...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rikonceptimi i sistemit kundër-përmbytës hollandez, shkaqet e përmbytjeve biblike në Shqipëri dhe masat e parandalimit*

Me male, kodra dhe breglumenj dhe bregdete të zhveshur nga pemët, me argjinatura të dobëta dhe primitive, pa institut shkencor për pyjet dhe ujërat, pa punë shkencore nga pedagogët dhe universitete të kapur nga parti-qeveritë idiote përmes rektorëve të emëruar dhe jo të zgjedhur demokratikisht nga trupa pedagogjike dhe studentore, me masmedia kriminale dhe popull pa urtësi ekologjike, me lëvizje politike që nuk kryejnë studime as edhe shqyrtojnë ndonjë studim, dhe veprimtarë egoistë që veprojnë për hir të pushtetit se sa për hir të së vërtetës, ose të vërtetave që kanë krijuar si pasojë e studimeve që kanë shqyrtuar, me siguri që Shqipëria do të vazhdojë për shumë vite të përmbytet.

Ylli Përmeti

03/12/2017 - 00:49

Përmbytjet e vendbanimeve dhe kultivarëve bujqësorë janë një tjetër makth për shoqëritë moderne. Sipas parashikimeve niveli i oqeaneve dhe deteve do të rritet dhe shumë qytete do të përmbyten dhe shumë toka do të zvogëlohen. Hollanda, vendi më i përparuar në botë, sa i përket parandalimit të përmbytjeve, me një përvojë shumë-shekullore në administrimin e ujërave, tashmë dyshon në aftësinë e strukturave të saj, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe intensitetit të rreshjeve. Aktualisht ajo përdor një sistem mirëmbajtës intensiv prej pritash dallgëthyese, digash, kanale, shluza, pompa dhe ekluza për të mbrojtur 55 për qind të vendit të cënueshëm nga përmbytjet. Tashmë qeveria planifikon të përmirësojë sistemin për të luftuar rreziqet në rritje nga përmbytjet që ndryshimet klimatike imponojnë duke krijuar duna prej rëre në tokat e ulëta dhe duke ngritur lartësinë e tokave në raport me nivelin e detit dhe rritur aftësinë e strukturës së tokës për të kulluar ujin në thellësi të saj. Të detyruar të braktisin nocionin se natyra mund të dominohet, arkitektët tani po kërkojnë të punojnë me natyrën dhe jo kundër saj, duke ringjallur ekosisteme të sëmurë ose duke krijuar të rinj për t’u përshtatur në klimën e së ardhmes. Arkitektët postulonin se mund të parashikonin dhe kontrollonin natyrën. Kjo ishte qasja bazë e projekteve të mëdhenj infrastrukturor në vendet e zhvilluar dhe Hollanda ishte avangarda e tyre. Qeveria hollandeze tashmë po konsideron disa skenarë për të parandaluar rritjen e nivelit të detit duke menduar për skenarin më të keqë: rritjen e tij në 80 cm deri në vitin 2085. Tashmë ka siguruar 1.2 miliard euro në vit për të realizuar programin e saj (Delta) i cili synon të përforcojë mbrojtjet deri në vitin 2050 duke ngritur digat dhe duke zgjeruar shtretërit e lumenjëve. Por kjo, sipas arkitektëve, sërish nuk është e mjaftueshme. Prandaj krijimi i dunave prej rëre po kundrohet. Plani do të ketë nevojë për 22.3 miliard metër kub rërë.[1]    

Lidhur e këtë çështje, në Shqipëri, ka mbetur ora në vitin 1990-të kur ra socializmi marksist ku jo vetëm që nuk kryhen studime nga pedagogët tanë por shtypi dhe masmedia përdor “specialistët” e shekullit të kaluar për të zgjidhur problemin e përmbytjeve në kushte të tjera social-ekonomike dhe ekologjike! Për shembull, gazeta “Dita” përdor Dhimitër Voglin, një specialist i socializmit marksist, i cili, ndërsa na tregon intensitetin e rreshjeve (për të cilin nuk tregon shkaqet!) na tregon se duke marrë borxhe nga të huajt mund ta zgjidhim problemin![2] Përmbytja e Jugut nga dalja e lumenjëve, veçanërisht e Vjosës, në fillim të shkurtit të vitit 2015-të, dhe përmbytjet vijuese në fund të vitit 2016-të dhe 2017-të, jo vetëm që shpalosi, edhe një herë, shtirjen kolektive dhe qasjen joshkencore të përfaqësuesve tanë në Kuvend por edhe faktin se ne do të përmbytemi për shumë vjet. Kështu, vitin e parë jo vetëm që nuk u shqetësohen për shkaqet e vërtetë të përmbytjeve por ndërsa vajtonin dhe “solidarizoheshin” me popullin e përvuajtur nga zyrat dhe sallat e ngrohta - u përqendruan në një qasje të përgjithshme mjaft obskurantiste: se ajo ishte “fatkeqësi natyrore”! Ndërsa opozita akuzonte qeverinë se ajo duhet të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme me qëllim që të merrte ndonjë kompensim nga eurostrumbullarët (...) deputetët dhe ministrat “socialistë” kundërsulmonin duke përmendur përmbytjen e Veriut pesë vite më parë dhe, pa droje, anashkalonin qëndrimet kontradiktore të Ramës kur ishte në opozitë! Shfaqjet e përfaqësuesve tanë në vendndodhje, ku na komunikojnë pára kamerave me duar në xhepa, të pispillosur dhe me çadra që ua mbajnë shërbëtorët...se kanalet duhet të pastrohen,[3] është një tjetër shtirje dhe mendësi joetike. Por mendësia më obskurantiste shprehet me propagandimin e konceptit të ‘fatkeqësisë natyrore’. Sepse dukuritë fizike dhe sociale shkaktohen në bazë të ligjit të propabilitetit dhe domosdoshmërisë, bazuar në disa premisa që janë krijuar, të cilin supozohet se e njohin elitat “shkencore”. Gazetarët dhe opinionistët, në anën tjetër, u përqendruan te dëmshpërblimi: ata na përmendën faktin se qeveria Berisha talli menderen me pupullin e Veriut kur i dëmshpërbleu me strategji: pára zgjedhjeve dhe rreth 15% të dëmit. Ndërkohë spikatën mashtrimin e qeverisë aktuale: se ajo do t’i dëmshpërblejë 100% të dëmtuarit!

Mashtrimi lidhet me faktin se dëmshpërblimi, një pjesë e të cilit u realizua përmes bankave private, domethënë përmes shfuqizimit të kredive që kishin marrë qytetarët e dëmtuar, do të “ristrukturohet” me kursime publike. Sigurisht, nëse krahasojmë qeverinë Berisha me qeverinë aktuale, lidhur me dëmshpërblimet e përmbytjeve, mund të themi se kjo e fundit paraqitet më e dhimbshme. Por ato janë të njëjta lidhur me propagandën që ushtrojnë sa herë që vendi përmbytet: në vend të shqetësohen për shkaqet e përmbytjeve dhe të përveshin mëngët për të ndihmuar banorët e përmbytur me veprime konkrete në terren, organizojnë konferenca shtypi dhe mbledhin “shtabin e emergjencave” për të analizuar gjendjen! Janë, në fjalë të tjera, dy herë shkaktarë të përmbytjeve: një herë kur nuk mundohen të kuptojnë shkaqet e përmbytjeve dhe t’i luftojnë ata dhe një herë tjetër kur nuk përfshihen me veprime konkrete në zonat e përmbytura. Qeveria “Rama” gjeneroi një fond (6 milionë euro) nga BE-ja për të mbrojtur nga përmbytja, siç pretendohet, 12 mijë hektarë tokë bujqësore dhe rreth 15 mijë banesa, nga lumi Vjosa, Drinos dhe Osumi, duke ngritur vetëm argjinatura me beton, gurë dhe rrjeta metalike!         

Kështu, shkaku i përmbytjeve nuk mund të lidhet vetëm me rreshjet intensive, siç argumentojnë “specialistët” e socializmit marksist, pa treguar shkaqet e rreshjeve intensive, apo argjinaturave dhe kanaleve, siç argumentojnë “specialistë” të tjerë në hapësirën mediatike: sepse rreshjet intensive shkaktohen nga ndryshimi i klimës. Kjo e fundit shkaktohet nga niveli i lartë i CO² në atmosferë dhe CO², nga teknologjia. Kjo e fundit buron nga ideologjia e rritjes ekonomike e modernitetit. Dhe rritja ekonomike – nga maksimizimi i përfitimit. Përfitimi, me rradhë, buron nga kuadri modern institucional. Ndërsa ky është një shkak sistemik, një shkak tjetër vendimtar, është mungesa e pemëve përgjatë pllajave të maleve, kodrave dhe brigjeve të lumenjëve; një i tretë është tejshfrytëzimi i rërës së shtretërve për ndërtime; dhe një i katërt është mungesa e bonifikimit të tokës. Janë, në fjalë të tjera, të gjithë këta shkaqe të ndërvarur — që ndikojnë vendimtarisht në përmbytjen e shumë ultësirave. Për të njëjtën arsye rreshjet do të kenë intensitet më të madh në të ardhmen dhe përmbytjet do të jenë më të mëdha dhe, ngritja e argjinaturave nuk mjafton për frenimin e ujit: sepse argjinaturat duhet të rikonceptohen dhe të shoqërohen dhe forcohen me pemë ujëdashëse. Sepse pemët ndihmojnë në kanalizimin e një sasie të konsiderueshme të ujit thellë në tokë. Siç citon Monbiot në një studim,[4] ku kritikon përgjithësisht qasjen konvencionale dhe veçanërisht qasjen e qeverisë Britanike, sipas së cilës ne duhet të betonizojmë anët e lumenjëve (dhe deteve) dhe të mos ndërtojmë në vende të ulëta që të shpëtojmë nga përmbytjet...duke kundërshtuar se janë pemët ato që ndihmojnë vendbanimet dhe të mbjellat nga përmbytjet dhe erozioni, sepse, sipas studimit:

Uji fundoset në tokë poshtë pemëve 67 herë më shumë se kur gjendet mbi bar. Rrënjët e pemëve sigurojnë kanale poshtë të cilëve uji rrjedh, thellë në tokë. Toka bëhet si sfungjer, një rezervuar i cili thith ujë dhe pastaj e çliron atë ngadal. Ndryshe nga kjo dukuri, në kullota, majat e vogla dhe të mprehta të këmbëve të deleve llangosin tokën duke e bërë atë thuajse të papërshkueshme: një shtresë të fortë ku shiu ikën si rrëke.[5]

Ndërtimi i mureve nuk do të mbrojë qytetet tanë vetë-vetiu. Ne kemi nevojë të parandalojmë përmbytjet gjithashtu dhe të mbrohemi nga përmbytjet. Kjo do të thotë se ne kemi nevojë për kodra me korije dhe torfë funksionale. Do të thotë përdorimin e drurit të vdekur dhe mbështetësve të zhavorrit dhe pengesave të tjera në kulmet e sipërm të rrjedhave (kastorët do ta bëjnë këtë lloj pune falas). Do të thotë uljen e argjinimeve për të rilidhur lumenjtë në tokat e përmbytura, duke përmbytur fushat në vend të qyteteve. Do të thotë të lejojmë lumenjtë të gjarpërojnë dhe të gërshtohen. Do të thotë të krijojmë zona tampon rreth mbështetësve të tyre: në vende ku pemët, shkurret, kallamishtet dhe bari i gjatë lejohen të rriten, duke krijuar atë thyerjen hidraulike të inxhinierëve. Do të thotë të kundërtën e orgjisë së vetë-shkatërrimit që politika e shumë dekadave të qeverive tona dhe Europiane kanë inkurajuar: kullotje, kositje, djegie, kullim, kanalizim dhe dragim.[6]

Ndryshe nga kjo qasje, e cila mund të vërtetohet qoftë teorikisht qoftë empirikisht, në hapësirën e tregut dhe përfitimit, propagandohet e kundërta, ‘se vendet e shkreta mund të gjelbërohen nëse rrisim numrin e gjedhëve dhe ushqehemi më shumë me mish dhe, gjelbërimi me rradhë do të absorbojë CO²’![7] Shkatërimi i pyjeve, në të vërtetë, ka filluar me ngritjen e ushtrive. Për shembull, mendimtarët e Greqisë së Lashtë shqetësoheshin kur populli i Atikës priste pishat përgjatë bregdetit për të ndërtuar anije për luftë dhe peshkim. Në atë kohë u krye një masakër e vërtetë mbi pyjet e bregdetit. Sot, atje gjendja është dramatike: sepse segmente të rëndësishme të bregdetit nuk kanë asnjë pishë dhe pemë për t’u mbrojtur nga erozioni. Por masakrimi më i madh i pemëve është shkaktuar dy shekujt e fundit — me lindjen e shtetit modern. Zgjidhja e kësaj problematike nuk mund të vijë thjesht duke ringritur një “njësi” specialistësh në nivel kombëtar dhe duke kërkuar borxhe nga Banka Botërore, siç na sugjeron një ish-specialist i socializmit: sepse edhe nëse konsiderojmë përvojën e SHBA-së, e cila ka ngritur një njësi kombëtare, ajo jo vetëm që është ngritur përgjatë periudhës social-demokrate (statiste) shekullin e kaluar kur blloku social-demokrat ruante principet keinsiane, por, siç tregojnë studimet,[8] Amerika do të kërcënohet më shumë se ç’kërcënohet sot nga përmbytjet që do të ndodhin në të ardhmen.[9] Përtej, sigurisht, avantazheve dhe disavantazheve ekonomike që kemi si vende në RRB të G/N.[10] Dhe “specialistët” amerikanë, njëlloj si britanikët, ndërsa shpërnjohin shkaqet, propagandojnë ngritjen e digave dhe pritave me beton. Kjo, për dy arsye kryesore: së pari, sepse nga ndërtimi i digave do të vazhdojë pasurimi i sektorit të ndërtimit. Dhe dihet tashmë se me cilët bashkëpunon sektori i ndërtimit: me sektorin financiar dhe përfaqësuesit. Dhe së dyti, për t’u dukur...këta të fundit, se bëjnë vepra.

Të gjitha këto kur përqindja e pyjeve në Shqipëri është zvogëluar tmerrësisht shumë: nga 38 për qind që ishte me rënien e socializmit dhe 36 për qind në vitin 1997-të,[11] shkoi në 33 për qind në vitin 2005 dhe në 26 për qind në vitin 2015-të! Me zjarret dhe dinamikën kryesore të sistemit —përfitimin dhe mosndëshkimin— me keqadministrimin e pyjeve nga qeveritë (sektori i pylltarisë nuk është organizuar dhe zjarrfikëset janë me mjete të pamjaftueshme: si mund të pajiset zjarrfikësja me pajisje kur elita politike ble automjete tejet të shtrenjta për parazitët e qeverive dhe kuvendeve?) dhe keqedukimin e popullit, kjo përqindje do të zvogëlohet edhe më shumë. Kosova, për krahasim, është në një përqindje shumë më të mirë: rreth 42.96 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të saj është e mbuluar me pyll.[12] Ndërsa Gjermania është e mbuluar rreth 34 për qind me pyje, thuajse njëlloj si Franca, me Britaninë shumë më pak se 25 për qind.[13] Duhet theksuar se shifra prej 38 për qind është më shumë se një e treta e sipërfaqes së tokës. Kjo përqindje nuk ishte e njëjtë as në fillim të shekullit 20-të kur shoqëritë tona sundoheshin nga otomanët dhe përdorimi i drurit për djegie dhe ndërtim ishte kryesori.     

Përmbytjet, rrjedhimisht, mund të parandalohen vetëm nëse zhvillohen paralelisht principet demokratike dhe tërësia e ekonomisë. Sepse krijimi i ‘njësisë’ së parandalimit të përmbytjeve varet nga orientimi ynë politiko-ekonomik dhe buxheti. Nëse vazhdojmë të synojmë integrimin tonë në RRB të G/N, i cili në anët tona shprehet me integrimin tonë në BE/Euozonë, ne nuk do të kemi kurrë mundësi të zhvillojmë njësinë përkatëse: sepse buxheti i qeverisë aktuale, apo çdo qeverie tjetër që nuk studion, do të jetë gjithnjë deficitar.[14] Dhe përsa kohë që buxheti do të jetë deficitar për aq kohë ne ose do të vazhdojmë të marrim borxhe -nga institucione ndërkombëtare- siç na sugjerojnë “specialistët”, ose do të tkurrim administratën publike dhe investimet ose të dyja bashkë. Ngritja e njësisë parandaluese, rrjedhimisht, kalon nga buxheti i qeverisë. Për të krijuar kushtet për një buxhet sufiçitar ne duhet të kundrojmë rreth orientimit tonë për t’u integruar në BE dhe të adoptojmë principet keinsiane. Për të adoptuar principet keinsiane ne duhet të bindim eurostrumbullarët dhe veçanërisht institucionet ndërkombëtare (FMN, BB etj.) me studime konkrete. Qeveria aktuale nuk mund ta ndërmarrë këtë politikë, sepse ajo s’ka zhvilluar asnjë studim për efektet e politikave të G/N. Dhe kur nuk studiohet - nuk mund të kuptohen efektet. Përfaqësuesit tanë ndjekin thjesht instinktin (e imitimit) dhe pragmatizmin kur dihet se pragmatizmi është armiku i përsiatjes. Sepse për të reduktuar sasinë e CO² në atmosferë imponohet ndryshimi i teknologjisë: ne duhet të lëvizim nga automjetet private në trena dhe tramvaj elektrikë — për njerëzit dhe për mallrat. Dhe nga industria kapitaliste me bazë energjinë e papërtëritshme dhe të dëmshme për shëndetin e Natyrës, në energji të përtëritshme me bazë industrinë ekologjike — një objektiv që aktualisht vetëm Norvegjia e pretendon. Për të pyllëzuar pllajat e malave dhe kodrave, të breglumenjëve dhe bregdeteve, dhe për të rikonceptuar argjinaturat – ne duhet të gjenerojmë një sufiçit të majtueshëm për shpenzimet administrative, studimore dhe njerëzore, për institutin tonë kombëtar. Me male, kodra dhe breglumenj dhe bregdete të zhveshur nga pemët, me argjinatura të dobëta dhe primitive, pa institut shkencor për pyjet dhe ujërat, pa punë shkencore nga pedagogët dhe universitete të kapur nga parti-qeveritë idiote përmes rektorëve të emëruar dhe jo të zgjedhur demokratikisht nga trupa pedagogjike dhe studentore, me masmedia kriminale dhe popull pa urtësi ekologjike, me lëvizje politike që nuk kryejnë studime as edhe shqyrtojnë ndonjë studim, dhe veprimtarë egoistë që veprojnë për hir të pushtetit se sa për hir të së vërtetës, ose të vërtetave që kanë krijuar si pasojë e studimeve që kanë shqyrtuar, me siguri që Shqipëria do të vazhdojë për shumë vite të përmbytet.  

Përmbytjet dhe popujt e qeverive kriminale

Duhet thënë, edhe një herë, se ato qindra familje që kërkojnë ndihmë nga ‘shteti’ përgjatë fazës përmbytëse nga uji kanë punuar gjithë vitet e fundit për t’u mbytur me veprime dhe mosveprime. Duhet thënë, gjithashtu, se ndihma e shtetit buron edhe nga kursimet e mija –që punoj teorikisht dhe praktikisht për vite me rradhë në kushte të vështira— për të parandaluar gjëma dhe katastrofa të kësaj natyre. Por të parët që duhet të punojnë për të parandaluar katastrofa përmbytëse janë qeveritë: sepse supozohet se populli e delegon pushtetin te përfaqësuesit që i paraqiten nga partitë që të realizojë mes të tjerash dhe parandalimin e përmbytjeve. Mirëpo, ka vite që qeveritë në vend të punojnë për të parandaluar përmbytjet presin të përmbyten dhe kur përmbyten fillojnë të shfaqen (si kofini pas vjeljes) në përmbytjet përkatëse pára gazetarëve të mediave kriminale, të ‘trishtuar’ dhe ‘pikëlluar’ dhe gati për të ndihmuar popullin e përmbytur edhe me kursimet e mija. Këtë vit pati një ndryshim: qeveritarët e partisë “socialiste” dolën pa shërbëtorë që t’u mbajnë çadrat ndërsa zengjinët e partisë “demokratike” me në krye, kryemashtruesin Basha, përsëritën recitalin e bejlerëve: në daljet pára kamerave kishin dhe ca shërbëtorë që u mbanin mes të tjerash...dhe çadrën mbi kokë! Nuk munguan akuzat dhe kundër-akuzat për shkaqet e përmbytjeve. Për rastin e përmbytjes së autostradës Durrës-Tiranë partia “demokratike” bashkë me krye-idiotët e LSI-së akuzoi se fajin e kishin palmat dhe hapja e liqenit të Kasharit! Krye...ministri u përgjigj deri diku me të drejtë se përmbytja e autostradës nuk erdhi si pasojë e palmave apo hapjes së liqenit të Kasharit por si pasojë e ndërtimeve dhe ndërhyrjeve pa leje në kanalizime, duke mbështetur argumentin e Xhafajt, ministrit të brendshëm, dhe duke shtuar se nuk do të falë asnjërin për atë gjendje. Hamendësisht, do të shkojë të shkatërrojë –pa paralajmërim—ndërtimet pa leje dhe nuk do të dënojë...përgjegjësit e vërtetë: kryebashkiakët që nuk punojnë në terren me inspektime rigoroze të punëve publike dhe private por “punojnë” nga zyrat e ngrohta. Kujtoj se në përmbytjen e fundit në Athinë ku humbën jetën disa dhjetra njerëz dhe u shkatërruan shumë familje, qendrimi ishte i njëjtë: se ishte ndërtuar në vendet ku duhet të kalonte uji. Njëlloj argumentuan elitat dhe në Amerikë për përmbytjet në disa shtete (Hjuston etj.) verën e vitit 2017-të: se ishin ndërtimet pa leje e të tjera të kësaj natyre!

Por kjo nuk është as gjysma e të vërtetës: sepse, edhe një herë, shkaqet kryesore se pse përmbytemi janë dy: njëri buron nga ndryshimet klimatike, të cilat shkaktohet nga çlirimet e CO² në atmosferë, për të cilin Amerika kontribuon më shumë se çdo vend tjetër, siç kontribuon Shqipëria bashkë me vendet e tjerë. Tjetri, nga keqadministrimi jo vetëm i ndërtimeve, siç na thonë...elitat dhe opinionistët që mbajnë pas për të përsëritur të “vërtetat” e tyre, por të tërësisë së ekosistemit (pyjet etj.). Në Shqipëri shkalla e keqadministrimit është shumë më e madhe se në vende të tjerë, dhe për të njëjtën arsye, shkalla e përmbytjeve është dhe do te jetë më e madhe. Në këtë drejtim nuk përjashtohet as populli i zakonshëm: sepse pavarësisht se nuk lexon dhe nuk kupton shkaqet e vërtetë të përmbytjeve nga studimet, arsyetimi i tij kaq vite duhet të kishte krijuar një të vërtetë të madhe: se shkaku kryesor është ai vetë që nuk kupton se po mashtrohet çdo vit nga partitë në pushtet kur i voton, dhe ato —si idiote që janë dhe të krijuara për hir të pushtetit se sa për hir të së vërtetës— po e çojnë vendin dhe jetën tonë drejt katastrofës finale. Qoftë edhe ata që nuk votojnë partitë kriminale janë përgjegjës kur nuk përpiqen paralelisht të vetë-organizohen dhe pse jo, të fillojnë dhe të shqyrtojnë realitetin në të cilin ndodhemi qoftë edhe me ndihmën e studimeve që qarkullojnë rreth nesh: sepse gjendja ekologjike është kritike dhe nëse ne nuk veprojmë dhe kundër-veprojmë kundër rrymës së marrëzisë kolektive do të kemi të njëjtin fund me fajtorët e vërtetë të krimeve ekologjike dhe sociale.  Personalisht kam rreth 11 vjet pa automjet. Për një arsye shumë të thjeshtë: sepse kuptova –duke studiuar— se katastrofa ekologjike është aq e madhe saqë qoftë edhe kjo lloj sakrifice do të ndihmojë. Në ndërvperimet e mia sociale dhe ndër-urbane thuajse çdo ditë përleshem me të ashtuquajturit “qytetarë” kur dëshmoj se ata pa pikë turpi hedhin mbetje kudo duke mos menduar as për ngritjen e kostos sonë (sepse ngrihet kostua për t’i pastruar nga pastruesit tanë me fshesa bimore...) as për ngritjen e kostos ekologjike (sepse në çdo qytet nuk po krijohet vetëm një bombë toksike nëntokë kur bashkitë groposin mbetjet që mblidhen me pasoja kriminale në ekosistem dhe shëndetin e natyrës, njerëzve dhe kafshëve që varen nga ai por shumë mbejte përfundojnë pa u mbledhur...në kanale, lumenj dhe dete dhe pengojnë lëvizjen e lirë të ujërave që shkarkon qielli i ngarkuar me metale të rëndë) dhe as, për aspektin etikë: se kur një njeri është zhulist në qytet dhe barbar me natyrën njëlloj do të jetë dhe në familje! Shumë më thonë, pa dorje, se ti mirë e ke po ne s’kemi ç’bëjmë! Të tjerë thonë se ky është i çmendur. E të tjerë kush e di se çfarë!

Qartësisht, gjendja është tejet kritike dhe të gjithë nga pak dhe në shkallë të ndryshme —përveç atyre që përpiqen me ndershmëri të kontribuojnë në parandalimin e gjëmave ekologjike dhe sociale me veprime konkrete— janë kriminelë dhe s’ka gjykatë që i dënon veç organizimi ynë politik.          

Sulmi mbi monumentet e Natyrës: rasti i liqenit të Tiranës, Vjosës dhe Valbonës

Rënia e socializmit në Lindjen Europiane në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri, shënoi fillimin e përshtatjes së këtyre vendeve në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal që kishte marrë formë në Perëndim përgjatë dekadës ’80-’90. Në saj të dinamikës së tij, përfitimit dhe përqendrimit më të madh të pushtetit ekonomik, ky rend nënvlerëson sektorin e urbanistikës dhe monumenteve të natyrës në një shkallë më të madhe se në kohën e dy blloqeve ekonomik të periudhës statiste, meqënse oligarkitë politiko-ekonomike janë institucionalizuar dhe kanë krijuar getot përkatëse të pasanike jashtë metropoleve. Kjo është arsyeja kryesore se përse sot dëshmojmë, jo vetëm braktisjen e qytetit nga oligarkitë, por, edhe sulmin e tyre mbi çdo hapësirë të gjelbërt prej së cilës mund të nxirret përfitim sa më i madh dhe me kosto të ulët. Në Shqipëri kjo dinamikë është në kulmin e saj. Si rezultat, më shumë se 40% e ujërave lumore dhe detare në Shqipëri janë të ndotur. Ata tashmë kërcënojnë seriozisht florën dhe faunën e tyre: sepse në lumenj nuk shkarkohen vetëm ujërat e zeza, të papërpunuara, por edhe mbetjet e ndërmarrjeve kapitaliste dhe të ashtuquajturve “qytetarë”. Pastrimi i tyre kërkon, sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, me seli në Vjenë, 2 miliardë euro. Aktualisht janë siguruar 100 milionë euro. Impiantet që janë ndërtuar në Durrës, Shkodër dhe Vlorë, jo vetëm që nuk mjaftojnë për mbrojtjen e lumenjëve dhe detit, por as janë kujdesur bashkitë përkatëse për mirë-funksionimin e tyre! Impianti i Vlorës, për shembull, jo vetëm që nuk ka punuar në kapacitetin e tij të plotë por tani kërkohen miliona euro për ta rindërtuar.       

Liqenet, gjithashtu, gjenden në sulm të përhershëm. Ndërtimi i një rrokaqielli përbri liqenit të Tiranës, për shembull, dhe në vijë horizontale me të, dhe për tepër, më poshtë se niveli i ujit të tij, sepse rrokaqiejt duhet të hedhin themele të thellë në tokë me qëllim që të krijojnë një farë balance me katet mbi tokë, do të thotë se uji brenda liqenit do të depërtojë në damarët e tokës, meqënse toka do të shpohet përgjatë ndërtimit, me mjete të rënda mekanike dhe, ndoshta, do të shterojë ujin e liqenit dhe do t’a kthejë në kënetë…dëmi, rrjedhimisht, me këtë pallat, është i shumëfishtë: ai jo vetëm që zvogëlon hapësirën e gjelbërt dhe gjithë dobitë e tjera që e shqoqërojnë atë për banorët e qytetit dhe ekosistemin, por mund të shterojë edhe liqenin! Cilindo gjeolog që të pyesim për këtë aspekt, ose do të ngrejë supet nga padija, ose do të mbështesë argumentin e mësipërm. Sigurisht, ndërtimi i tij në atë vend bëhet për qëllime përfitimi meqënse sot shet më shumë “pamja” sesa cilësia. Fundja, si mund të vlerësojë objektivisht konsumatori ‘cilësinë’ e ndërtimit kur ai nuk ka nivelin shkencor të arkitektit? Me sistemin dhe dinamikën që kemi adoptuar dy dekadat e fundit, ne, jo vetëm që kemi krijuar një sistem përfitim-orientues, por kemi krijuar një sektor ndërtimi zhvillimi i të cilit varet vendimtarisht nga shfrytëzimi i shtretërve të lumenjëve, kodrave dhe shpesh, maleve, për rërë, duke ndërtuar mbi toka buke dhe për më tepër, pa ditur se nëse ndërtimet në fjalë do të shiten apo jo. Dhe, meqënse klasa politike e dy dekadave të fundit nuk është sfiduar seriozisht nga ndonjë rezistencë e organizuar politike dhe është mësuar që nga sektori i ndërtimit mund kryejë përfitime, meqënse nuk ka zhvilluar ndonjë sektor tjetër, më fitim-prurës, përveç sektorit të drogës, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin bankar, ku merr kredi me interes të ulët, ajo vazhdon ende sulmin e saj mbi çdo hapësirë të gjelbër e publike. Përsa kohë, rrjedhimisht, që kjo klasë politike do të jetë në pushtet, dhe nuk ka zhvilluar ndonjë sektor tjetër më fitim-prurës, për aq kohë ajo do të vazhdojë sulmin e saj mbi çdo pasuri publike e monumentale. Sepse dinamika kryesore e sistemit, konkurrenca dhe përfitimi, çon në veprimtari joshkencore dhe kriminale të organizuara “nga lartë”. Në Britani, për shembull, megjithëse parqet ende nuk kërcënohen, ata kërcënohen nga përmbytjet, sepse, siç citon Monbiot, nga një qasje simptomatike, dhe jo sistemike, ‘qeveria britanike shpenzon £2.3 miliard në skema mbrojtëse për përmbytjet, por shumica e tyre janë në fund të tubit: të hartuara për të mbrojtur banesa dhe biznese pasi uji të lëshohet nga kodrat’.[15]

Megjithëse Britania ka institucionalizuar rregulla shkencorë për urbanistikën, domethënë, rregulla që parandalojnë në një shkallë të lartë dhimbjen njerëzore, në lidhje me monumentet e natyrës (pyjet etj.) ajo ende s’ka mësuar se si t’i ruajë dhe zhvillojë. Kjo shkaktohet, jo vetëm si pasojë e shkëputjes së klasës politike aktuale nga natyra dhe dobitë e saj, siç argumenton Monbiot, por, kryesisht, si pasojë e sistemit i cili ka institucionalizuar përfitimin dhe shkatërruar virtytet njerëzore. Sepse politikanët profesionistë shqetësohen kryesisht për përfitim sesa për zhvillim shkencor të sektorëve ekonomikë. Por ndryshe nga Britania, e cila eksporton shërbime financiare dhe teknologji të lartë, dhe përfiton analogjikisht, ne, eksportojmë kryesisht nga sektori tretësor: fasonëria etj. Dhe, meqënse gjendja e përgjithshme atje do të përkeqësohet pashmangshmërisht, pavarësisht avantazhveve të saj në RRB të G/N, me rendin aktual, “avantazhet” tona dhe klasën politike, botëkuptimi i së cilës është kryekëput joshkencor, nuk kemi asnjë mundësi të frenojmë masakrimin e mëtejshëm të monumenteve të natyrës. Rrjedhimisht, edhe nëse protestat e ndalojnë ndërtimin e pallatit te Liqeni artificial i Tiranës, një sulm tjetër i kanoset pasurive publike e kombëtare nga klasa politike shqiptare: ngritja e digave mbi lumenj dhe lënia e tyre në dinamikën e sistemit aktual.

Devijimi i Vjosës: shkaqet, pasojat dhe rrugëzgjidhjet

Devijimi i Vjosës nga Greqia për të prodhuar energji elektrike përfshin kryesisht dy fusha: të drejtën ndërkombëtare lidhur me lumenjtë ndërshtetëror dhe sulmin mbi lumenjtë e Ballkanit, njëherësh, nga Banka Botërore (BB) dhe nga klasat politike kombëtare. Nuk është e rastit që Rama në fushatën e zgjedhjeve vendore premtoi se nuk do të ndërtonte më hidrocentrale të rinj në lumin Vjosë dhe se lugina e saj do të kthehej në zonë të lirë dhe,...kur mbaroi fushata miratoi ndërtimin e një hidrocentrali të dytë përveç Kalivaçit![16] Në të vërtetë, Banka Botërore s’bën gjë tjetër veçse shfrytëzon rastin meqënse vendet e Ballkanit janë në proces për t’u integruar plotësisht në Rendin e Ri Botëror (RRB) të Globalizmit Neoliberal (G/N). Në integrimin në fjalë BB ka kontribuar vendimtarisht, qoftë duke u dhënë vendeve përkatëse borxhe qoftë duke luajtur rolin e burimit akademik. Lidhur me këtë ‘kapje’ “nga lartë” akademikët shqiptarë nuk guxojnë të flasin, por, mjaftohen duke akuzuar Greqinë si të pabasë dhe diplomacinë aktuale shqiptare si indiferente![17] Një akademik tjetër,[18] në një përbledhje historike lidhur me çështjen e Vjosës, tregon se midis vendeve tona nuk është nënshkruar ndonjë marrëveshje për ujërat ndërkufitare, pavarësisht se janë bërë përjekje herë me intesitet më të madh e herë më të vogël, kryesisht nga pala jonë. Ndonëse akademiku në fjalë shqetësohet dhe tregon aspektet e problematikës, ai ia delegon problematikën të drejtës ndërkombëtare! Por, kur dy vende nuk kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje ndërkufitare, është e vështirë që Gjykata Ndërkombëtare të japë drejtësi. Edhe nëse Gjykata i përmbahet precedentit që është krijuar midis Spanjës dhe Francës, përmes të cilit Spanja akuzonte Francën për humbje të sasisë së volumit të ujit nga shfrytëzimi i tij nga Franca, për nevojat e saj, ne kemi shumë pak mundësi të pezullojmë punimet e Greqisë. Sepse edhe në këtë rast, gjykata i dha të drejtë Francës, meqënse kjo e fundit sasinë e ujit, pasi e shfrytëzonte, e kthente në të njëjtin shtrat dhe Spanja nuk humbiste volumin për të cilin ajo ankohësh.

Atje janë, rrjedhimisht, dy aspekte që na vendosin në disavantazh me Greqinë nëse ne i drejtohemi gjykatës përkatëse: mungesa e një marrëveshje dypalëshe dhe justifikimi nga gjykata i shfrytëzimit të burimeve për nevojat e një vendi. Aspekti ekonomik, rrjedhimisht, dominon në gjykimin e gjykatës në fjalë, edhe nëse gjykojmë nga precedentë të tjerë.[19] Dhe është pikërisht mungesa e marrëveshjes dhe aspekti ekonomik që shfrytëzon pala greke. Si pasojë, nga 12% e ujit që kërkonte në vitin 1978, sot ajo kërkon t’a devijojë thuajse të gjithë sasinë e ujit për nevojat e veta. Por atje janë edhe dy aspekte të tjerë, vendimtarë, që na bëjnë edhe më të dobët përball saj: fakti që Greqia ka pushtuar një pjesë të mirë të tregut shqiptar me banka dhe ndërmarrje, në njërën anë, dhe se ajo vazhdon të punësojë një përqindje të lartë të shqiptarëve në vendin e saj, në anën tjetër. Por atje është edhe një aspekt tjetër, i pestë, gjithashtu vendimtar: mbështetja e saj për t’u integruar Shqipëria në BE. Me gjithë këta dizavantazhe dhe pabarazi, ne nuk kemi asnjë mundësi të bisedojmë me palën greke dhe të frenojmë devijimin e Vjosës.

Nuk është, rrjedhimisht, vetëm klasa politike shqiptare e paaftë për të pezulluar punimet e njëanshme të Greqisë mbi lumin Vjosë. Por janë edhe “akademikët” të cilët jo vetëm që nuk kontribuojnë në kuptimin e kuadrit të ri institucional të G/N dhe efektet mbi vendet anëtare dhe, në krijimin e kushteve për pavarësi ekonomike dhe rrjedhimisht, politike, por mjaftohen me të drejtën ndërkombëtare pa konsideruar aspektet sistemikë. Në këto kushte, Shqipëria, në mungesë të anullimit të ndërmarrjeve greke mund të përdorë kërcënimin se ajo mund të dëmtojë burimin e lumit të Thiamit ose Kalamas-it, i cili buron në rrëzë të Nemërçkës, duke shpuar një tunel nga ana jonë, dhe kështu të bëjë të mundur rimbushjen e Vjosës. Por megjithëse kjo ndërmarrje mund të realizohet, ajo nuk mund të jetë zgjidhje, meqënse Vjosa kërcënohet edhe në anën tonë me ngritjen e digave (aktualisht të Kalivaçit) — përtej përmbytjeve. Por nuk është vetëm Vjosa që kërcënohet me ngritjen e digave: sepse në Europë, në të cilën kërkojmë të shkojmë, falë paaftësisë së klasës politike shqiptare dhe topitjes së plotë të popullit shqiptar, lumenjtë janë shkatërruar në përqindjen më të madhe. Siç konkludon një studim:

Në tërësinë e tyre rajonet dhe ujëmbledhësat në Ballkan kanë ruajtur më shumë peisazhe të paprekur për lumenjt e mëdhenj sesa shtretërit e lumenjëve të Europës Perëndimore e Qendrore. Më shumë se 30% e lumenjëve të mëdhenj janë ende thuajse natyral dhe disa të paprekuar nga dora e njeriut dhe të vlerës së lartë konservuese. Në Shqipëri dhe Mal të Zi mbi 60%, ndërsa në Gjermani vetëm 10%, në Zvicër 7% dhe në Austri 6% e lumenjëve janë në gjëndje të lartë. Thuajse 50% e lumenjëve në Ballkan kanë ndryshuar pak — në Gjermani, për krahasim, 30% e tyre qendrojnë në këtë nivel. Si përfundim, Ballkani është një nga rajonet e Europës me përqindjen më të lartë të lumenjëve me vlerë të lartë konservuese. Sistemet e lumenjëve janë të pasur në peshk endemik dhe specie butakësh të cilët i bëjnë ata të rëndësishëm në nivel botëror në terma të ruajtjes së biodiversitetit. Por zhvillimet në shkallë të gjerë të hidrocentraleve do të ndikojnë ekologjinë e ujit të freskët të rajonit në mënyrë të rëndësishme. Më shumë se 573 diga më të mëdha se 1 MW janë planifikuar duke ndikuar në 70% të rasteve të lumenjëve me “vlerë ruajtese shumë të lartë” dhe në 23% të rasteve mbi lumenj me “vlerë të lartë ruajtese”...lumenjtë e Ballkanit mund të quhen me të drejtë si “Zemra e Blertë e Europës” meqënse ende ofrojnë një vlerë të madhe ekologjike me biodiversitetin e tyre të veçantë për Europën, të zhvilluar në mileniume...por linjat e këtyre lumenjëve tani përballen me zhvillime të shpejta të hidrocentraleve, duke penguar vazhdimin e lumenjëve, duke sekuestuar rrjedhjen e lirë të tyre dhe duke ndikuar thuajse në të gjithë rrjedhjet e tjera të lira të ujërave nën tokë brenda vetëm një dekade ndërtimore. Nëse planet e ndërtimit realizohen — të gjithë lumenjtë e Ballkanit do të humabsin përfundimisht pozicionin e tyre të spikatur krahasuar me lumenjtë Europian.[20]     

Në Angli përqindja është më e ulët: vetëm 17% e lumenjve vlerësohet se janë në gjëndje të mirë.[21] Rrjedhimisht, është e qartë se lumenjtë e Ballkanit kërcënohen seriozisht. Duke shpërnjohur këtë kërcënim, “akademikët” shqiptarë mundohen t’a zgjidhin çështjen përmes të drejtës ndërkombëtare - ndërkohë që shpërnjohin edhe humbjen e pavarësisë sonë politiko-ekonomike në kuadër të RRB të G/N, i cili krijon kushtet për një asimteri pushtetore tejet të madhe (politike, ekonomike, kulturore, sociale etj.) mes anëtarëve, por edhe faktin se Gjykata Ndërkombëtare anon nga ‘nevojat ekonomike të një vendi’, përpara se të vendojë. Ata shpërnjohin, gjithashtu, faktin se vetë Greqia, e cila përshkohet nga 27 lumenj me 2,830 km, ku më të mëdhenjtë burojnë nga Bullgaria (Nestos, Evrosi, Strimona), janë në shkatërrim e sipër. Mbi Strimonën, për shembull, janë ndërtuar diga për energji elektrike: një në Bullgari dhe disa në Greqi. Por, ndërsa në Bullgari ende nuk derdhet asnjë mbetje e dëmshme, në Greqi, ngaqë përbri lumenjëve janë zhvilluar dekadat e fundit zona industriale, lumi është ndotur në nivele të rrezikshme për shëndetin e tij, detit ku derdhet dhe njerëzve që vijnë në kontakt me të. Ndryshe nga këta lumenjë, Vjosa buron nga mali i Pindit në lartësinë 1.340 metra dhe përshkon 70 km në tokë greke dhe 190 km në tokë shqiptare, dhe mund të ruajë një cilësi të lartë të ujit nëse ujërat e zeza të vendbanimeve përgjatë saj përpunohen për biogas dhe agrikulturë. Dhe Vjosa është lumi i fundit që mund të ruhet nga dinamika barbare e tregut të marketingut të ndërkombëtarizuar: përfitimi dhe dominimi. Njëlloj vepruan me lumin Valbona!

*Studimi është ripublikuar i ripunuar për të ndihmuar gjendjen mjerane në të cilën kemi rënë! 


[1]Can Netherlands’ ground-shifting plan prevent flooding? FT, August 31, 2017.

[2]Për përmbytjet që kaq shpejt harruam, Dhimtër Vogli, Dita, 22 Mars 2015.

[3]Kështu bëri edhe Edmond Panariti, Ministri i Bujqësisë,  së fundmi: Përmbytje në Lezhë dhe Shkodër, Top Channel, 22/01/2014.

[4]Drowning in Money, George Monbiot, The Guardian, 14th January 2014.

[5]Po aty.

[6]Going downhill fast, George Monbiot, The Guardian, 30th December 2015.

[7]Eat Meat and Save the World? George Monbiot, The Guardian, 4th August 2014.

[8]Shih p.sh., Earth under water – worldwide flooding, Climate State, Aug 8, 2013.

[9]Preparing for tomorrow’s storms, N. Y. Times, March 28, 2015.

[10]Shih, për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[11]Vëzhgim ekologjik i pyjeve të Shqipërisë, Instituti i kërkimeve pyjore dhe kullotave, biologjike dhe shkencave natyrore, Tiranë, 1997.

[12]Bujqësia, zhvillimi rural, pylltaria, peshkataria dhe siguria e ushqimit, Qazim Kukalaj, Nëntor 2012.

[13]Germany, its forests and one architect’s vision of green housing, FT, July 19, 2017.

[14]Shih, gjithashtu, Doganat dhe globalizmi neoliberal.

[15]Slip sliding away, George Monbiot, The Guardian, 25th February 2015. Theksi në origjinal

[16]Rama shkel premtimin për hidrocentrale mbi lumin Vjosë, BIRN, 9 Sht 2015.

[17]Shih p.sh., Hilet greke për Vjosën dhe indeferenca e shqiptarëve, Moikom Zeqo, Dita, 27 Shkurt, 2015.

[18]Për zhvillimet e fundit në rrjedhat e sipërme të Vjosës, Ksenofon Krisafi, Gazeta Shqiptare, 24 Shkurt 2015.

[19]Shih, p.sh., International law and interstate rever disputes, William W. Van Alstyne, Duke University School of Law, 1960.

[20]Balkan Rivers – the blue heart of Europe, Euronatur, Vienna 2012.

[21]River health revealed in ‘shocking’ figures, BBC, 26 March 2015.

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA