...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sekreti i financës së globalizmit neoliberal dhe mashtrimi i madh i popujve me “parajsat fiskale”

Nga viti 2005 deri në vitin 2011-të “fluturuan” jashtë Shqipërisë rreth 1.6 miliard dollarë. Por të tregosh “flutirimin e dollarëve” pa treguar “se si fluturojnë dollarët dhe pse” nuk është shkencë por mashtrim: dhe këtë po bëjnë gazetarët e oligarkive me “ekspertët” e tyre (gazetarë opinionistë, pedagogë, akademikë dhe një sërë sharlatanësh të tjerë) nëpër faqet e para të gazetave dhe studiot telelvizive: po mashtrojnë popullin duke i treguar “oligarkët” e liq që fshehin “plaçkën” e tyre jashtë vendit!

Ylli Përmeti

05/10/2021 - 09:07

Sekreti i financës së globalizmit neoliberal dhe titujt e parajsave fiskale

Rendi i Ri Botëror (RRB) i Globalizmit Neoliberal (G/N) nuk krijoi vetëm kushtet për pabarazi të stërmëdha mes qytetarëve të një vendi dhe anëtarëve të blloqeve ekonomikë por edhe “foletë” ku pasanikët do të strehonin plaçkën e vjedhur. “Foletë” janë pasojë e të njëjtit rend dhe nuk do të mund të kontrollohen me asnjë mekanizëm financiar pavarësisht përpjekjeve nga elitat: aktualisht nga BE-ja dhe SHBA-ja. Vjedhjet që kryhen nga oligarkitë politiko-ekonomike të shteteve kanë filluar të transferohen që herët në vitin 1970-të në “foletë” fiskale: në prag të fillimit të çlirimit dhe liberalizmit të tregjeve. Vjedhjet filluan të publikoheshin me titujt e “Panamasë” dhe vazhduan me parajsat e tjera fiskale.

Edhe në këtë ‘skandal’ të ashtuquajturit “marksistë” të tipit Zizek, na treguan ‘imoralitetin’ dhe ‘korrupsionin’ e elitave si shkaqe,  duke shpërnjohur edhe fazën përgjatë së cilës ato ‘vjedhin’ popujt edhe mundësinë që kanë krijuar për t’i fshehur: lirinë e kapitalit në kuadër të rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal. Disa, madje, e quajnë “çrendi i ri botëror” (“disorder”). Domethënë, çrregullim ose rrëmujë botërore. Sidoqoftë, zbulimet treguan se Panamaja ishte vetëm një “fole” financiare: sepse Qipro, Islanda dhe ishulli Ceyman, janë gjithashtu ishuj ku bankat dhe korporatat globale depozitojnë miliardat që fitojnë rreth botës: për arsye të përqindjes së ulët të taksës (prej 10%), ato konsiderohen si “strehë taksash” ose “juridiksione sekrete”.  Lëvizja e kapitalit ka filluar të parapërgatitet që në vitin 1969-të nga Banka Angleze. Siç tregon Shaxson planin e Bankës Angleze:

Ne kemi nevojë, rrjedhimisht, për të qenë shumë të sigurtë se përhapja e mundshme e kompanive kujdestare, banka etj., të cilat në të shumtën e rasteve nuk do të jenë asgjë tjetër veç një pllakë tunxhi [ose shenjë ‘emri’] që do të manipulojnë asetet [pasuritë e patundshme] jashtë ishujve, nuk do të dalin jashtë kontrollit. Atje nuk duhet të ketë, natyrisht, asnjë kundërshtim për foletë [boltholes] e sigurisë për jo-rezidentët

Që nga ajo kohë gjysma e majës së qendrave financiare jashtë vendit varen nga Britania ose janë territore Britanike. Rrjedhjet e paligjshme nga vendet e zhvilluara në vendet në zhvillim ishin $1.3 trilion në vitin 2008-të. Për 33 vende Afrikane nga viti 1970-të deri në vitin 2008-të, fluturimi i stoqeve të kapitalit ka qenë $944 miliardë ndërsa debiti $177 miliardë. Afrika është një kreditor neto i botës prej më shumë se $767 bilion. Rezultati është se ndërsa asetet i përkasin një elite shumë të ngushtë, debiti i përket popullit Afrikan! 

Afrika, siç reporton The Independent, është ndarë midis gjashtë shtetesh: midis Britanisë, SHBA-së, Francës, Kinës, Indisë dhe Turqisë.  ‘Mantra e re e ‘fuqisë së butë mashkullore’ nuk ‘është dizenjuar [vetëm] për të luftuar kryengritjet dhe për përgatitjen e shteteve për t’u mbrojtur ndërsa ndërtojnë infrastrukturë dhe institucione’, siç argumenton The Independent, por, gjithashtu, për të rrjepur dhe kontrolluar popujt nga neokolonizatorët e rinj. Pa u çuditur, pesë vende afrikano-lindore (Burundi, Kenia, Ruanda, Tanzania dhe Uganda, me një popullsi rreth 135 milionë banorë), aty ku dominojnë britanikët dhe amerikanët, janë në proces të krijimit të një unioni të ngjashëm me BE-në: një kartëmonedhë të përbashkët, d.m.th union monetar, dhe liri kapitali, mallrash, pune dhe shërbimesh dhe, ndoshta, në një të ardhme jo shumë të largët, një pol të vetëm politik, i cili do të dominohet nga anglo-amerikanët! 

Si kundër-reagim i këtyre praktikave, “G20”, në vitin 2009-të argumentoi se “epoka e sekretit bankar ka kaluar”...se pasanikët botëror ranë në ujdi se pasuritë që rrjepin rreth botës nuk do t’i fshehin por do t’i paguajnë në taksa në vendin ku kanë filluar veprimtarinë e tyre tregtare dhe se vendet nuk do të konkurrojnë për të ulur taksat për korporatat! Ndërsa kjo është një dinamikë e pashmangshme dhe elitat e dinë shumë mirë se ato gjithnjë do të kenë mundësi të fshehin plaçkën e vjedhur, titulli i artikullit të Financial Times i thotë të gjitha: “Time to blacklist the tax haven whitewash”  ose “koha për të shkruajtur në listën e zezë strehat e taksave është fshehur”. Sipas tij, atje janë dy vende kryesore që luajnë fuqishëm me kazinonë globale: SHBA dhe Britania: sepse, ‘sekreti më i madh financiar qëndron në SHBA, Luksemburg, Zvicër, Cayman, Britani, dhe Irlandë’. 

Por ishujt janë “parajsa” e paráve të stivosura, sepse siç tregon një raport, 100 bilionerët britanikë, ose 100 më të pasurit e saj, i fshehin parátë në ishuj. Ndërmarrjet private që blejnë sektorët publikë, siç është sektori i shëndetësisë në Britani, “NHS”, shkatërrojnë sektorin, sepse, siç tregon një hetim,  ato, (1) marrin hua me interes të lartë nga pronarët e ndërmarrjeve origjinale duke shkurtuar përfitimet e taksuara, përmes një “rrugëdalje ligjore” dhe Bursës së Islandës dhe, (2) ndërsa mbledhin miliona nga interesat, ata janë të aftë për të reduktuar sasinë e paráve duke zvogëluar —dhe ndonjë herë duke eliminuar—faturat e taksave.

Ky është një “biznes” i ligjshëm: sepse qeveria Britanike e “ligjëroi” këtë “biznes” që në vitin 1984, me ”përjashtimin e eurobondit”, një “rrugëdalje ligjore” që njihet shumë pak në hapësirën e biznesit. Ajo veproi kështu për një arsye shumë të thjeshtë: që të bënte ndërmarrjet Britanike më shumë tërheqëse për huadhënësit e huaj që kërkonin të minimizonin faturat e tyre të taksave. Kështu, ‘kur nje ndërmarrje Britanike paguan interes te një huadhënës i huaj zakonisht ajo duhet të dërgojë 20 për qind direkt te HMRC [autoriteti britanik i taksave]. Përjashtimi lejoi bankat dhe investitorët e tyre për të marrë interesin pa zbritje nëse ata huajepnin parátë e tyre përmes një burse të “njohur” siç është Kanali i Islandës ose Ishujt Cayman’. 

Kjo praktikë tashmë është shtrirë në të gjithë vendet që janë integruar ose janë duke u integruar në globalizmin neoliberal. Në Greqi, për shembull, siç tregon një raport,  bankierët vodhën bankat në të cilat punonin dhe i stivosën ato “off shore”. Shuma e përgjithshme që është stivosur në strehët e taksave përllogaritet të jetë, siç citon Thompson, ‘midis $12 trilionë dollarë dhe $32 trilionë – pasuri e mjaftueshme për të hequr thuajse të gjithë problemet e varfërisë me një të rënë të lapsit, nëse konfiskoheshin, investoheshin shoqërisht dhe ri-shpërndaheshin’.  Thuajse të njëjtën shifër ‘konservative’ përmend dhe BBC: 10 trilionë dollarë! Kjo shumë është e barabartë me PBB-në e Britanisë, Japonisë dhe Francës. 

Autoritetet amerikane tashmë kanë ngritur struktura ligjore për hetimin e kleptokratëve. Tregjet e qendrueshëm të SHBA-së janë një magnet për parátë e kleptokratëve. Çdo vit më shumë se 1 trilion dollarë i botës së zhvilluar përfundon në fonde të paligjshme.  Drejtorët e “Fondeve Gardhonjëse” (“Hedge Funds”), “bombat financiare”, siç janë quajtur nga ”Warren Buffet”, kërcënojnë qeverinë Britanike se nëse ajo ngre kostot e biznesit dhe barrën rregulluese në Britani, ata do të largohen në Maltë!  Londra, Nju Jorku dhe Brukseli i kanë deklaruar luftë Zvicrës, “sekretit” tjetër bankar, mbi arsyen se oligarkët fshehin atje miliardat e tyre dhe se taksapaguesit europianë humbasin rreth 1 miliard euro nga evazioni fiskal dhe shmangia e taksave, që është një shumë — më shumë se shuma që mori Qipro. 

Microsoft, Google and Apple, për shembull, ndërsa nuk paguajnë taksa fare, ose paguajnë shumë pak, në vendet ku rezidentojnë, kërcënojnë qeveritë perëndimore me ulje taksash.  Titullari i Google, Eric Schmidt, e konsideron shmangien e taksave, ‘thjesht kapitalizëm’!  Si pasojë, Google gjeneroi në Britani për pesë vjet, (2006- 2011), 11.9 bilionë stërlina dhe pagoi vetëm 10 milionë taksa. Google vjel fitime në Britani dhe i stivos ato në Dublin ku paguan 12.5 për qind taksë korporate, ndërsa Britania të njëjtën taksë e ka 21 për qind. Njëlloj vepron edhe Apple me Kongresin Amerikan, e cila ka strehuar që nga viti 1980-të në Irland 30 bilionë dollarë —ku s’paguan thuajse asnjë taksë. Governatori Tim Cook paralajmëroi Kongresin se ai do të refuzonte ri-atdhesimin e një totali prej 100 bilionë dollarësh të stivosur jashtë vendit nëse SHBA nuk “fshikullon” përqindjen prej 35% dhe ta çojë atë në një “shifër të vetme”. Siç citon Shaxson:

Strehët e taksave nuk janë thjesht për taksat. Ato janë për t’u shmangur –shmangur nga ligjet kriminal, shmangur nga kreditorët, shmangur nga taksat, shmangur nga rregullime financiare të matura – mbi të gjitha, të shmangesh nga shqyrtimi dhe përgjegjësia demokratike. Strehët e taksave pasurohen duke marrë honorare për sigurimin e rrugëve shmangëse. Kjo është zemra e biznesit. Këto rrugë transformojnë thjesht të fuqishmit në të paprekshëm. “Mos na taksoni ose mos na rregulloni se do të ikim jashtë vendit!” bërtasin financierët, dhe politikanët e zgjedhur rreth botës zvarriten përpara tyre dhe kapitullojnë. Dhe këto strehë taskash udhëheqin një garë globale nga rrënjët për të ofruar sekrete më të thellë, rregullime financiare më të lëshuar, dhe më shumë rrugëdalje taksash të sofistikuara. Ata janë bërë kryedeshërit e qetë të derregullimit financiar, duke detyruar vendet për të hequr rregullimet financiare, të shkurtojnë taksat dhe shtrëngimet mbi të pasurit, dhe të vendosen të gjithë rreziqet, kostot dhe taksat mbi shpinën tonë. Në këtë proces demokracia shkoklavitet dhe sistemi offshore shtyhet edhe më shumë brenda vetes...Pa kuptuar [konceptin] offshore ne kurrë nuk do të kuptojmë historinë e botës moderne.   

Ndërsa Shaxon nuk përmend mekanizmat sistemikë të cilët janë shkaku përfundimtar ose kryesor i ‘offshore-izimit’ të pasurive të popujve, brenda kësaj “parajse” gjëndet Qipro që nga koha kur u integrua në globalizmin neoliberal-BE: 2004. Kur u integrua në BE - Qipro kishte një borxh prej 70.9% ndërsa sot rrezikon që borxhi të shkojë rreth 160% të PBB-së! 

Kështu, ndërsa elita politike qipriote lejoi vërshimin e paráve të korporatave dhe bankave globale për t’u depozituar në ishull, këto të fundit, meqënse nuk kanë asnjë kontroll, investojnë në vende të ndryshme, shpesh herë investime fantazma, dhe kryejnë fitime përmes shfrytëzimit barbar të burimve vendore (punëtorë etj.), aksioneve në bursat globale dhe kolateraleve që ofrojnë vende të ndryshme të botës. Treguesi i bursës qipriote pas thuajse gjashtë muajve të shpërthimit të krizës, u zhvlerësua më shumë se 98%. Kjo dinamikë sjell me vete edhe zhvlerësimin e aksioneve të ndërmarrjeve, të çfarëdolloj qofshin ato. Ajo zhvlerëson pasuritë publike, kolateralet, dështimin e huamarrësve dhe nxjerrjen e të gjitha pasurive në ankand për t’u blerë nga kapitalistët e huaj!

Për të njëjtën arsye, Qipro është përdorur nga oligarkët e Rusisë, të cilët, si fillim blenë ndërmarrjet shtetërore në Rusi për “pesë qindarka” dhe miliardat që fitonin i çonin në Qipro për t’i ruajtur nga taksa pak më e lartë që imponon qeveria e Putinit (13%). Rusia synon shumë fitime njëherësh: qoftë në planin ekonomik, nëse gjykojmë nga investimet e miliardave —në letër— qeveria qipriote në Rusi, që janë shumë më të mëdha se investimet gjermane —ekonomia e së cilës është shumë herë më e madhe se ekonomia qipriote; qoftë në lidhje me ekspansionin e saj në Egje, meqënse qasja që ajo ruan në portet e Sirisë bart një kosto të madhe. Nga kushtet e krijuar, rusët janë — siç janë Kinezët me Greqinë — duke pritur për pasuri të përzgjedhura në një çmim të leverdisshëm. 

Dhe nëse Islanda, bankat e së cilës ishin fryrë nga të njëjtat depozita — d.m.th. bankat dhe korporatat globale, e cila i la ato të rrënoheshin, pasi populli irlandez krijoi rezistencën e nevojshme për elitën përkatëse duke i spastruar jashtë saj, dhe ruajti depozitat vendore, Qipro nuk është Islanda: ai luan shumë role njëherësh, qoftë për Brukselin qoftë për Rusinë—sepse ndërsa Qipro është anëtar i BE-së dhe Eurozonës, dhe kontrollohet nga elita mbikombëtare, ai shfrytëzon kapitalin rus: sepse zhvillohet një luftë dominance mes Brukselit dhe Rusisë. Është pikërisht kjo arsyeja se përse Trojka, këmbnguli që elita politike qipriote të impononte një taksë mbi depozitat e larta. Nga marrëveshja e elitës qipriote me Elitën Mbikombëtare, depozitat ruse do të dëmtoheshin masivisht. 

Për t’iu shmangur rrënimit të plotë të sistemit bankar, Qipro vendosi kontrollin e kapitalit: nuk lejoi të transferoheshin në bankat e huaja më shumë se €20,000 në muaj. Pas dy vjetësh, në mars të vitit 2015-të, kontrolli i kapitalit u shfuqizua. Putini, në anën tjetër, në mes të krizës foli për “deoffshore-izim”: qëllimi i tij ishte të ruante humbjet e kapitalit të oligarkisë ruse. Tre vjet më vonë politika e “deoffshore-izimit” të ekonomisë ruse nuk u realizua, sepse autoritetet besojnë se dëmtohet ekonomia ruse. Populli qipriot u gjënd mes shkëmbit dhe greminës: në njërën anë trojka kërcënonte me taksa mbi depozitat, dhe në anën tjetër, Rusia, kërcënonte me tërheqjen e shumave të mëdha që ishin depozituar në bankat qipriote. Më në fund, në betejën e Qipros fitoi Brukseli sepse Rusia u tërhoq. Siç analizon The Guardian:

Qiprua ka nevojë për 17 bilionë euro dhe gjëndet në trativa për të marrë 10 bilionë nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Qëndrore Europiane. Pjesa tjetër duhet të gjenerohet nga burimet e tij. Plani fillestar i shpëtimit...do të rriste 5.8 bilionë euro duke rrjepur thuajse 7% nga depozitat e të gjitha bankave me më pak se 100,000 euro, dhe 9,9% nga llogaritë e mëdha bankare. Një paketë për masa kursimtare ishte planifikuar gjithashtu për ta çuar totalin në 17 bilion euro.  

Nëtë vërtetë, ‘zbulimet’ e titujve të parajsave fiskale janë pasojë e antagonizmit mes oligarkëve të “ndershëm” —atyre që paguajnë taksa— dhe oligarkëve të pandershëm. Oligarkët e “ndershëm” sponsorizojnë dhe ‘zbulimet’ përkatëse. Gjithë historia ka filluar me rënien e perandorisë britanike shekullin e kaluar, pas luftës së dytë botërore: pak ishuj të dëmtuar donin të mbanin lidhjet e tyre imperiale me Londrën. Qeveria britanike kërkonte të gjente një rrugë për të zvogëluar varjen ekonomike të ishujve si Bermuda, Montserrat ose ishujt britanik të Virxhinias. Kështu ajo u dha atyre status të veçantë takse, duke krijuar kushtet për shërbime financiare mbrothësuese.

Siç zbulon BBC, shmangia nga taksat mund të ketë dalë nga kontrolli herë pas here por në tërësinë e tyre ato kanë qenë me sukses duke i pavarësuar ishujt përkatës nga qeveria Britanike. Nuk ishte planifikuar transformimi i ishujve në atë gjendje. Por ishte rastësor. Nuk filloi në Bermudes apo Jersey por në një qendër tjetër “offshore”: jo në Britani por në Amerikë – Qyteti i Londrës. Historia fillon në fillim të shekullit 20-të duke kulmuar përgjatë luftës së parë botërore deri në vitin 1919: kur qeveritë filluan të rrisnin taksat mbi të pasurit për të mbuluar shpenzimet sociale dhe llogaritarët e individëve të pasur filluan të këshillonin mënyra se si t’u shmangeshin taksave.

Kështu, nëse ata donin të qendronin në Londër ata mund të vendosnin parátë e tyre në një kujdestari të regjistruar në vend tjetër, ndoshta në ishullin e Manit, ku teorikisht nuk ishin më të tyret dhe rrjedhimisht jo të dukshme në syrin kureshtar të një inspektori të arkës së shtetit. Por industria financiare lulëzoi në ditët kur po vdiste perandoria. Më konkretisht, kur Britania u përfshi me Francën dhe Izraelin për të ripushtuar kanalin e Suezit pasi u shtetëzua nga presidenti anti-kolonialist egjiptian, Gamal Abdel Nasser. Amerika refuzoi imperializmin europian dhe nuk u përfshi. Përgjatë të njëjtës kohë stërlina britanike po humbiste vlerë. Banka e Anglisë donte të kufizonte daljen e stërlinës duke rritur interesat.

Por shkëlqesia e thesarit kishte ide të tjera. Që nga koha e konferences së Bretton Woods në vitin 1944 vendet duhet të kontrollonin lëvizjen e kapitalit për të kufizuar rrjedhjet spekulative brenda dhe jashtë vendit sepse perkeqësuan krizën e kaluar ekonomike. Por përgjatë krizës së Suezit, Thesari njoftoi se ai përkohësisht nuk do të miratonte investime të kapitalit të huaj. Bankat e Qytetit u alarmuan: sepse ato financonin projekte në ish-kolonitë e tyre. Kështu governatori duke kërkuar nëpër arkiva zbuloi se çfarë do të ndodhte më pas. Banka lejoi në fund të vitit 1957-të bankat komerciale të vazhdonin huadhënien dhe huamarrjen e klientëve të huaj nën dy kushte: huamarrja duhet të ishte në stërlina dhe të dyja palët —huadhënësi dhe huamarrësi— duhet të banonin diku jashtë Britanisë.

Pas kësaj faze lindi tregu botëror financiar offshore i eurodollarëve, duke lejuar transaksione të pakufizuar në dollarë dhe euro dhe duke mos u kontrolluar nga asnjë shtet. Kështu bankat ‘offshore’ nuk e kishin të domosdoshme të mbanin rezerva për çdo dollarë që ato huajepnin (siç do të duhësh në Amerikë), një praktikë që ulte tejet shumë kostot e tyre. Kështu ndërsa transaksionet zhvilloheshin në Londër, huadhënesit dhe huamarrësit mund të regjistroheshin kudo. Por palët e transaksioneve në eurodollarë kishin nevojë për adresa. Kështu juridiksionet e taksave-zero nga ishujt e Cayman-it te Montserrat u përdorën nga bankat investuese të Londrës si rezidenca zyrtare taksash për klientët e tyre të pasur. Klientët mund t’iu shmangeshin taksave dhe hetimit të padëshirueshëm — për shembull nga autoritetet e taksave amerikane. 

Mes viteve 1960-të dhe 1970-të, madhësia e tregut të eurodollarit shkoi nga 1 miliardë në 40 miliardë dollarë. Në vitet ’70 vendet e pasur në petrodollarë, nga rritja e çmimeve të naftës, u përballën me një mëdyshje: të riatdhesonin parátë në Nju Jork – ku do të taksoheshin- ose t’i mbanin jashtë vendit (“offshore”). Deri në vitin 1980-të i ashtuquajturi treg i eurodollarit kapi vlerën e më shumë se një trilionë dollarëve. Pas derregullimit të Qytetit të Londrës në vitin 1986-të, “Big Bang-u” ndodhi, me pjesëmarrjen e bankave të SHBA-së duke ngritur rezidencat në Londër. Dhe ndërsa ky proces zhvillohësh përgjatë dekadës ‘90-2000 Londra u kthye qendra botërore e tregëtimit të devizave të huaja. 

Ndryshe nga këto të vërteta, komentatorët e gazetave të elitave perëndimore, nga Paul Krugman  dhe Martin Wolf,  dhe profesorë universitetesh,  tregojnë simtomat dhe jo shkaqet ndërsa rrugëzgjidhja, sipas tyre, mund të vijë nga të njëjtat elita! Elitat politike, në anën tjetër, kërkojnë ta zgjidhin “imoralitetin” e pasanikëve përmes transparencës më të madhe dhe ndarjes automatike të informacionit dhe regjistrave të pronarëve përfitues të ndërmarrjeve offshore. Por siç citon një analist i ndershëm, se nëse kjo gjendje nuk përballet me rezistencë popullore, “mishngrënësit...do të na përpijnë të gjithëve”. 

Pas gjithë këtij mashtrimi, Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje (“Common Reporting Standard”) me Zvicrën, Lihtenshtajnin, San Marinon, Andorrën dhe Monakon për të ndaluar “sekretin bankar”. Rusia iu bashkua marrëveshjes duke iu përmbajtur fjalës së Putinit, i cili kishte kërcënuar oligarkët rusë për praktikat e tyre. Ndërsa Amerika e Obamës jo, sepse ka krijuar një sistem të sajin (FATCA), që ndryshon nga sistemi europian. Marrëveshja u nënshkrua mes 47 vendeve në vitin 2016. Në vitin 2018-të është thuajse dyfishur numrin i vendeve. BE-ja synonte të detyronte gjithë vendet ta nënshkruanin deri në fund të vitit 2018. Në vitin 2017-të ministrat e financave të BE-së miratuan një “listë të zezë” për 17 ndërmarrje “offshore”. Ndërsa një “listë gri” u miratua për 47 vende të tjerë. Në listën e dytë u përfshi dhe Shqipëria.

Kështu nëse krijohet një llogari bankare në Zvicër, të dhënat e saj do të jenë të dukshme në gjithë sistemin bankar, automatikisht. Llogaria e klientit me radhë dërgohet tek autoritetet lokale të taksave të cilat me radhë shkëmbejnë të dhënat me autoritetet e taksave në vende të tjerë. Por kjo s’do të thotë se Zvicra do të ndalojë plotësisht praktikat e saj bankare. Aktualisht, dhe për shkak të këtyre masave, bankat private, po bien. 

Kështu bankat zviceriane po kërkojnë të krijojnë grupe klientësh në Kinë dhe tregje të tjerë të ekonomive në rritje. Rezultati është se industria po ndahet në dy nivele: një grup i vogël i bankave më të mëdha kanë përdorur reputacionin e Zvicrës për shërbim —siç është gjetja e avokatëve në vende të errët— me qëllim që të zgjerohen rreth botës me sukses. Por atje është një bisht me rivalë vendorë më të dobët që përballen me një paraqitje më të pasigurtë. Zvicra dominon biznesin e mbrojtjes dhe investimit të pasurisë të njerëzve më të pasur në botë, qoftë edhe nëse 6.7 trilion franga svicerane (6.8 trilion dollarë) në asete nën administrimin e industrisë zvicerane mbetet e ulët krahasuar me kulmin e tij, 2007. Përgjatë tre viteve të kaluar niveli i aseteve nën administrim ka qenë i pandryshuar pavarësisht fitimeve të fuqishme në shumë tregje botëror. Zvicra është vendi i dy bankave më të mëdha të Evropës — UBS dhe Credit Suisse. Llogaritë zvicerane janë ende tërheqëse për shumë të pasur botëror — një numër i madh i të cilëve u kap në goditjen e korrupsionit në Arabinë Saudite që mendohet se kanë pará në vendin e alpeve.

Por industria është në tërheqje. Numri i bankave private zvicerane ka rënë nga 176 në 2005 në 122 në 2017. Nga 60 ose 70 bankat që kanë realizime të dobëta, të paktën gjysma do të zhduket. Bankat punësonin vitin e kaluar 121,000 njerëz — rreth 15,000 më pak se një dekadë më parë. Bankierët pranojnë se ata gjenden në një mjedis të përfituesve të të gjithave (“winner-takes-all”). Pavarësisht kufizimeve, klientët sërish besojnë në sistemin privat bankar të Zvicrës: sepse ajo është e qendrueshme në terma ekonomikë dhe politikë. Për pasojë, përgjatë shekullit të kaluar, franga zvicerane ka qenë një nga devizat më të fuqishme botërore — dhe bondet e qeverisë zvicerane janë mes formave me realizmin më të mirë të debitit sovran.

Zvicra, gjithashtu, përfiton nga neutraliteti i saj — dhe pozicioni i saj jashtë BE-së. Në Evropë, refuzimi i Zvicrës për të qenë anëtare e BE-së ka krijuar disavantazhe për bankat e saj — ato mbështeten kryesisht në degët e tyre në bllok për t’u shërbyer klientëve në tregje të mëdhenj si Gjermania dhe Franca. Biznesi përgjatë kufijëve mund të jetë edhe më i vështirë nëse dalja e Britanisë nga BE-ja inkurajon një qendrim më të ashpër nga Brukseli mbi qasjen e vendeve të treta. Presioni mund të rritet mbi grupet svicerane për shkak të automatizimit të sektorit, duke reduktuar nevojën për marrëdhënie njerëzore. Bankat e mëdha zvicerane po lulëzojnë tashmë në Azi. UBS, për shembull, është banka private më e madhe në Azi (duke përjashtuar Kinën), Credit Suisse është e treta dhe Julius Bear e pesta.

Bankat amerikane, gjithashtu, po ngrejnë industrinë e tyre në Azi. Citi është banka e dytë më e madhe në rajon. Historikisht, bankat private zvicerane ishin të forta në segmentin e shërbimit të klientëve “të vlerës së lartë neto” nga 1 milion në 30 milionë dollarë në pasuri të investuar. Tani strategjia e bankave të mëdha zvicerane është orientuar drejt klientëve me vlerë neto me të paktën 30 milion në asete të investuar ku ata besojnë se kanë një vlerë të fortë.

Thënë, në fjalë të tjera, bankat private po i përshtaten dinamikës tërësore shoqërore në Azi, duke synuar pasanikët dhe duke mos përjashtuar veprimtarinë e tyre tregëtare në vendin e origjinës. Zvicra dhe Amerika ka nënshkruar një marrëveshje për marrjen automatike të llogarive që krijohen nga amerikanët në Zvicër pas gjobave që pagoi kundrejt autoriteteve amerikane për vepritarinë e saj bankare...

*Pjesë nga një studim më i gjerë që parapublikohet meqë populli po mashtrohet nga gazetarët e oligarkive referencat e të cilit mund të gjenden vetëm në origjinal...

Disa nga mashtrimet e gazetarëve mund të shikohen këtu (Klan, Opinion) dhe këtu (Topchannel, Open). Këta pyesin kolegë të tjerë, sidomos të Birn-it, që tregojnë njerëzit e përfshirë por jo shkaqet! 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA