...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dashuria dhe virtytet: burim lumturie dhe eudemonie

Lumturia është një veprimtari; dhe një veprimtari vjen qartësisht në jetë dhe nuk është aktuale që në fillim

Ylli Përmeti

22/04/2022 - 08:46

Lumturia pa dashurinë kurrë nuk mund të realizohet: sepse fundi i seksit është kënaqësia, me doza të vogla lumturie; i dashurisë, lumturia, me doza të mëdha eudemonie. Sipas Aristotelit atje janë tre lloj jete: (1) jeta e kënaqësive, (2) jeta politike dhe (3) jeta teorike; dhe se të gjithë veprimet njerëzore kanë një “fund”, një qëllim përfundimtar. Dhe lumturia (eudemonizmi) përbën synimin përfundimtar të njeriut, të mirën më të lartë, që synojmë vetëm për të dhe jo për të marrë të mira të tjera. Ndaj dhe qasja e Aristotelit konsiderohet teleologjike, d.m.th. se çdo veprim që ndërmerret nga njeriu synon një fund dhe fundi, ndërsa synon një të mirë, ai sjell edhe një tjetër: lumturinë. Por lumturia nuk përshkruan mjaftueshëm rëndësinë e “eudemonizmit” meqënse eudemonia, sipas Aristotelit, nuk përbën thjesht një gjëndje të përgjithshme lumturie dhe mirëqënie, por ajo është “energji shpirtërore”, sipas virtytit. Siç citon Aristoteli:

Përgjithësisht ne quajmë të mirë përfundimtare atë që përbën gjithnjë atë që është vetë ajo dhe kurrë për hir të një të mire tjetër. Një e mirë si kjo sipas mendimit të të gjithëve pa përjashtuar asnjërin është eudemonia, sepse atë zgjedhim gjithnjë për atë që është ajo vetë dhe kurrë për hir të një të mire tjetër, ndërsa nderin, kënaqësinë, veprimtarinë intelektuale dhe përgjithësisht çdo virtyt që zgjedhim, sigurisht, për atë që është (sepse, edhe nëse nuk rezulton asnjë dobi tjetër nga ato, ne do t’i zgjedhim), por i zgjedhim për hir të eudemonisë, sepse konsiderojmë se përmes atyre do të bëhemi eudemonë. Por eudemoninë asnjëri nuk e zgjedh për hirin e saj, as edhe —përgjithësisht— për hirin e çdo të mire tjetër. 

Eudemonia, në fjalë të tjera, është energji shpirtërore, sepse shoqëron objektivin tonë, i cili, nëse realizohet, sipas asaj që mundësisht kemi menduar, sinkronizon gjithësinë fizike dhe vallëzon me pjesët e tjera të saj, njësoj si notat e një ode. Ajo është si zgjimi i mëngjesit kur hapim sytë dhe kuptojmë se në shpirtin dhe mendjen tonë banon një njeri, që e duam shumë, për atë që mundësisht është, që na mbush plotë me energji. Ajo është, për më shumë, arsyeja përfundimtare përmes së cilës ne udhëtojmë në univers. Si e tillë, ajo varet nga realizimi i objektivave tanë dhe objektivat varen nga shoqëria, ku jeta e kënaqësive, politike dhe teorike bashkërendojnë. Dhe jeta e kënaqësive në modernitet, është më mbizotëruesja krahasuar me dy llojet e tjerë të jetës, dhe për shkak të kënaqësive ne gabojmë. Dhe ne gabojmë më shumë, nëse përjashtohemi nga jeta politike dhe jeta teorike; sepse ndërsa e para brendëson vlerat dominante të një vendim-marrje dhe racionalizon veprimet sociale, e dyta, lidhet kryesisht me shkencën, sepse çdo shkencë fillon nga teoria, përveç, sigurisht, urtësisë praktike, e cila vepron për të prodhuar dhe nuk teorizon.

Kështu në shoqëritë moderne njeriu zhytet në botën e kënaqësive dhe përjashtohet nga jeta kundruese ose përsiatja. Kjo është arsyeja se pse bota moderne dominohet nga kënaqësia, qoftë edhe në nivel elitar, sepse të dyja palët, përqendrohen më shumë te kënaqësitë: sepse mungon ‘shkenca etike’, qëllimi i së cilës është të tregojë se cila është e mira më e lartë (e shkëlqyera) dhe si mund të arrihet ajo.  Dhe ndërsa njëra palë ka uzurpuar hapësirën politike dhe teorike, tjetra, s’merr pjesë në të. Kjo është arsyeja, që të dyja palët janë më të varfëra në etikë dhe urtësi, krahasur me antikitetin, sepse njëra palë është spektatore, tjetra përcaktuese e spekatorëve.

Shkaku i gabimeve, tepërimeve dhe ekzibicionizmave, rrjedhimisht, që shfaqen në modernitet është kuadri institucional, sepse ai mundëson ndarjen e shoqërisë nga jeta politike dhe kundruese, ku, ndërsa mungon bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i urtësisë praktike, empirike, dhe teorike, përqendrohet pushteti (politik dhe ekonomik) në vend të baras-ndahet. Atje, rrjedhimisht, nuk zhvillohen virtytet etike dhe intelektuale dhe nuk themelohet rruga e mesme, e cila përcaktohet nga virtyti: sepse ‘njeriu i urtë është ai që vepron sipas virtytit dhe arsyes së drejtë dhe njeriu virtuoz është gjithnjë i drejtë; drejtohet nga virtyti i urtësisë dhe zgjedhë atë që është e drejtë për të vepruar’.

Lumturia, virtytet, kënaqësitë, pasuritë dhe shokët

Ngaqë lumturia varet nga virtytet, kënaqësitë, pasuritë, dhe shokët e njëjtë në virtyte Aristoteli sqaron se “nëse disa kënaqësi janë të këqija, ato e ndalojnë të mirën kryesore për të qenë kënaqësi e njëfarë soji, thjesht si e mira kryesore që mund të jetë dije e një farë forme megjithëse disa lloje dijejesh janë të këqija. Ndoshta është qoftë edhe e nevojshme, nëse çdo zotërim do të kishte veprimtari të papenguara, që, nëse veprimtaria (nëse e papenguar) e gjithë zotërimeve tona ose një nga ato është lumturi, kjo do të ishte gjëja më e vlerësuar e zgjedhjes sonë; dhe kjo veprimtari është kënaqësi. Kështu e mira do të ishte një farë kënaqësie, megjithëse shumica e kënaqësive mund të jenë të këqija pa cilësim. Dhe për këtë arsye gjithë njerëzit mendojnë se jeta e lumtur është e kënaqshme dhe endin kënaqësi në idealen e tyre të lumturisë―dhe me mend gjithashtu; sepse asnjë veprimtari nuk është e përsosur kur ajo pengohet, dhe lumturia është një gjë e përsosur; kjo është arsyeja se pse njeriu i lumtur ka nevojë për të mirat e trupit dhe të mirat e jashtme, d.m.th. ato të pasurisë me qëllim që të mos pengohet. Ata që thonë se viktima mbi rrotën e torturës ose njeriu që përballet me të këqija të mëdha është i lumtur nëse ai është i mirë, janë, nëse ata e kanë me gjithë mend ose jo, duke folur gjepura. Tani ngaqë ne kemi nevojë për pasuri gjithashtu dhe gjëra të tjera, disa njerëz mendojnë pasurinë e mirë njësoj si lumturia; por s`është ashtu, sepse qoftë edhe pasuria e mirë në vetvete kur është në tepëri është një pengesë dhe ndoshta ajo nuk duhet të quhet më pasuri e mirë; sepse kufizimi i saj është mbërthyer në lidhje me lumturinë.

Dhe vërtet fakti se të gjithë, kafshët dhe njerëzit, ndjekin kënaqësinë është një tregues se ajo është e mira kryesore:

Asnjë zë nuk humbet tërësisht i shumë njerëzve...

Por meqënse natyra e asnjërit ose gjendje është ose mendohet të jetë më e mira e të gjithave, asnjëri nuk ndjek të njëjtën kënaqësi; e megjithatë të gjithë ndjekin kënaqësinë. Dhe ndoshta ata vërtet ndjekin jo kënaqësinë që mendojnë se ndjekin as atë atë të cilën ata thonë se ndjekin, por të njëjtën kënaqësi; sepse të gjitha gjërat kanë prej natyre diçka hyjnore brenda tyre. Por kënaqësitë e trupit kanë fituar emëra sepse ne shpesh drejtojmë veten për to dhe sepse gjithë njerëzit i ndajnë ato; kështu ngaqë ato bëhen familjare, njerëzit mendojnë se atje s`ka të tjera”.

Ndërsa Aristoteli qartëson çdo keqkuptim lidhur me kënaqësitë ai i kthehet sërish lumturisë duke thënë se “lumturia është një veprimtari; dhe një veprimtari vjen qartësisht në jetë dhe nuk është aktuale që në fillim si një copë pasurie. Nëse (1) lumturia qendron në jetë dhe është aktive, dhe veprimtaria e njeriut të mirë është virtuoze dhe e kënaqëshme në vetvete, siç kam treguar që në fillim, dhe (2) qënia e një gjëje është një nga atributet që e bën atë të kënaqshme në vetvete, dhe (3) ne mund të kundrojmë fqinjët tanë më mirë se veten tonë dhe veprimet e tyre më mirë se tonat, dhe nëse veprimet e njerëzve vituozë që janë shokët e tyre janë të kënaqshme për njerëzit e mirë (meqë këto kanë të dy atributet që janë natyrshëm të kënaqshme)―nëse kjo është kështu, njeriu i lumtur në shkallën më të lartë do të ketë nevojë për këta lloj shokësh, meqë synimi i tij është të kundrojë veprime të vlefshme dhe veprime që janë të tijat, dhe veprimet e njëriut të mirë që është shoku i tij, i kanë të dyja këto cilësi”. 

...

Kjo shqyrtesë filozofike është shkëputur nga një studim i autorit me titull, “Gjenealogjia dhe forca e dashurisë”, publikuar për herë të parë në vitin 2013 në librin “Revolucion për demokraci gjithëpërfshirëse dhe Fronetike”    

Ç’është, nga buron dhe si edukohet dashuria? (1)       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA