Filozofia e kafshëve, zhvillimet e fundit për mbrojtjen e tyre dhe ndërmarrja në Durrës

Shumë kafshë kanë kujtesë, dhe janë të afta për edukim; por asnjë krijesë tjetër përveç njeriut nuk është e aftë të kujtojë të kaluarën sipas dëshirës. —Aristoteli
Ylli Përmeti
21/12/2017 - 16:09
Shumë kafshë kanë kujtesë, dhe janë të afta për edukim; por asnjë krijesë tjetër përveç njeriut nuk është e aftë të kujtojë të kaluarën sipas dëshirës.
—Aristoteli
Ai që ushqen një kafshë të uritur ushqen shpirtin e tij.
—Çarli Çaplin
Abstract: In this article, it is argued that animals in general and domesticated in particular, are in a deep crisis. For two main reasons: first and foremost, because in the last two centuries or so it has been developed an apathetic and subordinative culture towards all animals. This culture has led to a lack of education, both in developing the necessary knowledge and the necessary love for all animals. Both these reasons have led to a lack of administrative knowledge. For the same reason, it is argued that we are not only able to administer stray dogs and other animals, but we ought to administer them judging from the perspective of interdependence of humans and animals. Because when humans behave in an apathetic and subordinative way towards animals they will behave almost the same towards each other. This is so, because behaviour implies a particular mentality and a particular habit and habit is very difficult to change. For the same reason, it aims to realize two parallel goals: to rehabilitate all stray animals in our country and educate first our children and second the general population and to push forward the adoption of them. As a case study is being considered Netherland, which has realized both these aims with the help of the law.
Shënim: ky projekt shkoi për t’u miratuar në Bashkinë e Durrësit. Pas shumë përpjekjesh nga unë, duke shkuar dhjetra herë dhe duke kërkuar me këmbngulje realizimin e tij, bashkia sikur filloi ta përparonte këtë fillim viti: më njoftoi dhe shkuam në terren për të vlerësuar ndonjë hapësirë publike ku mund të ndërtohësh ndërmarrja. Pasi pamë një hapësirë —e cila nuk mjaftonte— përpjekjet u pezulluan! Pak para se të zhvilloheshin zgjedhjet vendore, në një bisedë me Vangjush Dakon lidhur me këtë projekt, mora një përgjigje prej të cilës kuptohet dhe karakteri mashtrues i ish-kryebashkiakut: se “s`kishte kohë për mace dhe minj”! Kujtoj se në bisedën e parë që pata me të për këtë projekt, më rrefeu se nuk ia ndjente për kafshët dhe se më ofronte 12 mijë lekë për vrasjen e tyre. Unë i revoltuar ia ktheva: si guxon?! Unë vij këtu për mbrojtjen e tyre ndërsa ti më propozon vrasjen e tyre! Në dijeninë time, kishte vite që paguante disa njerëz për t'i vrarë ato!
Shkaqet e sjelljes barbare ndaj kafshëve
Njerëzimi dhe jeta e planetit përballet me shumë rreziqe dhe kërcënime. Por kërcënimi më i madh është kriza ekologjike, të cilën, në një botim të fundit e kam quajtur “bombë me sahat”: sepse “tik-taket” e saj kuptohen vetëm nga studiuesit dhe jo nga qeveritë dhe popujt. Për pasojë, kuptimi i shkaqeve dhe parandalimi i saj nuk është bërë ende pjesë e diskutimit të popujve. Në këtë krizë përfshihen edhe kashët: të egrat dhe të butat. Vendet perëndimore përgjithësisht i ruajnë ato. Nuk është e rastit që në shumë qytete kafshët janë bërë pjesë e tyre duke përfshirë disa kafshë të egra. Qëllimi kryesor është të mësojë njeriu të respektojë dhe të bashkëjetojë me kafshët. Në anët tona nuk është bërë ndonjë përpjekje e ngjashme. Përkundrazi, jeta e kafshëve është në rrezik dhe bashkë me to, dhe jeta e njeriut: sepse jeta jonë varet nga edukimi dhe jeta e kafshëve dhe anasjelltas.
Lexon dhe...Si shkatërrohen kafshët dhe biodiversiteti nga sistemi dhe elitat?*
Por si mund të ruhet jeta e kafshëve dhe pse? Ruajtja e kafshëve fillon me edukimin e njeriut: sepse pa zhvilluar dashurinë dhe njohurinë për to - ne nuk mund t’i ruajmë ato. Dashuria është shkëndija e parë që shtyn njeriun të zhvillojë njohurinë për botën e jashtme. Pa zhvillimin e këtyre dy komponentëve, plotësuesë për njeri-tjetrin, dhe komponentëve të tjerë që nënkuptojnë ata (dhembshuri etj.),[1] ne nuk mund të kujdesemi as për njëri-tjetrin e jo më për kafshët e tjera të cilat janë keqkonceptuar shekujt e fundit si subjekte të natyrës për dominim dhe shfrytëzim nga njeriu dhe shoqëritë!
Është pikërisht kjo qasje që ka ndikuar vendimtarisht në sjelljen mizore dhe barbare të shumë njerëzve dhe shoqërive kundrejt kafshëve. Por është mungesa paralele e filozofisë lidhur me ekosistemin dhe jetën dhe, dashuria për të, që krijon dy lloj qëniesh të rrezikshme për jetën që na rrethon: njëra mizore dhe tjetra apatike. Dhe dihet se njerëzit mizorë dhe apatikë me kafshët mund të jenë njëlloj edhe me njerëzit! Për të njëjtën arsye kërkohet zhvillimi i dashurisë (dhe dijes) për botën që na rrethon: sepse pa dashuri nuk mund të zhvillojmë dijen për botën që na rrethon dhe pa dije nuk mund ta ruajmë atë. Nuk është e rastit që ligjet për ruajtjen e kafshëve kanë filluar të miratohen shekullin e kaluar dhe kanë përparuar në shumë vende në Perëndim. Holanda, për shembull, miratoi ligjin për mbrojtjen e kafshëve në fund të shekullit të kaluar.[2] Ligji “ndalon keqpërdorimin e kafshëve ose dënon mohimin e kujdestarisë së përshtatshme”.
Shkelja e këtij ligji konsiderohet kriminale dhe e dënueshme me burgim maksimum më shumë se tre vjet dhe me gjobë prej 16,750 euro. Paralel me ligjin në fjalë zhvillohen fushata për tredhjen dhe sterilizimin falas të kafshëve shtëpiake me qëllim që një farë balance me ekonominë dhe njerëzit të krijohet ndërsa ligji imponon taksa të larta për ata që blejnë qenë të racave të “pastra”. Qëllimi është të inkurajohet më shumë adoptimi e qenëve të racave të tjera. Paralel me këtë proces zhvillohet regjistrimi i përhershëm i kafshëve dhe kujdestarëve të tyre. Qëllimi është të ndihmohet çdo qytetar në përpjekjen e tij për t’u përkujdesuar për kafshët shtëpiake me njohuri të përgjithshme dhe të veçantë. Si rezultat, Holanda s’ka kafshë të braktisura rrugëve dhe ka krijuar vendkalime për kafshët e egra —mbi dhe nën rrugët automobilistike— dhe mund të krenohet me të drejtë se është ‘Humaniste’. Domethënë, një shoqëri që përdor edukimin duke përdorur dhe ndjenjën për kafshët që na rrethojnë.
Hyrje e filozofisë së kafshëve
Kafshët dhe veçanërisht qentë duhet të kuptohen drejtë me qëllim që të parandalojmë dhimbjet, qoftë për kafshët qoftë për njerëzit. Nëse gjykojmë nga njerëzit e kohëve tona, ata janë të keqedukuar lidhur e kafshët dhe jo vetëm që nuk kujdesen për to por i vrasin dhe i urrejnë. Ndaj është e rëndësishme të kuptojmë natyrën e kafshës dhe natyrën e njeriut, ndryshimet dhe të përbashkëtat. Një ndryshim thelbësor mes njeriut dhe kafshës është se ne shqetësimin tonë e tregojmë me fjalë ose kryesisht me fjalë ndërsa kafshët me veprime. Nëse zemërohemi nga dikush, ose shpërthejmë ose e kapërdijmë. Nëse kafshët zemërohen, ato veprojnë njësoj: ose shpërthejnë ose e kapërdijnë. Ndryshimi është se ne mund të shpërthejmë në dy mënyra: ose me fjalë ose me veprime. Kafsha s’ka rrugë tjetër veç të shpërthejë me veprime. Ndaj ‘zemërimi’ i kafshës duhet të konsiderohet me mjaft kujdes dhe të kuptohet. Nëse kuptohet, zemërimi mund të zbutet dhe eliminohet.
Por ndryshe nga kafshët, ne urrejmë, dhe shpesh urrejmë kafshët. Urrejtja në vetvete është e vështirë të kurohet. Ajo mund të kurohet vetëm me dashuri dhe kafshët mund ta kurojnë urrejtjen e njeriut me dashuri nëse u tregohet dashuri - sepse ato kanë plotë dashuri për njerëzit për sa kohë që dashuria e tyre trazohet vetëm nga zemërimi dhe jo nga urrejtja, siç trazohet tek njerëzit. Urrejta për kafshët buron ose nga ndonjë sulm që ka pësuar një njeri ose nga dëgjimet e ngjarjeve përmbajtja e të cilave bart dhimbje kundrejt njerëzve.
Kështu, për shembull, sulmet e qenëve kundrejt njerëzve dhe veçanërisht kundrejt kujdestarëve, janë një burim urrejtje, sidomos kur “eskpertët” s’i kuptojnë dot të gjitha dhe nuk i ndriçojnë mjaftueshëm njerëzit jo vetëm për shkaqet por edhe për ndryshimet e natyrave tona. Për shembull, disa thonë se qentë mund të bëhen agresivë nëse ata ndjehen të kërcënuar, frika, territori që ata mbrojnë dhe vlerësojnë për veten e tyre, ose mbrojnë vendin ku shlodhen, shtratin. Nga vrojtimet tregohet se qentë kafshojnë kryesisht përgjatë verës dhe zakonisht ata nuk sulmojnë kujdestarët e tyre.
Sidoqoftë, ndërsa vapa dhe kequshqyerja janë burim agresiviteti, është e qartë se kafshët mund të zemërohen dhe të kërcënohen në vendin e tyre, ose së pari të kërcënohen pastaj të zemërohen, dhe mund të bëhen tejet agresive. Kuptimi i drejtë i këtij shqetësimi do të na çonte në edukimin e njerëzve―domethënë, në kuptimin e shkaqeve se pse një kafshë bëhet agresive. Një shkak tjetër, që mund ta bëjë agresive kafshën, është vetë ‘frika’ e njeriut që percepton kafsha: sepse kafsha më shumë percepton se sa mendon dhe kupton përmes mendimit. Frika buron nga ose mungesa e besimit ose nga pritshmëritë e këqija që mund të shkaktojë kafsha. Kjo është lloj frike që qendron në mendje; një tjetër, është e brendshme: sepse frika, siç citon Aristoteli, “është një ngrirje dhe buron nga mungesa e nxehjes së natyrshme të trupit dhe pamjaftueshmëria e gjakut”.
Lexo dhe...Vrasja e qenit në Rrëmbec të Korçës dhe institucionet dhe shoqëria jonë e padrejtë (barbare)
Kot nuk e quajmë “gjaknxehtë” njeriun që reagon menjëherë apo kur themi, “më ngriu gjaku”. Është e qartë se siç kemi ne frikë (njëra buron nga padija lidhur me kafshët, tjetra nga gjendja e trupit dhe e gjakut) ashtu kanë dhe kafshët nga ne. Kështuqë, kuptimi i kësaj frike do të na çonte në parandalimin e gjëmave duke kuptuar dhe vepruar. Kujtoj, edhe një herë, se kafsha percepton energjinë e njeriut: nëse ajo është e ‘frikshme’ kur njeriu përballet me kafshën, ashtu do të veprojë dhe kafsha: do ta sulmojë njeriun nëse ndjehet e kërcënuar. Kur ajo nuk është e frikshme dhe njeriu çliron siguri dhe dashuri, kafsha do ta perceptojë dhe do të reagojë në përputhje me perceptimin. Ndaj është e rëndësishme që njeriu të edukohet në dy nivele lidhur me frikën: duke fituar dije për kafshët dhe çliruar energji ‘pafrikë’...kur përballet me to. Kafsha i afrohet një njeriu që ose ndjen energjinë e tij (përmes perceptimit) ose e njeh: sepse shëmbëlltyra e njeriut qendron në kujtesën e saj. Ndërsa njeriut që “s’ia ndjen” për kafshën tregon një të vërtetë të madhe: se ndjenja e tij nuk është zhvilluar mjaftueshëm dhe si i tillë, edhe nëse ka zgjedhur të jetojë në përputhje me ndjenjën e tij, me një njeri tjetër, zgjedhja e tij tregon se buron më shumë nga ‘interesi’ se sa nga ‘ndjenja’.
Nuk ka provë më të qartë për të kuptuar nivelin e ndjesisë së njeriut se sa marrëdhënia e tij me kafshën: kur njeriu nuk e tregon ndjenjën me të, dhe tregon vetëm ndjenjën me dikë të llojit të vetë, tregon se ndjenjën e ka të zhvilluar në nivel të ulët dhe të trazuar nga urrejtja (urrejtja në vetvete quhet sëmundje), dhe frika. Ka njerëz që s’kanë ndjenja fare dhe ata e tregojnë me veprimet e tyre kur vrasin jo vetëm kafshët por edhe njerëzit. Njeriu lind me ndjenja (një ndjenjë është dhe dhimbja dhe s`ka foshnje në botë që nuk ndjen dhimbjen kur lind) dhe ato mund të zhvillohen në nivel të lartë nëse njeriu edukohet ne mendje dhe në shpirt. Nëse nuk edukohet, është i rrezikshëm.
Se pse Aristoteli e lidh natyrën e kafshës me kujtesën dhe edukimin (History of animals, f, 9) bëhet e qartë kur kuptojmë rëndësinë e kujtesës në edukim: sepse “kujtesa nuk është as perceptim as konceptim por një gjendje ose ndikim i një nga këto, e kushtëzuar nga intervali kohor, sepse atje s’ka kujtesë të së tashmes ndërsa je subjekt i të tashmes, sepse aktualja është objekt vetëm i perceptimit, dhe e ardhmja, e pritshmërisë, ndërsa objekti i kujtesës është e kaluara. Gjithë kujtesa, rrjedhimisht, nënkupton një interval kohor; rrjedhimisht vetëm ato kafshë që perceptojnë kohën kujtojnë, dhe organi përmes të cilit ato perceptojnë kohën është gjithashtu ai përmes të cilit ato kujtojnë”.
Qartësisht, kafshët percetojnë kohën dhe subjektet e natyrës në të cilën jetojnë, mes tyre dhe kafshët që ndërveprojnë më shumë, kanë kujtesë. Kot s’themi se atje ku bie gomari një herë nuk bie prapë: sepse e mban mend dhe do të jetë i kujdesshëm herën tjetër. As është e rastit që kafsha shtëpiake qendron me njeriun që mban mend se e ka ushqyer dhe jo me të tjerë. Nga të gjitha këto dhe të ngjashme si këto kuptojmë se kafsha jo vetëm që mund të edukohet (sepse ka kujtesë) por ajo është e ndërgjegjeshme në natyrën e saj dhe jo e pandërgjegjshme siç mundohen shumë 'fetarë' të na bindin: sepse veprimet e saj janë të ndërgjegjshme — ato lidhen me kujtesën; sepse një kafshë pa kujtesë nuk do të jetonte gjatë.
Kafshët njësoj si njerëzit përdorin emocionet në sjelljen e tyre: emocionet e tyre shkaktohen ose nga njerëzit ose nga kafshët e tjera me të cilat ndërveprojnë. Kur ne mendojmë diçka se është e frikshme ose kërcënuese, ngashënjimi prodhohet menjëherë. Ngashënjimet, me radhë, çlirohen brenda dhe jashtë trupit tonë. Si të tillë, ngashënjimet tona perceptohen nga kafshët: nëse ato janë miqësore dhe të natyrës së dashurisë kur ne i çlirojmë ato, ashtu do të jenë dhe emocionet e kafshëve: miqësore dhe plotë dashuri.
Në këtë kuptim, ne mund të ndryshojmë sjelljen e tyre duke ndryshuar ngashënjimet tona. Kuptimi i ngashënjimeve tona dhe i kafshëve çon në parashikimin e sjelljes së tyre dhe parandalimin e sjelljeve të këqija. Njeriu që dashuron kafshën ndikohet menjëherë kur e shikon dhe percepton atë dhe çliron emocionet përkatëse: si rezultat, kafsha që i percepton emocionet tona do të veprojë me të njëjtët emocione. Ky lloj njeriu është i dëshirueshëm sepse me emocionet e tij parandalon ndonjë sjellje të keqe. Ngashënjimet fillojnë me mendin dhe ky i fundit shkakton ngashënjimin përkatës në përputhje me mendimin. Për të njëjtën arsye, njerëzit mund t`i kontrollojnë emocionet me mendim dhe t`i përdorin ato në raport me kafshët. Njerëzit me veprimtari të lartë mendore çlirojnë ngashënjime të fuqishme. Si pasojë, ata mund të përmbajnë veprimet e kafshëve duke përdorur ngashënjimet.
Qentë tajisin lotë (nga dashuria) kur takohen me kujdestarin
Një studim i publikur në “Current Biology”, lidhur me sjelljen e qenëve kur ritakohen me kujdestarët (ose pronarët) e tyre tregoi se ata derdhin lotë ndërsa derdhja e lotëve shkakton tajitjen (ose sekretimin) e oksitocinës ose “hormonin e dashurisë” siç njihet ndryshe. Studimi u krye me kujdestarë dhe jokujdestarë dhe tregoi se volumi i lotëve të qenëve u rrit ndjeshëm gjatë ribashkimit me kujdestarin por jo me jokujdestarin. Ky është raporti i parë mbi emocionet pozitive që shkaktojnë tajitjen e lotëve mbi kafshët, dhe veprimin e oksitocinës gjatë tajitjes së lotëve. Përmes këtij procesi lotët e tyre mund të luajnë një rol në shkaktimin e sjelljes mbrojtëse ose sjelljen e kujdesjes nga kujdestarët e tyre, duke rezultuar në thellimin e marrëdhënies së ndërsjellë dhe duke çuar më tej në lidhje më të fortë mes specieve.
Kafsha më e vogël e planetit, miu, ka ndërgjegjje dhe zhvillon dashurinë
Fakti se kafshët kanë ndërgjegjje vërtetohet dhe nga një eksperiment i publikuar në revistën amerikane “Science”. Sipas tij, “minjtë mund të lundrojnë në një realitet virtual dhe mund të imagjinojnë”. Autorët donin të vërtetonin se nëse kafshët kanë imagjinatë dhe krijuan një teknologji që shkon në hipokampus―rajonin e trurit ku besohet se kujtesa krijohet. Duke mbikqyrur neuronet që ndizen sa herë kujdesa vepron ata mund të thonë se çfarë mendon kafsha.
Kështu ata vendosën aparatin në tru të disa minjëve dhe i vendosën ata të vepronin në një mulli sferik. Pasi minjtë mësuan të shpërbleheshin me ushqim, studiuesit hoqën mullirin, me qëllim që lëvizja fizike të mos kishte ndonjë rëndësi. Me heqjen e mullirit, për t`u shpërmbyler minjtë duhet të mendonin se si do ta gjenin vendin e duhur. Dhe kështu minjtë vepruan në trurin e tyre ndërsa qendronin palëvizur―fakt që tregon se minjtë mund të imagjinojnë veten duke vepruar bazuar në kujtesën e së kaluarës.
Shkencëtarët vërtetuan kështu―padashur, se kafshët kanë ndërgjegjje, por duhet thënë se imagjinata (ose përfytyrimi) është pjesë e ndërgjegjjes dhe jo ndërgjegjje në vetvete, natyrën e së cilës e sqaroj në vend tjetër. Në parim sa më të mëdha në përmasë trupore të jenë kafshët aq më të madhe e kanë kujtesën. Për nga përmasa, njeriu qendron në mes, mes kafshës më të madhe, elefantit, dhe brejtësit etrusk, kafshës më të vogël të botës së sotme. Në këta bëjnë pjesë dhe minjtë e përdorur në eksperimentin në fjalë―çka do të thotë se kujtesa tek ata është e vogël por siç tregon dhe eksperimenti, ata janë të aftë të mendojnë dhe veprojnë.
Një studim tjetër me titull “çiftëzimi mund të përmirësojë krijimin e shpejtë të lidhjeve të palëve të qëndrueshme në miun monogam të Kalifornisë”, tregon se minjtë zhvillojnë dashurinë dhe janë monogamikë. Lidhjet në çift janë veçori e shumë specieve monogamike por minjtë u studiuan për herë të parë. Dashuria e tyre zhvillohet gjatë kohës së ndërveprimit fizik por dhe seksual. Në fjalët e studimit:
“Meqenëse bashkimi mund të ndihmojë në krijimin e lidhjes së çiftit, kafshët u çiftuan kur femrat ishin në estrus (epsh) dhe u vlerësuan vazhdimisht gjatë gjithë periudhës së bashkëjetesës për sjellje bashkuese. Ne gjetëm prova të lidhjeve në çift pas 24 orëve të bashkëjetesës për të dy gjinitë pa ndryshime të rëndësishme në sjelljet parapëlqyese të bashkëshortit gjatë periudhave të bashkëjetesës. Kafshët e studiuara kalonin më shumë kohë në dhomën e bashkëshortit, ishin më të lidhur me të sesa me të huajin dhe shfaqnin sjellje më agresive ndaj të huajit. Sjelljet bashkuese ishin të qëndrueshme mes gjinive, ndërsa meshkujt sulmonin të huajin më shpesh dhe për një kohë më të gjatë se femrat. Çiftet që u bashkuan përpara testimit të parapëlqimit të bashkështorit shpenzuan më shumë kohë në dhomën e bashkëshortit dhe më shumë kohë duke u bashkuar, lëpirë dhe pastruar bashkëshortin e tyre sesa ata që nuk u bashkuan”.
Studimi nxjerr përfundim “se megjithëse bashkimi mund të mos jetë i nevojshëm për krijimin e lidhjeve në çift, pranueshmëria seksuale në kohën e çiftëzimit është e rëndësishme për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve shoqërore dhe se bashkimi mund të shërbejë për të përmirësuar lidhjet e çifteve te minjtë e Kalifornisë”.
Derrat, dhitë dhe lopët kanë aftësi mendore dhe shpirtërore të lartë
Kafshët që percetojnë kohën, kafshët dhe mjedisin e natyrës në të cilën jetojnë, kanë kujtesë. Kot s’themi se atje ku bie gomari një herë nuk bie prapë: sepse e mban mend vendin dhe do të jetë i kujdesshëm herën tjetër. As është e rastit që kafsha shtëpiake qendron me njeriun që mban mend se e ka ushqyer dhe është kujdesur për të dhe jo me të tjerë.
Madje studiuesit, të cilët nuk e fillojnë kuptimin e natyrës së kafshës nga nocioni` kujtesës, janë befasuar me sjelljen e kafshëve shtëpiake dhe gjedhin. Sipas një raporti të publikuar në revistën shkencore “Science”, gjatë dekadës së kaluar, studiuesit e Institutit për Biologjinë e Kafshëve Shtëpiake, në Gjermani (FBN), tregojnë se derrat tregojnë shenja ndjeshmërie (empatie) ndërsa dhitë konkurrojnë qentë lidhur me inteligjencën shoqërore, dhe një gjetje e fundit, stërpikëse, tregon se lopët mund të mësohen të jashtëqisin në uturak, duke nënkuptuar vetë-dijeni”.
Vlerësohet se janë rreth 78 miliardë kafshë shtëpiake (ku përfshihen dhe ato që mbarështohen për qëllime shfrytëzimi për qumështin dhe mishin e tyre), një numër që zvogëlon majmunët, brejtësit dhe njerëzit, që kemi jetuar me to më gjatë se çdo krijesë tjetër. Por ndërsa studiuesit tregojnë trutë e minjëve në kopjuter dhe aftësitë e qenëve që të intuitojnë mendimet tona, kafshët shtëpiake mbeten një kuti e zezë. Por tani studimet tregojnë se derrkucat e vëzhguar, 85% të kohës së tyre çliruan një shok të grackuar në kuti brenda 20 minutave.
Ky fakt tregon se ata kanë ndjesinë ose ndjeshmërinë e ndihmës kur shikojnë një derrkuc tjetër të kurthuar dhe të stresuar, çka tregon më tej se ata janë të ndjeshëm dhe të kuptueshëm ndaj gjendjes emocionale të derrkucave në kuti ndërsa çlirimi i shokëve të tyre nga kurthi i sajuar nga shkencëtarët tregon mençuri. Madje ata kanë treguar dhe shenja ndjellamirësie (optimizëm) dhe ndjellakeqësie (pesimizëm).
Lopët, gjithashtu, kanë treguar shenja të ngjashme; madje ato mësojnë më shpejtë se çdo fëmijë se si të sillen me nevojën e tyre për të jashtëqitur (ta mbajnë atë dhe ta shkarkojnë në vendin e ‘duhur’).
Si të zbusim kafshët agresive?
Së pari, ne duhet të kuptojmë pse disa kafshë janë agresive. Ato janë agresive me njerëzit —kur njerëzit nuk bëhen shkak për agresivitetin e kafshëve dhe janë në botën e tyre dhe sulmohen— sepse njeriu perceptohet ose si kërcënim ose si qënie e huaj. Kur, për shembull, një qen sulmon një fëmijë që është në botën e tij, duke luajtur, ai e percepton atë si të huaj por jo si kërcënim. Së dyti, duke kuptuar shkaqet pse një kafshë bëhet agresive, ne kuptojmë se si ta edukojmë atë. Fakti që një njeri perceptohet si ‘i huaj’ nga kafsha dhe për pasojë sulmohet, kuptojmë se kafsha është rritur e vetme dhe kur përballet me të ‘huaj’, sulmon. Se çfarë, nevojitet, rrjedhimisht, për edukimin e kafshës, është kontrolli i agresionit. Në rastin e njeriut, agresioni kontrollohet kur njeriu ka mësuar të përdorë arsyen dhe të kontrollojnë dinamikat shpirtërore dhe veçanërisht zemërimin. Në rastin e kafshëve, kur njeriu ka krijuar një balancë mes botës individuale të kafshës dhe botës sociale: sepse përmes të parës kafsha izolohet ndërsa përmes të dytës, shoqërizohet. Kur shoqërizohet, ajo nuk e percepton botën e jashtme si të ‘huaj’ por e pranon atë sikur të ishte familja e saj. Në këtë mënyrë ne mund të rrisim dhe edukojmë kafshë jo-agresive.
Ndërmarrja në Durrës
Në Shqipëri është miratuar një ligj që në vitin 2011-të.[5] Por ai ka shumë probleme. Jo vetëm që nuk është hartuar bazuar në ndonjë filozofi dhe studim të gjendjes aktuale në vend por është një ligj i “përafruar” me direktivën e BE-së, e cila është gjithashtu problematike. Domethënë, angazhime institucionale pa koordinime social-institucionale! Ai përqendrohet kryesisht te veterinerët dhe kafshët e tregëtueshme. Kafshët e braktisura nuk përmenden! Në Durrës, për shembull, nuk ka vetëm qenë të braktisur. Por edhe kuaj. Kështu, tre janë arsyet kryesore se përse ne duhet të miradministrojmë kafshët e braktisura: (1) sepse është detyra jonë; (2) sepse është e dhimbshme për vetë kafshët t’i lëmë pakujdes; dhe (3) sepse rehabilitimi i tyre nuk do të rrisë vetëm cilësinë e jetës së banorëve dhe vizitorëve në qytet, veçanërisht në qytetin e Durrësit, i cili është një qytet turistik, por do të nxisë institucionet përkatëse (masmedian etj.) të edukojë popullin përmes njerëzve që do të angazhohen në këtë projekt, jo vetëm për detyrat tona kundrejt kafshëve dhe për të rritur shkallën e ndërgjegjjes kundrejt natyrës por do ta kthejë Durrësin në ‘shembull’ për gjithë Bashkitë e tjera në Shqipëri dhe rajon. Do të bëjë, gjithashtu, krenarë shqiptarët në raport me fqinjët. Përfitimet, rrjedhimisht, do të jenë të shumëfishta.
Kuba, me një ekonomi të dobët, po përpiqet të ruajë kafshët dhe veçanërisht qentë e rrugëve (braktisur) duke përdorur organizata dhe ndërmarrje shtetërore.[6] Vende të tjerë (Idia etj.) janë në një përpjekje të përhershme për të krijuar ndërmarrje dhe kushte për ruajtjen e kafshëve. Greqia kërkon të përmirësojë ligjin e kafshëve duke detyruar kujdestarët të sterilizojnë kafshët (ndryshe paguan taksë prej 100 euro në vit) dhe t’i pajisin me pasaportë. Kafshë të pasterilizuara mund të mbajnë kryesisht ata që kanë çifte (mashkull dhe femër) me qëllim që të riprodhohen. Procesi i kalimit të kafshës sa në një njeri në tjetrin duhet të regjistrohet me qëllim që autoritetet të dinë se cili është kujdestari duke e shoqëruar me historinë e “plotë” të kafshës. Do të nalohen kafshët e vitirinës dhe dyqanet e kafshëve do të kenë një hapësirë të veçantë. Me ligjin e ri krijohet fondi i kafshëve në çdo bashki. Fondi përkatës do të përforcohet me të ardhura që do të vijnë nga taksa e njerëzve që nuk i sterilizojnë, nga gjobat dhe nga çipi prej 6 eurosh që do të mbajnë kafshët. Për të përforcuar koston e mirëmbajtjes parashikohet të vendoset një taksë mbi artikujt që shiten në dyqanet e kafshëve. Të gjitha këto do të krijojnë mundësinë për ngritjen e qendrave mirëmbajtëse.
Sidoqoftë, vendet perëndimore e kanë zgjidhur këtë problem shekullin e kaluar dhe ne jemi të vonuar. Por më mirë vonë se sa kurrë, thotë populli. Vlerësimi im, se Durrësi ka rreth 200-300 qenë të braktisur (nga shoqëria), është i gabuar: sepse një veteriner në qendër të Dr ka sterilizuar vetëm vitin e kaluar (2017) rreth 200 qenë ndërsa një animaliste që ka kontribuar për shumë vjet në këtë drejtim vlerëson se numri është më i madh. Sidoqoftë, gjykuar nga sjellja e qenëve –se ata dalin kryesisht gjatë natës në qytet për të kërkuar ushqim dhe gjatë ditës fshihen, kryesisht sepse kanë frikë nga njerëzit e keqedukuar– dhe nga rrethinat e Durrësit, ku padyshim ka një numër të konsiderueshëm qensh, mund të themi se numri aktual është i madh. Numri i tyre mund të shtohet kur ndërmarrja të fillojë punë kryesisht për shkak të sjelljeve që mund të vijnë nga bashki të tjera. Kjo është një arsye tjetër pse kjo lloj ndërmarrje duhet të krijohet në gjithë bashkitë.
Sidoqoftë, edhe nëse numri është më shumë se 400 apo 500, ne sërish kemi mundësi, në kushtet aktuale, të kujdesemi për ta, duke ditur se në afat-shkurtër –në krye të dy-tre vjetëve- numri i tyre do të bierë, kryesisht për shkak të moshës që ka shumica e tyre dhe adoptimit të tyre që do të shoqërojë këtë proces. Kështuqë, numri i tyre mund të zvogëlohet jo vetëm në afat-gjatë por dhe afat-shkurtër. Se sa mund të jetë numri në fillimin e punës së ndërmarrjes, rrjedhimisht, na intereson për të nxjerrë një kosto paraprake dhe relative. Duke hemendësuar se mund të jenë rreth 300-400 qenë, dhe duke menduar për të mbuluar nevojat e numrit më të madh, dhe kostua ditore me ushqimin aktual –ushqimi i konservuar– është rreth një mijë lekë të vjetra, sipas veterinerit, na duhen më shumë se 400 mijë lekë në ditë, 12 milion në muaj, dhe në vit, rreth 150 milion lekë...vetëm për ushqim. Kjo kosto mund të përgjysmohet në të vërtetë që muajin e dytë meqënse ne do të zhvillojmë përpunimin e ushqimit organik në impiant dhe do të mobilizojmë shoqërinë për të kontribuar. Kështuqë, kostua për ushqim mund të bierë që muajin e dytë në rreth 200 mijë lekë. Në afakt-shkurtër –në krye të dy muajve– do të kemi krijuar dhe marrëveshje me shoqatat europiane për ushqime dhe do të kemi gjetur fonde. Kështuqë, çështja e ushqimit, sado që të jetë numri i kafshëve, mund të zgjidhet në afat-shkurtër duke bashkërenduar gjithë këto aspekte.
Filozofia e ndërtimit të impiantit
Gjykuar nga natyra e kafshëve, se ato janë edhe individualiste (kur ushqehen, flenë gjumë, vetë-pastrohen) edhe sociale (luajnë me njëra-tjetrën etj.) dhe kanë nevojë edhe për një strehë (grohtësi etj.) dhe për veprimtari fizike, ne duhet të krijojmë një hapësirë të mirë-balancuar mes ‘individualizmit’ dhe ‘shoqërizimit’. Hapësira prej 2 metra e gjatë dhe 1 e gjerë, mjafton për një qen ose 2 m². Në 400 m² mund të strehohen 400 qenë nëse krijohen dy kate. Fakti që impianti do të jetë i lartë - dy kate mund të krijohen. Lënda për ndërtimin e katit të dytë (dyshemesë etj.) do të jetë dru: sepse druja është më miqësore me efektet e jetës së kafshëve. Impanti duhet të jetë 10 metra i gjerë. Dy metra i zënë strehat e kafshëve (majtas dhe djathtas) dhe gjashtë metra koridori që i ndan ato. Koridori duhet të jetë i gjerë jo vetëm sepse mund të luajnë në të (në kohë të keqe) por edhe sepse do të ndërmerren një sërë veprimtarish (pastrim; ushqim etj.). Për 400 m² impanti do të jetë 10×40. Oborri rreth impiantit do të jetë tre deri në katër-fish më i madh me qëllim që gjatë ditës të luajnë në të. Rreth oborrit do të mbillen dhe pemë me qëllim që një farë freskie dhe mbrojtje ekologjike të sigurohet. Në një pjesë të oborrit do të krijohet dhe gropa e mbledhjes së jashtëqitjeve dhe mbetjeve të tjera me qëllim që të fillojë procesi i kalbëzimit. Në tërënsinë e saj hapësira duhet të jetë mbi 1200 m².
Kafshët e braktisura krijojnë një sërë problemesh si për banorët ashtu dhe për turizmin. Rehabilitimi i tyre, rrjedhimisht, kërkon një vend në periferi të qytetit dhe njerëz të devotshëm. Nga një vlerësim paraprak që kam bër me një ndërtues në industrinë e ndërtimit dhe veçanërisht lidhur me ndërtimet me skelet hekuri dhe mbulesë llamarinë-sanduiç, kemi konkluduar se Hangari/Struktura përfundon me rreth 50-60 milion lekë: sepse do të ketë blinda prej betoni, do të jetë 400m² dhe me ndarje të brendshme për një dhomë për veterinerin dhe ndihmësat e tij, një dhomëz për rojen dhe një dhomë-guzhinë për përgatitjen e ushqimeve. Përveç veterinerit, duhet të angazhohen dy kafshëdashës (zoofilë), për të ndihmuar veterinerin por edhe për të mirëmbajtur vendin, një automjet dhe një shofer për transportimin e kafshëve dhe ushqimeve dhe një roje. Jashtëqitjet e kafshëve mund të organizohen për prodhim të plehut organik i cili mund t’u shitet ndërmarrjeve bujqësore dhe të sigurojë të ardhura ekonomike për ndërmarrjen.
Në Amerikën Veriore, për shembull, një ndërmarrje përpunon jashtëqitjen e kafshëve duke e mbledhur atë në bashkëpunim me 90 ndërmarrje të tjera. Si rezultat, ndërmarrja raportoi fitime prej 4.5 milion dollarë në vitin 2011-të.[7] Tashmë ajo konsiderohet një industri më vete dhe ka lëvizuar nga mbledhja e jashtëqitjeve të kafshëve te kthimi i mbetjeve njerëzore në ilaçe dhe energji. Kostua e përgjithshme e impiantit mund të kushtojë rreth 90 milion lekë. Nga këto, rreth 60 milionë lekë kushton impanti. Domethënë, blindat, skeleti dhe mbulimi. Pjesa tjetër janë shpenzime për njerëzit e angazhuar. Më konkretisht, roja 200 mijë lekë; shoferi 400; zoofilët 500 mijë; veterineri 650; dhe administratori 650. Këto shpenzime, bashkë me shpenzimet fillestare për ushqimin e kafshëve, të cilat në afat-shkurtër do të përgjysmohen, siç tregova më lartë, e mbajnë koston vjetore të ndërmarrjes të qendrueshme: në rreth 100 milion lekë në vit.
Në tërësi shpenzimet nuk janë as sa një makinë luksoze e oligarkëve që na rrethojnë. Kjo shumë kërkohet për vitin e parë: sepse në vitet në vijim shpenzimet nga Bashkia do të përgjysmohen: sepse shpenzimet e hangarit do të mungojnë. Për mos të thënë që mund të eliminohen plotësisht: sepse nuk mungojnë burimet e tjerë financiar nga zoofilë të huaj që jetojnë në vendin tonë dhe duan të kontribuojnë në përpjekjen tonë. Nga fondet e BE-së mund të sigurohen të ardhura, gjithashtu. Kemi folur edhe me individë të tjerë të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në këtë projekt: kush me gjendje financiare e kush me ushqime. Një burim i rëndësishëm për ushqimin e kafshëve janë mbetjet e thertoreve: ato mund të mblidhen, përpunohen dhe kompostohen dhe, jo vetëm të mbulojnë nevojat ushqimore të ndërmarrjes por dhe të shesë tepëricat te të gjithë qytetarët që mbajnë kafshë. Qëllimi përfundimtar i ndërmarrjes duhet të jetë vetë-financimi me qëllim që mos të rëndohet buxheti i Bashkisë. Sidoqoftë, është e sigurtë se sektori i turizmit do të kontribuojë në këtë projekt: sepse përfitimet e tij do të jenë të dukshme që vitin e parë.
Media dhe krijimi i kulturës kafshëdashëse
Paralel me këtë objektiv, një tjetër, mediatik, duhet të realizohet: sepse synohet ‘edukimi’ i njerëzve, veçanërisht i të rinjve, se pse duhet të kujdesemi për kafshët dhe si, me reportazhe të përditshme. Veprimtarinë e ndërmarrjes së Durrësit do ta mbulojë “Shqipëriajonë.org”. Nëse krijohen ndërmarrje të tjera, siç edhe synojmë, në bashki të tjera, edhe ato do të mbulohen me reportazhe të përditshme. Njerëzit që kanë dashuri për kafshët dhe e tregojnë me veprime dhe në mënyrë të përhershme, do të përfshihen në këtë projekt.
Dobitë e menjëhershme nga projekti i rehabilitimit të kafshëve në Durrës
Në afat-shkurtër (në krye të një viti) ndërmarrja mund të jetë autonome në financën e saj; në afat-mesmë do të krijojë dinamikën për t’u ‘kopjuar’ nga të tjerë; dhe në afat-gjatë, do të krijojë kulturën përkatëse. Kjo e fundit, me rradhë, do ta çojë shoqërinë të zhvillojë kujdesin e saj edhe kundrejt kafshëve të egra: sepse pa patur dashuri dhe dije për kafshët e buta ne nuk do të kemi dashuri për kafshët e egra. Kështu një shoqëri tjetër, me dashuri dhe dije, për njeri-tjetrin, kafshët dhe bimët, do të lindë.
[1]Shih, për më shumë, Gjenealogjia dhe forca e dashurisë.
[2]How Holland became free of Stray dogs? Dogresearch, 2012.
[3]Why do dogs attack their owners, BBC, 20 December 2017.
[4]On the parts of animals, f, 69.
[5]Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë.
[6]Street dogs in Cuba find homes, care at state organizations, Huffingtonpost, 3/19/2015.
[7]There are people making millions from your pet’s poo, BBC, 23 June 2016.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 8410 reads