...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Kurora e Maleve” serbo-malazeze: letërsi që frymëzon krimin mes kombeve

Pjesa dërmuese e veprës, e thurur në formë poetike-epike, ka përmbajtje politike që shprehë urrejtje fetare dhe nxitje kundër banorëve myslimanë të Malit Zi, Shqiptarë e Boshnjakë, të cilët e kanë pranuar fenë nga pushtuesi otoman, qoftë në bazë të joshjeve me favore e privilegje, apo me dhunë

Adil Fetahu

30/06/2020 - 21:00

Epi letrar i Petar Petroviç-Njegoshit, “Kunora e maleve” konsiderohet si kryevepër e letërsisë serbo-malazeze. Si e tillë ka qenë mësim i detyrueshëm në sistemin shkollor në Jugosllavi (sa nxënës shqiptarë e kanë humbur vitin shkollor për shkak të këtij epi, që me atë gjuhën arkaike vështirë kuptohet edhe për vet shkijet?!). Pjesa dërmuese e veprës, e thurur në formë poetike-epike, ka përmbajtje politike që shprehë urrejtje fetare dhe nxitje kundër banorëve myslimanë të Malit Zi, Shqiptarë e Boshnjakë, të cilët e kanë pranuar fenë nga pushtuesi otoman, qoftë në bazë të joshjeve me favore e privilegje, apo me dhunë. Personat e tillë autori i quanë “Poturice” (Turkoshakë), të cilët duhet zhdukur e pastruar vendin prej tyre. Për të qëruar hesapet me Turkoshakët, paria e Malit Zi, me në krye vlladikën Danillo, mbajnë disa mbledhje e marrin vendime si të veprojnë, për të hequr qafe “farën e keqe”. Ngjarja zhvillohet në vitin 1702, apo 1707. Epi është i thurur në formë të një drame, me katër (akte) mbledhje të parisë së 36 fiseve të popullit, dhe shumë ngjarjeve që zhvillohen. Në monologje e dialogje marrin pjesë afro 50 vetë, prej të cilëve nja 7-8 janë të palës “turke”.

Mbledhja e parë zhvillohet në Llovçen, ditën e “Trinisë së Shejtë”. Vlladika Danillo, i brengosur për gjendjen, flet me vete dhe ankohet për pafuqinë për t’u çliruar nga pushtimi otoman dhe nga “Turkoshakët”.

“E unë çka t’baj e me kë të bahem,

duart e pakta dhe fuqia e vogël,

një kashtë e vetme n’mes stuhive,

jetim i mjerë pa kërkend në botë”.

I brengosur për ata që kanë pranuar “fenë e rrejshme”, i mallkon:

“Zoti ju mallkoftë, o frot’ e flliqun!

Çka do feja turke në mesin tanë?”

Vuk Miçunoviçi që e dëgjon nga afër, i jep zemër Vlladikës:

“Po a thue nuk është kjo ditë kremteje,

ku i  tubove gjithë këta malazezë,

që ta pastrojnë vendin prej të pakryqit?

…Lufta jonë mbarim nuk ka me pasë,

derisa na ose Turqit të zhbëhen”

Mbledhja e dytë e parisë së fiseve mbahet në Cetinje, në ditën e “Zojës së Vogël”, gjoja për pajtimin e gjaqeve, që ishin bërë midis vet malazezëve ose edhe me “Turqit”.  Ndërsa krerët bisedojnë brenda, populli i grumbulluar jashtë hedh valle. Ndonjë nga paria ishte vonuar për të arritur në mbledhje, dhe i arsyetohet Vlladikës për vonesën, pasi në një pritë të karavanit prej Nikshiqit i kishin pre katërmbëdhjetë Turq, ua kishin marrë shtatëdhjetë kuaj dhe dy-tri robnesha. Një dialog i ashpër zhvillohet në kuvend edhe lidhur me grabitjen e një vajze malazeze (Ruzhen) nga “Turkoshakët”. Në këtë mbledhje ishin ftuar edhe “Turqit”. Kur vijnë “Turqit”, të gjithë heshtin, prandaj bisedën e nis kadiu Haxhi Ali Memedoviçi, i cili mendon se tubimi është mbledhur për t’i pajtuar gjaqet e bëra mes malazezëve Velestoviqë me “turqit” e Çekliqët dhe gjaqe të tjera. Ndaj fjalës së kadiut reagon me shpoti knjaz Rogani, që i thotë se kuvendi është mbledhur për diçka ma të rëndë: që të thirren “Turkoshakët” të kthehen në fenë e të parëve. Ndërsa vojvodë Batriqi u thotë:

“Pranoni fenë e stërgjyshve,

për ta mbrojtur nderin e atdheut!

…Nuk pajtohen Kërshëndellat me Bajramin”!

Ndaj fjalëve të Batriqit reagon Mustaf Kadiu:

“Çka po flitni? A jeni në vete?

n’kambë të shëndoshë po shtini ferrë.

..Kryq e i pakryq gjithnjë u rri në gojë;

po andrrojnë çka s’mundet me u ba.

Shyqyr Zotit dyqind vjet po bahen,

qysh se na fenë e dëlirt kem pranue,

hyzmeqarë të dinit tuj u ba”.

Ndaj fjalëve të Mustafa Kadiut reagojnë malazezët. Vuk Miçunoviçi:

“Kryqi dhe topuzi le t’përpiqen,

kuku për atë që t’i plasin n’ballë!

Voja e shëndoshë e merr të thyemen!”

Ndërsa knjaz Janku shton:

“Paj, pasha Zotin, un nuk due ma

me ndigjue hoxhën n’Çekliqin tonë,

që gugatë n’majë t’atij zgavigji,

sikur huti n’majë t’ahit t’kalbun”.

Nga pala “turke”, flet Skënder-agai me tone ma qetësuese:

“Po çka është kjo, or vllazën Malazezë,

kush e ndezi këtë flak më s’pari?

prej kah ju erdhi ai mendim fatzi,

mbi ndryshimin e fesë sonë për t’folë”?

Polemika në kuvend merr tone gjithnjë më të ashpra dhe acaruese. Ndërkohë, Vlladikës i vjen një letër prej Vezirit, me të cilën kërkohet qetësi dhe nënshtrim, kryerje e detyrimeve dhe paqe. Kjo i acaron më tepër parinë e mbledhur në kuvend. Malazezët fyejnë me fjalë përfaqësuesit “Turq”, të cilët largohen të fyer. Kuvendi vazhdon me darkë,  muhabete e romuze, duke treguar vojvodë Drashku se si ishte pritur dhe çfarë kishte parë në Venedik, ku kishte shkuar për të kërkuar ndihmë dhe armë për luftë kundër Turqëve. Të nesërmen në mëngjes, tridhjetë a dyzetë vetë tregojnë se si kishin parë të njëjtën ëndërr, Millosh Obiliqin, me të cilin kishin shkuar në kishë për t’u betuar e sëbashku do të vriteshin me Turqit e vendit. Mbledhja e tretë e parisë mbahet natën e Kërshëndellave, në Cetinjë, ndërsa në rrethin e Cetinjës dhe më gjërë në terren, çetat malazeze bëjnë kërdi kundër “Turqëve”, të cilët nuk pranojnë kryqin dhe pagëzimin në kishë. Vojvodë Batriqi i raporton Vlladikës:

“Pse ma gjatë me ta tjerrë tregimin,

n’gjithë sa kapë rrafshina e Cetinjës,

nuk pshtoi krye as për dëshmitarë,

as me tregue se çka ka ndodhë;

prej asish që s’deshtën m’u pagëzue,

nuk mbet njeri pa hy nën shpatën tonë.

…Shpijat e Turqëve i bëmë zjarrë e hi,

që t’mos iu dihet as trolli as gjurma.

Prej mesqitve dhe xhamive të tyne

kemi ba grumbuj të mallkuem,

që t’i mbesë  popullit për zi m’u betue”.

Natën e vitit të ri, pasi kanë dalë prej kishës, rrijnë pranë zjarrit, të rënë në mendime. Vjen një djalosh, i puthë dorën Vlladikës dhe i jep një letër, me të cilën e lajmëron se serdar Janku, me njerëzit e tij i kishin urdhëruar Turqit:

“Kush nuk don kuranin me pshtye,

Le t’thejë qafën kah t’i shohin sytë!

… shkatërruam t’gjitha kullat e Turqëve dhe xhamijat,

që tregu ynë t’mos qelbet me t’pakryqët.

…Tash nuk gjenë më n’krejt krahinën tonë,

as gjurmë as shej prej farës së Turkut,

pos trupave, ose gërmadhave”.

Ndërkohë, hyn Vuk Mandushiqi, i mërrolur, i përgjakur dhe me pushkën e tij (xheferdare) të thyer, i tregon Vlladikës se si me njerëzit e tij janë përleshur me dyqind haraçli Turq:

“T’gjithë Shqiptarë t’idhët turkoshakë,

nja tetëdhjetë prej tyre i premë”.

Mandushiqi qante për pushkën e thyer, ndërsa Vlladika e ngushëllon:

“Kryet e vdekun s’mun çojsh prej vorrit,

as s’e ndreq xheferdaren vizëlluese.

Përmbi trup tandin, shndosh kryet e tat

pushkë tjetër tash ke me pasë;

Se në duert e Vuk Mandushiqit,

Çfarëdo pushke do të jetë vrastare!”
(fund i eposit, që ka 2815 vargje).

     ** *

“Kunora e maleve” -  frymëzim për krimet kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve

Pa mohuar vlerën artistike si vepër letrare, nga përmbajtja e epit “Kunora e maleve” mund të konkludohet me plot të drejtë se si vepër ka karakter ideologjik, të ekskluzivitetit fetar, unitarizmit të fesë ortodokse me kombin (serb) dhe një dozë të politikës antiperëndimore, që ka shërbyer si frymëzim për krimet monstruoze, pastrimin etnik dhe gjenocidin serbo-malazez kundër shqiptarëve, edhe në Luftën Ballkanike, edhe në Luftën e Dytë Botërore edhe në luftën e fundshekullit të kaluar (1999). Dhe jo vetëm kundër shqiptarëve por edhe kundër boshnjakëve. Ekskluziviteti fetar që ka frymëzuar “Kurora e maleve”, e që është ideologji e cila trashëgohet dhe zbatohet nga Kisha Ortodokse dhe nga strukturat shtetërore (ushtri, polici, banda paramilitare, parti politike e shoqata të qytetarëve), është ngulitur thellë në koshiencën e shoqërisë serbe. Tërë kohën shteti serb dhe ai malazez është ndërtuar mbi këtë bazë, të ekskluzivitetit fetar.

Me “Kuroren e maleve” në gojë  dhe në dorë kriminelët Radovan Karaxhiç, Ratko Mlladiç e të tjerë, kanë kryer krimet më monstruoze dhe gjenocidin kundër boshnjakëve në Srebrenicë dhe në tërë Bosnjen. Në gjykimin e Radovan Karaxhiçit në Tribunalin e Hagës, prokurorja Katarina Gustavson disa herë ka cituar vargjet nga “Kunora e maleve”, të cilat i ka përdorur Karaxhiqi gjatë luftës në Bosnje ose i kanë kënduar me lahutë “trimat” e tij në luftën kundër “turqëve” të Bosnjes! Sado që citimet nga veprat letrare nuk mund të merren si prova në gjykatë, ato tregonin se nga e  kishin frymëzimin krimet dhe pastrimi etnik i kryer në baza fetare.

Poti dhe piktori serb, Borisllav Mihajlloviq-Mihiz, në një rast (1995), duke mbajtur në dorë “Kunoren e maleve”, ka thënë: “Gjithçka ka filluar prej këtu. Njegoshi me poezinë e tij ishte ideologu i gjenocidit”. Ndërkaq, Novak Kilibarda, që vet është malazez, në një tubim të mbajtur në Plav (tetor 2013), kishte thnë se “Në krejt planetin nuk ka shkrimtar më antiislamik se Njegoshi”, dhe epi “Kunor e maleve” e fajëson për krimet  kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve, të kryera në Lutën Balkanike”.

Edhe pse Njegoshi ishte peshkop që predikonte krishterizmin, në veprën e tij nuk e ka as germën “K” nga parimet e krishtërizmit. Nga ana tjetër, populli malazez ka njëfarë kodi të vetin të quajtur: “Çojstvo i junastvo” (burrëri dhe trimëri), por në “Kunoren e maleve”, nëse ka me tepri trimëri, nuk ka fare burrëri në djegien e shtëpive, rrënimin e xhamive, etj.  Gjithësesi, Njegoshi ishte ideologu më djathtist i Kishës Ortodokse Serbe, hapat e të cilit po i ndjekin klerikët e kishës në Mal të Zi. Ai madje popullin e Malit të Zi e konsideron si etnikum serb, kurse emërtimin malazez e përdor vetëm si përcaktim gjeografik,  por jo etnik.

Për dallim nga “Kunora e maleve”, që gëlon me urrejtje fetare, në poezinë shqipe ka plot shembuj mirëkuptimi dhe veprimi të përbashkët midis përfaqësuesve dhe pjesëtarve të besimeve të ndryshme fetare, kur është në pyetje çështja e lirisë dhe mbrojtjes së kombit e të atdheut. Në “Lahutën e Malësisë” gjejmë vargje lapidare për këtë harmoni e bashkëpunim ndërfetar tek shqiptarët. Kur Patër Gjoni kërkon armpushim për t’i mbledhur të plagosurit nga beteja, Mark Milani e pranon dhe e pret me respekt, por e pyet:



“Veç se ‘ i gja deshta me t’pëvetë,

N’kjoftë se hatri s’ka me t’mbetë:

Si kjo punë mundet me kenë,

Qi ti i k’shtenë e na t’krishtenë,

Me kryq ndorë e me kryq n’ballë,

Turkut n’ndihmë ti me na i dalë?”

Ndërsa Patër Gjoni i përgjigjet:

“…Unë zotni n’ushtri kam dalë,

Jo me turq, por me shqyptarë,

Turq a t’ kshtenë, si janë gjithmarë

Se si t’kshtenë, si muhamedanë

Shqypnin s’bashkut t’gjithë e kanë.

Pradaj t’gjithë do t’ qindrojmë,

Do t’qindrojmë e do t’luftojmë,

Kemë  m’u ba kortarë-kortarë,

Priftën, Fretën, Hoxhallarë

Për Shqypni…”

Fishta dhe poetë e shkrimtarë tanë, të tri përkatësive fetare, qofshin në fushën e letërsisë, pedagogjisë, politikës, diplomacisë, prej “Rilindjes” e këndej e kanë kultivuar tolerancën fetare dhe janë flijuar bashkë për komb e për atdhe. Këto virtyte të larta e të çmueshme, nuk i gjenë askund,  mes  atyre 2815 rreshtave në epin e Njegoshit – “Kunora e maleve”.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA