...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dështimi` strategjisë së Uashingtonit dhe Brukselit me Beogradin dhe Prishtinën në prag të “fitores” së Rusisë dhe pasojat gjëmëzeza për Shqipërinë/Kosovën

Nuk është e vështirë të kuptohen pasojat e fitores së Rusisë në Ukrainë dhe rikthimit të Trampit në Shtëpinë e Bardhë për Shqipërinë, Kosovën dhe botën, po të kemi parasysh “armiqtë” e Trampit dhe Putinit: ata kanë armiq të përbashkët ―“globalistët”, ku përfshihen kryesisht sorosistët, dhe qëllimin e tij për të “zhbërë” aleancën euro-atlantike siç është shprehur ajo 70 vitet e fundit dhe kryesisht 30 e ca vitet e fundit, me “rendin” botëror të globalizmit neoliberal: ato do të jenë “katastrofike” për BE-në dhe sigurisht për Shqipërinë dhe Kosovën, pikërisht sepse Trampi do të bëjë (që ditët e para në presidencë, siç ka thënë) marrëveshje me Putinin për luftën në Ukrainë dhe do të vërë në lëvizje planin e tij për “zhbërjen” në fjalë.

Ylli Përmeti

10/07/2024 - 17:43

Ndërsa lufta në Ukrainë kishte ngecur dhe Uashingtoni dhe Evropa kishin ndryshuar strategji pa u vënë re nga popujt ―“nga mbështetja e qëllimit të Ukrainës për fitore të plotë ndaj Rusisë në përmirësimin e gjendjes të saj në një mundësi bisedimesh për t`i dhënë fund luftës”―Serbia u përfshi në zgjedhje të parakohshme, për të cilat u mendua se fuqitë perëndimore do të vendosnin në veprim “opozitën” serbe dhe median ndërkombëtare me qëllim rrëzimin e Vuçiçit, sepse akuzohej për lidhje me krimin e organizuar ose bandat e drogës,  pengim të “demokracisë” dhe deri diku edhe si pengues i “dialogut” me Kosovën.

Por e kundërta ndodhi: fuqitë perëndimore “heshtën” ndaj veprimeve të Vuçiçit aq sa presidenti i partisë së Lirisë dhe Drejtësisë dhe anëtar i bashkimit serb kundër dhunës, Dragan Dilas, u shpreh i zhgënjyer për to.  Zgjedhjet u përshkruan nga OSBE-ja edhe të “mira” edhe të “këqija”, ose në fjalët e saj: “megjithëse teknikisht të mirë-organizuara dhe ofruan zgjedhje për votuesit për variante politike, ato u mbizotëruan nga përfshirja vendimtare e presidentit i cili bashkë me epërsitë sistemike të partisë në pushtet krijuan kushte të padrejta”.

Si pasojë, opozita serbe u zotua të vazhdonte protestat që synonin përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve të atij muaji, për të cilat thanë se ishin vjedhur nga partia në pushtet e presidentit Vuçiç. Policia serbe arrestoi të paktën 38 persona, duke përfshirë dhe të ndaluar kur një protestë e madhe pranë bashkisë së Beogradit në ditën e Krishtlindjeve u shndërrua në dhunë. Demonstrata të tjera u planifikuan dhe disa deputetë të opozitës gjithashtu organizuan një grevë urie pasi u mbyllën brenda ndërtesës së komisionit zgjedhor.

Zgjedhjet për parlamentin serb dhe disa komuna, duke përfshirë kryeqytetin, përfunduan me një fitore të madhe për Partinë Progresive (SNS) të Vuçiçit. Opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se vota ishte “vjedhur” nga partia në pushtet dhe lëshuan paralajmërime për dhunën e qeverisë dhe ndikimin rus mbi politikën e vendit. “Kemi një krizë të madhe këtu”, tha për Financial Times Borko Stefanoviç, një deputet i opozitës dhe ish nënkryetar i parlamentit. “Protestat do të vazhdojnë çdo ditë. . . Vuçiçi dhe regjimi i tij po kthehen në mënyrat e tyre të vjetra radikale, të dhunshme, pro-ruse. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë.”

Vuçiçi tha se protestat ishin një përpjekje e mbështetur nga jashtë për të rrëzuar qeverinë e tij. Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko, tha për mediat ruse pas takimit me Vuçiçin se presidenti kishte “prova të pakundërshtueshme” se perëndimi po inkurajonte demonstratat dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kishte “procese dhe përpjekje nga forcat e treta, duke përfshirë edhe nga jashtë, për të provokuar trazira të tilla në Beograd”.

Aktivistët e opozitës thanë se protesta e Beogradit kishte qenë paqësore derisa u shfaqën huliganë dhe filluan të hedhin gurë dhe objekte të tjera, veprim që bëri që policia të reagonte dhe të fillonte arrestimin e njerëzve. Stefanović tha se kjo sekuencë ngjarjesh dukej se ishte e orkestruar. Opozita akuzoi qeverinë “Vuçiç” për frikësim dhe mashtrim zgjedhor dhe tha se ajo kishte futur votues të rremë për të rritur artificialisht mbështetjen për partinë në pushtet.

Flamujt e BE-së u valëvitën në protesta së bashku me pankartat që i referoheshin lëvizjes Otpor, e cila në vitin 2000 rrëzoi liderin jugosllav Slobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 ndërsa gjykohej për krime lufte. Shumë demonstrues shihnin paralele mes Vuçiçit dhe Milosheviçit – Vuçiçi filloi karrierën e tij politike si ministër i propagandës nën Milosheviçin gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990 - dhe po përpiqen të thërrasin frymën e lëvizjes që e largoi atë për të nxitur njerëzit në qytetet më të vogla jashtë Beogradit.

Kryeministrja në largim Ana Brnabiq falënderoi shërbimin sekret rus për informacionin që ata dhanë para ditës së zgjedhjeve mbi planet e opozitës për të protestuar kundër humbjes së zgjedhjeve. “Kjo ndoshta nuk do të jetë shumë e popullarizuar me ata nga perëndimi, por”. . . Ndiej se është shumë e rëndësishme të ngrihem për Serbinë dhe të falënderoj shërbimet ruse të sigurisë që e kishin këtë informacion dhe e ndanë me ne”, tha Brnabić në televizionin serb. Afërsia e fundit me Kremlinin është në kontrast të plotë me muajt e mëparshëm dhe me orientimin e dukshëm drejt perëndimit nga Beogradi. Vendi ballkanik është një kandidat për në BE dhe është zotuar të punojë me perëndimin për çështje kyçe si statusi i Kosovës fqinje.

Ndërsa shumica e qeverive perëndimore qëndruan të heshtura gjatë festave të Krishtlindjeve, një përjashtim ishte SHBA, ambasadori i së cilës, Christopher Hill, paralajmëroi protestuesit të respektonin rezultatin e zgjedhjeve. “Udhëheqësit e Serbisë dhe qytetarët e saj duhet të mbajnë mend: legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe nga gatishmëria e të gjitha palëve, fituese apo humbëse, për të respektuar vullnetin e popullit të shprehur në kutinë e votimit”, shkroi Hill në rrjetin social X. “Dhuna dhe vandalizmi ndaj institucioneve shtetërore nuk kanë vend në një shoqëri demokratike”.

Komentet u kritikuan nga aktivistë të opozitës pro-perëndimore, të cilët u ankuan se dukej se Vuçiçi po mbështetej si nga Moska ashtu edhe nga Uashingtoni. “Kjo mbështetje e qartë nga të dyja palët do të thotë se Vuçiçi është vetëm duke tregtuar marrëveshje”, tha Savo Manojlovic, udhëheqës i lëvizjes protestuese Kreni Promeni, shkruante me të tjerash FT në raportin e saj. Ambasadori amerikan në Beograd, në fakt, e quajti dhunën e protestuesve të “papranueshme” bashkë me Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH-in) ndërsa kërkuan nga autoritetet serbe të bashkëpunojnë me OSBE-në për të shqyrtuar pretendimet për parregullsi.

Por kërkesa për ‘shqyrtim’ apo ‘hetim ndërkombëtar’ u refuzua nga Vuçiçi. Opozita serbe akuzoi, gjithashtu, se protestuesit e dhunshëm ishin pjesë e taktikës së Vuçiçit për të akuzuar protestën paqësore të saj si të dhunshme dhe për të dëmtuar nismën për rizhvillimin e zgjedhjeve. Opozita serbe daklaroi gjatë zgjedhjeve (në Graçanicë), gjithashtu, se ajo është kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe për integrim në BE ndërsa Vuçiçi rizhvilloi pas gjashtë muajve zgjedhje në bashkitë ku pati kundërshtime nga opozita dhe doli, siç pritej, fitimtar.

Qartësisht, zgjedhjet u kritikuan nga OSBE-ja dhe opozita serbe por jo nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe gjykuar nga qendrimet e palëve në Serbi, lidhur me Kosovën, zgjedhjet s`kishin ndonjë rëndësi për shqiptarët.

Gjatë muajit qershor përpjekja e Uashingtonit dhe Brukselit për të “normalizuar” marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës u quajt “dështim” nga Prishtina, kryesisht për shkak të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, të cilin e fajësojnë për anëmbajtje. Atij i mbaroi mandati në qershor (2024) por ia zgjatën deri në fillim të vitit tjetër meqënse nuk ishte krijuar parlamenti` ri evropian prej të cilit miratohet presidentja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen, dhe më pas ajo propozon anëtarët e komisionit të saj nga vendet anëtare dhe ata më pas kalojnë procesin e dëgjimit në komisionet e Parlamentit Evropian për t`u miratuar.

Bashkë me të zëvendësohet dhe shefi i politikës së jashtme evropiane, Boreli, me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, dhe për pasojë nga ajo pritet të drejtojë dialogun me një tjetër të “dërguar të posaçën”. Por ajo s`ka paraqitur ndonjë “strategji” ndryshe nga ajo e Sorosit; ndaj diplomatët e BE-së besojnë se “detyrimet e Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi dialogut”, nuk do të ndryshojnë. 

Procesi` dialogut filloi me Catherine Ashton (2013), e cila tha pas zëvendësimit se “dialogu ishte i vështirë“; vazhdoi me Frederica Mogerinin, e cila mbështeti bisedimet mes Thaçit dhe Vuçiçit për shkëmbim territoresh; dhe në fund me Borelin, i cili akuzoi Kurtin në prag të largimit të tij se i kishte vendosur tre kushte.  Pas më shumë se dhjetë vitesh “dialog”, mund të thuhet se palët kanë përparuar shumë pak (kryesisht në çështje dytësore, si njohja e targave të automjeteve se sa parësore si njohja e Kosovës) dhe për pasojë gjendemi përballë një të ardhmeje tejet të pasigurtë.

Strategjia e ndjekur gjatë këtyre viteve ka qenë e diktuar nga strategjia e “Sorosit”, të cilën e ka përdorur si procesi Berlinit ashtu dhe Brukseli dhe Uashingtoni: mbivendosjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE ndaj mospajtimeve mes popujve, me shpresën se integrimi` tij në bllokun përkatës do të fashiste kujtesën historike të popujve. Kjo “strategji” shpërnjohu një nga mësimet e mëdha historike të shekullit të kaluar kur pas mbarimit të luftës së Hitlerit, popujt e Evropës dhe përtej saj, kërkuan nga Gjermania të kërkonte ndjesë dhe sigurisht t`i dëmshpërblente ata për dëmet e shkaktuar. Aq e rëndësishme ishte ndjesa gjermane saqë edhe sot Berlini ngurron ta kthejë vendin në një forcë ushtarake.

Por ndryshe u veprua me Serbinë: asaj nuk i kërkuan as “ndjesën” as dhe sigurisht “dëmshpërblim” për dëmet. Si pasojë, ajo ndihet krenare për luftën e saj (nëse gjykojmë nga qendrimet e Vuçiçit dhe pjesës nacionaliste të mbështetësve të tij) dhe ka zhvilluar një industri ushtarake të cilën mund ta përdorë kurdoherë kundër shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë të saj. Madje, strategjia në fjalë krijoi kushtet për Vuçiçin që të “luajë” me superfuqitë se sa anasjelltas. Këtë dukuri e shquan dhe gazeta Financial Times në një raport të fundit por nuk e sheh atë të lidhur me strategjinë e Sorosit. Titulli` raportit i  thotë gati të gjitha: “Vendi evropian që vë në grindje SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe Evropën”.

Ajo përmend që në fillim se “Serbia po krijon lidhje të ngushta me ekipin e Donald Trampit ndërsa përpiqet të ndjekë një kurs të mesëm në një botë shumëpolare”. Në fjalët e saj:

Për 25 vjet, një kryqëzim i ngarkuar në qendër të kryeqytetit serb të Beogradit ka qenë i mbizotëruar nga guaska e nxirë e Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë. Është lënë qëllimisht ashtu siç ishte pasi bombat e NATO-s e shkatërruan atë në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, tani kjo faltore e nacionalizmit serb është vendosur të shembet dhe të rizhvillohet në një hotel dhe kompleks apartamentesh të shkëlqyera. Investitorët janë, nga gjithë vendet, Amerika – kundërshtari i vjetër i Beogradit, i cili dy herë në vitet 1990 udhëhoqi ndërhyrjet ushtarake të NATO-s për të penguar agresionin serb në rajon. Dhe ata nuk janë ndonjë financier i vjetër amerikan. Jared Kushner, dhëndri dhe ish-këshilltari i lartë i Donald Trampit, kryeson Affinity Partners, fondin e investimeve të mbështetur nga Arabia Saudite pas marrëveshjes dhe Richard Grenell, një ndihmës i shquar i ish-administratës së Trampit, i cili mban lidhje të ngushta me ish-presidentin, ndihmoi për ta ndërmjetësuar atë. Marrëveshja është një rast studimi se si një shtet i vogël i paangazhuar mund të përgatitet për kthimin e mundshëm të Trampit në Shtëpinë e Bardhë, thonë analistët. Ai gjithashtu pasqyron një fokus të shtuar perëndimor ndaj Serbisë, në një kohë kur largimi i saj nga shoku i saj historik, Rusia, është bërë përparësi.

Më tej gazeta citon se Vuçiçi e paraqet atë “tërësisht si një ndërmarrje tregtare” dhe zhvlerëson idenë e një nderi (“quid pro quo”). Por ajo menjëherë citon se “marrëveshja duket politike” meqënse “kundërpala është shteti serb”. Sipas saj, “ajo ngre një lidhje të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë në rast fitoreje të Trampit” ndërsa mendohet se Greneli mund të jetë ministër i jashtëm. Përpjekja e tij është pjesë e një “largpamjeje më të gjarë amerikane për të nxitur investimet amerikane në Serbi me qëllim që ta shtyjnë atë në sferën e influencës perëndimore dhe të dobësojnë marrëdhëniet me Rusinë”, sipas njerëzve të përfshirë në marrëveshje, ndërsa “Grenelit i pëlqen ta paraqesë atë si një lëvizje që ndihmon marrëdhëniet amerikano-serbe në trajtën e investimeve amerikane pas vitit 1945 në Tokjo”.

Për të parandaluar kritikën ndaj marrëveshjes nga nacionalistët serbë, të cilët janë fuqishëm me Rusinë, sqaron gazeta, “investitorët kanë marrë përsipër ndërtimin e një përkujtimore për viktimat e bombardimeve të NATO-s”. Kushneri planifikon paralelisht të ndërtojë një projekt luksoz turizmi në Shqipëri, me kënaqësinë e Ramës.  “Ne kemi nevojë për super luks si shkretëtira ka nevojë për ujë”, citohet t`i ketë thënë gazetës, Rama, duke shtuar se Kushneri dhe Greneli e bënë hapin e parë ndaj Shqipërisë përpara se të shkonin në Serbi. “Me të vetmin ndryshim”, shton ai, “se ishte Kushneri jo Greneli që bëri lëvizjen e parë”.

Evropianët e shohin lëvizjen e Vuçiçit si “monovër klasike e zvogëlimit të rrezikut/bet-hedging”. Për ato “lëvizje” disa serbë e quajnë “lojtar të mirë shahu”. Në fjalët e saj: “qoftë edhe kur punonte me aleatët e Trampit – dhe gjithnjë e më shumë ngushtë me administratën e Bajdenit – Vuçiçi ka ushqyer një marrëdhënie me rivalen e fuqisë së madhe amerikane, Kinën, për investime. Ai gjithashtu ka ruajtur lidhjen e ndjeshme të Serbisë me Moskën, megjithëse kryesisht nëpërmjet ndërmjetësve dhe duke mbajtur larg presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin. 

Ndërsa përmendet fakti se “serbët kanë një dashuri të përllogaritur” për Kinën dhe “iracionale për Rusinë”, Kina ka “investuar rëndë dhe zakonisht kryeson sondazhet serbe si fuqia më popullore e huaj. Por paralelisht Vuçiçi ka ushqyer lidhjet me presidentin francez, Emanuel Makronin dhe po përparon bashkëpunimin e BE-në për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Serbinë perëndimore, një projek prej shumëmiliardash eurosh. Vuçiçi këmbngul se qëllimi` tij është anëtarësia në BE,” me të cilën Serbia ka shkëmbimet kryesore, për shkak të qëllimit të saj për t`u anëtarësuar 12 vitet e fundit dhe pavarësisht shqetësimeve të Brukselit lidhur me “sundimin e ligjit” dhe Kosovën.

Vuçiçi ka zhvilluar paralelisht shoqëri me Aleks Sorosin, i cili tashmë drejton fondin e atit të tij―i veneritur (abhorred) nga mbështetësit e Orbanit dhe Trampit si një agjent të liberalizmit të dëmshëm (“pernicious liberalism”)― por paralelisht ai është i këndshëm me Orbanin (“Orbane-lite”). Gazeta përmend dhe faktin se “administrata e Bajdeni ka investuar kohë dhe pará për ta tërhequr Vuçiçin në kampin perëndimor dhe ka mbështetur një projekt ambicioz për energjinë diellore. Por s`ka dyshim se Trampi do të jetë një partner më natyral se Bajdeni”. Greneli ka sinjalizuar, sipas gazetës, se nëse zgjidhet Trampi dhe ai në një detyrë të lartë, “Ballkani do të jetë përparësi për të”. Gazeta kujton në fund se Greneli “ndërpreu strategjitë e BE-së duke argumentuar për një zgjidhje të shpejtë, dhe duke zemëruar shumë zyrtarë evropianë dhe disa diplomatë të Departamentit të Shtetit me tonin e tij konfrontues”, ndërsa “zyrtarët kosovarë dhe kundërshtarët vendas [serbë] shqetësohen se një administratë e dytë e Trampit do të ishte e butë ndaj Vuçiçit”.

Por raporti nuk përmend disa hollësi lidhur me ndihmën e vyer që u dha Vuçiçi fuqive perëndimore me industrinë e tij ushtarake. Sipas një raporti të së njëjtsë gazetë, Serbia kishte eksportuar rreth 800 milionë euro predha që nga viti 2022 në vendet perëndimore, të cilët, me radhë, i dërgojnë në Ukrainë, për të cilën Vuçiçi kishte thënë se ajo ishte “përgjithësisht e saktë, duke e paraqitur gjendjen si mundësi për tregti dhe se ai nuk mban anë në luftë”. “Për perëndimin”, citon gazeta, “kërkimi i mbështetjes së Ukrainës është më e rëndësishme se ta shtyjnë udhëheqësin nacionalist serb në reforma demokratike”.

“Përfshirja e Serbisë në rrjedhën e municioneve”, sqaron gazeta, përmes pohimeve të disa diplomatëve dhe analistëve, “është mbuluar me kujdes me qëllim që mos të duket në të dhënat zyrtare” dhe “Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, i cili mbikëqyr mbështetjen e Ukrainës, nuk ka gjurmuar veprimtari të drejtëpërdrejta dhe nuk ka parë të dhëna sistematike për ndihmat serbe”, me ministrin e financave serbe, Sinisa Mali, të thojë se “industria e mbrojtëse, e cila punëson 20,000 njerëz, mund të zgjerohet me shpejtësi”.

Dëftues është qendrimi` ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien, pas këtyre ngjarjeve, i cili i tha agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, pikërisht pas “pauzës” së dialogut, se veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës, janë rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur dhe “nanurisjen” e zakonshme se forcat paqëruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe ato të EUFOR-it në Bosnje, janë të gatshme “t’i pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë” dhe faktin tjetër se autoritetet serbe dhe kosovare kanë bashkëpunuar “për të trajtuar rreziqet e dhunës dhe të rritjes së përplasjeve në veri” të vendit.

Armatosjen e forcës së sigurisë së Kosovës sipas standarteve të NATO-s dhe lejimin e qeverisë së saj për të blerë dronë, kur rezoluta 1244 njeh vetëm KFOR-in si forcë të armatosur të Kosovës, O`Brien e përligji me arsyetimin se rezoluta vendosi “një proces për të diskutuar të ardhmen e Kosovës”.

Ky është një qendrim as “uthull” e as “verë”; madje, po ta lexojë ndonjë si Vuçiçi, mund ta kuptojë se Serbia ka të drejtë për ta rivendikuar Kosovën―kështu, mbahet gjendja e Kosovës e pandryshueshme përsa kohë që nuk mbështetet paralelisht bashkimi` saj me Shqipërinë dhe nuk punohet me Serbinë për të kërkuar ndjesë për krimet e luftës dhe për njohjen e Kosovës, kur dihet se Serbia e ka bërë të qartë se ajo do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç bëri së fundmi me përpjekjen e saj për ta penguar në Këshillin e Evropës.

Por vëmendje të veçantë meriton arsyetimi që përdorin shumë “analistë” (ndërkombëtar dhe kombëtar) se Uashingtoni e ka paralajmëruar Serbinë se “çfarëdo agresioni i dhunshëm ndaj Kosovës dhe ndaj forcave paqëruajtëse të KFOR-it, do të jetë i papranueshëm”.

Me këtë “paraljamërim” amerikan “analistët” e mjerimit nuk shohin as faktin se “nanurisin” popullin duke e gënjyer se “ne jemi të sigurtë”, as faktin se forcat ushtarake ndërkombëtare si KFOR-i duhet të miratohen nga Këshilli` Sigurimit në OKB, ku Kina dhe Rusia do të kundërshtojnë çdo kërkesë të SHBA-së për shtim të forcave, sidomos po të jetë shkaktare Prishtina për ndonjë tension me pakicën serbe, siç është zakonisht me tipa dogmatik si Kurti, por as dhe faktin tjetër se në kushte kur Këshilli i Sigurimit nuk miraton njëzëri një vendim ushtarak, SHBA-ja do të detyrohet të ndërhyjë ose vetë, pa pyetur njeri, me forcat e saj ushtarake (veprim të cilin do ta shfrytëzonte Rusia dhe Kina; madje, kjo e fundit, pikërisht sepse ka nënshkruar një “të ardhme të përbashkët” me Serbinë, mund të përfshihet ushtarakisht), ose duke kërkuar ndërhyrjen e NATO-s, e cila do ta ketë tejet të vështirë për mos të thënë të pamundur, sepse vende si Hungaria kurrë nuk do ta miratojnë ndërhyrjen e saj, as dhe në fund, faktin se Serbia po pret “ndryshimet gjeopolitike” që të veprojë kundër Kosovës ushtarakisht―domethënë, fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe nënshkrimin e ndonjë marrëveshje me Trampin për një “rend” të ri botëror ku “ndërhyrjet” e fuqive të huaja në një vend tjetër do të ndalohen. Këtë lloj “rendi” e ka filluar Kina dhe Rusia dhe nuk do të ishte e çuditshme që ta pranojë dhe Amerika e Trampit. Në këto kushte, Serbia do të jetë e lirë të përdorë të drejtën ndërkombëtare lidhur me “operacionet e posaçme ushtarake”; dhe ato “kushte” nuk janë të largëta por vitin tjetër!         

Në fund, vlen të përmendet fakti se Kurti dhe Osmani shkuan në Uashington për të marrë pjesë në 75 vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake. Por asnjë nga të vërtetat që përmenden këtu dhe në raporte të tjerë të botuar nga shtypi ndërkombëtar (Politico etj.) nuk përmendën. Si pasojë, përsëritën kërkesën për “garanci nga partnerët ndërkombëtarë” për zbatimin e detyrimeve të marrëveshjes së Ohrit nga Serbia, për sigurinë dhe mbështetjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Por kjo kërkesë s`ka asnjë gjasë të kërkohet nga “ndërkombëtarët”, jo vetëm sepse ata kanë frikë se Serbia mund të kundërveprojë me ndonjë tërheqje nga “orientimi”` saj për t`u integruar...por edhe sepse ajo po pret pikërisht “ndryshimet” gjeopolitike mes superfuqive që të veprojë―domethënë, përfundimin e luftës në Ukrainë, çka nënkupton faktin se ajo edhe nëse shtrëngohet nga “ndërkombëtarët” për zbatimin e marrëveshjes, të cilët nuk do të guxojnë për ta bërë, pikërisht për arsyen që përmenda, ajo do ta zvarrisë “zotimin” e saj deri sa të ndodhin “ndryshimet” gjeopolitike.     

Përfundime

Heshtja e fuqive perëndimore ndaj politikave të padrejta të Vuçiçit për hir të shkëputjes së Serbisë nga “sfera” ruse, nuk rrezikon vetëm projektin evropian dhe nuk ka krijuar vetëm një Serbi me industri ushtarake të zhvilluar dhe të aftë për të sulmuar çdo fqinj por ka krijuar dhe kushtet që ajo të sulmojë Kosovën pasi të ndalojë lufta në Ukrainë, qoftë edhe nëse Kurti vepron drejtë me pakicën serbe. Politikat e padrejta të këtij të fundit, si ajo me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pa kaluar nga procesi i dijësimit dhe miratimi nga komuniteti serb, siç kërkoi me të drejtë perëndimi, thjesht do të shfrytëzohen nga Serbia për ta marrë qoftë edhe me luftë veriun e Kosovës, sepse tashmë ajo mund të përdorë dhe të drejtën ndërkombëtare, qoftë edhe nëse ekonomia e saj varet më shumë nga BE-ja se sa nga Kina apo Rusia.

Strategjia perëndimore ka krijuar kushtet për një luftë tjetër mes serbëve dhe shqiptarëve por me Serbinë të jetë eprore si në nivel ushtarak ashtu dhe ekonomik dhe gjeopolitik. Përfundimi` luftës në Ukrainë, me Rusinë fitimtare, mund ta fuqizojë më shumë qëllimin e Beogradit, jo thjesht për të marrë veriun e Kosovës por gjithë Kosovën, duke përdorur si rezolutën 1244, ashtu dhe gabimet e Prishtinës, sidomos të Kurtit apo çdo “Kurti” pas tij, por dhe të drejtën ndërkombëtare lidhur me “operacionet e posaçme ushtarake”, nëse në muajt në vijim Shqipëria dhe vendet perëndimore nuk kërkojnë nga Serbia të kërkojë ndjesë për krimet e saj, të njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë nga kushtetuta e saj.

Për të tre këta qëllime nevojitet bashkërendim dhe kohë e gjatë, të paktën gjashtë muaj, nëse detyrohet Vuçiçi që ta propagandojë në popull. Ndryshe, me fitoren e Rusisë në Ukraninë dhe pasojat që do të ketë ajo në Evropë, s`ka asnjë gjasë që Serbia të kërkojë ndjesë, të njohë Kosovën dhe ta heqë nga kushtetuta. Përkundrazi, ajo do të marrë zemër më shumë dhe do të përparojë me qëllimin e saj, qoftë edhe duke përdorur pushtetin ushtarak.       

Për pasojat e ‘fitores’ së Rusisë në Ukrainë elitat perëndimore janë sigurisht në dijeni dhe e dinë mjaft mirë se ajo do të ishte shkatërrimtare për to. Pasojat në fjalë i njohu dhe ministri` jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, për BBC (Hard Talk). Kjo ishte një ndër arsyet kryesore se pse ato organizuan një mbledhje në Zvicër (16 qershor: 2024), sepse një tjetër, ishte, siç pohoi Kuleba, të detyronin Rusinë të ulej për bisedime në kushte gjeopolitike të “dobishme” për Ukrainën, meqënse në frontin ushtarak kishte dështuar, ndryshe do të përballej me shumicën e komuntetit ndërkombëtar (me rreth 100 vende dhe organizatat ndërkombëtare). Por ajo mbledhje dështoi përsa kohë që fuqi “kyçe” botërore si Brazili, India, Arabia Saudite, Afrika Jugore, Tajlanda, Indonezia, Meksika dhe Emiratet, nuk nënshkruan komunikatën, ku njihej “tërësia territoriale” e Ukrainës ndërsa Rusia nuk u ftua dhe Kina e shpërfilli atë. 

Çështja bëhet kritike po të shtojmë dhe fushatën politike që po zhvillohet për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Vështirë të gjejë kohë administrata e Bajdenit të ushtrojë trysni ndaj Serbisë edhe sikur të hamendësojmë se Tirana dhe Prishtina lëvizin si “rrufeja” dhe kërkonin nga Uashingtoni të ndryshonte strategji dhe më e vështirë është të kuptojë Rama dhe Kurti pasojat gjeopolitike për vendet tona me rikthimin e Trampit në Shtëpinë e Bardhë, edhe sikur Rama t`i ketë dhuruar ishullin e vetëm që ka Shqipëria, Sazanin, Kushnerit për të “zbutur” qendrimin e Trampit, kur dihet se ai akuzon Xhorxh dhe Aleks Sorosin (dhe sorosistët në përgjithësi) jo vetëm për rolin e tyre në “globalizëm” siç e quan Trampi por dhe për rolin e tyre për të nxitur “demokratët” që ta ndjekin penalisht duke kulmuar me “këshillën” e fundit që ta quanin “kriminel të dënuar” (“convicted felon”) kur ta përmendnin publikisht, pasi gjykata e Nju Jorkut e gjeti atë fajtor.  

Këto pasoja dhe të tjera të ngjashme për shqiptarët nuk duket t`i kenë kuptuar dhe burokratët e Brukselit dhe “emisarët” e Bajdenit (O`Brien etj.), se populli ynë vazhdon të jetojë me përshtypje të rreme të krijuara nga masmedia e Tiranës dhe Prishtinës, ku censurohen kritikat. Pasoja e censurës së klasave tona politike është se populli shqiptar nuk është në dijeni as të strategjisë që ravijëzova rreth gjashtë vite më parë për Tiranën dhe Prishtinën për ta përdorur kundër Beogradit (me qëllim që ta përdornin ose paralelisht me strategjinë amerikane ose vetëm atë në rast se shikon se nuk do të kishte përparim), as për strategjinë e Beogradit dhe dështimin e një “kundërstrategjie” që filloi të ngjizej fill pas sulmit në Banjskë.   

Nuk është e vështirë të kuptohen pasojat e fitores së Rusisë në Ukrainë dhe rikthimit të Trampit në Shtëpinë e Bardhë për Shqipërinë, Kosovën dhe botën, po të kemi parasysh “armiqtë” e Trampit dhe Putinit: ata kanë armiq të përbashkët ―“globalistët”, ku përfshihen kryesisht sorosistët, dhe qëllimin e tij për të “zhbërë” aleancën euro-atlantike siç është shprehur ajo 70 vitet e fundit dhe kryesisht 30 e ca vitet e fundit, me “rendin” botëror të globalizmit neoliberal: ato do të jenë “katastrofike” për BE-në dhe sigurisht për Shqipërinë dhe Kosovën, pikërisht sepse Trampi do të bëjë (që ditët e para në presidencë, siç ka thënë) marrëveshje me Putinin për luftën në Ukrainë dhe do të vërë në lëvizje planin e tij për “zhbërjen” në fjalë.

Nga marrëveshja në fjalë Trampi do të detyrohet të pranojë (siç ka pohuar shpesh herë) një Rusi më të madhe dhe një Ukrainë më të vogël por dhe kërkesën tjetër të Moskës: një Ukrainë asnjanëse. Kjo marrëveshje në vetëvete do të shoqërohet me ndryshimin e rrëfenjës për shkatarët e luftës në Ukrainë. Trampi e ka bërë të qartë se shkaktari kryesor i saj është Bajdeni dhe e ka paralajmëruar atë (në debatin e fundit) me hetim. Ai ka shënjestruar shpesh herë dhe Zelenskin dhe këto ditë po shënjestrohen dhe evropianët (Greneli e filloi në Bild: 19.07.2024). Sipas tij, përgjegjësinë për luftën në Ukrainë e kanë evropianët.

Kjo është një rrëfenjë e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse kështu Trampi mund të kërkojë hetim për Bajdenin por dhe për rolin e Sorosit dhe sorosistëve në përgjithësi për luftën në Ukrainë. Kështu me fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjen e Trampit për të ndjekur penalisht Bajdenin dhe sorositët (çka nënkupton faktin se përpjekja e tij do të shtrihet dhe në Evropë), por dhe me përpjekjen e Serbisë për ta “joshur” Trampin me një qendër tregtare në Beograd, Serbia do të gjendet në një çast të rrallë gjeopolitik në raport me Kosovën.

Beogradi mund të gjendet në çast edhe më të volitshëm nëse marrëveshja mes Putinit dhe Trampit merr karakter botëror―domethënë, Trampi heq dorë nga përfshirja tregtare e tij në Serbi dhe nga qëllimi` Uashingtonit për ta shkëputur atë nga “sfera” ruse, dhe heq dorë gjithashtu nga qëllimi tjetër për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe ia lë atë Rusisë. Ky variant, në fakt, bëhet i domosdoshëm në kuadër të përpjekjes së të tij për të “zhbërë” aleancën dhe kthimin e Amerikës në konceptin e “shtet-kombit”, të cilin e përjetoi bota shekullin e kaluar.

Nga ana tjetër, Shqipëria dhe Kosova do të gjenden në çastin më të pavolitshëm që kemi patur ndonjë herë 100 e ca vitet e fundit, sepse mbështeti luftën në Ukrainë (dhe rrjedhimisht kërcënohet me hetim) dhe është tërësisht sorosiste. Këtë fakt do ta shfrytëzojë Serbia dhe nuk do të ishte e çuditshme që të fillojë një përpjekje të re për të treguar “zelenskin” e Ballkanit, Kurtin, si “fashist”, duke nënkuptuar politikat e tij “fashiste” kundër pakicës serbe.

Kjo përpjekje do ta detyrojë Vuçiçin të përfshijë dhe Shqipërinë ose ta zgjerojë luftën e tij gjeopolitike, duke treguar Ramën si sorosist (pavarësisht se edhe ai vetë thotë se ka marrëdhënie të mira me Sorosin) dhe mbështetës të luftës në Ukranë. Këtë përpjekje mund ta mbështesë dhe Moska meqënse nuk “nuk ka hequr pak” nga lufta dhe Putini ka treguar se ka deri diku karakter “hakmarrës”. Kjo përpjekje mund të çojë në izolimin e Shqipërisë në OKB dhe ndalimin e përpjekjeve të Kosovës për t`u anëtarësuar atje dhe institucione të tjerë me karakter ndërkombëtar.

Në këto kushte, do të vihet në dyshim lufta e shqiptarëve në Kosovë dhe statusi` saj mund të ngrijë për një kohë të gjatë.   

Vuçiçi, në fjalë të tjera, mund të përdorë dy pushtete për rikthimin e Kosovës në “gjirin” e Serbisë pas marrëveshjes së Trampit me Putinin: ose pushtetin ushtarak (nëse përdor këtë, do të përpiqet të shkaktojë trazira të reja në veri të Kosovës, me qëllim që të përligj ndërhyrjen ushtarake) ose luftën gjeopolitike në OKB, ku do të përpiqet të izolojë Shqipërinë, duke e paraqitur atë “fashiste” dhe do të pamundësojë përpjekjen e Kosovës për t`u anëtarësuar.   

Strategjia serbe kundër Kosovës dhe kundërstrategjia shqiptare: kush do të fitojë?

Vuçiçi e ka kuptuar qëllimin gjeopolitik të perëndimit dhe për pasojë “luan” me të sipas dëshirës. Ndaj dhe mëtimi se ai di të “luajë shah” me superfuqitë nuk është i drejtë, sepse nuk përfshin qëllimin e Uashingtonit dhe BE-së por dhe Rusisë dhe Kinës, megjithëse shumë më të vagët se perëndimi.

Plani radikal i Trampit për NATO-n dhe Ukrainën paralajmëron fyçkot e Shqipërisë

Miti i “sigurisë kombëtare” me anëtarësinë tonë në NATO dhe implikimet me bazat ushtarake

Studimi është përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA