Qendrimet dhe programet politike të partive të reja: profka dhe mashtrime
Ky studim shqyrton disa nga qendrimet kryesore të krerëve të partive të reja dhe programet e tyre politike. Qëllimi kryesor është të ndihmohet populli për të kuptuar se cila nga ato mund të na nxjerrë nga kriza shumë-përmasore ku na ka zhytur klasa politike. Siç tregohet, asnjë parti nuk mund ta nxjerrë vendin tonë nga kriza. Lëvizja Bashkë (LB) ka treguar se është ndryshe nga të tjerat por ajo ka shumë të meta; dy kryesoret, shtrembërimi` karakterit të shtetit dhe programi` saj.
Ylli Përmeti
10/05/2025 - 17:31
Gjetjet kryesore:
Partia ‘Mundësia’ nuk përmban veçori të partive moderne, të cilat zakonisht kanë barazi politike. Përkundrazi, ajo është një parti pa barazi politike dhe për më tepër, pa program dhe me dije tejet të pjesshme për të drejtuar shtetin;
Partia ‘Nisma/Shqipëriabëhet’ është më keq se partia ‘Mundësia’, sepse në to nuk mungon vetëm barazia politike por i shtohet varësia ndaj oligarkisë sonë dhe ndaj oligarkive të huaja me në krye Sorosin. Programi` saj është kryekëput “nga pasanikët, me pasanikët, për pasanikët’;
Partia ‘Lëvizja Bashkë’ ka deri diku barazi politike, ka zhvilluar protesta të drejta dhe ka hartuar një program politik. Por programi` saj është neoliberal me doza ‘statiste’ dhe s`ka asnjë gjasë për mbrothësi.
Përqindja e dijes së nevojshme për të drejtuar shtetin për Shehajn dhe Lapaj/Shabani nuk është as 5 përqind ndërsa Lëvizja Bashkë qendron diku tek 25 përqinçi, më lartë se qeveritë “Rama” dhe “Berisha”. Por të gjithë krerët e partive në fjalë i karakterizojnë profkat politike me Arlind Qori të qendrojë në krye.
Shtrembërimi` karakterit të shtetit nga partitë e raja: Qori udhëheq dinamikën
Tre lëvizjet e reja politike, që zakonisht paraqiten si katër nga “gazetarët” e oligarkisë, Lëvizja Bashkë, me në krye Qorin; Lëvizja Thurje, me në krye Shabanin, e cila “polli” më pas “Shqipëria Bëhet”, me në krye Lapajn; dhe partia “Mundësia” me në krye Agron Shehajt, kanë disa anë të përbashkëta por kanë dhe ndryshime të rëndësishme. Një anë e përbashkët është se të treja tregojnë “oligarkinë” si pengesë të përparimit të Shqipërisë por kur orvaten të tregojnë karakterin e saj, ndryshojnë. Sipas Lëvizjes Bashkë “oligarki është vetëm pushteti ekonomik” ose pasanikët e mëdhenj të Shqipërisë, ndërsa sipas Shabanit, Lapajt dhe Shehajt, ajo përfshin dhe pushtetin politik por as edhe ata s`e përcaktojnë atë, pavarësisht se këtej unë kam vite që jam përqendruar tek qendrimet e padrejta të Qorit dhe klasës sonë politike në tërësi, lidhur me karakterin e oligarkisë dhe pavarësisht se lëvizja Thurje ka kryetar Shabanin, i cili ndryshe nga të tjerët ka fituar, siç thotë, titullin e “doktorit” në filozofi dhe politikë në Universitetin e Oksfordit.
Rreziku që paraqesin këto lëvizje politike për popullin lidhur me mos tregimin e karakterit të shtetit tonë është i madh: sepse ai do të vazhdojë të besojë, siç beson, se jeton në “demokraci”, kur dihet se republika jonë quhet “republikë parlamentare” dhe zgjedhjet për përfaqësues të rinj mbahen një herë në katër vjet, (ndaj e quajmë “demokraci” përfaqësuese) të cilët përzgjidhen nga partitë politike dhe jo nga populli dhe në vijim përqendrojnë pushtetin politik dhe ekonomik dhe krijojnë atë që quhet oligarki politike dhe ekonomike, e cila nuk i jep llogari popullit por pikërisht për shkak se kërkon të integrohet në BE ku globalizmi neoliberal ka marrë përmasa të tmerrshme, kërkon mbështetjen e fuqive të huaja që në fillimet e saj (filloi me Ramizin kur braktisi socializmin marksist dhe bashkë me të dhe shkallën e lartë të pavarësisë ekonomike që kishte fituar socializmi` kohës dhe krijoi katër partitë e para: Fatos Nano/PS; Sali Berisha/PD; Skënder Gjinushi dhe Sabri Godo kryetarë të dy partive të tjera dhe po vazhdon me sorosistët e rinj), dhe popullit tonë i ka mbetur “ora” në vitin 1990, kur kërkonte integrimin në BE, për pasojë, klasa jonë politike i jep llogari Brukselit ndërsa populli thjesht ftohet të votojë.
Shehajt i falet deri diku mos tregimi i karakterit të shtetit tonë meqënse një drejtues ndërmarrjeje kapitaliste është. Por Lapajt, i cili shpesh mburret me kualifikimin e tij si avokat, dhe Shabanit dhe Qorit, të cilët për nga kualifikimi qendrojnë më lartë se Lapaj dhe Shehaj, nuk u falet, sepse shkencat politike dhe shoqërore janë më gjithëpërfshirëse se shkenca juridike, dhe si të tillë ata duhet të ishin kritikë ndaj karakterit të shtetit tonë. Shabani, në fakt, nuk do ta kritikonte kurrë karakterin e shtetit tonë meqënse e ka vërtetuar në mënyrë të përsëritur se është “elitist”. Nuk janë të pakta rastet kur kërkon nga Berisha por dhe kur u ankohet “gazetarëve” të oligarkisë se klasa jonë politike nuk “lejon qarkullimin e elitave”. Ky pohim por dhe fakti se për t`u bërë “filozof” u bë falë bursës së Sorosit, tregon qartë se çfarë “filozofie” ka ai në mendje dhe për çfarë filozofie e kanë kualifikuar të ngjashmit e tij në Oksford.
Ndryshe nga Shabani paraqitet Qori: ai flet për demokraci dhe oligarki por dhe për të vërtetën e plotë, por s`ka treguar as karakterin e demokracisë dhe as të oligarkisë në teori, se në praktikë është deri diku demokratik, nëse gjykojmë nga statuti, vendimet dhe veprimtaria e lëvizjes përkatëse. Por dihet se kur konceptet e demokracisë dhe oligarkisë shtrembërohen në teori dhe për më tepër pretendohet se i thuhet popullit e “vërteta e plotë” lidhur me karakterin e shtetit apor realitetin e tij, shpresa se lëvizja në fjalë do të themelojë demokracinë e vërtetë dhe do të asgjësojë oligarkinë, nëse vjen në pushtet, shuhet. Dhe ndryshe nga tre të parët, Qori ka një qasje ideologjike deri diku të majtë: ai lufton për shtresat shoqërore që u shkelen të drejtat ndërsa tre të parët bëjnë sikur luftojnë zvetënimin (ose korrupsionin).
Ato “bëjnë sikur” luftojnë zvetënimin jo vetëm sepse nuk kuptojnë shkaqet e zvetënimit por dhe sepse e kanë treguar me veprime (Thurja ose Shabani-Lapaj përmes padive ndërsa Shehaj përmes sulmeve si deputet), se luftojnë vetëm zvetënimin e kundërshtarëve ose pushtetarëve të qeverive “Rama”. Thurjes i shtohet dhe një anë tjetër: se ajo e ka filluar veprimtarinë e saj politike duke pranuar parátë e oligarkive, të huaja (me në krye Sorosin) dhe vendore (me në krye katër familjet pronare të medias kryesore në vendin tonë: Top Media; Klan; Vizion; dhe G2 Media, të cilat subvencionohen nga qeveria në këmbim të mbështetjes: Freedom House: 2024). Familjet përkatëse mbikëqyrnin 86.94 për qind të ndjekshmërisë televizive në “pesë muajt e parë të vitit 2023”. Që nga ai vit gjendja mediatike nuk ka ndryshuar; përkundrazi: televizionet përkatëse vazhdojnë të mbështesin qeverinë duke censuruar të vërteta të vyera për popullin.
Madje, në vitin 2018 raportohej, sipas një studimi, se autoriteti i mediave autovizuale firmoste “monopole me lejet elektronike ose digjitale” ose me katër familjet e medias ndërkohë që katër botuesit kryesorë mbikëqyrnin bashkërisht 86.5 për qind të tregut të shtypit” por “tre familje” mbanin pesë lejet e transmetimit digjital, nga të cilat vetëm një familje kishte marrë tre leje. Në këtë mënyrë Autoriteti Rregullator i Medias nënshkroi “një monopol” tjetër sipas studimit. Megjithatë, ai vit me vitin 2025 ka pësuar disa ndryshime; disa media (si Report tv) kanë fituar më shumë ndjekshmëri, falë subvencioneve të qeverisë ndërsa të tjera kanë humbur.
Ligji i medias, në fjalë të tjetra, i cili kërkon “informim objektiv” ose “dijësim të drejtë” të popullit dhe të “paanshëm” por dhe deontologjia ose detyra gazetareske, ose zbatimi i parimit të “rëndësisë” mbi ngjarjet, shkelen me të dyja këmbët dhe krerët e rinj, si Arlind Qori, as që e kanë idenë nga realiteti mediatik por na tregojnë se televizionet diktohen vetëm nga “oligarkët ekonomikë” kur faktet tregojnë se janë Rama dhe Berisha ose oligarkia politike ata që kanë kapur oligarkët ekonomikë, ku përfshihen dhe pronarët e medias, dhe jo e kundërta.
Një rast “flagrant” që tregon kapjen e oligarkisë mediatike që në fillimet e saj është pohimi` Bushatit, jogazetarit që paraqitet si gazetar, madje, mbështetjen e tij e përdor Qori si “testament” vërtetësie, pikërisht në “studion” e LB, ku tregoi se si Rama nënshkroi lejen e Klanit të vitit 2001, kur u bë televizioni` parë kombëtar privat, dhe i kërkoi atij jo vetëm pará të thata por dhe mbështetje politike! Sikur të mos mjaftonte ky fakt –thënë symësy me Arlindin dhe hamendësisht i dëgjuar nga anëtarët e tjerë të organizatës dhe mbështetësit e saj, një rast tjetër, nga më “spektakolarët” që kam hetuar unë së fundmi, është ABCnews.
Kur mësova se e bleu Devolli nga Kosova dhe ia hoqi Berishës një megafon të rëndësishëm, me pronare përfundimtare Athinën, kërkova takim me të me qëllim që të bashkëpunonim, dhe pas disa përpjekjeve dhe takimeve të mija, mësova se televizioni përkatës ishte blerë nga dy oligarkë ekonomikë, Devolli dhe Kastrati, pasi, sigurisht, u kishte garantuar Rama treg (njërit kryesisht për birrën e tij) dhe tjetrit për naftën. Si pasojë, Kastrati tejkaloi Manen në pasuri vitin e kaluar.
Dhe ky është vetëm një rast nga jeta ose përpjekjet e mija për të punuar në media. Si ai, kam hetuar dhjetra të tjerë në të kaluarën. Kjo është arsyeja kryesore se pse hoqa dorë nga dëshira ime për të punuar për ABCnews: sepse e kuptova se nuk do të më pranonin pavarësisht se më pranoi si fillim Amarda Kapaj, si drejtoreshë fillestare e telelvizionit përkatës, kur më tha se kishte nevojë për gazetarë dhe se ishte e gatshme të më pranonte. Dyshimet e mija lindën po atë ditë kur mësova se në televizionin përkatës punonte Sokol Balla si drejtor lajmesh. Por me një ndryshim: lidhjet politike të Ballës me partinë “socialiste” janë më të forta ndërsa Kapaj i ka shërbyer dhe pushtetit të Berishës kur ABCnews ishte megafon për të, megjithëse në një farë mënyre, edhe Balla i ka shërbyer Berishës.
Çështja, rrjedhimisht, nuk është se media jonë është kapur nga “oligarkia ekonomike” siç pretendon Qori, por se ajo është kapur nga oligarkia politike, Rama-Berisha, që në fillimet e saj, si duke i mjel sa herë kanë nevojë për të mbijetuar politikisht ashtu dhe duke kërkuar drejtpërdrejt mbështetje politike. Sigurisht që pasanikët e mëdhenj, tipat si Kastrati dhe Mania, kanë ndikim në televizionet përkatëse meqënse shpenzojnë miliona në ta por ata e dinë se nuk kanë pushtetin politik që ka Rama apo Berisha ose mbështetjen e tyre politike, me rreth 700 mijë vota çdonjëri. Ndaj dhe fjalën e fundit në televizione e kanë oligarkët politikë ose Rama dhe Berisha dhe ndaj oligarkët ekonomikë përshtaten në epshet e tyre dhe përfitojnë.
Akuza e Qorit, në fjalë të tjera, të cilës i ka dhënë karakter programor, nuk është thjesht e padrejtë parë nga një këndvështrim pushtetor, por dhe çoroditëse, pavarësisht se ai ka të drejtë kur ankohet se nuk ftohet shpesh nga telelvizionet. Por në vend që të shënjestrojë shkaktarët e vërtetë të shthurjes së televizioneve, Ramën dhe Berishën, dhe deri më dje dhe Metën, megjithëse edhe ai mund të vazhdojë të ndikojë në Oranews nga burgu apo përmes sekserëve, shenjestron “pjellën” e tyre: oligarkinë ekonomike!
Këtë fakt e tregoi dhe kur u përball me Fevziun, më pak se gjysmë “gazetarin” e oligarkisë, kur i tregonte atij se Fevziu diktohet nga oligarkët ekonomikë, ndaj s`e ftonte! Nga ana tjetër, Fevziu u përbetua se në “27 vjet” nuk ishte diktuar nga asnjëri! Edhe mund të jetë ashtu siç thotë por ai duhet të besohet vetëm kur të hetohet nga organet tona të drejtësisë.
Qori, në fakt, nuk u tregua dhe aq i përgatitur lidhur me krerët e tjerë të partive të reja, sepse u pajtua me pretendimin e Fevzos se edhe ata ishin ftuar po aq sa ai, por të nesërmen kreu një hetim dhe paraqiti disa shifra: sipas tij, ai kishte “qenë vetëm 2 herë në Tvklan në 6 vite” ndërsa “të tjerët kanë qenë disa herë më shumë. Agron Shehaj 29 herë në emisionet “Opinion”, “ZONE E LIRE”, “E Diela Shqiptare” “Në kurthin e Piter Pan” dhe edicionin e lajmeve. Adriatik Lapaj 23 herë në emsionet “Opinion”, “Zonë e Lirë” dhe edicionin e lajmeve, përfshirë këtu edhe një debat me kryeministrin Edi Rama në vitin 2021. Endri Shabani 12 herë, në emisionet “Opinion” dhe “Rudina”, përfshirë këtu edhe emisioni e datës 16 janar 2020, në të cilin u shfaq edhe reportazhi për minierën e Albchrome të Samir Manes, si antipropagandë ndaj grevës së minatorëve të Bulqizës”.
Qori nuk u tregua dhe aq mbrojtës i të vërtetës edhe kur Fevzua tha se “unë nuk diktohem” nga asnjëri se cilin do të ftoj, kur mund t`i thoshte se në bazë të ligjit të medias dhe deontologjisë gazetareske ai duhet t`i shërbejë të vërtetës së plotë dhe nëse ai pretendonte se i kishte shërbyer, t`i përgjigjej ose me ndonjë hetim (të cilin duhet ta kishte kryer dhe ta përdorte në këto raste) ose me raste konkrete, si rasti im, sepse s`janë njësoj çështjet që ngre unë me çështjet që gre Fevzua; as janë çështjet e mija të njëjta, për nga rëndësia, me çështjet që ngre Qori. Për shembull, vetëm javët e fundit unë kam ngritur, mes shumë çështjesh me karakter gjeopolitik, ekologjik dhe shoqëror, çështjen e ushqimit, e cila prek gjithë popullin; madje dhe oligarkinë tonë, sepse shumë anëtarë të saj, ku përfshihet Rama, janë idiotë sa u përket çështjeve të ushqimit.
Ndryshe nga unë, që merrem me studime, Fevziu merret me “opinione” (në fund të fundit i tillë është programi` tij) dhe nuk guxon që studimet e mija t`i vendosë temë në emisionin e tij, edhe pse ia kërkon ligji dhe detyra e tij, ndërsa Qori ngriti me të drejtë disa shkelje të të drejtave të punëtorëve, por ato janë të dorës së dytë për nga rëndësia krahasuar me shëndetin e përgjithshëm të popullit; sepse pa luftuar për shëndetin e popullit në tërësi apo të drejtën e tij për të jetuar, s`mund të luftosh për disa shkelje të drejtash në punë. Edhe nëse ato të drejta fitohen, po shëndeti i punëtorëve si do të fitohet kur ti s`lufton për të?
Një anë tjetër e përbashkët, mes partive të reja politike, është fakti se ato janë të gjitha “social-demokrate”. Por asnjëra nga ato nuk ka përmendur parimet themelore të social-demokracisë! Kujtoj se parti social-demokrate ka patur plotë në Shqipëri që kur u braktis socializmi marksist, me partitë e Milos dhe Gjinushit. Por edhe ato s`kanë treguar ndonjë herë parimit themelore të atij sistemi! “Mundësia” e Shehajt, për shembull, s`ka njoftuar ndonjë plan politik përveç mëtimit se është një “alternativë e re e qendrës së djathtë”, meqënse sipas saj, “politika është e ndarë”. Ndaj, sipas saj, nevojitet të përqendrohemi te “zhvillimi ekonomik, liria individuale dhe mbrojtja e vlerave tradicionale”. Ajo beson, gjithashtu, se “përmes inovacionit dhe bashkëpunimit” “mund të ndërtojmë një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme, ku secili ka mundësi”.
Partia pa program e Shehajt dhe gjysmë të vërtetat e tij
Shehaj ka dhe një të metë tjetër, po aq e rëndësishme sa mospasja e një programi (se për “projek” s`bëhet fjalë) politik: mënyra e organizimit të partisë së tij dhe shkelja e Kodit Zgjedhor nga ai me vetëfinancimin e saj. Në rastin e parë, lidhur me partinë e tij, s`ka barazi përsa kohë që ai është financuesi`saj dhe jo anëtarësia dhe s`ka, në dijeninë time, as statut partie. Ky fakt e bën partinë përkatëse jo organizatë politike por pronë të një njeriu të vetëm. Ndaj dhe ata që i shkojnë pas, në sytë tanë, nuk janë thjesht të pabarabartë me të por dhe “shërbëtorë”.
Nga ana tjetër, neni 92/2 i Kodit Zgjedhor, pika 3/1 e tij, nuk lejon “kandidatët e partisë politike ose koalicionit zgjedhor të regjistruar si subjekt zgjedhor vetëfinancim më shumë se 3 milionë lekë”. Shkelja e kufizimit përkatës dënohet me gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë (neni 173). Shehaj ‘kufizimin’ përkatës e quan të padrejtë; madje arsyetimi që përdori në Opinion/27 mars, ishte qesharak: se, sipas tij, ligjin e kanë “bërë kastile”, pushtetarët, “që të mos merret vesh asgjë”!
Ligji përkatës, në të vërtetë, nuk përmend arsyen se pse kufizohet subjekti zgjedhor në vetëfinancim por kuptohet se vetëfinancimi krijon pabarazi mes partive. Kjo është arsyeja se pse kufizon vetëfinacimin. Por duhet thënë se ligji nuk e ndalon dot shkeljen e ‘kuzimit’ me gjobën përkatëse. Shehaj ka deklaruar publikisht se partinë “Mundësia” e financon ai dhe ka thënë (Opinion/27 mars) se është gati të paguajë gjobën përkatëse. Për të, gjoba është sigurisht e papërfillshme. Por është e qartë se “këshilltarët” e tij nuk e kanë këshilluar mjaftueshëm për “thelbin” e ligjit mbi zgjedhjet kur ai beson se po vepron drejtë.
Nga ana tjetër, ai ka zhvilluar ndërmarrje në Shqipëri dhe Itali ku zhvillohet veprimtaria e “call center” ose “e mashtrimit të organizuar” siç e kam quajtur në të kaluarën, sepse për një veprimtari të tillë bëhet fjalë. Nuk janë të pakta rastet që “qendrat” përkatëse janë akuzuar dhe për veprimtari të tjera të paligjshme. Por “qendrat” e Shehajt nuk janë dëgjuar për veprimtari që shkojnë përtej ligjit. Sidoqoftë, vetë fakti që ato janë qendra të mashtrimit të organizuar, nuk e bëjnë atë të nderohet. Por punësimi i mbi apo rreth 50 mijë punonjësve, siç thotë, e nderon atë, meqënse Shqipëria vuan nga papunësia. Por karakteri` veprimtarisë e bën atë jo dhe aq të nderuar. Madje nuk kemi parë që të ketë themeluar vendime demokratike në ndërmarrjet e tij, ku të përfshihen dhe punëtorët. Por kemi parë nga ai të shfrytëzojë krahuan e lirë të punës –sigurisht, duke shfrytëzuar ligjet në fuqi të hartuar dhe miratuar nga kryeneoliberalët, Berisha dhe Rama – dhe të pasurojë veten shumë më shumë se punëtorët. Kemi parë, gjithashtu, se ai financon “projekte” studimore mbi historinë tonë kombëtare, –sidomos ato të LANÇ-it– ku pretendohen gjepura balliste prej vitesh.
Në fund, ai pretendon se është “rritur” vetë ekonomikisht kur është e qartë se ka shfrytëzuar një lloj “biznesi” dhe një kuadër ligjor që një njeri` ndershëm nuk do të ndihësh i nderuar. Megjithatë, ai ndihet i tillë, sepse beson se veprimtaria e tij ekonomike është e ndershme (në raport me ligjin ajo është e ndershme) dhe milionat e tij janë “rezultat” i punës së tij kur dihet se ai ka shfrytëzuar krahun e lirë të punës në një veprimtari ekonomike që vetëm e ndershme nuk është. Nga këndvështrimi ideologjik, ai është kryekëput i djathtë pavarësisht se e ka filluar jetën e tij si punëtor i thjeshtë, e cila është një kategori njerëzore që mbështetet nga e majta, duke vërtetuar edhe një herë të vërtetën historike se kur njerëzit pasurohen, ata harrojnë të kaluarën dhe mundohen të tregojnë se janë “fisnikë”, duke shtrydhur, sigurisht, klasën punëtore dhe duke shtrembëruar historinë, jo vetëm të “karrierës” së tyre por dhe të kombit, si në rastin e Shehajt. Por si çdo rast tjetër, bën dhe ndonjë të mirë për të mirën e përgjithshme, si nxjerrja e punëve të pista të Lapajt e të klasës politike në tërësi meqënse Spak-u fle gjumë.
Profkat e Shehajt mbi lekun/euron dhe rritjen ekonomike
Sikur të mos mjaftonin Berisha dhe Rama me profkat e tyre, por dhe shumë profkëmëdhenj të tjerë pas tyre, njerëz tejet të papërgjegjshëm, të një shkalle që kalon shkallën e një rrugaçi, por që “drejtojnë” shtetin, tani na u shtuan dhe këta të “rinjtë”: Shehaj, për shembull, tha para pak ditësh në televizionin e zvetënuar të quajtur “Euronews”, se mirë do të ishte të zëvendësohej leku me euron pavarësisht se humbasim, sipas tij, “politikën monetare”. Ai e përligj kërkesën përkatëse me “përlyerjen” apo “skandalet” e drejtorisë së bankës sonë kombëtare. Me siguri, këtë synim Shehaj do ta realizojë kur të bëhet kryeministër, se dëshira e tij nuk mund të realizohet nga Rama, kryesorosisti` dhe kryeneoliberali Shqipërisë, meqënse deri tani s`e ka përmendur.
Ai tha gjithashtu se “beson” në një shtet të vogël dhe si pasojë do të “shtrydhë” administratën publike, me qëllim që të kursejë 1 miliard euro, sepse “ne jemi një forcë e djathtë që besojmë tek individi jo tek shteti”, tha ai. Pak a shumë siç po vepron Trampi këto ditë në SHBA por me një ndryshim të madh: ai po përpiqet të rrisë pavarësinë ekonomike ndërsa Shehaj s`ka thënë asgjë për të! Madje, po të mendojmë se ai kërkon të zëvendësojë lekun me euron, bëhet e qartë se Shehaj synon tërësisht të kundërtën e Trampit: humbjen e plotë të pavarësisë ekonomike, sepse leku zë përqindjen më të madhe të pavarësisë sonë ekonomike dhe politike. Shehaj këputi dhe një profkë tjetër: se ai do ta rrisë ekonominë “me mbi 10%”, ndryshe Shqipëria do të “vazhdojë të jetë një vend i varfër”.
Profka të ngjashme lëshon Berisha dhe Rama prej vitesh. Megjithatë, mirë do të ishte t`i kujtonim fuçkos së radhës, që bëri disa miliona euro kryesisht përmes shfrytëzimit të krahut të lirë të punës dhe kuadrit ligjor se sa përmes aftësive të tij virtuoze dhe beson tani se mund të drejtojë dhe shtetin, se për “lekun” tonë apo për të krijuar bankën dhe monedhën tonë kombëtare, qeveria e parë e Ismail Qemalit vuajti shumë dhe në fund shtroi binarët për të tjerët. Ja se ç`thotë Ismail Qemali pasi themeloi bankën tonë kombëtare: “E them me lavdërim se puna e bankës për Shqipërinë është një i dytë fitim, pas lirisë [politike], edhe nga pikëpamja ekonomike edhe politike”.
Qëllimi` tij, në fjalë të tjera, nuk ishte thjesht pavarësia politike por dhe ekonomike dhe ajo lidhet drejtpërdrejt me bankën dhe monedhën tonë kombëtare ndërsa e Shehajt krejt e kundërta, thjesht sepse në drejtorinë e saj janë disa të zvetënuar! Si mund të mos jenë të zvetënuar drejtuesit e bankës sonë kombëtare kur në krye të shtetit është një kryeministër i zvetënuar?! Kaq e vështirë është të kuptojmë se shteti fillon dhe ndreqet kur ndryshon “kokën” e tij dhe jo duke braktisur bankën dhe monedhën tonë?! Sa për rritjen dyshifrore të rritjes ekonomike, Shehaj duhet të kishte kuptuar kaq vite se është pabarazia, të cilën e krijon klasa politike me kuadrin e saj institucional dhe politikat e saj neoliberale, të cilat ai synon t`i vazhdojë, që krijon varfëri e mjerim dhe jo rritja e ulët ekonomike. Ndoshta lexon ata fyçkot e Monitorit dhe “frymëzohet” nga profkat e tyre, sepse ata qarkullojnë teza të tilla!
Shqipëria zhbëhet më shumë me programin e neosorosistëve: Lapaj dhe Shabani
Ndryshe nga Shehaj, “Shqipëriabëhet” ka paraqitur katër kërkesa apo zotime kryesore: referendumet; sistemin zgjedhor; votën e diasporës; dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Lidhur me referendumet ajo i sheh ata si “vendimmarrje reale” dhe kërkon një ligj të posaçëm për ta vendosur në veprim, meqënse parashikohet në kushtetutën tonë dhe në disa dispozita të Kodit Zgjedhor por, sipas saj, mungon “procedura”. Për referendumet, në fakt, nuk është se nevojitet ndonjë “procedurë” ligjore nëse me ta kuptojmë thjesht ftimin e popullit të votojë për një çështje të rëndësishme që prek jetën e tij. Por ata s`janë shfrytëzuar mjaftueshëm nga klasa jonë politike, pikërisht për ta mashtruar dhe shtypur popullin.
Britania, për shembull, përdori një referendum për të vendosur populli nëse dëshironte të ishte anëtare në BE në vitin 2016 pas referendumit që kishte zhvilluar në vitin 1973 kur populli u ftua të votonte për t`u anëtarësuar. Britania ka përdorur referendume për çështje madhore edhe pse s`e ka në Kushtetutë. Në fakt, ajo s`ka kushtetutë por ka ligje parlamentare (statutes), marrëveshje ose konventa, vendime gjyqësore dhe traktate. Në rastin tonë, ligjin e referendumit e kemi në kushtutetutë por nuk është përdorur kurrë nga klasa jonë politike për çështje madhore. Hamendësisht, sepse ka frikë nga “vullneti”` popullit lidhur me çështje madhore si anëtarësimi ynë në BE, për të cilën do t`i duhet të tregojë dobitë dhe jodobitë e anëtarësimit në fjalë, sepse deri tani përsërisin si papagallë vetëm dobitë dhe fshehin jodobitë.
Kërkesa e “ShqipëriaBëhet” për referendumet bëhet kur Kodi Zgjedhor i vitit 2003 përcakton rregullat për shpalljen e një referendumi dhe kur në Shqipëri janë zhvilluar disa referendume, qoftë edhe në mungesë të Kodit përkatës: një në 5 nëntor të vitit 1994, për projekt-kushtetutën e kohës kur shumica i tha jo atij; një në 29 qershor, 1997, për formën e qeverisjes, “republikë” apo “monarki kushtetuese”, kur shumica zgjodhi “republikën”; dhe kur vetë kushtetuta e Shqipërisë është miratuar më 28 nëntor të vitit 1998 përmes një referendumi, kur shumica i tha po asaj. Janë shënuar dhe disa përpjekje të tjera për zhvillimin e referendumeve, me më të fundit në vitin 2013 kur gjykata kushtetuese “ndezi dritën e jeshile” për zhvillimin e një referendumi për “mbetjet” pasi u vu në lëvizje nga KQZ-ja. Këto ndryshime kushtetuese dhe ngjarje të rëndësishme, nuk duhet t`i shpëtonin një “juristi” si Lapaj.
Lidhur me “sistemin zgjedhor” ata kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor mbi listat (neni 163) — dhe t`i bëjnë ato të gjitha të hapura dhe të përputhshme me nenin 17 dhe 45, pika 4, të Kushtetutës. Kjo kërkesë është më shumë se gjysmake, në të vërtetë, sepse partia përkatëse shtrembëron nocionin e demokracisë. Ja se ç`thotë ajo për “demokracinë”, se ajo “bazohet në përfaqësim”—domethënë, për të s`ka ngjizje tjetër demokracie, për shembull, jopërfaqësuese!
Në fund, “depolitizimi” i administratës zgjedhore është një kërkesë që tingëllon e drejtë meqënse njerëzit që drejtojnë zhvillimin e zgjedhjeve duhet të mos përfshihen me partitë politike. Por kodi zgjedhor ndalon përfshirjen e tyre (p.sh, neni 13 ndalon Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, të përfshihet në “listën e kandidatëve që votohen”) ndërsa nëse ligji shkelet nga zbatuesit e kodit zgjedhor, ka masa ndëshkimi.
Megjithatë, SHB-ja parashtron kuptim tjetër të “çpolitizimit”: ajo e lidh atë me punësimet apo rrogat e shumëfishta të drejtuesve të zgjedhjeve, të cilat na kushtojnë, sipas saj, 30 milion euro, pasi kur mbarojnë zgjedhjet, ata vazhdojnë të marrin rrogë dhe punësohen në vende të reja në administratë. Ky lloj ndalimi nuk mund quhet “depolitizim” siç e quan SHB-ja por thjesht ndalim i një veprimtarie të padrejtë. Megjithatë, nuk kam gjetur asnjë raport që tregon se shteti humbet 30 milion euro nga punësimet e dy apo trefishta të punonjësve përkatës ndërsa është raportuar nga ministria e shtetit se ndaloi të gjitha procedurat e rekrutimit për periudhën e fushatës zgjedhore prej 3 marsit. Sidoqoftë, kjo çështje meriton hetim të mëtejshëm. Për të njëjtën arsye pretendimi` SHB-së është jobindës.
Lëvizja në fjalë, nëse mund ta quajmë “lëvizje”, botoi dhe një “program politik” prej 20 faqesh. Por gjykuar nga katër pikat kryesore që sapo shqyrtova —se ato nuk mbështeten në ndonjë hetim dhe shqyrtim por në kërkesa që vetëm njerëzit e papargjegjshëm dhe mashtrues i bëjnë— kuptohet se dhe programi ashtu do të jetë: një gjepur tjetër por më e zgjeruar.
Ajo e fillon ngjizjen e “programit” nga arsimi ose “ardhmëria” siç e quan ajo, dhe shkon te familja dhe siguria dhe shteti` së drejtës, Shqipëria sociale dhe mirëqenia, dhe pastaj shkon tek ekonomia. Parë nga një këndvështrim rreziqesh —se ne kanosemi më shumë nga kriza ekologjike dhe ushqimore— por dhe parimor, se pa ekonomi s`mund të thurësh ëndërra për sektorët e tjerë që varen nga ajo, ajo duhet ta kishte filluar ngjizjen e programit pikërish nga ekonomia; dhe ngaqë ekonomia përfshin kryesisht taksimin, burimet tona ekonomike dhe industrinë, ajo do të përdorte parime të drejta për ta.
Por kur lexon politikën e saj “fiskale” kupton dhe “thelbin” e saj. Ajo kërkon të zbatojë taksimin e sheshtë prej 10% ndërsa ata që punësohen në “dy apo më shumë” punë do të kenë “tatim të shumëfishtë...sa 10% e totalit nga të gjitha burimet e të ardhurave”. Domethënë, korporatat si ajo e Manes apo e të hujave paguajnë më pak taksa se një punëtor i zakonshëm që punon në dy punë!
Mjafton kjo politikë fiskale për të kuptuar se SHB-ja është armik i punëtorëve dhe mik i milionerëve ndërsa pikat e tjera nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Për zhvillimin e industrisë bujqësore dhe blektorale, për të cilën vendi ynë ka nevojë të madhe, ajo flet se do të themelojë një bankë agrare kombëtare për kreditimin e ndërmarrjeve; do të zhbëjë skemat e subvencionimeve duke përdorur vetëm një “formulë” dhe do të ndërmarrë disa masa që partitë e vjetra kanë vite që i ndërmarrin (dëmshpërblime nga “fatkeqësitë” natyrore etj.), pasi, sigurisht, nuk marrin asnjë masë për parandalimin e katastrofave ekologjike dhe për ta mbrojtur prodhuesin tonë nga dinamika botërore —konkurrenca— përveç “formulës” së subvencionimit dhe një pike jo shumë të qartë lidhur me “ndalimin e eksportuesve”.
Përgjithësisht SHB-ja e zhbën më shumë Shqipërinë jo vetëm për shkak të karakterit të saj oportunist dhe të dënueshëm, parë nga këndvështrimi se veprimtaria e saj politike financohet nga oligarkia jonë por dhe të huajat me në krye Sorosin, por kryesisht sepse ajo do të vazhdojë politikat neoliberale që përdor klasa jonë politike për më shumë se 20 vjet por me disa “ndryshime” të vogla që tingëllojnë “fisnike”. Qëllimi, sigurisht, është mashtrimi` (edhe një herë) i popullit.
Profka e Qorit mbi “oligarkinë ekonomike” dhe “modelin” e Jelcinit dhe Putinit
Pyetjes së jogazetarit Çani, “oligarkë apo klientë”, Qori iu përgjigj se “prej dhjetë vjetësh”, oligarkët ekonomikë, “e kontrollojnë shtetin më shumë se ç`i kontrollon shteti ata”; ky është model i Jelcinit që “aplikohet”, sipas tij në Shqipëri ndërsa “modeli alternativë” ―“i klientit”― është i Putinit!
Së pari, ai duhet të na paraqesë ndonjë studim ku të tregohet p.sh., se nga 2 mijë vendimet e Ramës, njëmijë e një apo më shumë, i kanë kërkuar “oligarkët ekonomikë”. Së dyti, Jelcini drejtoi shtetin (1991-99) kur Rusia kishte paqendrueshmëri të mëdha, kur filloi privatizimi i pasurive shtetërore dhe kur vërshuan korporatat perëndimore për të zhvatur ndonjë “llokmë”. Kjo fazë mund të quhet kalimtare ―siç edhe quhet― por kurrë “oligarkike”, në kuptimin e Qorit, meqënse “rendi” i ri s`kishte marrë ndonjë trajtë të qendrueshme dhe oligarkët ekonomikë s`ishin shfaqur. Së treti, një qeverisje “klienteliste” nënkupton një “pakicë ose grup njerëzish të organizuar” që përfitojnë në dëm të shumicës ose popullit.
Putini erdhi në pushtet pas Jelcinit dhe gjatë qeverisjes së tij u krijuan dhe pasanikët e mëdhenj ose oligarkët ekonomikë. Si pasojë, ai mund të quhet oligarku i oligarkisë ruse, të cilën e parashtroi Jelcini dhe e zgjodhi populli rus, por kurrë një qeveritar “klientelist”, meqënse kanë munguar “grupe interesi të organizuara” por s`kanë munguar oligarkët ekonomikë, aq sa perëndimi shënjestron oligarkët e Putinit me qëllim që populli perëndimor t`i ketë sytë tek të Putinit dhe jo tek oligarkët e perëndimit.
Qeverisje klienteliste, në të vërtetë, kanë zhvilluar perëndimorët, meqënse nuk mungojnë as kartelet ose grupe pasanikësh të organizuar për të diktuar çmimet, as edhe grupet e fshehta të pasanikëve—çka tregon të vërtetën tjetër se kur Qori shënjestron Rusinë dhe jo perëndimin dhe sidomos Evropën, ku pasanikët e organizuar janë më të organizuar, ai flet me zërin e propagandës perëndimore e cila ka vite që shënjestron Rusinë për të fshehur veten!
Por çfarë do të ndryshonte, nëse teza e Lëvizjes Bashkë, se “oligarkia ekonomike dikton më shumë shtetin se sa shteti atë”, vërtetohej? Cilin do të shënjestronte populli si fajtor të gjendjes së tij: Kastratin, Manen dhe të ngjashmit pas tyre apo Ramën dhe Berishën? Përgjigjen deri diku na e jep Kodi Penal. Ja si e dënon ai korrupsionin aktiv dhe pasiv të funksionarëve publikë dhe të sektorit privat.
Për “korrupsionin aktiv” funksionarët publikë dënohen me burgim “nga gjashtë muaj deri në tre vjet”; njësoj dënohen dhe nëpunësit publikë; dhe të njëjtët, për “korrupsionin pasiv” dënohen me burgim “nga dy deri në tetë vjet”. Por “funksionarët e lartë shtetërorë ose të zgjedhurit vendorë”, dënohen nga “katër deri në dymbëdhjetë vjet” (ose katër herë më shumë) për korrupsionin pasiv ndërsa korrupsioni aktiv në sektorin privat dënohet me burgim nga “tre muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në një million lekë” dhe “korrupsioni pasiv” (ose pesë herë më pak) dënohet me burgim nga “gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në tre milionë lekë”.
Se pse dënohen më shumë funksionarët e lartë shtetërorë se nëpunësit dhe njerëzit e sektorit privat, Kodi Penal nuk e sqaron por kuptohet nga zotimi dhe detyra e tyre: se funksionarët e lartë shtetërorë kërkojnë votën e poullit për të zbatuar ligjet në fuqi ndryshe nga njerëzit e sektorit privat. Drejtësia, rrjedhimisht, përdor dënimin sipas rëndësisë dhe në raport me kushtetutën, pavarësisht se ajo krijon oligarkinë politike. Gjykuar nga zotimi (kur kërkojnë votën dhe kur betohen) dhe detyra e “funksionarëve të lartë shtetërorë”, populli duhet të shënjestrojë oligarkët politikë dhe jo thjesht oligarkët ekonomikë.
Kodi Penal quan “korrupsion aktiv” kur “premtohet, propozohet, dhe jepet” dhe “pasiv” kur “kërkohet”, drejtpërdrejt apo tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregull a i një premtimi të tillë, për vete apo persona të tjerë, ose pranimi i një premtimi a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij”. Fjalët “kyç” këtu janë “premtim, propozim, jap” dhe “kërkoj”.
Përmbysja apo shtrembërimi` kuptimit të oligarkisë, në fjalë të tjera, nga Qori, do ta çonte atë —po të drejtonte shtetin— të rishikonte kodin penal dhe të kërkonte nga organet e drejtësisë të dënonin më shumë “oligarkët ekonomikë” se sa “oligarkët politikë”, dhe duke bërë kështu, në rast se ai shkelte ndonjë ligj që lidhet me “oligarkët ekonomikë”, organet e drejtësisë do të dënonin më shumë ata se sa Qorin!
Si ta kuptojmë përputhjen kuptimore të Qorit me “gazetarët” e oligarkisë mbi oligarkinë?
Pyetjes se pse Qori përputhet me ‘kuptimin’ e “gazetarëve” të Topit (“Inside Story”) lidhur me oligarkinë, kur vetë Topi është pjesë e oligarkisë, bazuar në fuqinë e tij ekonomike, nëse përdorim vetëm “kriterin” e Qorit, por në fakt ai ka dhe fuqi shoqërore, në kuptimin e ndjekshmërisë dhe infektimit të shoqërisë sonë me “viruse” shthurëse, fakt të cilin Qori nuk e sheh, pa përmendur heshtjen e Qorit lidhur me shkeljen e ligjit të medias nga Topi dhe media në përgjithësi, po i përgjigjem edhe një herë pak më “hollë”: ose ai vërtet s`e kupton dhe për pasojë s`do ta kuptojë kurrë ose e bën për arsye ‘taktike’―domethënë, që të shfrytëzojë “gazetarët” përkatës për të propaganduar përpjekjen e tij dhe Lëvizjes përkatëse…aq sa mund të propagandojë, sepse ai ftohet kryesisht në emisione që drejtohen nga “gazetarë” të dorës së dytë dhe rrallë në emisione qendrore.
Nëse qendron rasti` dytë, ai shfrytëzon oligarkinë duke treguar vetëm një pjesë të saj (Manen, Kastratin etj.) dhe jo kryeoligarkët dhe si krijohet ajo. Për pasojë, ai kurrë nuk mund ta “këqyr” apo “kontrollojë” se për ta asgjësuar nuk bëhet fjalë por veç ta riprodhojë. Por nëse qendron rasti` parë, mund të shpresojmë se do ta ndryshojë kuptimin në të ardhmen, sepse ndryshe nga shumë të tjerë, ai mëson pavarësisht se sipas meje nuk i falet meqënse ka shpenzuar gati 20 vjet në shkencat politike dhe nuk ka qartësuar as “A-në” e shtetit…
Mania, Kastrati dhe të ngjashmit pas tyre, kanë padyshim pushtet ekonomik por dhe politik për të ndikuar në pushtetin politik të kryeoligarkëve (Berisha/Rama) por jo aq sa t`i “nënshtrojnë” ata në “epshet” e tyre. Rasti i Ilir Metës, për shembull, i cili sipas një hetimi të Spakut ka ndërvepruar me Manen që në vitin 2007 dhe është shpërblyer me vila e pasuri të tjera, me më të fundit, ndryshimin e ligjit të minierave në dobi të Manes, të cilin e përdor Lëvizja Bashkë si provë për të treguar “peshën” e oligarkisë ekonomike, tregon pikërisht faktin se oligarkia jonë politike ndikohet nga oligarkia ekonomike por jo aq sa të mbivendoset ndaj saj, sepse oligarkët politikë si Rama, Berisha dhe Meta, kanë treguar se ata vërtet në disa raste u “nënshtrohen epsheve të tyre”, por e bëjnë me qëllim që t`i shfrytëzojnë ata gjatë gjithë kohës për pushtetin e tyre dhe për t`i shërbyer oligarkisë në tërësi.
Nuk ka fakt më të qartë se ata bëjnë anëtarë partie ose deputetë vetëm pasanikë ose oligarkë ekonomikë: qëllimi` tyre është i disafishtë por kryesori lidhet me shfrytëzimin e tyre―domethënë, për të përdorur pushtetin e tyre ekonomik sa herë t`u nevojitet; një arsye tjetër është t`i përdorin sipas “epsheve” të tyre gjatë qeverisjes, domethënë, për të ngritur kartonin në kuvend, meqënse kanë të njëjtin qëllim: pushtetin dhe pasurinë. Në sytë e Berishës dhe Ramës oligarkët ekonomikë janë, do të thoshte një shprehje e rëndë, “torovelë të dobishëm”, sepse shfrytëzohen si kur kanë nevojë për mbështetjen e tyre ekonomike ashtu dhe gjatë qeverisjes, ndërsa në sytë e oligarkëve ekonomikë Berisha dhe Rama janë pushtetarë të dobishëm, sepse ata e dinë se nuk kanë fuqinë e tyre politike, përsa kohë që s`drejtojnë ndonjë parti me mbështetës më shumë se gjysmë-milioni dhe s`kanë aftësi t`i lëvizin ata sipas “epsheve” të tyre.
Parë nga këndvështrimi` sapo përmendur por dhe nga e vërteta tjetër, se Mania fliste në telefon me Metën çdo ditë (sipas një raporti që kam cituar në studimin tim të parë: 2013) por dhe me Ramën, rasti që përmend Spaku, sipas të cilit Mania kishte kërkuar ndryshimin e një ligji, me siguri Meta dhe Rama i kanë bërë të “vështirin” dhe si pasojë Mania kërkoi “nderin” përkatës. Sjellja e Metës apo e Ramës, sepse me siguri ky i fundit ka qenë në dijeni të “idilit” të tyre —bëjmë si fillim të vështirin që t`i marrim ndonjë shpërblim të majmë dhe mos t`ia dhurojmë— është një taktikë e mirëditur jo vetëm e pushteteve politike të zvetënuar por dhe e njerëzve të zakonshëm, sidomos e grave kundrejt burrave.
Nuk ka, gjithashtu, provë më të qartë, se pretendimi i shumë kritikëve të korporatave ndërkombëtare, të cilët prej vitesh thoshin se drejtorët e tyre bënin çfarë të donin me pushtetin politik të Shtëpisë së Bardhë. Por në luftën kundër Rusisë u pa qartë se pushteti politik ose “epshet” e Bajdenit mbizotëruan pavarësisht se shumë korporata amerikane u dëmtuan ekonomikisht nga politika e tij. Janë qindra raportet ku tregohet nënshtrimi` korporatave ndaj “epsheve” të Bajdenit dhe frika e tyre se mund të ndëshkoheshin nëse vepronin ndryshe. Janë qindra, gjithashtu, rastet e demagogëve të “majtë” (në Evropë) që i shpallin luftë oligarkisë ekonomike por jo oligarkisë politike dhe më pas kthehen në zyrë dhe flasin me oligarkët ekonomikë dhe i qetësojnë ata se “sulmi” i tyre nuk është i vërtetë. Ata që shpërnjohin karakterin e shtetit dhe na tregojnë vetëm një pjesë të tij, rrjedhimisht, dhe për më tepër pretendojnë se tregojnë “të gjithën” e tij, janë…“ose ose”!
Partitë e reja heshtin për shkeljen e ligjit të zgjedhjeve dhe medias
Sipas një raporti të medias sorosiste BIRN, “gjatë gjysmës së parë të fushatës zgjedhore, televizionet e [kishin] fokusuar lenten te dy liderët kryesorë politikë, Edia Rama dhe Sali Berisha”. Klasa politike, në fjalë të tjera, shkeli ligjin e zgjedhjeve ndërsa televizionet ligjin e zgjedhjeve por dhe të medias. Kundrejt këtyre shkeljeve ligjore, partitë e reja heshtin! Ata kanë akuzuar, sigurisht, televizionet për pabarazi (sidomos Arlind Qori) por kurrë s`kanë përmendur shkeljen e ligjit të medias; madje as këta “gazetarët” i BIRN-it, sepse edhe ata shkelin ligjin e medias kur përfshijnë në raporte apo analiza vetëm “ekspertët” e nomenklaturës. Kështu partitë e reja nuk heshtin vetëm për çështje kombëtare por dhe për shkelje ligjore institucionale prej të cilave preken ata më shumë se kushdo tjetër. Por si duket për ta është më e rëndësishme të akuzojnë thjesht për pabarazi dhe të paraqiten si “viktima”, dhe të shijojnë, as sa ç`shijojnë shfaqjet televizive, se sa të tregojnë gjithë të vërtetën.
Sidoqoftë, partitë kryesore kishin një ndryshim në “strategji”, sepse paraja e PD-së në fushatën e zgjedhjeve përkatëse, sipas të njëjtit raport, ishte përhapur në 18 televizione ndërsa e PS-së në tre, në ata që “subvencionon” me kursimet tona dhe Spaku i bie fyellit. AMA e ka për detyrë ligjore të marrë masa ndëshkuese (gjoba etj.) ndaj shkelësve —në këtë rast lidhur me ligjin e zgjedhjeve dhe medias— por është e sigurtë se nuk do të veprojë, por edhe nëse vepron, partitë kanë mundësi të zvetënojnë 7 anëtarët e vendimeve të AMA-s dhe t`i shpëtojnë televizionet e tyre përsa kohë që anëtarët përkatës janë zgjidhur nga kuvendi ose nga ato. Mjafton kjo shkelje që zgjedhjet të quhen të pavlefshme por partitë e reja do të mjaftohen me akuzën e “pabarazisë” dhe nuk do të ngrenë akuzën për shkelje të ligjit të medias, me qëllim që të lëvizin Spakun, dhe as do t`i quajnë zgjedhjet të pavlefshme!
Programi neoliberal me doza ‘statiste’ i Lëvizjes Bashkë: pa gjasa mbrothësie
Në kohën kur LB-ja njoftoi pogramin fillestar me katër pika të quajtur “3 plus 1” ose me katër pika, shtetin zhvillimor (ku përfshihen pesë sektorë, bujqësia, industria, shërbimet, infrastruktura dhe buxheti); shteti social (ku përfshihen minimumi jetik, paga minimale, pensionet, shëndetësia, arsimi dhe strehimi); shteti i së drejtës (ku përfshihet lufta kundër korrupsionit, vendimarrja demokratike, rishikimi` ligjit për pasuritë, dhe reformimi` administratës); dhe shoqëria aktive (ku përfshihen rishkimi` kushtetutës për referendumet, lehtësimi` nismave të qytetarëve lidhur me ndryshimin e ligjeve; fuqizimi sindikatave dhe vendimarrjeve të “grupeve të organizuara shoqërore”), unë isha duke punuar me studimin tim dhe s`pata kohë ta shqyrtoja por e quajta —bazuar në çka pashë në atë program— ‘kryekëput neoliberal’, sepse kuptova se ishte “qendisur” në përputhje me politikat neoliberale, siç ato shprehen në anët tona, duke u integruar në BE. Por isha i përmbajtur sepse duhet të lexoja dhe shqyrtoja programin e zgjeruar.
Programi i Lëvizjes Bashkë (LB) duhet parë kryesisht nga këndvështrimi` kryetarit të saj, Arlind Qori, sepse ai është votëbesuar dhe ai ndryshe nga shumë kryetarë të tjerë partish dhe anëtarët e lëvizjes në fjalë, është pedagog i shkencave politike dhe autor i një ‘disertacioni’ me karakter shoqëror përmes të cilit ka marrë dhe titullin e “doktorit”. Titulli përkatës është fillestar dhe shtron rrugën për tituj të tjerë shkencorë, më të rëndësishëm (profesor i asociuar, profesor, akademik etj.).
Teza që Qori ka studiuar dhe shqyrtuar lidhet me një çështje shumë të rëndësishme për popullin shqiptar: me ideologjinë shqiptare për idenë e Evropës pas vitit 1991. Në të ai mbron tezën se “ideja e Evropës ka funksionuar si pikë nyjore ku kanë kaluar një larmi ligjërimesh politike, efekt i të cilës ka qenë farkëtimi i një ndërgjegjjeje kolektive që pajtohej me transformimet e formacionit shoqëror dhe sidomos me ristrukturimin neoliberal të marrëdhënieve dhe strukturës ekonomike”.
Ai përpiqet të kritikojë ideologjinë përkatëse duke përdorur disa autorë perëndimorë (Zizek etj.). Parë nga këndvështrimi` i punëve të munguara në Shqipëri mbi kritikën ideologjike, puna e tij përbën “risi” (kriter që e kërkon dhe grada e doktoraturës që ka marrë) por ajo është jo vetëm e pjesshme —parë nga këndvështrimi se ajo “kritikon” ideologjinë e Evropës të krijuar në vendin tonë pa e lidhur atë me pushtetin politik të kohës dhe kryesisht me të Ramiz Alisë (sepse ishte ky i fundit që bëri kthesën e madhe në politikën e jashtme: nga kundër-perëndimore në mbështetje të saj) dhe paralelisht nuk përshkruan ideologjinë e re neoliberale (konkurrencën, individualizmin dhe konsumerizmin) ku po shkonte vendi ynë dhe ta vendoste atë përballë ideologjisë socialiste, meqënse populli ynë e kishte braktisur, apo ndonjë ideologjie tjetër, me qëllim që të ndihmonte në kuptimin e tyre nga një këndvështrim krahasimtar dhe pse jo, të spikaste më të mirën, por dhe qasja e tij është tejet pak shkencore: sepse ideologjinë në përgjithësi nuk e sheh të lidhur me pushtetet, qofshin ato politike, akademike apo shoqërore.
Ana më e rëndësishme që nuk kritikon Qori në punën e tij —hamendësisht, sepse është mbështetur në autorë që bëjnë një kritikë më shumë abstrakte ose reflektive (bazuar në përshtypje) se sa të lidhur me sistemin dhe pushtetet e tij— është pikërisht sistemi i ri që synonte Shqipëria e viteve 1990: domethënë katër liritë (kapitalit, mallrave, punës dhe shërbimeve) dhe ideologjia që përmenda më herët, e cila u zhvillua gjatë social-demokracisë dhe u përdor për të “drejtuar” sistemin përpakës. Për ‘liritë’ përkatëse, pushtetet hegjemonike të shekullit të kaluar (SHBA-ja, Britani, dhe Gjermania) në perëndim punuan shumë, pikërisht sepse përmes tyre ato do të zgjeronin hegjemoninë e tyre ndërsa paralelisht përdorën ideologjinë e sapo përmendur jo thjesht duke e paraqitur atë si më të mirë se ideologjia e socializmit marksist por dhe si “shpëtimtare” të popujve përkatës.
Këto mungesa shfaqen dhe në programin politik të LB-së. Ajo e fillon mbarë (ndryshe, p.sh. nga SHB-ja) hartimin e programit —nga “shteti zhvillimor”, siç e quan ajo, ku ajo flet për zhvillimin e ekonomisë. Por menjëherë sa fillon dhe e përshkruan atë, e quan “modeli aktual zhvillimor i Shqipërisë” në vend ta quajë thjesht “modeli zhvillimor” i të paktën 30 viteve të fundit, sepse modeli “aktual” zhvillimor i ekonomisë sonë ka një histori dhe nuk është statik në kohë!
Më pas ajo përmend përmbajtjen e “modelit” ekonomik: rrogat e ulëta, kushtet “fleksibël” të punës dhe industrinë “me vlerë të ulët”. Por nuk bën lidhjen mes politikave neoliberale dhe rrogave e ulëta dhe kushtet “fleksibël” në punë siç i quan ajo, ose të këqija apo çnjerëzore siç do t`i quante populli: sepse kur integrohesh në globalizmin neoliberal ose në BE siç shprehet në anët tona, ku konkurrenca detyrohet mbi shtetet, një ndër mënyrat kryesore për të konkurruar në tregun ndërkombëtar, janë rrogat e ulëta ku shtohen dhe kushtet e këqija të punës (në të vërtetë, kushtet e punës në ndërmarrjet e mëdha të vendit tonë janë skllavëruese) jo vetëm për të kënaqur “epshet” e pronarëve shqiptarë, të cilët kanë lidhje të ngushta me klasën tonë politike dhe të gjithë bashkë përvetësuan dhe po përvetësojnë pasuri të vyera të popullit tonë por dhe për të joshur ndërmarrësit ose shfrytëzuesit e huaj. Paralelisht u braktis punësimi` plotë nga partitë politike me qëllim që të shtonin ofertën për ndërmarrësit me krah të lirë pune.
Politikat neoliberale duhet të përmenden sepse nëse ato s`përmenden, nuk kuptohen se nga burojnë ato pasoja (rroga të ulëta etj.) dhe karakteri` programit: se ai është i “ri” por i qendisur në projektin e vjetër të BE-së, i cili, jo vetëm që po përballet me një realitet të ri —luftën e neonacionalistëve për pavarësi politike dhe luftën gjeopolitike mes superfuqive, e cila po shkon drejt pavarësisë ekonomike se sa varësisë siç synon Evropa— por dhe me një krizë të brendshme, që me luftën në Ukrainë do ta çojë në zhbërje.
Karakteri i programit të “ri” të vjetër bëhet më i qartë kur ai e lidh ekonominë tonë me “zinxhirin global të vlerës”—një togfjalësh që përdoret shpesh nga “ekonomistët” e epokës neoliberale, pikërisht sepse ekonomitë e shekullit të kaluar braktisën mbështetjen në burimet e brendshme ose parimin e vetë-mjaftueshmërisë, dhe u orietuan kryesisht në burimet e jashtme dhe si pasojë, ato do të mbështeteshin në zinxhirin botëror të vlerës ose në “ciklin e plotë të prodhimit, ku përfshihet burimi, prodhimi, përdorimi ose konsumi dhe procesi` riciklimit”. Kjo ishte një strategji e vendeve hegjemone perëndimore për të përparuar me zgjerimin e hegjemonisë së tyre, rezultati` së cilës është bërë më i qartë vitet e fundit me dështimin e plotë jo vetëm lidhur me shkatërrimin e burimeve ekonomike por dhe duke qelbur planetin me mbetjet e prodhimit.
Më tej programi paraqet konceptin e “politikës zhvillimore industriale”, sipas të cilit, ai thekson rëndësinë e ndërhyrjes së institucioneve publike për të mbështetur inovacionin dhe ato industri që mund të ndihmojnë në diversifikimin dhe avancimin e një ekonomie”. Qasja e “ndërhyrjes” së “institucioneve publike” ose qeverisë në industri nuk është e re por ajo hamendësohet se do të ndërmarret në kushte neoliberale ose të orientuar për t`u integruar në BE, ku vendet hegjemone s`i lejojnë vendet e vegjël të ndërhyjnë në industri përveç rasteve kur përputhen me “epshet” e hegjemonëve: privatizimin e saj.
Në rastin tonë, ne s`kemi ndonjë industri të rëndësishme. Kjo është ndoshta arsyeja se pse LB-ja kërkon të nxisë industrinë e “teknologjisë së lartë” me qëllim që të dalim nga “cikli me vlerë të ulët”; sepse një tjetër mund të jetë prirja e shteteve —hegjemone dhe jo— për t`u përqendruar në atë lloj teknologjie. Për zhvillimin e saj, ajo planifikon të përdorë ndërhyrjen strategjike në industri, të ngrejë ndërmarrje shtetërore (ose “publike” siç i quan ajo) për të rritur “konkurrueshmërinë në treg”, dhe të themelojë një Fond Sovran për të drejtuar “asetet strategjike” dhe një Bankë Zhvillimore për të kredituar sektorët strategjikë, “me synim mbështetjen e bizneseve prodhuese, rritjen e eksporteve dhe hapjen e vendeve të sigurta të punës së kualifikuar”. Për industrinë minerare dhe të naftës ajo mbështet “modelin norvegjez” (disa shtylla të karakterit ligjor).
Për naftën, më hollësisht, ajo synon të “rinegociojë” kontratën me ndërmarrjen Bankers Petrolum dhe të kontrollojë veprimtarinë e saj prodhuese përmes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore; të rrisë taksën mbi fitimin; të rrisë kompetencat e Albpetrolit (ndërmarrjes shtetërore); të ringrejë një uzinë rafinerie; të bashkëpronësojë ndërmarrjet shtetërore me punëtorët; do t`i vendoste të ardhurat e sektorit në Fondin Sovran; do të ringrejë aftësitë teknike; do ta shfrytëzojë racionalisht atë; do të rrisë përqindjen e të ardhurave për pushtetin vendor; do të rishikojë ligjin për hidrokarburet; dhe do të miratojë statusin e naftëtarëve.
Sektorët e tjerë, ku mbizotëron bujqësia, ndjekin të njëjtën logjikë, dhe mund të thuhet se ka kryer një studim deri diku të mirë por jo të drejtë: së pari, sepse sheh plotë “kontradikta” (kjo është fjala që ajo përdor) në qeverisje por nuk sheh papërputhshmërinë kryesore: se me mbështetjen e ideologjisë për t`u integruar në BE, ajo nuk sheh politikat neoliberale të BE-së të cilat nuk lidhen vetëm me privatizimin e sektorëve strategjikë të një vendi (përmes të cilit synojnë të përfshihen edhe ata) por dhe me shfrytëzimin e fuqisë së lirë punëtore dhe bashkë me to dhe shkatërrimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe ekosistemit. Madje privatizimin e ndërmarrjeve dhe burimeve tona LB-ja e sheh vetëm nga këndvështrimi` qeverive tona kur dihet botërisht se BE-ja kërkon privatizimin e tyre, sepse beson në konkurrencën e tregut privat dhe jo shtetëror.
Përfundime
Elitat perëndimore e dinë (gjykuar nga teoria —e mbështetur në histori ose përvojë— ortodokse dhe marksiste) se kur dy vende me pabarazi ekonomike bashkohen në një union ekonomik, ekonomia më e fuqishme do të mbizotërojë. Në rastin e BE-së nuk bëhet fjalë thjesht për union ekonomik por dhe politik, sepse shtetet anëtare ia lënë çështjet kryesore Brukselit për t`i gjykuar. Edhe ne —studiuesit— e dimë se kur u bashkua Zogu në një unionin (të pjesshëm krahasuar me unionin e BE-së) me Italinë fashiste, ekonomia më e fuqishme mbizotëroi. Dimë, gjithashtu, se vendet fqinje si Greqia shfrytëzojnë pikërisht pabarazinë përkatëse për të përparuar me gjeostrategjinë e saj për shkëputjen e jugut të Shqipërisë. Dimë, në fund, se është pikërisht ajo pabarazi që ka çuar në pabarazi më të mëdha mes anëtarëve të BE-së. Bazuar në këto dije, si mund të besohet se Greqia apo Italia dhe vendet hegjemone të BE-së, do të lejojnë Shqipërinë me në krye Arlind Qorin, të zhvillojë sektorët strategjikë përmes shtetit dhe fondeve të BE-së, ku si Athina ashtu dhe Roma japin nga kursimet e tyre, të mbizotërojë kundrejt ekonomive të tyre?!
Këtë të vërtetë të madhe e ka kuptuar klasa jonë politike që në fillimet e saj dhe po bën ç`është e mundur që t`i privatizojë dhe përvetësojë (përmes “investitorëve strategjikë” etj.) dhe mos t`ia lënë të huajve. Kjo ishte besoj arsyeja se pse LB-ja u ftua në një konferencë “ekonomike” nga megafoni` politikave neoliberale në Shqipëri, Revista Monitor dhe ambasada amerikane në Tiranë: hamendësisht, sepse në sytë e tyre ajo me programin e saj përputhësh plotësisht me sistemin neoliberal dhe si mjashtra më të vjetër se LB-ja që janë, e dinë se shumë nga synimet e programit me karakter ‘statist’, do të braktisen në qeverisje, pikërisht sepse nuk përputhen me sistemin neoliberal dhe qëllimet e vendeve hegjemone të BE-së. Monitori mund të ketë dhe një arsye tjetër: me gjasë është pyetur nga LB-ja për të hartuar programin dhe revista ia shpërbleu me një mbledhje.
Gjykuar nga shqyrtimi` i qendrimeve të kryetarëve të partive të reja dhe programet e tyre politike, mund të thuhet se asnjëra nuk meriton të mbështetet. Por nëse gjykojmë nga veprimtaria e tyre politike (se cilat shtresa shoqërore mbështesin nga këndvështrimi ideologjik), LB-ja mund ta meritojë, sepse ajo mbështet shtresat e ulëta të shoqërisë. Megjithatë, nëse vendosim në peshore qendrimet politike të kryetarit të saj dhe programin dhe veprimtarinë e saj politike, peshorja anon nga jo-ja, sepse pas qendrimeve të kryetarit përkatës dhe programit të saj politik nuk po rendim vetëm ne (si gazetarë dhe studiues) por dhe veprimtarët e partisë përkatëse dhe populli.
Veprimtarët përkatës, sigurisht, s`e kuptojnë karakterin neoliberal të programit të LB-së për sa kohë që ajo nuk ka shqyrtuar (në dijeninë time) ndonjë studim lidhur me politikat neoliberale, megjithëse mund të kishin mësuar nga unë për sa kohë që studimet e mija janë përqendruar në to prej vitesh. Madje në librin tim të parë, të cilin e kam paraqitur në vitin 2013, në “gjirin” e asaj lëvizjeje politike, unë u përpoqa t`u zgjoja kureshtjen të pranishmëve që ta lexonin. Por nuk vërej ta ketë lexuar ndonjëri, sidomos kur dihet se unë kam njoftuar se ajo punë është përditësuar dhe pasuruar dhe pritet të botohet në dy vëllime, dhe përbën një pasuri të vyer për popullin tonë. Kështuqë, ata kanë përgjegjësi gjithashtu për moskuptimin e karakterit të programit.
Shpresa se LB-ja do të ulet dhe do të shqyrtojë edhe një herë programin e saj dhe do ta bëjë atë joneoliberal dhe të përputhshëm me realitetin e ri gjeopolitik që kanë krijuar superfuqitë, venitet nëse mendojmë se janë më shumë se dhjetë vjet dhe ajo s`ka shqyrtuar (dhe rrjedhimisht s`ka kuptuar) politikat neoliberale. Shpresat veniten më shumë kur mendon se kryetari` saj shtrembëron karakterin e shtetit tonë dhe për më tepër pretendon se i thotë popullit të “vërtetën e plotë”.
Megjithatë, përpjekja ime nuk do të ndalojë për të dijësuar popullin si lidhur me ndonjë ndryshim të mundshëm të LB-së drejt një programi joneoliberal, pas zgjedhjeve, ashtu dhe lidhur me qëllimin tonë: për të asgjësuar klasën e vjetër politike dhe krijuar një lëvizje politike të re jo vetëm me program por dhe projekt që e nxjerr vendin tonë nga kriza shumëpërmasore që na ka zhytur e njëjta klasë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 74 reads