...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Shfarrosje ose Rebelim”: mobilizon mijëra njerëz dhe shkakton një revolucion të vërtetë në Britani

Protestuesit kërkojnë nga qeveria të reduktojnë çlirimet e gazrave në zero deri në vitin 2025 dhe të themelojë një asamble qytetare e cila do të hartojë një plan të jashtëzakonshëm për veprim për të luftuar ndryshimet klimatike dhe humbjen e biodiversitetit

Ylli Përmeti

15/04/2019 - 19:16

Grupet kundër ndryshimeve klimatike kanë filluar (15 prill, 2019) betejën e gjatë duke bllokuar rrugët e qarkullimit në katër zona kryesore të Londrës duke shkaktuar prishje të gjerë ndërsa bëjnë thirrje për veprime të paqta dhe mosbindje qytetare. Protestuesit kërkojnë nga qeveria të reduktojë çlirimet e gazrave në zero deri në vitin 2025 dhe të themelojë një asamble qytetare e cila do të hartojë një plan të jashtëzakonshëm për veprim për të luftuar ndryshimet klimatike dhe humbjen e biodiversitetit. Demonstratat janë pjesë e një fushate botërore e organizuar nga grupi “Zhdukje Rebeluese” me protesta të planifikuara në 80 qytete përgjatë 33 vendesh në ditët në vijim.

“Provuam peticione, marshime, letra, raporte, studime, takime, qoftë edhe veprimtari të drejtëpërdrejta, dhe çlirimet globale vazhdojnë të rriten. Qeveritë vendosin përparësi interesa afat-shkurtër të elitave ekonomike, kështuqë për të tërhequr vëmendjen e tyre, ne duhet të prishim ekonominë. Ata nuk na kanë lënë variant tjetër”, citon një i rebeluar.

Si pasojë e veprimtarisë u arrestuan më shumë se 100 vetë gjatë mbrëmjes dhe natës së ditës së parë të protestave. Por që nga tetori i vitit të kaluar, kur organizata përkatëse filloi veprimtarinë, janë arrestuar më shumë se 200 vetë. Katër zonat e kryeqytetit britanik mbeten nën kontrollin e veprimtarëve. Oraganizata është rezultat i përpjekjeve vijuese dhe intesive të shumë studiuesve, të cilët kanë kuptuar përmasën e katastrofës ekologjike, efektin e ndryshimeve klimatike dhe kanë krijuar dinamikën sociale, kryesisht mes të rinjsh, për të nxitur protesta masive.

Qëllimi është bllokimi e qendrës së Londrës (Sheshi i parlamentit, cirku i Oksfordit, Harku i Marblit dhe Ura e Uotërlusë) ndërsa paralel me ta zhvillohen protesta të ngjashme në Evropë dhe Amerikë. Tashmë frika se nëse nuk fillojnë zvogëlimet e çlirimeve të gazrave katastrofa ekologjike do të jetë e pakthyeshme (do të rrënohen shtresat e akujve, do të ngrihet niveli i detit, do të digjen më shumë pyje, do të acidifikohen oqeanet, do të shpërbëhet struktura e tokës së ngrirë edhe më shumë etj.) mbizotëron studiuesit përkatës.

Për të njëjtën arsye, ata kanë braktisur punën e tyre si pedagogë në Universitete, të fituar me shumë mund, dhe janë duke organizuar jo vetëm protesta por edhe konferenca shkencore që lidhen me krizën ekologjike me qëllim që të ndryshojnë mendësinë e krijuar nga elitat kapitaliste të dy shekujve të fundit duke punuar me qindra akademikë dhe shkencëtarë për të mbështetur parimet e tyre.

Një nga themelueset e “Zhdukjes Rebeluese” është Gail Bradbrook: ajo braktisi jo vetëm punën e saj por edhe familjen (jo fëmijët) me qëllim që të përqendrohet më shumë në lëvizje e cila është konceptuar si vetë-organizuese—jo-hierarkike “holakraci”.

E frymëzuar nga luftëtaret (sufragjetet e shekullit të kaluar), Mahatma Gandhi dhe Martin Luther King, Bradbrook dhe skuadra e saj synojnë të krijojnë prishje të mjaftueshme për të detyruar Britaninë të deklarojë një gjendje të jashtëzakonshme klimatike, të zotohet në një ekonomi karbon-neutrale deri në vitin 2025 dhe të themelojë asambletë ‘qytetare’—të zgjedhur me short si një gjykatë— për të mbikqyrur një kalim të tillë monumental. Një nga sloganet e tyre —“Thuaj të vërtetën, dhe vepro si të jetë e vërtetë”, po kumbon. Ata e dinë se mosbindja qytetare është art delikat— veçanërisht në klimën toksike politike të shkaktuar nga Brexit.

Vetëm rebelimi do të parandalojë apokalipsin ekologjik

Nigel Farage, kryetari i partisë “Pavarësi” dhe kryembrojtësi i “Brexit”—daljes së Britanisë nga BE-ja, për shembull, e quajti fushatën “terrorizëm ekonomik”! Hamendësisht, sepse s`e ka kuptuar ende realitetin në të cilin gjendet jeta e planetit — pa përmendur realitetin tjetër me të cilit do të përballet në të ardhmen. Bradbrook do të jepte dhe jetën për objektivin e organizatës. Mijëra janë ndikuar nga punët e studiuesve përkatës dhe për pasojë ata i bashkohen objektivit pavarësisht se përballen me dhunën e shtetit. Mijëra janë adoleshentë. Tashmë gjendjen e kanë kuptuar dhe gazetarët e shtypit ndërkombëtar (Financial Times, The Guardian, The Times etj.) dhe e mbështesin lëvizjen.       

Të premten ministri i brendshëm urdhëroi policinë të përdorte “gjithë fuqinë e ligjit” kundër protestuesve që shkaktonin krime. Po të njëjtën ditë, veprimtarët dështuan në bllokimin e aeroportit të Hithrout. Numri i të arrestuarve arriti në 682 që nga dita e henë. Policia i përshkroi protestat si “prishje serioze” të rendit dhe të “papranueshme” ndërsa arrestimet mirëpriten nga veprimtarët sepse i konsiderojnë pjesë të betejës.     

Mënyra se si protestojnë veprimtarët ka çoroditur autoritetet, politike dhe policore: ato nuk dijnë se si të veprojnë sepse arrestimet çojnë në mobilizim më të madh të njerëzve, përmbytje me njerëz, meqënse protestat janë paqësore dhe njerëzit dhe veçanërisht prindërit janë të ndjeshëm kur shikojnë arrestime të padrejta të fëmijëve të tyre—domethënë, kur protestat janë jo të dhunshme. Portestat do të zgjasin për dy javë nëse qeveria pajtohet të bisedojë. 

Rebelët britanikë nuk mposhten: bllokojnë shtypin e kontrolluar nga oligarkia

Kur epidemia u bë pandemi dhe thuajse gjithë planeti “ngriu” ashtu “ngriu” dhe veprimtaria politike e Rebelëve Shfarrosës (kuptoje se gjendemi përballë shfarrosjes ose rebelimit): sepse për shkak të karantinave veprimtaria njerëzore dhe tregëtare u zvogëlua dhe bashkë me to ranë dhe përqindjet e çlirimit të gazrave në atmosferë — aq sa shumë filluan të besonin se C-19 shpëtoi të paktën planetin nga shfarrosja. Por ky besim nuk zgjati shumë sepse karantinat u hoqën në shumicën e vendeve dhe bashkë me to filloi sërish të bombardohësh planeti me helme dhe ndotje. Për të njëjtën arsye, Rebelët filluan veprimtarinë e tyre politike sërish në shtator. Objektivi i tyre këtë herë ndryshoi: nuk bllokuan rrugë dhe hapësira publike (nga ku çlirohet shumica e gazrave) por bllokuan shtypin—gazetat kryesore, sepse nuk i tregojnë të vërtetën popullit për gjendjen ekologjike dhe të ardhmen e tij.

Shtypi, sipas tyre, është kapur nga oligarkia (mos u ngatërroni me kuptimin që i japin ‘oligarkisë’ kretinët e anëve tona: se ajo shprehet vetëm përmes pushtetit ekonomik apo pasanikëve!). Se si kapet shtypi nga oligarkia —pushteti politik dhe ekonomik— e kam treguar në një studim. Britania, sidoqoftë, ka shtyp më të lirë se Shqipëria. Kjo është arsyeja se pse në vendin tonë realiteti e gjendjes ekologjike nuk është kuptuar fare në popull ndërsa është kuptuar deri diku nga të ashtuquajturit “ekologjistë” meqë nuk kanë realizuar ndonjë studim. Dhe kjo është arsyeja se pse nuk dëshmojmë asnjë protestë kundër katastrofës kolektive që zhvillohet përpara nesh: sepse media jonë kombëtare kontrollohet tërësisht nga oligarkia. Por rebelët britanikë nuk e shohin shtypin dhe median britanike duke e krahasuar me median dhe shtypin tonë: ata shikojnë se shkalla e katastrofës ekologjike po çensurohet dhe për të njëjtën arsye reagojnë duke sakrifikuar dhe jetën e tyre.

Në aksionin e fundit, kundër shtypit, Rebelët bllokuan shtypshkronjat kyçe duke bllokuar shtypjen e gazetave kombëtare. Në shënjestrën e tyre ishin gazetat, “The Times”, “The Sun”, në Broxbourne, Hertfordshire dhe Knowsley, Mareseyside. Në ato shtypshkronja shtypen dhe “The Daily Telegraph”, “Financial Times” dhe “Daily Mails”. Ata bllokuan dhe shtypshkronjën ku shtypet “The Scotish Sun”. Aksioni shprehet me lidhjen e tyre në ndërtesa gjatë natës. Për t`i zgjidhur policisë i duhet kohë dhe kështu bllokojnë për disa orë veprimtarinë e shtypshkronjave. Si pasojë, më shumë se 500 rebelë u arrestuan. Kështu deri diku objektivi u realizua: sepse duhet thënë se disa gazeta u shtypën në shtypshkronja të tjera të cilat nuk ishin bllokuar nga veprimtarët—shtypshkronja ortakësh!

Sidoqoftë, veprimtarët nuk e kanë ulur intesitetin e veprimtarisë. Paralelisht kanë hartuar një projektligj ku kërkohet nga paralemtanti të shpallet gjendja e jashtëzakonshme lidhur me ndryshimet klimatike ose katastrofën ekologjike dhe organizimin e asambleve popullore prej të cilave do të vendoset se si do të veprohet dhe çfarë drejtimi do të marrë shoqëria. Projektligji shkoi në kuvend ditët e para të shtatorit me mbështetjen e pak deputetëve por qeveria e la shqyrtimin e tij për vitin tjetër! Për të njëjtën arsye rebelët po përgatiten për aksione të tjerë.

Duhet thënë se rebelët britanikë kanë frymëzuar miliona njerëz rreth botës dhe janë krijuar plotë organizata të ngjashme. Përpjekjes së tyre në Britani i është bashkuar dhe rinia komuniste dhe trockiste pavarësisht dallimeve në qasje: sepse duhet thënë se rinia komuniste dhe trockiste vepron për hir të ideologjisë dhe jo për hir të kuptimit të realitetit ekologjik! Ky është një dallim i rëndësishëm sepse të veprosh pasi ke kuptuar drejtë një problematikë është më dëshirueshme se sa kur vepron për shkak të ideologjisë. Kjo e fundit nënkupton një lloj sinteze politike-ekonomike ku rinia në fjalë do të drejtojë dhe të tjerët do të zbatojnë! Domethënë, lëvizjet marksite, komuniste qofshin ato apo trockiste, kanë një qëllim të mëtejshëm në veprimtarinë e tyre politike: kërkojnë të drejtojnë përmes një sinteze e cila ka treguar se ka dështuar! Sidoqoftë, mosmarrëveshjet mes tyre u zgjidhën dhe tani janë pjesë e një fronti mjaft të gjerë popullor. Përpjekjes së tyre po i bashkohen dhe disa bilionerë—në dijeni të realitetit ekologjik— dhe po ndihmojnë veprimtarinë e tyre me financë.                    

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA