...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta 154 vjeçare e kishës së krishterë dhe greke kundër shqiptarëve dhe pushteti` saj

Në tridhjetë e ca vjet ajo ka krijuar “marjonetat” e saj në Shqipëri; ka krijuar varreza greke në jug të Shqipërisë; ka zgjeruar veprimtarinë e shkollave greke; ka zgjeruar veprimtarinë e kishës ortodokse; ka zgjeruar perimetrin e pakicës greke; dhe ka krijuar, në fund, “armë” gjeopolitike përmes të cilave përparon qëllimin e saj: kapjen e Shqipërisë nga brenda aq sa Berisha, Rama dhe Meta jo vetëm që zvetënohen me paratë e ministrisë së jashtme greke për të heshtur çdo padrejtësi ndaj shqiptarëve por bëjnë lëshime të njëpasnjëshme pikërisht sepse janë në karakter të zvetënuar.

Ylli Përmeti

28/06/2024 - 17:14

Parakushtet për kryengritje

Lufta e pasuesve të Muhametit, dhjetë vjet pas vdekjes së tij (632), dhe e turqve otomanë më pas dhe krijimit të perandorisë së tyre me rënien e Konstadinopojës, pas gati 800 vitesh, që nga koha kur arabët dështuan për herë të parë në vitin 673 në kapjen e kryeqendrës së perandorisë, ose 40 vjet pas vdekjes së “profetit” të tyre…përdori një nga mësimet e tij lidhur me fetarët e tjerë, se muslimanët duhet të nderonin njerëzit e feve të tjera përsa kohë që ata besonin në zot dhe bënin veprime të mira (Kurani, kapitulli 2: 63).

Me rënien e kryeqendrës së perandorisë, Konstadinopojës, në vitin 1453 dhe zgjerimin e perandorisë osmane në pellgun lindor të mesdheut, grekët e kohës u bashkuan rreth kishës. Fjala “bizant” lidhet me vendbanimin ku ndodhet sot Konstadinopoja ose Stambolli. Straboni (lindur 64, 63 p.e.s dhe vdekur 24 pas.e.s) thotë se qyteti u themelua nga banorë të Megarës (vendbanim mes Atikës dhe Korinthit të Greqisë së sotme pranë Athinës) në vitin 658 p.e.s. pasi u këshilluan me orakullin. Në përpjekjen e tyre për të krijuar një banim të ri ata udhëhiqeshin nga Viza (Βύζας), prej të cilit mori emrin dhe vendbanimi` ri.

Por ai u rithemelua rreth 982 vite më pas nga Konstadini i Madh ose në vitin 324 pas erës sonë, i cili e quajti atë ‘Roma e Re’. Më pas qyteti u quajt “qyteti` Konstadinit” ose “Konstadinopojë”, nga bizantologët por si emër (Konstadinos) buron nga latinishtja (constans) dhe ka kuptimin e të qenit ‘i qendrueshëm’. Perandoria njihej në atë kohë herë si “kishë ortodokse lindore” dhe herë si “roma lindore” dhe banorët e quanin veten “romakë” por gjuha zyrtare ishte greqishtja kishtare, një gjuhë e vjetër që vazhdon edhe sot të përdoret nga kisha ortodokse (greke).

Përdorimi` gjuhës greke ndaloi me rënien e Konstadinopojës në duart e otomanëve kur Mehmeti` dytë lejoi zgjedhjen e patriarkut të ri dhe e ktheu atë në “prijës”, i cili, ndryshe nga koha bizantine, kur ishte vetëm drejtues fetar, fitoi të drejta të zgjeruara politike dhe ishte prijës` i gjithë “miletit” të krishterë, me të drejta në ekonomi (mbledhjen e taksave) dhe drejtësi.

Kisha u kthye kështu vendi ku të krishterët “qanin hallet” dhe mësonin fëmijët e tyre jo vetëm në kisha por dhe shkolla dhe mbështeste në nivel shoqëror njerëzit e grigjës së saj ndërsa Konstadinopoja vazhdoi të ishte vendi ku ishin përqendruar të krishterët (grekët, serbët, bullgarët, rumunët etj.) dhe fanariotët ose aristokracia greke e Fanarit (e cila quhej dhe “fener”). Patriarkana greke praktikisht drejtohej nga fanariotët, sepse ata zotëronin pushtetin politik dhe ekonomik; madje, ajo kufizoi ‘autonominë’ e kishave të tjera të ballkanit në Serbi dhe Bullgari, me patriarkun fanariot Samuel Hanxheri (“Σαμουήλ Χαντζερῆς”) në vitin 1767.   

Patriarku ishte përgjegjës për bindjen e grigjës ndaj ligjit dhe në rast se kishte revolta, ai mund të humbiste jetën. Ai njihej si politikan dhe prijës shpirtëror, pronar dhe despot i të krishterëve. Patriarku ishte gjithnjë me zanafillë greke dhe përfaqësonte “miletin” e dytë pas atij musliman. Në “miletin” grek ose rum përfshiheshin rumunët, bullgarët, serbët, shqiptarët etj. Duke patur ato të drejta, kisha filloi të ngrinte shkolla të reja në Greqi (Shkollën e Athinës; Akademinë në Patmo dhe Akademinë e Janinës Zosimea; Shkollën Teologjike të Halkut’; Shkollën Ëngjëllore në Smirni e shkolla të tjera) ku mësohej jo vetëm gjuha greke dhe feja por kur filloi kryengritja “ndizeshin” dhe “shkëndijat” e para për liri e pavarësi.

Përpjekja e kishës për të pavarësuar Greqinë kulmoi në shekullin e 18 kur një pjesë e saj iu bashkua lëvizjes së fshehtë të “Shoqërisë Miqësore” (“Filiqi Eteria”) të Rigë Velestinliut (nga Velestini i Thesalisë por vepronte kryesisht në Vjenë) por jo patriarkana: kjo e fundit e dënoi veprimtarinë e Rigës dhe miratoi vrasjen e tij nga sulltani. Riga u frymëzua nga revolucioni francez dhe kushtetuta franceze e vitit 1793 dhe hartoi një politikë të re për çlirimin e gjithë viseve të Ballkanit nga zgjedha turke. Revolucioni që kërkoi ai përmes Lëvizjes në fjalë, ku bënin pjesë dhe shqiptarë dhe kombe të tjerë të gadishullit tonë, nuk bazohej në fe: “Lëvizja”, thoshte ai, “nuk bëhet në emër të fesë. Ne besën e tij të lirë secili të rrojë”.

Por veprimtaria e tij shqetësoi Portën e Lartë dhe si pasojë ajo kërkoi ndalimin e tij përmes policisë austriake, e cila e arrestoi në Trieste, bashkë me shokët e tij, dhe e dërgoi në Beograd ku i vranë të gjithë pa i dërguar te sulltani, sepse kishin frikë nga përpjekjet e Ali pashë Tepelenës për t`i shpëtuar.  Lëvizjen e Velenstinliut e vazhdoi Aleksandër Ipsilandi, pas gati 20 vitesh, i cili me mbështetjen e Rusisë cariste ndryshoi karakterin e revolucionit, duke i dhënë asaj karakter fetar të lidhur me atdheun: “lufto për besimin dhe atdheun”, thoshte deklarata e tij.

Kjo shpallje nuk ishte rastësore: ajo synonte të mobilizonte të krishterët (ku bënin pjesë dhe arvanitasit dhe pakica të tjera kombëtare) kundër sundimtarëve muslimanë të kohës. Më vonë kësaj shpallje i shtuan dhe gjuhën por jo zanafillën. Ja si i përgjigjet ati` historisë moderne greke, Konstadin Paparigopulos (1815-1891), historianit të shekullit të 19 Jakov-Filip Falmerajerit (1790-1861), kur ai tha se “asnjë pikë gjaku grek nuk rrëkëllen në damarët e grekëve”: “gjaku s`flet, gjuha flet”.    

Pas asaj deklarate pasuan shumë kuvende, ku u miratuan shumë ligje, si për të themeluar praktikën e shpërblimit të luftëtarëve ashtu dhe për të marrë hua nga pushtetet perëndimore.  Nga gjithë patriarkët që u zgjodhën që nga pushtimi otoman i vitit 1453 deri në kryengritjen e vitit 1821, vetëm 13 vdiqën natyrshëm; gjithë të tjerët vdiqën të mbytur, të varur ose të therur dhe disa lanë frymën e tyre të fundit në burg ose në robëri. Përgjatë gjithë perandorisë otomane shërbyen dyqind kryepriftërinj nga të cilët 81 u bënë bashkë me Shoqërinë Miqësore, 73 morën pjesë në luftë, 42 u ndoqën dhe pësuan tortura dhe 45 u vranë ose ranë në fushëbetejë.

Si pasojë e çlirimit nga zgjedha otomane, në vitin 1833 kisha greke deklaroi pavarësinë e saj nga patriarkana e Konstadinopojës dhe kjo e fundit e njohu atë në vitin 1850. Gjatë këtyre viteve patriarkana ndryshoi qendrim ndaj shqiptarëve ndryshe ngasa kishte bërë më parë kur lejoi përkthime nga Bibla dhe tekste liturgjike në shërbimet kishtare me qëllim që të ndihmonte popullatat që flisnin shqip për të ushtruar nevojat e tyre fetare pa pengesa gjuhësore deri në vitin 1870.

Më pas ajo shfaqi qendrim armiqësor, kryesisht sepse rilindasit shqiptarë (De Rada, Thimi Mitko, Petro Nini Luarasi, Stathi Melani, Papa Kristo Negovani etj.) kërkonin krijimin e shtetit shqiptar dhe gjuha ishte mjeti përmes të cilës ata mund të përparonin qëllimin e tyre―krijimin e shtetit modern shqiptar― dhe mund të kërcënonin shtetin e ri grek. 

Shqiptarët me dy patriarkana armike

Shqiptarët e kohës, rrjedhimisht, kishin dy kisha armiqësore: njëra që vazhdonte të kishte pushtet në Konstadinopojë dhe një tjetër në Athinë. Por kisha ortodokse greke, bashkë me elitën politike, ushqeu urrejtjen ndaj muslimanëve dhe si pasojë Greqia u përfshi në “spastrim” fetar. Nuk ishin të pakta masakrat ndaj muslimanëve dhe njerëzve të pafajshëm; ato filluan që ditët e para të kryengritjes duke kulmuar pas gjashtë muajve (23 shtator 1821) me marrjen e kryeqendrës së Peleponezit të otomanëve, Tripolicës, ku u vranë 10-15 mijë muslimanë gjatë dy ditëve, turq dhe hebrenj, mes tyre fëmijë dhe gra.

Por në këtë rast shqiptarët e Tripolicës shpëtuan falë Kolokotronit, i cili, si drejtues i luftës, kërkoi marrëveshje nga otomanët që të dorëzoheshin paqësisht por ngaqë ata nuk u dorëzuan kërkoi marrëveshje të veçantë me shqiptarët dhe i bindi ata të braktisnin luftën. Kështu ai dobësoi rezistencën turke edhe shpëtoi 2,500 luftëtare shqiptarë. Por familjet e tyre mbetën në qytet dhe rrezikonin të masakroheshin nga ushtria greke. Kështu ai nxitoi për t`i shpëtuar. Ja se ç`thotë Kolokotroni në kujtimet e tij: “Brenda qytetit ata kishin filluar masakrën…vrapova në pallat…nëse ti kërkon të vrasësh shqiptarët, qaja, më mirë më vrit mua; sepse, ndërsa unë jam gjallë, cilido që prek ata, unë do ta vras të parin”.

Katër vjet më pas, për të mbuluar masakrat e tyre dhe për të siguruar ndihmë nga fuqitë e kohës qarkulloi ‘thashethemi’ se otomanët po përgatisnin plan për spastrimin e Peleponezit dhe si pasojë tre fuqi të kohës, Britania, Rusia dhe Franca, ndërhyrën dhe themeluan ndërhyrjen e parë ndërkombëtare për arsye ‘njerëzore’ (humanitare),  ndërsa gjatë luftës elita greke detyroi muslimanët të ndryshonin fenë, duke vazhduar spastrimin ‘fetar’ pas luftës. 

Në fillim të luftës Peleponezi kishte 63,813 muslimanë; Greqia Qendrore 19,852l dhe Euboea 7.163.  Dëftues është pohimi i Joan Kapodhistrias, kryeministri` parë i shtetit të ri grek, në vitin 1828: kur e pyetën fuqitë e mëdha se sa ishte popullsia e muslimanëve dhe përgjithësisht e jo të krishterëve në More, ai tha se përpara kryengritjes ishin 42.750 dhe pas themelimit të shtetit zero.  

Praktika që u ndoq për t`i detyruar banorët të ndërronin fe ishte prapë fetare por e lidhur me ligjin e nënshtetësisë: sepse ai ligj kërkonte të ishe i krishterë ndërsa gjuha s`kishte rëndësi. Kësaj dinamike iu shtua dhe politika ‘raciste’ që ndoqi elita politike: se grekët e shtetit të ri “grek” kishin lidhje zanafillore me grekët e lashtësisë dhe jo me kombet e tjerë. Kështu lindën të “rindriçuarit” ose “neofotistoi” siç u quajtën muslimanët e ndryshuar në të krishterë, shumë prej të cilëve s`kishin gjuhë tjetër veç greqishtes.

Shtohet dhe kisha ortodokse shqiptare

Me krijimin e shtetit modern shqiptar dhe përfshirjen e tij në dinamikën e kohës―të shteteve sovrane― kur vendi ynë provoi të zbatonte parimet social-demokrate, kisha ortodokse shqiptare fitoi pavarësinë nga patriarkana e Konstadinopojës në vitin 1937. Me socializmin marksist ajo s`pati ndonjë peshë meqënse regjimi` kohës ndaloi fenë. Por me braktisjen e tij Shqipëria shtoi dhe një kishë tjetër armiqësore të drejtuar nga Janullatosi.

Ishte 2 gushti i vitit 1992 kur në pushtet sapo kishte ardhur partia “demokratike”. Nuk kishin kaluar as 5 muaj me qeverinë “demokratike” dhe Berisha firmosi një nga shkeljet më të mëdha kombëtare, duke nënshkruar uzurpimin e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Anastas Janullatosi dhe duke ndihmuar në përparimin e synimeve të Greqisë: përçarjen e popullit shqiptar dhe krijimin e kushteve shoqërore për shkëputjen e jugut të Shqipërisë, pasi krijoi disa kushte Ramiz Alia.

Janullatosi, siç tregon në një raport Pjetër Arbnori, erdhi në Shqipëri pas vizitës së kancelarit të Kryepeshkopatës së kishës ortodokse shqiptare në Amerikë, At Artu Liolini, i cili e vizitoi Shqipërinë në 6-27 qershor 1991. Ky i fundit i kërkoi Ramiz Alisë riorganizimin e KOASH-it ku Ramizi shprehu mendimin që të ftonte për këtë qëllim edhe Eksarkun Patriarkal A. Janullatos, meqënse kishte katër muaj që kërkonte vizë hyrje në Shqipëri. Liolini e miratoi mendimin por përmendi se “duhet bërë kujdes që Eksarkut Patriarkal, më parë i duhet bërë e qartë se duhet të respektojë disa kushte ku më kryesoret të jenë që ai të vijë thjesht si një kryepeshkop misionar i përkohshëm, do të ruajë të paprekura interesat e Autoqefalisë Shqiptare të popullit etj”. Siç tregon më tej Arbnori:

Midis ish presidentit dhe At Liolinit u ra dakord që së shpejti, në muajin Shtator 1991, ky të vinte përsëri për një kohë të gjatë dhe të ndihmonte konkretisht në riorganizimin e Kishës, pasi u njoh me gjendjen aktuale të saj dhe nevojat e gjithanshme që kishte ajo. Por kjo marrëveshje nuk u realizua nga ana e qeverisë së Z. Alia pas ardhjes së Eksarkut Grek. Akoma edhe sot nuk dihet se përse nuk u thirr përsëri At Liolini, megjithëse kërkesat e tij për të ardhur ishin të shumta. Çdo gjë u monopolizua në duart e Eksarkut Grek, i cili zgjodhi me veto dhe pa zgjedhje të rregullta një këshill të përbëre nga njerëz të dyshimtë që u vetëquajt “Këshilli i Përgjithshëm i KOASH-it” dhe si sekretar të tij Z. Aleko Dhima, një person që për shumë vjet militoi në radhët e PPSH-së.

Arbnori i kuptonte qëllimin e Janullatosit dhe efektet afatgjata në popull ndaj kërkoi nga Berisha, president në atë kohë, të merrte masa. Por nuk ndodhi kështu: ndërsa Janullatosi përdorte elitën greke, e cila përdori operacionet “fshesa” si trysni ndaj “nazeve” të mundshme të Berishës, ky i fundit, si oportunist dhe reaksionar, jo vetëm që nuk rezistoi por firmosi fronin e Janullatosit dhe vendosi kishën ortodokse shqiptare nën epshet e qerqeve shoviniste greke! 

Kështu, kisha ortodokse autoqefale shqiptare zgjodhi kreun e saj. Në fillim u krye një ceremoni në Hotel “Tirana” me krerët e kishës dhe më pas u krye ceremonia e shugurimit të Janullatosit si kreu i saj në godinën e kishës ortodokse pranë Rrugës së Kavajës. Në brendësi të kishës u zhvillua një përplasje e fortë mes mbështetësve të Nolit dhe Papa Kristo Negovanit, dhe Janullatosit.

Të parët ishin shumica dhe me vargjet “Fan Noli, Fan Noli; Papa Kristo Negovani; Shqipëria, Shqipëria”, ata kënduan himnin e flamurit dhe këngën “Për mëmëdhe” ndërsa kur Janullatosi kërkoi të deklaronte zgjedhjen e tij në greqisht, bashkë me priftërinj të tjerë, kundërshtarët filluan ta “mbysnin” më “fërshëllima”. Por siç edhe pritej ata nuk e ndaluan dot atë dhe kështu ai u largua duke udhëtuar me një automjet kur tregoi dhe flamurin që e shoqëronte: flamurin grek!   

Historiani Kristo Frashëri në kujtimet e tij shkruan se ajo ceremoni shkeli disa nene të kodit kishtar pasi shugurimi nuk quhet i ligjshëm nëse dikush e kundërshton në sallë. Unë i kam kërkuar sqarime kishës “sonë” për mëtimin e tij por deri tani s`kam marrë ndonjë përgjigje. Por fakt është se zgjedhja e tij nisi për ta drejtuar përkohësisht kishën tonë por ai vazhdon të jetë dhe sot (pas 30 vitesh) drejtuesi` saj ndërsa mori nënshtetësinë shqiptare me dekretin presidencial të Metës në dhjetor të vitit 2017, pas një pritjeje 25 vjeçare. Por nënshtetësia e tij nuk ndryshon asgjë sa i përket qëllimeve gjeostrategjike greke.

Pushteti` kishës ortodokse greke

Pushteti` kishës greke në nivel shoqëror duket qartë nga fetarët që shkojnë në kisha (sipas një studimi të vitit 2015-17 nga Pew Research Center, 76 për qind e popullit grek e lidh kombësinë e tij me krishtërimin) dhe nga numri` tyre kur thirren nga kisha në protesta, si në rastin e protestës së vitit 1992 kundër emërtimit të Maqedonisë…Veriore, “Maqedoni”, ku dolën shumë më tepër se numri që nxjerrin në shesh drejtuesit e qeverive dhe partive kryesore atje. Paralelisht, kisha ortodokse greke ka ngritur një perandori ekonomike të paparë në historinë e saj, ndryshe ngasa dikton Krishti: ndarjen e pasurisë me të varfërit. Ja ç`citon një raport i shkrojtur në fillim të ‘krizës’ ekonomike greke: 

Kisha Ortodokse Greke është nën presion për të marrë më pak dhe për të dhënë më shumë pasi vendi përballet me një krizë të tmerrshme financiare që mund të ketë një ndikim botëror. Kisha thuhet se zotëron prona me vlerë deri në 700 miliardë euro. Ky është më shumë se dyfishi i huasë kombëtare të vendit…[kur] është shteti grek ai që paguan pagat dhe pensionet e të gjithë klerikëve ortodoksë në vend.

Qeveria greke, në të vërtetë, nuk u mjaftua me pagimin e pagave dhe pensioneve të klerikëve por përjashtoi kishën dhe manastiret nga taksa e pasurisë ndërsa kërkoi vetëm taksimin pronave të përdorura për qëllime tregtare. Kushtetuta e parë (1822) e njohu kishën ortodokse greke si besimin “mbizotërues” ose “fenë e shtetit” ndërsa kushtetuta e vitit 1827 (me kuvendin kombëtar të Trezenes) i shtoi asaj se “kleri sipas rregullës së Kishës së Shenjtë nuk përfshihet në zyrat publike” por ajo nuk përcaktoi të drejtën e shtetit për të ligjësuar mbi çështje kishtare. Kjo e drejtë u quajt nga hartuesit si përmbajtje në mospërfshirjen e shtetit në çështje kishtare por paralelisht ajo nuk përcaktoi mbrojtjen e feve të tjera.

Shteti modern grek thellësisht fetar

Kushtetuta paraqiti një sistem “bashkërendimi” mes shtetit dhe kishës sipas të cilit çdonjëri merrësh me çështjet e tij por “bashkëpunonin” në çështje të përbashkëta. Ky sistem u zgjerua më tej më pas në perëndim mes disa shteteve dhe kishave katolike. Por ai u mënjanua nga këshilli ose regjenca bavariane (1833), duke paraqitur një trajtë më të qartë të epërsisë së shtetit në marrëdhëniet “kishë-shtet” ku “sistemi ligjor shtetëror mbizotëron kishën ortodokse.  Si e tillë, kisha e ka për detyrë (ligjore) të raportojë llogaritë e saj por ajo përgjithësisht nuk i raporton ato: “fondet e saj janë tabu në Greqi”. Një nga arsyet kryesore lidhet me karakterin e shtetit grek: teokratik. Në fjalët e një raporti të “The Guardian”: 

Kisha Ortodokse është pjesë përbërëse e kombit grek: kushtetuta është shkruar në “emër të Trinisë së Shenjtë bashkëthelbësore dhe të pandashme”; priftërinjtë bekojnë fillimin e çdo viti shkollor dhe qeveritë e reja; shkollat shtetërore mësojnë parimet e krishtera; dhe njerëz të të gjitha moshave bëjnë shenjën e kryqit kur kalojnë një kishë.

Kisha greke e mohon shifrën përkatëse dhe mëton se ka vetëm “4% të pasurisë që zotëronte përpara revolucionit grek, sepse shteti ka konfiskuar shumë nga pasuria e saj” ndërsa gazeta Kathimerini e vendos pasurinë e saj në vlerën e 700 milionë eurove dhe ish-ministri i financave greke, Jorgo Papakostadinu, hamendësonte se ajo është “të paktën 1 miliard” euro. Por fakti që shteti grek nuk është në dijeni të pasurisë së kishës tregon dy vërteta të mëdha dhe “përvëluese” si për shtetin grek ashtu dhe për karakterin e kishës: se kisha nuk i nënshtrohet kushtetutës dhe nuk hetohet për pasuritë e saj nga shteti grek dhe në fund, nuk zbaton parimin e Krishtit―të ndarjes së pasurisë me të varfërit! 

Për shkak se kisha greke ka përqendruar një pasuri të frikshme në historinë e saj gati 200 vjeçare dhe nuk paguan taksa për gjithë pasuritë e saj dhe paguhet nga kursimet e pjesës tjetër të shoqërisë për “shërbimet” e saj, mijëra njerëz iu bashkuan një grupi në Facebook të titulluar “taksoni kishën”. Por ajo ka kundërshtuar me forcë mëtimet se ajo është nga shmangësit më të mëdhenj të taksave në Greqi. Madje, ajo as shoqërisë nuk i shërben nëse gjykojmë nga një studim, sipas të cilit “trysnia e krizës ekonomike prishi lidhjet tradicionale të mirëqenies dhe i la fëmijët të cënueshëm ndaj rreziqeve përsa i përket zhvillimit të tyre kulturor, shoqëror, biologjik dhe psikologjik [ndërsa] mbështetja tradicionale e familjes po arrin kufijtë e saj dhe kriza ekonomike bëhet më e ndërlikuar dhe më e zgjatur”. 

Sa i përket karakterit të saj, një studim i zhvilluar së fundmi mbi “bisedat dhe praktikat e Kishës Ortodokse të Greqisë”, që nga vitit 1974, tregon se ajo “është kryesisht një institucion tradicionalist, por gjithashtu plotëson një numër të madh karakteristikash fondamentaliste që i përgjigjen në këtë mënyrë privatizimit dhe skajimit të fesë në shoqërinë greke”.

Kisha “simotër” e saj, katolikja, me qendër në Vatikan, nuk ndryshon shumë nga kisha ortodokes greke. Papa quhet shpesh njeriu më i pasur në botë ndërsa pjesa më e madhe e pasurisë së saj është lidhur me artin dhe pronat. Ajo e quan shpesh mëkat vdekjeprurës përqendrimin e tepërt të pasurisë në pak njerëz por s`kemi parë deri tani ndonjë shpërndarje nga pasuria e saj as kundrejt grigjës së saj as kundrejt njerëzve të tjerë në nevojë.     

Për rolin e kishës ortodokse në ekonominë greke (dhe jo vetëm në të) janë kryer shumë studime dhe nuk janë të pakët ata që tregojnë se etika fetare nuk ka ndikuar në parandalimin e krizës dhe zvetënimit të priftërinjëve (ku mbizotërojnë pedofilitë dhe homoseksualiteti) dhe pushtetarëve të tjerë të shoqërisë ndërsa të tjerë tregojnë se ajo nuk u dëmtua nga kriza ekonomike. 

Ndryshe nga fqinji ynë jugor, ku ka një fe zyrtare, vendi ynë s`ka fe zyrtare (neni 10 i Kushtetutës) dhe “shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjjes dhe garanton lirinë e shprehjes në jetën publike”. Por njësoj si fqinji ynë, bashkësitë fetare financohen nga buxheti` shtetit dhe u nënshtrohen ligjeve të kuvendit.  Vendi ynë ka një kryepeshkopatë, përfaqësues i të cilës është Janullatosi dhe pesë Mitropoli (Berat, Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Fier).

Të gjithë përfaqësuesit e mitropolive kanë emra grekë ndërsa të krishterët në vendin tonë zinin 6.75 për qind të gjithë popullit sipas raportit të INSAT-it, 2011. Kjo shifër është kundërshtuar nga përfaqësia e krishterë në vendin tone por që nga ajo kohë ata nuk kanë paraqitur ndonjë përqindje tjetër. Megjithatë, universiteti i Bostonit mbi të dhënat e feve botërore 2020 thotë se Shqipëria ka 38 për qind të krishterë dhe 59 për qind muslimanë dhe pakica të tjera fetare ndërsa vlerësimi` vitit 2023 tregon se vendi ynë ka 1.1. million muslimanë, plus 116 mijë bektashinj, dhe mbi 200 mijë katolikë dhe 176 mijë ortodoksë (nga këta 9700 janë të krishterë ungjillorë me pjesën tjetër të mos i përgjigjet përkatësisë fetare dhe 4 për qind atesitë.

Paralelisht me këto liri fetare vendi ynë themeloi dhe lirinë e kapitalit, e cila ishte themeluar mes vendeve të BE-së. Liria në fjalë ishte pasojë dëshirës së popullit të `90-ës (shumë prejt të cilëve e pranojnë sot se ishin mendjelehtë dhe janë mashtruar nga amerikanët) për ta bër “Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe nevojës sonë për t`u ndihmuar nga vendet e BE-së por dhe nga vetë mërgimtarët, të cilët kishin filluar të dërgonin kursimet e tyre përmes bankave. Nga “liria” në fjalë (e kapitalit), kisha (bashkë me elitën politike dhe ekonomike) greke përfitoi gjithashtu: sepse ajo kishte mundësi të përdorte paratë e saj për të krijuar “politikanët” e saj (tipa si Dulja, Bollanua e të tjerë) por dhe për të ndihmuar pakicën e saj pavarësisht se kjo e fundit është rrëgjuar tridhjetë vitet e fundit. 

Dëftues është përfundimi i një raporti të Martin Baldwin-Edwards, ish-drejtor i Mbikëqyrësit të Migracionit Mesdhetar, mbi kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Greqi, botuar rreth 20 vjet më parë: 

Politika greke për emigrantët përmban një ideologji përjashtuese për të gjithë të tjerët përveç grekëve etnikë. Nismat e ndryshme legjislative janë zbatuar nga zyrtarë të patrajinuar me mentalitet të qartë nacionalist dhe ksenofob dhe, siç raportohet, në rrethana abuzive. Gjithë kuadri ligjor për imigracionin, të hyrjes (në një konsullatë jashtë shtetit), të punës dhe qëndrimit të ligjshëm (më parë me OAED dhe tani me pushtetin vendor) dhe të qëndrimit të ligjshëm (ish Ministria e Rendit Publik dhe tani Ministria e Brendshme), është thelbësisht armiqësore ndaj emigrantëve dhe e rrethuar nga korrupsioni. Atje ka një histori të vazhdueshme zvetënuese dhe shkeljeve sistematike nga zyrtarët e shtetit grek, në konsullata, ministri, polici dhe agjenci të tjera – kjo përfshin gjithashtu trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të grave nga zyrtarët shtetërorë. Duket se Komisioni Evropian nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ushtruar trysni ndaj Greqisë për reforma: vetëm poshtërimet e rënda të bëra nga qeveritë amerikane kanë dhënë ndonjë ndikim në masat kundër trafikimit. Megjithatë, masat ksenofobike të imigracionit duket se do të mbeten ose, madje, do të përkeqësohen.

Njëzetë vjet më vonë, Komisioni Evropian është ende duke kërkuar nga Greqia që të “përputhet me Direktivën e BE-së 2019/1152 mbi kushtet e tejdukshme dhe të parashikueshme të punës në ligjin kombëtar”!

Përfundime

Nga ky studim nxjerrim disa përfundime:

• së pari, grekët me në krye kishën ortodokse shtrembërojnë historinë e Bizantit, sepse megjithëse ata pranojnë se ajo u quajt ashtu për shkak të udhëheqësit të kohës, Vizës ose “Vizas” në greqisht, ata e paraqesin atë si “grek” kur greqishtja e vjetër nuk ishte zyrtarizuar në atë kohë dhe kur qyteti prej të cilit buronte Viza, Megara, nuk ishte jonian. Nuk është e rastit që ata nuk e sqarojnë dot kuptimin e emrit “Viza”; madje, ata nuk sqarojnë dot as të vendbanimit, “me-gara”;

• së dyti, na takon ne shqiptarëve që këtë të vërtetë të madhe ta shquajmë―domethënë, se parandoria “bizantine” duhet të quhet perandori “vizantine” dhe t`i japim kuptim fjalës “Vizë”, duke studiuar gjuhën e vendbanimit përkatës, sepse me siguri do të ketë mbishkrime dhe përshkrime historike; 

• së treti, grekët e perandorisë romake u zhvendosën gradualisht drejt Romës së re, meqënse atje u përqendrua pushteti politik, ekonomik dhe fetar dhe Athina Klasike ndërsa ajo filloi të banohej më shumë nga shqiptarët ose arvanitasit aq sa historiani gjerman i shekullit 18, Falmerajeri të mbrojë tezën se Athina mbizotërohësh nga “gjak” shqiptari dhe luftën kundër otomanëve e fituan po shqiptarët. Por kjo “tezë” nuk është plotësisht e drejtë: sepse vërtet shqiptarët me në krye Kolokotronin spikatën në atë luftë por “revolucionin” e nisi Velenstinliu, ia “vodhi” Ipsilandi gati 20 vjet më pas, bashkë me klerin ortodoks dhe elitën politike greke ose fanariotët dhe e ktheu atë nga një luftë vërtet revolucionare në luftë fetare. Kësaj lufte iu bashkua dhe kleri dhe e ndihmoi vendimtarisht. Por përpara përpjekjes së dytë, ose në vitin 1809, Kolokotroni dhe Ali Farmaqi, nga Moreja, u përpoqën të krijonin një “mbretëri greko-shqiptare” në More me “pamje demokratike” ose me “një qeveri të përbër nga dymbëdhjetë muslimanë dhe dymbëdhjetë të krishterë” ku nuk do të kishte dallime kombësie dhe fetare. Ky fakt tregon (por dhe të tjerë) se Kolokotroni kishte ndërgjegjje “kombëtare” meqënse mbretëria që kërkonin të themelonin do të ishte “greko-shqiptare” dhe meqënse ai kërkoi ndihmë nga krahinat shqiptare (Çamëri etj.) dhe bëri ç`ishte e mundur për të mbrojtur shqiptarët muslimanë gjatë luftës. Por ajo përpjekje dështoi, kryesisht sepse francezët, prej të cilëve kërkuan ndihmë ushtarake dhe ekonomike, nuk e mbajtën fjalën. Si pasojë, Kolokotroni iu bashkua luftës së fanariotëve dhe klerit grek.  

• së katërti, kleri` kishës ortodokse greke nuk i nënshtrohet kushtetutës, si pasojë, vlera e pasurisë se tij nuk dihet nga shteti por veç hamendësohet; nuk ka ndonjë kontribut në parandalimin e krizës ekonomike dhe zvetënim tërësor të shoqërisë dhe institucioneve dhe nuk ka ndihmuar shtresat shoqërore në nevojë gjatë krizës së fundit; dhe në fund ai ka pushtet të jashtëzakonshëm dhe dikton dhe pushtetin politik dhe mediatik dhe tridhjetë e ca vitet e fundit e ka zgjeruar atë dhe në Shqipëri. Me pushtetin e saj kisha greke mban popullin të zhytur në padije dhe ushqen urrejtjen kundër gjithë popujve fqinj dhe veçanërisht kundër shqiptarëve. Kjo politikë ka krijuar kushtet që arvanitasit me ndërgjegjje kombëtare ta heshtin (ose ndrydhin) atë ndërsa kisha pengon zhvillimin e dijes tek ata që s`kanë ndërgjegjje kombëtare (kryesisht duke censuruar përmbajtjen e studimeve ku tregohen gjysmë të vërteta, sidomos lidhur me luftën e Kolokotronit), me pasojë të mëtejshme, shqiptarët e pas viteve `90 të përngjashmohen (asimilohen) dhe elita politike dhe ekonomike greke të pasurohet si kurrë më parë, duke shfrytëzuar fuqinë e lirë punëtore si atje ashtu dhe në vendin tonë; dhe

• në fund, populli shqiptar s`e ka të qartë realitetin në të cilin jeton dhe jeton me përshtypje të krijuara nga elita jonë. Kjo e fundit ushqen një “nacionalizëm” të rremë, duke krijuar përshtypje të rreme se ne nuk kërcënohemi nga Greqia. Forcat e reja politike ndërkohë nuk ndryshojnë shumë nga populli, sidomos sorosistët e rinj (lëvizja Shthurje etj.). 

Në këtë mënyrë, Athina përparon me gjeostrategjinë e saj: shkëputjen e jugut të Shqipërisë. Në tridhjetë e ca vjet ajo ka krijuar “marjonetat” e saj në Shqipëri; ka krijuar varreza greke në jug të Shqipërisë; ka zgjeruar veprimtarinë e shkollave greke; ka zgjeruar veprimtarinë e kishës ortodokse; ka zgjeruar perimetrin e pakicës greke; dhe ka krijuar, në fund, “armë” gjeopolitike përmes të cilave përparon qëllimin e saj: kapjen e Shqipërisë nga brenda aq sa klasa jonë politike (ose krerët e sja, Berisha, Rama dhe Meta) jo vetëm që zvetënohet me paratë e ministrisë së jashtme greke për të heshtur çdo padrejtësi ndaj shqiptarëve por bënë lëshime të njëpasnjëshme pikërisht sepse krerët janë në karakter të zvetënuar.      

*Ky studim është pjesë e një studimi më të gjerë me titull:

Marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Greqisë: nga lashtësia në modernitetin neoliberal 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA