...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Deliri` madhështisë së Kurtit dhe ‘skenari’ amerikan për veriun

Ndërsa SHBA dhe Kuinti i kishte njohur zgjedhjet në veri; duke i njohur mandatin legal të zgjedhjeve kryetarëve shqiptarë dhe po zhvillohej “Euro-Defenderi” si kumt i qartë për Serbinë dhe Rusinë, Albin Kurti vendosi të hidhet “kokë më vete” në një aventurë heroike kur skenari amerikan ishte menduar perfekt në favorin e shtetit të Kosovës dhe, nëse mund të themi, “shtrirjes së sovranitetit”.

Labinot Gjini

05/06/2023 - 13:53

“Unë jam i zgjedhuri i popullit sirian, jo John Kerry”, tha Bashar Al Assad përgjatë kohës së luftës në Siri. Albin Kurti tha se “unë jam i zgjedhur nga popullit, jo i emëruar nga ambasadori amerikan”. Këto dy deklarata janë bërë në kohë të ndryshme dhe kronologjia nuk lë asnjë dyshim se kush është kopjuesi dhe kush i kopjuari. Por kjo ka pak rëndësi; sepse e rëndësishme është se këto dy deklarata janë kopja e njëra tjetrës me një esencë të përbashkët anti-amerikane.

Mirëpo, ndërsa Siria mbanë njërën ndër bazat më të fuqishme detare të Rusisë në rajon, si një aleate e fuqishme e saj ku në territorin e saj u zhvillua një luftë ndërmjet dy fuqive të mëdha, Republika e Kosovës mban në gjirin e saj bazën ushtarake më të fuqishme amerikane në Ballkan. Nëse Rusia intervenoi edhe ushtarakisht me këmbësorinë dhe artilerinë e rëndë të saj në Siri, Amerika po ashtu përdori këmbësorinë dhe artilerinë e rëndë në Kosovë për ta ndihmuar çlirimin e saj. Pra deklarata e Asadit ishte krejtësisht e pritur në marrëdhëniet me sekretarin amerikan, John Kerry. Ishte një deklaratë në baza të qarta të pozicionimit të aleancave, të fuqisë së saj ushtarake (Siria ka mbi 800 mijë ushtarë dhe është njëri ndër shtetet më të fuqishme të rajonit) dhe interesave të Sirisë.

Nga ana tjetër, si duhet t`i kuptojmë deklaratat e Albin Kurtit kundrejt sekretarit amerikan Blinken apo edhe vetë ambasadorit Hanovier? Më tepër se deklaratat, si duhet t`i kuptojmë veprimet e tija kundrejt çdo pozicionimi të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kundrejt çdo realiteti të raportit të tyre të forcave ushtarake e diplomatike përbrenda këtyre aleancave botërore?

E vërteta është se çdo mendje racionale është në mes të një dileme të madhe. Ajo kërkon ose një shpjegim racional nga psikologjia, ku problemi mund të identifikohet si problem i vetë individit në sajë të diagnozave të “borderline personality disorder (BPD)” ose tek fusha e politikës e diplomacisë ku skenari më i keq na jep ta mendojmë kryeministrin e Kosovës si një njeri që po luan jo vetëm në fushën e kundërshtarit, por edhe lojën e tij.

Kur e kujtojmë njeriun skajshmërisht kundërthënës i cili me zemëratë e pasion mbron ide e sulmon të tjera një ditë, dhe kthehet, sulmon e mbron të kundërtën e tyre po aq me zemëratë e pasion ditën tjetër, çdo kush mund të mendojë se problemi qendron tek psikologjia e individit.

Mirëpo, nga ana tjetër, kur e kujton se çdo veprim i tij që ka pasoja të njëkahshme kundrejt vendit, atëherë, hidhet dyshimi tjetër. Kronologjia e ngjarjeve na bënë të kuptojmë se heqja taksës 100% me arsyetimin se do ta vërë reciprocitetin nuk erdhi rastësisht me shumëfishimin e produktëve serbe në tregun e Kosovës; ndërhyrja në zgjedhjet përbrenda Republikës së Shqipërisë si Kryeministër, nëse nuk pati asnjë sukses zgjedhor, ishte një sukses i madh që Tirana të kthehej në armikun numër një të brendshëm; angazhimi dhe koalicionet me eksponentë të caktuar në Maqedoni, nëse nuk patën asnjë sukses zgjedhor, ato patën një sukses në ftohjen e marrëdhënieve me figurat kryesore të asaj ane; ndërhyrja në Luginën e Preshevës duke përkrahur njërën palë e përjashtuar tjetrën, përveç aferave financiare, çoi në destabilizimin e marrëdhënieve të Qeverisë së Kosovës me atë anë; intervenimi aktiv në ambasadat e Kosovës ku janë eliminuar diplomatë e zyrtarë sipas një qasje tërësisht partiake, ka çuar në shuarjen e aktivitetit; ndarja e veprimtarisë së ambasadave të Kosovës nga ambasadat shqiptare dhe ato amerikane, veç sa i ka shndërruar ato në zyra konsullore; Ballkani i Hapur ishte pretekst i mirë për ta sulmuar në skenën ndërkombëtare Tiranën zyrtare, e cila e kishte marrë primatin historik (për herë të parë) për të udhëhequr mbi projektet e mëdhaja ballkanike ku argumentimi kundër tij ishte krejtësisht i pabazë në aspektin teorik e praktik të marrëdhënieve ndërkombëtare, por kishte bazë të mjaftueshme popullore për ta sulmuar dhe kthyer Tiranën në armiken e madhe të Kosovës, sepse “mikja” e madhe e Serbisë.

Të gjitha këto lëvizje e veprime ku Republika e Kosovës izolohet pafundësisht në vetvete, duke u tërhequr nga çdo shtrëngim duarsh ndërshqiptare, pason, çuditërisht, me një dialog intensiv me Serbinë. Një dialog i dënuar dhe i papranuar tek paraardhësit e tij. Një dialog që nuk përcjell rrjedhën e vetë për t`u përmbyllur me një marrëveshje finale me Albinin, por që kthehet për të ridiskutuar edhe çështjet e mbylluara apo veçse të vdekura.

Njëra nga ato të vdekurat ishte edhe çështja e “Zajednicës”, të cilën e kishte hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese dhe kishte ngrënë koha. Ajo u ringjall me trazirat e para në Veri, që përveç se u përkthyen me koncesionin e targave, e ritheksoi nevojën në sy të ndërkombëtarëve për një mundësi vetëqeverisëse (ose vetëmenaxhimi) të serbëve në Veri. Atë botë, Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan i kërkonte me ngulm që të mos shkojë me çështjen e targave sepse e kthente dialogun me Serbinë nga një dialog për marrëveshje finale në një dialog për çështje të brendshme të Kosovës.

Mirëpo, si duket, Albin Kurti ishte i etur për një dialog pafund me Vuçiçin.

Kështu, ai që ishte kundër dialogut, brenda vitit kërkonte dialog sa më të shpeshtë me Vuçiçin; “vëllaun” e Ramës. “Ne presim që Boreli të na thërras sa më shpejt në Bruksel", shprehej në media. E gjitha kjo çoi nga Shtëpia e Bardhë në vilën e Titos në Ohër për një marrëveshje me Serbinë për formimin e Zajednicës. Pasi kishte thënë “kurrë” pafundësisht, ai doli dhe tha se “guxonte” t`i zbatonte të gjitha marrëveshjet e kaluara; pra edhe atë të Zajednicës.

Po Zajednica nuk mund të formohej kaq lehtë. Shqiptarët nuk do ta pranonin kurrë kaq thjesht, kurse Vuçiçi nuk donte kaq pak. Njëra palë kishte nevojë për ndjenja heroike të luftës (për kompensim të asaj që i munguan), kurse pala tjetër për argumentin e viktimës që i duhet për të fituar një garanci të fortë e të përhershme kundrejt Prishtinës zyrtare që po do me “dhunë” me ia marrë të drejtat e tyre.

Kështu, pasi e izoloi mirë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe nuk arriti të realizojë asnjë reformë përgjatë qeverisjes tre vjeçare, Albini sërish iu sul veriut me “patriotizëm” verdh e kaltër. E gjithë kjo në emër të “shtrirjes së sovranitetit”; pra si gjithmonë nën emblemën e zhargonëve të mëdha.

Se çka kuptojmë me “sovranitet” në marrëdhënie ndërkombëtare, ka pak rëndësi. Me rëndësi është që nën pasionin e fjalës ta elektrizojmë masën popullore ku kryeministri, nëse del i sukseshëm, bëhet “hero” kurse, nëse dështon, del viktimë i komploteve të brendshme (Edi Rama, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, veteranët, gazetarët, të shiturit apo të blerët etj.) dhe të jashtme (Blinkeni e Eskobari, Kramoni e Makroni, Sholzi e Sunaku).

Mirëpo, e vërteta është se kësaj radhe nuk kemi fare të bëjmë me shtrirjen e sovranitetit. Kjo edhe na bënë të kuptojmë reagimin e ashpër amerikan e evropian. Kjo sepse askush në botën perendimore nuk e kupton shtrirjen e sovranitetit përmes kontrollimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit politik. Sidomos, në rastin e minoritetëve.

Pra kjo pavarësisht se nga buron bindja politike e qytetarëve të komunitetit, asgjë nuk mund ta arsyetojë intervenimin e drejtpërdrejt të organeve drakoniane të shtetit në këtë sferë. Shtrirja e sovranitetit nuk mund asnjëherë të kuptohet mbi baza të përfaqësimit politik sido që të jetë situata, por vetëm mbi baza të sigurisë, rendit ligjor dhe ruajtjes territoriale.

Por dyshimi më i madh në këtë intervenim, që është një përcjellje logjike dhe koherente e izolimit dhe riorientimit politik e diplomatik të Kosovës në anën e kundërt të partënerëve tanë strategjik, është koha e intervenimit.

Ndërsa SHBA dhe Kuinti i kishte njohur zgjedhjet në veri; duke i njohur mandatin legal të zgjedhjeve kryetarëve shqiptarë dhe po zhvillohej “Euro-Defenderi” si kumt i qartë për Serbinë dhe Rusinë, Albin Kurti vendosi të hidhet “kokë më vete” në një aventurë heroike kur skenari amerikan ishte menduar perfekt në favorin e shtetit të Kosovës dhe, nëse mund të themi, “shtrirjes së sovranitetit”.

Shqiptarëve iu kishte njohur mandatin ligjor, kurse serbëve iu kishte lënë legjitimitetin; duke i vënë të dy palët në pamundësi për të qeverisur. Nëse qeverisja ishte e pamundur e kryetarëve shqiptarë për shkak të mungesës së legjitimitetit, po aq ishte e pamundur qeverisja e serbëve për shkak të mungesës së mandateve (legalitetit).

Kështu, ky skenar i vinte në pozicionin e barabartë shqiptarët dhe serbët në ato komuna; pavarësisht pabarazisë demografike që kishin. Në këtë konfiguracion, shqiptaret i mbanin peng mandatet ndërsa serbët objektet e komunave pa mandate, gjithçka çonte në negociata të domosdoshme ndërmjet komunitetit serb (popullit) dhe Qeverisë.

Pra, për herë të parë Qeveria e Kosovës mund të krijonte një dialog të drejtpërdrejtë me komunitetin serb aty dhe në lidhje me qeverisjen lokale. Pra vetvetiu përjashtohej Serbia nga tavolina e negociatave. Por si duket Albini kishte nevojë të bisedonte me Serbinë, jo me serbët e Mitrovicës!

Kështu intervenimi i Albinit në veri, jo vetëm se prishi skenarin më të mirë të mundshëm ndonjëherë, por edhe thelloi hendekun me veriun e Kosovës dhe me partënerët tanë duke e përjashtuar FSK-në nga Euro Defender dhe duke e rrezikur çdo partneritet me Nato-n.

Të gjitha këto, ndoshta mund të kenë rrjedhur nga një psikologji patologjike e një personi të quajtur Albin që, e njëjta psikologji dikur i vinte flakën Romës për t`ia përshtatur poezisë së tij situatën (Neroni). Por frika është se mund të dalë më e thellë se kaq. Poezia dhe psikologjia duket se janë vetem kamuflimi i një pozicioni të vërtetë politik e diplomatik antishqiptar e anti-amerikan. Jo rastësisht kronologjia e ngjarjeve përcillet me një izolim, varfërim, poshtërim e dënim të Kosovës. Jo, rastësisht, mbi këtë bazë të ndjenjave “sovraniste” pështillen ndjenjat putinisto-erdoganiste. Jo rastësisht, nën brohoritjet heroike anakronike fshihet një cinizëm kronik anti-amerikan që shprehet me një “jam pro amerikan, por kush janë ata me na diktu neve”.

E gjithë kjo na bënë të kuptojmë se historia nuk do të mbajë mend psikologjinë e njerëzve, por vetem bëmat e tyre. Dhe ne sot po e shohim se deliri i madhështisë së Albinit është vetem një hap larg tradhtisë―një tradhti e cila do të ketë pasoja shumë të rënda dhe afatgjatë për shqiptarët. Andaj, të gjithë ata që sot brohorasin në kahun e kundërt të historisë dhe të intersave të shqiptarëve, duke i fryrë çastit “heroik”, duhet t'iu a bëjmë me dije që mos t`i gjuajnë të gjitha fjalët kundrejt atyre që ende mbahen për arsyen e tyre. T`i ruajnë disa prej tyre sepse, sa të kalojë çasti i “heroit”, do t'iu duhen për ta rivlerësuar historinë e të një të “pabesi”.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA