Si e plaçkiti Serbia ekonominë e Kosovës?
Për t’ia dhënë formën juridike plaçkitjes, shteti i Serbisë miratonte ligje të caktuara: për reformën agrare dhe kolonizimin; për fondin e tokës bujqësore dhe ndarjen e tokave; për shtetëzimin e uzinave, kullotave dhe pyjeve të fshatrave; për shpronësimin; për marrjen e pasurisë së paluejtshme të “armiqve’’; për sekuestrimin e pasurisë së personave që mungonin nga pronat e veta
Adil Fetahu
07/02/2024 - 13:28
Gjatë tërë periudhës 87-vjeçare të pushtimit të Kosovës nga Serbia fashiste (1912 – 1999), pasuritë natyrore, nëntokësore e mbitokësore të Kosovës, si dhe burimet njerëzore (fuqia e lirë punëtore) janë shfrytëzuar në mënyrën më të vrazhdë e të pamëshirshme. Zgjërimi i territorit të shtetit dhe shfrytëzimi` pasurive ishin motivi kryesor i pushtimit dhe i mbajtjes nën pushtim. Dhe ai shfrytëzim është zhvilluar në mënyra të ndryshme, varësisht nga mundësitë e shtetit të Serbisë dhe nga klima politike në periudha të caktuara.
Për t’ia dhënë formën juridike plaçkitjes, shteti i Serbisë miratonte ligje të caktuara: për reformën agrare dhe kolonizimin; për fondin e tokës bujqësore dhe ndarjen e tokave; për shtetëzimin e uzinave, kullotave dhe pyjeve të fshatrave; për shpronësimin; për marrjen e pasurisë së paluejtshme të “armiqve’’; për sekuestrimin e pasurisë së personave që mungonin nga pronat e veta etj. Dhe të gjitha këto ligje e dispozita të tjera dhe masa të ndërmarra të shtetit të Serbisë ishin drejtuar kundër popullit shqiptar, me qëllim që t’ua bënte të pamundshme jetesën e të detyroheshin të shpërnguleshin për në Tuqi, Shqipëri apo gjetkë. Dhe këto prodhuan pasoja katastrofale në dëm të popullit shqiptar.
Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, Serbia ka shfaqur e zbatuar format më të pabesa të shrytëzimit të pasurive dhe të kapitalit të ekonomisë, të punëtorëve dhe të qytetarëve të Kosovës. Pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ndaloi organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor të Kosovës ( 5 korrik 1990), Kuvendi dhe Qeveria e Serbisë, zbatuan masa të dhunshme në të gjitha subjektet ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore dhe në sferat e tjera të jetës shoqërore në Kosovë, dhe pastaj i integroi ato në sistemin e subjekteve të Serbisë.
Krahas shfrytëzimit të pasurive natyrore të Kosovës dhe shfrytëzimit të pasurisë së qytetarëve të Kosovës përmes tatimeve, taksave, kontributeve, gjobave, një formë e posaçme e plaçkitjes së kapitalit shoqëror të ekonomisë së Kosovës është zbatuar përmes transformimit të pronës shoqërore të subjekteve ekonomike të Kosovës dhe integrimit të tyre me subjektet shtetërore ose ekonomike të Serbisë.
Masat e “përkohëshme’’ (dhunshme)
Në mesin e programeve dhe ligjeve diskriminuese të Serbisë, të miratuara në vitin 1990, ishin edhe 1) Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme (‘Sl.glasnik RSS’, nr.30, dt.26 qershor 1990, dhe 2); Ligji mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme (‘Sl.glasnik RSS’,nr.40,dt.26 korrik dhe nr.54, dt.27 shtator 1990).
Duke u mbështetur në ligjet e përmendura e të tjera dhe në dhunën e zbatuar, Kuvendi i Serbisë deri në fund të vitit 1992, mori 367 vendime për zbatimin e masave “të përkohshme” (të dhunshme) në 460 kolektive punuese të Kosovës. Prej 367 vendimeve, 237 kishin të bënin me ndërmarrjet ekonomike, 101 me institucione arsimore, shëndetësore, kulturore; 20 me kombinatet dhe kooperativat bujqësore: dhe 9 me shtëpitë informative (kujtohen skenat filmike të nga uzurpimi i RTV të Prishtinës). Masa të dhunshme u ndërmorën edhe më vonë, derisa nuk mbetën as çerdhet e fëmijëve as organizatat e Kryqit të Kuq pa i futur nën masa të dhunshme!
Me ato vendime u shkarkuan nga detyra dhe u përjashtuan prej pune të gjithë drejtorët dhe kuadrot e tjerë udhëheqëse e profesionale shqiptare e në vend të tyre u caktuan serbë e malazezë, edhe asi kriminelë të ikur nga lufta që zhvillohej në Kroaci. Shumica e tyre nuk kishin përgatitje profesionale, por mjaftonte vetëm të ishin serbë ose malazezë! Në ndërmarrjet në të cilat drejtorë e udhëheqës të tjerë ishin serbë ose malazezë, ata nuk u ndërruan nga pozitat, por vetëm se u “avancuan” në status të organeve të dhunshme. Organet e dhunshme vazhduan me largimin e punëtorëve shqiptarë nga puna, punësimin e serbëve nga Kosova, nga Serbia, refugjatë nga Kroacia, madje edhe serbë nga Rumania!
Nga 164.000 punëtorë shqiptarë sa ishin në marrëdhënie pune në sektorin shoqëror në fund të vitit 1989, deri në fund të vitit 1992 u larguan prej pune më se 130.000, pa pasur asnjë të drejtë materiale apo sociale nga marrëdhënia e punës. Për shkak të largimit prej pune të prindërve të tyre, më se 278.000 fëmijëve shqiptarë iu ndërpre pagesa e shtesave fëminore. Më se 700 punëtorëve të larguar prej pune, iu morën banesat shoqërore në të cilat ata kishin jetuar me familjet e tyre.
Integrimet e dhunshme
Pasi me masa të dhunshme u ndërrua e tërë struktura kombëtare e udhëheqësve dhe e punëtorëve, në dëm të shqiptarëve e në dobi të serbo-malazezëve, organet e dhunshme bënë ndryshime organizative e pronësore dhe integrimin e organeve, institucioneve dhe ndërmarrjeve të Kosovës me ato të Serbisë. Qëllimet ishin të natyrës strategjike-politike, ndërsa veprimet ishin jashtë çdo logjike juridike dhe ekonomike.
Ndonëse me asnjë ligj nuk parashihej si i detyrueshëm transformimi dhe integrimi, Qeveria e Serbisë, përmes ministrive të linjave të caktuara dhe përmes Fondit për Zhvillimin e Republikës së Serbisë (që ishte një institucion parashtetror për kolonizimin e Kosovës), dhe Oda Ekonomike e Serbisë, me instruksione politike e udhëzime administrative të detyrueshme, i detyruan organet e dhunshme nëpër ndërmarrjet e Kosovës, që sa më parë ta kryenin transformimin, integrimin dhe bartjen e kapitalit të kolektiveve punuese të Kosovës - në pronësi të subjekteve shtetërore ose ekonomike të Serbisë.
Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, që konceptualisht dhe me program ishte i orientuar në shërbim të rikolonizimit të Kosovës, me një direktivë të detyrueshme (23.X.1992), të cilën e quante ‘’Udhëzimi për mënyrën dhe procedurën e lidhshmërisë përmes kapitalit shoqëror të ekonomisë së Kosovës e Metohisë me ekonominë e Republikës së Serbisë dhe me Fondin për Zhvillim,- i detyronte të gjitha ndërmarrjet ekonomike të Kosovës, të cilat nuk ishin integruar deri atëherë, që jo më vonë se 15 dhjetor 1992, të kryerin ristrukturimin dhe integrimin me ekonominë e Serbisë!
Si bëhej bartja e kapitalit të Kosovës në pronësi të Serbisë?
Me ‘’Ligjin mbi kushtet dhe procedurën e ndryshimit të pronës shoqërore në mënyra të tjera të pronës’’ (‘Sl.glasnik RS’, nr.48/1991), parashihej që:
a) Së paku 51% e vlerës së kapitalit të bartej në ndërmarrjet e Serbisë, ose në Fondin për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, ndërsa
b) Për pjesën tjetër të kapitalit (49%) të emetohen aksione, një pjesë e të cilave t’iu jepen (gratis ose shiten) punëtorëve, dhe mjetet e fituara nga shitja e tyre, n’afat të caktuar me ligj të paguhen në llogari të:
- Fondit për Zhvillimin e Republikës së Serbisë (60%),
- Fondit për Pensione të Republikës së Serbisë (30%), dhe
- Fondit të Tregut të Punës të Republikës së Serbisë (10%).
Me këto teknika manovrimi, i tërë kapitali i ndërmarrjeve të Kosovës realisht shkonte në dobi të subjekteve të Serbisë. Por shumica e organeve të dhunshme, edhe nominalisht e bartnin atë kapital në subjekte të Serbisë mbi minimumin ligjor (51%), 70, 80 e diku edhe 100%. Të marrim shembullin e Ndërmarrjes së Rrugëve “Magjistrala” të Prishtinës, e cila 51% të kapitalit ia kishte bartur Fondit për Zhvillim të RS, ndërsa 39% ia kishte bartur në pronësi Drejtorisë së Rrugëve të Serbisë, me seli në Beograd. Edhe më drastik ishte rasti i 17 ndërmarrjeve (kombinateve) bujqësore të Kosovës, të cilat ia kishin bartur 100% kapitalin e tyre në pronësi Korporatës PKB të Beogradit!
Se integrimi bëhej pa kurrfarë logjike ekonomike, por vetëm sipas tekave të udhëheqësve të dhunshëm, tregon shembulli i Ndërmarrjes “Metamb” e Prishtinës, e cila 9% të kapitalit ia kishte bartur Fondit për Zhvillim të RS, ndërsa nga 10% ua kishte bartur në pronësi ‘’Zorkës’’ së Shbacit, ‘’Valaonicës Aluminit’’ të Sevojnos, ‘’Srpska fabrika stakla’’ të Paraçinit, ‘’Voda Vrnjci’’ të Vërnjaçka Banjes, dhe ‘Fabrikës së Biçikletave ‘’Elan’’ të Suboticës!
Në procesin e transformimit organizativ e pronësor dhe të integrimit të dhunshëm të ndërmarrjeve të Kosovës me ato të Serbisë, janë bërë keqpërdorime e keqvlerësime nga më absurdet e mundshme. Shembull i këtij absurdi është rasti i “Mineksit” të Ferizajt, i integruar me “Bambin” e Pozharevcit. Drejtori i “Bambit”, njëfarë Petar Tutavac, bashkë me gruan e tij (Gjurgja, pensioniste) dhe djalin (Nenadin), që asnjë prej tyre nuk kishin punuar kurrë në Mineks, kishin marrë (pa pagesë) aksione të Mineksit: drejtori Tutavac 531.919 aksione dhe gruaja e tij dhe djali i tyre, secili nga 54.151 aksione, kurse të gjithë 126 punëtorët e “Mineksit” (së bashku) kishin marrë 42.250 aksione!
Çdo koment për absurditetin – është i tepërt.
Me rastin e integrimit të ndërmarrjeve të Kosovës me ato të Serbisë, u bartën edhe teknologjia dhe mjetet e punës dhe stabilimentet më moderne që kishin pasur ndërmarrjet e Kosovës. Ai proces iu mundësoi pasurimin ndërmarrjeve dhe individëve në Serbi, por edhe disa serbëve në Kosovë. Nga ai proces, ndërmarrjet e Kosovës e humbën subjektivitetin e tyre juridik dhe drejtoheshin me ‘teledirigjim’ nga Beogradi.
Nga vjedhjet, plaçkitjet dhe shkatërrimi dhjetëvjeçar, ndërmarrjet kosovare u sollën në gjendje rrënimi të vërtetë. Këtë fakt e pohonin punëtorët por edhe udhëheqësit e organeve serbe asokohe. Drejtori i Fondit për Zhvillim të RS (Branko Hiniq), në një mbledhje me drejtorët e ndërmarrjeve dhe me ministrat e qeverisë së Serbisë, mbajtur në Prishtinë më 28 shkurt 1997, kishte pohuar se:
- Gjendja në ekonominë e Kosovës ishte si ajo e viteve të gjashtëdhjeta,
- Prodhimi shoqëror ishte përgjysmë më i vogël se i viteve të shtatëdhjeta,
- investimet në ekonomi ishin zvogëluar për 13 herë,
- Shfrytëzimi i aftësive prodhuese ishte vetëm 10%,
- Prodhimi ishte joracional,
- Mungonin kuadrot me përgatitje universitare,
- Konsolidimi financiar dhe investimet nuk mund të japin më rezultate!
***
Një pasqyrë më të gjërë e të gjatë të asaj forme e mënyre të plaçkitjes së kapitalit shoqëror të ekonomisë së Kosovës, me shifra e fakte nga dokumentet zyrtare të Serbisë, e kam bërë në një studim timin më të gjatë, të cilin e kam paraqitur në Këshillimin Shkencor të Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës: ‘’Proceset integruese në botë dhe tranzicioni në vendet socialiste’’, mbajtur në Prishtinë më 12-13 korrik 1997. Studimi është botuar në Përmbledhjen e punimeve nga ai Këshillim. Në atë studim, pjesën tekstuale e kam ilustruar me tabela të 38 ndërmarrjeve, të rasteve më karakteristike, të integrimit dhe bartjes së kapitalit, me të dhëna të sakta zyrtare: për datat, emrat e subjekteve, vlerësimin e shumës së kapitalit dhe përqindjet e bartura në subjektet e Serbisë. Këtu, nuk do ta japim tabelën, për shkak të vëllimit të këtij shkrimi.
Për ata që e kanë përjetuar atë gjendje, le të jetë një rikujtim, ndërsa për të tjerët – le të jetë njoftim.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 63 reads