Papërgjegjshmëria kriminale e klasës politike, akademike dhe gazetareske lidhur me detin Jon
Çështja nuk shtrohet se nëse qeveria “Rama” po “kurthohet” nga grekët —këta siç tregoj në vazhdim nuk e njohin mjaftueshëm të drejtën ndërkombëtare— siç argumentojnë “mendimtarët” e “Ditas”, apo se do të humbasim në gjykatën ndërkombëtare siç argumentojnë shumë, disa prej të cilëve i përmenda, por se nëse qeveria “Rama” ka mundësi të përdorë të drejtën ndërkombëtare pavarësisht se çfarë mund të bëjë gjykata. Përgjigjja që marrim është se qeveria “Rama” nuk mund ta përdorë të drejtën ndërkombëtare meqë nuk ka dije lidhur me të dhe për pasojë —dhe sidomos nëse në trupën gjykuese përfshihet ndonjë gjykatës filogrek apo klasa politike greke i korrupton— ne mund të humbasim. Sigurisht që vendimi i gjykatës përkatëse mund të apelohet. Por jemi në gjendje ne t`i përballojmë shpenzimet? Jo! Ose mund t`i përballojmë me ndonjë “ndihmë” financiare nga Athina!
Ylli Përmeti
18/09/2020 - 18:01
Partia konservatore e Miçotaqit, pasi fitoi pushtetin në zgjedhjet e radhës, në kulmin e tensioneve me Turqinë, filloi të përdorte qeverinë “Rama” për të rifilluar negociatat lidhur me përcaktimin e zonës ekonomike në veri të Korfuzit ose përballë Sarandës. Si fillim veproi ministri i jashtëm duke njoftuar në faqen e tij elektronike se kishte folur në telefon me Ramën ndërsa një ditë më pas veproi Miçotaqi me një deklaratë në kuvend se Greqia zgjeron ujërat territoriale në veri të saj dhe për pasojë, ajo bëhësh më e madhe. Domethënë, se qeveria e tij realizon atë çka pararendësit e tij nuk realizuan! Më pas filluan “debatet” në televizione dhe shtyp në vendin tonë ku si akademikët ashtu dhe gazetarët treguan gjysëm të vërteta dhe shpesh të pavërteta. Por le ta fillojmë këtë shqyrtim nga kuptimi i të drejtës ndërkombëtare lidhur me ndarjen e ujërave detare mes shtetesh: si u zhvillua ajo, pse dhe cilët parime përdoren. Për ta kuptuar do të citoj përmblethtas një pjesë nga një studim të realizuar nga një autor norvegjez — studim që duhet ta kishin realizuar edhe akademikët tanë përpara se të tregonin gjysëm të vërteta dhe shpesh të pavërteta. (“The Geopolitics and Geoeconomics of Maritime Spatial Disputes in the Arctic”, Andreas Østhagen, Fridtj of Nansen Institute, Oslo, Norway, 18 July 2020). Kujtoj edhe një herë se gjithë klasa politike dhe akademike dhe gazetarëve shpërnjeh gjeopolitikën greke në rajon dhe varësinë që ka krijuar vendi ynë në raport me Greqinë si pasojë e gjeopolitikës së saj. Kujtoj, gjithashtu, se ministria e jashtme greke ka pranuar gjatë kohës kur zhvilloheshin “negociata” me qeverinë “Rama/Cipra” faktin se ajo sponsorizon gazetarët në Shqipëri dhe jo vetëm dhe hamendësisht dhe agjentët e saj. Por le të kuptojmë aspektet e të drejtës ndërkombëtare meqë shumë po e përdorin si (kundër)argument.
Historia e zhvillimit të drejtësisë ndërkombëtare për ujërat detare
Nga viti 1648 deri në vitin 1990 të paktën 79% e gjithë luftrave janë shkaktuar për çështje territoriale ndërsa grindjet territoriale shqetësojnë 41% të gjithë shteteve sovrane sot. Në shekullin e 18 ujërat territoriale përcaktoheshin në bazë të ‘fluturimit të predhës së topit’ nga toka — një ide që u zhvillua nga van Bynkershoek në vitin 1703, që më vonë u përcaktua në tre milje nga Galiami. Lidhja e Kombeve u përpoq ta kodifikonte në ligj ndërkombëtar shqetësimin e ujërave territoriale në Hagë në vitin 1930 por kurrë nuk arriti të realizonte një marrëveshje. Më pas, në vitin 1945, presidenti amerikan Truman deklaroi se burimet natyrore të pragut kontinental ishin nën juridiksionin e posaçëm të shteteve bregdetare. Ky qendrim përparoi shpejtë duke diskutuar se cilat ishin të drejtat e shteteve përtej 3 miljeve. Në mbrothësinë e kësaj deklarate nuk ishte vetëm fuqia e SHBA-së pas luftës së dytë botërore por gjithashtu parimi i të drejtës për çdo shtet bregdetar në të njëjtat të drejta dhe fakti se këto të drejta sovrane nuk vareshin nga pushtimi. Kjo qasje u kodifikua më vonë në Konventën e Gjenevës lidhur me Pragun Kontinental, i cili ruajti perspektivën e posaçme të juridiksionit të shtetit bregdetar mbi burimet e jashtme të shtratit të detit. Në të njëjtën kohë disa shtete filluan të zgjeronin detet territoriale nga tre në dymbëdhejtë milje ndërsa bisedimet për regjimin e ligjit ndërkombëtar zhvilloheshin.
Kjo fazë çoi në konflikte rreth hapësirave detare afërndenjësve dhe mbindenjëse. Ligji i parë dhe i dytë i Konferencave Detare u mbajtë në 1956-1958 dhe 1960, pa realizuar një marrëveshje përfundimtare mbi shtrirjen e detit territorial ose shtrirjen e të drejtave të Shteteve dhe juridiksioni u zgjerua më tej jashtë vendit përtej detit territorial. Më pas pasuan bisedime prej dhjetra vitesh të cilat synonin në zhvillimin e një kuadri ligjor koherent për detet; në vitin 1982, shumica e shteteve u pajtuan në një regjim ligjor të përgjithshëm: Konventa e OKB-së mbi Ligjin e Detit - UNCLOS. Kur u pajtua rreth tij, ai siguronte racionalen ligjore për shtetet për të zbatuar zona të reja detare mbi 12 milje me 200 milje zonë ‘burimore’ ose ‘peshkimi’ – ajo çfarë u quajt Zona e Posaçme Ekonomike e cila u nxit kryesisht nga vetdija në rritje e mundësive për vjeljen e burimve natyrore detare (hidrokarbure, peshik, minerale) dhe dëshira e shteteve për të siguruar fitime të mundshme në të ardhmen. Kur shtetet filluan të zgjeronin zonat e tyre detare nocioni i bazës së drejtë të relevimit u shfaq. Kjo ishte vija gjatë bregdetit nga e cila kufizimet e detit mateshin dhe skicoheshin. Në vend të skicohësh baza e relevimit e zonës bregdetare gjatë bregdetit duke ndjekur gjithë veçoritë, disa shtete me bregdet të dhëmbëzuar ose me ishuj të shumtë rrethues filluan të skiconin vija të drejta gjatë bregdetit, duke pretenduar më shumë hapësirë detare se një vend me bregdet të sheshtë.
Britania çoi një rast kundër Norvegjisë që lidhësh me këtë praktikë në gjykatën ndërkombëtare, e cila në vitin 1951 mbështeti qasjen norvegjeze lidhur me vijat e drejta të relevimit me rastin anglo-norvegjez të peshkimit. Si pasojë, shtetet kaluan në pak dekada nga kontrolli i një zone të kufizuar detare (zakonisht vetëm 3 milje) në marrëveshje ndërkombëtare mbi zgjerimin e zonës detare ku shtetet kanë sovranitet të plotë në një maksimum prej 12 milje ndërsa shtuan zonën e posaçme ekonomike ku shtetet kanë disa të drejta sovrane për 188 milje. UNCLOS konkludonte gjithashtu se shtetet kanë të drejta sovrane mbi pragun kontinental deri në 200 milje dhe, në disa raste, përtej 200 miljeve ku pragu është një zgjatje nga masa tokësore e shtetit bregdetar duke parashtruar këto të dhëna kufizuese në Komisionin mbi Kufizimet e Pragut Kontinental (CLCS). Kufizimi i këtyre pretendimeve u përcaktua deri në 350 milje nga baza e relevimit të një vendi, ose jo të tejkalonte 100 milje përtej pikës ku shtrati i detit është 2500 m i thellë. Me 168 ratifikime deri në vitin 2020, UNCLOS është bërë pjesë e një kuadri më të gjerë të politikës dhe ligjit ndërkombëtar.. .
Shumë nga klauzolat e tij sot reflektojnë të drejtën ndërkombëtare doganore, e cila është e detyrueshme përgjithësisht mbi çdo shtet dhe nuk kufizohet vetëm në palët e UNCLOS. Ky regjim ligjor që mori dekada për t`u zhvilluar ka lejuar shtetet të realizojnë një marrëveshje relative se si të zgjidhin çështje që u shfaqën shekuj më parë.
Baraslargësia dhe barazia në drejtësi: parime themelore për ndarjen e ujërave detare
Për realizimin e këtij ligji ndërkombëtar është zhvilluar parimi i ‘baraslargësisë’ (ekuidistanca). Ndërsa zonat dhe interesat shtetërore ndaj tyre u rritën në axhendat politike në mes të shekullit 20 dhe nevoja për kufizimin e tyre u rrit, koncepti i ‘baraslargësisë’ doli në pah. Ky parim udhëzues u përball me një parim tjetër, atë të barazisë në drejtësi ose paanësisë (equity). Balanca mes këtyre dy parimeve ka ndryshuar gjatë fundit të gjysmës së shekullit, dhe ky tension është vendimtar në kuptimin se si shtetet zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre detare (dhe parimet që udhëheqin këto procese). Baraslargësia përfshin një kufi që i përket vijës së mesit së një largësie të barabartë (baraslargësi) në çdo pikë e vijës bregdetare të çdo shteti. Ky parim është kodifikuar në artikullin 6 (2) të Konventës së Gjenevës, 1958 mbi Pragun Kontinental, i cili udhëzon shtetet me pretendime mbivendosëse...por ligji ndërkombëtar nuk është një tërësi rregullash statikë por një proces që zhvillohet përgjatë kohës.
Vëmendja që u dha në rrethanat ‘përkatëse’ ose ‘të veçanta’ çoi në interpretime të ndryshme mes shtetesh. Për më shumë gjatësia bregdetare dhe ndryshorë të tjerë gjeografikë, interesa sigurie dhe vendndodhja e burimeve natyrore u janë dhënë kohë pas kohe peshë në pak vendime të gjykatës ndërkombëtare. Kjo është quajtur ‘barazi në drejtësi’, si një dallim parimor nga ‘baraslargësia’. Veçanërisht rasti mes Danimarkës, Gjermanisë Perëndimore dhe Holandës në vitin 1969 nxiti parimin e barazisë dhe baraslargësisë kundër njëri-tjetrit. Danimarka dhe Holanda kërkonin përdorimin e baraslargësisë ndërsa Gjermania Perëndimore kërkoi një ‘ndarje të drejtë dhe të barabartë’ të zonës në mosmarrëveshje. Duke ravijëzuar qasjen e kufirit detar në përgjithësi, gjykata vendosi që kufizimi duhet të ‘bëhet në përputhje me parime paanshmërie...duke konsideruar gjithë rrethanat përkatëse’.
Për më shumë, gjykata paraqiti konceptin e ‘zgjatimit natyral’ të pragut kontinental – gjithashtu dhe veçoritë e pragut në diskutim kanë rëndësi për kufizimin mes shtetesh. Megjithëse gjykata përcaktoi se atje ‘s`ka kufizim ligjor’ në numrat e faktorëve që lidheshin me kufizimin e pragut, këtu u përcaktuan si fillim si gjeologji, dëshira për të mbajtur bashkë depozitat e burimeve natyrore, dhe përpjestim (raporti mes ujit dhe zonës së pragut që lidhet me çdo shtet dhe gjatësia e bregdetit të tyre). Kështu shtetet nuk u detyruan për të zbatuar parimin e baraslargësisë; drejtësia u pa si zgjerim përtej baraslargësisë. Vendimi i gjykatës ndryshoi në vitet 1960-70 nga metoda e baraslargësisë dhe drejtësisë objektive. Kjo përfshin jo vetëm baraslargësinë por dhe paanësinë e cila u paraqit si parim udhëzues për vendime detare. Kështu ligji ndërkombëtar nuk tregon se si shtetet të zgjidhin mosmarrëveshjet por thjesht arsyeton për ‘zgjidhje të barabartë’.
Sidoqoftë, vendimet e gjykatës dekadat e fundit kanë përkrahur një interpretim më të rreptë duke përfshirë rrethanat përkatëse dhe duke theksuar faktorët gjeografikë në një qasje me tre faza në kufizimin e kufijëve detar siç u ravijëzua në rastin e Detit të Zi mes Rumanisë dhe Ukrainës në vitin 2009. Së pari, themelohet një ‘vijë kufizuese e përkohshme’ mes shteteve në mosmarrëveshje bazuar në baraslargësi. Së dyti, jepet rëndësi në ‘rrethanat përkatëse’ që mund të kërkojnë një ndreqje të vijës për të realizuar një ‘përfundim të barabartë’. Së treti, gjykata vlerëson se nëse vija e përkohshme do të përfshijë ndonjë ‘shpërpjestim të shenjuar’ duke marrë gjatësinë bregdetare të shteteve në konsideratë...shtetet, përmblethtas, janë prirur — megjithëse zakonisht kanë devijuar nga — parimet e krijuar nga gjykata ndërkombëtare dhe UNCLOS ndërsa ata përpiqen të pajtohen se si të shënojnë një vijë në det. Megjithëse shifrat që paraqesin studimet ndryshojnë, shumica e rasteve janë zgjidhur: nga 427 kufijë detar të mundshëm vetëm 168 (39%) janë zgjidhur zyrtarisht dhe shumë nga ata vetëm pjesërisht. Sidoqoftë, mosmarrëveshjet —veçanërisht mes superfuqive— janë zhvendosur në oqeane ku mbizotëron “liria” për të vepruar dhe ku nuk përjashtohen konfliktet.
Shtetet mund të fillojnë me negociata dhe nëse marrëveshje nuk arrihet ata mund të përdorin gjykatën ndërkombëtare ose tribunalin ndërkombëtar për ligjin e detit (ITLOS) ose mund të përdorin arbitrazh të një pale të tretë si gjykata e përhershme e arbitrazhit (PCA). Më shumë se 90% e kufijëve detarë janë zgjidhur përmes negociatave dypalëshe. Por studimet tregojnë se megjithëse shtetet zgjedhin negociatat dypalëshe për t`iu shmangur pengesave (kostove etj.) të arbitrazhit ndërkombëtar ata ende priren dhe zakonisht aderojnë në parimet ligjore të krijuar nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
Përçudnimet kriminale të programeve televizive (Opinion, Open etj.)
Dy emisione, Opinion dhe Open, në dy televizione kombëtare, Klan dhe Top Channel, kanë intesifikuar garën këtë vit ndërsa pretendojnë se shqyrtojnë çështjet kryesore që shqetësojnë popullin apo publikun dhe ndriçojnë realitetin në të cilin jetojmë. Në të vërtetë në emisionet përkatëse mbizotëron përçudnimi ndërsa tregojnë gjysëm të vërteta dhe shpesh të vërteta të përmbysura. Për shembull, për çështjen e detit një gjysëm e vërtetë është të tregosh aspektet teknike, se, për shembull, mes dy vendeve nuk mund të zbatohet parimi i 12 miljeve kudo; dhe një e “vërtetë” e përmbysur është argumenti se qeveria “Rama” ndryshe nga qeveria “Berisha” po “negocion” drejtë. Për aspektet teknike pyeten zakonisht ekspertët e të drejtës ndërkombëtare lidhur me çështjen e ujërve detare (Zaganjori etj.). Për ta, ato që thonë janë të vërteta të “plota”. Por këta shpërnjohin gjeopolitikën greke në rajon dhe pasojën e saj: varësinë që ka krijuar vendin ynë në raport me të dhe efektet që ka varësia ndërshtetërore në vendimet politike të vendit tonë! Ndërsa qeveria “Rama”, e cila veproi pasi ngriti zërin Myslym Pashaji, dhe kërkoi rrëzimin e marrëveshjes “Berisha-Basha” në Gjykatën Kushtetuese ku dhe u rrëzua si marrëveshje…nuk po “negocion” më drejtë se qeveria “Berisha”. Por le të kemi parasysh shkeljet e marrëveshjes “Berisha” përpara se të gjykojmë drejtë marrëveshjen “Rama”. Ja katër arsyet e Gjykatës Kushtetuese të rrëzimit të marrëveshjes “Berisha”:
“Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare. (Shënim: Gjykata Kushtetuese përdor terma të huaj, ‘delimitim’; ‘shelf etj!)
Për plotfuqishmërinë e negociatave “Bushati” pati autorizimin e presidentit Meta. Por tre pikat e tjera burojnë nga marrëveshja përfundimtare. Për sa kohë që marrëveshje përfundmitare nuk pati me negociatat “Bushati” për aq kohë tre pikat e përmendura në marrëveshjen “Berisha” nuk mund të konsiderohen në këtë rast. Se pse nuk pati marrëveshje gjatë këtyre negociatave na e tregoi —“pa dashje”— Rama kur po kundërargumentonte në “Open” se kundërshtarët e tij, Berisha dhe Meta, thjesht peshkojnë popullin kur thonë se Rama “shiti detin”. Rama ishte i acaruar aq shumë sa që rrëfeu plotë të vërteta lidhur me “negociatat” që zhvilloi Bushati. Kryesorja: se negociatat me qeverinë “Cipras” nuk dolën në një përfundim sepse, sipas tij, pala jonë kërkoi nga pale greke që pretendimet e saj lidhur me detin t`i zgjidhnin përmes një pale të tretë, të pëlqyer nga të dyja palët, ose në gjykatën ndërkombëtare—të njëjtin qendrim mbajti në konferencën e organizuar nga “The Economist” në Athinë pas vizitës së tij në Turqi…dhe fakti që s`pati marrëveshje tregon se pala greke s`ka pranuar qasjen e qeverisë “Rama” ndërsa tregon qëllimin e saj të vërtetë: se kërkoi të përdorë “negociatat” për zgjidhjen e çështjes sepse vetëm përmes “negociatave” mund të zhvaste ndonjë “llokmë” tjetër. Tregon, gjithashtu, faktin se pala jonë ndihet e pafuqishme në “negociata” dhe kërkon ta zgjidhë çështjen e detit përmes një të “treti”…tregon, për shumë, se vetëm bisedime me bazë të drejtën ndërkombëtare nuk janë zhvilluar.
Kështu, duke mos treguar gjeopolitikën greke, varësinë e krijuar nga ajo dhe efektet e varësisë përkatëse në vendimet e qeverisë tonë, disa nga të ftuarit e emisioneve përkatëse nuk shqetësohen lidhur mundësinë e humbjes së ndonjë “zone ekonomike” në jug të Shqipërisë! Spahiu, për shembull, juristi e “kuqezinjëve” ka “zero shqetësim” për çështjen e detit sepse “asnjë nga qeveritë shqiptare nuk mund të marrë dot barrën e ekspertizës për të rënë dakord në negociatat me Greqinë”! Ky nuk kundron as për faktin se qeveria “Rama” kur mbyllet në dhomat e “negociatave” nuk “negocion” të drejtën ndërkombëtare por dëgjon palën tjetër dhe pasi e dëgjon dhe kupton qëllimin e saj të mirëditur —të lëshojë pala jonë meqë është kapur gjeopolitikisht— i tregon asaj palën e tretë dhe gjykatën ndërkombëtare si rrugëzgjidhje të mundshme meqë nuk mund ta përballojë “diplomacinë” e “negociatave” greke.
Disa të tjerë nuk e kanë fare të qartë se çfarë ka ndodhur me negociatat që zhvilloi qeveria “Rama” me qeverinë “Cipra”: për shembull, Milua, historiani i mirënjohur, i cili e ka për detyrë të ndjekë hap pas hapi “negociatat”, jo vetëm sepse është historian por dhe sepse është pjesë e klasës politike dhe privilegjeve të saj, nuk është në dijeni se qeveria “Rama” përparoi kërkesën e qeverisë greke për varrezat dhe po përparon kërkesën për ndryshimin e teksteve shkollor të historisë lidhur me Çamërinë. Milua nuk duhet të ishte thjesht në dijeni të këtij fakti por duhet të tregonte dhe arsyet se pse qeveria greke përparon me kërkesat e saj—domethënë, faktin se ajo po përdorë “armët” e saj gjeopolitike, të cilat nuk do të ishin krijuar nëse Milua, homologët e tij (Xhufi etj.) dhe klasa politike, do të përpiqeshin të tregonin realitetin politik dhe gjeopolitik të dy vendeve, jo vetëm lidhur me të kaluarën por kryesisht lidhur me të tashmen dhe të ardhmen.
Krisafi, i cili është përfshirë në negociatat përkatëse si kompetent dhe që me qendrimet e tij është më shumë se flori për grekët, “nuk ngutet me negociatat”: sepse sipas tij “në ngushticën mes Sarandës dhe Korfuzit nuk mund të zbatohet parimi i 12 miljeve sepse do të duhet që grekët të kalonin mbi kodrat e Sarandës” ndërsa ne, nëse zgjeronim ujërat detare si Greqia, “do të duhet të kalojmë në mes të Korfuzit”, duke shtuar se “Meksika po negocion me SHBA-në për rreth 118 vjetë për 2 km² dhe Norvegjia dhe Finlanda pre 100 vjetësh për 1 ha e 400 m²”!
Ndërsa “ekspertët” e establishmentit paraqiten kështu - kanë mundësi të paraqiten më të vërtetë “opinionistët” dhe gazetarët? Kurrë! Këta të fundit më shumë se kushdo tjetër flasin bazuar në disa fakte dhe përshtypje që krijojnë nga shtypi dhe bisedat televizive. Për shembull, gazetari Ferdinand Dervishi argumentoi në të njëjtin emision pak ditë më pas se “ka shumë të ngjarë se gjykata ndërkombëtare të mos na vijë neve aty ku duam me atë çfarë vendosi gjykata jonë kushtetuese”, domethënë, është më e vështirë ta bëjë këtë, çfarë na ngec ne, sharra në gozhdë, midis Greqisë dhe Shqipërisë, për detin…dhe është më e lehtë ta bëjë një marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Greqi sesa një gjykatë ndërkombëtare”. Në fjalë të tjera, gazetari në fjalë nuk shpërnjeh vetëm gjeopolitikën greke, të cilën hamendësisht nuk e njeh meqë nuk ka realizuar ndonjë studim, por dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare! Nuk mungoi t`i binte këmbanës së alarmit dhe mendimtari gazetës “Dita” që vetëm “ditë” nuk është, Shaban Murati, i cili e konsideroi pranimin e palës greke —sepse Miçotaqi pohoi pas konferencës së “The Economist” në Athinë se kishte pranuar që çështja të shkonte në gjykatën ndërkombëtare— kurth dhe gazeta përkatëse, e zhytur në padije, ta vendoste kryelajm! Pak ditë përpara se dëgjonim qendrimet kundër, pedagogu i të drejtës ndërkombëtare, Zaganjori argumentonte se Greqia nuk mund t`i zgjerojë ujërat në mënyrë të njëanshme sepse:
Greqia e përdor këtë aksion dhe për të implementuar një standart, apo një lloj precedenti për t’u dhënë efekt të plotë të gjithë ishujve. Kjo për mendimin tim vjen haptazi në kundërshtim me normat e së Drejtës ndërkombëtare, sepse në ndarjen e hapësirave detare, kemi parimin e ekuidistancës por dhe atë të ekitesë, barazisë, të cilët nuk kundërshtojnë në fakt njëri tjetrin, por janë në funksion të njeri tjetrit. Aty ku ekiteja, barazia dhe ndershmëria mes palëve garantohet përmes ekuidistancës, zbatohet ekuidistanca.
Kështu autori jo vetëm që ngatërron të drejtën ndërkombëtare me precedentin kur thotë se Greqia po përdor një “precedent” kur ajo po përdor të drejtën e saj sipas të drejtës ndërkombëtare, por përdor fjalë të huaja ndërsa i keqkupton ato në raport me të drejtën përkatëse, se barazia në drejtësi (equity) dhe baraslargësia (ekuidistanca) jo vetëm që nuk kundërshtojnë njëri tjetrin por barazia në drejtësinë përkatëse nënkupton shqyrtimin e veçorive në vijat ndarëse dhe zbatohet nga gjykata sa herë përfshihen veçori bregdetare (dhëmbëzime etj.). Nënkupton, në fjalë të tjera, faktin se gjykata ndërkombëtare do të shqyrtojë veçoritë në veri të ishullit të Korfuzit (tre shkëmbinjtë) dhe efektin e tyre në raport me zonën detare shqiptare: nëse zbatohet parimi i 12 miljeve siç pretendon Miçotaqi apo siç pretendoi Koxhiasi, është e qartë se ai bllokon zonën detare shqiptare nga Saranda deri në Dhërmi dhe për pasojë gjykata do të shqyrtojë efektin e miljeve përkatëse ose do të përdorë parimin e barazisë në drejtësi dhe do të përjashtojë shkëmbinjtë përkatës ose të paktën dy prej tyre nga përfshirja në 12 milje.
Çështja, rrjedhimisht, nuk shtrohet se nëse qeveria “Rama” po “kurthohet” nga grekët —këta siç tregoj në vijim nuk e njohin mjaftueshëm të drejtën ndërkombëtare— siç argumentojnë “mendimtarët” e “Ditas”, apo se do të humbasim në gjykatën ndërkombëtare siç argumentojnë shumë, disa prej të cilëve i përmenda, por se nëse qeveria “Rama” ka mundësi të përdorë të drejtën ndërkombëtare pavarësisht se çfarë mund të bëjë gjykata. Përgjigjja që marrim është se qeveria “Rama” nuk mund ta përdorë të drejtën ndërkombëtare meqë nuk ka dije lidhur me të dhe për pasojë —dhe sidomos nëse në trupën gjykuese përfshihet ndonjë gjykatës filogrek apo klasa politike greke i korrupton— ne mund të humbasim. Sigurisht që vendimi i gjykatës përkatëse mund të apelohet. Por jemi në gjendje ne t`i përballojmë shpenzimet? Jo! Ose mund t`i përballojmë me ndonjë “ndihmë” financiare nga Athina!
Ministri i jashtëm grek, në fakt, e bëri të qartë në një intervistë për shtypin grek se nuk e kupton drejtë të drejtën ndërkombëtare:
“Shërbimet kompetente të ministrisë së jashtme po përpunojnë veprimet e nevojshme për zgjerimin e ujërave detare të Greqisë me 12 milje në Jon si fillim ndërsa do të përgatitemi për pasimin e zonave të tjera. Bëhet fjalë për të drejtë të posaçme e cila njeh për vendet, e drejta ndërkombëtare për Detin e cila nuk i nënshtrohet asnjë lloj kufizimi apo miratimit të ndonjë pale të tretë”, citoi Dendias mes të tjerash.
Qartësisht, ministri përkatës ngatërron të drejtën për t`u zgjeruar me 12 milje me zonat e posaçme ekonomike: sepse për këto të fundit nevojitet miratimi i palës me të cilën përballet. Pas tij, gazetari guximtar Stavros Xhimas, me gjasa në dijeni të origjinës së tij arvanitase, sepse ndryshe nga shumë gazetarë grekë mban qendrime të vërtetë lidhur me kontributin e shqiptarëve në shtetkrijimin e Greqisë moderne…në një analizë citon një burim diplomatik grek lidhur me zgjidhjen e çështjes së detit se “propozimi” grek kundrejt Ramës “do të jetë i tillë saqë do ta ketë shumë vështirë ta refuzojë” duke përmendur “kartën e fuqishme” greke lidhur me orientimin e Shqipërisë për t`u integruar në BE dhe rolin e Greqisë në integrimin përkatës (sepse pa miratimin e saj Shqipëria nuk mund të përparojë integrimin!) dhe duke përfunduar se Athina duhet të respektojë interesat kombëtare të Shqipërisë pavarësisht “kartës” përkatëse.
Por gazetari përkatës nuk e ka të qartë plotësisht ndërvarësinë që ka krijuar vendi ynë falë orientimit të tij dhe tërësinë e “armëve” gjeopolitike që mund të përdorë Greqia kundrejt nesh në çdo lloj negociatash që synojnë zgjidhjen e çështjeve me karakter kombëtar. Sidoqoftë, ai është shumë më i ndershëm se shumë gazetarë —hamendësisht të shitur— që përfshihen në debate publike në emisione si “Opinion”, “Open” dhe të ngjashëm si këta ku çorietojnë popullin me gjysëm të vërteta dhe shpesh të pavërteta. Por çfarë mund t`i propozojë ministria e jashtme greke Ramës në “negociata” dhe ky i fundit do ta ketë të vështirë ta refuzojë? Fakti që pala greke e ka konceptuar “negociatën” me “propozim që është vështirë për ta refuzuar”, është qartë se bëhet fjalë për një lloj “ultimatumi” në tryezë: ose merre kërkesën tonë ose lëre dhe jeto me pasojat!
Ja pse emisionet përkatëse janë përçudnuese dhe kriminale: sepse drejtuesit e tyre jo vetëm që nuk kanë aftësi studimore dhe kritike lidhur me çështjet që “shqyrtojnë” por nuk lexojnë as studimet dhe kritikat që realizojnë të tjerët! Kështu, pjesërisht sepse nuk lexojnë dhe nuk zhvillojnë aftësi kritike dhe pjesërisht sepse çensurojnë —duke iu nënshtruar diktatit të televizionit dhe fakojve të jashtëm që kojnë televizionet me miliona— populli zhytet në pështjellim dhe nuk kupton realitetin në të cilin jeton dhe rreziqet që i kanosen. Pasoja e mëtejshme e këtij përçudnimi gazetaresk është se ne humbasim si komb dhe si shoqëri. Emisione të tillë, rrjedhimisht, dhe telelvizionet ku ata realizohen, duhet të mbajnë përgjegjësi penale siç duhet të mbajnë akademikët dhe klasa politike.
“Kulaçi” i helmatisur grek dhe fati i detit Jon
Ditën kur erdhi ministri i jashtëm grek Dendias në Tiranë për përparimin e çështjes së detit Jon ku palët deklaruan se çështja do të shkonte në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, gazeta “Kathimerini” zbuloi se ishte qeveria greke që e dëshironte këtë lloj zgjidhje me qëllim që të anashkalohësh pengesa e mungesës së gjykatës kushtetuese në vendin tonë - mungesën e të cilës pala jonë e përdorte si justifikim për mospërparimin e çështjes. Nuk është e rastit që e njëjta gazetë kishte rezerva se mos pala jonë nuk do të pajtohësh me dëshirën greke. Kështuqë nuk është dëshirë e Ramës siç ai ka deklaruar por dëshirë e pales greke.
Gazeta “Protothema” zbuloi një ditë më pas se pala greke përdori “kulaçin” e integrimit të vendit tonë si presion ndaj palës sonë: “me presionin e “kulaçit” të rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE, ku në Tiranë e presin si të “mirë nga zoti” për t`u hapur “qesja” e fondeve evropiane dhe për arsye të gjendjes politike në vendin fqinj e cila shkon në zgjedhje në 25 prill 2021, diplomacia greke arriti të realizojë marrëveshje me qeverinë e Edi Ramës për hartimin e marrëveshjes me qëllim që ta çojnë çështjen e zonave detare në Hagë”.
Fakti që dëshira për të shkuar në Hagë është e palës greke dhe fakti që pala greke përdori presionin e integrimit në BE tregon se ajo beson se do të marrë zonën që dëshiron në Jon përmes Hagës. Nëse ajo e realizon qëllimin e saj, ne humbasim hapësirë detare për t`u integruar në BE! Në këtë kontekst mund të ngrihet pyetja se sa do të jenë fitimet nga BE-ja dhe sa humbjet nga deti Jon kur dihet se Greqia do të bllokojë bregdetin nga Saranda deri në Dhërmi jo për një ditë apo për një vit por për gjithnjë! Dhe nëse i shtojmë efektet e tjerë që pëson vendi ynë si pasojë e integrimit në fjalë—zgjerim i mëtjeshëm i kapitalit grek në Shqipëri dhe jo vetëm i atij dhe tkurrje e kapitalit shqiptar— është e qartë se shqiptarët nuk i kanë bërë mirë llogaritë kur kërkojnë të integrohen duke shkëmbyer territore dhe sovranitetin e vendit.
Kujtoj se përpara se të shkohet në Hagë palët do të hartojnë marrëveshjen. Gjatë kësaj faze pala greke do të përpiqet —dhe me siguri do ta realizojë— të zbusë mosmarrëveshjet. Dhe fakti që marrëveshja nuk do të publikohet përpara se të shkojë në Hagë, për arsye —siç thotë Rama “konfidencialiteti”— hollësitë do të fshihen nga syri i popullit. Kujtoj, gjithashtu, se pala jonë mund ta shfrytëzojë në dobi të vendit tonë gjykatën përkatëse vetëm nëse përdor precedentët e Gjykatës përkatëse. Deri tani nuk kam dëgjuar nga Rama dhe “ekspretët” e tij apo “eskpertët” e opozitës që mbushin televizionet të tregojnë precedentët përkatës me qëllim që t`ia imponojnë qeverisë për t`i përdorur në hartimin e marrëveshjes. Dhe kujtoj, në fund, se gjykata përkatëse është korruptuar në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë!
Në këto kushte, le të shpresojmë se qeveria “Rama” humbet zgjedhjet dhe vendi qeveriset nga njerëz me dije juridike, politike dhe gjeopolitike.
Lexo dhe këtë:
Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë
*Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 403 reads