...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta e “pashpallur” mes Amerikës dhe Iranit, implikimet dhe variantet e Uashingtonit

Duhet thënë edhe një herë se prania amerikane në Irak nuk varet kryekëput nga Uashingtoni — nuk është, siç argumentojnë shumë ‘anti-imperialistë’ për shkak të ‘imperializmit amerikan’: sepse dihet se si Arabia Saudite ashtu dhe Izraeli mundohen ta mbajnë Amerikën në Irak dhe rreth Iranit pikërisht për të përparuar politikat e tyre në rajon (Sauditët kryesisht duke investuar petrodollarët në Amerikë ndërsa Izraeli duke përdorur lobin izraelit në Amerikë/AIPAC).

Ylli Përmeti

06/01/2020 - 14:07

Mirë do të ishte ta filloni nga këtu: Ylli Përmeti: Taktikat politike të Trampit me Iranin dhe natyra e luftës në Lindjen e Mesme*

Përplasja mes dy vendeve kulmoi me vrasjen e kryekomandatit iranian, Kasem Sulejmani, në fillim të vitit 2020: sipas Pentagonit, ai u vra sepse “ishte duke përpunuar aktivisht plane për të sulmuar diplomatë dhe ushtarakë amerikanë në të gjithë rajonin”. Në fakt, vrasja pasoi tensionin që u shkaktua në ambasadën amerikane në Irak (Bagdad) ku u vra një kontraktues amerikan. Të dyja këto ngjarje lidhen me përpjekjen e Sulejmanit në veçanti për të krijuar kushtet politike për largimin e SHBA-së nga Iraku. Nuk është e rastit që në vrasjen e tij u vra dhe Abu Mahdi al-Muhandis, udhëheqësi irakian i organizatës paraushtarake irakiane e mbështetur nga Irani, Kata`ib Hizbollah, të cilën e fajësoi USA për sulmet me raketa në bazën irakiane (27 dhjetor). Siç citon një raport i FT:

“Shfaqja e fuqisë erdhi në kohën kur ligjbërësit [në Irak] përgatiteshin për një sesion urgjent parlametar, me kryetarin e parlamentit Hassan al-Kaabi të thërrasë për një përqendrim mbi vendimin e të ardhmes së trupave amerikane në Irak. Në Irak janë afërsisht 5,000 trupa amerikane. Uashingtoni ka thënë se do të dërgojë 3,500 trupa shtesë në rajon pas vrasjes së Sulejmanit. Adel Abdul Mahdi, kryeministri i Irakut, tha dje se vrasja e dyfishtë ishte në shkelje të kushteve të pajtuara për misionin ushtarak amerikan anti-ISIS në vend. Kjo lëvizje do të mbështetet fuqishëm nga politikanë pro-iranianë të cilët kanë mbështetur tërheqjen e ushtarëve amerikanë prej muajsh por kanë dështuar ta përparojnë përmes një projekligji kryesisht për shkak të çorganizimit”.[1]     

Si rezultat, Irani paralajmëroi se do të hakmerrësh ashpër si për vrasjen e kryekomandatit ashtu dhe për vrasje të tjera në të kaluarën: hakmarrja do të jetë e gjatë dhe e planifikuar – dhe se vendi do të adoptojë “hakmarrje strategjike” për të “vendosur një fund të pranisë amerikane në rajon” ndërsa grupe të ndryshme islamike do të “veprojnë spontanisht...me ndikim të qendrueshëm”. Sulmet ‘spontante’ nuk vonuan: siparin e çeli pas pak orësh grupi islamist al-Shabab në Kenia i cili sulmoi një bazë detare që përdoret nga forcat keniane dhe amerikane në rajonin Lamu.[2] Dhe siç tregon më qartë harta vijuese, Irani ka krijuar disa celula në rajon që mund t`i vendosë në veprim në luftën e tij kundër USA-s.

Por nuk vonoi kundërpërgjigjja e Trampit: ai kërcënoi se nëse Irani hakmerrësh, Amerika do të sulmonte 52 vatra në Iran duke përfshirë dhe vende kulturore. Pas këtyre kërcënimeve, erdhi dhe votimi unanim i parlamentit irakian -jo i detyrueshëm- sipas të cilit trupat e huaja –amerikane- duhet të largohen nga vendi, sepse koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja (Operation Inherent Resolve) mbaroi objektivin e tij: shkatërrimin e ISIS-it, ndërsa paralelisht iu ankua Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkelje të sovranitetit të vendit nga Uashingtoni. Ky i fundit njoftoi pas vendimit se “tani për tani ka ndalur shumicën e operacioneve kundër militantëve dhe është përqëndruar në mbrojtjen e forcave dhe bazave të koalicionit”...[dhe se] “do të vazhdojë të kryejë disa operacione dhe se do të veprojë për vetëmbrojtje kundër militantëve”.Por Trampi shkoi një hap më tej: ai kërkoi nga Iraku ose të paguajë kostot e një baze amerikane atje ose do të përballet me sanksione. Në të njëjtën kohë Irani njoftoi se do të pasuronte uranium pakufizime ndërsa do të vazhdojë të bashkëpunojë me agjencinë mbikqyrëse të OKB-së.

Duhet thënë edhe një herë se prania amerikane në Irak nuk varet kryekëput nga Uashingtoni — nuk është, siç argumentojnë shumë ‘anti-imperialistë’ për shkak të ‘imperializmit amerikan’: sepse dihet se si Arabia Saudite ashtu dhe Izraeli mundohen ta mbajnë Amerikën në Irak dhe rreth Iranit pikërisht për të përparuar politikat e tyre në rajon (Sauditët kryesisht duke investuar petrodollarët në Amerikë ndërsa Izraeli duke përdorur lobin izraelit në Amerikë/AIPAC). Një arsye tjetër është energjia: sepse Amerika vërtet ka rritur prodhimin e naftës dhe gazit vitet e fundit dhe ka balancuar eksportet me importet dhe mund të mos importojë më naftë dhe gaz (në afatshkurtër) por çmimi i naftës varet nga tregu ndërkombëtar dhe tregu varet nga transporti i naftës kur dihet se shumica e naftës transportohet përmes detit dhe Ngushtica e Hormuzit zë sasinë më të madhe! Përveç këtij aspekti, aktualisht Amerika ka nevojë të importojë dhe eksportojë naftë për shkak se industria e rafinimit është ravijëzuar përgjithësisht për të përpunuar naftën e rëndë dhe jo naftën e lehtë që prodhon në rreshpet e saj.[3] Kjo do të thotë se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë e ekspozuar në tregun botëror të naftës dhe nuk mund të mbyllë një sy nëse pengohen anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërsa ky është një front, një tjetër është brenda vendit: industria e energjisë amerikane punon mes shumë pasigurish — shëndeti financiar e ndërmarrjeve nuk është i mirë dhe kanë filluar të shkurtojnë fuqinë punëtore (ndërkohë që vetë punëtorët ndihen të pasigurtë në industri për shkak të mungesës së përspektivës së industrisë: sepse bota po orientohet në burimet e ripërtëritshme) ndërsa opozita amerikane kërcënon me kufizimin e prodhimit të energjisë fosile për shkak të ndryshimeve klimatike. Si rezultat, industria amerikane ka braktisur objektivin e shtimit të prodhimit. Ndryshe nga viti 2000, kur në Uashington kishte aleanca në politikën energjitike mes atyre që shqetësoheshin për ndryshimet klimatike dhe atyre që shqetësoheshin për sigurinë kombëtare, e cila mbështeti burimet e ripërtëritshme dhe standartet e efiçencës, aktualisht nuk ekziston një aleancë e ngjashme: Trampi shqetësohet më shumë për sigurinë kombëtare dhe kërkon ta rrisë atë përmes sigurimit të energjisë brenda vendit —duke përdorur burimet rreshpore të cilët shkatërrojnë edhe më shumë ekosistemin— ndërsa opozita kërkon të kundërtën: të kufizojë prodhimin brenda vendit duke nënkuptuar se do të importojë energji dhe do të vazhdojë të varet nga tregu ndërkombëtar dhe vendet e Lindjes së Mesme!

Qartësisht, në sektorin e energjisë, Amerika nuk e ka të vështirë për të lëvizur drejt sigurimit të energjisë brenda vendit me gjithçka që nënkupton kjo lëvizje (zhvillimin e industrisë së rafinerisë për naftën e lehtë etj.): sepse siç kam treguar në vend tjetër,[4] Amerika —më shumë se çdo vend tjetër— ka mundësi të zhvillojë energjinë e ripërtëritshme por jo pa bashkërenduar politikat që tregoj në të njëjtin studim.       

Gjykuar nga perspektiva iraniane, se Irani mund të zhvillojë vetëm luftë guerrile në rajon kundër bazave amerikane, por dhe nga fakti se Irani mund ta dëmtojë më shumë Amerikën duke përdorur Ngushticën e Hormuzit, një konflikt i hapur ushtarak atje bëhet i pashmangshëm. Rezultati i menjëhershëm nga konflikti në ngushticën përkatëse do të jetë rritja e çmimit të naftës: nga kjo rritje do të dëmtohen popujt perëndimorë por më shumë popujt e Lindjes së Largët (Kina, India, Japonia, Koreja Jugore dhe Singapori), sepse tre të katërtat e naftës që kalon në ngushticë shkon në këto vende. Kina importon thuajse gjysmën (44 për qind) të naftës që kalon në ngushticë. Por Irani nuk do të mjaftohet me bllokimin e ngushticës përkatëse meqënse në luftën e fundit (1980-88) e përdori pa sukses të madh kur aftësitë ushtarake ishin të kufizuara dhe kur dihet se do të përballet me fuqinë ushtarake amerikane dhe britanike atje dhe mund të shkatërrohet lehtë— kështuqë, Irani do të veprojë njëherësh në shumë fronte: sepse vetëm kështu mund të ketë ndonjë sukses. Por ushtria amerikane rreth Iranit nuk do të rrijë duarkryq: ajo do të sulmojë brenda vendit—kryesisht bazat ushtarake të Iranit. Si pasojë, një luftë e “pashpallur” dhe e gjatë zhvillohet ku do të përfshihet tërthorazi Kina e cila ka investuar miliarda dollarë në industrinë e naftës dhe gazit iranian dhe ndoshta dhe Rusia ndërsa pasoja të tjera pasojnë! Për mos të shkuar në këtë skenar të frikshëm, Trampi mund të përdorë më shumë diplomacinë se sa përfrikësimin ndërsa zhvillon pavarësinë energjitike në vend dhe kontribuon në krijimin e një marrëveshje mes vendeve të rajonit në Lindjen e Mesme për paqe dhe përparim.

Me sulmin e tij me raketa pas varrimit të Sulejmanit mbi dy baza ushtarake në Irak —në Al Asad dhe Irbil— Irani krijoi premisat për përdorimin e dy varianteve për amerikanët: ose të përdorte diplomacinë ose luftën. Përdorimi i diplomacisë do të perceptohet si dobësi nga mbështetësit e Trampit ndërsa përdorimi i sulmit ushtarak si fuqi ushtarake e padiskutueshme. Duhet thënë se vendimi i Trampit për të vrarë Sulejmanin shkaktoi tensione në Pentagon. Mark Esper, sekretari i mbrojtjes, për shembull, ndryshe nga Trampi, tha se “USA do t`u nënshtrohet ligjeve të konflikteve ushtarake — të cilët ndalojnë sulmin mbi vendndodhjet kulturore”. Brenda departamentit të mbrojtjes kishte qendrime të papajtueshme lidhur me vrasjen e Sulejmanit për një kohë të gjatë dhe mendimi mbizotërues ka qenë që mos të gacmohësh “foleja e grerëzave”…sepse ushtria amerikane cënohet shumë në rajon. Qoftë edhe nëse Esper mbështet përgjithësisht politikën e Trampit “gjithë zyrtarët amerikanë e gjejnë veten të ecin në majë të gjilpërës sa herë presidenti kërkon të sulmojë fuqishëm ndërsa disa zyrtarë në ushtri frikësohen se pasojat [me vrasjen e Sulejmanit] nuk janë konsideruar plotësisht”.[5] Paralelisht, siç tregon “New York Times”, “udhëheqësit europianë të zemëruar për shkak të mbajtjes në errësirë, mundoheshin të mbanin Iranin larg përshkallëzimit, sepse nëse ai vepronte, amerikanët kishin zhvilluar plane për të goditur një anije dhe do të ndërmerrnin një sulm kibernetik për të nxjerrë jashtë përdorimit pjesërisht sektorin e naftës dhe gazit. Por USA dërgoi kumte sekrete përmes ndërmjetësuesve zviceranë [ambasada zvicerane është përdorur për komunikim që në vitin 1980 pas revolucionit islamik dhe kapjes së ambasadës amerikane në Teheran; ajo ndihmoi në vitin 2003 në Irak për shmangien e një lufte të drejtëpërdrejtë dhe në realizimin e marrëveshjes me Iranin nga administrata “Obama”] duke nxitur Iranin që të mos përgjigjësh aq fortë saqë Trampi do të ndihësh i bindur për të shkuar më tej. Pasi Irani u përgjigj me 16 raketa pa dëmtuar ndonjërin [brenda vendit tha se vrau dhjetra ushtarë amerikanë] - një kumt erdhi sërish përmes Zvicrës që thoshte se ky është fundi i hakmarrjes tanipërtani. Kumti i dërguar në Uashington brenda pesë minutash pasi ishte marrë, bindi presidentin të qetësohësh”.[6] Duhet thënë se “vrasja e Sulejmanit ishte biseduar 18 muajt e fundit por ngaqë ishte e vështirë për t’u goditur në Iran, zyrtarët kundruan ta ndiqnin në vizitat e tij në Siri dhe Irak dhe kërkuan zhvillimin e agjentëve në shtatë ente të ndryshme për të raportuar mbi lëvizjet e tij, në Ushtrinë Siriane, Forcën Quds në Damask, Hezbollah në Damask, në Damask dhe aeroportin e Bagdatit dhe Kataib Hezbollah dhe forcat Mobilizuese Popullore në Irak. Kur tensionet u rritën në maj pas katër sulmeve mbi anije, Bolton, atëherë këshilltar në sigurinë kombëtare të presidentit, kërkoi nga agjencitë ushtarake dhe inteligjente të hartonin variante të rinj për përfrikësimin e agresionit të Iranit. Mes varianteve të paraqitur ishte dhe vrasja e Sulejmanit dhe drejtuesve të tjerë të Gardës Revolucionare. Pas kësaj faze filluan gjurmimet e Sulejmanit. Ky i fundit e dinte se do të vritësh dhe mezi e priste të vdiste si martir”.[7] Kultura e nderimit të “martirëve” në Iran fillon që nga koha e skizmës Sunni-Shia në shekullin e 7 dhe vazhdoi me armiqësinë e heshtur kundrejt amerikanëve se në vdekje gjenerali do të ngrihësh gjithnjë në statusin e heroit kombëtar.[8]           

Sidoqoftë, kundërsulmi i Iranit mbi dy bazat ushtarake amerikane tregoi se raketat iraniane nuk u diktuan nga sistemi anti-raketor amerikan në asnjë bazë ushtarake - përjashto mundësinë që sistemet janë “fikur” qëllimshëm për të “kurthuar” Iranin në luftë (sepse sulmin mund ta përdorte Trampi për kundërsulm)…në kohën kur raketat iraninane kanë një rreze mjaft të gjatë veprimi — ato mund të arrijnë deri në Shqipëri! Sulmet e Iranit nuk shkaktuan dëme në ushtarë dhe Teherani i tha USA-s përmes të paktën dy kanaleve dytësore dhe qendrimeve publike se nuk do të konsideronte përgjigje të mëtejshme ushtarake. Kështuqë USA rithemeloi qasjen e saj të ‘përfrikësimit’. Iranianët kishin konkluduar se Trampi lehte më shumë se sa kafshonte; ndaj ata vepronin në rajon pa ngurrim. Por kur Trampi “kafshoi” ata filluan të mendonin se çfarë do të bënin nëse ai sulmonte ndryshe. Kjo ishte një arsye se pse Irani sulmoi me raketa pas varrimit të Sulejmanit; një tjetër, ishte pjesëmarrja masive e popullit iranian në kortezhin katërditor të kryekomandatit: pjesëmarrja siguroi mbështetje për regjimin dhe rriti legjitimitetin e tij për politikat rajonale — një efekt që Uashingtoni nuk e kishte parashikuar. Ky efekt, sidoqoftë, u fashit shpejt kur u pranua pas pak ditësh se avioni me udhëtarë ishte goditur gabimisht nga ushtria iraniane. Kujtoj se Trampi përdor taktikat e Banonit ndërsa ky i fundit, është ‘leninist’ — në kuptimin e taktikave që mëson Lenini.[9]      

Fuqia e raketave iraniane përshkruhet nga ministria e mbrojtjes amerikane si më e madhja në Lindjen e Mesme: ajo përbëhet nga raketa me rreze të shkurtër dhe mesatare ndërsa ka testuar teknologji hapësinore për ta lejuar atë të zhvillojë raketa ndërkontinentale. Ushtria iraniane ka rreth 523,000 ushtarë aktivë (350,000 në ushtrinë e zakonshme; 150,000 në gardën revolucionare dhe 20,000 në marinë ndërsa mund të mobilizojë qindra mijëra forca vullnetare) — katërfish më shumë se numri i ushtarëve amerikanë rreth Iranit. Fuqia ushtarake Quds e Sulejmanit, jashtë vendit, besohet të ketë rreth 5,000 ushtarë. Irani ka zhvilluar, gjithashtu, fuqinë e spiunazhit kibernetik dhe mund të shkaktojë dëme në botën kibernetike.[10] Me këto aftësi dhe asimetri ushtarake do të ishte marrëzi të sulmohësh Irani nga Amerika. Por ndërsa bota ishte në angth për kundërpërgjigjen e Trampit dhe opozita amerikane përsëriste “recitalin” e saj se Trampi është një president i papërgjegjshëm, ky i fundit nuk tregoi vetëm përgjegjësi me përgjigjen e tij kundrejt Iranit por dhe ndryshim në politikën e jashtme amerikane në raport me Iranin dhe përgjithësisht në raport me Lindjen e Mesme: së pari ai kërkoi një marrëveshje të re me Iranin duke përfshirë dhe fuqitë e tjera (Britaninë, Gjermaninë, Francën, Rusinë dhe Kinën) e cila të lejojë Iranin të lulëzojë dhe përparojë; dhe së dyti ai kërkoi nga NATO-ja të përfshihet më shumë në Lindjen e Mesme duke theksuar faktin se Amerika ka realizuar pavarësi energjitike dhe nuk ka më nevojë për energjinë e Lindjes së Mesme. Por sanksionet do të shtohen: qëllimi i tyre do të jetë ndryshimi i ‘sjelljes’ së Iranit.

Vendimi i Trampit për të vrarë Sulejmanin shkaktoi, siç tregon një analizë në FT, kosto për aleatët e USA-s dhe për vetë USA-n: ndërsa mbrojtësit e Trampit, sulmin e tij ndaj Sulejmanit e quajnë si “art i përfrikësimit për të gjeneruar në mendjen e armikut frikën…e sulmit”, sipas një filmi klasik të luftës së ftohtë: ishte hera e parë që nga koha e luftës së dytë botërore që USA haptazi të shënjestronte një zyrtar qeveritar të huaj. Trampi mund të jetë impulsiv, pohojnë mbrojtësit e tij. Ai mund të befasojë dhe këshilltarët e tij. Por të paktën ai mban armikun në balancë. Fakti që Irani kufizoi hakmarrjen me raketa mbi bazat ushtarake që bujtinonin trupa amerikane në Irak përforcoi bindjen e tyre…[por qendrimi i Trampit pas hakmarrjes së Iranit] u përshëndet me heshtje të pakëndshme nga aleatët e Amerikës. Heshtje pati dhe në Lindjen e Mesme ku Arabia Saudite dhe Emiratet, aleatët më të afërt të Amerikës, mbajtën këshillin e tyre pas vrasjes së Sulejmanit. Qoftë edhe Netanjahu, kryeministri i Izraelit, i cili zakonisht është i pari që mbështet Trampin, udhëroi kabinetin e tij të heshtte…as edhe një vend i vetëm nuk tha se vrasja e Sulejmanit ishte ide e mirë, tha Ivo Daalder, një ish-ambasador në NATO…[kujtoj se Shqipëria e mbështeti vendimin e Trampit!]. Por kur vendimi i paparashikueshëm i administratës së Trampit u shfaq plotësisht, pyetja me të cilën përballet USA është se nëse Trampi mund të rifitojë besimin e aleatëve — ose qoftë edhe nëse dëshiron ta fitojë. Pak vrojtues mendojnë se përgjigjja është për cilëndo po. Çështja më e ngutshme është se si do të veprojë Irani pas goditjeve simbolike — sulmi i tij i parë dhe i drejtëpërdrejtë kundrejt objektivave amerikane. Figurat kryesore iraniane nuk e mbajnë të fshehtë se Teherani po planifikon hakmarrje më të rrezikshme. Ajo mund të shtrihet nga kiberlufta në USA në gacmimin e anijeve në Golf, ose sulme nga fuqitë e ndërmjetme iraniane mbi objektiva amerikane në Irak dhe përtej….një i brendhsëm i regjimit shton: Do të shikoni se Iraku do të kalojë përmes një metamorfoze së shpejti dhe do të bëhet shtet më fetar dhe më i pavarur nga USA. Trampi do të shtrëngojë Iranin për të negociuar një marrëveshje të re me Francën, Britaninë dhe Gjermaninë ndërsa nxiti NATO-n të zgjerojë veprimtarinë e saj duke shpikur një term të ri “Natome” —Nato Middle East— për të përshkruar idenë, e cila u prit me mosbesim. Megjithëse përparësia e Amerikës është të përqendrohet në “konkurrencën e superfuqive” me Kinën dhe Rusinë duke pakësuar luftën kundër-terrorizmit, Trampi po shkon në drejtim të kundërt: duke shtuar trupat amerikane në rajon (brenda një viti janë shtuar 14,000 trupa ndërsa Pentagoni dërgon 3,500 të tjera –divizionin ajror- në Kuvajt). Aleatët e NATO-s, ndërkohë, kanë tërhequr personelin nga Iraku dhe pezulluan misionet anti-ISIS në Irak. Njëkohësisht, udhëheqësit Sauditë dhe Emirateve po forcojnë lidhjet me Rusinë dhe Kinën. Shetet e Golfit gjithashtu po kthehen heshtur drejt Iranit.[11] Dhe siç tregon një ish-ambasador britanik në Uashinton, shtetet arabe në Golf kuptuan gradualisht se Amerika nuk do t`i shpëtonte nëse Irani vazhdonte rrugën e tij dhe ata filluan tentativat e tyre për bisedime me Teheranin përmes kanaleve dytësorë…[ndërkohë] në prapaskenë, zyrtarët iranianë filluan të ndanin me qeveritë perëndimore një vijimësi të mundshme ngjarjesh e cila do të çonte çdonjërin në termat e marrëveshjes së vitit 2015 (JCPOA) — nëse Trampi ofronte një çikë zbutje të sanksioneve. Ata qarkulluan gjithashtu idenë e një dialogu rajonal për sigurinë bazuar në parimet e jo-agresionit dhe jo-ndërhyrjes.[12]  Por rrëzimi i avionit me udhëtarë nga Irani ndërlikoi gjendjen…

 



[1]Iran Draws parallels with Soleimani assassination and 1953 coup, FT, Jan 04 2020.

[2]Al-Shabab militants attack Kenya and US naval base, BBC, Jan 05 2020.

[3]Crude oil used by U.S. refineries continues to get lighter in most regions, U.S. Energy Information Administration, October 11, 2019.

[4]Mashtrimi dhe krimi me megaprojektet dhe energjinë teknologjike: drejt një revolucioni tekno-energjitik. Pjesa e fundit e tij është publikuar në anglisht dhe mund të përdoret nga populli amerikan dhe çdo populli tjetër.

[5]Iran fallout exposes rifts between Trump and Pentagon, FT, 08 Jan 2020.

[6]Seven Days January: How Trump Pushed U.S and Iran to the Brink of War, New York Times, Jan 11, 2020.

[7]Po aty.

[8]Iran deserves credit for admitting fault. It shows a new start is possible, Peter Westmacott, The Times, 12 Jan 2020.

[9]Bannon says he`s a Leninist: that could explain the White House`s new tactics, The Guardian, 6 Feb 2017. The Political Strategy and Tactics of the Russian Communists, J. V. Stalin, 1921.

[10]Iran attack: How strong is Iran`s military? BBC, 08 January 2020.

[11]US vs Iran: the costs of an erratic president, FT, 11 Jan 2019.

[12]Iran deserves credit for admitting fault. It shows a new start is possible, Peter Westmacott, The Times, 12 Jan 2020.

 

Revolutionising energy resources: from fossil fuels to black and fusion energy

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA