...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Borxhet e hatashme të qeverive botërore dhe nevoja për kuptimin e shkaqeve

Borxhi ynë vetëm rritet! Nuk e kam quajtur kot një kapitull të tërë se “ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë dhe Shqipëria po shkon drejt të njëjtës greminë”, duke treguar arsyet. Pas rrokopujës sonë po ecin dhe fqinjët tanë, Kosova dhe e ashtuquajtura “Maqedoni”. Pse? Sepse partitë politike nuk studiojnë. Ato kurrë nuk kanë treguar realitetin në të cilin gjendemi dhe shkaqet e tij. Për pasojë, si ato ashtu dhe populli, gjendet në terr. Por nëse partitë e zhytura në terr kanë çdo arsye të jenë në terr meqë qëllimi i tyre është pushteti dhe jo dija, po populli, pse nuk vepron?! Rikujtoj se asnjë parti apo lëvizje politike nuk ka dije për administrimin e shtetit - nuk e kanë treguar kurrë në teori ndërsa disa (PD-ja, PS-ja, LSI-ja etj.) e kanë treguar në praktikë -në qeverisje- se vetëm dijen nuk dashurojnë. Dhe pa dije, nuk mund t'i besohet asnjërit!

Ylli Përmeti

31/01/2021 - 09:57

Eurozona gjendet në “kohën e territ” nëse vështrojmë grafiqet në vijim duke filluar me vitin 2010 dhe duke u afruar në ditët tona – dhe duke mbajtur parasysh se në grafiqe nuk janë përfshirë borxhet jo zyrtare (off-balance) dhe detyrime të padepozituara (unfunded obligations) - hendeku midis angazhimeve për shpenzime dhe të ardhurat dhe borxhet e korporatave:

Në vitin 2013 borxhet u rritën më shumë. Dhe ato u rritën më shumë edhe nëse i krahasojmë me krizën e madhe të pas vitit 1930. Grafiku që vijon sjell një pasqyrë të plotë të Eurozonës:

Burimi: IMF (2013) and OECD (2013).

Një përllogaritje tjetër nga FMN-ja,  për G5, e paraqet gjendjen si vijon:

Por kjo gjendje ende është gjysma e të vërtetës, sepse tabela vijuese hedh më shumë dritë për sasinë totale të borxhit të vendeve kryesorë që janë integruar në rendin botëror të globalizmit neoliberal, duke përfshirë borxhin e korporatave, familjeve dhe qeverive:





Ndërthurja e rënies së mprehtë të çmimeve në pasuritë e patundshme dhe niveleve të borxhit, që shkaktoi krizën financiare të vitit 1929 në Amerikë, dhe në vitin 1990 në Japoni dhe, në vitin 2008 gjithandej, tashmë ka marrë përmasa të hatashme dhe të frikshme:



Niveli i borxhit qeveritar rreth botës është ngritur në stratosferë që nga koha e krizës financiare duke kapur nivele të paparë më parë përgjatë paqes. Një analizë e “Deutsche Bank” tregon se ekonomitë kryesore të botës kanë borxh mesatar më shumë se 70 për qind të PBB-së, niveli më i lartë i 150 viteve të fundit përjashto një kulmore rreth luftës së dytë botërore — duke ngritur pyetje të thella për qendrueshmërinë se stivës së borxhit botëror. Ndryshe nga epokat e më hershme kur qeveritë administronin tepërica në kohë paqeje, politikat neoliberale i kanë bërë normë deficitet në shumë vende. Çdonjëri që shpreson për një përsëritje të rënies së madhe të 1945-80 kur borxhi kombëtar kundrejt përqindjes së PPB-së në Britani, Francë, Japoni, Australi dhe Kanada ra më shumë se 100 pikë, mund të zhgënjehet. Si rezultat, bankat qendrore mund të ndërhyjnë në treg dhe të lejojnë qeveritë të marrin më shumë borxhe që nga koha e krizës, ndoshta duke financuar shpenzimet drejtëpërdrejtë me të ashtuquajturat “pará helikopterike”.  Në Amerikë borxhi i biznesit jo-financiar është më i lartë se sa ka qenë ndonjë herë që nga koha e luftës së dytë botërore dhe shumë më i lartë se niveli i vitit 1929 (80% sot krahasuar me 56% në vitin 1929!).  Në Eurozonë ishte Gjermania, arkitektja e saj, që nënvlerësoi Paktin e Stabilitet, me qëllim që deficitet buxhetore të mbaheshin nën 3% dhe borxhi kombëtar nën 60%. Siç citon Der Spiegel:

...ndërmarrja filloi në sekret në verën e vitit 2003. Ekonomia gjermane kishte ngecur në një depresion kronik që në fillim të shekullit të ri me rritjen ekonomike në stanjacion thuajse në zero. Papunësia ishte në rritje dhe deficiti buxhetor ishte në mënyrë konsistente duke u rritur. Vitet pararendëse, Eichel vetëm kishte menaxhuar ngushtë për t’iu shmangur një paralajmërimi deficitar nga Komisioni Europian. Por, shumë shpejt, u duk qartë se gjendja nuk do të përmirësohej në të ardhmen e afërt. Ngaqë Schröder-i dhe Eichel-i kishin frikë që të pastronin buxhetin me rrugën e kursimit, paralajmërime të mëtejshme nga Brukseli ose qoftë edhe dënime monetare dukeshin thjesht një çështje kohe. Megjithatë, Schröde-i gjeti një zgjidhje. Nëse nuk ishte e mundur që të rregullonte financat e qeverisë bazuar në Paktin e Stabilitetit, atëherë Pakti i Stabilitetit thjesht do të duhej që të rregullohej mbi gjendjen e financave Gjermane.

Arkitektët e Gjermanisë nuk i thanë të gjitha. Për shembull, se me përdorimin e euros në vitin 2001 ata do të ruanin dobitë maksimale dhe do të ishin pikërisht gjermanët, për shkak të avantazheve në tregun ndërkombëtar të marketingut që ishin krijuar përgjatë konsensusit social-demokrat, dhe Banka Qendrore Europiane me mekanizmat e saj monetar me rezidencë në Gjermani do të ndikonte pozitivisht gjithashtu. Kështu siç veproi Gjermania ashtu veproi dhe Greqia dhe vende të tjerë të BE-Eurozonës dhe tani kriza e borxheve është shpërhapur gjithandej. Me krizën e pandemisë qeveritë filluan të merrnin borxhe sërish. Aktualisht çështja konsiderohet tejet serioze dhe nuk mungojnë debatet në shtypin ndërkombëtarë. Financial Times, për shembull, një gazetë me natyrë ekonomike, ka shkaktuar një debat lidhur me borxhet e hatashme të qeverive.





Komentatori i saj, për çështje ekonomike, Martin Wolf, argumenton në një analizë se borxhet e hatashme “nuk ndodhën për shkak të tekave të kota të bankierëve qendrorë, siç hamendësojnë shumë. Ka ndodhur për shkak të një dëshire të tepërt për të kursyer lidhur me mundësitë investuese. Kjo ka mbytur përqindjet e interesit dhe ka bërë kërkesën të mbështetet tejet shumë në borxh”. Argumentin e tij e mbështet me dy studime, “The Saving Glut of the Rich and the Rise in Household Debt” dhe “Indebted Demand”. Duke cituar studimin e parë ai argumenton se pabarazia dobëson një ekonomi duke detyruar politikanët në një zgjedhje rrënuese mes papunësisë së lartë dhe borxhit më të lartë. Studimi mbi ngopjen e kursimeve citon dy arsye.

Së pari, rritja e pabarazisë në SHBA ka rezultuar në një rritje të madhe në kursime për 1 për qinçin të shpërndarjes së të ardhurave, që nuk përputhet me rritje në investim. Në vend të tyre, përqindja e investimeve e të pasurve është përputhuer me një shkursim në rritje, ose konsum që kalon të ardhurat, për 90 për qind të shpërndarjes së të ardhurave. Kursimet e të pasurve mund të ketë çuar në tepëricë të llogarisë rrjedhëse, si vonë në shekullin e 19-të në Britani. Por të pasurit e botës kanë kërkuar të përqendrojnë pasuri amerikane, dhe kështu ata gjeneruan një deficit të qendrueshëm për llogarinë rrjedhëse amerikane. Përjashto kur kriza para-financiare e flluskës së banesave nxiti investimin privat, kjo ka qenë gjithashtu tejet e ulët. Përdoruesit kryesorë të kursimeve të tepërta të huaja dhe vendore kanë qenë familje dhe qeveri më pak të kamura. Atje është një lidhje e qartë mes kursimeve të të pasurve dhe shkursimeve të më pak të pasurve, dhe përqendrimi i kredit dhe borxhit.

Që nga viti 1982, rënia në borxh neto është përputhur me rritjen e borxhit të 90 për qinçit. Kjo është arsyeja pse argumenti se interesat e ulët dëmtojnë më pak të pasurit është absurd. Më pak të pasurit nuk janë kreditorë të mëdhenj. Të pasurit pretendojnë ndaj më pak të pasurve, jo vetëm drejtëpërdrejtë, përmes depozitave bankare, por përmes zotërimeve të aksioneve në biznese që kanë të njëjtin prentendim. Kjo dukuri e rritjes së borxhit familjar dhe rritjes së pabarazisë nuk është unike në SHBA. Ajo është e përgjithshme. Borxhi në rritje, argumenton i njëjti autor, duke citur një nga studimet përkatëse, ka rëndësi sepse ekonomia nxitet në rritje nga financa dhe bëhet e brishtë, ngaqë borxhmarrësit zhyten për herë dhe më shumë në barrë borxhi. Një tjetër është ideja e “kërkesës së zhytur në borxh”—e afërt me idenë “amullisë së bilancit” propozuar nga ekonomisti japonez Richard Koo. Kështu përqindjet e interesit duhet të bien, për të balancuar ofertën me kërkesën dhe të shmanget një zhytje të thellë. 

Por si Wolf ashtu dhe autorët që ai përmend për të mbrojtur argumentin e tij, thotë gjysmë të vërteta, sepse përpara se të pasurit të ngopeshin me kursime dhe për pasojë mos të interesohen të investojnë, dhe të tjerët, 90 për qinçi, të shkursente, ndodhi ndryshimi i madh politik: nga social-demokracia e shekullit të kaluar në globalizmin neoliberal ku pasanikët u globalizuan si pasojë e derregullimit të tregut si në vendet e bllokut social-demokrat ashtu dhe në vendet ish-socialiste ndërsa partitë politike hoqën dorë nga punësimi i plotë. Me derregullim tregu dhe me çangazhim për punësim të plotë, detyrimisht që rrit pabarazitë dhe të pasurit bëhen më të pasur meqë zotërojnë mjetet e prodhimit dhe diktojnë politikat duke mbajtur rrogat e punëtorëve pa rritje dhe rrjedhimisht punëtorët mbeten të varfër ose me të ardhura të palëvizshme tre-katër dekadat e fundit. Krahas punëtorëve me të ardhura të palëvizshme —pikërisht për shkak të braktisjes së angazhimit për punësim të plotë— u krijua klasa e mjeranëve ose e të papunëve. Kjo është e vërteta e madhe që lidhet me të vërtetat e vogla që përmend autori.

Një tjetër e vërtetë e madhe është braktisja e marrjes së “borxhit” nga banka qendrore pa interest me marrjen e borxheve me interes. Dhe një tjetër, është fakti që qeveritë nuk kanë për synim të rrisin të ardhurat përmes taksave dhe burimeve të tjera ekonomike me qëllim që një pjesë të tyre ta shpenzojnë në shërbime publike. Ky synim nuk përmendet nga asnjë qeveri e parti. Se çfarë ata përmendin është vetëm fakti se ato po marrin një borxh tjetër, me interes më të ulët për të shlyer një borxh tjetër. Paralel me këtë proces disa qeveri —si qeveria jonë— vjedhin hapur me politikat konçensionare.

Në këto kushte, borxhi ynë vetëm rritet! Nuk e kam quajtur kot një kapitull të tërë se “ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë dhe Shqipëria po shkon drejt të njëjtës greminë”, duke treguar arsyet. Pas rrokopujës sonë po ecin dhe fqinjët tanë, Kosova dhe e ashtuquajtura “Maqedoni”. Pse? Sepse partitë politike nuk studiojnë. Ato kurrë nuk kanë treguar realitetin në të cilin gjendemi dhe shkaqet e tij. Për pasojë, si ato ashtu dhe populli, gjendet në terr. Por nëse partitë e zhytura në terr kanë çdo arsye të jenë në terr meqë qëllimi i tyre është pushteti dhe jo dija, po populli, pse nuk vepron?! Rikujtoj se asnjë parti apo lëvizje politike nuk ka dije për administrimin e shtetit - nuk e kanë treguar kurrë në teori ndërsa disa e kanë treguar në praktikë -në qeverisje- se vetëm dijen nuk dashurojnë. Dhe pa dije, nuk mund t'i besohet asnjërit! 

Duke mos përmendur të vërtetat e mëdha por vetëm të voglat për kurthin e borxhit, nuk do të ishte e çuditshme që autori i FT të propozojë “rrugëzgjidhjet” që vijonë:

“Pakësimin e nxitjes për të financuar biznesin me borxh, se sa me aksione të zakonshme. Rruga e qartë për të bërë kështu është eliminimi i parapëlqimit i të parit mbi të dytin në thuajse gjithë sistemet taksale. Është gjithashtu e mundur zhvendosja nga financimi me borxh në aksione të zakonshme për banesat. Gjithashtu, ne kemi një mundësi të stërmadhe për të zëvendësuar huadhënien e qeverisë ndaj ndërmarrjeve në krizën e Kovidit-19 me blerje aksionesh. Vërtet, me përqindje tejet të ulëta interesi, qeveritë mund të krijojnë fonde pasurish sovrane të menjëhershme shumë lirë. Por asnjë nga këto masa nuk do të frenojë varjen e qendrueshmërisë makro-ekonomike për më shumë borxh. Atje janë dy zgjidhje të qarta. E para është qeveritë të vazhdojnë të marrin borxhe. Por, në shumë afat-gjatë, kjo mund të çojë në një lloj falimentimi. Të pasurit, të cilët janë kreditorët kryesorë të qeverive, janë të detyruar të pësojnë shumicën e kostos, në një mënyrë apo në një tjetër. Rruga tjetër është zhvendosja e shpërndarjes së të ardhurave me qëllim që të krijohet kërkesë më e qendrueshme dhe kështu investim më të fuqishëm, pa rritur borxhin e familjeve. Në vitin 1933, Eccles (autori i një studimi që përmend autori) i tha Kongresit, “është në interesin e të pasurve të bëjnë...se ne duhet të marrim nga ata një sasi të mjaftueshme të tepëricës së tyre për të lejuar konsumatorët të konsumojnë dhe biznesi të punojë me përfitim”. Kjo ndodhi pjesërisht rastësisht dhe pjesërisht qëllimisht, pas luftës së dytë botërore. Që nga ajo kohë borxhet në rritje të familjeve dhe qeverive nuk do të stabilizojnë ekonominë botërore përgjithmonë. As do të mbeten flluskat e çmimeve të pasurive kaq qendrore në ekonominë tonë. Ne duhet të adoptojmë rrugëzgjidhje me radikale. Një krizë është e mirë për të ndryshuar kurs. Le të fillojmë tani”.    

Përse janë zhytur qeveritë e BE-së në borxhe?

Megjithëse në vend tjetër  kam shqyrtuar shkaqet se përse janë zhytur qeveritë në borxhe, këtu do të shqyrtoj disa aspekte juridike me qëllim që të krijojmë një tablo më të plotë të realitetit. Siç citon Ellen Brown, kur shqyrton justifikimin e Bankës Qendrore Europiane e cila mbështetet në Artikullin 123 të Traktatit të Lisbonës, nënshkruar në vitin 2007-të, për të cilin, Jens Eidman, President i Këshillit Qeveritar të Bundesbankut dhe anëtar i BQE-së pohoi se:

Euro-sistemi është një huadhënës i mjetit të fundit për banka të afta për të paguar, por pa likuiditet. Ai nuk duhet të jetë një huadhënës i mjetit të fundit për sovranët, sepse kjo do të shkelte Artikullin 123 të Traktatit e Bashkimit Europian.

Në të vërtetë Artikulli 123 është hartuar si para-kusht nga vetë gjermanët me qëllim që të ndalojnë vendet anëtare për t’u financuar nga eurobondet që mund të lëshonte BQE-ja. Ishte ky ‘parakusht’ që bëri të mundur ndryshimin e kartë-monedhës gjermane nga “deutschmark” në “euro”. Ky Artikull, krejtësisht i paqartë, parashikon:

1. Lehtësime për llogari të zbuluara (overdraft) ose çdo lloj tip lehtësimi tjetër krediti me Bankën Qendrore Europiane ose me Bankat Qendrore të anëtarëve (në këtë çështje referohen si ‘banka kombëtare qendrore’) në dobi të institucioneve të Unionit, trupave, zyrave ose agjencive, qeverive qendrore, rajonale, lokale ose autoriteteve të tjera publike, trupave të tjerë të administruar nga e drejta publike ose ndërmarrjeve publike të Anëtarëve duhet të ndalohen, ashtu sikurse duhet të ndalohet blerja direkt nga ata - Banka Qendrore Europiane ose bankave qendrore kombëtare të instrumenteve debitore.

2. Paragrafi 1 nuk duhet të zbatohet tek institucionet kreditore publike të cilët, në kontekstin e furnizimit me rezerva nga bankat qendrore, duhet t’u jepet i njëjti trajtim nga bankat qendrore kombëtare dhe Bankës Qendrore Europiane si institucione private kreditore. 

Bankat mund të marrin hua nga BQE-ja në 1.25% të përqindjes minimale për bankat. Ndërsa qeveritë anëtare duhet të vendosin veten në mëshirë të tregjeve, të cilat mund t’i shtrydhin ato për “çdolloj mbartje që tregjet mbartin” - në rastin e Italisë, është 6.5%.  Por përse bankat qendrore kanë mundësi të marrin kredit në përqindjen prej 1.25% nga BQE-ja pa asnjë kufi ndërsa çezma është e mbyllur për qeveritë? Argumenti konvencional është se huamarrja nga qeveritë nga bankat e tyre qendrore është “inflacionare”. Por bankat private krijojnë parátë që ato japin hua njëlloj si bankat qendrore qeveritare. Bankat private emetojnë pará në formën e “bank-kreditit” mbi bilancin e tyre (“on balance sheet”) dhe ato e bëjnë këtë zakonisht përpara se të kenë likuiditetin e nevojshëm që të mbështesin huat. Më vonë, ato mund të marrin hua nga çdo vend që mund të marrë fonde më të lira. Kur bankat marrin hua nga BQE-ja si huadhënës i mjetit të fundit, BQE-ja printon parátë njëlloj sikurse ajo do të printonte nëse ajo do të jepte hua direkt te qeveritë. Këto arsyetime janë bërë në vitet ’70-të kur Bashkimi Europian ishte në fillim të krijimin të tij dhe borxhet qeveritare ishin të vogla. 

Rezultati, siç konkludon Brown-i, totali i interesave për vendet e Eurozonës nuk është i aksesueshëm; por për Francën, të paktën, totali i paguar në interes që nga vitet ‘70-të duket të jetë sa i gjithë debiti i federatës franceze. Kjo do të thotë se nëse qeveria franceze merrte hua nga banka e saj qendrore përgjatë kësaj kohe, ajo mund të ishte sot pa asnjë borxh (debt-free). BQE-ja thotë në paragrafin 2 të Artikullit 123 se bankat e pronësuara nga qeveria mund të marrin hua mbi të njëjtët principe sikurse bankat private. Shumë vende brenda Unionit kanë banka nën pronësinë publike dhe, ndërsa shtetëzimi i bankave me paaftësi pagimi kanoset, ato gjenden me më shumë borxhe. Shuma e borxhit prej 8 miliard që u tërhoqë nga Banka Qendrore Europiane për Bankat e Eurozonës, të cilat jo vetëm që kanë dështuar për të gjetur kredi, fonde dhe kapital në tregun global, por ato janë bankat më të mëdha Europiane që po i drejtohen BQE-së për miliona euro me interes 2%. Në thelb, politika monetare e Bankës Qendrore Europiane është deflacioniste kundrejt qeverive dhe inflacioniste kundrejt bankave private!

Roli i BQE-së në rritjen ekonomike dhe qorrsokaku i saj 

...

*Pjesë nga një studim më i gjerë me titull Demokraci apo Barbarizëm, publikuar për herë të parë në librin e parë të autorit, me titull, Revolucion për demokraci gjithëpërfshirëse dhe Fronetike. Libri është çensuruar si nga media ashtu dhe nga universitetet ndërsa lëvizjet e reja politike nuk kanë shqyrtuar asnjë kapitull të tij! Referencat mund të gjenden në libër, i cili pritet të ripublikohet këtë vit.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA