...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga Rumania...në Shqipëri: si shfarroset jeta e planetit dhe ekonomitë rajonale me politikat subvencioniste dhe konçesionare?

Qeveria “Rama” nuk nxjerr mësime nga dështimi i “politikave subvencioniste dhe konçesionare” të euro-periferive (Rumanisë etj.)

Ylli Përmeti

17/09/2019 - 14:34

Konkurrenca në kushte pabarazie pushteti çon në dominim e më të fortit

Pranimi i konceptit të konkurrencës si dinamikë kryesore zhvillimore nga ekonomistët dhe elitat moderne duke e mbështetur atë me zhvillimin e ndërmarrjeve kapitaliste në kohën e Adam Smithit, tregon pakuptimësinë e tyre lidhur me kohën kur u zhvilluan ndërmarrjet në fjalë dhe kushtet social-ekonomike: sepse në atë kohë konkurrenca zhvillohësh në kuadër ndërkomunitar dhe jo ndërshtetëror dhe nuk ishte fuqia kryesore e zhvillimit të ekonomisë por ishte shoqëruese: sepse të gjithë njërëzit e përfshirë në konkurrencën (ndër)komunitare kishin zhvilluar dijen empirike dhe nuk ishin pa dije. Thjesht konkurrenca bëri që dija e fituar nga përvoja të spikaste. Gjithashtu, konkurrenca zhvillohësh mes njerëzve thuajse të barabartë në dije dhe pushtet ekonomik. Në kohët tona, konkurrenca zhvillohet së pari mes shteteve dhe së dyti mes njerëzve brenda shteteve: në rastin e parë përballen shtete të pabarabartë qoftë në dije dhe qoftë në fuqi ekonomike; në rastin e dytë përballen njerëz të pabarabartë qoftë në dije dhe qoftë në fuqi ekonomike. Për të njëjtën arsye, konkurrenca çon në përqendrimin e pushtetit në duart e shteteve dhe njerëzve që kanë dijen dhe fuqinë ekonomike. Në kuadër të BE-së, faktin e parë e vërteton Greqia, Rumania dhe Polonia.

Shkaqet e rrënimit ekonomik të Greqisë i kam treguar në një studim tjetër,[1] ku rrënimin e ekonomisë greke e kam paralelizuar me rrënimin ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë etj. Kam treguar, domethënë, shkaqet pse ekonomia jonë është rrënuar dhe pse do të vazhdojë të rrënohet. Për të njëjtën arsye, përvoja e këtyre vendeve –meqënse teorinë sistemike s’e kuptojnë strumbullarët e elitës sonë— shërben për çdo vend tjetër dhe veçanërisht për popullin tonë. Në Rumani, për shembull, ka filluar të praktikohen “politikat subvencioniste” të BE-së, e cila u integrua në BE në vitin 2007 dhe adoptoi politikat e sugjeruara nga FMN-ja (shkurtimin e 200,000 vendeve të punës dhe rrogave në sektorin publik me një të tretën dhe ngritjen e TVSH-së në 24%), një politikë që çoi më tej në mëditje të ulëta dhe mbrojtje të ulët sociale, duke detyruar rumunët të emigrojnë aq sa sot 12% e rumunëve punojnë jashtë vendit në punë të rënda dhe të pambrojtura.[2] Ndërsa politika e subvencionimit të ndërmarrjeve në setorin e bujqësisë nga BE-ja ka ngritur numrin e fermerëve rural në nivel rekord —30% e popullatës aktive ekonomikisht, krahasuar me 28% me vitin 1989, koha kur socializmi marksist ishte në buzë të greminës— Rumania më shumë importon ushqime se sa eksporton: 70% e ushqimit importohet: sepse toka e kultivueshme është blerë kryesisht nga kapitalistë të huaj:

Të udhëhequr nga BE-ja, konkurrenca e shtrembëruar ka favorizuar ngritjen e agrikulturës për eksport. Në 10 vjet, thuajse 1 milion hektarë, ose 6.5% e tokës së kultivueshme, ka kaluar në duart e investitorëve të huaj. Subvencionet e BE-së, çmimet e ulët të pronave dhe krahu i punës së lirë është përqendruar te pakica. Në vitin 2013 qeveria miratoi një ligj duke lejuar shitjen e tokës. Një vit më parë, ministri i agrikulturës, Daniel Constantin, duhet të sqaronte se përse ai pronësonte një nga fermat më të mëdha industriale në vend prej disa qindra mijëra euro.[3]

Të gjitha këto në kohën kur shumë fermerë prodhojnë ushqime organike dhe nuk i shesin dot, sepse konkurrohen nga prodhimet e vendeve të huaj, siç janë, prodhimet e italianëve, gjermanëve dhe francezëve, sepse prodhimi i tyre është më i lirë se prodhimet rumune: sepse ndërsa në Rumani toka është ndarë midis anëtarëve të familjes — ku çdo njëra pronëson mesatarisht dy hektarë, në Francë, kjo shifër është në 55 ha. Domethënë, në Francë janë krijuar latifundistët e bujqësisë me dije, teknologji dhe fuqi ekonomike më të madhe se në Rumani. Fermerët e vegjël, për më shumë, nuk kanë as ekspertizën shkencore as mundësinë mekanike që të konkurrojnë ferma të mëdha, siç janë në Francë. Kjo gjendje çon më tej në mos-shitjen e prodhimit dhe rrënimin e fermerëve, pavarësisht se BE-ja subvencionon nismat. Kur Rumania u integrua në BE tregu u fry artificialisht: ndërsa një vit para se të integrohësh në BE, PPB-ja ishte 7.7%, për një pjesë të mirë të vitit 2008, ajo u rrit rreth 8% dhe në vitin 2009-të, PPB-ja u kontraktua në —7.1%, duke përfunduar në vitin 2014 në 2.2%! Në vitin 2017-të ekonomia rumune shënoi një tjetër rekord: ajo u rrit me 8.6 për qind pasi qeveria rriti shpenzimet qeveritare mbi pensionet dhe rrogat e sektorit publik ushqyen një lulëzim në konsumin privat. Por ishte kryesisht rritja e fuqishme në metropolet europiane veçanërisht në Gjermani që nxiti rritjen e ekonomike në Rumani: sepse tregjet rumune janë ngushtësisht të lidhur në zinxhirin e furnizimit. Së dyti, ishte punësimi shumë i fuqishëm dhe rritja e rrogave që nxiti konsumin privat. Së treti, hyrjet financiare më të larta nga fondet e BE-së mbështesin rritjen ekonomike në vend.[4] Efektivisht Rumania është kthyer në një furnitore (ose nënkontraktore) e qendrave metropole të BE-së, veçanërisht e Gjermanisë dhe Francës, dhe mbulon nevojat e klasës së mesme dhe të lartë atje ndërsa për vete importon më shumë!

Qartësisht, BE-ja subvencionon nisma që janë të destinuara të dështojnë ndërkohë që ndikon vendimtarisht në monopolizimin e tokës prodhuese të vendeve që integrohen në të. Ndikon, gjithashtu, në hallakatjen e fermerëve dhe punëtorëve të ndryshëm të cilët  i detyron të emigrojnë. Sigurisht, një pakicë e fermerëve e shesin prodhimin; por ata mbulojnë nevojat e tregut ndërkombëtar të marketingut –vendet metropole- sesa nevojat e brendshme. Për më shumë, eksportimi i prodhimeve vendore rrit qarkullimin e transportit, me pasojë, rëndimin e ekosistemit, meqënse çdo transportim përfshin distanca të largëta dhe kamionë që diegin naftë![5] Por në bazë të rritjes ekonomike në Rumani qendron një fond, “Fondul Proprietatea”, i cili u krijua në vitin 2005 për të kompensuar qytetarët asetet e të cilëve u konfiskuan në socializmin marksist. Fondi është një ndër fondet më të mëdhenj në botë vlera e të cilit në shtator të vitit 2017-të ishte 2.72 miliard dollarë dhe me një kapital që përfshin aksione të 19 ndërmarrjeve shtetërore. Në këtë fond kanë investuar edhe të huajt, veçanërisht për shkak se qeveria rumune është zotuar se do të privatizojë ndërmarrjet, dhe ai ka luajtur një rol të madh në rigjallërimin ekonomik të Rumanisë. Në vitin 2016-të fitimet e fondit thuajse u dyfishuan. Aktualisht qeveria kërkon të rishikojë statusin e administratorit të fondit i cili kishte status të pavarur, si rezultat i marrëveshjes që kishte bërë me FMN-në, dhe statusin e administratorëve të drejtorëve të 19 ndërmarrjeve që qendrojnë në bazë të fondit. Efekti i mëtejshëm i kësaj politike është se kapitalistët e huaj janë alarmuar se mos Rumania kthehet si Polonia dhe Hungaria: me një qeveri nacionaliste.[6]

Politikat subvencioniste shkatërrojnë jetën e planetit

Subvencionet nuk po shkatërrojnë vetëm ekonomitë rajonale si Rumania në kuadër të BE-së. Por po shkatërrojnë gjithë jetën e planetit! Sipas disa raporteve, publiku jep më shumë se 1 milion dollarë në minutë për të subvencionuar fermat botërore, shumica e të cilave po çojnë krizën ekologjike dhe rrënimin e jetës së kafshëve të egra dhe të buta, në përmasa tejet të rrezikshme për jetën që na rrethon. Vetëm 1% e 700 miliard dollarëve në vit që u jepen fermerëve përdoret për dobinë e mjedisit. Shumica e totalit nxit prodhimin e gjedhëve me çlirime të larta CO², shkatërrimin e pyjeve dhe ndotjen përmes tejpërdorimit të plehrave kimikë si për kulturat bujqësore ashtu dhe për mbarështimin e gjedhit. Si rezultat, dëmi që shkakton agrikultura është më i madh se vlera e ushqimit të prodhuar. Sistemi botëror i ushqimit është rrënuar. Ai po çon planetin drejt katastrofës botërore ndërsa lë miliarda njerëz ose të nënushqyer ose mbipeshë. Braktisja e ngrënies së mishit dhe bulmetit, konkludojnë raportet, është mënyra e vetme dhe më e rëndësishme për të reduktuar ndikimin në planetin tonë, me gjedhët të përdorin 83% të tokës së kultivueshme për të prodhuar vetëm 18% kalori. Si rezultat, disa shkencëtarë kërkojnë që euvropianët dhe amerikanët veriorë të braktisin me 80% mishin e kuq. Ky objektiv do të lejonte zhvillimin e jetës së egër me 60%, një hapësirë sa Brazili...disa subvencione kanë sjellë disa dobi në BE lidhur me përdorimin e plehrave kimike ndërsa Kina nuk i mbështet fare plehrat kimike. Por subvencionet e çoroditura, konkludojnë raportet, duhet të ripërcillen ose të ndalohen tërësisht.[7]

“Nacionalizmi” neoliberal i partive të djathta

Qeveritë e Polonisë janë një rast tjetër tipik në BE dhe shërbejnë për të nxjerrë disa mësime të vyer për popujt lidhur me “nacionalizmin” e partive të djathta. Partia në opozitë protestoi në ditët e ftohta të janarit, 2017, kundër kufizimeve në media — kufizime, të cilët synonin të ndalonin gazetarët të ndiqnin punimet e kuvendit me qëllim që qeveria të kalonte edhe ndryshime të tjera kushtetuese— duke ndenjur në dhomën e parlamentit dhe duke fjetur në dysheme, qoftë edhe kur mungonte ngrohtësia. Udhëheqësi i partisë në pushtet, Jaroslaw Kaczynski, e quajti këtë protestë përpjekje për “grusht shteti”. Kjo protestë pasoi një protestë tjetër të grave të cilat detyruan qeverinë të braktiste një ndalim të planifikuar mbi abortet. Unioni i mësuesve të Polonisë bëri thirrje për grevë kombëtare në mars rreth reformave që sipas tij, do të rrënojnë standartet duke prodhuar “polakë të nënshtruar nacionalistë”. Kryetari i partisë në pushtet e quajti këtë ‘kthesë’ “kundër-revolucion kulturor”. Pesëmbëdhjetë muaj pasi partia e Ligjit dhe Drejtësisë erdhi në pushtet, ballafaqimi parlamentar thelloi ndarjen e shoqërisë polake. Në njërën anë janë kryesisht votuesit ruralë, ish-industrialistët (“rust-belt”) dhe të moshuarit të cilët e shikojnë partinë në pushtet si dalzotësen e tyre. Në anën tjetër është një elektorat më liberal, urban dhe kosmopolitan i alarmuar nga axhenda e saj nacionalist-konservative dhe qasjes së saj dorërëndë...ndarjet janë theksuar ndërsa synimi i partisë në pushtet është bërë i qartë: të kthejë social-liberalizmin që lulëzoi që nga koha kur u rrënua socializmi dhe ta zhvendosë Poloninë drejt rrënjëve më konservative të Katolicizmit, duke u ndihmuar nga një aleancë jozyrtare me Kishën Katolike...shumë polakë ndiejnë se për gjithë suksesin e tyre ekonomik — të ndihmuar nga miliarda euro të fondeve të BE-së — se shumë njerëz u lanë pas. Ka shqetësime se ekonomia e Polonisë u shit tejet lirë për interesat e të huajve përgjatë tranzicionit nga komunizmi, dhe se ajo është kthyer një furnizuese e rrogave të ulëta për Europën perëndimore, duke patur në pronësinë e saj tejet pak ndërmarrje të klasit botëror...programi i partisë në pushtet gërsheton elementë të ekonomisë majtise dhe axhendë sociale të djathtë. Brukseli e ka kërcënuar qeverinë e Polonisë, për kthesën e saj, por përgjigjja e qeverisë ka qenë shpërnjohja. Siguria e qeverisë buron nga besimi se Komisioni Europian nuk ka pushtet (Neni 7) nëse nuk e mbështesin gjithë anëtarët.

Viktor Orbani i Hungarisë, aleati i qeverisë polake, ka premtuar të bllokojë çdo veprim. Dhe pjesërisht për të njëtën arsye, Franca, Gjermania dhe vende të tjerë të mëdhenj s’kanë dëshirë të flasin se mos nuk realizojnë gjë dhe tëhuajësojnë Varshavën. Junkeri, presidenti i Komisionit, e pranoi se rekomandimi i sanksioneve do të ishte i kotë “sepse disa anëtarë thonë tashmë se ata do të refuzojnë ta përmendin atë”...Marrëdhëniet e përditshme të Polonisë me komisionin janë duke u bërë edhe më të vështira. Në afat shkurtër kjo mund të bart kosto: BE-ja duhet të vendojë për një buxhet afat-gjatë, dhe të rishikojë fondet prej dhjetra miliardash të kushtuara Polonisë deri në vitin 2020-të...[8] Polonia konsiderohet boshti i krahut lindor të NATO-s dhe po modernizon fuqinë e saj ushtarake që nga koha kur Rusia aneksoi Krimenë duke blerë armë e pajisje ushtarake nga Amerika. Ajo shpenzon tashmë 2 për qind të PPB-së për mbrojtje dhe do t’i rrisë ato në 2.5 për qind deri në vitin 2030-të. Nuk do të ishte e habitshëm rekrutimi i mijëra të rinjëve në lëvizje nacionaliste të cilët shfaqen në ditën e pavarësisë për herë dhe më shumë, duke kulmuar me shfaqjen e këtij viti  —të nxitur dhe të kontrolluar nga partia në pushtet— të cilët kërkojnë një Poloni pa muslimanë dhe hebrej, të bardhë dhe katolike...ndërsa e “majta” globaliste kundër-protestoi duke përsëritur sloganin e saj: jo luftë mes kombeve por luftë klasash...në kuadër të globalizmit neoliberal!

Mësime nga Rumania dhe Polonia

Nga përvoja e këtyre dy vendeve mund të nxjerrim disa mësime. Së pari, në nivel ekonomik: Rumania dhe Shqipëria ndajnë të njëjtat karakteristika dhe përfundimi i politikave subvencioniste dhe konçesionare është dhe do të jetë i njëjtë. Por krizën ekonomike Rumania e zbut me ndërmarrjet shtetërore. Ndërsa ne kemi vetëm një ndërmarrje shtetërore: ndërmarrjen e energjitikës. Por edhe ajo jo e gjitha. Si pasojë, kriza ekonomike në vendin tonë nuk mund të zbutet me ndërmarrje shtetërore. Së dyti, në nivel ushtarak: pa krijuar një armik për këto vende, Amerika nuk mund të shesë armë në Poloni dhe Rumani. Së treti, popujt do të vazhdojnë të jenë të çorientuar përsa kohë që e “majta” globaliste s’ka nxjerrë mësime as nga shekulli i kaluar as nga teoria: se armiku i popujve në globalizmin neoliberal nuk janë klasat por përqendrimi i pushtetit në nivel (mbi)kombëtar.

Qeveria “Rama” ndryshoi ligjin e tokës dhe krijoi korporatën e investimeve për të përparuar shitjen e Shqipërisë

Partia “socialiste” në Shqipëri, bashkë me partinë “demokratike”, propagandon zhvillimin e bujqësisë me bazë “standartet” e BE-së, —domethënë, konçesionimin e tokave bujqësore, subvencionimin e ndërmarrjeve bujqësore dhe ‘formalizimin’ e sektorit në kushtet politike, ekonomike dhe sociale që janë krijuar— duke u ndjekur nga të ngjashëm - madje dhe nga “Vetëvendosja” në Kosovë: kjo e fundit në prag të zgjedhjeve propagandoi zhvillimin e bujqësisë në Kosovë me qëllim që të zëvendësojë importet...sipas “standarteve evropiane”![9] Në këtë kontekst, qeveria “Rama” ndryshoi ligjin të tokës shtetërore (nenin 54 dhe 55, ligji 139/2015) i cili detyronte pajtimin e kuvendeve bashkiake “me shumicë të cilësuar” të të gjitha forcave politike në këshillat bashkiake për të kaluar një pronë të bashkisë në pronësi private ose në përdorim (pika “d”). Me ligjin e ri hiqet pengesa e shumicës së cilësuar: sipas ligjit të ri pronat publike nën administrimin e bashkive tashmë mund të tjetërsohen “me shumicë të thjeshtë”! Ky ndryshim ndodhi pak pasi e njëjta qeveri hartoi “korporatën e investimeve”— një institucion financiar që administron pronat shtetërore, veçanërisht tokat, meqënse thuajse gjithçka tjetër është shitur ose është dhënë me konçesion, ku do të maskohen “ofertat e pakërkuara” nga konçesionet e PPP-ve. Krijoi, në fjalë të tjera, kushtet institucionale dhe ligjore që oligarkët vendorë dhe të huajë të administrojnë tokat shtetërore (për ferma e ndërmarrje të natyrave të ndryshme) në emër të “zhvillimit” ekonomik! “Korporata e investimeve” si fillim u hartua si një institucion që qendronte mbi ligjet— domethënë, si një institucion që mund të prokuronte investimet pa iu përmbajtur ligjit të prokurimeve (pas kritikave të brendshme dhe të jashtme ky nen ndryshoi: me nenin  e ri për projektet me partnerë ndërkombëtar do të zbatohen rregullat e tyre të prokurimeve ndërsa për financimet e brendshme do të zbatohet ligji shqiptar) dhe pa iu nënshtruar kontrollit të lartë shtetit (edhe ky nen ndryshoi—institucioni do t`i nënshtrohet kontrollit). Ky institucion autorizohet nga këshilli i ministrave për realizimin e ndonjë projekti ose dhënien e lejeve dhe ky i fundit dihet se nga kush drejtohet: kriministri! Si i tillë, institucioni vepron duke u diktuar nga qeveria për të privatizuar ose konçesionuar pasuritë shtetërore, kryesisht tokat.

Nuk do të ishte e çuditshme që ndryshimet u miratuan dhe nga Komisioni Europian pas pak ditësh pikërisht sepse koncepti i korporatës përputhet me kuadrin ligjor të BE-së! Krijimin e korporatës përkatëse e kundërshtoi dhe opozita e dalë nga zgjedhjet e fundit (PD-ja). Por jo duke treguar shkaqet: thjesht kundërshtoi —se Rama kërkon të kalojë të gjitha pronat, private dhe publike, në duart e tij— një kundërshti që nuk tregon shkaqet sistemike nuk duhet të besohet dhe nuk duhet të mbështetet: sepse thuajse njëlloj do të vepronte po të ishte në pushtet me orientimin që ka marrë vendi.     


[1]Ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[2]Back to the land in Romania,Pierre Souchon, Le Monde diplomatique, February 2014.

[3]Po aty.

[4]Central Europe grows at fastest in nine years, FT, 14 November 2017.

[5]Shih, për më shumë, Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë.

[6]Romania’s moves on corporate governance alarm investors, FT, 22 November, 2017.

[7]$1m a minute: the farming subsidies destroying the world, The Guardian, 16 Sep 2019.

[8]Cultural counter-revolution tests Polish democracy, FT, 1 February 2017.

[9]Tash bujqësi që zëvendëson importet, Vetëvendosje.org, 20 Maj 2014.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA