...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia dhe Kina ankorojnë një rend të ri botëror ku perëndimi s`është i detyrueshëm

Mbledhja e SCO-së tregon se si bota po largohet nga Perëndimi

Fyodor Lukyanov*

08/09/2025 - 08:59

Përvjetorët historikë shpesh sjellin sfondin që diplomacia të bëhet spektakël. Mbledhja e kësaj jave e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Tianjin u organizua qëllimisht përpara paradës së madhe të Kinës që shënon 80 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Pekini, organizatori, u sigurua që simbolika të zbarkonte. Koha gjithashtu nënvizoi kontrastin me Uashingtonin: Donald Tramp, i cili prej kohësh i ka ëndjetuar paradat ushtarake, tashmë po planifikon një të tillë madhështore korrikun e ardhshëm për 250-vjetorin e Amerikës, pasi përpjekja e tij e përmbajtur verën e kaluar dështoi.

Për vetë SCO-në, takimi i Tianjinit kishte peshë të krahasueshme me mbledhjen e BRICS të vitit të kaluar në Kazan. Dokumentet u nënshkruan, por si gjithmonë rruga nga deklaratat deri te zbatimi do të jetë e gjatë. Ajo që kishte më shumë rëndësi ishte vendosja e një pike referimi. Në politikën ndërkombëtare, vetë akti i mbledhjes ka rëndësi po aq sa rezultatet.

Përtej skenës së Perëndimit

Me inerci, shumë ende e matin rëndësinë nga fakti nëse fuqitë perëndimore janë në dhomë. Për dekada të tëra, çështjet botërore u formësuan nga përballja Lindje-Perëndim në Luftën e Ftohtë, dhe më pas nga supremacia e njëanshme e SHBA-së dhe aleatëve të saj. Anëtarësimi në G7 (dikur G8) ishte xhevahiri i kurorës së respektit botëror. Edhe G20, i projektuar për të reflektuar një botë më të larmishme, mbeti e mbizotëruar nga ndikimi perëndimor mbi axhendën e saj. Takimet pa Perëndimin shiheshin si të kufizuara ose simbolike.

Kjo përkapje tani është vjetëruar. Pika e vërtetë e kthesës erdhi vitin e kaluar - së pari në BRICS, tani në SCO. Të dy grupimet, shumë të ndryshme në përbërje, po tërheqin vëmendje në rritje. Vendet po shtohen për t`u bashkuar ose të paktën për të marrë pjesë. Vetëm paraqitja në këto forume është bërë nderim, dhe diplomacia e korridorit që i rrethon lejon takime që përndryshe janë të vështira për t`u organizuar.

Ndryshimi nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë. Përpjekja e qeverive perëndimore për të izoluar Moskën pas përshkallëzimit në Ukrainë ka dhënë ndikim të kundërt. Në vend që ta lërë Rusinë në të ftohtë, ajo përshpejtoi krijimin e asaj që tani përshkruhet si “shumica botërore”. Shumë shtete nuk duan t`i nënshtrohen logjikës politike të askujt tjetër. Ata ndjekin llogaritjet e tyre të dobisë dhe përshtatshmërisë.

Nga kundërshtimi në tërheqje

Ngrehinat që dikur talleshin në Perëndim si përngjashmime artificiale dhe smirake të klubeve perëndimore - BRICS dhe SCO më të rëndësishmet mes tyre - tani po bëhen të domosdoshme. Ato nuk janë më thjesht kundërpërgjigje ideologjike ndaj hegjemonisë, por platforma praktike. Kjo shpjegon përpjekjet për të zgjeruar Bankën e Re të Zhvillimit të BRICS dhe për të ngritur një Bankë Zhvillimi të SCO. Këto institucione nuk do të rivalizojnë menjëherë FMN-në ose Bankën Botërore, por trajektorja është e qartë: të ndërtojnë zgjedhje të reja që anashkalojnë rojet perëndimore.

Perëndimi e ka pothuajse të pamundur ta tretë këtë. Për Uashingtonin dhe Brukselin, çdo institucion jashtë kontrollit të tyre duket si një kërcënim, një komplot “kundër demokracisë”. Në të vërtetë, po ndodh e kundërta. Perëndimi po tërhiqet nga brenda, duke u zhvendosur në një qendrim mbrojtës - ndonjëherë në mënyrë agresive - dhe në këtë proces duke u shkëputur nga pjesa më e madhe e botës. Formula që ka fituar vlerë në Moskë – “jo kundër Perëndimit, por pa të” - më në fund po bëhet realitet.

Katalizatori i Trampit

Një rrethanë tjetër që e përshpejton këtë ndryshim është stili i drejtpërdrejtë i administratës së Trampit. Kumti i saj është i thjeshtë: paguaj, ose trysnia do të pasojë. Aleatët kryesisht i janë bindur, duke përforcuar bindjen e Uashingtonit se kjo qasje mirëvepron. Por vendet pa detyrime sigurie ndaj SHBA-së kanë vepruar ndryshe. Ata kundërshtojnë të trajtohen si klientë, veçanërisht kur gjithçka varet nga rrjedha e parave në Amerikë. Prandaj edhe befasia në Uashington kur kaq shumë shtete rreshtohen për BRICS+ ose SCO+. Ato nuk po e përqafojnë domosdoshmërisht Rusinë ose Kinën pa kushte; ato po sinjalizojnë kundërshtimin e tyre për të jetuar sipas rregullave të hartuara diku tjetër.

Vendi i Rusisë

Në këtë sfond, Rusia e gjen veten jo të skajuar, por qendrore. Përpjekjet perëndimore për izolim vetëm sa nënvizuan rolin e Moskës si një pol kyç rreth të cilit shtetet jo-perëndimore mund të organizohen. Për shumë, Rusia është provë se ka zgjedhje ndaj tutelës perëndimore. Presidenti Vladimir Putin, duke iu drejtuar Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok menjëherë pas samitit të SCO-së, theksoi shqiponjën me dy koka të Rusisë: vendi shikon në të dyja anët. Ai këmbënguli se Rusia nuk ia ka mbyllur derën SHBA-së apo pjesës tjetër të Evropës. Bizneset amerikane, tha ai, mund të përfitonin jashtëzakonisht shumë nga projektet e përbashkëta nëse qeveria e tyre do ta lejonte këtë.

Në të njëjtën kohë, Moska po forcon lidhjet me Kinën, Indinë dhe Jugun Botëror më të gjerë. Marrëveshjet e reja me Pekinin - nga marrëveshjet e energjisë deri tek udhëtimi pa viza - janë hapa praktikë përgjatë kësaj rruge. Simbolizmi ka rëndësi gjithashtu. Në samitin e SCO-së, Presidenti kinez Xi Jinping shkrepi “nismën e qeverisjes botërore” me mbështetjen e Putinit. Larg nga të qenit një komplot anti-perëndimor, ai pasqyron kërkimin për një rend më të ekuilibruar.

Një botë në shndërrim

Ajo që po shfaqet nuk është një bllok i rregullt apo një ndarje e re e Luftës së Ftohtë, por diçka më e lirshme dhe më e larmishme. Politika ndërkombëtare po zhvendoset nga hierarkitë e përqendruara te Perëndimi drejt një peizazhi shumëpolar. Samiti i SCO-së duhet të lexohet në këtë kontekst, si pjesë e një riorganizimi më të madh. Bota është e çrregullt dhe proceset kaotike, por drejtimi është i qartë. Shtetet jo-perëndimore po pohojnë të drejtën e tyre për të vendosur plane, për të krijuar institucione dhe për të vepruar së bashku pa pritur leje. Përpjekja për të karantinuar Rusinë vetëm sa e ka përshpejtuar këtë. Perëndimi mund të besojë ende se asgjë me rëndësi nuk ndodh pa të. Por në Tianjin, ashtu si në Kazan më parë, kumti ishte i pagabueshëm: pjesa më e madhe e botës tani është e përgatitur të ecë përpara.

*Kryeredaktor i Rusisë në Çështjet Globale, kryetar i Presidiumit të Këshillit për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe drejtor kërkimor i Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai.

Nga i njëjti autor:

Si e bëri të mundur perëndimi luftën Izrael-Iran?

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA