...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mashtrimi i madh i Ramës me “paketën e rezistencës” dhe gjysmë të vërtetat e OP-së

Problemi lidhur me rritjen e çmimit të naftës lidhet kryesisht me gjeopolitikat, tregun botëror dhe taksat e qeverisë pa përjashtuar rolin e shkeljeve ligjore që kryejnë tregtarët e brendshëm (kur fusin në sistemin e furnizimit naftë të papërpunuar etj.). Kështuqë ngritja e “bordit”, “agjencisë” apo nxitja e “autoritetit të konkurrencës” për hetime, nuk e ndryshon shumë krizën...

Ylli Përmeti

14/03/2022 - 19:32

Protesta kundër rritjes së çmimeve detyroi kryemashtruesin Rama të kërkojë mirëkuptim nga ajo pak pasi u shpërnda, duke njoftuar ―i zhytur në emocione dhe përçudnim mendor, krijimin e bordit të posaçëm (“special” e quajti kryefutjakoti në parashtrim, madje më tej e quajti “bord superspecial”), ku do të bëjë pjesë dhe qeveria dhe furnitorët e naftës. Bordi do të miratojë “çmimin në tregun e naftës”; do të përcaktojë “marzhin e fitimit”; dhe do të shqyrtojë (“flitet” tha kryefutjakoti...se për të shqyrtuar nuk ka mësuar) dhe procesin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të naftës. Një ditë më pas dhe pasi mbaroi protesta paqësore në mesditë, përpara kryeministrisë, Rama njoftoi “paketën e rezistencës” siç e quajti ai. Paketa përmban shtatë masa. Në fjalët e tij:

1. Ne do derdhim 3.6 miliardë lekë apo 36 milion dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do jetë që në pensione të radhës 673 mijë  e 542 pensionistëve;

2. Për 434 mijë përfituesë qytetarë të këtij vendi [qeveria] do kompensojë me lekë në dorë rritjen e çmimit të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus. Qeveria do japë 30 mijë lekë të vjetra për tre muaj rresht si kompensim për pensionistë që marrin më pak se 150 mijë lekë, invaliditetit apo ata që jetojnë vetëm, në kuptimin individualisht apo në çift; [për] persona me aftësi të kufizuar, paraplegjik apo të verbër; dhe familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike;

3. Do të jepen 5 milionë dollarë shtesë duke e çuar fondin total të naftës pa taksa në 14 milionë dollarë. Shqipëria eksporton gjysmë milliard dollar në vit prodhime bujqësore;

4. Qeveria do mbështesë të gjithë shqiptartët që përdorin linjat urbane duke derdhur menjëherë 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës që asnjë udhëtar të mos preket nga rritja e çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin;

5. Do ta sjell dy muaj para futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës deri në 50 mijë lekë dhe uljen e taksës për pagat nga 1.5 deri 2 milionë lekë të vjetra, që do të thotë, 56% e atyre që jetojnë me pagë do të paguajnë zero taksa mbi pagën;

6. Do të fusim në fuqi ligjin për pagën minimale që do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra në muajin prill;

7. Do të shtojmë me 200 milionë dollarë financimin e mburojës së çmimit të energjisë në mënyrë që bizneset e vogla dhe familjet të paguajnë sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë.

Masa e parë nuk duhet të ishte përfshirë fare meqënse ajo është miratuar në fillim të prillit të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi po të njëjtin muaj! Por kështu është kur mendjen e ke “firifiu”. Masa e dytë, përmes së cilës kompensohen 434 mijë qytetarë, hamendësisht nga klasa e varfër, sepse nuk e përcakton, dhe kategorinë e pensionistëve që kanë pension të ulët dhe invalidët, nënkupton se çmimi i naftës do të ruhet në çmimin aktual nga “super bordi” për tre muaj resht! Masa për dhënien e 5 milionë dollarëve shtesë për fondin e naftës pa taksa, për sektorin e bujqësisë, fsheh një të vërtetë ose mashtrim të cilin do ta sqaroj në vijim, meqënse nuk e tregojnë “ekonomistët” ortodoksë. Masa për mos-rritjen e biletave duke kompensuar shpenzimet plus të sektorit të transportit, është dy herë mashtrim: sepse i merr nga ne, përmes taksave, dhe kompenson sektorin e transportit ndërsa nuk dihet se do të kompensohen drejt. Masa për uljen e taksave mbi rrogat poshtë 2 milionë lekë nuk përmend taksimin e rrogave të larta, sidomos rrogat ekstravagante të një pakice të korruptuar që rrodhën së fundmi! Masa për rrogën minimale prej 320 mijë lekë vazhdon të jetë tejet e ulët ndërsa masa e fundit është e ngjashme me kompensimin e sektorit të transportit: merr nga populli, duke përfshirë dhe bizneset e vogla, dhe i kompenson ato për shtrenjtimin e energjisë!     

Këto masa, për më shumë, nuk ndryshojnë dinamikën që ka shkaktuar rritjen e çmimit të energjisë dhe efektin e tij në ushqimet bazë të popullit. Duke mos i bërë asnjë analizë katrakterit të protestës, se nëse kishte njerëz vërtet pa parti dhe nëse kishte njerëz vërtet të rebeluar nga padrejtësitë e qeverisë së tij, Rama e quajti protestën “turp kombëtar” në përpjekjen e tij për t`i dhënë karakter partiak; madje i veshi asaj dhe ngjyra gjeopolitike, duke u thënë protestuesve të bëjnë si popujt e tjerë...të protestojnë kundër luftës në Ukrainë dhe jo të protestojnë kundër rritjes së çmimit...se mund t`i pëlqejë Rusisë! Madje ai i paralajmëroi protestuesit se edhe nëse protesta vazhdon deri në vitin 2025, kur janë zgjedhjet e tjera parlamentare, taksën nga nafta nuk do ta heqin.

Ndërsa “cipa” e tij është regjur dhe s`ka turp për mashtrimet që i njofton popullit, duhet sqaruar, edhe një herë, se çmimi i naftës përcaktohet nga tregu botëror (oferta dhe kërkesa) dhe gjeopolitikat e superfuqive, kryesisht nga SHBA-ja dhe Rusia. Nuk përcaktohet, në fjalë të tjera, vetëm nga oferta dhe kërkesa siç argumentojnë “ekonomistët” ortodoksë. Por përcaktohet kryesisht nga “lëvizjet” e vendeve që sapo përmenda, pa përjashtuar rolin që kanë prodhuesit e tjerë të naftës―13 anëtarët e Opek-ut. Gjeopolitikat e superfuqive dhe tregu botëror, në fjalë të tjera, janë shkaku kryesor i luhatjes së çmimeve të naftës. Si gjeopolitikat ashtu tregu botëror mund ta ulin çmimin, kur vendojnë të hedhin në treg më shumë energji se kërkesa, por dhe mund ta ngrejnë si aktualisht, duke shkaktuar luftë. Në këtë dinamikë, energjisë sonë i shtohet dhe akciza e naftës së importuar nga jashtë dhe pesë taksat e tjera që ka vendosur qeveria “Rama”, shumicën e të cilave i trashëgoi nga qeveria pararendëse por i rriti ato dhe shtoi dhe taksën “Rama”!

Kështuqë argumenti i Ramës se çmimi i energjisë varet nga tregu botëror është i drejtë dhe ata që nuk e shohin këtë të vërtetë ose s`kanë dije lidhur me faktin se si përcaktohet çmimi i naftës ose bëjnë sikur. Por se çfarë nuk tregon Rama do ta sqaroj në vijim. Në fakt, nëse gjykojmë nga qendrimet e “protagonistëve” të protestave kundër rritjes së çmimit të energjisë, nëpër studio televizive, ata nuk kanë dije. Ata shohin si shkak “spekulantët” dhe me këta të fundit kuptojnë vetëm oligopolet vendore të naftës ose siç i quajnë ata: “oligarkët”! Ata shpërnjohin, në fjalë të tjera, gjeopolitikat dhe tregun botëror dhe përqendrohen vetëm tek spekulantët vendorë ose shitësit e naftës! Duhet thënë se si agjentët e shoqërisë civile dhe të partive në pushtet ashtu dhe veprimtarët e OP-së, kishin një emërues të përbashkët në protesta: “oligarkët”! Ky “emërues” e dha efektin e tij dhe në pjesën tjetër pa parti dhe për pasojë nuk mungoi i njëjti ‘emërues’ në qendrimet e tyre.  

Madje OP-ja e shpalosi dhe në banderolë luftën kundër “oligarkëve”! Banderola shkruante “poshtë qeveria e oligarkëve”. Ky citim lidhet me keqkuptimin e konceptit ‘oligarki’ nga organizata në fjalë. Unë e kam shqyrtuar konceptin e ‘oligarkisë’ dhe kam treguar keqparaqitjen e saj nga klasa politike dhe OP-ja. Mirëpo, ndërsa klasa politike ka çdo arsye ta keqparaqesë konceptin në fjalë, sepse kështu tregon vetëm oligarkinë ekonomike dhe jo karakterin oligarkik të shtetit ku bën pjesë dhe ajo, OP-ja s`ka asnjë arsye dhe ngaqë kanë kaluar vite tashmë që kur kritika në fjalë është publikuar, OP-ja duhet të kishte reflektuar dhe në vend ta citonte ashtu siç e citon, ta citonte “poshtë qeveria oligarkike” ose “poshtë shteti oligarkik”! Por ajo nuk ka reflektuar fare dhe vazhdon të tregojë gjysmë të vërteta lidhur me konceptin e oligarkisë.

Ajo mbron dhe karakterin e protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë: spontanitetin e saj kur është një organizatë politike e themeluar mbi parime pedagogjike: se si fillim shqyrtohet dhe kuptohet një krizë dhe më pas veprohet duke parashtruar dhe kërkesa të drejta. Madje vetë koncepti “organizatë politike” nënkupton se anëtarët e saj nuk duhet të jenë spontanë në protesta por të përputhen me parimin bazë të përfshirë në statusin e saj: kuptimin dhe veprimin e drejtë kundrejt një politike të padrejtë. Ajo tregon gjysmë të vërteta edhe lidhur me krizën në sektorin e energjitikës. Madje as gjysmë të vërteta s`tregon! Nuk është e rastit që ajo parashtroi kërkesa në ditën e pestë të protestave, duke i titulluar ato se “kriza kërkon guxim dhe ndershmëri”. Por le t`u hedhim një sy atyre dhe më pas t`i shqyrtojmë:

Për të dalë nga kriza, përveç luftës ndaj pasurive korruptive e kriminale të akumuluara ndër vite, nevojitet miratimi i këtyre masave:

1. Minimum jetik 18'000 lekë në muaj për person.

2. Pagë minimale 43,000 lekë në muaj.

3. Indeksim i të gjitha pagave deri në 100'000 lekë në muaj.

4. Themelim i një agjencie kombëtare të pavarur të kontrollit dhe përcaktimit të tavanit të çmimeve të naftës dhe produkteve të shportës.

5. Hetim i pavarur i oligopolit të sektorit të hidrokarbureve dhe veçanërisht i falimentimit dhe shkatërrimit të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh.

6. Taksë 1% mbi pasuritë (asetet) që kalojnë pragun e 1.000.000 eurove.

7. Tatim fitimi dhe dividendi prej 20% mbi korporatat e mëdha dhe oligarkët.

Ndërsa pikat që lidhen me rrogat dhe taksimin e pasurive meritojnë të shqyrtohen, vetëm dy pika lidhen me krizën energjitike: pika 4, e cila nuk ndryshon shumë nga “bordi” i Ramës, dhe pika 5, e cila kërkon hetim të sektorit duke përfshirë dhe rafinerinë në Ballsh.

Në fakt, Shqipëria ka një autoritet konkurrence që e ka për detyrë të hetojë tregun e brendshëm. Por problemi lidhur me rritjen e çmimit të naftës lidhet kryesisht me gjeopolitikat, tregun botëror dhe taksat e qeverisë pa përjashtuar rolin e shkeljeve ligjore që kryejnë tregtarët e brendshëm (kur fusin në sistemin e furnizimit naftë të papërpunuar etj.). Kështuqë ngritja e “bordit”, “agjencisë” apo nxitja e “autoritetit të konkurrencës” për hetime, nuk e ndryshon shumë krizën...       

Si mashtroi Besart Kadia në “TPZ” dhe “hetuesit” heshtën, për energjinë elektrike?

T`u japim përgjigje dhe qeveritarëve që tregojnë se energjia është rritur edhe në vendet e tjerë, ndaj populli duhet ta pranojë rritjen e saj! Njëri është zëvendës ministri i ekonomisë dhe financave të qeverisë “Rama”: Besart Kadia! Kujtoj se personi në fjalë ka deklaruar se është i djathtë në ideologji dhe pavarësisht këtij fakti u përfshi në një parti-qeveri të “majtë” jo sepse nuk përputhet me politikat e saj por sepse të tilla marrëdhënie pushtetore krijoi me median dhe Ramën.

Emërimi i tij, në fjalë të tjera, si zëvendës ministër i ekonomisë dhe financave, nuk lidhet me meritën (sepse s`e ka treguar aftësinë e tij në ekonomi dhe financa, as në teori as në praktikë) por kryesisht sepse ideologjia e djathtë e tij përputhet me politikat e “majta” të qeverisë dhe marrëdhënieve pushtetore që krijoi me median dhe Ramën kur realizonte një emision televiziv. Ai theksoi në emisionin e Ylli Rakipit, pasi tregoi “masat” mashtruese të Ramës për të “mbrojtur” klasat e ulëta të shoqërisë, se në “Britani është rritur energjia elektrike me 40%”! Ndaj...

Ky argument nuk u kundërshtua nga të ftuarit e Rakipit! Hamendësisht sepse s`e kanë të qartë këtë çështje. Por e vërteta është krejt ndryshe. Së pari, shumica e energjisë elektrike në Britani prodhohet nga gazit natyral (42%) dhe pjesa tjetër nga burime të tjerë fosilesh. Thuajse të gjithë këta burime varen nga tregu botëror. Dhe së dyti, dhe pikërisht për shkak të burimeve përkatës dhe kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe, krizës në Ukrainë, çmimi i energjisë elektrike atje shkoi në qiell.

Një raport i publikuar pikërisht në ditën kur Rusia do të sulmonte Ukrainën, paralajmëronte se kostua mesatare e rreth 22 milionë familjeve në Britani do të shkonte 3 mijë stërlina në vit ndërsa një analizë e publikuar katër ditë më parë përllogariste se do të prekeshin 28.5 milionë familje pas tetorit dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte 54%. Për këtë efekt qeveria atje premtoi një borxh prej 200 stërlinash për familjet e prekura i cili do të shlyhet përgjatë katër viteve të ardhshëm duke shtuar dhe një rabat prej 150 stërlinash mbi disa fatura.

Ndryshe nga Britania, ne prodhojmë energji elektrike nga hidrocentralet dhe këta të fundit nuk varen nga tregu botëror por vetëm nga sasia e rreshjeve dhe ujit. Sasia e energjisë elektrike që ne prodhojmë zakonisht tepëron gjatë dimirt dhe mungon gjatë verës. Shitja e saj kryehet përmes kontratave dhe kuadri ligjor i saj është miratuar që në vitin 2011 (Shih “Rregullat dhe procedurat e shitjes së energjisë elektrike”). Nëse gjykojmë nga shifrat e raporteve, prurjet ujore janë përkeqësuar tre muajt e parë të vitit, sidomos në Fierzë, kryesisht sepse është tejshfrytëzuar uji. Por në përgjithësi prurjet nuk janë keq. Kështuqë nuk ka asnjë arsye për t`u ngritur energjia elektrike. Në fakt ajo duhet të ulet nëse gjykojmë nga kostua e prodhimit të saj që kam cituar në vend tjetër. 

Ndaj populli të reagojë dhe t`u tregojë këtij lloji “qeveritari” dhe të ngjashmëve të tij por dhe gazetarëve të tipit Rakipi që nuk e kërkojnë të vërtetën dhe për më keq e çensurojnë atë!    

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA