...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Serbia me ushtrinë e parë ose të dytë më të fortë në Evropë - Vuçiçi

Beogradi do të nisë një "fushatë globale diplomatike" për të arritur plotësimin e kërkesave që kanë të bëjnë me atë që sipas tij është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

13/09/2024 - 20:40

Vuçiçi nxjerr ushtrinë dhe ‘tregon dhëmbët’: Serbia e para ose e dyta më e forta në Evropë

Forcat e Armatosura të Serbisë zhvilluan dje stërvitjen e quajtur “Flamuri 2024” me rastin e Ditës së Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb.

Në aeroportin ushtarak “Kolonel-Pilot Milenko Pavloviç” u ekspozuan armatime dhe pajisje të shumta ushtarake, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Sipas mediave serbe, Vuçiçi ka pretenduar se ushtria serbe është e para apo ndoshta e dyta më e forta në Europë.

“Për sa i përket numrit të tankeve operative dhe operacionale, jemi të parët ose të dytët në Evropë. Unë njoh 15 vende që kanë aq tanke sa ne. Unë isha këtu në vitin 2013 dhe as që mund ta ëndërronim këtë. Askush nuk e tregoi HQ-17, ne kemi radarë të rinj… Pesëdhjetë për qind e vendit të prodhimit është Serbia dhe kjo na bën një nga ushtritë më të armatosura në Evropë në raport me numrin e banorëve”, tha Vuçiçi në Batajnicë.

Presidenti shtoi se armët dhe tankët janë të prodhuara në Serbi, ndërsa tha se numri i tyre shkon nga 10 deri në 15 prodhime në vit.

Qeveria serbe mbështet presidentin

Qeveria e Serbisë nisi të premten procedurat për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vend, 13 vjet pasi ishte hequr. Në një njoftim për media, qeveria serbe tha se e ka miratuar një konkluzion, sipas të cilit, do të formohet një grup punues për “shqyrtimin e aktiviteteve dhe masave” për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Ky vendim e mbështet propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili mori pjesë edhe në seancën e qeverisë të premten. Shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për burrat, ndërsa vullnetar për gratë, sipas qeverisë.

Para vendimit të qeverisë të premten, lideri serb tha se ministrat e kanë përkrahur propozimin e tij për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Kam theksuar se kjo është një gjë e madhe për Serbinë, jo vetëm për mbrojtjen e vendit, por edhe sepse do të forcojë ndjesinë e përgjegjësisë dhe seriozitetit tek të rinjtë, e cila do t'u nevojitet atyre për gjithçka që do të hasin në jetën civile”, tha Vuçiç në Instagram.

Ai shtoi se “qytetet dhe bashkitë ku ndodhen kazermat do të përfitojnë edhe nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, sepse këto zona do të rriten ekonomikisht dhe do të përparojnë e zhvillohen edhe më shpejt”.

Gjatë një vizite te Forcat e Armatosura të Serbisë, Vuçiçi tha gjithashtu se kryerja e shërbimit ushtarak do të zgjasë shumë më pak se në të kaluarën.

"[Kohëzgjatja e kryerjes së shërbimit] është pesëfish më e shkurtër se në kohën tonë, dhe nuk duhet të them se kryerja e tij do të jetë patjetër shumë më e lehtë sesa ishte në kohën tonë, por gjithashtu e gjithë disiplina është shumë më e vogël se më parë”, tha ai për gazetarët.

Ideja për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është konkretizuar në janar të këtij viti. Atëkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë ka nisur një iniciativë dhe i ka propozuar presidentit të Serbisë rikthimin e shërbimit ushtarak.

Me Kushtetutën e Serbisë dhe Ligjin për ushtrinë, presidenti i Serbisë e komandon ushtrinë serbe në luftë dhe në paqe. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi ishte hequr më 1 janar të vitit 2011

Kroacia fqinje mori, gjithashtu, vendimin për ta rikthyer shërbimin ushtarak, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Vuçiçi nënshkroi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se e ka miratuar rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe pret që këtë ta bëjnë qeveria dhe parlamenti i vendit ballkanik.

Gjatë një ceremonie të diplomimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë ai tha se “dua të besoj se të gjithë e kuptojnë sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë, por duam t’i zmbrapsim ata që na kërcënojnë çdo ditë”, tha ai, por pa dhënë ndonjë provë se nga kush kërcënohet Serbia.

Shërbimi i detyrueshëm do të zgjaste 75 ditë, tha ai.

Serbia pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011 në mes të përpjekjeve për të profesionalizuar forcat e armatosura. Por, vendi tani duket afër rikthimit të shërbimit pas një fushate të gjatë në favor të tij, pavarësisht shqetësimeve se qeveria mund të përballet me vështirësi për të paguar faturën për një rekrutim masiv.

Tensionet janë ende të larta në rajonin e Ballkanit që u përball me shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Edhe pse zyrtarisht neutrale, ushtria serbe ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë prej së cilës ka blerë shumicën e armatimeve të saj, duke përfshirë avionë dhe tanke.

Në fund të muajit gusht Serbia arriti një marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve ushtarakë të tipit Rafale, në atë që u pa si një ndryshim në rrugën e bashkëpunimit të saj me Rusinë në fushën e mbrojtjes.

Por, pak pas kësaj marrëveshjeje Beogradi dërgoi në Rusi zëvendësministrin e Serbisë Aleksandar Vulin për të siguruar presidentin rus Vladimir Putin se e vendi ballkanik, që zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është një aleat i Rusisë, që kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës apo të anëtarësohet në NATO.

Tensionet janë të larta rreth Kosovës e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, që kundërshtohet nga Serbia dhe aleatet e saj Rusia dhe Kina.

Serbia ka mbajtur gjithashtu marrëdhënie të mira me NATO-n, trupat paqeruajtëse të së cilës janë vendosur në Kosovë që nga viti 1999, kur aleanca ushtarake perëndimore ndërhyri për t’i dhënë fund shtypjes së përgjakshme të shqiptarëve të Kosovës nga Beogradi.

Një rajon tjetër i paqëndrueshëm është Bosnja, ku udhëheqësi pro rus Milorad Dodik ka kërcënuar të shpallë të pavarur gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje.

Vuçiçi i shpall “luftë” gjeopolitike Kosovës dhe kërkon kthimin e “gjendjes së mëparshme” në veri 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të premten se vendi i tij kërkon kthimin në “status quo ante” (gjendjen e mëparshme) në veriun e Kosovës, si rrugë për tejkalimin e situatës së krijuar nga ato që ai i cilësoi, synim të Prishtinës për përndjekjen e popullsisë serbe.

Në një konferencë për shtypin ai tha se Beogradi do të nisë një "fushatë globale diplomatike" për të arritur plotësimin e kërkesave që kanë të bëjnë me atë që sipas tij është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Kërkojmë shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore. Tërheqjen e forcave të posaçme të Policisë së Kosovës nga veriu”, tha presidenti serb duke vënë theksin te “formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në kuadër të kërkesave ai përmendi edhe “lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë" të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe “kryerjen e pagesave dhe shërbimeve postare me valutën serbe”.

Në një konferencë të gjatë ai tha se përveç këtyre kërkesave, parlamenti Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditësh për të shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët".

Ai tha se "institucionet serbe" në Kosovë që u mbyllën nga autoritetet e Prishtinës, "nuk do të shfuqizohen apo mbyllen" dhe pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.

Presidenti serb paralajmëroi edhe themelimin e prokurorisë që posaçme “që do të ndjek të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar”. Po ashtu tha ai, parlamenti i Serbisë do t’i shpallë ta paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha aktet që janë miratuar nga Prishtina në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.

Kërkesat e presidentit serb u paralajmëruan tre ditë më parë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shuarjen e e institucioneve paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe.

Pak kohë para konferencës së presidentit serb, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “Vuçiçi në bashkërendim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”.

Në një postim në Facebook, kryeministri Kurti radhiti pasojat e krimeve të forcave serbe në Kosovë, duke theksuar mes tjerash se Serbia “në vend që të pendohet për krimet, të kërkojë falje për to dhe të mos i mohojë ato; t’i hapë arkivat e luftës të policisë dhe ushtrisë jugosllave, sidomos të brigadës së motorizuar 37; të paguajë dëmshpërblimet; të bashkëpunojë për të vendosur drejtësi për viktimat e gjenocidit; të angazhohet për pajtim e paqe duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka; ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë. Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”.

Kryeministri Kurti tha se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese.

“Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike. Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta”, shkroi mes tjerash kryeministri Kurti.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që çështjet të diskutohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u morën vesh në Bruksel dhe në Ohër.

A do të mbahet javën që vjen një raund i ri bisedimesh Kosovë – Serbi?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në bisedimet me Serbinë në Bruksel, shkroi të premten se i dërguari evropian Miroslav Lajçak ka ftuar palët për një takim me 17 shtator.

Në një postim në platformën e rrjeteve sociale X, zoti Bislimi tha se Kosova e ka pranuar takimin sipas një agjende të përcaktuar nga ndërmjetësuesi, ndërsa Serbia është përpjekur të ta përcaktojë agjendën “kryesisht për konsum të brendshëm politik”.

Ai i bëri thirrje zotit Lajçak që të hedhë poshtë ato që i ka konsideruar dezinformata të mediave serbe, që raportuan se ishte Kosovës ajo që refuzoi një takim trepalësh.

Zyrtarët evropiane nuk i kanë komentuar njoftimet, por ditë më parë zoti Lajçak zhvilloi takime në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Prishtina akuzon Beogradin për moszbatim të marrëveshjes. Presidenti serb Vuçiç tha se Serbia nuk ka asnjë problem me marrëveshjen e Ohrit përveç anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Raport i përditësuar 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA