...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Filozofia e ndërtimit, parashikimi i tërmeteve dhe parandalimi i tragjedive sociale

Nga propaganda obskurantiste e Ramës në parime shkencore

Ylli Përmeti

09/12/2019 - 09:00

Shqipëria, sipas një raporti të OKB-së, mban vendin e 31 në botë për ndjeshmërinë sizmike; nërsa renditet e para në Europë dhe Ballkan!

 

Mpirje mendore vërehej në popull gjatë ditëve të pára pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pasojat e shkaktuara nga ai dhe ngaqë s`kishte dije për dukuritë fizike përgjithësisht dhe sizmike veçanërisht besoi propagandën e Ramës se “s`ke ç`i bën fatkeqësisë natyrore” në kohën kur në Japoni ndodhin tërmete më të fuqishëm dhe vdekjet janë minimizuar thuajse në zero — duke treguar, edhe një herë, karakterin e tij joshkencor dhe hipokrit: sepse kujtoj, se sa herë ndodhin ngjarje të dhimbshme (përmbytje etj.) ai përdor të njëjtin argument! Por dy janë masat që parandalojnë pasojat e tërmeteve — që të dyja të mundshme dhe në dorën tonë: ndërtesat ndërtohen me parametra shkencorë dhe parashikohen tërmetet. Parametrat shkencorë në ndërtim janë ata që procedojnë nga filozofia e ndërtimit, eksperimentet në laborator sizmik dhe realizimi në praktikë. Por ngaqë parimet themelore që burojnë nga filozofia e ndërtimit dhe laboratorët ndërtimore mund të shkelen ose mund të anashkalohen nga inxhinierët e ndërtimit dhe ustallarët, ata mbikqyren rreptësisht nga inspektorët e bashkive. Një aspekt i rëndësishëm që lidhet me filozofinë e ndërtimit është natyra e ndërtesave: ato nuk duhet të jenë të larta (jo vetëm për të kontribuar në parandalimin e rrënimeve por edhe në tmerrin që krijojnë kur një tërmet zhvillohet) dhe duhet të jenë ekologjike—domethënë, lënda e përdorur të mos jetë e dëmshme për njeriun që jeton në to por dhe për mjedisin (betoni, p.sh., është i dëmshëm si për mjedisin ashtu dhe për njerëzit që banojnë në shtëpi me beton; në rastin e parë do të shkatërrohen male, kodra, pyje dhe kafshë ndërsa në rastin e dytë dëmton njeriun kur rrënohet). Korruptimi i inxhinierëve mund të shmanget në tre mënyra: ose të mbikqyren nga asambletë popullore, pasi të krijohen kushtet, ose të mbikqyren nga Spak-u, ose të zhvillohen virtytet e tyre dhe veçanërisht virtyti i drejtësisë, pa të cilin ata do të korruptohen ose, idealja, të gjitha bashkë. Dhe në fund, përpara se të ndërtohet duhet të konsiderohet struktura tokësore: ajo duhet të jetë e tillë që mos t`i përcjellë shumë goditjet e tërmeteve. Në fakt, po të ndërtohen ndërtesat sipas parimeve që parashtrova, struktura e tokës është e një rëndësie dytësore se sa parësore; ajo është parësore kur nuk përdoren parimet që përmenda. Britania përdor deri diku parimet që përmenda; por ajo përdor dhe një parim tjetër: banesat janë përgjithësisht të njëjta nga jashtë për mos të nxitur shpirtin e garës mes qytetarëve. Ky synim ka dhe një efekt tjetër: nuk shpenzohen energji për struktura të ndryshme banesash ose kursen energjinë e shpenzuar në banesa.

Pyetjes se nëse parashikohen tërmetet dhe parandalohen gjëmat sociale, i përgjigjemi me një Po të madhe. Kësaj pyetje “ekspertët” e establishmentit vendor i përgjigjen me një Jo të madhe duke ndjekur qendrimet e homologëve të tyre në vende të tjerë! Por ja ç`citoja dy vite më parë kur Shqipëria i trondit nga një tërmet me pak pasoja dhe nuk munguan qendrimet idiote të “eskpertëve” të fushës:   

...“që “ka një logjikë shkencore” puna e tërmeteve...siç argumentoi një “gjeofizikant”, vetëm gjeoshkencëtarët e kuptojnë. Logjika në vetvete është shkencë, siç është arsyeja në shqip. Kot s’themi, “nuk arsyeton drejtë” “ose nuk ka mësuar të arsyetojë drejtë”. Në sizmologji, për shembull, të arsyetosh drejtë duhet të konsiderosh jo vetëm pllakat tektonike (domethënë, të kuptosh natyrën e tyre dhe të parashikosh se kur do të fërkohen sërish) por dhe fushat gravitacionale jashtë kores së tokës: sepse shtypja gravitacionale ndikon gjithashtu në lëvizjen e pllakave tektonike. Kjo sërish, nuk mjafton, por duhet të përllogaritet së pari madhësia e bërthamës vullkanike të tokës dhe vullkanet dhe masa e llavës që ata nxjerrin në sipërfaqe të tokës përmes vullkaneve: sepse kur ne dimë se sa ‘masë’ ka dalë nga bërthama dhe hamendësisht në brendësi të tokës është krijuar boshllëk, mund të parashikojmë se kur do të shkaktohet tërmet meqënse ndikimet gravitacionale në koren e tokës janë të përhershme por në disa raste (kur planetët e tjerë dhe veçanërisht dielli kanë veprimtari më të madhe) më të fuqishme. Janë pikërisht këta të fundit që duhet të merren në konsideratë me mjaft kujdes. Thënë ndryshe, vullkanet janë çtensionues të presionit të brendshëm që krijohen në bërthamën e tokës: sa herë që ata nxjerrin llavë, masa e brendshme është në presion ose është më shumë se ç’duhet. Kur mbaron kjo fazë, dhe në varësi të sasisë që ka dalë, radhën e kanë tërmetet që të çojnë lëndë të re në bërthamën e tokës. Kjo, sërish, në varësi të forcës gravitacionale: sa më e madhe të jetë ajo aq më shumë do të fërkohen pllakat tektonike. Ndikimi gravitacional mbi koren e tokës dhe vullkanet përcaktojnë natyrën e tërmeteve. Kur shkencëtarët të arrijnë të masin të gjithë këta parametra dhe t’i konceptojnë si të ndërvarur, do të kenë mundësi të parashikojnë tërmetet me përpikmëri.            

Ndryshe nga ky arsyetim, “shkencëtarët” tanë i shtojnë ‘logjikës’...sizmologjike, dhe një “shkencore” dhe na e bëjnë logjikën edhe ‘joshkencore’! Por çështja nuk shtrohet se nëse logjika është shkencore apo jo por se nëse një njeri ka logjikë të drejtë apo jo. Sidoqoftë, është e sigurtë se i paguajmë kot gjeoshkencëtarët tanë: sepse na thonë se nuk mund të parashikohen tërmetet! Le pastaj që i shtojnë, ndërsa janë “shkencëtare” dhe na paralajmërojnë për tërmete, dhe lutjen e zotit! Këta janë aq të sigurtë për gomarlliqet që lëshojnë sa ç’janë dhe për zotin. Puna e vetme që bëjnë është të regjistrojnë tërmetet dhe të na i kujtojnë dhe të na thonë, në bazë të vrojtimeve se sa shpesh përsëriten, se kur mund të përsëriten. T’i quajmë ‘shkencëtarë’, rrjedhimisht, do të ishte e padrejtë: sepse vetëm të tillë s’janë. Shkencëtari që nuk studion dhe nuk sjell asnjë risi e parashikim, vetëm ‘shkencëtar’ nuk është. Kujtoj këtu parametrat e ‘teorisë’ ideale” që kam parashtruar në vend tjetër.

Tani po shtoj se fakti që pllakat tektonike fërkohen (forma e fërkimit është e rëndësishme—disa fërkohen sepse lëvizin drejt njëra-tjetrës...) dhe fërkimet shkaktojnë energji dhe energjia mund të matet me aparatura, ne mund të parashikojmë se kur bien tërmetet. Për natyrën e ‘energjisë sizmike’ i shkruajta sizmologut grek—për të kuptuar se për cilën ‘energji’ e kishte fjalën kur ra tërmeti në shtator (kur ai argumentoi për televizionet se ai e “dinte se në Durrës do të përjetonim një tërmet të madh, sepse ishte përqendruar shumë ‘energji’...”, të cilën nuk e qartësoi). Por nuk më ktheu përgjigje! Si duket s`kishte përgjigje. Dhe nuk është i vetmi sizmolog që përdor të njëjtin argument. Sidoqoftë, ne mund t`i parashikojmë tërmetet por jo pa konsideruar parametrat që përmenda. Përpjekja e Japonisë, për shembull, për të parashikuar tërmetet përmes një kompjuteri, është e pjesshme: sepse ajo përdor parametra të gabuar: magnitudën ose shkallën e valëve dhe vendodhjen duke vrojtuar dridhjet, cunamet dhe lëvizjet e kores së tokës. Nuk do të ishte e çuditshme që ajo parashikon vetëm valët sizmike që shpërndahen brenda 10 minutash përgjatë Japonisë dhe një cunam pas 30 minutash. Kjo qasje është e gabuar sepse përqendrohet në fazën pas-tërmetore. Për të njëjtën arsye, shumë parashikime të institutit sizmologjik japonez kanë qenë të gabuar.

Çfarë nevojitet është e qartë: një qasje gjenealogjike e problematikës. Për ta parashikuar, rrjedhimisht, sizmologët duhet të përqëndrohen në tre aspektet që përmenda: në energjinë që përqendrohet ose shkaktohet në bashkimet e pllakave tektonike (kjo lloj energjie mund të matet me aparate ku pllakat bashkohen por dhe të vrojtohet me satelitë); në veprimtarinë e vullkaneve (kur veprojnë shumë vullkane nënkuptohet se një fazë e re fërkimesh mes pllakave do të pasojë); dhe në veprimtarinë e planetëve që na rrethojnë (kur ka veprimtari të lartë në ta trysnia që ushtrohet mbi tokë përmes forcës magnetike rritet). Kujtoj se pllakat tektonike filluan të kuptoheshin në fillim të shekullit të kaluar dhe u deshën dekada që të pranoheshin si burim tërmetesh.[1] NASA është orientuar në kuptimin e pllakave tektonike por nuk ka përqafuar qasje gjenealogjike dhe të plotë. Në të kaluarën popujt besonin se tërmetet ishin paralajmërime kozmike dhe ndëshkime nga Zoti. Një përpjekje për ta hedhur poshtë këtë besim u bë nga Aristoteli kur argumenton se tërmetet shkaktohen nga forca e erës duke mos përjashtuar ndërveprimin planetar. Aristoteli, në fakt, nuk gaboi: sepse është vërtetuar së fundmi nga sizmologët amerikanë se tërmetet shkaktohen edhe nga erërat e fuqishme ose stuhitë.[2] Siç citon Aristoteli: “tërmetët më të fuqishëm ndodhin kur deti është plotë rryma ose toka sfungjerore ose poroze dhe shpellore”.[3] Ai sqaron çdo rast dhe vlerëson se ndërveprimi planetar luan rol të rëndësishëm në tërmete. Vrojtimi i sizmologëve amerikanë nuk ndryshon shumë: sipas tyre, “tërmetet [e stuhive] shkaktohen në rajone me ‘prag të gjerë kontinental’”. Durrësi dhe një pjesë e mirë bregdetit shqiptar, ka ‘prag të gjerë kontinental’. Që nga koha e Aristotelit përparimi në këtë çështje ka qenë i vogël. Duhet thënë se sizmologët janë përqendruar kryesisht tek pllakat tektonike dhe arsyetimin aristotelian nuk e njohin. Sidoqoftë, është e qartë se ne mund të parashikojmë tërmetet vetëm nëse bashkërendojmë parametrat që përmenda.

Derisa sizmologët tanë të kuptojnë drejtë problematikën, të organizohen dhe pajisen me infrastrukturën e nevojshme, ne kemi mundësi të minimizojmë dëmet nga tërmetet nëse kuptojmë drejtë problematikën e ndërtimeve: sepse edhe nëse ne nuk përparojmë shpejtë në parashikimin e tërmeteve ne kemi mundësi të rikonceptojmë natyrën e ndërtimeve sipas filozofisë që parashtrova. Duhet thënë se edhe në këtë sektor mungojnë parimet themelore mbi të cilët të ndërtohet e ardhmja e shoqërisë dhe njerëzve. Prandaj është e rëndësishme që institutet shkencore të ndërtimit dhe gjeologjisë të bashkëpunojnë ngushtë në themelimin e parimeve që përmenda. Ndërtesat aktuale që janë ndërtuar pa parime duhet ose të prishen ose rikonceptohen sipas parimeve që përmenda dhe në disa të përdoret teknika japoneze: platformat me sfera në themel të ndërtesave shumëkatëshe. Një përpjekje të ngjashme duan të bëjnë amerikanët pavarësisht se Japonia goditet rreth 10 herë më shumë nga tërmetet.[4] Japonia ka përdorur teknikën e platformës së sferave në rreth 9,000 ndërtesa shumëkatëshe kryesisht si pasojë e tërmetit të vitit 1995 në Hanshinin e Madh ku gjetën vdekjen më shumë se 6,000 njerëz. Teknika përdoret në shkallë të ndryshme dhe nga vende të tjerë si Kina, Kili, Italia, Meksika, Peruja, Turqia e të tjerë. Sipas studimeve, ndreqja e ndërtesave që dëmtohen nga tërmetet kushton katër herë më shumë se shpenzimet që bëhen me synim parandalimin. Amerika ka përdorur teknikën e betonit dhe hekurit por kjo teknikë sipas japonezëve është e paparashikueshme në tërmete. Kështuqë ata ndërtojnë ndërtesa të larta por thuajse gjithnjë me kolona çeliku dhe në bazë krijojnë platforma me sfera. Japonia, rrjedhimisht, është përqendruar kryesisht në parandalimin e tërmeteve duke rikonceptuar ndërtesat se sa në parashikimin e tërmeteve. Por përpjekje paralele po bëhen për të parashikuar tërmetet.

Të njëjtën qasje mund të përdorim dhe ne duke filluar me filozofinë që parashtrova: sepse për të realizuar qasjen japoneze na duhet gjendje ekonomike e qendrueshme. Qasja japoneze, në fakt, mund të anashkalohet nëse përdoren parimet sistemike të sovranitetit, vetmbështetjes dhe emancipimi i popullit në dije, arsyetim të drejtë dhe parime demokratike: sepse kjo qasje shpërqendron popullatën nga qytetet drejt fshatit. Por kjo qasje nevojitet të kuptohet drejtë përpara se të vendoset në jetë. Aktualisht ne qeverisemi nga qeveri dhe klasë politike pa dije sistemike dhe këto çështje dhe të tjera të ngjashme nuk do t`i konsiderojë. Prandaj nevojitet që të kontribojë çdonjëri në dije dhe parandalim të dhimbjeve njerëzore dhe ekologjike: sepse kush kontribuon në dije ka kontribuar më shumë se ata që kontribuojnë në dhimbje pas tërmeteve.     

Qendrimet kontradiktore të institucioneve

Vetëm kur qarkulluan disa qendrime kritike ndaj ndërtimeve filloi çmpirja mendore e popullit lidhur me faktin se ishte mashtruar edhe një herë nga klasa politike me ndërtesa pa parime shkencorë (megjithëse demagogët përdorin kryesisht termin “standart” dhe për pasojë edhe populli përdor të njëjtin term pa qenë i qartë se ç`nënkupton ai) ndërsa Rama filloi ta zhvendoste vëmendjen kryesisht tek administrimi i drejtë i banorëve bashkë me opozitën dhe masmedian; kjo e fundit nuk zhvilloi një debat për parandalimin e pasojave nga tërmetet ndërkohë që prokuroria në krye të gjatë ditëve nuk kishte filluar hetime në terren duke i “shkelur syrin” qeverisë për të prishur ndërtesat e pabanueshme! Shqetësimit se mos po zhvillohen shpime për naftë apo gaz pranë Durrësit dhe rrjedhimisht tërmetet janë rezultat i shpimeve në fjalë, mund t’i përgjemi me një Jo të madhe për sa kohë që tërmeti më i fuqishëm prej 6.4 ballë ishte rreth 38 km në thellësi të tokës dhe pusi më i thellë në botë është 12 km. Nuk është, në fjalë të tjera, tërmet i shkaktuar nga ndërmarrjet naftë-gaz-nxjerrëse siç dyshohet por tërmet tektonik. Tërmeti në fjalë ka aktivizuar vatra të tjera – ndaj kemi tërmete të tjerë por jo më të fuqishëm se kulmori. Nëse gjykojmë nga sjellja e tërmeteve në përgjithësi —ata kulmojnë pastaj bien deri sa i zë “gjumi”— tani jemi në fazën e rënies. Një fazë tjetër mund të pasojë në muajt në vijim, fazë të cilën s`e kanë përjashtuar as sizmologët. Kështu ndërsa sizmologët grekë, italianë dhe gjermanë thanë se nuk përjashtohet një tërmet më i fuqishëm, Rrapo Ormeni, një sizmolog i anëve tona, nënkuptoi se përsëritja e një tërmeti më të fuqishëm përjashtohet nga mundësia, sepse:

“Nëqoftëse tërmetet 6 ballë kanë një përsëritje 30 vjeçare; tërmetet 6.5 e kanë 100 vjet; tërmetet 7 e kanë 500 vjet; dhe tërmetet 7.1 e kanë 3000 vjet” (Klan/Opinion).

Por Ormeni ose kërkon të qetësojë popullin ose gabon rëndë: sepse megjithëse sizmomteri i parë u shpik nga një filozof kinez në shekullin e dytë të erës sonë, ishte fundi i shekullit 19 që shtroi udhën e studimeve për shekullin e 20 dhe këndej. Historia e sizmologjisë, në fjalë të tjera, na mëson se nuk ka patur regjistrime të fuqisë së tërmeteve përtej shekullit të kaluar. Në fakt, sizmologët e Miçiganit në USA thonë të kundërtën e Ormenit: se tërmetet me magnitudë 7.0-7.9 përsëriten çdo 20 vjet ndërsa ata mbi 8.0 çdo 5 deri në 10 dhjetë vjet. Këtë fakt mund ta vërejmë në rastin e Turqisë: në vitin 2011 në rajonin e Vanit goditi një tërmet prej 7.1 ballë ndërsa në janar goditi në Sivrice një tërmet prej 6.9 ballë. Largësia mes këtyre dy rajoneve është rreth 483 km. Por ata qendrojnë mbi të njëjtën vragë tektonike dhe mund të themi se është e njëjta pllakë tektonike që ka shkaktuar tërmete të fuqishëm. Por edhe nëse në këtë rast vendondodhja është paksa larg dhe mund të mos përdoret si parametër, është e qartë se sizmologët nuk tregojnë të njëjtat statistika.

Ndikojnë tërmetet tek njëri-tjetri?

Pak ditë pas tërmetit në lindje të Turqisë, një tjetër u shënua në jug-lindje të ishullit grek Karpathos me magnitutë 5.2 dhe thellësi 23 km, për të cilin sizmologët grekë thanë se s`ka asnjë lidhje me tërmetin që goditi Turqinë...ndërsa një tjetër pasoi pas dy ditësh me magnitutë 5.9 të shkallës rihter; pak orë më pas u shënua një tërmet shumë i fuqishëm në ishujt Karaibe me magnitutë 7.7 pas të cilit pasoi një cunam i shkurtër, kryesisht sepse tërmeti ishte afër sipërfaqes (10 km); dhe pas pak minutash u shënua një tjetër tërmet në Shqipëri (me epiqendër në zonën e Fushëkrujës) me magnitutë 4.9 për të cilin Ormeni tha se ishte pjesë e pasgoditjeve të tërmetit të nëntorit dhe s`ka asnjë lidhje me tërmetin e Turqisë sepse ai ishte pasojë e pllakës së Anadollit e cila shtyhet me pllakën aziatike! Por dimë se pllakat tektonike nuk shtyjnë vetëm njëra tjetrën por janë dhe të bashkuara jo vetëm me njëra-tjetrën por dhe me “zemrën” e tokës: në këto kushte do të ishte absurde të pretendosh se tërmetet nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ata s`kanë lidhje vetëm në një kuptim: se burojnë nga pllaka të ndryshme tektonike. Por ngaqë pllakat lidhen si mes tyre ashtu dhe poshtë tyre, tërmetet që shkaktohen në një pjesë të planetit, mund të ndikojnë në aktivizimin e një tërmeti tjetër. Kështuqë, argumenti i sizmolgëve është pjesërisht i vërtetë dhe pjesërisht i gabuar sepse i shohin tërmet të izoluar nga njëri-tjetri kur duhet se planeti ynë është ‘një trup e vetëm’ dhe si tillë, çdo “trazirë” në një kënd të tij mund të ndikojë në një kënd tjetër!       

Qartësisht, si qendrimi i sizmologut tonë ashtu dhe qendrimi i sizmologëve të huaj merr në konsideratë vetëm statistikat dhe si i tillë, ata janë problematikë: sepse kushtet kozmologjike nuk janë gjithnjë të njëjtë në planetin dhe sistemin tonë diellor. Duhet thënë se instituti i sizmologjisë në vendin tonë u shkatërrua nga Berisha me “mbështetjen” e PS-së. Ai u ngrit me shumë mund dhe sakrifica nga Enver Hoxha pasi u kuptua se vendi ynë kërcënohet nga tërmetet. Por klasa jonë politike, si idiote që është, shkatërroi mes të tjerash dhe institutin sizmologjik duke i dhënë karakter të parëndësishëm. Duhet thënë, gjithashtu, se edhe sizmologët kanë përgjegjësinë e tyre në kaosin që pasoi në sektorin e ndërtimit: sepse pavarësisht se mund të ‘kërcënoheshin’ nga pushteti politik ata mund të vinin alarmin në mënyra të ndryshme pikërisht sepse dinin —statistikisht— se do të goditeshim nga tërmeti. Fakti që nuk pamë ndonjë reagim nga sizmologët, tregon ose nënvlerësim të gjendjes ose nënshtrim—mungesë trimërie.

Një tjetër çështje me rëndësi të veçantë që nuk po përmendet nga autoritetet për Durrësin është përballja me ndonjë cunam—pasi të ketë rënë ndonjë tërmet i fuqishëm në brendësi të detit!Një institucion gjeologjik amerikan (“USGS”) argumenton se tërmetet me magnitudë nga 7.6 dhe 7.8 ballë mund të shkaktojnë cuname shkatërruese veçanërisht pranë epiqendrës. Por një studim tregon se tërmetet që kalojnë 7.5 magnitudën Richter mund të shkaktojnë cuname shkatërrues: sepse ata shkaktojnë valë të larta deti fuqia e të cilave është shkatërruese për banorët që gjenden pranë detit dhe në lartësi relativisht të njëjtë me të: për shembull, një tërmet me magnitutë 7.5 shkakton valë deti me lartësi 5.5 m; një tërmet 7.7 shkakton valë deti të lartësisë 10.7 m; ndërsa një tërmet me magnitutë 8 shkakton valë deti deri në 38.2 metra lartësi.[5]Duhet thënë se sa më afër sipërfaqes së tokës të jetë tërmeti aq më të larta janë valët e detit. Durrësi ka përjetuar tërmete me magnitudë mbi 8 ballë. Por nuk ka të dhëna se nëse ka patur ndonjë tërmet me epiqendër në det. Tërmeti i fundit nuk u shkaktua në det por poshtë qytetit. Në këto kushte, kush na garanton se nuk do të ketë një tërmet me epiqendër në det? Asnjëri! Durrësi, rrjedhimisht, përballet me dy variante, nëse kërkon të parandalojë dëmet e cunameve të mundshme: ose të ngrejë duma në bregdet dhe të ndalojë ndërtimin e pallateve dhe hoteleve atje ose të ndërtojë në kodrat rreth tij, ose, meqënse qyteti tashmë është ndërtuar, një pjesë e mirë e të cilit është dhe do të jetë “fantazmë”, të mendohet për mbrojtjen e tij ndërsa ndërtohet në kodra dhe jo në ultësirë. Holandezët po përdorin dumat për të parandaluar valët e detit nga ndryshimet klimatike. Ne mund të mësojmë nga ata. Por në vend të mësojmë - vazhdojmë të përsërisim marrëzinë e pararendësve (nga kjo marrëzi përjashtohen ilirët dhe pellazgët - ata ndërtonin, për arsyet që kam citur në këtë studim, në majë kodrash dhe malesh): sepse qeveria “Rama” po konsideron ndërtimin e një qyteze të re për të pastrehët në ish-kënetë!

Zhvendosja magnetike e Polit Verior, dobësimi i fushës magnetike të Tokës dhe tërmetet

Përditësuar*

[1]Plate tectonics: When we discovered how the Earth really works, BBC, 2 October 2017.

[2]New seismic phenomenon discovered, named stormquakes, National Geographic, October 16, 2019.

[3]Metorology, f, 8.

[4]Buildings can be designed to withstand earthquakes, New York Times, June 7, 2019.

[5]Tsunamis: Threats and Management, f, 66, Jagbir Singh, 2009.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA