Drithi me kimikate të rrezikshme dhe zia e bukës që i kanoset Shqipërisë (dhe Kosovës)
Shqipëria me orientimin e saj për t`u integruar në globalizmin neoliberal shkatërroi sektorin e energjitikës dhe Azotikun e Fierit; me shkatërrimin e parë ajo nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë koston e energjisë motorrike ndërsa me të dytin shkatërroi prodhimin e plehrave kimike dhe i importon ato nga tregu ndërkombëtar, të cilët kanë zakonisht kosto të lartë dhe cilësi të ulët
Ylli Përmeti
19/06/2022 - 20:33
Gruri dhe drithi bombardohen me kimikate të rrezikshme
Shqipëria dhe Kosova nuk kërcënohen vetëm nga drithi i importit (kryesisht serb dhe rus), në kuptimin gjeopolitik dhe shoqëror të fjalës, por dhe nga cilësia e ulët e tij: sepse raportohet se drithi serb ka cilësi të ulët (ka pak vlera ushqimore ose proteina) dhe për kultivimin e tij përdoren pesticide, insekticide dhe fungicide të rrezikshme për shëndetin. Një studim i fundit, për shembull, i zhvilluar në Vojvodinë, tregon se toka kishte 41 herbicide dhe pesticide u gjetën në gjithë mostrat dhe raportohet se ka qenë i infektuar me bakterin “E Coli” në vitet 2014. Bakteri në fjalë lidhet kryesisht me ndotjen e drithit pas vjeljes. Ai shkakton gastroenterit, septicemi dhe miningit. Duke ditur cilësinë e tij, tregtarët tanë ulin rrezen e bluarjes dhe i shtojnë kimikate për ta bërë bukën të “shijshme”, sipas raporteve nëntë: fosfat natriumi, fosfat kaliumi, fosfat kalciumi, klor, dioksid klori, dhe zbardhues buke si agene, azodikkarbonamid, peroksid benzoil, dhe bromat kaliumi, të cilët shkaktojnë një sërë sëmundjesh të rrezikshme, si çrregullimin e sistemit endokrinal, kancer etj. Fao përfshin 15 kimikate me pasoja të rrezikshme (Table 1) për sistemin endokrinal. Ndër to përfshihet benzofenoni ndërsa nuk përjashtohen pesticide të tjerë.
Për cilësinë e ulët të grurit të importuar dhe veprimet e tregtarëve tanë pushtetarët tanë janë në dijeni por heshtin. Për shembull, një raport i organizatës botërore të ushqimit (FAO) mbi cilësinë e drithit serb i është dorëzuar Ramës në vitin 2018. Sipas atij raporti Panariti si ministër bujqësie në vitin 2014 (qeveria Rama-1) lejoi importin e grurit të cilësisë së ulët dhe të infektuar, të cilin e përdorën më pas tregtarët tanë për prodhimin e bukës, dhe hamendësisht shtuan ngjyruesit që kishte miratuar po Panariti (Udhëzim, 22, 12, 2014) , ndërsa Rama heshti dhe hesht edhe sot bashkë me prokurorët e tij. Ky është një krim shtetëror që nuk krahasohet me krimin që po kryhet me bananen; sepse buka përdoret më shumë se banania nga populli ynë. Kuptohet ky pretendim nga sasia që përdoret. Sipas raporteve, Shqipëria përdor rreth 400-500 mijë tonë drith në vit ndërsa banane rreth 40 mijë tonë. Prokuroria e Kosovës ndërkohë ka dyshime ndaj Kurtit lidhur me rezervat e drithit por s`kemi parë të ngrihet ndonjë shqetësim lidhur me kimikatet e drithit.
Por gjendja lidhur me përdorimin e kimikateve në kultivarët e grurit dhe drithit në përgjithësi është më e keqe në Shqipëri se sa në Serbi. Sipas të dhënave të FAO-s, “përdorimi i pesticideve në Shqipëri është rritur me 503 për qind, nga viti 1990 në vitin 2019 – rritja më e madhe e regjistruar në Evropë pas Malit të Zi. Numri i pesticideve ka rënë në botë përgjithësisht thotë Fao por nga përditësimi i fundit i dhjetor-2022-shit shihet se në listën e Shqipërisë janë 63 (disa lejohen dhe të tjerë jo) ndërsa është rritur tmerrësisht sasia e përdorur: “nga viti 2016 deri 2020, përdorimi i pesticideve u rrit me 173 ton, duke arritur një përdorim vjetor prej 757 ton”. Për lejimin e njërit prej tyre (SiliconMix) është akuzuar ish-minitri i bujqësisë, Niko Peleshi, në vitin 2019 por ai u mbrojt duke thënë se “ai jo vetëm që nuk është i dëmshëm, por dobia e tij është e pranuar edhe në protokollet e avancuara të bujqësisë organike”, në vend të paraqeste ndonjë studim dhe të na tregonte përmbajtjen e tij dhe të na bindte se është ashtu siç thotë.
Sasia e drithit të prodhuar dhe importuar dhe shapakotët e partive
Një raport i Bankës Botërore lidhur me sasinë e prodhimit të drithit në vendin tonë citon se në vitin 2018 ajo ishte 678,196 tonë me rënie krahasuar me një vit më parë dhe me një mesatare prej 638,150 tonë që nga viti 1961 me vitin më të mbarë 1983 kur Shqipëria kapi shifrën rekord të drithit prej 1,067,000 tonë dhe me të mbrapshtin vitin 1961 kur vendi ynë prodhoi 293,449 tonë. Instat-i raportoi se prodhimi i drithit në vitin 2020 ishte pak më i lartë: 684,023 tonë. Kjo sasi është thuajse sa dyfishi i sasisë së importuar prej 364,000 tonë. Çmimet e larta të plehrave kimike dhe të energjisë motorrike dhe mungesa e subvencioneve, thonë “ekspertët” zakonisht, pas të cilëve rendin dhe “kritikët” e partive (Shehaj, Qori etj.) e bëjnë vendin tonë të parin në rajon sa i përket kostos së prodhimit. Por se çfarë s`tregojnë këta “ekspertë” do të qartësohet në vijim.
Panariti lejoi prodhimin e bukës me miell kancerogjen - hetimi
Sipërfaqja e përgjithshme e tokës në Shqipëri është 2,875,000 ha, nga të cilat 699,000 ha, ose 24%, janë tokë bujqësore (duke përjashtuar kullotat), 36% pyje, 16% kullota të përhershme dhe 24% të tjera. Rreth 43,3% e tokës bujqësore ndodhet në zonat fushore, 34% në zonë kodrinore, 22,7% në rajonet malore. Toka bujqësore e vendosur mbi 300 metra mbi nivelin e detit është shumë e copëzuar, me mungesë aksesi në ujitje dhe nën kërcënimin e përhershëm të erozionit.
Sipas një raporti të FAO-s një ton drithë në Shqipëri kushton të paktën 38 për qind më shumë se mesatarja rajonale ndërsa prodhimi i një ton drithi në vendin tonë kushton 286 dollarë; në Maqedoninë V. 201; në Bosnje 170; ndërsa Serbia ka koston më të ulët prej 169 dollarë. Sipas një studimi tjetër, në vendin tonë vetëm 25 për qind e fermerëve gjenerojnë më shumë se 5,500 euro në vit; më shumë se një e katërta e tyre gjeneron më pak se 750 euro dhe rreth gjysma, një mesatare prej 1,700 euro në vit ose 500 euro për çdo punëtor.
Shqipëria ka rreth 350,000 ferma dhe rreth 160,000 janë më pak se një ha; 142,084 janë mbi 2 ha; dhe 49,000 janë më shumë se 2 ha. Për të gjeneruar fitim një fermë prej dy punëtorësh ajo duhet të gjenerojë 5,000 euro në vit. Sektori i agrikulturës punëson 36.4 për qind të fuqisë punëtore dhe zë përqindjen më të lartë të ekonomisë dhe punësimit me rreth 18.63 për qind të PBB-së.
Në BE kostua mesatare e prodhimit të drithrave ishte 635 euro për ha sipas një raporti të vitit 2019. Kostot kryesore janë farat ose lloji i tyre, plehrat, prodhimet për mbrojtjen e drithrave dhe makineria. Misri ka koston më të lartë. Vendet në BE ndahen në dy kategori, me Hungarinë, Kroacinë dhe rajonin Balltik të kenë një mesatare kostoje prej pak më shumë se 500 euro për ha dhe Danimarkën, Gjermaninë dhe Francën me rreth 800 euro për ha. Bazuar në vlerën neto të fermës, të ardhurat ranë pas krizës së vitit 2009 nga 20,221 në 12,873 euro. Që nga ajo kohë të ardhurat u përmirësuan duke shkuar në 18,400 euro. Vendet dhe rajonet që realizuan vlerën e shtuar më të lartë për prodhuesit (mbi 40,000 euro) ishin lindja dhe veriu i Gjermanisë, Britania, Irlanda, jugu i Suedisë dhe Danimarka.
Rusia ndalon eksportet e drithit për vendet jomiqësore dhe godet Shqipërinë
Fakti që vendi ynë ka importuar ndër vite më shumë drithë nga Rusia dhe kjo e fundit njoftoi se nuk do të lejojë eksportin e tij për vendet jomiqësore ose armike, si Shqipëria, mbetet që të improtojmë nga Serbia meqë ka koston më të ulët në rajon. Por është e sigurtë se Serbia nuk mund të mbulojë eksportet ruse dhe vitet e fundit Beogradi i ka shitur Prishtinës dhe Tiranës grurë të cilësisë së ulët: me pak proteina, jod dhe hekur. Nuk kanë munguar akuzat se ajo eksporton drithë të skaduar apo të lënë për kafshët dhe kontrabandë.
Kosova mund të mbulojë vetëm 35 për qind të nevojave nga prodhimi i saj dhe thuhet se gati 50 për qind e tokave bujqësore janë djerrë. Ajo importon mbi 80 për qind të grurit nga Serbia dhe kjo e fundit pezulloi eksportin e tij për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjen e jashtëzakonshme të eksportit si pasojë e rritjes së kërkesës. Kjo është arsyeja se pse shumë kanë vënë alarmin se Kosova kërcënohet në sigurinë e saj ushqimore.
Një raport i gushtit 2023 paraqet një realitet paksa ndryshe. Sipas tij, prodhimi i grurit në Kosovë për vitin 2023 nuk i plotëson nevojat e popullit dhe ai është pa cilësi. Kushtet ose ndryshimet klimatike kanë ndikuar në rënien e rendimentit dhe cilësisë: sipas bujqëve, muaji maj dhe qershor, kur gruri fillon dhe piqet, patën rreshje shiu, mjergull dhe brymë. Me fjalë të tjera, ftohtësia dhe lagështia e muajve përkatës kanë dëmtuar mbjelljet. Në ndryshimin e kushteve klimatike kontribojnë të gjithë por më shumë elitat. Kështu bujku rropatat në arë por mbjelljen e tij e shkatërrojnë kryesisht elitat dhe mbështetësit e tyre dhe në vend të dalë me fitime, del me humbje, si ai ashtu dhe populli në tërësi, sepse do të kenë edhe mungesë drithi edhe mungesë cilësie. Kështu ruhet varësia nga gruri serb dhe shtohen sëmundjet...Nevojat e Kosovës për grur, sipas raportit, janë 410.000 tonë por ajo prodhon rreth 300.000 tonë!
Është e qartë se si Kosova ashtu dhe Shqipëria nuk kanë rrugë tjetër veç të blejnë drithë nga vendet prodhuese me kosto prodhimi më të lartë se Serbia dhe Rusia me qëllim që të mbulojnë nevojat e popullit; kjo “zgjidhje” imponohet përsa kohë që qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë punuar për të zhvilluar sektorin e bujqësisë por e kanë lënë atë në dinamikën e tregut të marketingut në kuadër të globalizmit neoliberal me përjashtim të dy viteve të fundit kur përdorën subvencionet për të nxitur mbjelljen e grurit por ato janë të pamjaftueshme. Për shembull, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në total u mbështetën me subvencione 4 mijë fermerë, me një fond prej 5 milionë dollarë ndërsa u shtuan rreth 2,500 ha me të mbjella më shumë se viti 2022. Për këtë vit, totali i të mbjellave me grurë arriti në 57,500 hektarë.
Madje, duke qenë të paafatë për të përdorur të dhënat e institucioneve (ndër)kombëtare, mundohen të tregojnë koston e prodhimit të drithit në Shqipëri. Për shembull, “Dosja.al” në një artikull me titull, “Llogaritë/Falimentimi i fermerëve vendas thellon krizën e furnizimit me grurë”, përpiqet të na tregojë koston e prodhimit (210,000 mijë lekë të vjetra për dynym) dhe mungesën e subvencioneve si shkak i krizës në bujqësi!
Nuk mungojnë akuzat se fajin e ka qeveria “Rama” dhe oligopolistët. Për shembull, OP-ja, duke u nisur nga një raport se gruri i Lushnjes mbetet pa u shitur, sepse tregtarët e mëdhenj ofrojnë 35 lekë për kilogram, tha, pasi tregoi Ramën dhe Ballën si shkaktar, se “situatën e bën më irrituese dhe dramatike fakti që oligopolistët e mëdhenj e blejnë grurin shumë më shtrenjtë jashtë, në Serbi e gjetkë […], ndërsa me prodhuesit vendas tallen”.
Për OP-në fakti që jemi orientuar për t`u integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut pas rënies së socializmit marksist dhe në dinamikën e tij kryesore, konkurrencën, ku tregjet janë të lirë (në rastin e rajonit tonë janë në proces liberalizimi përmes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur) dhe fermat përballen me konkurrencën e vendeve fqinje dhe jo vetëm, është i padukshëm!
Nuk bëjnë as lidhjen që bëjnë shumë raporte mes energjisë motorrike dhe plehrave kimike dhe kostos së prodhimit por zakonisht bëjnë vetëm një lidhje: mungesën e subvencioneve! Hamendësisht, sepse “rrushi sheh rrushin dhe piqet”. Madje, përmbysin dhe të vërtetën: se kostoja e prodhimit të grurit është më e shtrenjtë në “Serbi e gjetkë” sa sa në Shqipëri!
Shqipëria me orientimin e saj për t`u integruar në globalizmin neoliberal shkatërroi sektorin e energjitikës dhe Azotikun e Fierit; me shkatërrimin e parë ajo nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë koston e energjisë motorrike ndërsa me të dytin shkatërroi prodhimin e plehrave kimike dhe i importon ato nga tregu ndërkombëtar, të cilët kanë zakonisht kosto të lartë dhe cilësi të ulët.
Shqipëria me orientimin e saj për t`u integruar në globalizmin neoliberal shkatërroi sektorin e energjitikës dhe Azotikun e Fierit; me shkatërrimin e parë ajo nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë koston e energjisë motorrike ndërsa me të dytin shkatërroi prodhimin e plehrave kimike dhe i importon ato nga tregu ndërkombëtar, të cilët zakonisht kanë kosto të lartë dhe cilësi të ulët. Aktualisht tregun e plehrave kimike e mbizotëron Rusia. Këta dy sektorë ishin themelet e bujqësisë shqiptare shekullin e kalur të cilët mundësuan prodhimin rekord të vitit 1983 (bashkë me parimet shkencore) dhe janë shkaqet kryesore se pse bujqësia jonë nuk konkurron dot me fqinjët tanë ndërsa subvencionet, të cilët i përmendin shapakotët e establishmentit, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, janë një arsye e tretë por duhet përmendur paralelisht fakti (të cilin nuk e përmendin shapakotët e oligarkive) se subvencionet kursehen nga taksat e popullit në tërësi dhe si të tillë qeveritë varfërojnë popullin në njërën anë për të zhvilluar bujqësinë në anën tjetër. Subvecionet kanë dhe një efekt tjetër të dëmshëm tek ata që përfshihen në zhvillimin e bujqësisë: se duke ditur se ata do të subvencionohen në rast se nuk realizojnë fitime, ata shkujdesen me prodhimin e tyre! Janë pikërisht këto dy arsye që subvencionet nuk e zgjidhin krizën në sektorin e bujqësisë krahas arsyeve të tjera dytësore, të cilat i tregova më herët.
Përmblethtas, qeveritë tona të 30 e ca viteve të fundit krijuan kushtet për shkatërrimin e dy epërsive kryesore që krijoi qeveria e Enver Hoxhës gjatë 40 viteve të saj lidhur me bujqësinë: shkatëroi sektorin e energjisë motorrike (naftënxjerrjen) dhe azotikun. Me shkatërrimin e tyre ata shkatërruan dhe një ndër epërsitë kryesore të prodhimit bujqësor me kosto të ulët krahasuar me vendet e tjerë fqinj. Krahas këtij shkatërrimi ato zhvilluan ndërmarrje “kapitaliste” pa parime shkencore dhe të gjithë bashkë krijuan kushtet për ndryshimet klimatike, dhe si pasojë ata përdorin kimikate pikërisht sepse kërcënohen nga ndryshimet në fjalë. Kështu kanë krijuar një qorrsokak që çon në katastrofë të mëtejshme ekologjike dhe nevojën e përdorimit e për herë e më shumë të kimikateve. Një arsye tjetër se pse bujqit detyrohen të përdorin kimikate është qëllimi` tyre: fitimi. Qëllimi në fjalë i bën ata të shkelin “normat” ligjore lidhur me përdorimin e kimikateve. Një arsye tjetër janë pushtetarët: ata s`kanë dije shkencore dhe kanë qëllim të njëjtë me bujqit: të fitojnë por jo përmes prodhimit (megjithëse shumë prej tyre janë pronarë ndërmarrjesh gjithashtu) por përmes pushtetit.
Kështu ata shkelin ligjet që miratojnë vetë dhe bëhen të padrejtë jo vetëm lidhur me subvencionet që premtojnë dhe parashikojnë ligjet por dhe duke miratuar përdorimin e kimikateve pa u bazuar në studime.
Kjo shqyrtese është përditësuar në datën 8 dhjetor 2025
Shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë, arrorëve dhe shëndetit të njeriut*
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 690 reads



