...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Minimi i reformës në drejtësi nga klasa politike: mitet dhe alternativat

Ylli Përmeti

21/04/2017 - 14:59

Abstrakt: ky studim tregon shkaqet e dështimit të reformës në drejtësi dhe paraqet alternativat e mundshme. Argumentohet se disiplina juridike që është adoptuar dekadat e fundit nga klasat politike dhe popujt është kontradiktore me dinamikën sistemike dhe si e tillë, është e destinuar të dështojë dhe shtojë dhimbjet për popujt, veçanërisht për shtresat e ulëta të shoqërisë. Studimi ndahet në tre pjesë: në pjesën e parë shqyrtohet gjendja juridike në perëndim, shkaqet pse ajo është zvetënuar dhe efektet e politikave të globalizmit neoliberal mbi popujt; në të dytën shqyrtohen alternativat e drejtësisë dhe në të tretën tregohet mashtrimi i madh me reformën në drejtësi.

 

Kur njeriu përsoset ai është më i miri i të gjitha kafshëve; por nëse ai ndahet nga ligji dhe drejtësia, ai është më i keqi.—Aristoteli

 

Kur një vend sundohet nga parti anëtarët e të cilave nuk kanë zhvilluar mjaftueshëm virtytin intelektual dhe veçanërisht virtytin e drejtësisë, nuk do të ishte e habitshme që të përfundonte në “gojën” e të huajve. Rast tipik janë partitë politike të dekadave pas rënies së socializmit në Shqipëri: pasi shkatërruan sistemin e drejtësisë - shkatërruan dhe popullin. Është pikërisht ky shkatërrim që imponoi reformën në drejtësi, e cila, me rradhë, imponohet nga perëndimorët. Domethënë, nga nevoja për të justifikuar rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal në sytë e popullit tonë. Kjo reformë paraqitet nga demagogët e sistemit si e nevojshme meqënse me një sistem drejtësie të mirë-administruar do të vijnë investimet e huaja dhe të brendshme! Dhe kanë të drejtë. Por demagogët nuk përmendin faktin tjetër se reforma në drejtësi nuk do të pengojë thellimin e pabarazive në vend; as do të zhvillojë arsyetimin juridik të popullit tonë. Duhet thënë se as traktati i Maastricht-it as Kriteri i Kopenhagenit nuk e vendos reformën gjyqësore si parakusht për integrim në BE, por, meqënse gjykatësit e gjyqësorit të shteteve anëtare hamendësohet se do të bashkëpunojnë me Gjykatën e BE-së në Luksemburg dhe do të zbatojnë ligjin e BE-së në raste të veçantë, kryesisht për të drejtat e njeriut, nuk do të ishte e çuditshme që BE-ja të përkujdesësh nga afër për reformat në gjyqësor për shtetet kandidate.[1] Për të njëjtën arsye, reforma në fjalë lidhet kryesisht me “refomimin” e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Këshillit të Prokurorisë, Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar, si dhe në reformimin e organizimit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Ajo synon teorikisht “reformimin” e gjithë hallkave administrative, institucionale dhe të arsimit të lartë. Domethënë, zëvendësimin e individëve kryesorë të institucioneve, rritjen e përgjegjësisë dhe zvogëlimin i korrupsionit.

Për të realizuar këtë objektiv qeveria krijoi një Komision “ekspertësh” për ndryshime kushtetuese dhe ndryshimet iu dërguan Këshillit të Europës (“Komisionit të Venecias”) për shqyrtim dhe përshtatshmëri me frymën e Kushtetutës. Pas këtij procesi “ndryshimet” do të miratohen ose në Kuvend ose me referendum popullor...Në kohën kur sipas “Global Corruption Barometer: 2007”, Shqipëria klasifikohet në një ndër vendet më të korruptuara në drejtësi: rreth 60% e qytetarëve besojnë se ky institucion është i korruptuar,[2] një përqindje, që në vitin 2014-të, rritet në thuajse 70%.[3] Vendin e parë e mban Portugalia (rreth 90%) dhe të fundit Danimarka (rreth 10%). Ndërsa BE/Eurozona qendron në mesataren e 49%. Duhet sqaruar këtu se standarti që përdorin institucionet ndërkombëtare për ‘korrupsion’ është problematik, sepse ai konsideron vetëm korrupsionin e institucioneve të një vendi në lidhje me qytetarët e të njëjtit vend. Sepse korrupsioni më i madh, siç tregon Monbiot në një analizë,[4] ushtrohet nga korporatat dhe bankat mbikombëtare mbi politikanët profesionistë të vendeve të nënshtruara ekonomikisht në kuadrin institucional të Globalizmit Neoliberal. Duhet theksuar, gjithashtu, se në institucionet kryesore të drejtësisë në Shqipëri është zbatuar “politika e lustracionit” nga qeveritë e dy dekadave të fundit. Domethënë, individët e zgjedhur në krye të këtyre institucioneve janë individë që janë (për)zgjedhur nga qeveritë e kaluara me qëllim që t’i shërbenin qeverive sesa drejtësisë. Shembull tipik këtu është Ristani.

Sidoqoftë, problemi në institucionet e drejtësisë nuk është Ristani e të tjerë si ai, por është, edhe një herë, përqendrimi i pushtetit në pak individë, të cilët nuk dinë dhe rrjedhimisht nuk mund ta shpërqendrojnë atë, që bën të mundur krijimin e institucioneve problematike. Përqendrimi i pushtetit është pasojë e kuadrit modern institucional, respektivisht, “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut dhe botëkuptimit modern. Sigurisht, lidhur me këtë çështje, opozita mbroi idenë se “reforma” nuk duhet të bëhet nga qeveria, por nga vetë gjyqtarët dhe prokurorët. Me këtë argument ajo u mundua të godiste me një gur dy zogj: edhe të ruante në krye të institucioneve të drejtësisë ata që ajo emëroi kaq vite edhe të duket se respekton pavarësinë e institucioneve. Pasi zvarriti miratimin e saj dhe nuk pati sukses me pezullimin e reformës në Uashington, duke përdorur miliona dollarë nga kursimet e popullit dhe krimit të organizuar dhe, duke paguar sekserë amerikanë, bashkë me LSI-në, realizoi minimin e saj, me ndihmën e PS-së...me ndryshimin e nenit të famshëm të procedurës penale 499, i cili bllokon hetimin e politikave kriminale të klasës politike dekadat e fundit! Domethënë, bllokon Byronë Kombëtare të hetojë krimet e së kaluarës. Paralel me këtë minim, partitë u kujdesën të integronin në komisionet përkatëse njerëz nga klasa aktuale politike. Në këtë mënyrë reforma u minua në përqindjen e saj më të madhe. Sepse qëllimi fillestar i reformës ishte të dënoheshin krimet e së kaluarës. Me minimin e saj dhe krijimin e institucioneve të rinj, mund të hetohen vetëm krimet e të ardhmes! Sidoqoftë, le të shqyrtojmë si fillimmundësinë e mos-korruptimit të partive politike (ose pushtetit politik) në kuadrin modern institucional kur përbri tij zhvillohet një pushtet tjetër: pushteti ekonomik! Për ta kuptuar këtë problematikë mirë do të ishte të shqyrtonim gjendjen e drejtësisë në SHBA, shkaqet pse ajo është ashtu siç është dhe si mund të jetë ndryshe. Siç citon një dekan dhe autor i Universitetit të Kalifornias:

Në vitet e fundit gjykata e ka bërë shumë të vështirë, dhe zakonisht të pamundur, për të burgosur policë dhe qeveritë që i punëson ata, përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo sjellje minon aftësinë e përfrikësimit sjelljen e paligjshme të policëve dhe i lë viktimat pa kompensim. Kur policia vret ose plagos njerëz të pafajshëm, viktimat rrallë i drejtohen ligjit...ligji më i fundit i gjykatës që pajambajti policinë ishte Plumhoff vs. Rickard, i cili shpalli se qoftë edhe sjellja më e rëndë e policisë nuk është “forcë e tepërt” dhe shkelje e Kushtetutës...Sepse është kaq e vështirë për të paditur entitete qeveritare, saqë pjesa më e madhe e viktimave padisin vetëm policët e përfshirë në të. Por këtu, gjithashtu, Gjykata e Lartë ka krijuar pengesa të pakapërcyeshme. Gjykata shpalli se të gjithë zyrtarët e qeverisë që janë paditur për dëmtime monetare mund të përdorin “imunitetin” si mjet mbrojtje. Policët dhe personeli i gjykatave që shkelin betimin kanë imunitet absolut dhe nuk mund të paditen për pará, qoftë edhe nëse burgoset një person i pafajshëm...Kur atje s’ka imunitet absolut, policët ende mbrohen nga “imuniteti i kualifikuar” kur paditen për dëmtime monetare’.[5]

Degjenerimi i situatës, në të vërtetë, filloi të degjenerojë me miratimin e “ligjit të patriotit” pas rrënimit të dy kullave në Nju Jork në vitin 2001 dhe shpalljes së luftës kundër terrorizimit nga administrata Bush. Nuk do të ishte e çuditshme që policët amerikanë të gjuajnë mbi persona të dyshimtë dhe protestues sipas dëshirës,[6]dhe sjellja kafshërore e policëve amerikan kundrejt njerëzve të pambrojtur të jetë thjesht simptomë sesa shkak i sulmeve. Brutaliteti i tetë policëve amerikan në Miçigan të SHBA-së, në vitin 2012-të, kundrejt një endacaku me të meta mendore dhe zezak, është pasojë e kësaj politike: ata, pasi e kërcënuan për të hedhur poshtë sojaken që mbante në dorë, të cilën ai nuk e hodhi, e qëlluan me 46 fishekë, 14 prejt tyre në trup, dhe më pas mundoheshin t’i vendosnin pranga në duart e tij të vdekura, ndërsa një polic e gjuante pas shpine me shkelma, përpara një supermarketi dhe shumë dëshmitarëve![7]Në këtë rast, jo vetëm që shkelet principi i përdorimit të së njëjtës forcë mbi çdo person, por, policët në grup, gjuajtën mbi një njeri që bartte rrezikshmëri të vogël. As do të ishte i çuditshëm numri i përgjithshëm (më shumë se 1,000) i të vrarëve gjatë vitit 2015-të nga policët amerikanë.[8] Në të njëjtin proces gjendet Britania: të mbështetjes së policëve “me ligj” për të gjuajtur lirshëm mbi qytetarët e dyshuar...për ‘terrorizëm’![9] Por ndërsa situata e përgjithshme në administratën e gjyqësorit në Amerikë në lidhje me qeverinë aktuale, policët dhe qytetarët, është përkeqësuar, elita politiko-ekonomike e Amerikës minoi edhe zgjedhjet: ajo, përmes Gjykatës së Lartë dhe sloganit të “Qytetarëve të Bashkuar”, u kujdes të çlironte veten nga shtrëngimet kushtetuese d.m.th. nga kufizimi i donatorëve për të sponsorizuar fushatën politike të Obamës dhe të çdo presidenti që do të trashëgojë Obamën. Si pasojë, në vitin 2008-të shpenzimet në zgjedhjet presidenciale thuajse u dyfishuan krahasuar me vitin 2004, ndërsa në vitin 2012-të ato thuajse u katërfishuan krahasuar me vitin 2008-të.[10]Më parë, sponsorët përballeshin me një kufizim prej 123, 200 dollarësh për çdo kandidat ose parti në një cikël dy vjeçar zgjedhor. Ata kufizoheshin gjithashtu se sa mund të jepte një person për çdo kandidat. Kufizimi i sponsorizimeve për një kandidat ende vazhdon të jetë në fuqi. Por tani dikush mund të japë te sa kandidatë dëshiron dhe më shumë se 3.6 milion në një cikël zgjedhor. Si pasojë, sponsorët mund të blejnë të gjithë Kongresin nëse ata dëshirojnë. Në një sistem ku parája konsiderohet zë, dhe korporatat janë njerëz, kjo situatë bëhet e pashmangshme. Zgjedhjet bëhen jo një sistem i angazhimit pjesëmarrës duke përcaktuar se si vendi do të administrohet, por sharada më e mirë demokratike ku parája mund të blejë çdo njeri. Njerëzit votojnë; por menjëherë sa parátë të kenë venduar se cilin mund të votojnë dhe cila duhet të jetë axhenda. Rezultati është një plutokraci që operon sipas ligjit të arit: se ata që kanë arin bëjnë ligjin. Si pasojë, përgjithësisht 30% e posteve diplomatike në administratën e Obamës kanë shkuar te miqtë dhe donatorët e tij — duke u kushtuar qytetarëve amerikanë miliona dollarë.[11]

Në të vërtetë ndryshimet kushtetuese i imponojnë oligarkitë ekonomike, të cilat, bashkëjetojnë me oligarkitë politike. Ndryshimi midis këtyre dy oligarkive është se e para, zakonisht është e përhershme, ndërsa e dyta, e përkohshme. Për shembull, dinastitë Rockefeller/Rothschild janë më shumë se dy shekullore dhe për pasojë, dinastike. Ndërsa politikanët profesionistë janë të përkohshëm. Kjo është arsyeja se përse themi se në Amerikë, dhe përgjithësisht në vendet perëndimore, pushteti ekonomik është më i fuqishëm se pushteti politik. Ndryshe nga Amerika, në Shqipëri ky raport është në mpiksje e sipër: sepse, megjithëse oligarkët ekonomikë janë krijuar, është oligarkia politike ajo që dominon. Jo sepse ajo nuk sponsorizohet nga oligarkia ekonomike, apo sepse oligarkia politike nuk është e pasur, përkundrazi, por sepse ajo vazhdon të përdor “kartën” e votëbesimit. Nëse përqindja e pjesëmarrësve në votime bie, njëlloj bie edhe pushteti i saj kundrejt oligarkëve (ekonomik) dhe, njëlloj shtohet varësia e elitës politike kundrejt pushtetit ekonomik.Siç citon Paul Krugman kur tregon se cilët “gatuajnë” ligjet në Amerikë: ‘ligjet e Floridas, të cilët të lejojnë ty për të gjuajtur dikë që e konsideron kërcënues pa u përballur me arrestim, pale pastaj procedim, ligjet që janë shkruar dhe hartuar nga korporatat dhe më vonë duke i çuar te ligjbërësit shtetërorë, duke çorientuar publikun, për një qeveri të kufizuar dhe treg të lirë, ku pushteti i korporatave kërkon të privatizojë qeveritë, në të cilat korporatat marrin përfitimet e tyre nga dollarët e taksapaguesve, duke ekspansionuar kapitalizmin, siç e quan ai, të kumbarëve dhe duke shfrytëzuar frikën e publikut, sidomos ato që shoqërohen me tensione raciale, për të promovuar një axhendë pro-korporative... duke krijuar një klimë politike që do të mbajë edhe më shumë ligje miqësore për korporatat në të ardhmen, duke përfunduar se:

...ne duket se po kthehemi në një vend ku kapitalizmi i kumbarëve nuk humbet thjesht parátë e taksa-paguesve, por çorodit të drejtën kriminale, në të cilën burgimet në rritje reflektojnë jo nevojën për të mbrojtur qytetarët që respektojnë ligjin, por përfitimet e korporatave që mund të korrin nga një popullatë më e madhe të burgosurish.[12]

Në këtë kuadër, nuk do të ishte i çuditshëm roli i Komisionit Europian, i cili përshkruhet mjaft qartë nga një ish këshilltar dhe personel i çështjeve Europiane në Bruksel, Andrien Mexis, dhe lektor i të drejtës Europiane në “Science Po” në Paris, kur thotë se: “unë shpenzova gjashtë vjet në Bruksel, ku ne hamendësoheshim të mbronim interesat e popullit Europian. Por në vend të kësaj, ne mbrojtëm interesat e lobeve, grupeve të mëdha industriale dhe shumëkombsheve. Ne mbrojtëm integrim më te thellë dhe federalizëm më të gjerë — një Europë të njëjtësuar homogjene, dhe pa identitete!”[13]Në të vërtetë, siç analizon Fotopoulos, kjo është një politikë e qëllimshme e Elitës Mbikombëtare me synimin për të krijuar rrjedhën e masemigrimit në BE, e cila quhet eufemisht “problemi refugjat”. Për shembull, Peter Sutherland, kryetari i emigracionit në Kombet e Bashkuar (në cilësinë e tij si përfaqësues i veçantë i sekretarisë së përgjithshme të OKB-së për Emigracionin Ndërkombëtar dhe si kryetar i Forumit Botëror mbi Emigracionin dhe Zhvillimin i cili mbledh përfaqësuesit e 160 kombeve për të bashkëndarë ide politike) ka luajtur një rol udhëheqës për të shprehur linjën e Elitës Mbikombëtare lidhur me emigrimin dhe homogjenitetit kulturor. Në të vërtetë, Sutherland është një anëtar i spikatur e vetë Elitës Mbikombëtare, meqënse ai ishte si fillim drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregut—një ndër institucionet kryesore të globalizmit neoliberal. Ai ka shërbyer gjithashtu për njëzetë vjet si kryetar i “Goldman Sachs International” dhe është një ish-kryetar i gjigandit të naftës BP. Duke patur “kualifikimet” e tij të larta ai ka luajtur natyrshëm një rol udhëheqës në lidhje me “krizën e emigrantëve” dhe “problemin e refugjatëve”, siç u zbulua nga vetë BBC-ja, një organ udhëheqës i propagandës së Elitës Mbikombëtare. Kështu, Sutherland, i pyetur nga Dhoma e Lordëve të Britanisë katër vjet më parë lidhur me emigracionin, padashur zbuloi se nga cilët dhe pse u krijua eksodi masiv i emigrantëve në Europë në pak vitet e fundit, gjithashtu dhe arsyet pas të ashtuquajturit “problemi i refugjatëve”. Domethënë, ai zbuloi padashur se, në të vërtetë, ishte Elita Mbikombëtare e cila, me qëllim që të përputhte nevojat e globalizmit neoliberal në terma të kërkesave të punës së lirë, ka përdorur ideologjinë e globalizmit në terma multikulturalist dhe kufijëve të hapur, efektivisht, me qëllim që të realizonte synimet e saj njëherësh të globalizmit ekonomik dhe kulturor. Mjetet për të realizuar këtë synim të madh janë minimet e homogjenitetit kulturor të kombeve Europiane. Ja se si e raportoi BBC-ja takimin vendimtar të komitetit të Dhomës së Lordëve me Sutherland:

Një popullatë vendase në plakje ose në rënie në vende si Gjermania ose në shtetet jugore të BE-së ishte “argumenti kyç dhe —ngurroj të përdor fjalën sepse njerëzit e kanë sulmuar atë— për zhvillimin e shteteve multikulturore”, ai shtoi. “Është e pamundur të konsiderojmë se shkalla e homogjenitetit që nënkuptohet nga argumenti tjetër mund të mbijetojë sepse shtetet duhet të bëhen më të hapur, në terma njerëzish që i banojnë ata. Njëlloj siç ka treguar Britania”. Në nivelin më të ulët, njerëzit duhet të kenë liri zgjedhje. Përfaqësuesi i OKB-së mbi emigracionin u pyet gjithashtu se çfarë duhet të bëjë BE-ja rreth fakteve nga OECD-ja se përqindjet e punësimit mes emigrantësh ishin më të lartë në SHBA dhe Australi se në vendet e BE-së. Ai i tha komitetit: “SHBA-ja, ose Australia dhe Zelanda e Re, janë shoqëri migratore dhe rrjedhimisht ato i përshtaten me gadishmëri më të madhe atyre që kanë prejardhje tjetër sesa ne për veten tonë, që ende mëndim një kuptim të homegjenitetit tonë dhe ndryshueshmërisë nga të tjerët. “Dhe pikërisht këtë duhet të bëjë Bashkimi Europian, në këndvështrimin tim: të minojë homogjentitin e kombeve”.

Kështu, për pjesëmarrësin e shpeshtë në mbledhjet e Grupit të Bilderberg (një institucion tjetër jozyrtar i Elitës Mbikombëtare i cili është një rrjet organizativ i nivelit të lart zakonisht i kritikuar për gjoja sekretet e tij), BE-ja duhet të bëjë më të mirën për të minuar homogjenitetin kulturor në nivel kombëtar, përmes politikave të emigracionit dhe refugjatëve, me pretekstin e mbështetjes së të drejtave të “shenjta” të lirisë së zgjedhjes dhe “vlerave humaniste europiane” mbi refugjatët respektivisht. Është pikërisht mbi bazën e këtij argumenti çorientues, që shpreh vlerat liberale të autonomisë individuale (në kontrast të vlerave libertariane dhe socialiste të autonomisë kolektive dhe sociale), që propaganda e stërmadhe e Elitës Mbikombëtare u ndërtua për të “shpëtuar refugjatët” e cila kushte synime të disafishtë:

 a) të ndihmonte globalizmin ekonomik, duke furnizuar elitat me punë të lirë për të mbuluar nevojat e rritjes të Veriut Europian dhe, njëkohësisht, duke barazuar rrogat e ulëta;

b) të promovonte efektivisht globalizmin kulturor duke minuar homogjenitetin kulturor brenda çdo kombi, si parakusht për krijimin e një BE-je të integruar politikisht dhe ekonomikisht, e cila do të jetë gjithashtu hapi i parë në procesin e qeverisjes globale (hapi tjetër do të jetë bashkimi efektiv i BE-së dhe NAFTA-n përmes TTIP); dhe

c) të shkatërrojë çdo mbetje të sovranitetit ekonomik dhe kombëtar brenda një BE-je pakufijë. Ishte si reagim i kësaj tendence ngritja konseguente e lëvizjeve neo-nacionaliste rreth gjithë Europës që disa vende Europiane u detyruan në muajt e fundit të mbyllnin kufijtë e tyre, përveç atyre që kanë humbur çdo shenjë sovraniteti, si Greqia, e qeverisur nga një qeveri kriminale e “Majtë”.

Ishte rrjedhimisht në këtë kuptim që vendimi i popullit Britanik për Brexit ishte një vendim revolucionar, meqënse ai minonte këtë proces afatgjatë të planifikuar me kujdes për qeverisje botërore. Kjo ishte gjithashtu arsyeja për kundër-revolucionin e stërmadh që u vu në lëvizje nga Elita Mbikombëtare menjëherë pas njoftimit të rezultatit të referendumit. Synimi ishte të “ndëshkonte” në çdo mënyrë të mundshme popullin britanik i cili gjeti kurajën t’i rezistonte globalizmit neoliberal, me qëllim që asnjë popull tjetër as të mos mendonte të përpiqësh t’i imitonte.[14]

Shkurt, kur qytetarët humbasin besimin te një klasë politike dhe braktisin masivisht votimet, pushteti i elitës politike bije dhe ajo detyrohet të bashkëpunojë më ngushtë me oligarkinë ekonomike me qëllim që të mbijetojë. Në këtë raport, midis oligarkisë politike dhe ekonomike, sigurisht që ndikon edhe ideologjia: sa më e lartë shkalla e përputhjes në politika ekonomike midis oligarkive politike dhe ekonomike aq më i madh do të jetë bashkëpunimi. Elita politike Amerikane, për shembull, gjendet pikërisht në situatën e sapo përmendur d.m.th. ajo gëzon votëbesim të ulët katër dekadat e fundit (mesatarisht rreth 50%) dhe ekzistenca e saj varet nga sponsorizimet e korporatave dhe bankave amerikane, të cilat, tashmë, kanë pushtuar një pjesë të mirë të botës. Pushteti politik dhe ekonomik luan rol vendimtar në mbarëvajtjen e drejtësisë. Të dy këta pushtete ndikojnë vendimtarisht në vendimet dhe proceset gjyqësore të gjykatave të një vendi. Edhe nëse në një vend nuk ekziston pushteti ekonomik, siç ai shprehet, me monopole dhe oligopole, legjislativi dhe gjykatat gjithnjë do të ndikohen nga ekzekutivi ose qeveria ose pushteti politik, sepse çdo qeveri, nënkupton një lloj pushteti ndryshe nga dy institucionet e tjera.

Miti tjetër, që propagandojnë elitat kapitaliste, është pavarësia e Bankës Qendrore. Ata e bëjnë këtë për dy arsye: jo sepse banka qendrore do të ‘politizohet’ ose do të pajambajë partitë në pushtet, siç propagandojnë çorientueshmërisht elitat kapitaliste, por sepse (1) ajo gjoja ndan politikën partiake nga “shkenca” monetare dhe (2) ajo ka mundësi t’u shërbejë bankave private kur operon e ‘pavarur’. Nëse banka kombëtare kontrollohet nga një qeveri (ose nga një popull), ajo ka shumë mundësi të pengohet në lidhjen e ngushtë që krijon sistemi midis saj dhe bankave private. Kjo është arsyeja që elitat kapitaliste propagandojnë pavarësinë e bankës qendrore: me qëllim që ajo t’i shërbejë kryesisht bankave private. Në Amerikë, për shembull, banka e saj qendore, FED, është e ‘pavarur’ sepse edhe kur injekton ose lëngëzon sistemin me pará të reja, ato do të kalojnë përmes bankave private dhe këto, me rradhë, krijojnë hua kryesisht për oligopolet sesa për ndërmarrjet e vogla.     

Miti tjetër është miti i “fjalës së lirë”, i cili, në kuadrin aktual, merr një karakter oksimoron, d.m.th. të një zhurme të heshtur. Sigurisht, ‘fjalët e folura janë simbole të përvojës mendore dhe fjalët e shkruara janë simbolet e fjalëve të folura’. —Aristoteli, por përvoja jonë mendore varet nga ata që ushtrojnë pushtetin në emërin tonë — të cilët lëvizin tërësinë shoqërore drejt një orientimi që ata besojnë kryesisht instinktivisht (jo silogjistikisht dhe arsyetimit intuitiv, d.m.th duke konsideruar sistemin dhe dinamikën e tij dhe efektet ndërsistemike) se do t’u dalë për mbarë. Si pasojë, ne flasim ose përsërisim gjuhën e tyre – pavarësisht se na duket se gëzojmë lirinë e fjalës. Sepse fjala e lirë kushtëzohet nga ata që ushtrojnë pushtetin në emërin tonë. Shkurt, ne përqendrohemi pashmangshmërisht te fjala që përdorin përfaqësuesit tanë, sepse ata zotërojnë fatin e jetës sonë, dhe për pasojë, fjala jonë nuk është e “lirë”: ajo është lidhur me ushtrimin e pushtetit — dhe nëse ushtrimi i pushtetit kufizohet dhe përqendrohet te pak individë, siç përqendrohet, edhe gjuha jonë, është e kufizuar dhe s’është aspak e lirë. Sepse fjala e lirë do të ishte vetëm atëherë kur ne, pa shtrëngime, do të ushtronim pushtetin tonë dhe bashkë me të, do të përdornim mendjen dhe fjalët tona, një proces që mishëron përvojat mendore të gjithë pjesëmarrësve. Nuk është e rastit që qytetarët e përjashtuar nga ushtrimi i pushtetit politik përsërisin “opinionet” e përfaqësuesve dhe “ekspertëve” në çdo raport shoqëror ku mundohen të spikasin më të mirin.  

Gjithashtu, gjykatat përballen, si gjithë institucionet e tjerë dhe shoqëria, me dinamikën kryesore të shoqërisë: përfitimin. Domethënë, përfitimi është lëvizësi i parë i çdo individi që administron një institucion dhe institucioni është mjeti i cili mundëson përqendrimin e pushtetit. Nuk do të ishte e çuditshme që gjyqtarët, mbrojtësit e drejtësisë, të fshehin pasuritë.[15] Sepse shumicës së individëve që administrojnë institucionet e drejtësisë (dhe jo vetëm) u mungon njohuria shkencore (d.m.th. se çdo veprim dhe vendim bart shkaqe dhe pasoja) dhe etike (jo vetëm shkaqe dhe pasoja por mund të shkaktojë ose dhimbje ose kënaqësi ose të dyja bashkë). Mungesa e njohurisë shkencore shpesh —për mos të thënë gjithnjë— shoqërohet me mungesën e përvojës. Dhe mungesa e njohurisë shkencore dhe përvojës ndikojnë vendimtarisht në sjelljen dhe vendimet e një institucionalisti. Kjo është arsyeja se përse themi se zotërimi i njohurisë shkencore dhe përvojës krijon kushtet për “arsyetim intuitiv”. Si të tillë, me mungesë dije shkencore dhe përvojë, ata përballen me dy dinamika përcaktuese për sjelljen dhe vendimet e tyre: një qeveri pushteti i së cilës është dominant dhe ndikon vendimtarisht në vendimet e gjykatave dhe një shoqëri tejet të pabarabartë ku dominon përfitimi dhe bota materiale e cila siguron kryesisht kënaqësitë mishtore sesa një botë të balancuar midis zhvillimit të vlerave demokratike dhe virtyteve nga të cilat duhet të varet sjellja, plotesimi i kënaqësive dhe zhvillimi material i çdo individi. Nuk do të ishte e çuditshme që gjykatat të përqendrohen për herë dhe më shumë te gjykimi i çështjeve të oligarkëve dhe të lënë pas dore çështjet e shtresave të ulëta të shoqërisë: sepse tek ata përqendrohen avokatët. Siç citon një kritik në The Observer:

Britania mund të jetë “kredhur në një reçesion të dyfishtë”, brufullon një çështje e fundit në Legal Buesiness, një revistë e lustruar për avokatët korporativë, “por maja e firmave të Britanisë vazhdon të postojë rritje rekorde dhe përfitime me prirje shpërthyese”. Maja më e lartë e drejtësisë është zhbalancuar nga parátë. Jonathan Sumtion QC fitoi shumën më të madhe të avokatëve që është fituar ndonjëherë, kur ai futi në xhep një shumë se ₤5 milionë për mbrojtjen e Roman Abramovich në ndeshjen e tij me Boris Berezovsky [të dy janë rusë dhe i dyti paditi të parin për pretendime shantazhi, shkelje besnikërie dhe kontrate]. Përfitimit në firmat më të pasura të Londrës arritën më shumë se ₤5 bilion për herë të parë vitin e fundit. Shtatë më të pasurat paguan partnerët e tyre më shumë se ₤1 milionë për çdonjërin.[16]

Përgjithësisht, partnerët e firmave avokatore më të spikatura të Londrës faturojnë deri në 1,000 stërlina në orë – përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë, nga 598 stërlina që ishte në vitin 2003![17] Kjo dinamikë pengon aksesin e ndërmarrjeve të vogla në drejtësi. Për të gjitha këto arsye mund të konkludohet se reforma në drejtësi është një mit përsa kohë që nxitet nga qeveria aktuale: sepse ajo ndryshon vetëm individët e instutucioneve përkatëse, të cilët nuk dihet se sa shkencorë, empirikë dhe etikë janë, përsa kohë që emëruesit e tyre (politikanët) nuk janë të tillë, por jo dinamikën tërësore të shoqërisë, e cila krijohet nga sistemi. Dhe ajo bëhet më shumë se mit me integrimin tonë në BE. Sepse, megjithëse BE-ja tund kudo kartën e të “drejtave e njeriut”, të cilat, qoftë edhe Britania po i braktisë,[18] kontrolli nga lartë-poshtë i gjyqësorit, siç tregon edhe përvoja çeke,[19] pengon reformën.

Kështu, meqënse drejtësia shqyrton veprime të së kaluarës, dhe veprimet lidhen kryesisht me urtësinë praktike të njeriut, dhe jo me urtësinë teorike — një urtësi që zotërohet nga njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe nëse ata nuk janë specializuar në drejtësi, çështja nuk shtrohet se nëse ne jemi gati të “reformojmë” gjykatat në kuadrin aktual institucional, ku ajo pashmangshmërisht do të përkeqësohet, meqënse shkaku përfundimtar i korrupsionit në gjykata është përqendrimi i pushtetit,[20] dhe gjendja ekonomike do të përkeqësohet,[21] jo vetëm në nivel vendor por edhe në nivel ndërkombëtar, kryesisht në Perëndim, por se nëse jemi gati të zhvillojmë gjykata popullore përmes një kuadri tjetër institucional, ku pushteti (i të gjitha formave) nuk do të përqendrohet por do të shpërqendrohet ose barasndahet dhe do të zhvillohen virtytet, shkenca dhe principet demokratike - me qëllim që gjykatat mos të ndikohen në sjelljet dhe vendimet e tyre? Nga e njëjta qasje duhet të trajtohet edhe dekriminalizimi i Kuvendit. Së pari, individët e kriminalizuar duhet t’u përmbahen kategorive të krimeve: në krime që burojnë nga papërgjegjësia ose pakujdesia dhe krime që burojnë nga ndërgjegjja/vetëdija e dikujt (mens rea). Por krimet që burojnë nga ‘papërgjegjësia’ nuk janë njëlloj me krimet që burojnë nga pakujdesia: në rastin e parë bëhet fjalë për krime që shkaktohen nga mungesa e dijes, d.m.th. nga shpërnjohja e pasojave lidhur me veprimet e një veprimi të caktuar. Në rastin e dytë bëhet fjalë për krime që shkaktohen nga nxitimi. Së dyti, Kuvendi aktual, shkakton krime sistemike, siç janë vendimet dhe orientimi ynë për t’u integruar në Rendi i Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, të cilët, ndikojnë negativisht në jëtët e qytetarëve dhe ekosistem. Këtë problematikë e shtruan për diskutim në Televizione gazetarët. Por, nëse gjykojmë nga “Opinion”, ku merrnin pjesë, si zakonisht, opinionistët më dominantë në vend (Bushati, Zogaj, Stefani, Lubonja etj.) përballë Bylykbashit, të cilët e shtronin çështjen vetëm në nivel individual, pa shkuar në kategoritë e krimit, ku Bylykbashi mundohësh të bëntë “ekspertin” juridik dhe nuk sqaronte procesin e dekriminalizimit, mund të themi se kjo problematikë nuk mund të zgjidhet kurrë. Jo në kuptimin se nuk ekziston ‘vullneti’ politik, siç mundohen të na bindin “ekspertët”. Por, në kuptimin se “ekspertët” nuk e shtrojnë çështjen juridikisht, siç u parashtrua më lartë. Dhe së treti, kjo reformë kërkohet nga vendet perëndimore që kanë vetë paralamente të kriminalizuar. Për shembull, nga 1,500 anëtarë të Parlamentit Britanik, Deputetë dhe Lordë bashkë, përgjatë periudhës 2005-2010-të, gjashtë ishin kriminelë.[22]

Mund të konkludojmë se dekriminalizimi i Kuvendit mund të bëhet vetëm nëse deputetët kategorizohen. Nëse kanë kryer krime të ndërgjegjshme ata duhet të pushohen nga punimet e Kuvendit pavarësisht se sa mund të jenë rehabilituar. Për një arsye shumë të thjeshtë: për t’u dhënë mundësi njerëzve që nuk kanë kryer krim. Nëse kanë kryer krime nga papërgjegjësia ata duhet të rikualifikohen. Dhe nëse dalin me sukses – ata mund të ripretendojnë institucionet publike. Por, lidhur me këtë çështje, lind një problem tjetër: se partitë në pushtet kanë përzgjedhur individë jo vetëm pa merita por edhe pa shqyrtuar cilësitë e tyre. Për të njëjtën arsye, ata janë të kriminalizuar indirekt. Në gjuhën juridike kjo dukuri njihet si ‘krim i deleguar’. Por megjithëse problematika e fundit mund të zgjidhet në të ardhmen - ajo vuloset me krimin sitemik - që u përmend më lartë. Shkurt mund të thuhet se sinteza sistemike shkakton më shumë krime sesa krimet individuale. Dhe ne duhet të shqetësohemi se si t’i reduktojmë, dhe mundësisht, eliminojmë plotësisht, krimet sistemike. Pa kuptuar, rrjedhimisht, shkaqet e krimeve sistemike, për të cilët do të flasim më shumë në vazhdim, ne kurrë nuk do të çlirohemi nga krimet dhe kostua ekonomike dhe shpirtërore që ata shkaktojnë. 

Alternativat e (ri)organizimit të institucioneve të drejtësisë

Njerëzit pa pushtet janë gjithnjë ankciozë për drejtësi dhe barazi ndërsa të plotëpushtetshmit nuk kujdesen fare për to.

—Aristoteli

 

Gjykatat ndërkombëtare shekullin e kaluar trajtonin kryesisht çështje që lidheshin me mosmarrëveshjet që lindnin mes shtetesh. Por falë Rendit të Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, ku shtetet dominohen nga korporatat dhe bankat mbikombëtare, gjykatat përballen edhe me çështjet që lindin midis korporatave dhe bankave në raport me shtetet. Këto gjykata pajtojnë mosmarrëveshjet mes investitorit dhe shtetit’ (Investor-state dispute settlement, “ISDS”) dhe penalizojnë shtetet (punëtorët, mjedisin etj.) në favor të korporatave.[23] Nuk është e rastit që në Amerikë këto gjykata kanë filluar të sfidohen nga politikanët për karakterin e tyre jodemokratik.[24]

Ndryshe nga këto gjykata, “demokracia” përfaqësuese dhe tregu i marketingut ka zhvilluar gjykata për çështje civile dhe penale. Në vija të përgjithshme rëndësia e gjykatave fillon nga lartë-poshtë dhe çështjet procedojnë nga poshtë-lartë. Në Britani, për shembull, skemën e së cilës e kanë kopjuar thuajse të gjithë shtetet modernë, gjykatat ndahen në tre kategori kryesore: në gjykatat e magjistratit ose të paqit, të cilat janë më të ulëtat; gjykata e apelit (crown court); dhe gjykata e lartë. Në anën e çështjeve civile qëndron gjykata e kontesë/krahinore. Principi i përgjithshëm që zbatohet në këtë hierarki gjykatash është se sa më lartë të shkojë një çështje aq më shumë lidhet një popullatë nga vendimi i gjykatës. Nëse, për shembull, gjykatat krahinore gjykojnë një çështje krahinore dhe merret vendim për të, vendimi prek (ose mund të prekë) vetëm krahinën. Por nëse vendimi në fjalë apelohet dhe shkon në gjykatën e apelit dhe që këtej në gjykatën e lartë, vendimi që do të burojë nga çështja në fjalë, dhe në varësi të çështjes, mund të lidhë një propullatë të tërë.

Por ndryshe nga moderniteti, Demokracia Klasike e Athinës, kishte ngritur tetë gjykata. Siç analizon Aristoteli: një gjykatë për auditim ose shqyrtim; një tjetër merr dijeni për çështjet e zakonshme kundër shtetit; një e tretë shqetësohet me tradhëtinë lidhur me kushtetutën; e katërta përcakton grindjet në respekt të dënimeve, se nëse ngrihen nga gjykatësit ose nga persona privatë; e pesta vendon rastet më të rëndësishëm civilë; e gjashta gjykon vrasjet, të cilat janë të llojeve të ndryshme, (a) të paramenduara, (b) të pavullnetshme, (c) raste në të cilët fajësia pranohet por drejtësia diskutohet; dhe atje mund të jetë një gjykatë e katërt (d) në të cilën vrasësit të cilët kanë shpëtuar nga drejtësia gjykohen pas kthimit të tyre; siç është Gjykata e Freatos e cila gjendet në Athinë. Por raste të këtij lloji rrallë ndodhin qoftë edhe në qytete të mëdhenj. Llojet e ndryshme të vrasjeve mund të gjykohen ose nga të njëjtat gjykata ose nga gjykata të ndryshme. (7) Atje ka gjykata për të huajt: nga këto atje janë dy nënndarje, (a) për zgjidhjen e grindjeve midis tyre, (b) për zgjidhjen e grindjeve midis tyre dhe qytetarëve. Dhe përveç gjithë këtyre atje duhet të këtë (8) gjykata për çështje të vogla rreth shumës së dhrahmive më shumë se pesë dhrahmi, ose pak më shumë, të cilat duhet të përcaktohen, por ato nuk kanë nevojë për shumë gjykatës.

Por përtej ndarjeve dhe nëndarjeve, Aristoteli përqendrohet kryesisht te mënyra e zgjedhjeve të gjykatësve, sepse, sipas tij, kur gjykatat keqadministrohen ato shkaktojnë trazira në shoqëri. Siç citon ai: ‘nëse të gjithë qytetarët gjykojnë, në të gjithë rastet e ndryshme të cilët i kam shquar, gjykatësit mund të emërohen me votë ose me short, ose herë me short dhe herë me votë. Ose kur një klasë e vetme shkaqesh gjykohen, gjykatësit, të cilët vendojnë për to, mund të emërohen disa me votë dhe disa me short. Këto janë rrjedhimish katër mënyrat e emërimit të gjykatësve nga gjithë njerëzit, dhe atje do të ketë katër mënyra, nëse ata zgjidhen vetëm nga një pjesë; sepse ata mund të emërohen nga disa me votë dhe të gjykojnë në të gjithë rastet; ose ata mund të emërohen nga disa me short dhe të gjykojnë në të gjithë rastet; ose ata mund të zgjidhen në disa raste me votë, dhe në disa raste me short, ose për disa gjykata, qoftë edhe nëse gjykojnë të njëjtët shkaqe, mund të përbëhen nga anëtarë që disa emërohen me votë dhe disa me short. Këto mënyra, atëherë, u përgjigjen të gjitha atyre që u përmendën. Edhe një herë, mënyrat e emërimit mund të kombinohen: disa mund të zgjidhen nga gjithë populli, disa të tjerë që janë zgjedhur nga disa, ose me votë ose me short ose me të dyja. Mënyra e parë, ajo përmes së cilës gjykatësit zgjidhen nga gjithë populli, dhe përmes të cilëve të gjithë rastet gjykohen, është demokratike; e dyta, e cila përbëhet nga pak gjykatës dhe të cilët gjykojnë të gjithë rastet, është oligarkike; e treta, në të cilën merren vendime nga të gjitha klasat, dhe disa vetëm nga disa klasa, është aristokratike dhe kushtetuese.[25]

Ndryshe nga sinteza demokratike që përshkruan Aristoteli, Shqipëria e “demokracisë” përfaqësuese ndjek thuajse me përpikmëri modelin “demokratik” të Perëndimit: anëtarët e Gjykatës së Lartë, për shembull, emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit,[26] ndërsa gjykatësit e niveleve të tjerë, zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.[27] Në të dy rastet, populli nuk përfshihet — as për propozime as për votime. Dhe njëlloj zgjidhen edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë etj. Qartësisht, mënyra përmes së cilës zgjidhen gjyqtarët është ekstremisht oligarkike. Përmes këtij procesi ‘autonomia’ e pretenduar humbet kuptimin e saj: sepse si mund të jetë i ‘pavarur’ një institucion ligjor kur pushteti politik, kryesisht i dy partive në pushtet, përcakton fatin e anëtarëve të gjykatave dhe pushteti ekonomik mund të minojë çdo vendimmarrje?

Kështu, problemi kryesor që shkakton shteti modern, në të cilin dominon rendi social-ekonomik i Perëndimit, kryesisht për gjykatat e dy niveleve të parë, është numri i lartë i çështjeve civile dhe penale në njërën anë, dhe ngritja e kostove për shtetin dhe qytetarët, në anën tjetër. Arsyeja kryesore është se rendi aktual ka institucionalizuar tregun e marketingut, d.m.th. marrëdhëniet pronësore, përmes të cilave sigurohet përfitimi. Nuk do të ishte e çuditshme që shumica e çështjeve në gjykata burojnë nga konfliktet pronësore. Problemi rrjedhimisht nuk mund të adresohet vetëm në nivel gjykatash, se përse, për shembull, ato janë të ngadalta në procedimin e çështjeve kur në anën tjetër sistemi gjeneron krim dhe padrejtësi të vazhdueshme. Por si mund t’i parandalojmë disi çështjet dhe të mos i ngarkojmë gjykatat me barrë më të madhe juridike? Përgjigja që marrim është se në rendin aktual është e pamundur të parandalojmë, qoftë edhe në një farë shkalle, konfliktet sociale. Përpjekja e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, për të ‘reformuar’ institucionet përkatëse, dhe kryesisht KLD-në, ku Presidenti i Republikës të mos jetë edhe kryetar i saj, për të cilën, pa u çuditur, mbështetet edhe nga opinionistët[28] dhe “ekspertetët”[29] e establishmentit, është shumë e pjesshme - për mos të thënë naive: sepse ajo synon vetëm zëvendësimin e anëtarëve kryesorë të institucioneve të drejtësisë dhe reformimin e sistemit të gjykatësve të karrierës dhe promovimit të tyre mbi bazë kriteresh “objektive” përmes vetëvlerësimit por të konfirmuar nga drejtuesit e gjykatave ku ata ushtrojnë detyrën.[30] Dhe është e vërtetë se ‘vetëvlerësimi’ është një koncept dhe praktikë mjaft e mirë: sepse ndihmon njeriun të vetë-reflektojë lidhur me (mos)veprimet e së kaluarës. Por, ai bëhet në një mënyrë të shtrembëruar: sepse ai nuk bëhet në publik por në raport me veten dhe drejtuesit e një institucioni. Ky raport, në vetë-vete e zbeh dimensionin e tij të përgjithshëm dhe konsideron vetëm dimensionin e veçantë. Sepse autokritika duhet të fillojë nga dimensioni i saj i përgjithshëm drejt veçantës. Sërish, nga e përgjithshmja sepse kështu krijohet dinamika sociale përmes së cilës individi shpalos veten dhe përfshihet në vlerësimin e përgjithshëm të shoqërisë dhe racionalizon në një shkallë më të lartë veprimet e tij sociale dhe institucionale.   

Në anën tjetër, sigurisht që nuk është në tagrin e Ministrit të Drejtësisë të nxisë debat publik për sistemin. Por ai ka mundësi të përqendrohet te numëri i madh i çështjeve penale dhe civile dhe të vërë gishtin mbi plagë: mbi sistemin - dhe jo thjesht mbi ‘shoqërinë’, siç na sugjerojnë “ekspertët”,[31] dhe të kërkojë parandalimin e tyre me qëllim që të ndihmojë njëherësh gjykatat dhe të ulë koston për qytetarët dhe për shtetin. Adoptimi i “sistemeve menaxheriale” të vendeve të tjerë, siç na sugjeron ministri aktual i drejtësisë, Manjani,[32] Irlandën, sipas të cilit ajo ka 5,5 milionë banorë dhe 105 gjyqtarë ndërsa ne 2.5 milionë dhe 364 gjyqtarë, pa cituar paralelisht numrin e çështjeve penale dhe civile që krijon sistemi dhe pa konsideruar dallimet kulturore të vendeve tona, tregon midis të tjerash, natyrën gjykuese të ngushtë të  “juristëve” tanë. Sepse përpara se të bëjmë karahasime me vende të tjerë, dhe veçanërisht me vendet perëndimore, ne duhet të konsiderojmë me mjaft kujdes periudhën e social-demokracisë përmes së cilës u institucionalizuan dhe u ‘kulturalizuan’, mes popujsh, për dekada me rradhë, principet tërësore të sistemit dhe të administratimit publik që në bllokun socialist mungonin. Pretendimi i të njëjtit ministër, se gjykatësve tanë u mungon “shkollimi europian”, ndaj dhe janë të tillë —joefiçentë në adminstrimin e shpejtë të çështjeve—...jo vetëm që është kryekëput i gabuar, nëse gjykojmë nga një perspektivë sistemike, por, ai e konsideron “shkollimin europian” si të ishte “panaceja” e efiçencës administrative! Bindjen për Universitetet perëndimore e tregoi dhe me propozimin e tij për të dryshuar ligjin e shkollës së magjistraturës ku studentët perëndimorë do të pranohen pa konkurs! Nuk e ka kuptuar, siç duket, ende ministri, —i cili katapulton sa në një ofiq në tjetrin— se efiçenca administrative varet kryekëput nga arsyetimi intuitiv, i cili, me rradhë, varet nga njohuria teorike dhe empirike dhe, veçanërisht për gjykatësit, nga “kundrimi shkencor” dhe “virtyti etikë dhe i drejtësisë”, të cilën supozohet se e zotëron një gjykatës dhe supozohet se e synon një pedagog te studentët e tij. Sepse për njohurinë teorike janë përgjegjës pedagogët e Universiteteve; për njohurinë empirike, janë politikanët profesionistë: sepse janë këta të fundit që emërojnë dhe çemërojnë gjykatësit, pavarësisht se propagandohet “pavarësia” e gjykatësve. Dhe duke ditur se pedagogët e “magjistratit” janë të ngushtë në qasjet e tyre ashtu do të jenë edhe studentët. ‘Pedagogët’ këtu nuk ndahen në “perëndimorë” dhe “lindorë”: sepse njëlloj janë kudo: pjesë e katrahurës që krijojnë politikanët profesionistë. Për mos të përmendur bindjen e patundshme të Manjanit se ‘zhvillimi’ ndërinstitucional mund të reduktohet te ‘konkurrenca’! Kjo është njëra anë e problematikës. Ana tjetër, është se gjykatësit duhet të përmbushin jo thjesht “standarte” profesionale, të cilët mbeten në imagjinatën e publikut, sepse demagogët nuk na thonë se cilët janë këta ‘standarte’, por, se ne duhet të sigurohemi se gjykatësit punën e bëjnë për hir të drejtësisë dhe nderit politik dhe jo për përfitim. Sepse nëse gjykojmë nga gjykatësit aktualë mund të themi pa asnjë dyshim se ata motivohen nga rrogat e majme që siguron sektori. Rasti i Kryetarit të KLD-së, për shembull, Zaganjorit, i cili na kushton rreth 20 milion lekë në muaj,[33] apo përfundimet e Komisionit për Reformën në Drejtësi se gjyqtarët dhe prokurorët paguajnë rreth 100-300 mijë euro për t’u emëruar në poste më fitimprurëse, apo grumbullimi i pasurive marramendëse nga gjyqtarët,[34] janë thjesht karakteristikë dhe simtomë e një sistemi ku përfitimi dhe botëkuptimi shoqëror dominon etikën institucionale dhe shoqërore. Shkurt, Ministri i Drejtësisë përballet me dy alternativa: ose të synojë ndryshimin e “elitës” juridike dhe të lërë dinamikën tërësore të shoqërisë dhe sintezën sistemike të pandryshuar, një lëvizje që është e destinuar të dështojë, ose të përgatisë kushtet për dy fazat që vijojnë:

 

· së pari, të ndryshojë Kushtetuta për mënyrën se si zgjidhen Gjykatësit. Ajo duhet të jetë sa më demokratike e mundshme. Mënyra që paraqet Aristoteli më lartë është njëherësh e dëshirueshme dhe e mundshme. Kriteri që gjykatësit duhet të përmbushin është dashuria për drejtësinë dhe nderin politik, jo thjesht drejtësia (barazia) ekonomike, por kryesisht drejtësia (barazia) politike.

· së dyti, të adoptohet qasja Aristoteliane rreth natyrës së drejtësisë në universitete[35] dhe të përgatiten njeherësh gjykatës vërtetë shkencorë dhe etikë dhe kushtet për ndryshimin tërësor të dinamikës shoqërore: nga përfitimi, individualizmi dhe pabarazia ekstreme në barazi absolute politike dhe relative ekonomike dhe shoqëri etike. Ndryshimi tërësor i dinamikës shoqërore nënkupton ndryshimin e kuadrit institucional.[36] Sepse nëse gjykojmë nga “doktorët” aktualë, të shkencave juridike dhe sociale, ata mundohen të mishërojnë “standarte etike” në institucionet tona duke patur paralel rendin aktual![37] Arsyeja është se këta “shkencëtarë” përqendrohen kryesisht në aspekte juridike (ku sërish adoptojnë qasjen moderne!) e sociale dhe shpërnjohin aspektet ekonomike. Ata shpërnjohin, për më shumë, Rendin e Ri Global të Globalizmit Neoliberal në të cilin, falë korporatave dhe elitës mbikombëtare, dhe përqendrimit te pushtetit, politik, ekonomik dhe kulturor, minohet çdo kuptim i etikës institucionale dhe të popujve rreth botës.

Gjykuar, rrjedhimisht, nga një elitë politike dhe akademike kryekëput të paaftë për të kuptuar shkaqet e korrupsionit në sektorin e drejtësisë, dhe përgjithësisht në çdo sektor të jetës politike, ekonomike dhe sociale,[38] dhe për më shumë, nga një popull të keqedukuar, të cilit i mungon aftësia për të krijuar revolucion, jo vetëm lidhur me reformën e drejtësi, por çdo reformë tjetër, mund të themi pa ndroje, se reforma në drejtësi ka shumë pak mundësi për sukses. Në këto kushte, mundësia e vetme mbetet krijimi i institucionit mbihetues, siç është “Byroja Kombëtare e Hetimit”, të cilin e propozojnë dhe mbështesin ambasadorët, dhe veçanërisht ambasadori amerikan, Lu. Sepse institucioni në fjalë supozohet se do të hetojë, bashkë me klasën politike, edhe administratën e re të drejtësisë — e cila, me të vërtetë do të jetë i pavarur financiarisht nga klasa politike e vendit dhe mund të pajiset me individë të ‘papërlyer’ me të njëjtën klasë, por ata do të kërcënohen –me jetë- nga e njëjta klasë, përsa kohë që “klasa” në fjalë është e lirë dhe mund të kërcënojë —për mos të thënë, ‘vrasë’— kur të dojë cilindo që kërcënon me hetim. Varianti që mbetet, pavarësisht trimërisë që mund të zotërojnë anëtarët e “Byrosë” për të hetuar krimet e klasës politike, janë zgjedhjet e parakohshme, përmes të cilave do të krijohet një “qeveri teknike” anëtarët e së cilës do të kenë treguar se kanë kuptuar teorikisht sistemin dhe mirë-administrimin e tij...në rast se partitë në pushtet nuk sigurojnë përqindjen e kërkuar. Por, në njohurinë time individë të tillë në vendin tonë nuk ekzistojnë. “Qeveria” në fjalë imponohet edhe për një arsye tjetër: për të garantuar jetët e anëtarëve të “byrosë” në fjalë. Vetëm përmes këtij procesi mund të krijohen parakushtet për hetim të plotë të klasës politike, të gjykatësve dhe prokurorëve. Paralelisht me këtë proces, qeveria e re, mund të krijojë parakushtet institucionale dhe akademike (literaturë, studentë etj.) për të administruar institucionet e drejtësisë dhe për të angazhuar popullin në drejtësi sociale ku do të zhvillojë aftësinë për të gjykuar dhe krijuar ligjet e tij.

Mashtrimi i madh me “reformën në drejtësi”

Reforma në drejtësi synon ndryshimin e gjithë kastët juridike në Shqipëri. Për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ajo ka dështuar në drejtësi. Si e tillë, ajo supozohet se do të sjellë drejtësi. Për ta realizuar këtë objektiv, krahas ristrukturimit të intitucioneve ekzistuese, ajo ngre dy institucione të tjerë: njëra është “Byroja Kombëtare e Hetimit” dhe tjetra, “Gjykata e Posaçme”. Këto janë struktura që do të luftojnë krimin në nivel institucional. Koncepti i Byrosë vjen nga FBI-ja amerikane. Por Byroja Federale e Hetimit (“FBI-ja”) në Amerikë u krijua sepse elita politike e kohës kërcënohësh “nga poshtë”: nga anarkistët, komunistët dhe socialistët, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit (“BKH-ja”) krijohet për shkak se populli shqiptar kërcënohet “nga lartë”: nga “anarkistët” e 25 viteve të fundit në pushtet. Ndërsa BKH-ja heton veprat penale të korrupsionit në nivel të lartë, FBI-ja amerikane ka një mision të dyfishtë: të mbrojë sigurinë kombëtare dhe të luftojë veprimtaritë kriminale.[39] Një ndryshim tjetër, thelbësor, me BKH-në, është se FBI-ja është agjenci udhëheqëse në departamentin e drejtësisë ndërsa Byroja vendoset nën diktatin e Prokurorisë së Posaçme.[40] Kjo e fundit përbëhet nga të paktën 10 prokurorë. Këta emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë i cili përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjithë niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.[41]

Por Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet nga radhët e anëtarëve joprokurorë. Domethënë, nga anëtarët që zgjedh Kuvendi! Nga kjo ndërvarësi zgjedhjeje kuptojmë se BKH-ja s’është aspak e pavarur nga klasa politike. Përkundrazi: Byroja mund të kontrollohet drejtpërdrejt përmes drejtorit të Byrosë. Në të vërtetë, qoftë edhe gjykatat e tjera janë të varura nga klasa politike. Për shembull, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen: 3 nga Presidenti; 3 nga Kuvendi; dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Anëtarët e kësaj të fundit emërohen nga presidenti të cilët i propozon Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ky i fundit, bëhet edhe më problemtik kur detyra e tij është të “sigurojë pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor”. Domethënë, të Gjykatës së Lartë, Gjykatave të Apelit, Gjykatave të shkallës së parë, por edhe të Gjykatës së Posaçme. Thënë ndryshe, ndërsa BKH-ja supozohet se do të luftojë krimin institucional, vendosja e saj nën sqetullën e Prokurorisë së Posaçme dhe kjo e fundit nën sqetullën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët, me rradhë, drejtohen nga njeriu i zgjedhur i Kuvendit...humbet përqindjen më të madhe të pavarësisë së saj. Sepse përqindja tjetër varet nga financimi dhe pavarësia profesionale e drejtorit që do ta drejtojë.  

Njëlloj e humbet pavarësinë edhe Gjykata e Posaçme e cila supozohet se do të gjykojë çështjet që do të luftojë dhe çojë Byroja në gjykatë për gjykim: sepse ajo kontrollohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe ky i fundit, nga Presidenti! Gjykuar nga detyra e Presidentit në raport me ligjet që miratohen në Kuvend —“dekretuese”— dhe nga e drejta e tij për të kontrolluar Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, por gjykuar edhe nga procesi se si zgjidhet Presidenti —nga Kuvendi— dhe nga procesi se si ngjitet në pushtetin e Presidentit —përmes partive, rrjedhimisht, një ‘lloj’ ideologjie dhe grupi parlamentar përfaqëson— mund të themi se edhe Gjykata e Posaçme do të diktohet nga ky “rreth” që krijohet: mes partive në pushtet, kuvendit dhe mungesës së pavarësisë që bart vetë Presidenti nga grupi partiak që e propozon dhe e zgjedh. Por ndërsa pavarësia e Byrosë mund të cënohet nga mënyra se si krijohet, ajo ende ruan një përqindje të madhe pavarësie nga mënyra se si financohet: sepse ajo financohet nga amerikanët. Por ndërsa financimi siguron një farë pavarësie nga klasa aktuale politike ajo varet nga FBI-ja, veçanërisht tani që kjo e fundit është shtrirë në hetimin e shumë juridiksioneve dhe është globalizuar. Byroja, prokuroritë dhe gjykatat e reja, për më shumë, bartin një kosto të madhe për popullin shqiptar. Nëse gjykojmë, për shembull, nga FBI-ja, ajo ka rritur koston për popullin amerikan në shifra marramendëse: nga viti 1940-të deri në vitin 2003 është rritur në personel dhe buxhet: nga 2,400 në vitin 1940-të në rreth 26,000 punëtorë në vitin 2004 dhe buxheti është rritur nga 9 milion në 4 miliard dollarë.[42] Për të realizuar obejktivin e saj zyra qendrore bashkëpunon ngushtë me 56 zyra të tjera rajonale. Megjithëse konsiderohet një nga agjencitë më të mira botërore të hetimit, ajo është kritikuar për shumë dështime, veçanërisht për sulmin e 11 Shtatorit në Nju Jork të vitit 2001 dhe së fudmi, për bombat e maratonës së Bostonit. Përgjatë konsesusit social-demokrat, kur blloku socialist ishte në kulmin e tij, FBI-ja, mes shumë dështimeve, ka neutralizuar me sukses, mes shumë grupesh, edhe Partinë Komuniste Amerikane: sepse ajo shihësh nga shumë politikanë, se drejtohësh nga agjentë Sovjetë. Praktikat që u përdorën në atë kohë ishin përgjime, ndërhyrje dhe veprime të tjera inteligjente të maskuara.

Në epokën e globalizmit neoliberal - FBI-ja vazhdon të luftojë terrorizmin si brenda vendit ashtu dhe jashtë. Jashtë vendit, ajo koordinon informacionin që mbledh nga legatët (atashétë) që operojnë në ambasadat amerikane rreth botës. Legatët, me rradhë, e mbledhin informacionin përmes ndërlidhjes së hapur (“overt liaison”). Në këtë mënyrë, FBI-ja është ‘globalizuar’ dhe plotëson CIA-n, dhe si në çdo vend, bashkëpunon me shërbimet inteligjente ku ka ambasada. Për të njëjtën arsye, BKH-ja, për të realizuar objektivin e saj —hetimin e korrupsionit— do të bashkëpunojë edhe me legatët. Nga ky bashkëpunim nuk mund të lindin probleme përsa kohë që objektivi është i njëjtë. Suksesi i BKH-së mund të minohet vetëm nga drejtori dhe prokurorët e saj, meqënse ata do të emërohen nga klasa politike dhe meqënse karrierën e tyre e kanë krijuar falë të njëjtës klasë. Nuk është e rastit që aktorët krysorë të politikës janë përqendruar pikërisht tek individët kryesorë të Byrosë dhe Gjykatës së Posaçme! Kështu, me ndryshimet kushtetuese Byroja dhe Gjykata e Posaçme mund të kontrollohen nga klasa politike.

Një problem tjetër, që krijoi reforma, janë rrogat e larta të anëtarëve të institucioneve në raport jo vetëm me rrogat e punëtorëve të tjerë por edhe në raport me ekonominë tonë: racionalja pas kësaj zgjedhjeje është se kur sektori i drejtësisë mirë-paguhet — minimizohet mundësia për t’u korruptuar. Mirëpo, problemi me këtë qasje është se ‘skanimi’ ose “vetingu”, siç e quajtën “ekspertët”, i anëtarëve të sektorit, do të luajë rol vendimtar në sjelljen e anëtarëve në detyrë. Dhe jo vetëm skanimi: por supozohet se individët që do të drejtojnë sektorët kanë treguar me punë akademike —studimore— se kanë zhvilluar, më shumë çdo virtyt tjetër, virtytin e drejtësisë. Mirëpo, nëse gjykojmë nga drejtuesit aktualë, vetëm studime nuk dëshmojmë: as nga prokurorët dhe as nga gjykatësit. Pa përmendur punët e munguara akademike që duhet të kishin bërë anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Prokurorisë etj. Punët akademike në vetë-vete krijojnë një farë pavarësie në institucionet përkatëse për individët që do t’i administrojnë nga klasa politike: sepse njeriu që pretendon të drejtojë një institucion publik supozohet se ka kaluar nga teoria dhe praktika dhe ka treguar bindshëm se është i aftë ta administrojë atë. Gjykuar nga çfarë është bërë dekadat e fundit, në gjykata dhe prokurori, thuajse të gjithë njerëzit që i kanë administruar ato, nuk kanë proceduar nga teoria dhe punët akademike -në praktikë, dhe anasjelltas. Gjykuar dhe nga individët e rinj që supozohet se do të punësojë sistemi, ata mund të kenë teorinë, por jo praktikën, dhe rrjedhimisht, përvojën. Në këto kushte, të besosh se reforma do të sjellë ndryshime serioze në sektorin e drejtësisë, do të ishte naivitet. Do të ishte njëlloj të besojmë se reforma (Byroja dhe Gjykata e Posaçme) do të realizojë objektivin e saj kryesor: të luftojë krimin institucional.


[1]The Constitution of Europe, J. H. H. Weiler, Cambridge University, 2005.

[2]Global corruption report, 2007, Table 2. f, 13.

[3]Corruption perceptions index 2014: http://www.transparency.org/cpi2014/results

[4]Hard graft, The Guardian, 18th March 2015.

[5]How the Supreme Court Protects Bad Cops, ERWIN CHEMERINSKY, N. Y. Times,AUG. 26, 2014.

[6]Shih për më shumë, Pushteti, lufta e përhershme e elitave dhe islamofobia.

[7]Footage shows homeless black man Milton Hall being shot at 46 times by police in the US, The Independent, October 2014.

[8]Number of people killed by US police in 2015 at 1000 after Oakland shooting, The Guardian, 16 November.

[9]Cameron: let police shoot to kill, The Times, 20 December 2015.

[10]Thought money could buy an American election? You ain't seen nothin' yet, Gary Younge, The Guardian, 6 April 2014.

[11]Po aty.

[12]Lobbyists, Guns and Money, PAUL KRUGMAN, New York Times, March 25, 2012.

[13]The enemy invasion: Brussels braced for influx of Eurosceptics in EU polls, The Guardian, 28 April 2014.

[14]Brexit revolution and counter-revolution, Takis Fotopoulos, The International Journal of Inclusive Democracy, Vol. 12, Nos. ½ (Winter-ummer 2016). 

[15]Si i shpëtojnë drejtësisë gjyqtarët milionerë? Dita, 17 Prill, 2015.

[16]How did the English judiciary stoop so low? Nick Cohen,The Observer, 23 September 2012.

[17]Top London lawyers charge £1,000 an hour, study finds, FT, February 5, 2016.

[18]Abandoning the Human Rights Act UK. Counterstrike and Replacement, Global Research, October 08, 2014.

[19]Global corruption report, 2007, f, 197.

[20]Shih për shumë, Korrupsioni: shkaqet dhe pasojat.

[21]Shih për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[22]Andreas Whittam Smith: Our democracy is desperately sick. The Independent, 04 September 2012.

[23]Shih për më shumë, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësa e popujve. Pjesa e tretë.

[24]Trade agreements should not benefit industry only, Elizabeth Warren, The Boston globe, June 23, 2015.

[25]Aristotle, Politics, XVI, f, 62.

[26]Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, Mars 2009, Neni 136.

[27]Po aty, Neni 147.

[28]Drejtësisë së pavarur nuk i duhet as presidenti dhe as Nishani! Andrea Stefani, Dita, 3 Qershor, 2015.

[29]Për reformën në drejtësi dhe arsim, Moikom Zeqo, Dita, 18 Korrik, 2015.

[30]Konferenca e 10-të e Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësore, Ministria e Drejtësisë, 28 maj 2015.

[31]Moikom Zeqo, Po aty.

[32]Intervista/Vencia, gjykata e reformës. Terapia antikorrupsion sipas Manjanit, Dita, 24 Djetor, 2015.

[33]Pasuritë e anëtarëve të KLD-së, ja rrogat, honoraret dhe pronat, Shekulli, 12 Prill 2015.

[34]Biznesi i drejtësisë: Gjyqtarët e karrierës peëfishuan pasurinë në 10 vite, BIRN, 7 korrik 2016.

[35]Siç analizohet në pjesën e tretë.

[36]Për ndryshimin e tij, shih, Kaosi i shkencave në modernitet, dhe për riprodhimin e tij, shih, Drejt demokracisë virtuoze.

[37]Shih për shembull, Ethical Standards in the International Civil Service, Julejda Gërxhi, Mediterranean Journal of Social Sciences, Vol 5, 2014.

[38]Shih, për më shumë, Përtej korrupsionit të komunistëve dhe kapitalistëve modernë.

[39]The FBI: Past, present, and future, Report for Congress, October 2, 2003.

[40]Çfarë është SPAK, Dita, Gusht 28, 2016.

[41]Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Botimi Qendrës së Botimeve Zyrtare, Viti: 2016—Numri 138.

[42]Po aty.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA