...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Filozofia e “Dëshmitarëve të Jehovait” dhe efektet e dëmshme në jetët e fetarëve

Dhe duke ditur se shugurimin ia lënë ndjesisë dhe ndjesinë përkatëse mund ta përjetojnë të gjithë, meqë besimi në vetvete shkakton vegime dhe ndjesi të tilla, dhe ndjesitë nuk mund të vërtetohen tek të tjerët, (p.sh., të regjistrohen dhe dëshmohen nga të tjerët), fetarët përkatës përballen me “fatin” e tyre—domethënë, ngaqë besojnë dhe me besimin e tyre shumë shkaktojnë vegime dhe ndjesi shuguruese, ata besojnë se do të ringjallen dhe kështu futen në procesin e vetflijimit. Nga këndvështrimi i tyre, rrjedhimisht, njerëzit që vetflijohen paraqesin shpresë meqë ata vërtetojnë se Zoti ekziston —meqënse ai i ka shuguruar— ndërsa besojnë se fundi i botës po afron. Nga ky ‘fund’ ata do të “ngadhënjejnë” dhe do të “sundojnë” botën e re!

Ylli Përmeti

08/07/2020 - 16:25

Vetflijimi i familjes nga Përmeti tronditi më shumë se çdo ngjarje tjetër shoqërinë tonë por me siguri jo njerëzit që kuptojnë efektin e besimit dhe natyrën njerëzore. Në këtë rast bëhet fjalë për “besim fetar” dhe jo “besim shkencor”; besimi i parë ndryshon kryekëput nga besimi i dytë sepse i pari mbështetet tërësisht në të “vërteta” që zbresin nga Zoti përmes ndërmjetësve të tij (Krishtit, Muhametit etj.), që janë shkruajtur në libra fetarë si Bibla dhe Kurani dhe libra të tjerë ndërsa i dyti mbështetet tërësisht në të vërteta që zbulohen nga vetë njerëzit. Megjithëse librat fetarë nuk i përjashtojnë të vërtetat që zbulojnë vetë njerëzit, besimi fetar pranon si autoritet përfundimtar të vërtetën e Zotit ndërsa besimi shkencor njeriun.

Kështu njerëzit krijojnë besime nga pararendësit dhe nga perceptimi i botës që i rrethon. Por që të jenë kritikë ndaj besimeve që krijojnë - ata duhet të pajisen me aftësi shkencore—domethënë, aftësinë që kuptimit të pararendësve i japin një kuptim tjetër nëse ai nuk është shkencor. Por shumica e njerëzve nuk janë të aftë të fitojnë mendësi shkencore dhe të kuptojnë dukuritë sociale dhe fizike. Librat fetarë nuk i pajisin fetarët me vegla teorike që të aftësohen pavarësisht se mbështesin zhvillimin e arsyetimit shkencor të njeriut ndërsa shkollat laike kanë mangësi në këtë drejtim. Kjo është arsyeja se pse fetarët pranojnë të “vërtetat” e dhëna nga pararendësit dhe nuk zhvillojnë aftësinë e tyre shkencore. Dhe kjo është arsyeja se pse ata nuk janë kritikë ndaj të “vërtetave” që marrin nga pararendësit dhe nga bota që i rrethon.

Kujtoj se besimi është i natyrës (1) shqisore (kur besojmë në çka perceptojmë me shqisa); (2) ndijimore (kur besojmë në ndjenjat tona); dhe (3) mendore (kur besojmë perceptimin mendor). Nga këta tre lloj besimesh, fetarët përdorin kryesisht besimin ndijimor. Kjo është arsyeja se pse ata vegimet e pararendësve i besojnë. Vegimet janë të natyrës imagjinare dhe përftohen në vetëdije kryesisht kur meditojmë sesa kur flemë apo kur ndërveprojmë ndërgjegjshëm me botën që na rrethon.

Le t`i kthehemi, tani, ngjarjes që tronditi shoqërinë tonë duke patur në mendje premisat e parashtruara: vetëflijueset ishin të besimit të doktrinës së re që ka lindur dy shkekujt e fundit—“Dëshmitarëve të Jehovait”. Kjo është një doktrinë fetare që frymëzohet nga Bibla dhe nga disa teologë të botës moderne. Ja si e paraqet Enciklopedia Britanike atë:                

Dëshmitarët e Jehovait janë krijuar tre shekujt e fundit. Ata frymëzohen nga parashikimet e para të William Miller i cili deklaroi se Jezu Krishti do të kthehësh në vitet 1843 ose 1844. Në fillimet e saj lëvizja u quajt “Zbritje” ose “Ardhje” e birit të perëndisë në tokë. Por kur Krishti nuk zbriti siç parashikoi Miller, Zbritësit u ndanë në fraksione të ndryshme. Përgjatë vitit 1870 Charles Taze Russel themeloi veten si një mësues i pavaruar dhe kundërthënës i Zbritjes. Ai refuzoi besimin në ferr si vend i vuajtjes së përhershme dhe adoptoi një teologji jo-trinitare e cila mohon hyjninë e Jezusit [doktrina Trijëse argumenton se Zoti është një Zot por përbëhet nga tre presona të bashkëpërjetshëm ose hipostaza —Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë]. Ai interpretoi ardhjen e dytë në përputhje me përkthimin e fjalëpërfjalshëm të termit grek ‘parousia’ (“shfaqje”), duke nënkuptuar se Krishti do të vinte si një paraqitje e padukshme dhe se Shfaqja, ose “Agimi Mijëvjeçar” kishte ndodhur tashmë në vitin 1874. Ardhja e padukshme e Krishtit, sipas tij, shënoi fundin e rendin aktual të shoqërisë e cila do të pasohet nga paraqitja e dukshme e tij dhe themelimi i mbretërisë mijëvjeçare në tokë në vitin 1914. Megjithëse mbretëria nuk erdhi, mësimet e Ruselit nxitën një numër vullnetarësh të qarkullonin libra dhe pamflete dhe revista, “The Watchtower” ose “Vrojtore”, duke rillogaritur kohën e Shfaqjes. Frymëzuesit e kësaj doktrine dhe organizate fetare kanë themeluar shkolla dhe një orgnaizatë që drejtohet në mënyrë hierarkike. Në shkolla trajinohen misionarët dhe udhëheqsit ndërsa në krye të saj qendron presidenti. Shekullin e kalur presidenti i organizatës shpalli se librat dhe artikujt do të publikoheshin pa emër dhe hartoi programe për trajinimin e Dëshmitarëve për të mësuar fe-ndërrimin e njerëzve. Nën drejtimin e Nathan Homer Knorr një grup Dëshmitarësh prodhuan një përkthim të ri të Biblës.

Në të njëjtën enciklopedi tregohet dhe karakteri i besimit përkatës por BBC-ja e tregon më të plotë. Sipas saj, Dëshmitarët e Jehovait e shikojnë veten si vëllazëri botërore që kalon kufijtë kombëtar dhe besnikëritë kombëtare. Ata besojnë se meqë Krishti shpalli se mbretëria e tij nuk ishte pjesë e botës [...] dhe refuzoi të pranonte një kurorë të përkohshme, ata gjithashtu duhet të qendrojnë të ndarë nga bota dhe frenohen në përfshirje politike. Si shumë kisha reformuese, Dëshmitarët besojnë jetët dhe besimet e tyre mbi shembullin e Kishës së hershme kristiane dhe fjalët e Biblës...besojnë se Bibla u frymëzua nga Zoti dhe historikisht është e përpiktë. Ata e shikojnë Biblën si rruga kryesore në të cilën Zoti komunikon dëshirën e tij tek njerëzit dhe ata e interpretojnë atë fjalëpërfjalshëm (përveç pasazheve që kanë kuptim simbolik ose poetik). Dëshmitarët verifikojnë çdo ide fetare ose mësim kundrejt Biblës – nëse një ide ose mësim nuk pajtohet me Biblën atëherë ata e shohin atë si të gabuar...Bibla tregon se Qenia Absolute, Zoti i Plotëfuqishëm, Krijuesi që krijoi universin, është autor i Biblës. Ai thjesht përdori shkrimtarët e Biblës si shkrimtarët e tij, duke i lëvizur ata me fuqinë e tij aktive të shkruanin çka ai dëshironte...Dëshmitarët kanë përkthimet e tyre të Biblës – Përkthimin e Ri Botëror të Shkrimeve të Shenjta. Ata i referohen ‘Dhjatës së Re’ si Shkrime Kristiane Greke, dhe ata e quajnë ‘Dhjatën e Vjetër’ si Shkrime Hebraike. Ndërsa ata nuk i shohin ata si shkrime të shenjta, Dëshmitarët respektojnë shumë artikujt e ndryshëm doktrinal të publikuar nga “Vrojtorja”. Librat e Cherles Taze Russell-it mbi studimet e Shkrimeve të Shenjta respektohen por nuk kultivohen më ose besimtarët nuk mbështeten më mbi ta. Për Zotin ata besojnë se: Zoti, Ati (emëri i të cilit është Jehovah) është Zoti i vetëm i vërtetë. Krishti, është biri i tij i parë, qendron poshtë Zotit, dhe u krijua nga Zoti. Shpirti e Shenjtë nuk është person; është forca aktive e Zotit...ideja tradicionale kristiane se Zoti është një ‘Trini’ i Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë është e gabuar dhe bazohet në ide pagane. Doktrina e Trinisë është e papërputhshme me Biblën..dhe është në kontradiktë me besimin dhe mësimin e profetëve, Jezusit dhe apostujve të Krishterëve të hershëm...Dëshmitarët besojnë se kur një njeri vdes, qënia e tij ndalon tërësisht, sepse Bibla e bën të qartë se qeniet njerëzore nuk kanë një shpirt të pavdekshëm dhe mbijeton kur trupi vdes. Dëshmitarët besojnë se Ferri (siç portretizohet tradicionalisht) nuk ekziston. Atje s`ka vend ku mëkatarët vuajnë pas vdekjes — meqë ekzistenca e tyre ndalon, asgjë nuk mund të bëhet ndaj tyre apo për ta. Dëshmitarët gjithashtu argumentojnë se do të ishte tërësisht kundër natyrës së Zotit të torturohen njerëzit përjetësisht.

Por vdekja nuk është fundi i gjithçkaje: çdo njeri mund të kujtohet nga Zoti dhe në fund të ringjallet. Kjo dëshmohet qartë nga Jezusi: “vjen çasti në të cilin të gjithë ata në varret përkujtimor do të dëgjojnë zërin [e Jezusit] dhe do të dalin jashtë, [kështu] ata që bën gjëra të mira do të shkojnë në një jetë të ringjallur, ata që bën gjëra të këqija në ringjallje gjykimi (John 5:28-29).

Shumica e besimit të Dëshmitarëve përqendrohet në ‘Fundin e Kohërave’ ndërsa citojnë një numër të datave të kaluara si Biblikisht të rëndësishme, megjithëse ata nuk kanë cituar në terma se kur pritet fundi i botës. Ata besojnë se fundi kohërave filloi në vitin 1914 por ata kuptojnë se shumica e njerëzve nuk janë në dijeni të këtij fundi. Ata besojnë se kur të vijë përfundimisht ‘Fundi’ vetëm 144,000 njerëz do të shkojnë në Qiell dhe sundojnë Tokën nga atje me Krishtin — këta njihen si të shuguruar dhe ata e dinë drejtëpërdrejtë nga Zoti se ai ose ajo është zgjedhur—ose ata e ndiejnë se janë shuguruar dhe si të tillë marrin pjesë në kujtimin e vdekjes së Krishtit ku shijojnë bukë dhe verë. Shumica e tyre nuk janë të shuguruar dhe nuk do të shpenzojnë përjetësinë në qiell. Ata do të shpenzojnë përjetësi në parajsën e Tokës.  

Kështu, ndërsa profecitë e “dijetarëve” përkatës —për fundin e botës— nuk janë vërtetuar dhe për të njëjtën arsye ata ndryshojnë qendrim duke shtuar se fundi ka filluar por nuk është kuptuar nga njerëzit dhe duke nënkuptuar se është kuptuar nga ata, fetarët përkatës nuk i shqetëson ky fakt por vazhdojnë të besojnë në ringjallje, madje përqendrohen më shumë se në gjithçka tjetër tek ringjallja. Dhe duke ditur se shugurimin ia lënë ndjesisë dhe ndjesinë përkatëse mund ta përjetojnë të gjithë, meqë besimi në vetvete shkakton vegime dhe ndjesi të tilla, dhe ndjesitë nuk mund të vërtetohen tek të tjerët, (p.sh., të regjistrohen dhe dëshmohen nga të tjerët), fetarët përkatës përballen me “fatin” e tyre—domethënë, ngaqë besojnë dhe me besimin e tyre shumë shkaktojnë vegime dhe ndjesi shuguruese, ata besojnë se do të ringjallen dhe kështu futen në procesin e vetflijimit. Nga këndvështrimi i tyre, rrjedhimisht, njerëzit që vetflijohen paraqesin shpresë meqë ata vërtetojnë se Zoti ekziston —meqënse ai i ka shuguruar— ndërsa besojnë se fundi i botës po afron. Nga ky ‘fund’ ata do të “ngadhënjejnë” dhe do të “sundojnë” botën e re!

Kjo është arsyeja se pse ata janë një viktimë e mundshme dhe për pasojë, ky lloj besimi është i padëshirueshëm jo vetëm për besimtarët përkatës por dhe për shoqërinë ku jetojnë meqë jetojnë me të por pa të dhe meqënse nuk përfshihen në botën politike dhe sociale të saj ndërsa presin ‘fundin’ e botës—një arsye tjetër se pse si besim është i padëshirueshëm: sepse ne vërtet gjendemi përballë katastrofës ekologjike në të cilën ata kontribuojnë gjithashtu dhe për të cilën nevojiten veprimtarë për ta ndaluar dhe jo të presin shkatërrimin e plotë të saj nga ku s`kanë asnjë mundësi për të dalë “ngadhënjimtarë” dhe “sundimtarë”...

Kështu, meqënse profecitë kanë dështuar, Vrojtorja e doktrinës paraqiti në vitin 2010 Teorinë Mbihipëse të Gjeneratave sipas së cilës “fundi do të vijë përpara vdekjes së çdonjërit që është gjallë në të njëjtën kohë që ishte gjallë në vitin 1914”...ndërsa përballet me procese gjyqësore nga viktimat të cilët thonë se politika e organizatës ka lejuar dhe mbrojtur shpërdoruesit. Në një letër të vitit 1997 organizata dekurajonte të vjetrit (ose trupën qeverisëse) të raportonin shpërdorime ndaj autoriteteve civile duke shfrytëzuar Biblën se: atje është ‘një kohë për të heshtur’, kur ‘fjalët e tua duhet të provojnë për të qenë pak’ (Eccelesiastes 3:7; 5:2). ‘Përdorimi i gabuar i gjuhës nga një i vjetër mund të rezultojë në probleme serioze ligjore për individin, grigjën, dhe qoftë për shoqërinë’.

Pedofilia mes tyre ndërkohë lulëzon. Numri i përpiktë është spekuluar por në vitin 2002 një ish-i vjetër tha se numri ishte 23,720. Vrojtorja nuk komentoi në atë kohë numrin përveç se ishte “mjaft më i ulët”. Autoritetet amerikane nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim ligjor kundër organizatës por vende të tjerë kanë filluar hetimet. Në vitin 2016 një komision mbretëror në Australi gjeti se Vrojtorja tregoi një “dështim serioz” për mbrojtjen e fëmijëve duke përfshirë mosraportimin e më shumë se 1,000 kriminelëve të pretenduar të shpërdorimit seksual (më shumë se gjysma e tyre kanë pranuar shpërdorimin) dhe të paktën 1,800 viktima që në vitin 1950. Në vitin 2014 Komisioni Bamirës Britanik çeli dy hetime, njëri është në proces. Në Holandë ministri i drejtësisë nxiti Vrojtoren të realizojë një hetim të pavarur për qindra pretendime shpërdorimesh të realizuara përmes një linje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë me kriminelët. Vrojtorja refuzoi! 

Dhe nëse ndonjë Dëshmitar ose anëtar i organizatës akuzon sektin ose trupën qeverisëse të të vjetërve për hipokrizi për pranimin e mbajtjes së lidhjeve sekrete me një organizatë që ata vazhdojnë ta denoncojnë në terma apokaliptik, ata çemërohen duke i quajtur antikrishtarë (“scarlet beast”) siç quhen në librin e Zbulimit ose apostatë. Për këtë akuzë organizata parandaloi një hetim të OKB-së. Organizata ka rreth 6 milionë anëtarë në gjithë botën. Ajo ka bashkëpunuar fshehtas me OKB-në si një OJQ për 10 vjet, sepse sipas saj, quhet një gjë e neveritshme në sytë e Zotit dhe njerëzve të tij, sepse frymëzon dominimin e botës si Babilonia, antikrishti në Zbulesë. Vetë OKB-ja e liston, ndërkohë, organizatën si OJQ. Doktrina ndalon transfuzionin e gjakut sepse beson se pranimi i gjakut çon në dëbim dhe dënim. Për të njëjtën arsye kanë vdekur shumë fëmijë të sapo lindur, nëna dhe besimtarë të tjerë në nevojë për gjak.

Në vend të qasjes “shkencë vs. fesë” në median kombëtare mbizotëroi qasja se populli ka nevojë për edukim fetar meqë ai është padije lidhur me fetë. Nuk e shtruan, në fjalë të tjera, çështjen se të vërtetat fetare kanë burim vegimet dhe jo arsyetimin shkencor; sepse mes vegimeve dhe arsyetimit shkencor qendron një ndryshim mjaft i madh: në rastin e parë njeriu përjeton një vegim i cili mund të jetë shkaktuar nga vetë ai nëse ai beson në Zot, vegim që nuk mund të vërtetohet ndryshe përveç se ta besosh kur ta rrëfen tjetri ndërsa në rastin e dytë njeriu përjeton një fakt të cilin mund t`ia tregojë tjetrit dhe ta vërtetojë faktin kur të dojë. Ky është, në fjalë të tjera, ndryshimi i madh i besimit fetar dhe besimit shkencor. Parë nga kjo qasje, fetë riprodhojnë vegimet e disa njerëzve dhe i paraqesin si të vërteta të zëbritura nga Zoti dhe ftojnë njerëzit t`i ndjekin! Por është e qartë se bëhet fjalë për vegime që nuk mund t`u besohet sidomos kur pretendimet e besimeve në fjalë nuk vërtetohen si në rastin e profecive fetare: sepse për fundin e botës në të cilën jetojmë flasin të gjitha fetë e mëdha (kiamet etj.) dhe fetarët s`kanë se si mos ta besojnë kur nuk kanë dije shkencore për “fundin” përkatës...të kuptojnë se pse, për shembull, profecitë kanë dështuar. Në këtë mënyrë krijuan idenë se fetë e mëdha janë të domosdoshme dhe të drejta ndërsa sektet jo - duke shpërnjohur faktin se sektet frymëzohen përgjithësisht nga fetë e mëdha!         

Media kombëtare (Top Channel) e shtrembëroi më shumë të vërtetën kur pa se shumica e njerëzve tregonte fenë si shkak të vetflijimit duke përdorur një argument të një psikiatri se njëra nga vajzat vuante nga depresioni. Duke lënë mënjanë faktin se vetëm njëra kishte vuajtur nga depresioni dhe faktin se ajo ishte kuruar me antidepresantë dhe pas një muaji kishte dalë shëndosh e mirë nga klinika e psikiatrit, gazetarja shtyu psikiatrin të pohonte se shkak i vetflijimit ishte depresioni dhe jo besimi fetar! Në fakt gazetarja kishte çdo arsye ta shtrembëronte të vërtetën sepse është vetë fetare. Kështu ndërsa psikiatri pranoi se e kishte kuruar (‘shëruar’ argumentoi mjeku) për një kohë të shkurtër njërën nga viktimat gazetarja i përfshiu të treja në diagonozën e depresionit dhe nxorri përfundim se shkaku i vetflijimit ishte depresioni dhe jo besimi fetar! Bashkë me gazetaren u bë palë gjithë telelvizioni...kombëtar dhe e vuri “zbulmimin” e gazetares kryelajm! 

Përfundime

Përmblethtas, doktrina përkatëse paraqet një sfidë tjetër për shoqëritë meqënse fetarët nuk zhvillojnë arsyetim shkencor dhe si të tillë nuk mund të jenë kritikë kundrejt saj. Media dhe universitetet ndërkohë nuk mund ta ndihmojnë njeriun për sa kohë që nuk kanë gjeneruar dije shkencore! Sidoqoftë, kjo analizë tregon qartë efektin e saj të dëmshëm tek besimtarët dhe shkaqet e efekteve përkatëse pavarësisht se media po mundohet të mos tregojë karakterin e fesë ose besimit në doktrina fetare. Në vend të saj, media po mundohet ta lidhë ngjarjen përkatëse me shkaqe ekonomike (meqënse ishin pushuar nga puna); shkaqe psikoze por pa sqaruar psikozën përkatëse (psikologët) dhe shkaqe dëshpërimi ngaqë vite më parë kishin humbur babain nga një tjetër vetvrasje (kështu u mundua ta lidhte një pastor në një program telelviziv) pa pyetur fare se si e koncepton fetari përkatës vetvrasjen, sepse është e qartë se e koncepton si ringjallje dhe për pasojë vetëm dëshpërim nuk mund të shkaktojë humbja e njëriu fetar...qartësisht, feja përkatëse duhet të përballet me të vërteta shkencore që të ruhet jeta e njerëzve. Ndryshe, viktima të tjera na presin!

Veçanërisht kështu kur dihet se në Shqipëri veprojnë 611 grupe fetare ku përfshihen 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet. Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Marrëveshja e parë e shtetit shqiptar me një komunitet fetar ishte ajo “Ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Në vijim, shteti shqiptar lidhi në vitin 2009 marrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella me tre komunitete të tjera: Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH), Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane (KBB), e më pas në vitin 2011 u lidh marrëveshja me Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë. 

Është marrëveshja e fundit që hedh dritë edhe mbi kontrollin e financave të këtyre grupeve fetare. Në të përcaktohet se komunitetet fetare dhe personat juridikë të tij përjashtohen nga të gjitha llojet e taksave, për aq kohë sa aktiviteti i tyre rezulton jofitimprurës. Për veprimtaritë me karakter institucional, si: ushtrimi i kultit, drejtimi dhe administrimi i komunitetit, veprimtaria fetare, humanitare dhe bamirëse, formimi i klerit, mësimi i teologjisë dhe i shkencave fetare, komunitetet dhe personat juridikë të themeluar prej tyre nuk janë të detyruar të mbajnë regjistër kontabël dhe t’u nënshtrohen standardeve administrative të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për këtë çështje. Si pasojë, për të tilla veprimtari ato nuk e kanë detyrim që të paraqesin bilancin kontabël vjetor tek organet kompetente shtetërore dhe as ta depozitojnë atë pranë organizmave shtetërorë të caktuar nga legjislacioni në fuqi. Këto dhe privilegje të tjera, komunitetet fetare i gëzojnë pasi nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA