...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si kontribojnë popujt evropianë në shkombëtarizimin e vetes: rasti i shqiptarëve

Pikërisht këtë duhet të bëjë Bashkimi Europian: të minojë homogjentitin e kombeve.

Ylli Përmeti

19/06/2021 - 16:39

SHKOMBËTARIZOJ

E bëj të humbasë tiparet themelore që e dallojnë si pjesëtar të një kombësie a të një kombi (gjuhën, kulturën, zakonet etj.), e bëj të humbasë kombësinë. Pushtuesit përpiqen t'i shkombëtarizojnë popujt e shtypur. —Fjalori i gjuhës shqipe

Në vijim do të tregoj shkaqet sistemike se si popujt —dhe veçanërisht populli shqiptar— shkombëtarizojnë veten me integrimin e tyre në globalizmin neoliberal. Së pari, përmes ndryshimit të ligjeve. Por ndryshimet ligjore i imponojnë kryesisht oligarkitë ekonomike, të cilat, bashkëjetojnë me oligarkitë politike. Ndryshimi midis këtyre dy oligarkive është se e para, zakonisht është e përhershme, ndërsa e dyta, e përkohshme. Për shembull, dinastitë Rockefeller/Rothschild janë më shumë se dy shekullore dhe për pasojë, dinastike. Ndërsa politikanët profesionistë janë të përkohshëm. Kjo është arsyeja se përse themi se në Amerikë, dhe përgjithësisht në vendet perëndimore, pushteti ekonomik është më i fuqishëm se pushteti politik. Ndryshe nga Amerika, në Shqipëri ky raport është në mpiksje e sipër: sepse, megjithëse oligarkët ekonomikë janë krijuar, është oligarkia politike ajo që dominon. Jo sepse ajo nuk sponsorizohet nga oligarkia ekonomike, apo sepse oligarkia politike nuk është e pasur, përkundrazi, por sepse ajo vazhdon të përdor “kartën” e votëbesimit. Nëse përqindja e pjesëmarrësve në votime bie, njëlloj bie edhe pushteti i saj kundrejt oligarkëve (ekonomikë) dhe, njëlloj shtohet varësia e elitës politike kundrejt pushtetit ekonomik.

Siç citon Paul Krugman kur tregon se cilët “gatuajnë” ligjet në Amerikë: ‘ligjet e Floridas, të cilët të lejojnë ty për të gjuajtur dikë që e konsideron kërcënues pa u përballur me arrestim, pale pastaj procedim, ligjet që janë shkruar dhe hartuar nga korporatat dhe më vonë duke i çuar te ligjbërësit shtetërorë, duke çorientuar publikun, për një qeveri të kufizuar dhe treg të lirë, ku pushteti i korporatave kërkon të privatizojë qeveritë, në të cilat korporatat marrin përfitimet e tyre nga dollarët e taksapaguesve, duke ekspansionuar kapitalizmin, siç e quan ai, të kumbarëve dhe duke shfrytëzuar frikën e publikut, sidomos ato që shoqërohen me tensione raciale, për të promovuar një axhendë pro-korporative... duke krijuar një klimë politike që do të mbajë edhe më shumë ligje miqësore për korporatat në të ardhmen, duke përfunduar se:

...ne duket se po kthehemi në një vend ku kapitalizmi i kumbarëve nuk humbet thjesht parátë e taksa-paguesve, por çorodit të drejtën kriminale, në të cilën burgimet në rritje reflektojnë jo nevojën për të mbrojtur qytetarët që respektojnë ligjin, por përfitimet e korporatave që mund të korrin nga një popullatë më e madhe të burgosurish. 

Në këtë kuadër, nuk do të ishte i çuditshëm roli i Komisionit Europian, i cili përshkruhet mjaft qartë nga një ish këshilltar dhe personel i çështjeve Europiane në Bruksel, Andrien Mexis, dhe lektor i të drejtës Europiane në “Science Po” në Paris, kur thotë se: “unë shpenzova gjashtë vjet në Bruksel, ku ne hamendësoheshim të mbronim interesat e popullit Europian. Por në vend të kësaj, ne mbrojtëm interesat e lobeve, grupeve të mëdha industriale dhe shumëkombsheve. Ne mbrojtëm integrim më të thellë dhe federalizëm më të gjerë — një Europë të njëjtësuar homogjene, dhe pa identitete!” Në të vërtetë, siç analizon Fotopoulos, kjo është një politikë e qëllimshme e Elitës Mbikombëtare me synimin për të krijuar rrjedhën e masemigrimit në BE, e cila quhet eufemisht “problemi refugjat”.

Për shembull, Peter Sutherlandi, kryetari i emigracionit në Kombet e Bashkuar (në cilësinë e tij si përfaqësues i veçantë i sekretarisë së përgjithshme të OKB-së për Emigracionin Ndërkombëtar dhe si kryetar i Forumit Botëror mbi Emigracionin dhe Zhvillimin i cili mbledh përfaqësuesit e 160 kombeve për të bashkëndarë ide politike) ka luajtur një rol udhëheqës për të shprehur linjën e Elitës Mbikombëtare lidhur me emigrimin dhe homogjenitetit kulturor. Në të vërtetë, Sutherlandi është një anëtar i spikatur e vetë Elitës Mbikombëtare, meqënse ai ishte si fillim drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregut—një ndër institucionet kryesore të globalizmit neoliberal. Ai ka shërbyer gjithashtu për njëzetë vjet si kryetar i “Goldman Sachs International” dhe është një ish-kryetar i gjigandit të naftës BP. Duke patur “kualifikimet” e tij të larta ai ka luajtur natyrshëm një rol udhëheqës në lidhje me “krizën e emigrantëve” dhe “problemin e refugjatëve”, siç u zbulua nga vetë BBC-ja, një organ udhëheqës i propagandës së Elitës Mbikombëtare.

Kështu, Sutherland, i pyetur nga Dhoma e Lordëve të Britanisë...lidhur me emigracionin, padashur zbuloi se nga cilët dhe pse u krijua eksodi masiv i emigrantëve në Europë në pak vitet e fundit, gjithashtu dhe arsyet pas të ashtuquajturit “problemi i refugjatëve”. Domethënë, ai zbuloi padashur se, në të vërtetë, ishte Elita Mbikombëtare e cila, me qëllim që të përputhte nevojat e globalizmit neoliberal në terma të kërkesave të punës së lirë, ka përdorur ideologjinë e globalizmit në terma multikulturalist dhe kufijëve të hapur, efektivisht, me qëllim që të realizonte synimet e saj njëherësh të globalizmit ekonomik dhe kulturor. Mjetet për të realizuar këtë synim të madh janë minimet e homogjenitetit kulturor të kombeve Europiane. Ja se si e raportoi BBC-ja takimin vendimtar të komitetit të Dhomës së Lordëve me Sutherland:

Një popullatë vendase në plakje ose në rënie në vende si Gjermania ose në shtetet jugore të BE-së ishte “argumenti kyç dhe —ngurroj të përdor fjalën sepse njerëzit e kanë sulmuar atë— për zhvillimin e shteteve multikulturore”, ai shtoi. “Është e pamundur të konsiderojmë se shkalla e homogjenitetit që nënkuptohet nga argumenti tjetër mund të mbijetojë sepse shtetet duhet të bëhen më të hapur, në terma njerëzish që i banojnë ata. Njëlloj siç ka treguar Britania”. Në nivelin më të ulët, njerëzit duhet të kenë liri zgjedhje. Përfaqësuesi i OKB-së mbi emigracionin u pyet gjithashtu se çfarë duhet të bëjë BE-ja rreth fakteve nga OECD-ja se përqindjet e punësimit mes emigrantësh ishin më të lartë në SHBA dhe Australi se në vendet e BE-së. Ai i tha komitetit: “SHBA-ja, ose Australia dhe Zelanda e Re, janë shoqëri migratore dhe rrjedhimisht ato i përshtaten me gadishmëri më të madhe atyre që kanë prejardhje tjetër sesa ne për veten tonë, që ende mëndim një kuptim të homegjenitetit tonë dhe ndryshueshmërisë nga të tjerët. “Dhe pikërisht këtë duhet të bëjë Bashkimi Europian, në këndvështrimin tim: të minojë homogjentitin e kombeve”.

Kështu, për pjesëmarrësin e shpeshtë në mbledhjet e Grupit të Bilderberg (një institucion tjetër jozyrtar i Elitës Mbikombëtare i cili është një rrjet organizativ i nivelit të lartë zakonisht i kritikuar për gjoja sekretet e tij), BE-ja duhet të bëjë më të mirën për të minuar homogjenitetin kulturor në nivel kombëtar, përmes politikave të emigracionit dhe refugjatëve, me pretekstin e mbështetjes së të drejtave të “shenjta” të lirisë së zgjedhjes dhe “vlerave humaniste europiane” mbi refugjatët respektivisht. Është pikërisht mbi bazën e këtij argumenti çorientues, që shpreh vlerat liberale të autonomisë individuale (në kontrast të vlerave libertariane dhe socialiste të autonomisë kolektive dhe sociale), që propaganda e stërmadhe e Elitës Mbikombëtare u ndërtua për të “shpëtuar refugjatët” e cila kishte synime të disafishtë:

a) të ndihmonte globalizmin ekonomik, duke furnizuar elitat me punë të lirë për të mbuluar nevojat e rritjes të Veriut Europian dhe, njëkohësisht, duke barazuar rrogat e ulëta;

b) të promovonte efektivisht globalizmin kulturor duke minuar homogjenitetin kulturor brenda çdo kombi, si parakusht për krijimin e një BE-je të integruar politikisht dhe ekonomikisht, e cila do të jetë gjithashtu hapi i parë në procesin e qeverisjes globale (hapi tjetër do të jetë bashkimi efektiv i BE-së dhe NAFTA-n përmes TTIP); dhe

c) të shkatërrojë çdo mbetje të sovranitetit ekonomik dhe kombëtar brenda një BE-je pakufijë. Ishte si reagim i kësaj tendence ngritja konseguente e lëvizjeve neo-nacionaliste rreth gjithë Europës që disa vende Europiane u detyruan në muajt e fundit të mbyllnin kufijtë e tyre, përveç atyre që kanë humbur çdo shenjë sovraniteti, si Greqia.

Ishte rrjedhimisht në këtë kuptim që vendimi i popullit Britanik për Brexit ishte një vendim revolucionar, meqënse ai minonte këtë proces afatgjatë të planifikuar me kujdes për qeverisje botërore. Kjo ishte gjithashtu arsyeja për kundër-revolucionin e stërmadh që u vu në lëvizje nga Elita Mbikombëtare menjëherë pas njoftimit të rezultatit të referendumit. Synimi ishte të “ndëshkonte” në çdo mënyrë të mundshme popullin britanik i cili gjeti kurajën t’i rezistonte globalizmit neoliberal, me qëllim që asnjë popull tjetër as të mos mendonte të përpiqësh t’i imitonte.  Sutherlandi, me nofkën e “babait të globalizmit”, ndërroi jetë në fillim të vitit 2018-të dhe la një trashëgimni interesante: “ai nuk dinte shumë nga biznesi por e pa veten si rregullues diplomatik duke përdorur dijen e administrimit të shtetit për të ndihmuar ndërmarrjet [private] të fitonin marrëveshje [me shtetet] dhe të qendronin jashtë belave...ishte koha e tij si përgjegjës i politikës së konkurrencës në BE që krijoi paraqitjen e tij politike, duke zhvilluar një besim jetëgjatë se bashkëpunimi bazuar në ligje mes vendeve ishte rruga më e mirë për t’iu shmangur merkantelizmit të së kaluarës [...] globalizmi për Sutherlandin ishte një rrugë për të fuqizuar të varfërit [...] një nga dy djemtë e tij është një zyrtar në Komisionin Europian”! 

Kështu, ndërsa shteti modern me përqendrimin e pushtetit homogjenizoi komunitetet —i vendosi ato nën diktatin qendror dhe homogjenizoi kulturat komunitare, veçanërisht në shtetet anglosaksone përmes politikave të kërbaçit dhe kulaçit— globalizmi neoliberal synon të kundërtën: të prishë lidhjet homogjene që janë krijuar veçanërisht në shtetet evropiane. Ky proces bëhet i pashmangshëm kur shtetet e BE-së delegojnë përqindjen më të madhe të pushtetit në Bruksel: sepse vetë përqendrimi i pushtetit politik dhe ekonomik homogjenizon dallimet e kombeve evropiane. Këtë proces e ndihmon tregu ose korporatat dhe bankat të cilat veprojnë në të me rregullat që diktojnë në Bruksel dhe qendra të tjera politike (Uashington etj.).

Nuk është, në fjalë të tjera, Sorosi apo Rama, i cili mbështetet nga Sorosi, që shkombëtarizon Shqipërinë, siç argumentojnë shumë idiotë nëpër televizionet (Alfred Cako etj.) e oligarkisë sonë: por është globalizmi neoliberal ai që shkombëtarizon jo vetëm Shqipërinë por gjithë kombet evropiane që u krijuan dy-tre shekujt e fundit. Fakti që këtë lloj “globalizmi” e mbështet populli ynë, për shembull, ose shumica e tij, të paktën kështu thonë disa anketa, është i njëjti popull që mbështet shpërbërjen e tij! Sigurisht, në padije: sepse nuk ka dije as për efektin e përqendrimit të përqindjes më të madhe të pushtetit në Bruksel, as edhe arsyen se pse synohet shkombëtarizmi i kombeve në kushtet e globalizmit neoliberal. Këtë lloj dije kam vite që ia tregoj popullit tim. Por ai —përjashto një përqindje të vogël që më ndjek— s`e ka kuptuar ende rëndësinë e saj. Qëllimi im është të mbroj dallimet mes kombeve: sepse një botë me një kulturë të njëjtë jo vetëm që nuk është e drejtë në raport me gjeneratat pararendëse të çdo kombi por do të ishte vërtet e mërzitshme dhe për më tepër do të ishte katastrofike lidhur me vlerat e shoqërive njerëzore: sepse popujt që nuk nderojnë as pararendësit e tyre nuk do të nderojnë as bashkohorët.

Nga kjo botë, ku popujt nuk nderojnë as pararendësit e as bashkohorët, një botë barbare dhe mizore do të lindë, shumë më keq se kjo e sotmja. Nderimi i bashkohësve, në Britani, për shembull, është shkatërruar edhe në familje. Rrallë çohet fëmija nga vendi kur hyn prindi në shtëpi! Ndryshe nga populli, këtë lloj dijeje duhet ta kishin fituar akademikët. Por as ata s`kanë dije. Dhe duhet ta kishin fituar, në fund, partitë politike. Por as ato nuk kanë dije. Në këtë mënyrë, të gjithë bashkë mbështesin shkombëtarizimin tonë! Edhe ata që e duan kombin dhe kuptojnë rëndësinë e tij, nuk përpiqen të dëftojnë shkaqet sistemike as shqyrtojnë ndonjë studim që i tregon ata! Në anët tona, lëvizjet “kombëtariste” gjallojnë. Por paralelisht mbrojnë integrimin e popujve në globalizmin neoliberal! Kështu paraqitet lëvizja VV në Kosovë: lëvizje “kombëtariste”. Por paralelisht mbështet integrimin në globalizmin neoliberal!

Kujtoj, në fund, se “marksistët” mbrojnë idenë e shpërbërjes së kombit, sepse Marksi u thotë se vetëm kur të shpërbëhet kombi ose komb-shteti, do të shkojmë në komunizëm! Kjo është arsyeja kryesore se pse “marksistët” si Zizeku, heshtin për efektin e globalizmit neoliberal mbi kombet dhe qëllimin e elitave të kohës sonë: sepse elitat besojnë se përzierja e racave (politika e “meltingpot” siç njihet në rrethet e studiuesve) në një shtet i përçan më shumë kombet dhe i bën ata më të “drejtueshëm” nga elitat. Këtë qasje e ka përqafuar e para elita angleze. Të njëjtën qasje e imponoi në gjithë vendet anglosaksone. Rezultati është se ata popuj nuk kanë tradita: sepse shkatërruan traditat komunitare të zhvilluara gjatë shekujve nga popujt indigjenë duke i zëvendësuar ato me “vlerat” e tregut dhe ligjet e...

Pranohet se BE-ja do të gjermanizohet. Madje shkrimtari gjerman Thomas Mann e përcaktoi zgjedhjen e saj që në vitin 1953: se “republika e re e Bonit duhet të hedhë tutje çdo ambicie nacionaliste për një Evropë Gjermane”. Pas 70 vjetësh, ky synim nuk është vënë në jetë nga politikanët kryesorë në Gjermani. Ata e dinë se ardhmja e Evropës dhe euros nuk varet nga krizat rajonale si në Greqi apo Itali por nga anëtari më i fuqishëm. Ndaj dhe synimin po e përparojnë ngadalë, kryesisht duke mbështetur politikat integracioniste—domethënë, krijimin e një kuadri institucional në BE prej të cilit të varen gjithë shtet-kombet. Por ky kuadër, qoftë edhe nëse realizohet plotësisht, diktohet nga fuqia ekonomike e korporatave dhe bankave duke përfshirë dhe ato amerikane! Ndaj Evropa nuk do të gjermanizohet por do të shkombëtarizohet ngadalë nëse popujt evropianë do të flenë gjumë!   

*Pjesë nga një studim më i gjerë referencat e të cilit mund të gjenden në origjinal. Fotografia që shoqëron këtë analizë është nga një revistë shkencore britanike, e cila ka përshëndetur fundin e komb-shtetit që në vitin 2014!             

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA