Shfarosja biblike e jetës së Shqipërisë nga elita neoliberale dhe programi qesharak i Lëvizjes Bashkë

Shqyrtesa tregon padijen (dhe pandershmërinë) dhe shkallën e shkatërrimit të jetës sonë nga elita jonë neoliberale gjatë 30 viteve të fundit dhe padijen edhe më të thellë të partive të reja politike, me Lëvizjen Bashke të përmendet si shembull
Ylli Përmeti
08/08/2025 - 15:16
Me ‘shfarosje’ të jetës së Shqipërisë këtu kuptohet shfarsoja e pyjeve, kafshëve, shpendëve dhe kandrrave që jetonë përmes tyre, dhe aftësisë së tyre për të përthithur gazrat serrë. Shfarosja në fjalë ka marrë përmasa biblike 30 e ca vitet e fundit dhe nuk vërej ta kenë kuptuar partitë politike dhe populli. Madje as “ekologjistët” dhe “ekspertët” që pyesin partitë dhe media s`e kanë kuptuar përmasën e saj. Kjo lloj shfarosje ndikon dhe në “shfarosjen” e njerëzve jo vetëm në kuptimin e largimit të tyre për shkak të zjarreve në pyje dhe gërryerjes së tokave nga shirat pas fikjes së zjarreve, por dhe për shkak të sëmundjeve që shkaktojnë djegiet e pyjeve dhe çlirimet e gazrave.
Shkaku kryesor i djegieve të pyjeve janë ndryshimet klimatike ndërsa shkaqe dytësorë janë pakujdesia dhe zjarrvënia e qëllimshme, sepse si pakujdesia ashtu dhe zjarrvënia e qëllimshme, varen nga ndryshimet (ose kushtet) klimatike: kur kushtet janë pa rreshje dhe të thata, zjarret ndihmohen ndërsa pengohen kur kushtet janë me rreshje. Sipas një raporti të vitit 2021 (MECCE), Shqipëria çliroi 8.83 milion ton metrikë doksid karboni, ose afërsisht sa 1,964,354 pishina me madhësi olimpike. Shqipëria ka gati 2.9 milionë banorë dhe është një vend me çlirime të ulëta dhe sipas Atlasit Botëror të Karbonit ajo raportoi çlirime karboni prej 1.6 ton dioksid karboni për njeri në vitin 2021. Sektorët me çlirimet më të larta të gazrave serrë janë energjia (47%), bujqësia (21%), përdorimi i tokës dhe pylltaria (12%), proceset industriale dhe përdorimi i prodhimeve (12%), dhe mbeturinat (8%). Të gjithë këta sektorë janë krijuar dhe drejtohen nga qeveritë tona.
Kështu, ndërsa unë dhe shumë si unë fajësojmë elitat e modernitetit në përgjithësi dhe neoliberalet në veçanti, vendet më të mëdha, me në krye SHBA-në dhe Kinën, dhe pasanikët, si shkaktarët kryesorë të ndryshimeve klimatike, por pa përjashtuar elitat e vendeve të vegjël dhe popujt, si të vendit tonë, dhe vitet e fundit qendrimi ynë po mbështetet dhe nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, elitat neoliberale riprodhojnë rrëfenjën se fajin për ndryshimet klimatike nuk e kanë ato dhe sistemi` tyre por e ka njeriu, dhe meqënse duke fajësuar njeriun largojnë vëmendjen e popujve nga vetja, përkeqësojnë kushtet klimatike dhe kërcënojnë më shumë jetën e popujve dhe jetën e planetit në përgjithësi; madje, bëjnë ç`është e mundur të riprodhojnë sistemin e tyre dhe të pengojnë përpjekjet fisnike të shumë veprimtarëve të ndjeshëm dhe të ndershëm, duke i censuruar dhe shpesh duke i burgosur ata.
Kështu në vend që qeveritë të spikasin dhe nderojnë veprimtarë të tillë, bëhen pengesë dhe shpesh përdorin kundër-dhunën ndaj protestave jo të dhunshme të tyre dhe nuk hartojnë as plane për të luftuar shkaqet e ndryshimeve klimatike. Në vendin tonë asnjë parti s`i ka ndryshimet përkatëse në krye të përparësive; madje, disa as që i kanë pjesë të programit politik. Berisha, për shembull, deklaronte në vitin 2009 nga Kopenhageni se ndryshimet klimatike përbënin një “kërcënim serioz për planetin tonë” por për t`i luftuar ato, zotohej se do t`i përmbahej detyrimeve të Protokollit të Kiotos (traktatit të nënshkruar në vitin 1997 i cili synonte pakësimin e çlirimeve me 5%, poshtë niveleve të vitit 1990), planifikonte të ndërtonte 440 hidrocentrale të rinj për ta kthyer Shqipërinë superfuqi energjitike...dhe synonte të nxiste teknologjitë e gjelbërta dhe një ekonomi pa karbon. Nga ato zotime mbajti vetëm njërin: të ndërtonte hidrocentrale të rinj. Por pa e parë ndërtimin e tyre si burim çlirimesh jo vetëm të dioksidit të karbonit por dhe metanit (i cili është përgjegjës për 30% të ngrohjes së planetit tonë) si gjatë kohës kur zhvillohen punime për ndërtimin e tyre ashtu dhe kur shkatërrohen pyje dhe ekosistemi rreth tyre.
Ja ç`citon një raport i vitit të kaluar për çlirimet që shkaktohen gjatë ndërtimit të digave: “shpesh të quajtura si një nga format më të vjetra të energjisë së ripërtëritshme, digat hidroelektrike dhe rezervuarët e tyre janë përgjegjëse për çlirimin e ekuivalentit të pothuajse një miliard ton dioksid karboni në atmosferë (me shumicën e këtyre çlirimeve të gazrave serrë në formën e metanit) ndërsa uji afrohet dhe më pas rrjedh nëpër turbinat që gjenerojnë energji elektrike..nga 51 miliardë ton gazra serrë që çlirohen nga njerëzit çdo vit, tre miliardë ton prej tyre vijnë nga metani që del nga uji. Kur uji trazohet, metani del nga tretësira dhe shndërrohet në flluska gazi”.
Hidrocentralet: katastrofa social-ekologjike e elitave moderne
Qasjen e Berishës e vazhdoi Rama por duke i shtuar “fjalime të bukura” dhe “thumba” kundrejt çliruesve të mëdhenj, por pa i përmendur me emra dhe pa ndërmarrë ndonjë veprim për të luftuar shkaqet e ndryshimeve klimatike aq sa pa pikë turpi shkoi në OKB —jo një herë por disa herë— dhe u thoshte të pranishmëve dhe botës, se vendi ynë prodhon energji të gjelbërt! Hamendësisht, sepse beson se njerëzit rreth tij s`kanë dije për “energjinë e gjelbërt” të Shqipërisë.
Ndryshime të vogla vërehen dhe mes partive të reja. Lëvizja Bashkë, për shembull, e cila pretendon se ka një program “të përparuar” krahasuar me të tjerat dhe i thotë popullit “të vërtetën e plotë”, në programin e saj nuk fajëson asnjërin por zotohet se do të përdorë institucionet lidhur me mjedisin: do të rishikojë kontratat konçesionare; do të përdorë parimin e “ndotësit” ose të taksave “më të drejta mjedisore”, do të rishikojë kuadrin ligjor për të rritur “performancën mjedisore”; do të përmirësojë “zbatueshmërinë e legjislacionit”; do të përdorë “edukimin mjedisor” në ciklet parauniversitare me qëllim zhvillimin e një “etike mjedisore”, ku përmend dhe “pjesëmarrjen e gjerë të shoqërisë në njohjen, vlerësimin dhe vendimarrjen mjedisore” por nuk përmend ndonjë kuadër ligjor për ta bërë të mundur vendimarrjen përkatëse—thjesht “do të mbështesë projekte kulturore, mediatike dhe të organizatave mjedisore që kontribuojnë në këtë drejtim”. Pak a shumë siç vepron qeveria “Rama” vitet e fundit…
Asnjë fjalë, në fjalë të tjera, lidhur me parimin e drejtësisë klimatike ose me fajtorët e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për t`i ndjekur ata penalisht dhe dënuar për vrasjen e qindra jetëve të pafajshme; madje, as “oligarkinë” —atë që shtrembëron nga mëngjesi deri në darkë— nuk fajëson! Kështu ajo fal shkaktarët e shfarosjes së jetës sonë dhe paraqitet si “shpëtimtarja” e re, duke përdorur të njëjtat politika si qeveria “Rama” por duke theksuar disa dhe shtuar disa të tjera, dhe duke mos i parë pyjet në raport me çlirimet e gazrave; madje, ajo përmend një përqindje të viteve 1990, duke na thënë se sipërfaqja jonë gjeografike mbulohet me 41.6 për qind pyje!
Unë kam vite që citoj një raport të institutit të kërkimeve pyjore sipas të cilit pyjet tona u zvogëluan nga 38 për qind që ishin në vitet `90 dhe 36 për qind në vitin 1997-të, shkoi në 33 për qind në vitin 2005 (sipas një raporti tjetër) dhe në 26 për qind në vitin 2015-të! FAO raporton një shifër më të vogël: se vendi ynë humbi 5.5% pyje nga viti 2001 deri në vitin 2017 ose 17 për qind e sipërfaqes ishte e mbuluar me pyll kur ajo raportoi në vitin 2019—çka tregon sipas saj, se kishim 477 mijë ha pyje ndërsa 2.40 milion ha ishin jo-pyje. Raporte të fund-viteve `90 tregojnë se Shqipëria ishte e mbuluar me më shumë se 45 për qind pyje gjatë socializmit por për shkak të disa politikave (si shpyllëzimi etj.) ata u dëmtuan. Por kurrë s`janë dëmtuar sa me “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e lirë të elitës sonë neoliberale. As edhe në kohën e Zogut kur Italia fashiste gjymtoi pyjet tanë përmes politikave koncesionare.
Këto shifra programi` Lëvizjes Bashkë nuk i sheh dhe citon një shifër që s`ka lidhje as me realitetin as me të ardhmen e atij realiteti, sepse duhet thënë se që nga viti 2019 kur Fao raportoi përqindjen e pyjeve, qeveria kriminale e Ramës s`ka ndaluar së djeguri pyje. Nuk vërehet në programin e saj as ndonjë politikë e veçantë për të rritur ndjeshmërinë klimatike, sepse populli ynë vazhdon të jetë i pandjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Kuptohet pandjeshmëria e tij kur mungon në protesta me natyrë ekologjike dhe në mungesën e kureshtjes së tij për të lexuar lajme apo studime me natyrë klimatike.
Të gjitha këto kur një studim i Nasas mbi grimcat e gazrave që shkaktojnë ndryshimet klimatike gjeti se në atmosferë qarkullojnë grimca që lidhen me fillimin e epokës apo revolucionin viktorian ose më shumë se 200 vjeçare. Ndaj të gjithë ata që çlirojnë sot me mjetet e tyre dhe nuk përpiqen për një rend tjetër pa çlirime, dhe për më tepër japin mend se me mjetet elektrike do të ndalojnë apo parandalojnë ndryshimet klimatike, dhe rrjedhimisht djegien e pyjeve, tregojnë sigurisht karakterin e tyre: jo vetëm mungesë dijeje por dhe pandjeshmëri dhe papërgjegjshëmri.
Kështu, sa më pak pyje të kemi dhe sa më shumë mjete ndotëse aq më shumë grimca qendrojnë në atmosferë, sepse bimët përthithin më shumë se uji, dhe aq më shumë sëmundje do të ketë populli` varfër, sidomos populli që përdor duhanin dhe jeton në metropole si Tirana dhe Durrësi. Sipas një studimi, ndotja e mjedisit është vrasësi numër 1 në botë, duke shkaktuar më shumë vdekje të parakohëshme. Një nga sëmundjet që shkakton përqindja e lartë se CO² në atmosferë është “hiperkapnia” ose përqindja e lartë e karbonit në gjak. Pasoja e mëtejshme është se hiperkapnia shkakton një sërë simtomash të tjera, lidhur me organet e frymarrjes, me mushkritë të rrezikojnë shfaqjen e kancerit.
Në fund vlen të përmendet një ngjarje që ngjall shpresë për ne që luftojmë kundër shfarosjes së jetës që na rrethon. Gjykata më e Lartë e Kombeve të Bashkuara, lëshoi një opinion këshillimor në korrik (2025) në përgjigje të një kërkese të studentëve të Vanuatut, një ishulli që gjendet në Paqësor dhe që vuan shumë nga ndryshimet klimatike, dhe disa shteteve të tjerë, e cila tha se vendet mund të shkelin të drejtën ndërkombëtare nëse nuk marrin masa për të mbrojtur planetin nga ndryshimet klimatike, dhe kombet e dëmtuara nga ndikimet e tyre mund të kenë të drejtë për dëmshpërblim. Veçanërisht, gjykata tha se një “mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm” është një e drejtë njerëzore. Qendrimi` saj hap rrugën për veprime të tjera ligjore, duke përfshirë kthimin e shteteve në GJND për të mbajtur njëra-tjetrën përgjegjëse, si dhe paditë e brendshme, së bashku me çështje ligjore si marrëveshjet e investimeve. Opinioni këshillimor i GJND-së për herë të parë i dha Paqësorit dhe të gjithë komuniteteve të cenueshme nga ndryshimet klimatike një mjet ligjor për t`i mbajtur shtetet përgjegjëse dhe për të kërkuar veprim klimatik të vonuar prej kohësh.
Është e kotë të shtosh këtu keqqeverisjen lidhur me pakujdesitë (sepse asnjë politikë nuk është ndërmarrë që njerëzit të jenë më të kujdesshëm) dhe zjarrvënien e qëllimshme (sepse policët dhe prokurorët tanë dihet se janë siç janë krerët e shtetit: të zvetënuar).
Përmblethtas, elita jonë neoliberale me në krye Berishën dhe Ramën, nuk e ka të qartë krizën klimatike. Mungesa e qartësisë ose dijes ka ndikuar në karakterin e tyre të mbrapshtë: se për ta, mbi të gjitha është pushteti dhe jo atdheu pavarësisht se shkatërrimi` atedheut u kthehet atyre në boomerang në afatgjatë. Mjerisht, partitë e reja janë më keq se partitë e vjetra, sepse hamendësohet se kanë shikim më të qartë për të parë shfarosjen biblike që shpaloset përpara syve tanë. Por dihet se po s`pa mendja, vështirë të shohin sytë; dhe që të shohë mendja, partitë duhet të prodhojnë dije dhe ta përhapin atë…
Mashtrimi` Ramës me avionët zjarrfikës dhe masat e parandalimit
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 37 reads