Poezi rebeluese nga “gjiri” rinisë: vëllaçko i protestës, më dëgjo!
Kohët vëllaçko janë të vështira/Duhen luftëtarë/Dhe nëse pleqtë janë bjerrë në tutë si gërnjarë/Liria është barrë për pesëmbëdhjetë vjeçarë.
Klodi Leka
14/12/2020 - 15:49
Kohëra të vështira jane këto
vëlla i vogël.
Mëso, shishen e kolës ta bësh molotov:
benzinë, napë të njomur, çakmak, krah i fortë.
Mëso barrikadën si ta ndërtosh
me kosha mbeturinash,
me stolat në park, shkule një semafor.
Mëso se kokërruarit afër të tridhjetave,
me tuta pambuku dhe bythka të enjtura
janë fuksat që të rrethojnë.
Një sekret djalosh, taksistët spiunojnë.
Mëso se kur skafandrat shtiejne me granatë
gazi e lotësh, hokej ne xhade me ta të lozësh,
bombolat si trofe koleksionoji.
Kujto të marrësh me vete qumësht dhe qepë:
qumeshtin për turi e qepët për ti ngrënë.
Uji të irriton.
Blij kapsolla "Zeus" ne Medrese.
Flit bukur.
Shaj rëndë.
Bëju zbulues i shkathtë:
jep keshilla, mbaji barbarët bashkë
në marrëzira e arsye bëju i parë.
Mbathu me të zeza
lidhe mirë nyje shallin në qafë
kurrë mos u fut në ikje në pallat,
gjej një këndvrojtim për të mos rënë në grackë.
Mëso si të zhvokësh me gishtërinjtë për kazmë
kalldrëmin thela thela si te ish bakllava.
Jepi, mos humb më kohe.
Keta gurë të vegjël shpejt do bëhen zogj.
Mëndo si të këndosh, me sa zë në kokë
parrulla që nxisin veprim.
Sulmo pa tutë,
tërhiqu me taktikë.
Para revoltës dehu në muzikë.
Pas, me lexim!
Kur qyteti është në paranojë, aktro si
një kupid, i padijeni ose i dashuruar.
Kështu do ta çash çdo kordon.
Dorë mos vër mbi dyqanxhinjtë.
Digj, thyej, ulërit, por kurrë mos vidh
përveç ndonjë molle në uri dhe nxitim.
E nëse të shtiejnë në birucë
kurrë mos u bëj një bir i mirë.
Dhuna nuk zbutet me dhëmbshuri.
Por me shqelma dhe gjuhë të tërbuar.
Mos lejo tetëorëshin të të thyejë.
Shiko shtetin aty, e në fytyrë pështyje.
Por mbi të gjitha mos u dëshpëro.
Këto janë këshillat.
Kohët vëllaçko janë të vështira.
Duhen luftëtarë.
Dhe nëse pleqtë janë bjerrë në tutë si gërnjarë
Liria është barrë për pesëmbëdhjetë vjeçarë.
Marrja qoftë e tyre. Jona çdo lëvdatë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 151 reads