...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qemal Stafa, për 5 Majin dhe ëndrrën e (pa)mundur të komunizmit

Themi një të vërtetë të pamohueshme se Qemali sjell në kohën tonë të trazuar mesazhin e lirisë, kumtin fisnik e human se vlerat më të mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk i takojnë vetëm historisë, por dhe shoqërisë së sotme, për të cilat janë të shtrenjta pavarësia e atdheut dhe dinjiteti i njeriut, liria e mendimit dhe progresi i pandalshëm social

Nasho Jorgaqi (Dita)

05/05/2017 - 16:15

SHËMBËLLTYRA E PAPËRSËRITSHME E QEMAL STAFËS

Është i lumtur ai që vdes për atdhe/ Qemali 15 vjeçar

Ai që ka provuar të hyjë në jetën e Qemal Stafës, sado mirë ta njohë, përsëri e ka të vështirë t’i qaset personalitetit të tij, pa një farë mahnitjeje. Një jetë aq e shkurtër, me reflekse aq të fuqishme në jetën e rinisë së kohës së tij dhe e më vonë. E mbushur plot e përplot me hove lufte e qëllime të mëdha, me një dendësi ngjarjesh e përpjekjesh vetëmohuese, e frymëzuar nga një ideal fisnik. Një fytyrë imponuese si vetë e vërteta, ai ishte siç e ka përcaktuar me të drejtë mësuesi i tij Skënder Luarasi “fillimi i një personaliteti universal”.

Ata që e njohën nga afër, thonë se Qemali fëmijë dukej djalë dhe Qemali djalë dukej burrë. Ndoshta këto fjalë, bartin mbresën kryesore që ai u ka lënë bashkëkohësve. A ishte kjo shprehje e një pjekurie të parakohshme e të pazakontë, e një natyre liridashëse apo e një shpirti përherë kërkues, me aspiratën për të parë larg dhe për të mos u pajtuar me jetën e padrejtë? Mendoj se të gjitha këto janë shfaqje të ndryshme të të njëjtit individualitet, po të një individualiteti të spikatur.

S’ka dyshim se cilësitë vetjake të Qemalit kanë rolin e tyre, por në radhë të parë ai është pjellë e kohës së tij, e një epoke të rëndë për fatin e popullit shqiptar. Qemali i takon përfaqësuesve më të mirë të atij brezi të rinisë sonë, që iu kundërvu padrejtësive të kohës së vet dhe u vu në kërkim të një ideali. Sigurisht, rruga për të gjetur dhe për të përqafuar këtë ideal nuk qe e lehtë. Përkundrazi, pati vështirësitë dhe zigzaget e saj, që në rastin e Qemalit u kapërcyen brenda një kohe relativisht të shkurtër. Në qoftë se në fillim, ai u ushqye me idetë patriotike të rilindësve dhe me adhurimin për figurën e Mustafa Qemal Ataturkut, këtij reformatori të shquar demokrat, të cilat ia mëkoi i ati, që e kish pasur Ataturkun shok klase, më pas rol do të luajë fryma demokratike, ndjenja e revoltës dhe e guximit qytetar, antizogizmi që do të ngjallë tek ai mësuesi i gjimnazit, patrioti demokrat Skënder Luarasi. Por aspiratat dhe synimet serioze të Qemalit nuk do të ndaleshin këtu. Njohja dhe afrimi me intelektualin revolucionar Zef Mala, i dhanë mundësi Qemalit të bjerë në kontakt për herë të parë me idetë komuniste. Literatura filozofike e sociologjike, që mori prej tij dhe sidomos veprat klasike të filozofisë marksiste sollën një përmbysje në mendimet e Qemalit të ri dhe hodhën themelet e botëkuptimit të tij revolucionar. Me këto ide të reja, me guximin dhe besimin te progresi social, Qemali do të hynte në mjediset e rinisë shkollore në Shkodër e më vonë në Tiranë dhe do të kontribuonte në organizimin shoqëror e politik të rinisë shqiptare. Në fillimet e rrugës së vet revolucionare, ai do të militonte në gjirin e shoqërisë “Besa shqiptare” të gjimnazit të Shkodrës, ku do të luftonte për bashkimin e të rinjve pa dallim feje, mbi bazën e interesave kombëtare.

Por ideali revolucionar do t’i japë kuptim konkret jetës së Qemalit dhe do të gjejë fushë veprimi kur ai do të lidhet me punëtorin militant Vasil Shanto. Miqësia e tyre legjendare përbën një nga faqet më të bukura të lëvizjes revolucionare shqiptare. Do të jetë Vasili, ky punëtor revolucionar, që do ta radhisë përfundimisht intelektualin e ri Qemal Stafa në frontin e luftës për të drejtat dhe interesat e punëtorisë shqiptare. Në këtë luftë do të përftohet botëkuptimi revolucionar i Qemalit, ideali për ndërtimin e një bote të re. Prej këndej do të zënë fill e do të burojnë serioziteti e vendosmëria, besimi e guximi, ai afresk vlerash shpirtërore e intelektuale, që vijnë e shpalosen me një shpejtësi të çuditshme në jetën e tij të shkurtër.

Diviza kryesore e jetës së ndërgjegjshme të Qemalit do të jenë përkushtimi i thellë dhe besnikëria ndaj kauzës së çlirimit dhe lirisë së njeriut. Qëllimi i tij i vetëm do të mbetet përpjekja për të triumfuar kjo kauzë, e cila mishërohej në planin filozofik e social në idealin revolucionar. Ky ideal, ashtu siç e mendonte dhe e propagandonte Qemali, kish në bazën e vet, jo vetëm logjikën shkencore dhe mësimet e historisë, por dhe një koncept të gjallë human dhe frymë të thellë demokratike. Të gjithë ata që kanë pasur fatin të futen në rrugën revolucionare, nëpërmjet mësimeve dhe fjalës së mençur të Qemalit, do të mrekulloheshin nga mendimet dhe qëndrimi i tij human.

Idealin e vet Qemali do ta shpallte me guxim, kur ish akoma nxënës 15 vjeçar, kur do të shkruante në një nga hartimet e tij se “Edhe ne shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën dhe mbi të do të ngremë flamurin e barazisë e të drejtësisë”. Por idealin e tij politik, ai nuk do ta ndante asnjëherë nga ideali patriotik, kur përsëri në këtë kohë do të shkruante se “Është i lumtur, ai që vdes për atdhe”. Te Qemali do të ndodhë ajo që të harmonizohen në mënyrë të natyrshme aspiratat për një atdhe të lirë me ëndrrën fisnike për një shoqëri të lirë shqiptare. Këto mendime në jetën e Qemalit nuk qenë poza dhe shprehje retorike, po shfaqje të një qëndrimi koseguent dhe qëllimesh thellësisht të ndërgjegjshme. Prandaj në mes fjalës dhe veprës së Qemalit dhe rënies së tij heroike, do të ngrihet figura e tij prej liridashësi të madh. Kush e njeh nga afër këtë rrugë që përshkoi Qemali nuk mund të mos emocionohet e të mos e nderojë angazhimin e tij total, luftën heroike e punën fisnike për kauzën e çlirimit të atdheut dhe të lirisë së njeriut të thjeshtë.

Kredoja e jetës revolucionare të Qemalit nuk do të ishte një ide abstrakte, por aspirata e detyra historike e një klase, siç ishte atëherë klasa punëtore, e cila në gjysmën e parë të shekullit të kaluar kish marrë përsipër ndërtimin e një shoqërie të re, pa shtypje e shfrytëzim, me synimin për të realizuar ëndrrat më të bukura të njerëzimit. Qemali, duke u gjendur objektivisht në këtë kuotë të proceseve historike, nuk do të qëndronte spektator, por përkundrazi do të ndihej i lidhur shpirtërisht dhe do të aktivizohej në kushtet e Shqipërisë për t’i ndihmuar këto zhvillime progresive. Në mendjen dhe zemrën e këtij të riu, si dhe e mjaft të rinjve guximtarë të kohës kjo që po ndodhte ishte një mrekulli që po përjetonte bota e vuajtur dhe e munduar. Një ndërmarrje e tillë historike, sado utopike që dukej, që kish nisur me Revolucionin e Tetorit, me dimensione dhe detyra të panjohura deri atëherë, ishte eksperimenti më i madh dhe më i guximshëm në historinë e shoqërisë njerëzore. Shumë nga mendjet e ndritura intelektuale të botës, shkencëtarë e artistë të mëdhenj si, A. Ajshtajni e P. Kyrie, E. Fermi e P. Pavllovi, R. Rolani e T. Mani, Pikaso e Zh. P. Sartri, B. Shou e H. Barbysi, V. Uellsi e T. Drajzeri e sa e sa të tjerë, jo vetëm do të tregoheshin entuziastë para këtij eksperimenti të pangjarë ndonjëherë, por dhe besonin se ai do të sillte një fat më të mirë për njerëzimin. Sigurisht, jeta dhe historia treguan më pas se, realizimi i kësaj ëndrre të madhe të njerëzve nuk ishte thjeshtë triumf idesh dhe dëshirash, por një proces qilizmash të thella e përmbysjesh të mëdha, me pasoja të panjohura e që praktika po dëshmonte për trauma dramatike dhe eksese nga më tragjiket. E vërteta është se Marksi, në një letër të dërguar Engelsit, sapo kish mbaruar “Kapitalin”, sikur ta ndjente tragjedinë e ardhshme, do të shkruante këto fjalë: “Idetë tona do të jenë fatlume dhe do të realizohen pa dhimbje të mëdha në qoftë se do të zbatohen në vende të zhvilluara si Gjermania, Franca, Anglia, SHBA. Por ato do të jenë fatkeqe, po qe se do të zbatohen në vende të prapambetura si Rusia, India, Kina etj.”.

Historia e provoi parashikimin profetik të Karl Marksit. Tanimë mund të themi se nga parashikimi i tij gjenial deri te eksperimentimi dhe nga eksperimentimi te dështimi e pastaj nga dështimi te zhgënjimi prej ideve dhe praktikave për të ndërtuar një shoqëri të re, pavarësisht nga disa rezultate historike të pamohueshme, një pjesë e madhe e njerëzimit e pagoi me sakrifica të pallogaritshme. Veçanërisht breza të tërë revolucionarësh, njerëz me shpirt e zemër të madhe, të ndershëm dhe vetëmohues, u sakrifikuan për idealin e një bote të re. Disa ranë ose vdiqën me bindjen për drejtësinë e kauzës së tyre, të tjerë i hëngri pa mëshirë vetë revolucioni, por shumë nga ata përjetuan rëndë zhgënjimin që solli dështimi në zbatimin dhe realizimin e idealeve të revolucionit.

Qemali do t’u përkasë atyre që përjetuan epokën romantike të revolucionit, periudhën e ëndrrave të mëdha e të mendimeve të guximshme që zgjon ideali i një kauze çlirimtare. Në kushtet e një Shqipërie të prapambetur, ajo që ndodhte në vitet 30 në Bashkimin Sovjetik ishte për Qemalin dhe shokët e tij një mirazh i mrekullueshëm, që i bënte komunistët e rinj shqiptarë të ngazëlleheshin dhe të ëndërronin, madje dhe të vepronin

Te Qemali, që kish një natyrë  liridashëse, karakter të hapur e të drejtë, prirje artistike këto ide do të rrezatonin ëndrra të bukura e aspirata tepër humane. Dhe këto do të manifestoheshin në veprimtarinë e Qemalit. Lufta dhe përpjekjet e tij do të karakterizoheshin nga një përmbajtje e gjallë njerëzore dhe frymë demokratike, larg çdo fanatizmi politik dhe skemash të ngurtësuara. Filozofia dhe politika në fjalën e këtij të riu inteligjent dhe zemërmadh ishin përherë të natyrshme, bindëse dhe pabujë. Ai do të dinte të tregohej dhe mendimtar dhe psikolog, dhe veprimtar me intuitë të hollë e me takt, dhe njeri tepër i edukuar.

Janë këto cilësi dhe afirmimi i tij si revolucionar militant që e bënë Qemalin një nga figurat qendrore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pavarësisht se ai u nda shpejtë nga jeta. Në këtë pikëpamje do të thoshim se nuk është vetëm shembulli i madh që ai la prapa me rënien e tij heroike, duke u shndërruar në flamur kushtrimi dhe vetëmohimi patriotik, por dhe veprimtaria e pasur që ai zhvilloi kundër pushtuesve fashistë si organizator dhe propagandist i shkëlqyer i luftës për çlirimin e atdheut. Kjo veprimtari, nga ditët e para të prillit 1939 e deri në fillim të majit 1942 është aq’ e madhe e intensive dhe e një niveli të tillë, sa nga disa pikëpamje do të thoshim i ka shoqet e rralla.

Lufta dhe puna e Qemalit do të shtrihen në këto vite në një front tepër të gjerë. Nga një anë, ai do të punonte për organizimin e rezistencës, duke pasur si fushë kryesore pune dhe lufte rininë dhe nga ana tjetër, do të gjendej në ballin e përpjekjeve për themelimin e PKSH. Terreni i punës së tij do të ishte gjithë Shqipëria, po dhe tërë ato qytete të Italisë ku studionin me qindra të rinj shqiptarë. Në Itali, në kontakt me lëvizjen klandestine vendase, ai do të pasuronte përvojën e luftës dhe të punës ilegale, por dhe do të ndihmonte në përpjekjet e shokëve italianë. Kanë mbetur të paharrueshme tek ata përshtypjet që u ka lënë figura e Qemalit si militant shembullor, i mençur e trim. Cezare Kolini, udhëheqësi i lëvizjes klandestine për gjithë krahinën e Toskanës, do të më shkruante në një letër se “Qemal Stafa la në mes nesh shëmbëlltyrën e një revolucionari të madh me vlera politike, filozofike, intelektuale dhe morale të rralla”.

Por Qemali si udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe organizator i shkëlqyer i rinisë antifashiste në përmasa kombëtare do të zbulojë dhe tregojë veten veçanërisht në gjashtë muajt’ e fundit të jetës. Me themelimin e PKSH, veprimtaria e tij udhëheqëse, jo vetëm i zgjeroi kufijtë e vet, por fitoi peshë e atribute sa asnjëherë. Puna dhe fjala e tij e mençur, besimi dhe bindja në drejtësinë dhe domosdoshmërinë e luftës kundër fashizmit, guximi dhe aftësitë propaganduese, optimizmi dhe komunikimi i shkëlqyer me njerëzit, do ta ngrenë atë në shkallën e një udhëheqësi tepër të dashur e të respektuar nga rinia dhe populli. Ai do të dinte të fliste si me rininë punëtore ashtu dhe me atë shkollore, si me partizanët e Pezës ashtu dhe me elementë nacionalistë dhe intelektualë të ndryshëm. Në këtë periudhë jashtëzakonisht të shkurtër Qemali do t’i bjerë kryq’ e tërthor Shqipërisë me kokë në torbë, duke kapërcyer me guxim rreziqet dhe pengesat e armiqve e tradhtarëve. Kudo që do të shkojë, në Shkodër e Sarandë, në Elbasan e në Fier, në Durrës e Gjirokastër, ai do të mbjellë farën e lirisë, do të ngrejë zemrat peshë e do t’i hedhë njerëzit në luftë.

Asnjëherë energjitë dhe vlerat e tij prej njeriu të mendimit dhe të aksionit nuk kishin shpërthyer me aq forcë e bukuri sa shpërthyen në këtë kohë të stuhishme. Kryefjala e Qemalit në ato ditë lufte ishte “Ta jetojmë, shokë ditën e lirisë që sot!”

Themi një të vërtetë, një të vërtetë, që e sjellin deri në kohën tonë kujtimet e shokëve dhe analet e luftës, se tipari kryesor i Qemalit ishte dashuria e madhe dhe besimi i thellë për njerëzit, të cilin në rrethanat e luftës do ta materializojë me forcë e bukuri të rrallë. Këtë cilësi, një partizan pezak do të ma shprehte një herë me fjalët: “Qemali ishte terjaqi njerëzish”. Dhe, me gjithë mend, ai dinte të fitonte zemrat, siç dinte të kthjellonte mendjet e njerëzve, me idetë e luftës për çlirim. Sepse gjithçka njerëzore nuk ishte e huaj për të dhe prej këndej buronte humanizmi i tij i thellë, ai entuziazëm e përgjërim për lirinë e atdheut dhe vlerat e njeriut, tek të cilat ai gjente kuptimin e jetës dhe ishte gati të vetëflijohej siç ndodhi në fakt brenda një kohe të shkurtër.

Personaliteti i Qemalit, nga ana tjetër nuk do të ishte i plotë pa dimensionin intelektual dhe dhuntitë e tij artistike. Megjithëse shumë i ri, gjithë jeta e tij ishte lufta e paprerë për triumfin e lirisë, e një lirie në kuptimin sa filozofik aq edhe social, sa shpirtëror dhe moral. Por kjo luftë tek ai është e lidhur dhe me etjen e pashuar për dije. Edhe nga kjo pikëpamje, Qemali është njeri i kohës sonë, për të cilin mësimet shkollore do të ishin vetëm një pjesë e vogël e punës së madhe që ai bënte për të njohur hapësirat e kulturës. Mendja e tij e ndritur do të dinte të depërtonte në fusha të ndryshme të dijes me synime jo të një diletanti, por të një njeriu serioz. Ai arriti kështu të mësonte nga filozofia dhe historia, nga sociologjia dhe shkencat e natyrës, nga letërsia dhe artet. Ishte jo vetëm një lexues i apasionuar, një përjetues i thellë i artit, po dhe një studiues këmbëngulës, me kërkesa të përhershme ndaj vetes për t’u orientuar dhe formuar drejtë e me themel si njeri e si intelektual. Përqendrimi te disa nga veprat kapitale të kulturës dhe të vlerave të qytetërimeve botërore përbente pasionin më të madh të studimeve të Qemalit. Dhe masa, çmimi i kësaj pune do të ishte aksioma se sa kjo i shërbente jetës, progresit, idealit të vet revolucionar.

Kultura dhe arti për Qemalin kishin kufij të gjerë dhe një thelb tepër demokratik, ato ishin shtytje të fuqishme për njeriun dhe shoqërinë drejt lirisë së vërtetë. Mjafton të kujtojmë se dhe muajt’ e fundit të jetës së tij, në rrethanat e detyrave të mëdha të ditës dhe të rreziqeve eventuale që i kanoseshin, ai nuk do të shkëputej nga kultura. Kudo që shkonte, në baza ilegale apo në çetën e Pezës, ai do të kishte në çantë libra të Marksit apo të A. Gramshit, do të gjente rast t’i binte violinës, apo do të ngrinte e drejtonte kurse kundër analfabetizmit me partizanët e thjeshtë të Pezës. Veç kësaj, ishte po ai pastaj, që në debate e biseda do të ngrihej kundër koncepteve dhe praktikave të atyre që luftës për liri i kundërvinin kulturën dhe artin, që predikonin asketizmin, që vulgarizonin dijen dhe skematizonin artin. Duke pasur parasysh këto, ma merr mendja se në qoftë se Qemali do të kishte jetuar më vonë, nuk do të ishte pajtuar me politizimin dhe tendenciozitetin e tejskajshëm që njohën kultura dhe artet tona. Vetë jeta e Qemalit, mendimet dhe gjithë veprimtaria e tij krijuese e praktike është një shembull që provon se si mund të harmonizohen natyrshëm te një individ i emancipuar njeriu, revolucionari i vërtetë, artisti.

Dekadat që na ndajnë nga Qemali nuk janë pak për të provuar vlerat e qëndrueshme të një figure si ai e që tanimë ka hyrë në histori. E themi këtë se këto vite, që nga dita e rënies së tij, nuk e kanë zhvleftësuar figurën e Qemalit, por përkundrazi. Edhe nga kjo distancë e largët kohore, ai mbetet rishtas ai që ishte, luftëtar i paepur i lirisë së atdheut dhe i çlirimit të popullit nga çdo shfrytëzim, humanist, armik i padrejtësive, njeriu që e jetoi jetën denjësisht dhe me vdekjen e tij heroike sfidoi vdekjen.

Prandaj themi një të vërtetë të pamohueshme se Qemali sjell në kohën tonë të trazuar mesazhin e lirisë, kumtin fisnik e human se vlerat më të mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk i takojnë vetëm historisë, por dhe shoqërisë së sotme, për të cilat janë të shtrenjta pavarësia e atdheut dhe dinjiteti i njeriut, liria e mendimit dhe progresi i pandalshëm social.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA