Rrudhja drastike e popullsisë shqiptare dhe moskokëçarja vrastare e klasave politike

Shpesh dëgjojmë nga njerëz të pa dijësuar mirë por edhe nga ata që e mbajnë veten se dijnë gjithçka, apo nga qendra të ndryshme të dijësimit, për numrin e shqiptarëve: se ata jane 7,5 milionë në Ballkan e mbi 15 milion në gjithë botën; për lindshmeri e lartë; dhe pretendimet se deri në vitin 2050 apo 2060, do t’ua kalojmë të gjithë popujve tjerë të Ballkanit,- e broçkulla të tjera të kësaj natyre. Sepse po të analizosh me kujdes të dhënat e statistikave demografike, gjendja na delë jo ajo e pretendimeve optimiste e të rrejshme, por shumë pesimiste dhe brengosëse për të ardhmën e kombit: nga populli më i madh në Siujdhesën Ballkanike (Ilirikumi), jemi tkurrur e shndëruar në popullin më të vogël se fqinjët tanë sllavë e grekë.
Adil Fetahu
02/05/2018 - 15:31
Gënjejmë veten kur na quajnë të tjerët për “lindshmëri të lartë”
Politikani e shkrimtari Ben Blushi, në romanin e tij “Hëna e Shqipërisë”(2014), duke trajtuar në mënyrë letrare por me argumente dhe prognoza mjaft reale problemin e demografisë së shqiptarëve, thekson se në vitin 1800, në Ballkan kishte 180 mijë serbë, 630 mijë grekë dhe afro 700 mijë Shqiptarë. Njëqint vjet më vonë (1900), kishte 3 milionë serbë, 2,6 milionë grekë dhe 1,5 milion shqiptarë! Në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 1 milion banorë më pak, parashikon Blushi, në bazë të analizës së faktorëve që ndikojnë në rënien e popullsisë së Shqipërisë. Absurdi është se të tjerët na konsiderojnë, dhe ne “besojmë”, se kemi shtimin më të lartë të popullsisë, e nga ana tjetër dy popujt fqinjë na kanë kaluar për disa miliona!
Studjuesja Elena Kocaçi-Levanti, në librin e saj “Planet për zhdukjen e Shqiptarëve”, duke iu referuar burimeve të huaja (Ami Bou), thotë se në gjysmën e parë të shekullit 19, Shqipëria etnike ka pasur 180 mijë km/katrore dhe 1,5 milion banorë (pa llogaritur Shqiptarët e Greqisë), kur Serbia kishte 900 mijë banorë, me gjithë shqiparët e asimiluar (fq.174). Me prirjen e shtimit të popullsisë që kishte atëherë, sot populli shqiptar duhej të kishte 30 milionë banorë. Por, shtetet fqinje: Greqia, Serbia, Mali Zi, Bullgaria, me pushtimin e territorit e të popullit, me vrasjet, dëbimet dhe asimilimin që kanë kryer gjatë kohës, kanë bërë që populli shqiptar të ngelet pas në çdo pikëpamje, pra edhe në pikëpamje demografike.
Profesori Banisllav Sinadinovski që kohëve të fundit njihet si një intelektual i cili ka ngjallur ndjenjen e përkatësisë kombëtare shqiptare të ortodoksëve në Maqedoni, pohon se në atë shtet, me identitet të kontestuar nga të gjithë, janë së paku 70-75 mijë shqiptarë ortodoksë nga rrethi i Mavrovës, të shpërndarë në gjithë Maqedoninë, e më se tepërmi në Shkup, të cilët janë asimiluar krejtësisht, në rrethana e periudha të ndryshme, dhe tash nuk guxojnë të deklarohen se janë me prejardhje shqiptare! Vitin e kaluar Sinadinovskin e patën rrahur persona të maskuar, për shkak se kishte deklaruar publikisht origjinën e vet shqiptare dhe kishte kërkuar hapjen e një kishe ortodokse shqiptare.
Por sa është numri i shqiptarëve autoktonë të asimiluar në serbë, apo malazezë, e të mos flasim për arvanitët dhe ortodoksët e Çamërisë, të cilët janë asimiluar, nën presionin e kishës dhe të shtetit grek. Shqiptarët e shpërngulur dhe asimiluar në turqë janë “kapitull” i veçantë.
Tranzicioni po e rrudh demografinë shqiptare
Në qoftë se për periudhën e kaluar deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe deri në çlirimin (dhe pavarësimin) e Kosovës fajin për tkurrjen tonë territoriale dhe demografike e kishin shtetet fqinje dhe fuqitë e mëdha të Evropës, për periudhën pas këtyre datave fajin e kemi vet na shqiptarët, respektivisht elitat tona politike e shtetërore. Të paktën, për sa u përket këtyre dy shteteve shqiptare, sepse Shqiptarët që janë nën Serbi, Greqi, Maqedoni e Mal të Zi, gjithnjë janë të shtypur e të diskriminuar në çdo pikëpamje dhe nën presion, ose për t’u shpërngulur dhe emigruar, ose për t’u asimiluar. Dhe nëse procesi i asimilimit, përveç shqiptarëve ortodoks në Greqi, në vendet e tjera fqinje ku kanë shkollat në gjuhën shqipe, është thuajse i pamundur, shtetet përkatëse me masa shtypëse e diskrimunuese, po i detyrojnë të shpërngulen, dhe ata po emigrojnë kryesisht në shtetet e zhvilluara të Perëndimit, ku po integrohen shpejtë, me mundësi potenciale që brezi i dytë ose më së largu i treti, të asimilohen plotësisht. Sidoqoftë, për shkaqe dhe në mënyra të ndryshme, substanca demografike shqiptare po tkurret me shpejtësi. Mjerisht, emigrimi i stërmadh i popullsisë shqiptare kishte dhe vazhdon të ketë edhe nga shtetet e pavarura shqiptare: nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në një analizë të Bankës Botërore “Treguesit e zhvillimit në botë”, për ecuritë demografike në Ballkan, për periudhën 2010-2020, vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë kishte paraparë shtim natyror të popullsisë; për Kosovën 0,7% në vit, ndërsa për Shqipërinë 0,2%. Për Maqedoninë kishte paraparë 0,0, — d.m.th., numër i barabartë i lindjeve dhe vdekjeve, dhe këtë “barazim” vetëm në sajë të popullatës shqiptare në Maqedoni, që ka normë më të lartë të shtimit natyror. Por Maqedonia tërë kohën ka manipuluar dhe i ka fshehur të dhënat statistikore nga regjistrimet e popullsisë. Asnjëherë nuk i ka publikuar të dhënat e plota nga regjistrimi i fundit, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002, ka pasur 2,022,547 banorë, prej të cilëve: aqedonë 1,297,981; shqiptarë 509,083; turqë 77,959; romë 53,879; serbë 35,939; boshnjakë 17,018; vëllehë 9,695; dhe të tjerë 20,993. Për Serbinë, Banka Botërore kishte paraparë se do të ketë rënie të shtimit natyror të popullsisë me 0,2% në vit, Kroacia 0,3%, ndërsa rënien më të madhe do ta ketë Bosnje-Hercegovina 0,4%. Por prognoza optimiste e Bankës Botërore nuk doli e saktë, sepse në të dy shtetet shqiptare pati rënie të shpejtë të popullsisë. Dhe kjo po ndodhë për shkak të politikave të gabuara të qeverive të të dy vendeve: varfërisë dhe papunësisë. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në proporcion me numrin e banorëve, Shqipëria zë vendin e parë në botë përkah numrit të emigrantëve (në Greqi, Itali, e gjetkë). Shkaqet e këtij emigrimi janë të natyrës ekonomike, sociale dhe politike. Por emigrimi po e lëndon substancën tonë kombëtare dhe po ndikon në ngecjen e zhvillimit tërësor, sepse po emigron kontigjenti më produktiv në të gjitha aspektet.
Lindshmëria ka rënë në mënyrë të shpejtë
-
Në Republikën e Shqipërisë
Nuk është vetëm emigrimi shkak i rënies së numrit relativ dhe absolut të popullsisë së Shqipërisë. Faktori i dytë, por edhe më i rëndësishëm dhe më brengosës, është rënia e përhershme e lindshmërisë, respektivisht rënia e shtimit natyror të popullsisë. Kjo rënie mund të ilustrohet me të dhëna të statistikave: për numrin e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve, shkurorëzimeve, regjistrimit të nxënësve në shkolla e fakultete etj. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, INSTAT, në periudhën 2012 deri 2017, Shqipëria ka pasur këto shifa të lindjeve e vdekjeve, respektivisht të shtimit natyror të popullsisë:
Viti Lindje Vdekje Shtimi natyror
2010 34061 20107 13954
2011 34285 20012 14273
2012 35473 20870 14603
2013 35750 20442 15308
2014 35760 20656 15704
2015 32712 22418 10297
2016 31733 21388 10345
2017 30869 22232 8637
Siç shihet nga tabela më sipër, në raport me vitin 2010, në vitin 2017 shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë ka rënë me 5,317 banorë më pak. Përveç rënies së numrit të lindjeve, në pakësimin e popullsisë po dikton emigrimi. Ndërsa në vitin 2017 kishte 30,869 lindje, në të njëjtën kohë kanë emigruar 39,910 vetë. Rënia e shtimit natyror të popullsisë është katastrofike po të krahasojmë shënimet me statistikën e vitit 1990. Atë vit në Shqipëri lindën 82,135 fëmijë, vdiqën 18,193 vetë, ndërsa shtimi natyror vjetor ishte 63,982 banorë — që do të thotë se shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë prej vitit 1990 deri 2017, ka rënë shtatë herë (63892:8637=7...). Në një shkrim të kësaj fushe, kam lexuar se shkallë kaq të lartë të rënies së shtimit natyror të popullsisë, Franca nuk e ka arritur për 200 vjet, sa e ka arritur Shqipëria për më pak se 30 vjet! A nuk është kjo gjendje premisë jo vetëm për t’u brengosur por edhe për t’u alarmuar?!
Një problem tjetër demografik dhe social në familjet shqiptare është prirja e rritjes së numrit të ndarjeve (divorceve). Statistika shënon se në Republikën e Shqipërisë në vitin 1990 kishte 9 divorce nga 100 martesa, kurse në vitin 2016 ky numër arriti 24,7 divorce në 100 martesa. Ja të dhënat statistikore për ndarjet:
Viti 2012 2013 2014 2015 2016
Martesa 22891 23820 23769 24997 22562
Divorcet 3561 3747 4220 5255 5582
Përqindja 15,6 15,7 17,8 21,0 24,7
Shkaqet e ndarjeve janë të shumta por duket se shkaku kryesor është emigracioni, ndonëse në këtë fenomen ndikojnë edhe shkaqe të tjerë: dhuna, alkooli, droga, varfëria, tradhtia bashkëshortore, hedonizmi, narcisoizmi, mendjemadhësia, demokratizimi i shoqërisë dhe pozita e avancuar e femrës në shoqëri, diferencat në arsim, etj. Veçse pasojat sociale të divorceve, janë të mëdha, sidomos për fëmijët e prindërve të divorcuar.
Rënia e shtimit demografik, përcillet edhe në të gjithë treguesit tjerë. Të dhënat për regjistrimin enxënësve dhe studentëve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, paraqiten si vijon:
Viti shkollor 2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017
Të regjisrur gjithsejt: 719509 704782 665994 622156 596624
Arsimi 9-vjeçar:
-cikli i ulët, fillor 198897 195720 188371 179564 174836
-cikli lartë,arsimi bazë 191940 181354 175037 163935 153264
Arsimi i mesëm: 154425 151937 140042 130380 127114
a)gjimnazet 130137 124619 112775 104952 101995
b)shkollat profesionale 24288 27318 27267 25428 25119
Arsimi pas të mesmes,
(jo i lartë) 16861952 2017 1521 1803
Arsimi i lartë 172561 173819 160527 146756 139607
Prej vitit shkollor 2012/2013, deri në vitin 2016/2017, — dmth brënda pesë vjetëve, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të regjistruar ka rënë me 122,805 vetë. Kjo rënie ka vijuar në të gjitha kategoritë dhe shkallët e arsimit.
Në kushte të tilla të ecurive demografike, rritje ka shënuar vetëm kategoria e popullsisë së moshuar, që ka arritur shkallën mbi 18% të totalit të popullsisë. Në vitin 2017 Shqipëria kishte 546,000 të moshuar mbi 65 vjeçë, me tendencë të rritjes së përhershme në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që është një tregues i pafavorshëm demografik nga aspekti i ngarkesës ekonomike dhe sociale të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Aq më tepër që shteti nuk është i përgatitur për përkujdesjen e numrit të madh të nevojtarëve të moshuar, ndërsa kujdesi joformal, nga familja, po përballet me sfidat e kohës. Për shkak të ecurive demografike të pafavorshme, mosha mesatare e popullsisë po rritet me shpejtësi. Në vitin 2015 mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri ishte 34 vjeç, në vitin 2016 ajo arriti në 35 vjeç. Sipas vrojtimeve demografike, një popull zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve të grupmoshës mbi 60 vjeçë arrinë të jetë 2,5 herë më i madh se numri i banorëve të grupmoshës deri 19 vjeç. Në vitin 2017 raporti në mes këtyre dy grupmoshave në Shqipëri ka qenë 743,047 : 642,637 në favor të grupmoshës së të rinjëve deri 19 vjeç — dmth., diferenca midis këtyre dy grupmoshave ekstreme është mjaft e vogël, gjithsejt 104,410 vetë, dhe me prirjen e rënies së lindshmërisë shumë shpejtë mund të arrijmë në shkallën e rrezikshme të zhdukjes, si komb e si popull. Historia na kujton zhdukjen e shumë popujve në botë.
-
Në Republikën e Kosovës
Rënie e madhe e numrit të lindjeve së fëmijëve dhe rrjedhimisht edhe rënia e shtimit natyror të popullsisë është shënuar edhe në Kosovë. Në harkun kohor prej 15 vjetësh (2002-2016), shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më shumë se dyfish. Ndërsa në vitin 2002 shtimi ishte me 30,482 fëmijë, në vitin 2016 ai ka rënë në 14,921. Shkaqet e kësaj rënie të madhe të shtimit natyror të popullsisë, janë thuajse të njëjta si në Shqipëri, dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, por përafërsisht të njëjta janë edhe në gjithë rajonin: emigrimi i të rinjve, martesat e vonshme, më pak lindje për shkak të punësimit të femrave dhe ambicjeve të tyre për karrierë, hedonizëm e jetë më komode, mungesa e kushteve dhe kujdesit social për fëmijët, etj.
Planifikimi i familjes është një relike e socializmit, që ka kuptim për Kinën e tejpopulluar, por jo për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilave po iu pakësohet popullsia me shpejtësi. Këtë relike të planifikimit të popullsisë e zbatonte Serbia në Kosovë, për të zvogëluar lindshmërinë, siç nuk u paguante shtesat fëmijënore për fëmiun e katërt e tutje. Dhe kjo ishte një masë raciste, ndërsa gratë shqiptare i quanin “makina për lindjën e fëmijëve”, që thoshin se po bëhet me qëllim të rritjes së kombit dhe pushtimit të territoreve! Për inat të këtij racizmi serb, poeti boem, i ndjeri Mirko Gashi, botoi një poezi, me këto vargje:
“Kur më lindi gëzimi i parë / E mbolla një lis/; Kur më lindi gëzimi i dytë/ e mbolla edhe një lis/; Kur më lindi gëzimi i tretë/ i stërmbushur me gëzim/ E mbolla edhe një lis/; Lis pas lisi e plis pas plisi/ Bëhet pylli e rritet fisi/, Do të vijë koha/ Edhe Adriatiku do të jetë i vogë për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë/.
Kështu poeti ynë i kundërvihej politikës raciste që Sërbia zbatonte kundër lindshmërisë ë shqiptarëve. Por atë që nuk mundi ta bënte politika raciste serbe po e bëjmë ne me politikën tonë të shtirur si modern…me planifikim të familjes; me martesa të vonuara; me lindjen e sa më pak fëmijëve; me pushim 9 mujor për lehonat; me mosnxitje financiare për fëmijët e lindur; pa shpërblime; dhe pa sigurim shëndetësor. Ja si paraqitet tabela e ndryshimeve demografike të Kosovës në periudhën 2002 – 2016:
Viti Lindur gjallë Persona të vdekur Shtimi natyral Kurorëzime Shkurorëzime
2002 36136 5654 30482 18280 -
2003 31994 6417 25577 17034 -
2004 35063 6399 28664 16989 1293
2005 37218 7207 30011 15732 1445
2006 34187 7479 26708 15825 1480
2007 33112 6681 26431 16824 1558
2008 34399 6852 27547 17950 1026
2009 34240 7030 27210 20209 1555
2010 33751 7234 26517 18289 1453
2011 27626 7111 20515 16619 1469
2012 27743 7317 20426 17169 1328
2013 29327* 7135 22192 14664 1040
2014 25929 7634 18295 16239 1243
2015 24594 8202 16392 16274 1268
2016 23416 8495 14921 *) Për vitin 2013, janë llogaritur edhe lindjet jashtë Kosovës
Nga të gjitha të dhënat rezultatet na dalin negative në raport më vitin fillestar. Kështu, në raport me vitin 2002, në vitin 2016, kemi 12,720 lindje më pak; kemi 2,841 vdekje më shumë; shtimi natyror i popullsisë është për 15,561 vetë më pak; janë 2006 kurorëzime më pak. Vetëm shkurorëzimet luhaten gati në vlera të njëjta.
Është karakteristikë me statistikën e nxënësve dhe studentëve të Kosovës, të regjistruar në arsimin publik dhe privat. Përkundër rënies aq të madhe të lindshmërisë, rënia e numrit të nxënësve të regjitruar është shënuar vetëm në shkollat fillore ndërsa në shkolla të mesme dhe në arsimin universitar ka shënuar rritje. Kjo mund të shpjegohet me papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë. Prandaj rinia duke mos pasur mundësi punësimi, po vazhdon arsimimin në shkolla të mesme dhe universitete publike e private, me shpresë se pasi t’i kryejnë ato, do të gjejnë punë, apo si njerëz të arsimuar do të gjejnë punë edhe në shtete të jashtme.
Ja ecuritë statistikore, të numrit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin publik dhe privat, të regjistruar në vitet shkollore 2007/2008 – 2016/2017
Niv.arsimit 2007/2008 2008/2009 2009/2010 2010/2011 2011/2012
Parashkollor 24864 23826 24033 24655 24945
Fiillor dhe i
mesëm i ulët 325544 319154 306299 302253 294419
I mesëm i lartë 91536 96765 104806 108503 109513
Fill. i mes/ult.special 722 752 791 807 782
I mes.i lartë special 169 83 94 96 133
Ars.universitar 25840 29051 37839 45725 49844
Gjithsej: 468675 469631 473862 482041 479636
2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017
Parashkollor 26431 26768 25928 27508 29473
Fillor, mes/ultë 266677 280523 273649 263779 255093
Mesëm i lartë 107303 100437 83743 87647 90941
Fillor dhe i mesëm
special 720 635 307 254 203
I mesëm/lartë spec. 146 147 138 103 68
Universitar 65305 52159 69220 120429 123988
Gjithsej: 486582 450969 452985 499920 499766
Prirja negative e zhvillimeve demografike përcillet në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Të dhënat e regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore kanë shënuar rënie për 70,451 nxënës më pak në vitin shkollor 2016/2017, në krahasim me dhjetë vjet më parë (2007/2008). Nëse marrim si numër mesatar 300 nxënës për një shkollë, na delë se për 10 vjet kemi afro 234 shkolla më pak! Në arsimin universitar kemi shtim pesëfish të numrit të studentëve të regjistruar, dhe ky shtim është bërë në sajë të hapjes së pakontrolluar të universiteteve publike dhe private në të gjitha qendrat e qyteteve, dhe në shumicën e qytezave të Kosovës, në të cilat nuk arrihet dije e nivelit të dëshiruar, sepse nuk kanë kushte objektive, kritere mësimore as personel pedagogjik të nevojshëm e të kualifikuar.
Serbinë po e godet “murtaja e bardhë” por po merr masa
Sado brengosëse që janë zhvillimet demografike në Shqipëri, në Kosovë e në gjithë trojet shqiptare, megjithatë në krahasim me fqinjët tanë, akoma qëndrojmë ku e ku më mirë, sidomos në pikëpamje të grupmoshave të popullsisë më të re. Të gjithë fqinjët tanë qëndrojnë më keq, dhe janë alarmuar se i ka përfshirë “murtaja e bardhë”. Në Serbi, qysh moti Akademia e Shkencave dhe Arteve, shkencëtarë të demografisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë alarmuar dhe i bëjnë thirrje popullit dhe shtetit, të ndërmarrin masa për të nxitur lindjen e sa më shumë fëmijëve, sepse kombi po u rrezikohet, e bashkë me të edhe shteti dhe territori. Ata të gjitha ndryshimet i lidhin me aspekte (gjeo)politike e territoriale, prandaj thonë se nëse vazhdon rënia e popullsisë populli serb do të mbetet të jetojë nëpër enklava në shtetin e vet. Atje ka emigrim i të t’rinjve, si proces nuk është i shprehur si te shqiparët, prandaj shkaku kryesor i depopullimit në Serbi është rënia e lindshmërisë, martesat e vonshme, dhe një prej shkaqeve dhe fenomeneve më të theksuara dhe më të kritikuara nga kisha serbe, është numri i stërmadh i dështimeve (abortimeve - afro 300 mijë abortime në vit). Nga ana tjetër, janë më se 250 mijë “djemë” të pamartuar deri në moshën 40 vjeçare. Prandaj, kisha dhe shteti u bëjnë thirrje jerëzve të lindin sa më shumë fëmijë nga martesat e jashtëmartesave. Janë 300 shkolla me vetëm nga një nxënës. Çfarë është më brengosëse për Serbinë, është procesi i plakjes së popullsisë. Nga 7.186.862 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, mbi moshën 60 vjeç janë 1.778.730 banorë, ndërsa në grupmoshën 0 – 19 vjeçe janë 1.427.272 banorë. Sipas “matrices” demografike, një popull mund të zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve mbi 60 vjeçë është dyfish e gjysëm më i madh se numri i grupmoshës së popullsisë deri 19 vjeçe. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, në vitin 2017 në Serbi ka pasur 65.000 lindje, ndërsa 104.000 vdekje. Raporti është për 39,000 banorë në vit. Mosha mesatare e popullsisë është 43 vjeç.
Të alarmuar nga shpopullimi, qeveria e Serbisë, në strategjinë e saj, ka ndërmarrë një varg masash ekonomiko-sociale për nxitjen e lindshërisë. Me një ligj për mbështetjen financiare të familjeve me fëmijë, i cili hyn në fuqi më 1 korrik 2018, ka përcaktuar se për fëmijën e parë, nënës do t’i paguhen 100 mijë dinarë; për të dytin, 10 mijë dinarë dhe dy vjet; për të tretin 12 mijë dinarë; ndërsa për fëmijën e katërt 18 mijë dinarë dhe për 10 vjetë. Këtu strategjia serbe ka bërë një hile të qëllimshme, duke ndaluar nxitjen për më shumë se 4 fëmijë, sepse do të nxiste lindjet edhe mes shqiptarëve (të Luginës së Preshevës), apo mes boshnjakësh në Sanxhak!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 60 reads



