i kanë shpallur perandoritë. Gjuha e tij është e veçantë dhe meriton të jetë barabartë mes gjuhëve të tjera të kombeve. Padijeistët që argumentojnë në gjuhën shqipe se populli shqiptar s’ka asnjë lidhje me popullin ilir apo pellazg –tregojnë ose injorancë – sepse gjuha ilire dhe gjuha e sotme e shqiptarëve ndan të njëjtat karakteristika (emra; vendemra etj.) ose janë obskurantistë dhe ostruksionistë të dijes. Si të tillë, ose përbuzen ose demaskohen ose dëbohen. 

 


[1]Kristo Frashëri: Ilirët nuk janë pasardhës të pellazgëve, Balkanweb, 03/11/2015.

[2]Ish-presidenti Stefanopullos: Korça është greke, Shekulli, 22.10.2012.

[3]The imaginary institution of society, Cornelius Castoriadis, 2005, ff, 337-38. Theksi në origjinal

[4]Jorgos Babinjotis, Fjalori e Greqishtes së Re, 1988, f. 596.

[5]Pjesa e parë e paragrafit: Aristotle, Meteorology, f, 14-16; e dyta: Aristotle, Politics, X, f, 27.

[6]Heroditi, ff, 34-35 ose, 121-122, meqënse libri është konvertuar në libër shifror nga Google. ΗΡΟΔΤΟΥ ΙΣΤΟΡΙΑΙ, Herodoti Historiae.

[7]Nga referenca ‘2’,Jorgos Babinjotis, Fjalori e Greqishtes së Re.

[8]Politics, Aristotle, f, 77.

[9]Arvanitët dhe shqptarët në luftën çlirimtare të popullit grek, Dhimitër Grillo, Botimet Toena, 2003.

[10]Shih, për shembull, Elevating and sageguarding culture using tools of the infromation society, University of Ioannina...2008.

[11]Politics, Aristoteli, f. 1000, Nga e Gjithë Puna e tij.

[12]Studime mbi leksikun dhe formimin e fjalëve në gjuhën shqipe, Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 199, f, 47.

[13]Genesis 11:1-9.  

[14]Shih, për më shumë, Natyra njerëzore.

[15]  ΙΣΤΟΡΙΑ ΤΗΣ ΕΛΛΗΝΙΚΗΣ ΓΛΩΣΣΑΣ, Βασίλειος Π. Βερτουδάκης.

[16]  Shih p.sh., Γ. Mπαμπινιώτης, Η καθ’ημάς ελληνική διάλεκτος, Το Βημα, 8 Μαρτίου.

[17]ΙΣΤΟΡΙΑ ΤΗΣ ΕΛΛΗΝΙΚΗΣ ΓΛΩΣΣΑΣ, Βασίλειος Π. Βερτουδάκης. Teoria e Willams mbështetet mbi ngjashmëritë e gjuhëve, si p.sh., Gr., Μήτηρ; Lat., Mater; Sanskritisht, mata etj.

[18]Po aty.

[19]Γ. Mπαμπινιώτης, Συνοπτική ιστορία της ελληνικής γλώσσας, Aθήνα, 1985.Babinjoti, ndryshe nga Vertudhakis, e ndan zhvillimin e gjuhës greke në katër faza; ato janë: ‘greqishtja arkaike, e përgjithshmja e aleksandrisë, greqishtja e mesjetës dhe neogreqishtja e përgjithshme’.

[20]ΙΣΤΟΡΙΑ ΤΗΣ ΕΛΛΗΝΙΚΗΣ ΓΛΩΣΣΑΣ, Βασίλειος Π. Βερτουδάκης.

[21]Γ. Mπαμπινιώτης, Τι γλώσσα μιλάμε,To BHMA, 5 Dhjetor 1999.

[22]Gjuha ‘katharevusa’, është përdorur deri në vitin 1976 dhe e karakterizonte historikisht kufizimi i elementëve dialektikor dhe të huaj dhe dominimi i elementëve më të vjetër të gjuhës Greke, për të dalluar nga gjuha popullore. Kjo gjuhë, u themelua, pas shumë kontradiktave, midis gjuhëtarëve të shekullit 18-të dhe 19-të, nga Adamand Koraidi, si rrugëzgjidhje e ndërmjetme, meqënse në atë kohë gjuhëtarët ishin ndarë në dy palë; në njërën anë qëndronin gjuhëtarët që mbështesinin arsimin e fëmijëve në gjuhën arkaike dhe anën tjetër, në gjuhën popullore. Kështu, midis gjuhës popullore dhe arkaike, u vendos gjuha katharevusa, që nënkupton pastrimin e gjuhës nga fjalë të huaja dhe pasurimin e saj me fjalë nga gjuha arkaike dhe popullore. Në thelb, ajo ishte një gjuhë e përzjer, ose e sajuar, sesa origjinale, sepse ajo nuk përdorësh as nga familjet, as populli. Pavarsisht këtij fakti ajo u adoptua nga shteti modern grek si rrugëzgjidhje midis njërës dhe tjetrës. Që nga ajo kohë, në këtë gjuhë shkruheshin gazetat, përdorësh në administratë, në mësimdhënie etj!   

[23]ΙΣΤΟΡΙΑ ΤΗΣ ΕΛΛΗΝΙΚΗΣ ΓΛΩΣΣΑΣ, Βασίλειος Π. Βερτουδάκης.

[24]Aristotle, On Interpretation.

[25]Shih, për më shumë, Miti i progresi dhe themelet e njohurisë.

[26]Spyros Sofos, The documentary that shocked Greece - 1821.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA