...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe ofensiva neoliberale greke

Dëshira për të bashkuar shqiptarët në një shtet të vetëm buron jo vetëm nga “ndjenja patriotike” e një njeriu, e cila, me rradhë, buron nga dashuria për tërësinë e vlerave që ka zhvilluar populli yt, por dhe nga njohja e thellë e të ardhmes së vendit në raport me vendet e tjerë.

Ylli Përmeti

31/01/2018 - 10:29

Harta sipas kishes greke
Harta sipas kishes greke

Dita: “bashkimi me Kosovën nuk është dëshira e tij [Ramës], por një alternativë ndaj mbylljes së dyerve nga Bashkimi Europian”! Dëshira për të bashkuar shqiptarët në një shtet të vetëm buron jo vetëm nga “ndjenja patriotike” e një njeriu, e cila, me rradhë, buron nga dashuria për tërësinë e vlerave që ka zhvilluar populli yt, por dhe nga njohja e thellë e të ardhmes së vendit në raport me vendet e tjerë. Këta dy komponentë i mungojnë Ramës: sepse nuk i ka dashuruar ndonjë vlerë popullit të tij (nëse do t’i kishte dashuruar do të fliste për vlerat e popullit tonë jo vetëm për vlerat europiane, të cilat, s’janë gjë tjetër, veç konkurrencës, individualizmit dhe konsumerizmit —ideologjia e globalizmit neoliberal—, dhe sundimi i ligjit të elitave borgjeze...) dhe nuk ka dije për të gjykuar të ardhmen e popullit të tij. Këta dy komponentë janë parakushte për ekzistencën e ‘dëshirës’ së një njeriu për të jetuar me një tjetër...    

Pellazgët, grekët dhe ilirët/shqiptarët: cila është lidhja mes tyre?

Çështjet e pazgjidhura me palën greke dhe fiaskua e qeverisë “Rama”

Dy vitet e para në pushtet Rama përdori retorikën për çështjet kombëtare me Serbinë. Vitin e tretë e përdori me Greqinë. Ajo do të intesifikohet meqënse përqindja e mbështetësve të PS-së ka rënë dhe gjendja e përgjithshme social-ekonomike dhe ekologjike do të përkeqësohet: sepse çështjet kombëtare përdoren për të mbuluar dështimin e përgjithshëm të saj. Kështu, siç do të shqyrtojë këtu, Rama dhe qeveria e tij s’ka asnjë mundësi për të zgjidhur çështjet kombëtare me fqinjët tanë, veçanërisht me Greqinë: sepse për të zgjidhur çështjen e ligjit të luftës me Greqinë, varrezat e ushtarëve grekë dhe pronat e popullit shqiptar të Çamërisë, Shqipërisë i mungon, së pari, pavarësia ekonomike dhe rrjedhimisht politike dhe së dyti, argumentet, qoftë lidhur me ligjin e luftës me Greqinë, qoftë lidhur me çështjen “çame” dhe qoftë lidhur me kërkesën e palës greke për krijimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Sa u përket pronave, ato do të shpronësohen në afatgjatë —edhe sikur t’u kthehen çamëve— nga oligarkët (mbi)kombëtar. Sa i përket çështjes “çame”, ajo mund të zgjidhet vetëm nëse qeveria jonë bashkërendon dy objektiva njëherësh: në njërën anë të zhvillojë demokracinë, prodhimin shkencor dhe shpërndarjen e drejtë të tij dhe gjykatën ndërkombëtare ku të kërkohet drejtësi për çështjen “çame”. Për realizimin e objektivit të parë kërkohet dije shkencore dhe sistemike; për realizimin e të dytit, dije juridike dhe historike. Domethënë, një komision i përbërë nga njohës të mirë të së drejtës ndërkombëtare dhe njohjen e mirë të anëtarëve të gjykatës ndërkombëtare dhe historisë. Por le të shqyrtojmë si fillim çështjen e ligjit të luftës:

Greqia shpalli gjëndjen e Luftës me Shqipërinë kur Musolini pushtoi Shqipërinë. Këtë veprim e bëri për të luftuar italianët. Historianët grekë e shpërnjohin faktin se Shqipëria falimentoi dhe u pushtua nga Italia fashiste. Arsyeja pse e shpërnjohin lidhet me krijimin e një “arme” të fortë diplomatike për ta përdorur kundër Shqipërisë në përpjekjet e tyre për të realizuar objektivin e tyre përfundimtar: shkëputjen e jugut të Shqipërisë. Dhe ngaqë ky ligj nuk u shfuqizua nga parlamenti grek, u rikonsiderua në vitin 1966 dhe sot, pavarësisht se qeveria “Papandreu: 1987” e shfuqizoi, ai vazhdon ende të jetë në fuqi: sepse ai duhet të shfuqizohet nga parlamenti grek. Arsyeja tjetër se përse ky ligj është në fuqi është çështja “Çame”. Argumenti që përdor pala greke lidhur me spastrimin e popullatës çame nga Çamëria dhe zëvendësimin e saj me popullatë greke — është se çamët luftuan në Luftën e Dytë Botërore përkrah nazistëve! Por ky argument krijon dy kontradikta kryesore: njëri lidhet me Shqipërinë dhe tjetri me Greqinë.

Së pari, në gjëndjen e krijuar kontribuoi vendimtarisht mbreti Zog, i cili, ndërsa e la Shqipërinë në dinamikën e ‘politikave konçesionare’ dhe ‘borxheve’, për më shumë se 15 vjet, e braktisi atë duke e lënë në mëshirën e qeverisë kuislinge dhe Musolinit. Kështu, pasi Italia fashiste vuri në marsh ushtarët shqiptarë duke nderuar Perandorin e ri, pak ditë pas pushtimit, të vitit 1939-të, qeveria kuislinge dhe Musolini i hodhi në luftë shqiptarët e pushtuar kundër popullit grekë. Dhe meqënse këta të fundit luftuan heroikisht, dhe kontribuan vendimtarisht edhe në çlirimin e Shqipërisë, e konsiderojnë Jugun e Shqipërisë, tokë greke! Kjo është një “tezë” që e ka brujtur kryesisht kisha greke. Së dyti, argumenti se populli çam luftoi përkrah nazizmit dhe ai duhet të asgjësohësh, me dëbim, është dy herë kontraktor: (1) sepse asnjëri nuk mund të vërtetojë përfshirjen tërësore të popullit çam në përkrahjen e nazizmit gjerman dhe, për të njëjtën arsye (2) luftës që i kishte shpallur Italia fashiste Greqisë – Greqia nuk mund t’i përgjigjej me genocid kundrejt popullit shqiptar përsa kohë që shqiptarët ishin viktima dhe të pushtuar. Nga ana tjetër, nëse pala greke këmbngul në kontradiktën e saj, diplomacia jonë mund të përdorte të njëjtin argument për Athinën zyrtare: se meqënse Athina i është gjunjëzuar elitës mbikombëtare dhe është anëtare e NATO-s, luftrat që kjo e fundit ndërmerr, mbi popujt e pafajshëm rreth globit (Irak etj.), bëjnë përgjegjëse edhe Athinën. Dhe nëse popujt e Lindjes së Mesme krijojnë në të ardhmen një rezistencë të mjaftueshme kundër ushtrisë globale të kohëve tona dhe përparojnë në zemër të Europës dhe Amerikës, me qëllim që të largojnë rrezikun...atëherë, nëse ata ndjekin logjikën e Athinës zyrtare, duhet të ushtrojnë genocid mbi popullin perëndimor në përgjithësi dhe mbi popullin grek në veçanti!

Kronologjia e shitjes së Shqipërisë nga kalsa politike dhe qeveria “Rama”

Kërkesa e palës greke për të krijuar varrezat e ushtarëve grekë në vendin tonë, në anën tjetër, është dy herë kontradiktore: një herë kur fsheh qëllimet e saj ekspansioniste në Shqipëri, pas ekspansionit ekonomik (ndërmarrje, banka, pensione etj.), sepse, është e vërtetë se ajo mund të përparojë qëllimet e saj me pelegrinazhet që do të kryejë në varrezat e krijuara çdo vit dhe një herë tjetër kur ajo, bashkë me diplomacinë tonë, shpërnjeh faktin se edhe populli shqiptar ka sakrifikuar jetë të partizanëve në vende të huaj dhe i ka sjellë ata në vendin e lindjes. Qendrimi i qeverisë “Hoxha”, rrjedhimisht, se ushtarët grekë duhet të kthehen në vendin e lindjes, është më se i drejtë. Ndryshe nga ky qendrim, pala jonë propagandoi qendrimin e partisë “çame” se ne do të lejojmë krijimin e varrezave greke vetëm nëse pala greke lejon kthimin e çamëve në Çamëri. Por kjo qasje, jo vetëm që shpërnjeh objektivin e palës greke, domethënë, krijimin e kushteve për pelegrinazhe vjetore, dhe pse jo, të punësimit të shqiptarëve pranë varrezave, kishave dhe në ndonjë sektor tjetër, duke rritur edhe më shumë varësinë ekonomike nga Greqia por shpërnjeh edhe të drejtën ndërkombëtare! Pas bisedimeve që u zhvilluan në Kretë në vjeshtë të vitit 2017-të, nga të cilat palët dolën me deklarata të rezervuara dhe krijuan përshtypjen se ato dështuan, pala jonë jo vetëm që miratoi ndërtimin e varrezave të ushtarëve në Shqipëri por gjithë ndërmarrja do të mbulohet nga shpenzimet e popullit shqiptar!

Në të vërtetë, vetë fakti që bisedimet në fjalë i nxiti pala greke, tregon shumë: se kushtet e krijuar ishin në dobi të palës greke – siç edhe e pohoi vetë ministri i jashtëm grek, Koxhias, pas bisedimeve. Kështu pala jonë – si kretine — në kushte gjeopolitike të dobishme për Greqinë pranoi të “bisedonte” çështjet e mbetura pezull dhe doli, siç pritësh, jo vetëm me humbje kur pranoi të ndërtojë varrezat në tokën shqiptare me gjithë pasojat afatgjatë që do të ketë ky vendim në hapësirën përkatëse por çdo qeveri shqiptare do t’i nënshtrohet Athinës, përjashto mundësinë kur populli ynë kupton kushtet gjeopolitike (nga kush do t’i kuptojë?) që janë krijuar në të cilët ka kontribuar dhe ai me veprime dhe mosveprime dhe përqafon një program-projekt që do të synonte çlirim social dhe kombëtar – domethënë, pavarësi ekonomike dhe politike. Pala greke shkoi dhe më tej pas bisedimeve: kërkoi të zgjerojë nga 6 në 12 milje zonën detare të saj duke filluar nga deti Jon. Domethënë, doli siç parashikova në shtyp: se nga “bisedimet” pala greke do të dilte disafish e fituar: jo vetëm detin dhe pasurinë e tij nëntokësore por edhe varrezat dhe dobi të tjera: duke i shkëmbyer vetëm me “mbështetjen” greke në BE dhe heqjen e ligjit të luftës pas të cilit mund të vijë një fazë tjetër për rivendikimin e pronave çame në Çamëri...në dijeni të plotë se kur të ‘futet’ Shqipëria në BE, Greqia do të ekspansionohet edhe më shumë në Shqipëri. Është në dijeni pala shqiptare për këto efekte? Besoj se jo. Edhe nëse supozojmë se është, dhe ka menduar se në afatgjatë do të dalë me dobi nga ‘mbështetja’ greke pavarësisht humbjeve dhe “fitoreve” nga bisedimet përkatëse, si do ta frenojë ekspansionin e kapitalit grek në Shqipëri kur përmbysja e kushteve social-ekonomike dhe gjeopolitike në raport me Greqinë kalon nga pavarësia ekonomike e vendit tonë dhe të qenit në BE na bënë edhe më shumë të varur nga gjeopolitika greke?

Nga ana tjetër, qeveria e “majtë” greke, për të cilën shumë kretinë nga anët tona dhanë kontributin e tyre duke e mbështur, nuk quhet ‘fashiste’ me ekspansionin e saj në det: sepse për ekspansion ose zgjerim territorial bëhet fjalë! Në raundin e dytë të bisedimeve në Korçë gjatë janarit (2018) u ndoq e njëjta ‘taktikë’: bisedimet u zhvilluan të mbyllura dhe pas mbarimit të tyre, palët dolën me një deklaratë të përbashkët duke argumentuar se dialogu do të vazhdojnë në muajt në vijim. Pak ditë pas këtyre bisedimeve filloi rrëfimi i palës greke se çfarë ishte biseduar dhe pranuar nga pala shqiptare. Kocias pohoi se pala jonë kishte pranuar të gjitha kërkesat greke (detin, varrezat, librat shkollor etj.). Pala jonë (Bushati) iu përgjigj këtij pohimi me një gjuhë diplomatike: as uthull e as verë! Ndërsa Rama kundërshtoi sulmet që i erdhën nga opozita zyrtare (LSI etj.) duke këshilluar që të prisinin nënshkrimin e marrëveshjes! Në të vërtetë kjo është një ‘taktikë’ që synon të zbusë reagimin e popullit. Duhet thënë, edhe një herë, se edhe nëse në qeveri do të ishte PD-ja dhe LSI-ja, njëlloj do të vepronin: sepse të gjiha këto parti synojnë të integrojnë vendin në BE. Dhe ky integrim kalon dhe nga vota (ose mbështetja) greke. Kështu, në vend të ‘integrohet’ në BE me ‘meritë’ – domethënë, duke punuar për të rritur ‘standartet’ që kërkon BE-ja – vendi ynë integrohet me “mik” ose me mbështetje nga miqtë tanë jugor që historikisht kanë qenë armiq. Partitë e sapo përmendura e kanë provuar prej vitesh që ‘stadartet’ e BE-së nuk i realizojnë dot. Përkundrazi, ato kanë punuar intensivisht të pengojnë realizimin e standarteve përkatëse. Reforma në drejtësi është penguar ndërsa kur ishin në qeveri kanë qenë të zhytur në korrupsion dhe krim shtetëror. Për ‘opozitën’ në fjalë ky është një rast tjetër për ta shfrytëzuar dhe krijuar bindjen në popull se një ditë do të qeverisin vendin dhe do të sjellin rezultate të mirë me palën greke, kur ata të dialogojnë për çështjet në fjalë!

Qartësisht, bëhet fjalë për një klasë politike kriminale që nëse nuk protestohet, për këtë çështje dhe shumë të tjera, Greqia në afatshkurtër do të realizojë të gjitha kërkesat e saj, dhe në afatgjatë, do të përparojë dhe ndoshta realizojë objektivin e saj shekullor: përvetësimin e jugut të Shqipërisë. Kushtet e varësisë janë krijuar dhe klasa politike greke e di mjaft mirë efektin e kësaj varësie. Aktualisht deputetët grekë (me origjinë shqiptare!), dhe veçanërisht të “Agimit të Artë”, janë duke mbështetur ministrin e jashtëm grek, Kocias, për të përparuar realizimin e kërkesave të tyre. Kujtoj se “Agimi i Artë” mbështetet tërthorzi (dhe shpesh drejtëpërdrejt) nga kisha greke. Jo thjesht ‘politikisht’. Por edhe ‘financiarisht’. Kujtoj, gjithashtu, se kisha greke është e pasur dhe ka mundësi të diktojë dëshirën e saj mbi partitë politike. Nga këndvështrimi pushtetor –se sa pushtet zotëron–, pushtet politik, ekonomik dhe social, kisha greke është e para në Greqi. Pastaj vijnë partitë. Për të njëjtën arsye, ajo ka mundësi të diktojë çdo politikë në qeveritë greke, qoftë edhe nëse nesër vijnë në pushtet të ashtuquajturit “komunistë”. Dhe për të njëjtën arsye, për shkak të pushtetit social –shumica e popullsisë greke është fetare dhe i bindet elitës fetare– ka mundësi të mobilizojë popullin në protesta nëse cënohet karakteri i shtetit grek. Shembull konkret janë mobilizimet e popullit grek kundër pretendimeve të bullgaro-serbëve për ta quajtur veten “maqedoni”. Ndryshe nga kjo elitë, ne elitat fetare i kemi të shitura dhe të diktuara nga të huajt dhe, për sa kohë që ato nuk mbajnë një qendrim për çështje kombëtare për aq kohë fetarët shqiptarë nuk mobilizohen në protesta! Kështu nëse grekët e kanë shumë më të thjeshtë se ne mobilizmin e popullit – ne e kemi të vështirë, pikërisht sepse elitat fetare janë krijuar nga të huajt, kryesisht nga popuj historikisht armiq, me lejen e partive tona politike! Se si mund të zgjidhen çështjet në fjalë, rrjedhimisht, kalojnë së pari nga protesta, duke kundërshtuar gjithë marrëveshjen me palën greke, jo thjesht çështjen e detit, dhe krijimit të një dijësimi në popull për efektet që kanë politikat neoliberale për popullin tonë në veçanti.              

Mungesa e pushtetit ekonomik minon pushtetin politik

Dihet tashmë se humbja e pavarësisë ekonomike minon pavarësinë politike. Për të njëjtën arsye Athina zyrtare po luan edhe me “kartën” e shfrytëzimit të naftës që besohet se gjendet në ujërat e detit Jon në jug të Shqipërisë duke shpalosur njëherësh dy kontradikta: një herë kur luan me “kartën” e Uashingtonit —sepse është ky i fundit që nxit naftënxjerrjen në rajon, i cili, për më shumë, propagandon ‘varësinë’ e rajonit dhe Europës nga Rusia dhe anashkalon ‘monopolizimin’ e sektorit të energjitikës— dhe një herë tjetër kur shpërnjeh efektet katastrofike në mjedis që shkaktohen nga ndërmarrjet naftënxjerrëse dhe industria kapitaliste. Por siç kam treguar në vend tjetër,[1] ndërmarrjet naftë-nxjerrëse shfrytëzojnë kryesisht rreshpet (shale) për rezerva, sesa rezervuarët. Kjo praktikë nënkupton, se ndërsa për shfrytëzimin e rezervuarëve ndërmarrjet shpojnë vertikalisht për të gjetur rezervuarë me naftë, për rreshpet, ato shpojnë si fillim vertikalisht, dhe më pas, horizontalisht. Kjo nënkupton gjithashtu se në çdo lloj shpimi, ndërmarrjet mund të shfrytëzojnë një zonë të nëndheshme, mjaft të madhe: ato mund të shpojnë, fjala vjen, në Korfuz dhe të thithin naftë në themelet e Sarandës. Për shembull, në Paris,[2] gjeologët zbuluan në thellësi të qytetit naftë që në vitet ‘50-të të shekullit të kaluar. Dhe falë zhvillimit të teknologjisë ministria franceze e energjitikës linçesoi në vitin 2012-të një ndërmarrje amerikane (Hess) për të shkuar jashtë qytetit dhe për të shpuar. Tashmë venduzat e saj gjënden poshtë qytetit dhe thithin mbetjet e naftës! Nuk është e rastit që Athina zyrtare është këshilluar për këtë teknologji nga ekspertët e fushës.[3]

Kështu, Greqia luan politikisht me Shqipërinë, jo thjesht për të shkaktuar një konflikt të kontrolluar me qëllim që më tej të ketë dorën e lirë për të kontrolluar rezervat e naftës e gazit natyror që gjenden në detin Jon,[4] sepse burimet energjitike kontrollohen kryesisht nga Uashingtoni, qoftë në prodhim qoftë në treg,[5] por që të përparojë interesat e saj afatgjatë në Shqipëri. Tensioni midis Athinës dhe Tiranës lidhur me këtë çështje është në interes të drejtpërdrejt të Uashingtonit: sepse vetëm kështu ai mund ndërmjetësojë në mosmarrëveshjet tona ose përmes mosmarrëveshjeve - Uashingtoni krijon kushtet për të qenë i pranishëm në çështje gjeostrategjike. Qeveria e re “radikale” dhe e “majtë” e SYRIZA-s, pas deklaratës së Ramës se “me Athinën Shqipëria nuk negocion interesin kombëtar”, reagoi duke na treguar “arsyen, respektimin e ligjshmërisë dhe të drejtën ndërkombëtare”![6]Me këtë qendrim “SYRIZA” tregon qartë se kërkon të përparojë projektin e Uashingtonit dhe të përdorë projektin e Rusisë si kundërpeshë. Mirëpo, ndërsa disa gazeta vigjilente dhe të ndershme (jo “prestigjoze”) në Greqi e kanë kuptuar lojën e Uashingtonit dhe e quajnë “erdhi çasti që të na vënë të...grindemi me Shqipërinë”,[7] në Shqipëri, “patriotët”...vazhdojnë të flenë! Më konkretisht, ndërsa gazeta “Kathimerini” kundërsulmon “rezistencën” e Ramës duke ndjekur udhëzimet e Ciprës, gazeta të tjera greke tregojnë se burimet e naftës në Jon do t’i shfrytëzojë Izraeli me ftesë “speciale” të qeverisë greke! Dhe cila: qeveria e cila erdhi në pushtet duke premtuar riorganizimin e sektorit publik, ku sektori i energjitikës ishte kryesori, kërkon të privatizojë me të huajt, detin Jon! Si mund të operosh në pavarësi nga Uashingtoni kur vetë ai, bashkë me “intelektualët” e të “Majtës” globaliste, promovoi (dhe ndoshta sponsorizoi) qeverinë e “majtë” greke e cila përsa kohë që ishte në opozitë propagandonte ‘simptomat’ (dhe jo shkaqet e vërtetë!) të krizës greke: politikat e kursimit?!   

Në anën tjetër, Greqia ka krijuar parakushtet për të përparuar interesat e saj afatgjatë në Shqipëri pavarësisht “rezistencës” aktuale: (1) shkollat dhe Kishat janë ngritur dhe fëmijët janë në proces të asimilimit qoftë në bankat dhe veprimtaritë shkollore qoftë kur të dalin nga ato - meqënse predispozohen se do të punojnë si punëtorë në ndërmarrjet dhe bankat greke dhe, “argat” në pronat greke; (2) bankat tregëtare janë integruar në sistem përmes të cilave financohen kryesisht ndërmarrjet greke në Shqipëri — ku pronarë janë grekët dhe punëtorë shqiptarët; (3) minoritarët marrin pensione; (4) shqiptarët shfrytëzohen dhe përdoren si “peng” në Greqi; dhe (5) numëri ndërmarrjeve greke është në rritje. Grekët, në fjalë të tjera, janë integruar në arsim, institucione dhe treg.   

Ekspansioni i kapitalit grek në Ballkan

Greqia ka më shumë se 8000 ndërrmarrje që aktivizohen në Ballkan, nga të cilat në Shqipëri më shumë se 270 ishin në vitin 2002, dhe në vitin 2014-të, janë më shumë se dyfishuar: rreth 550 ndërmarrje. Ka gjithashtu 45 ndërmarrje që aktivizohen në Rusi.[8] Sektorët më të rëndësishëm në të cilët aktivizohen ndërmarrjet greke janë bankat, ndërtimi, industria, shërbimet e shëndetësisë, telekomunikacioni dhe tregëtia. Nga investitorët e parë është Banka Alfa, Banka Kombëtare dhe Banka Peiraios (Pireos). Bankat greke në vitin 2013-të zotëronin 17.98% të tregut bankar dhe 17.48% të depozitave. Ndërsa kriza në Greqi thellohet dhe pesë vitet e fundit janë mbyllur më shumë se 200 mijë biznese dhe kanë humbur më shumë se 700 mijë vende pune, sasia e investimeve në Shqipëri është rritur: nga 782 milion euro në vitin 2012 në 1.1 miliardë në vitin 2013 duke përfaqësur 26% të gjithë investimeve të huaja.[9]

Përfundime

Në Ballkan Shqipëria kërcënohet kryesisht nga Greqia sesa, për shembull, nga Serbia.[10] Sepse në Greqi pushteti ekonomik u trashëgua dora dorës dy shekujt e fundit dhe nuk është ndërprerë nga ndonjë rend social-ekonomik radikal ndërsa në Serbi u zhvillua pas rrënimit të socializmit. Pushteti ekonomik, me rradhë, falë Globalizmit Neoliberal dhe Uashingtonit (sepse Londra është tërhequr disi), krijon parakushtet për minim “nga poshtë” të politikës sonë kombëtare. Të dy vendet kanë Kisha të forta dhe ato luajnë rol vendimtar për politikën e brendshme dhe të jashtme: në politikën e ‘brendshme’ sa i përket jetëgjatësisë së një qeverie dhe orientimit të saj; në të ‘jashtmen’ sa i përket politikave lidhur me fqinjët. Greqinë dhe Serbinë, për më shumë, i bashkon feja. Koordinimi i tyre mund të ndikojë shumë në qeveritë përkatëse dhe në politikat me fqinjët. Për shembull, duke ushtruar presion mbi qeveritë përmes protestave. Sepse përqindja më e madhe e popullatës është e krishterë dhe mund të mobilizohet lehtë. Për shembull, kundër emërit të Maqedonisë, Kisha greke mobilizoi në vitin ‘92 në Selanik rreth një milion qytetarë. Forcat nacionaliste janë një tjetër burim mobilizimi. Nuk do të ishte e çuditshme që vitet e fundit ato kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre subversive në Shqipëri. Historikisht popujt që dominohen nga propaganda etnocentriste, dogmat fetare dhe obskurantizmi, siç dominohet Greqia moderne, dhe tashmë edhe Serbia, mund të përdoren nga nacionalizmi ekstrem me sukses të jashtëzakonshëm. Por kisha greke është më e pasur se kisha serbe dhe ka përvojë më shumë se dy qind vjeçare në politikat e saj asimiluese. Për të njëjtën arsye ajo është më e rrezikshme se kisha serbe. Një rrezik tjetër për Shqipërinë është edhe Turqia: ajo tashmë ka hartuar politikat e saj neokolonialiste në Ballkan. Shkurt, Shqipëria rrethohet nga vende teokratike dhe konservatore dhe aktualisht, është mjaft e ekspozuar ndaj rreziqeve. Ajo do të vazhdojë të jetë e tillë përsa kohë që populli shqiptar nuk do të ketë kuptuar shkaqet e ‘minimit’ të politikave kombëtare dhe sociale.   

Qeveria aktuale e ZYRIZA-s, të cilën masmedia mbikombëtare e paraqet si “radikale” dhe të “majtë”, jo vetëm që nuk është “radikale” dhe përfaqëson falimentimin par excellence të së “Majtës” globaliste, nëse gjykojmë nga përbërja e anëtarësisë së qeverisë, nga ato që shkruajnë dhe thonë lartë e poshtë dhe nga pranimi i memorandumit të ri, të hartuar nga trojka dhe, për të njëjtën arsye, ajo s’ka as unitet për politikat afatgjatë të vendit (një qendrim të qartë gjeostrategjikë). Qeveria e SYRIZA-s ishte e ndarë në tre kampe: ata që mbështesnin të dalnin nga Eurozona (jo nga BE-ja!); ata që kërkonin të luanin me trojkën (Varoufakis etj.) dhe ata që kërkonin një marrëveshje me të.[11] Pasi “reformimit”, qeveria e SYRIZA-s dominohet nga të fundit dhe zërat “radikalë” u skajuan. Ajo është e tillë sepse nuk ka përpunuar një program (për mos të përmendur ‘projektin’) të qartë për të nxjerrë vendin nga abscesi në të cilin e ka zhytur elitat (mbi)kombëtare. Sepse përgjatë kohës kur ishte në opozitë propagandonte tezën se kriza greke buron nga “politikat kursimtare” që ka imponuar trojka mbi popullin grek në veçanti dhe popujt europian në përgjithësi —dhe për të njëjtën arsye, premtoi se do t’i anulonte ato me politika inflacioniste, d.m.th. me politika monetare të cilat do të nxisnin kreditimin e ekonomisë! Por falë naivitetit dhe iluzionit të saj, dhe qasjes joshkencore të krizës, politikat kursimtare do të vazhdojnë për pesëdhjetë vitet e ardhshëm. Megjithëse përpjekja për “qethjen” e borxhit vazhdon...

Kështu, pavarësisht se Greqia ndryshoi qeveri, ajo nuk do të vazhdojë vetëm politikat e kursimit por edhe politikat ekspansioniste në rajon: sepse ndërsa Kisha greke nuk mund të ‘ndahet’ nga politika e Athinës me një qeveri që është pa program-projekt dhe vasale e elitës mbikombëtare, bisnesi grek do të vazhdojë ta braktisë vendin e origjinës dhe do të instalohet edhe më shumë në vendin tonë, meqënse kostua e punës është e lirë dhe fitimet të majme. Për të njëjtën arsye Vangjel Dule, Piro Dhima, Vasil Bollano dhe Jorgo Goro, i cili adopton doktrinën masone në nivel rajonal,[12] e të tjerë si këta, do të vazhdojnë të minojnë politikat tona kombëtare, sidomos kur përballen me “patriotë” shqiptarë më naivë se ta. Për shembull, Shpëtim Idrizi, pasi harron dhunën sistemike që ushtrohet mbi çamët që jetojnë ende në Çamëri dhe në vise të ndryshme të Greqisë, nga Athina zyrtare, me kërcënimin e papunësisë, për mos të thënë me eliminim fizik, gjithashtu dhe identifikimin e ‘shkaqeve’ të genocidit që u ushtrua mbi popullin çam, braktisë pretendimet territoriale dhe adopton doktrinën europiane —që është, sipas tij, ‘e drejta e lëvizjes së lirë, e pronës, [dhe] e shtetësisë’![13] Idrizi, me këtë qasje, nënkupton ri-atdhesimin e çamëve në Greqi dhe ri-pronësimin e tokave, duke përdorur kartën e të “drejtës” europiane, për të drejtën e pronës. Por nënkupton gjithashtu se prona mund të blihet qoftë nga kapitalistët e mëdhenj grekë qoftë të huaj. Dhe e drejta e pronës private, që është një ndër kërkesat bazë të BE-së qoftë edhe për Shqipërinë, nënkupton se prona ose toka (si çdo pasuri tjetër tokësore dhe njerëzore) do të jetë subjekt shit-blerjeje i kapitalit të huaj. Kjo nënkupton gjithashtu se meqënse sovraniteti i kombeve ka humbur, dhe kombet janë subjekt i elitës mbikombëtare, dhe mund ta shkatërrojë një vend kur dhe si të dëshirojë,[14] mund të zhvlerësojnë pasuritë e kombeve, si sot në Greqi dhe, t’i blejnë ato për pesë qindarka. Çështja “çame”, rrjedhimisht, zgjidhet përmes dy objektivave që citova më lartë. Domethënë, qeveria shqiptare duhet të përpiqet të rrisë shkallën e pavarësisë ekonomike (që nënkupton ndryshimin tërësor të sistemit dhe dinamikës) dhe ta çojë çështjen në gjykatën ndërkombëtare. Përmes objektivit të parë ajo mund të “nxisë” dëshirën e çamëve që jetojnë ende në Greqi për t’u bashkuar me Shqipërinë. Dëshira, me rradhë, do të nxisë protesta. Dhe protestat, vëmendjen e perëndimorëve. Përmes objektivit të dytë, ajo e mban çështjen të ndezur në gjykatën ndërkombëtare. Ndërsa përmes të parit, të ndezur në zemrat e çamëve. Kështu ngadalë, zgjidhja e çështjes “çame” merr udhë. Në vend të kësaj strategjie, afatgjatë, Rama ka zgjedhur të iluzionojë shqiptarët: sepse vepimet e tij përqendrohen në masmedia dhe bisedime dypalëshe. Kërkon, për shembull, t’i zgjidhë problemet me palën greke, duke i ftuar për bisedime. Por qeveria e SYRIZA-s nuk ka asnjë mundësi të negociojë qendrimet zyrtare të Athinës lidhur me çështjen “çame”: sepse ajo dominohet nga Kisha greke. Rama vepron kështu, sepse dy objektivat që citova më lartë, s’i ka në mendje, dhe rrjedhimisht, as mund t’i pretendojë. Në këtë kuptim, përpjekja e tij është një butafori mashtruese që synon të rrisë përqindjen e mbështetësve në zgjedhjet e ardhshme...

 

 


[1]Mega-projektet dhe energjia teknologjike, pjesa e tretë.

[2]Hess Takes Control Of Paris Basin Interests, Natural Gas, Europe, June 11, 2012.

[3]Greetings… from Athens,Dr. Kent Moors, June 17, 2011.

[4]Dita, 24 maj 2015.

[5]Shih, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe liria e popujve.

[6]Reagon MPJ greke, Dita, 27 Maj 2015.

[7]Ἔφθασε ἡ στιγμὴ νὰ μᾶς βάλουν νὰ …φαγωθοῦμε μὲ τὴν Ἀλβανία! Filonoi.gr,29 Μαΐου 2015.

[8]Ελληνική εκστρατεία στη ρωσική αγορά, Κόσμος του Επενδυτή, 25 Shtator 2002. Sipas raportit, eksportet greke në Rusi janë 80,5% ndërsa eksportet Ruse drejt Greqisë janë 98,37%. Gjithashtu, Rusia furnizon Greqinë me gaz natyral dhe naftë me rreth 77,14%. Η Αλβανία των 550 ελληνικών επιχειρήσεων, Ελευθεροτυπία, 19 Οκτωβρίου 2014.

[9]Shqipëria“magnet” përkopmanitë greke, TopChannel, 15/05/2015.

[10]Shqipëria dhe Serbia: nga sfidat drejt perspektivave.

[11]Shih, për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë, pjesa e parë.

[12]Për shembull, Goro citon së fundmi për BBC se‘Ne nuk duam që gjuhën greke ta mësojnë vetëm nxënësit e shkollave greke. Ne duam që këtë gjuhë të mund ta mësojnë të gjithë ata që dëshirojnë dhe japin mundësinë që ta vënë si gjuhë të dytë edhe në shkollat shqiptare...Siç e dimë 80 përqind e himariotëve kanë karta identiteti greke dhe shqiptare dhe ata mund të marrin pjesë në zgjedhje edhe në Greqi, edhe në Shqipëri kjo është një gjë e mirë...Qëllimi ynë është që ne të jemi në krye duke ditur gjithçka. Me mënyrën tonë përpiqemi ta arrijmë këtë gjë!Jorgo Goro: Gjuhën greke ta bëjmë gjuhë të dytë në shkollat shqiptare,Tema, 6 Dhjetor 2012.

[13]Rezoluta e plotë për çështjen çame, të hënën në Kuvend test për shumicën, Tema, 9 Dhjetor, 2012.

[14]Shih, për shembull, ‘The Corfu controversy: How the world really works, The Independent, 26 October 2008.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA