...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ukraina: fillimi i fundit të rendit botëror apo fillimi i luftës së tretë botërore?

Nuk është një fraksion i vogël në udhëheqjen politike të Amerikës, duke përfshirë zyrtarë kryesorë në administratën Obama, që janë të gatshëm të armatosin Ukrainën, por disa, nëse ekzistojnë, nuk dëshirojnë të dërgojnë trupat e SHBA-së në luftim; në fjalë të tjera, ata janë plotësisht të gatshëm për të luftuar Putinin—deri në Ukrainasin e fundit! The National Interest of America.

Ylli Përmeti

26/02/2022 - 09:52

Nuk është një fraksion i vogël në udhëheqjen politike të Amerikës, duke përfshirë zyrtarë kryesorë në administratën Obama, që janë të gatshëm të armatosin Ukrainën, por disa, nëse ekzistojnë, nuk dëshirojnë të dërgojnë trupat e SHBA-së në luftim; në fjalë të tjera, ata janë plotësisht të gatshëm për të luftuar Putinin—deri në Ukrainasin e fundit!

The National Interest of America.

Kuraja është e dobishme në luftë ndërsa drejtësia është e dobishme në luftë dhe paqe.

―Aristoteli

Ndërsa bashkimi i bllokut ekonomik i NAFTA-s, në të cilin bëjnë pjesë SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja, me BE-Eurozonën, dhe në të cilin tashmë bëjnë pjesë 27 anëtarë, ishte në proces gjatë presidencës “Obama”,  por që me Trampin u pezullua dhe ndryshoi “formë”, në Ukrainë u zhvillua një betejë shumëpërmasore: politike, ekonomike, ushtarake dhe gjeostrategjike mes Rusisë dhe Perëndimit në përgjithësi. Ukraina u përball me një tension të lartë politik — një tension që u krijua mes mbështetësve të integrimit të saj në BE-Eurozonë dhe qeverisë së Janukoviçit, e cila, nuk nënshkroi ‘ofertën” e Brukselit...por zgjodhi influencën ruse. Viktor Janukoviçi u zgjodh demokratikisht, sipas standarteve perëndimore, në vitin 2010. Zgjedhjet u cilësuan si të “tejdukshme dhe të sinqerta” nga mbikyrësit ndërkombëtarë (OSCE etj).  Për të njëjtën arsye, mbështetësit e integrimit në BE-Eurozonë krijuan kushtet për puç shteti dhe pas një dhune të organizuar nga protestuesit dhe opozita, gjithashtu dhe një polici pasive, atje pati shkëmbime zjarri, me pasojë vrasjen e disa dhjetra protestuesve dhe policëve.

Pasoja e mëtejshme ishte zëvendësimi i qeverisë së Janukoviçit me një qeveri tjetër kalimtare. Ndërkohë Janukoviçi braktisi Ukrainën dhe shkoi në Rusi. Pas pak ditësh, forcat ushtarake ruse ndërhyn në Krime, peninsulën jugore të Ukrainës, dhe vunë shumë shpejt nën kontroll Krimenë bashkë me një burim të madh energjitik në Detin e Zi.

Historia e këtij krimi fillon si vijon. Në ditën e kërshëndellave, 1991, kur Gorbaçovi deklaroi dorëheqjen e tij dhe fundin e Bashkimit Sovjetik dhe pranoi si superfuqi të vetme Amerikën, Ukraina kishte shpallur pavarësinë e saj katër muaj përpara aktit të tij historik. Pavarësia ishte pasojë e një përpjekjeje për grusht shteti nga komunistët e Ukrainës që refuzonin shpërbërjen e unionit. Në të njëjtën ditë parlamenti thirri një referendum për mbështetjen e pavarësisë. Ai u mbështet me mbi 90% të votave. Pak ditë më pas filloi çkomunistizimi i vendit me heqjen e shtatoreve të gjithë heronjëve komunistë duke përfshirë dhe Leninin. Një muaj më pas u njoh nga SHBA-ja dhe pak muaj më pas―në janar të vitit 1992― shkoi për vizitë Xhorxh Bushi ku bëri deklaratën historike përpara popullit ukrainas, ku tha mes të tjerash se “amerikanët nuk do të mbështesin ata që kërkojnë pavarësi me qëllim që të zëvendësojnë një tirani me një despotizëm lokal”.

Bushi i vlerësonte drejtuesit komunistë dhe shqetësohësh për “fatin” e armëve bërthamore. Ai u përpoq të “shpëtonte” Bashkimin Sovjetik për shkak se kishte frikën e ndonjë puçi të dhunshëm ose ndonjë lufte civile dhe humbjen e kontrollit të armëve bërthamore. Si pasojë, Bushi ndihmoi Jelcinin të fitonte pushtetin me ndihmën e CIA-s pikërisht për të asgjësuar një grusht shteti të organizuar nga komunistët në Moskë, të cilët donit të ndalonin shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Kështu ai eliminoi mundësinë e kaosit dhe daljen e vendit jashtë kontrollit dhe bashkë me të siguroi dhe armët bërthamore por më e rëndësishmja, ai kontriboi në shpërbërjen e unionit dhe në shpalljen e Amerikës si hegjemonia e vetme e rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal, për të cilin ishin përgatitur amerikanët dhe britanikët.

Por ai bëri një premtim përpara ukrainasve: se Amerika nuk do të mbështeste despotët ose nacionalistët. Amerika, në fakt, kishte mbështetur nacionalistët ukrainas gjatë gjithë kohës së luftës së ftohtë. Qëllimi ishte të minonte pushtetin e Sovjetëve dhe ta shkatërronte atë. Siç citon një studim:

Qeveria amerikane krijoi lidhje në Evropën Perëndimore me refugjatë anti-komunistë pas Luftës së Dytë Botërore dhe fshehtas mbështeti një mori grupesh. Si fillim në vitet `40 duke bashkëpunuar me OSS/CIA dhe grupe emigrantësh, duke i hedhur me parashuta për t`u lidhur me organizata të fshehta në vende kombëtare dhe katër dekadat e ardhshme deri në fund të viteve `80 duke i mbështetur ato me metoda jo të dhunshme kundër pushtetit sovjet. Një nga organizatat e mbeshtetura nga qeveria amerikane ishte Prolog Research dhe Publishing Corporation që ekzistonin nga viti 1952 deri në vitin 1992. Prolog-u ishte themeluar nga zpUHVR (përfaqësi e jashtme e Këshillit Suprem Çlirimtar Ukrainas), ombrella politike e nacionalistëve ukrainas, partizanë anti-sovjet të cilët luftuan një luftë guerrile kundër shtetit Sovjet deri në vitin 1950...Prolog tregoi se ishte mjaft e mbrothët në strategjinë e saj çlirimtare duke furnizuar me volume të shumta teknike, publikime dhe mbështetje financiare për disidentët dhe rrymave opozitare brenda Partisë Komuniste të Ukrainës.

Një dokument sekret i CIA-s dhe i deklasifikuar në vitin 2004 zbulon më shumë për përpjekjet amerikane për të shkatërruar Bashkimin Sovjetik me ndihmën e nacionalistëve ukrainas. Siç citon raporti: “me mbarimin e luftës së dytë botërore në maj të vitit 1945, në Gjermaninë e pushtuar nga Amerika, ishin 2.3 milionë njerëz të zhvendosur. Autoritetet aleate të pushtimit i organizuan njerëzit në kampe deri sa të riatdhesoheshin. Shumë, sidoqoftë, refuzuan të ktheheshin në vendet që mbikqyrte Ushtria e Kuqe. Lidhjet me grupet etnike të Bashkimit Sovjetik u dhanë zyrtarëve amerikanë të inteligjencës dijen e parë të kundërshtisë brenda BS. Si fillim SHBA-ja rekrutoi agjentë spiunazhi por shpejt ajo zgjeroi përpjekjen e saj duke përfshirë rekrutimin për operacione të fshehta paraushtarake”, duke përfundur se “sakrifikimet e agjentëve të Ukrainës dhe oficerëve amerikanë kontribuan në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Përpara deklaratës së Bushit ishte themeluar partia nacionaliste ukrainase me emrin “Svoboda”―“Gjithë Bashkimi Ukrainas “Liri””. Kështuqë deklarata e Bushit u drejtohësh nacionalistëve ukrainas të cilët Amerika i kishte mbështetur prej dekadash. Hamendësisht, sepse kishte frikë se mos kryenin ndonjë puç dhe merrin në dorë armët bërthamore ―të Ukrainës― dhe bënin ndonjë gjëmë.

Sidoqoftë, pas krijimit të platformës së saj, partia mori pjesë në zgjedhjet e vitit 1998 dhe u fut në parlament. Me disa ulje-ngritje dhe ndryshime, partia fitoi mbështetje të madhe pas dhjetë vjetësh duke zgjedhur 50 deputetë nga 120 dhe në vitin 2014 organizoi puçin me mbështetjen amerikane dhe evropiane ku humbën jetën 18 anëtarë të partisë. Që nga ai vit nacionalizmi ukrainas është rritur dhe është bërë shqetësim jo vetëm për rusët e Ukrainës (meqënse kështu i quajnë) por për gjithë pakicat e tjera ndërsa krimet e tyre janë minimizuar nga SHBA-ja. Lidhur me këtë fakt, ja cili është përfundimi i një analize në revistën amerikane “The Nation”:

Mbështetja e rebelimit të Maidanit, bashkë me kredhjet prej bilionash të establishmentit amrikan në Kievin pas-Maidan, e bënë të qartë: duke filluar nga shkurti 2014, Ukraina u bë projekti i fundit i Uashingtonit i demokracisë...duke toleruar bandat dhe batalionet, shtrembërimet shtetërore të holokaustit, dhe sulmet ndaj LGBT-së dhe romëve, SHBA-ja i thotë pjesës tjetër të Evropës: “Ne jemi në rregull më këto”. Por ndërlikimet―veçanërisht në kohë ringjalljeje të së djathtës së skajshme botërore, janë tejet shqetësuese”.

Sigurisht, analiza shpërnjeh faktin se nacionalistët ukrainas përdoren qëllimshëm nga qeveritë amerikane për t`i përdorur kundër Rusisë. Domethënë, nuk përfshin as kohën e luftës së ftohtë, kur i organizoi, as edhe efektin që pati maidani ukrainas në Moskë: drithërimat e një lufte me përmasa të mëdha, si fillim në Donbas dhe më pas në gjithë Ukrainën!

Përpjekja amerikane për ta toleruar nazistifikimin e Ukrainës dhe përpjekja ruse për ta ndaluar atë kulmoi në OKB gjatë fund-vitit 2017 kur Kremlini propozoi në Kombet e Bashkuara për të ndaluar fjalimet pro-naziste dhe organizatat, dhe zbatimin e kufizimeve të tjerë mbi fjalimet dhe mbledhjet. Këtë propozim e votuan 131 shtete, 48 abstenuan ndërsa vetëm tre shtete nuk e votuan: Amerika, Ukraina dhe Palau. Amerika e Trampit tha se mbrojtja e të drejtës së fjalës mes disa problemeve të tjerë e bëri atë të pamundur për ta mbështetur ndërsa Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane garanton gjithë të drejtat e shprehjes duke nënkuptuar dhe lejimin e lavdërimit të Hitlerit. 

Për të zbutur efektin e tyre në shoqëri Zelenski rekrutoi disa prej tyre në institucionet shtetërore dhe të tjerët i rekrutoi në ushtri shumë prej të cilëve janë trajinuar nga amerikanët dhe britanikët për të zhvilluar luftë guerrile kundër Rusisë aq sa rrezikojmë nga një luftë botërore! Pas këtyre ngjarjeve një front lufte u krijua në lindje të Ukrainës ku forcat ushtarake të Kievit përballen me forcat separatiste të mbështetura nga Rusia — një luftë “jozyrtare” që në krye të tetë vjetëve çoi në humbjen e mijëra jetëve: sipas OKB-së, deri në shtator të vitit 2021 ishin vrarë 3,095 njerëz dhe mijëra të tjerë të plagosur dhe shperngulur por sipas Zelenskit dhe Moskës janë më shumë se 14,000. Siç citon Seumas Milne, ish-komentatori i “The Guardian” dhe aktualisht këshilltar i partisë “Labursite” në Britani:

Përplasja në Krime është fruti i ekspansionit Perëndimor...hipokrizia dhe standartet e dyfishta kanë arritur thellësi të reja të vetë parodisë perëndimore...shtetet të cilët filluan aktin e paprovokuar të agresionit më të madh në historinë moderne mbi një pretekst të trumpetuar—kundër Irakut, një luftë e paligjshme e cila tashmë ka vrarë 500,000 njerëz paralel me ndërhyrjen ushtarake në Afganistan, kanë ndryshur me gjakderdhje regjimin në Libi, dhe vrasjen e mijëra njerëzve me sulmet me aeroplanë pa pilotë në Pakistan, Jemen dhe Somali, të gjitha pa autorizimin e KB —pretendimet, rrjedhimisht, [se Putini dhe Rusia është agresive etj.] janë përtej absurditetit...SHBA-ja dhe fuqitë Europiane kanë sponsorizuar hapur protestat për të përzënë Viktor Janukoviçin e korruptuar por të zgjedhur, të cilat shkrepën me kundërthenie dëshirën për një marrëveshje me BE-në e llojit “ose të gjitha ose asgjë”, e cila do të përjashtonte bashkëshoqërimin ekonomik të Rusisë në Ukrainë...në vend të Janukoviçit, një qeveri oligarkësh, goma të vjetëruara të Revolucionit Portokalli dhe neofashistë janë instaluar, veprimi i parë i të cilëve ishte të largonin statusin zyrtar të Rusisë, që flitësh nga shumica në pjesë të ndryshme në jug dhe lindje të vendit, ndërkohë që lëvizje u bënë për të ndaluar një parti Komuniste, e cila fitoi 13% të votave në zgjedhjet e fundit...nga një perspektivë afatgjatë, kriza në Ukrainë është produkt e një prishje e stilit Versajist të Bashkimit Sovjetik herët në vitin 1990-të. Si në Jugosllavi, njerëzit që ishin të kënaqur për të qenë një pakicë kombëtare në një njësi të brendshme administrative të një shteti shumë-kombësh — Rusë në Ukrainën Sovjete, Osetianë në Gjeorgjinë Sovjete — ndjeheshin shumë ndryshe kur ato njësi u bënë shtete për të cilët njësitë ndienin besnikëri të vogël. Në rastin e Krimesë, e cila ishte thjesht transferuar te Ukraina nga Nikita Krushçev në vitin 1950-të, është gjithashtu e vërtetë për pakicën ruse. Dhe ndryshe nga ndërmarrjet që u shfaqën në atë kohë, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë zgjeruar që nga ajo kohë në pafundësi NATO-n drejt kufijëve Rusë, duke mishëruar nëntë ish shtete të Paktit të Varshavës dhe tre ish republika Sovjete në të cilat në të vërtetë gjëndet një aleancë ushtarake anti-ruse në Evropë. Marrëveshja Evropiane e cila provokoi krizën Ukraineze përfshinte gjithashtu klauzola për të integruar Ukrainën në strukturën e mbrojtjes së BE-së. Ekspansioni ushtarak perëndimor ndaloi si fillim në vitin 2008 kur shteti klientelist i SHBA-së, Gjeorgjia, sulmoi forcat ruse në territorin e Jugut Osetian të cilat u shtynë jashtë saj. Konflikti i shkurtër por i përgjakshëm sinjalizoi fundin e botës unipolare të Xhorxh Bushit në të cilën perandoria e SHBA-së do të përparojë vullnetin e saj pa vështirësi në çdo kontinent.

Në të vërtetë “revolucioni” portokalli në Ukrainë krijoi edhe “mostrën” e revolucioneve të dekadave të fundit. Mostra e “revolucionit” Portokalli në Ukrainë shërben si mostër për gjithë “revolucionet” e tjerë në vende të ish-bllokut ekonomik socialist, gjithashtu dhe Lindjes së Mesme, “mostër”, e cila është krijuar nga SHBA-ja, organet dhe bilionerët e saj, siç është Sorosi, i cili e pranoi hapur qëllimin e tij në Ukrainë, rolin e tij në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik dhe qëllimet e tij afat-gjatë,  për të parafabrikuar dhe montuar zgjedhjet që zhvillohen në vende të ndryshëm dhe për të përmbysur rezultatet: qëllimi përfundimtar është vendosja e një qeverie marjonetë e cila do t’i shërbejë Uashingtonit dhe oligarkëve botëror sesa popullit që e voton. Siç citon The Guardian, rreth gjashtëmbëdhjetë vjet më parë:

Ndërsa fitimet e “revolucionit të gështenjtë” i zbukuruar me portokalli janë të Ukrainës, fushata është krijim amerikan, një ushtrim i sofistikuar dhe perceptuar në mënyrë të shkëlqyer nga damkosja perëndimore dhe marketingu masiv që, në katër vende në katër vjet, është përdorur për të shpëtuar zgjedhje të montuara dhe për të përmbysur regjime të pashpëtueshëm. Financuar dhe organizuar nga qeveria e SHBA-së, duke dislokuar këshilltarë të SHBA-së, statisticienë, diplomatë, dy partitë e mëdha amerikane dhe orgnizata jo-qeveritare të SHBA-së, fushata u përdor si fillim në Europë në Beograd në vitin 2000 për të goditur Slobodan Milosheviçin në zgjedhje...Operacioni – i demokracisë së parafabrikuar përmes zgjedhjeve dhe pabindshmërisë civile – është tashmë kaq i zhdërvjellët saqë metodat janë pjekur në një mostër për të fituar zgjedhjet e popujve të tjerë...Instituti i partisë Demokratike Kombëtare, Instituti Ndërkombëtar i partisë Republikane, departamenti i SHBA-së dhe USAid janë agjencitë kryesore që përfshihen në këto fushata bazash partish gjithashtu dhe OJQ-të e Freedom House dhe instituti i shoqërisë së hapur i bilionerit Xhorxh Soros. Statisticienët dhe këshilltarët profesionistë pajtohen për të organizuar grupe të përqëndruara për të përdorur informacion psikologjik për strategji parafabrikuese. Fraksionet e zakonshëm të opozitave duhet të bashkohen pas një kandidati të vetëm nëse atje mund të ketë ndonjë mundësi për të rrëzuar regjimin. Udhëheqësi zgjidhet mbi baza pragmatike dhe objektive, qoftë edhe nëse ai ose ajo është anti-amarikan...përveç lëvizjeve studentore dhe një opozite të bashkuar, elementi tjetër në mostrën e demokracisë është ai që njihet si “vota paralele e katalogimit”, një kundërvajtës i zgjedhjeve të montuara dhe trukeve të regjimeve të dashur dhe famëkeq. 

Pas këtyre “sukseseve” Sorosi nuk ngurroi të ndërhynte dhe në zgjedhjet amerikane duke shfrytëzuar ligjin në fuqi―lejimin e sponsorizimit të fushatave parazgjedhore― kur në vitin 2004 u shfaq si lojtar kryesor në skenën politike amerikane dhe shpenzoi 27 milion dollarë në një bast të dështuar për të ndaluar rizgjedhjen e Xhorxh W Bushit. Ai shpenzoi sasi të njëjta në fushatën demokratike, duke përfshirë dhe Hillary Klintonin në vitin 2016 ku shpenzoi më shumë se 10 milionë dollarë.  Kjo është arsyeja pse Putini shfuqizoi pak vite më parë OJQ-të në Rusi. Dhe kjo është arsyeja se pse Putini dërgoi në Krime ushtrinë; sepse ai dinte se nëse atje dominonte televizioni i Kievit dhe mungonte kontrolli i njerëzve që hyjnë dhe dalin, zgjedhjet do të parafabrikoheshin dhe montoheshin nga qeveria e zgjedhur.

Krahasimi i ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, rrjedhimisht, me ndërhyrjen e SHBA-së në të njëjtin vend, siç ajo ndërhyri në këtë rast, tërthorazi, (me financime, propagandë etj.), ose në vende të tjerë, do të ishte i gabuar: sepse Rusia ndërhyri në një vend ku popullsia e të cilit, megjithëse shumica ukrainase (Kievanë Rusë), dhe pakica rusofone dhe ruso-identitare, ai anon nga gjuhët dhe identiteti sllav. Shkaku kryesor i kësaj kulture është se shkëmbimet tregëtare midis këtyre vendeve kurrë s’kanë ndaluar, as shkëmbimet kulturore dhe tradicionale, as edhe përfshirja e këtij vendi në bllokun ekonomik socialist të shekullit njëzetë ku(r) influenca ruse ishte e pashmangshme. Kjo është arsyeja se përse Ukraina ndan shumë karakteristika të përbashkëta me gjuhën dhe traditat ruse. Për këto arsye, ndërhyrja ruse mund të krahasohet vetëm me ndërhyrjen e shtetit shqiptar (e cila do të ishte më e mirë pa ndihmën e NATO-s) në Kosovë.

Ajo mbrojti, rrjedhimisht, një popull vëlla me të, pavarësisht se jeton në një shtet fqinj. As duhet të justifikohet ndërhyrja e Amerikës dhe Europës në Ukrainë me “doktrinën e Brezhnievit”, e cila u zbatua në vitin 1968 në Pragë, meqënse partia dhe rendi socialist atje kërcënohësh nga forca imperialiste dhe fashiste, pavarësisht se shtypi perëndimor pretendon se ushtria e udhëhequr nga Sovjetët e Paktit të Varshavës ndërhyri në Çekosllovaki për të shtypur një përpjekje nga ish reformisti komunist, Alexander Dubček, për të sjellë ndryshim të paqtë dhe të lirë në vendin e tij, sipas doktrinës së Sinatrës, sipas së cilës Europianët qendrorë dhe lindorë do të ishin të lirë për të vepruar sipas mënyrës së tyre,  pa konsideruar “doktrinën e Blair-it”, e cila është adoptuar nga G7-ta ose Elita Mbikombëtare (E/M): sepse këto doktrina janë kryekëput të kundërta: e para, respekton pavarësinë politiko-ekonomike, dhe rrjedhimisht, kombëtare, të një vendi; e dyta, presupozon humbjen e tyre: sepse ka krijuar institucione ‘supranacionalë’ që diktojnë politikat e vendeve të integruar në rendin përkatës. 

As duhet të krahasohet Krimea me Kosovën, siç veproi Putini,  pavarësisht faktit se ky krahasim nënkupton se Rusia njeh pavarësinë e Kosovës: sepse megjithëse qeveria e re e Ukrainës kërcënohet nga qeveria e Uashingtonit dhe e Brukselit, përbërja e së cilës është kryesisht ultranacionaliste për mos të përmendur këtu disa deputetë që janë jo vetëm pasardhës të individëve që mbështetën forcat naziste në luftën e dytë botërore por edhe neonazistë me damkë, një fakt që e përdori edhe Gregor Gysi,  një përfaqësues i të Majtës gjermane dhe deputet i opozitës më të madhe në vend, kur kundërshtoi mbështetjen e qeverisë ukrainase nga Merkeli, dhe siç tregoi edhe BBC...  ajo nuk kërcënohet aktualisht me gjenocid të llojit që dëshmuam në Kosovë.

Dihet tashmë se ne ndihmuam në luftën e fundit të shqiptarëve të Kosovës me ushtrinë e Serbisë, me armë, oficerë e ushtarë vullnetarë. Atëherë kjo ndihmë u konsiderua nga Uashingtoni dhe Brukseli —i cili së fundmi përsëriti qendrimin e tij se ai është ‘neutral’ për çështjen e Kosovës— si agresion! Por në luftën e Ukrainës —të cilën e nxiti Uashingtoni i Obamës, ndihmën e Rusisë, e cila nuk është e drejpërdrejtë, por e tërthortë, për arsye se Rusia u mundua t’i shmangësh konfliktit ushtarak me Perëndimin— Perëndimi në përgjithësi e konsideron ‘agresion’ rus!

Krimea, në fjalë të tjera, kërcënohësh thuajse njëlloj si Kosova nga qeveria e Kievit (sepse pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë shprehur qartë se janë anti-rusë, anti-sionistë dhe anti-komunistë!). Populli i Krimesë ka të drejtë të vendosë për fatin e tij dhe vetëvendosja e tij nuk do të hapë kutinë e pandorës, siç përsërisin shumë papagallë të së drejtës ndërkombëtare, por rrugën për çdo popull për të vetë-vendosur. Dhe është më mirë që populli i Krimesë të vendosë duke u mbrojtur nga Rusia sesa duke u kërcënuar nga qeveria e Kievit. Kosova, sidoqoftë, mund të përdoret si precedent në të drejtën ndërkombëtare. Dhe është ky shembull (ose precedent) që shfrytëzon me të drejtë Putini. Dhe ndryshe nga NATO-ja, Putini, me ndërhyrjen ushtarake, pa shumë zhurmë, e parandaloi përkeqësimin e gjendjes në Krime. Rusia e ditëve të sotme, megjithëse ka zhvilluar tregun e lirë dhe është oligarkike, thuajse njësoj si Perëndimi, ndryshon nga këta të fundit në një princip themeltar: në kontrollin e mallrave,  pavarësisht se është anëtare e OBT-së, sepse liria e kapitalit vazhdon e mbizotërojë. Dhe është ky ‘kontroll’ që e bën Rusinë të jetë njëherësh autoritare dhe e kritikueshme nga kundërshtarët e saj historik: sepse ‘kontrolli’ i mallrave predispozon ose nënkupton një farë autoritarizmi.

‘Autoritarizmi’ —i cili nënkupton një lloj pushteti— në nivel shoqëror shprehet në dy forma: ose përmes arsyetimit gjithëpërfshirës së një komuniteti, një proces që nënkupton se pjesëmarrësit do të konvergojnë dhe pajtohen rreth një problematike dhe, do ta kuptojnë atë, e cila është një praktikë që mund të konsiderohet absolutisht demokratike dhe pedagogjike, sepse nënkupton autoritetin e popullit, ku njohuria e individit shpaloset në respekt të individëve të tjerë, ose përmes urdhrave, të cilët burojnë “nga lartë”, një praktikë që mund të konsiderohet anti-demokratike dhe kundër-pedagogjike, sepse nënkupton se autoriteti i popullit do të shpërnjihet dhe do të zëvendësohet me autoritetin e elitave ose oligarkive dhe, në vendin e punës, me autoritetin e punëdhënësit ose drejtorit. 

Putini, njëlloj si perëndimorët, dhe njëlloj si dy nën-paradigmat e modernitetit, ka adoptuar ‘autoritarizmin’ që buron “nga lartë”. Dhe është ‘kontrolli’ i mallrave dhe orientimi i saj politiko-ekonomik (drejt ekspansionit energjitik), që e bënë Rusinë të fuqishme sot ekonomikisht, në nivel botëror, dhe ndryshe nga perëndimorët, të cilët gjënden në shkallë të ndryshme, në depresion. Ndërkohë, roli i BE-së në Ukrainë përshkruhet mjaft mirë nga Nigel Farage, udhëheqësi i Partisë Euroskeptike “Ukip”, në Britani, në një debat publik me rivalin e tij konservator, Nick Clegg, në parlamentin europian: ‘BE-ja ka gjak në duart e saj pas ndërhyrjes në krizën e Ukrainës, duke zbuluar edhe një herë ambiciet e saj imperialiste’. 

Nuk do të ishte e çuditshme që ndryshimet strukturore dhe mekanizmat sistemike, një profesor dhe autor amerikan i historisë në Universitetin Jale (Yale) të Amerikës, Timothy Snider, i shpërnjeh dhe mundohet ta paraqesë gjendjen nga një qasje jo vetëm tejet të pjesshme por thuajse konspirative!

Kështu, në një analizë me titull, “Fashizëm, Rusia, dhe Ukraina”, ai përpiqet të na përsërisë qasjen që mbizotëron kryesisht në masmedian ndërkombëtare se protestat filluan me studentët, me të cilat, më vonë, u bashkuan edhe disa ish-ushtarë të Ushtrisë së Kuqe, për të mbrojtur të rinjtë —krenarinë dhe të ardhmen e vendit— nga dhuna që ushtroi policia. Në të njëjtën analizë ai citon edhe mospranimin e nënshkrimit të marrëveshjes që kërkoi BE-ja në Ukrainë. Por profesori, mospranimin e ‘nënshkrimit’ nuk e shikon si një ndër shkaqet bazë të fillimit të protestave por e anashkalon atë duke u përqendruar më shumë te ‘diabolizmi’ i unionit euraziatik!

Në të vërtetë fërkimet midis BE-së dhe Uashingtonit në njërën anë dhe Ukrainës në anën tjetër, kanë filluar që në vitin 2012-të kur presidenti ukrainas, Janukoviçi, ngriti tarifat doganore. Domethënë, vendosi kontroll mbi mallrat e doganave në kohën kur kishte nënshkruar anëtarësinë e vendit në Organizatën Botërore të Tregut (WTO). Nënshkrimi i kësaj marrëveshje nënkupton se doganat duhet të çlirohen nga kontrollet me qëllim që mallrat të qarkullojnë lirshëm dhe me tarifa doganore minimale, dhe në shumë mallra, pa asnjë tarifë.  Kjo është arsyeja se përse Uashingtoni i Obamës doli menjëherë pas deklaratës së Janukoviçit i shqetësuar dhe ‘kërcënoi’ se kjo nismë unilaterale rrezikon gjithë sistemin tregëtar botëror. Por Janukoviçi nuk e mori seriozisht këtë deklaratë.

Duhet përsëritur edhe një herë këtu se kur një vend çliron dhe liberalizon doganat (d.m.th. kur ulë tarifat dhe privatizon sektorë të ndryshëm) do të thotë se ndërmarrjet kapitaliste ose oligopolet do të qarkullojnë mallra nga një vend në tjetrin pa u zhdoganuar, të cilat, ndërsa mbajnë çmimet e ulëta në vendin importues, sepse nuk paguajnë tarifë, pasurohen më shumë ato sesa qeveria dhe populli i një vendi ku ato veprojne. Ky proces, me radhë, ndikon vendimtarisht në zhvillimin e prodhimit të brendshëm, kryesisht të bujqësisë dhe blegtorisë: sepse ai e bllokon atë — sepse kostua e ulët e prodhimeve të huaja lë në arë prodhimet vendore dhe dekurajon të gjithë ata që mundohen të ngrejnë ferma apo prodhojnë produkte në këta dy sektorë. Shkurt, çlirimi dhe liberalizimi i doganave (ose liria e mallrave), maksimizon fitimet për oligopolet që veprojnë në nivel mbikombëtar dhe shkatërron qoftë buxhetin e një qeverie qoftë ekonomitë e vogla dhe mesatare dhe qoftë ekosistemin e një vendi.

Këto pasoja Rusia duket se i ka kuptuar; kjo është arsyeja që ajo ndryshe nga Perëndimi kontrollon doganat/mallrat. Kështu, ndërsa përplasja mes Europës dhe Amerikës në njërën anë dhe Ukrainës në anën tjetër filloi me doganat, ajo kulmoi me marrëveshjen që nuk nënshkroi Janukoviçi. Kjo marrëveshje nënkuptonte pikërisht çlirimin dhe liberalizimin e doganave dhe kapitalit të cilën Janukoviçi e kishte kundërshtuar më parë. Dhe dihet se me çlirimin e këtyre dy lirive, Evropa dhe Amerika do të pushtonin edhe më shumë ekonomikisht Ukrainën dhe do të kërcënonin ekonominë Ruse. Qëllimi final ishte dobësimi ekonomik i Rusisë dhe në afatmesmë vendosja nën kontrollin e BE-Uashingtonit ose Elitës Mbikombëtare (E/M) të Rusisë.

Fatin e Ukrainës e ka hartuar thuajse dy dekada më parë, Brzezinski, në librin e tij Skakiera Kryesore (Grand Chessboard) të cilën e përshkruan si një “bosht gjeopolitik”, duke nënkuptuar ‘ata shtete rëndësia e të cilëve nuk buron nga fuqia e tyre dhe motivimi por nga vendndodhja e tyre e rëndësishme...e cila në disa raste u jep atyre një rol të veçantë ose në përcaktimin e hyrjes në zona të rëndësishme ose në përcaktimin e një lojtari të rëndësishëm’.  Sipas tij, kontrolli i Ukrainës nga Amerika siguron jo vetëm kontrollin e Rusisë por edhe kontrollin e Eurazisë! Këto fakte — për mos të përmendur ‘fakte’ të tjerë,  profesiorit të lartëpërmendur nuk i duken të rëndësishme. Pasi përqendrohet te protestat e brendshme në Ukrainë dhe dhuna sistemike që ishte pa dyshim ekzistente, si një ndër shkaqet e “revolucionit”, argumenton se Blloku Ekonomik që po përgatit Rusia është në thelb “fashist”:

Unioni Euraziatik është një union tregëtar dhe politik që nuk ekziston ende por do të vijë në Janar të vitit 2015-të. Unioni Euroaziatik, ndryshe nga Unioni Europian, nuk bazohet mbi principet e barazisë dhe demokracisë së anëtarëve, sundimin e ligjit, ose të drejtat e njeriut. Për kundrazi, ajo është një organizatë hierarkike, e cila nga vetë natyra e saj duket e pamundur të pranojë ndonjë anëtar që është demokraci me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Çdo demokraci brenda Unionit Euraziatik do të kërcënonte sundimin e Putinit në Rusi. Putini kërkon Ukrainën në Unionin Euraziatik, që do të thotë se Ukraina duhet të jetë autoritare, që do të thotë se Mejdani duhet të shtypet.

Qartësisht, autori flet për një union që është hierarkik, sikur Perëndimi të ishte ndryshe. Dhe ai argumenton më tej se:

Unioni Euraziatik është armiku i Unionit Europian, jo vetëm në strategji por në ideologji. Bashkimi Europian bashkohet në një leksion historik: se luftrat e shekullit të njëzetë bazoheshin në ide të gabuara dhe të rrezikshme, Socializëm Kombëtar dhe Stalinizëm, të cilët duhet të tejkalohen në një sistem që garanton tregje të lirë, lëvizje të lirë të njerëzve, dhe shtetin e asistencës sociale. Eurazianizmi, në kundërshti, paraqitet nga avokatët e tij si e kundërta e demokracisë liberale.

Në fjalë të tjera profesori i historisë na thotë se ndërsa shkaku i protestave ishte Janukoviçi dhe ligjet e tij autoritarë, shumë prej të cilëve të injektuar nga Moska, Eurazianizmi është ‘armik’ i Europeizmit. Por ngasa dimë, kur një bllok ekonomik kërcënohet nga bllok tjetër, dhe për më tepër, konsiderohet ‘armik’, ai do të bëjë ç’është e mundur të minojë bllokun në fjalë. BE-ja, meqënse konsiderohet bllok ekonomik, ka të gjitha mundësitë që ta minojë bllokun e ri. Dhe ‘minimi’ filloi pikërisht me marrëveshjen që i impononte BE-ja —në bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin— Ukrainës. Gjithashtu, ai përmend dy liritë e G/N dhe harron dy liritë e tjera: lirinë e kapitalit dhe shërbimeve. Ai flet, gjithashtu, për shtetin e asistencës sociale (principet keinsiane), i cili ka vdekur që në kohën kur G/N ngrinte kuadrin institucional post-modern: 1970-80 dhe integroi politikat e reja. Për më tepër, autori argumenton se:

[Eurazianizmi] u themelua në vitin 2001 nga shkencëtari politik rus Aleksandër Dukin, i cili propozon realizimin e Bolshevizmit Kombëtar. Në vend të mohojë ideologjitë totalitare, Eurazianizmi thërret politikanët e shekullit të njëzetë e një për të marrë elementë nga ajo çfarë është e dobishme nga fashizmi dhe Stalinizmi. Puna kryesore e Duginit, Themelet e Gjeopolitikës, publikuar në vitin 1997, ndjek ngushtë idetë e Carl Shmitt-it, udhëheqësit politiko-teorik Nazist. Eurazianizmi nuk është vetëm burim ideologjik i Unionit Euraziatik, ai është gjithashtu bindja e një morie njerëzish në administratën e Putinit dhe forca lëvizëse e një lëvizje rinore ultra të djathtë. Për vite Dugini ka mbështetur hapur ndarjen dhe kolonizimin e Ukrainës. 

Sidoqoftë, në botën akademike amerikane ka profesorë seriozë; për shembull, John Mearsheimer, i cili tregon se pse Ukraina është padrejtësi e perëndimit (UnCommon Core: The Causes and Consequences of the Ukraine Crisis: The University of Chicago). Madje gjatë luftës së ndërmjetme mes SHBA-së dhe Rusisë në Ukrainë u krijua bindja (nga elitat neoliberale dhe masmedia) se populli amerikan e mbështeste atë!

Ky është një shtrembërim i qëllimshëm për të siguruar mbështetje në luftën e Ukrainës. Për të mbështetur qendrimin e tyre elitat perëndimore përdorën disa sondazhe që tregojnë se “shumica” e popujve e mbështet luftën e saj. Përqindjen e mbështetësve e ka përdorur më shumë elita amerikane. Sipas një sondazhi të zhvilluar gati dy muaj pas luftës atje nga IPSOS, shumica e amerikanëve kundërshtonte lidhjet diplomatike (34% përkundër 31%); ndërsa në nivel botëror ishin vetëm 38%. Gati një vit më pas përqindjet nuk ndryshuan shumë, sipas të njëjtës firmë.

Por le ta lëmë mënjanë “opinionin” e popujve, i cili në fund të fundit i krijon opinionet kryesisht nga masmedia dhe kjo e fundit dihet se kontrollohet nga elitat, dhe të shohim se cilat forca politike në Amerikë e kundërshtojnë luftën në Ukrainë dhe pse. Sipas një analize të dy profesorëve amerikanë, të publikuar në korrik të vitit 2022 në revistën amerikane “Foreign Affairs”,  luftën atje nuk e ka mbështetur “e majta” dhe “e djathta” e skajshme. Shtojcën “e skajshme” duhet ta marrim me rezerva, sepse me të bëhet më shumë propagandë nga neoliberalët se sa tregohet karakteri i vërtet i tyre. Sipas tyre “shumë në të majtën dhe të djathtën amerikane kanë nxituar të mbrojnë regjimin e presidentit rus Vladimir Putin ose, të paktën, kanë nxitur SHBA-në të mos ndërhyjë në mbrojtjen e Ukrainës”.

Ata, madje, citojnë disa prej tyre: njëri, sipas tyre, është Tucker Carlson, fytyra e lajmeve të televizionit Fox News, televizionit më popullor amerikan. Ai ka mbështetur politikat e Kremlinit në Ukrainë dhe kritikon ashpër politikat e Uashingtonit. Qendrimet e tij riprodhohen dhe në media të tjera amerikane. Nga e majta amerikane profesorët përmendin Noam Çomskin, i cili e ka paraqitur Trampin si një model udhëheqësi gjeopolitik që ka refuzuar të armatos Ukrainën. Media të majta si Jacobin, New Left Review, dhe Democracy Now! Mbështesin linjën se duhet të fajësohet zgjerimi i NATO-s për veprimet ushtarake ruse dhe kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën. Në internet, të majtë e të djathtë fajësojnë politikën e Ukrainës dhe presidentin e saj.

Ata mundohen të shqyrtojnë arsyet se pse këta krahë të kundërt të politikës amerikane përputhen në çështjen në fjalë dhe gjejnë si “shpëtim” teorinë e patkoit (“horseshoe theory”), e cila është paraqitur për herë të parë nga filozofi francez Jean Pierre Faye. Ai besonte se spektri politik ideologjik, tradicionalisht e ndërtuar si një përparim linear nga një farë forme e socializmit ose kolektivizmit demokratik përmes një qendre borgjezo-liberale dhe nga një farë forme totalitarizmi ose fashizmi, nuk ishte një vijë e drejtë mes dy qendrimeve të skajshme politike por diçka si një patkua, me skajet të përkulen thuajse magnetikisht në bashkim me njëri-tjetrin.

Bazuar në vrojtimin e tij të radhitjes së partive fashiste dhe komuniste të viteve të hershme të 1930 në politikën gjermane dhe më pas në radhitjen e pastajme mes Nazistëve dhe Sovjetëve në sferën ndërkombëtare, ndoshta e mishëruar më mirë me Paktin MolotovRibbentrop, ai besonte se skajet politike kanë më shumë të përbashkëta se sa ç`këshillon interpretimi tradicional i spektrit politik.

Ideja, sqarojnë ata, e patkoit politik është kritikuar prej kohësh për mungesën e rigorozitetit intelektual dhe armatimi i saj nga qendrorët për të diskretituar kundërshtarët e tyre, më shumë nga e majta të cilët mund të krahasohen me konservatorët që gjoja kundërshtojnë.

Kritikët e teorisë priren të citojnë se çdo përputhje e dukshme mbi qendrimet politike mes të djathtës dhe të majtës së skajshme, si kritika e demokracisë liberale, globalizmit, dhe zgjidhjeve të bazuara në treg të problemeve shoqërore, është sipërfaqësore, duke maskuar parapëlqime të larmishme shumë të thella ideologjike dhe politike. Nëse ka ndonjë gjë, se çfarë e bashkon të majtën dhe të djathtën e skajshme, pranojnë kritikët, është kundërshtia kundrejt qendrës liberale, e cila përdor kaq shpesh për mbrojtje patkoin për të njëjtën arsye.

Por teoria rishfaqet, jo vetëm sepse e majta dhe e djathta e skajshme vazhdojnë të radhiten në të dy idetë dhe politikat. Një arsye për këtë është spektri tradicional një-përmasor majtas-djathtas që nuk përllogaritet për dështime të tjera të ndarjes politike në SHBA, si ato të mbizotëruara jo nga ndonjë nocion tradicional intelektual të konservatorizmit ose përparimit por në vend të tyre nga sjellje negative kundrejt “nomenklaturës” dhe formave më të gjera të populizmit.

Populizmi në SHBA, sipas tyre, nuk kufizohet në “Bërjen e Amerikës së Madhe Prapë” (MEGA) mes mbështetësve të Trampit. Në vend të saj ai është përhapur përgjatë spektrit politik, me populistët në të majtën politike (mes tyre mbështetësit e Sen. Bernie Sanders, për shembull) dhe e djathta (mes mbështësve të Trampit).

Se çfarë i bashkon fundet e patkoit, nëse mbështesim metaforën e Faye-s, nuk janë nocione intelektuale të konservatorizmit ose progresivizmit por kundërshti ndaj elitave, “nomenklaturës partiake”, dhe derëtarëve tradicionalë të shtypit të rrymës kryesore. Kur bëhet fjalë për Ukrainën nuk shohim vetëm mbështetje të rëndësishme për teorinë e patkoit por gjithashtu për diçka që shkon përtej saj: ideja se paradigma e thjeshtë majtas-djathtas nuk na çon veçanërisht larg për të kuptuar politikën amerikane.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, shumica e amerikanëve nga të dyja partitë kanë mbështetur [...] qendrimin e qeverisë amerikane: mbështetje ushtarake dhe humanitare; madje dhe për mirëpritjen e refugjatëve të Ukrainës.

Më tej autorët përmendin lidhjet pushtetore dhe interesat e tyre ekonomike të disa republikanëve dhe demokratëve me elitën Ukrainase dhe shqyrtojnë shkaqet e papërputhshmërive të tyre në politikën e jashtme duke përmendur Kisingerin, arkitektin e shumicës së politikës së jashtme amerikane dhe ndërhyrjeve brutale anë e mbanë botës, dhe Çomskin, kritikun e politikës së jashtme amerikane dhe kundërshtarin e thekur të politikave të Uashingtonit, por, përfundimet e tyre nuk ndryshojnë shumë nga teoria e patkoit, duke shtuar se në shoqërinë amerikane nuk ka kuptim të drejtë të realitetit politik ose në fjalët e tyre: “mosqënia në rritje e një kuptimi të përbashkët të realitetit politik”.

Nga studiuesit e filozofisë politike dukuria që përmendin autorët ―kuptimi i ndryshëm i realitetit politik nga rrymat politike― quhet “ndërgjegjësim i pabarabartë”, dhe njihet si dukuri. Por ndryshe nga profesorët amerikanë, pak autorë të filozofisë politike tregojnë shkaqet se pse popujt dhe rrymat politike të popujve kanë qendrime të ndryshme dhe shpesh të njëjtë, si në rastin e të “majtës” dhe të djathtës amerikane: së pari, sepse rrymat politika mbështeten ose në autorë ose studiues si në rastin e të “majtës” amerikane, tek Çomski, ose tek drejtuesit e partive, si në rastin e republikanëve, tek Trampi.

Ndryshimi mes këtyre të dyve, për shembull, është tejet i madh: njëri e bazon arsyetimin e tij tërësisht në fakte ndërsa tjetri në thjesht perceptime―se ç`kupton nga nomenklatura politike amerikane dhe përtej saj thjesht duke përdorur perceptimin dhe jo faktet dhe shqyrtimin e tyre. Çomski, në anën tjetër, nuk përfshihet në kategorinë e filozofëve politikë, sepse ai nuk përdor në analizën e tij të fakteve, analizë sistemike―domethënë, ta fillojë analizën nga sistemi drejt shoqërisë. Por sidoqoftë, ai është një burim i mirë ―jo plotësisht i drejtë― qendrimesh politike.

Kështu, megjithëse ata kanë ndikim tek mbështetësit e tyre, se kush ndikon më shumë në krijimin e opinionit të popullit amerikan, është masmedia, pas të cilës qendrojnë zakonisht interesat e ngushta të oligarkisë politike dhe ekonomike. Por pavarësisht këtij fakti, populli amerikan ka një ndërgjegjësim të mirë nëse gjykojmë nga sondazhet e IPSOS. Opinioni i tij do të ndryshonte radikalisht nëse do t`i tregohësh nga masmedia gjithë realiteti gjeopolitik në Ukrainë dhe përtej saj.

Megjithatë e majta dhe djathta amerikane zhvilloi një proteste në 19 shkurt në Uashington DC me thirrjen “Asnjë qindarkë më tepër për luftën në Ukrainë”. Sipas njoftimit, protesta synon ndalimin e luftës; sepse këtë mund ta bëjë vetëm populli amerikan. Por mbi dhe përtej asaj kërkese, qendron një lëvizje shpresëdhënëse, me Partinë e Popullit, një parti e re përparimtare, dhe Partia Libertariane. Në fjalët e njoftimit, ajo “është çfarë shtypi do ta quante një koalicion “i majtë dhe i djathtë”, duke zgjeruar spektrin për të ndaluar luftën në Ukrainë”. Organizatorët e quajnë protestën “Zemërim Kundër Makinerisë së Luftës”. Me luftën në Ukrainë që na vendos përballë armagedonit bërthamor, citon njoftimi, “zemërimi” duhet të quhet një kundërveprim i butë.

Partia Popullore është krijuar nga Nick Brana, bashkërenduesi kombëtar i Bernie Sanders dhe ka në gjirin e saj veprimtarë si Chris Hedges etj. Ndërsa Partia Libertariane ka Ron Paul, një kundërshtar i patundur i politikës së jashtme amerikane. Ajo është partia e tretë më e madhe në SHBA. Kërkesat e tjera të tyre janë “bisedime për paqe”; “ndalimi i inflacionit”; dhe “shpërndarja e NATO-s” ndërsa shtojnë shpërshkallëzimin bërthamor botëror; shkurtimin e buxhetit të Pentagonit; ndalimin e Shtetit të Thellë të CIA-s dhe ushtrisë; ndalimin e luftës dhe perandorisë; rivendosjen e lirive qytetare; dhe lirimin e Julian Assange.   

Qëllimi perëndimor në Ukrainë detyroi pas tetë vitesh Rusinë të ndërhynte atje dhe si në çdo rast tjetër, shoqëritë u mashtruan edhe një herë nga propaganda perëndimore dhe harruan gjithë këto shkaqe (ose shkaktarë) dhe u solidarizuan vetëm me qeverinë e Ukrainës dhe klasën sociale që e mbështeste atë gjatë viteve kur në lindje të vendit vriste njerëz!

Se ku mund të çojë ky konflikt do të shkruaj së shpejti...      

 

Kjo analizë e përditësuar është shkruajtur 5 vite më parë dhe është pjesë e një studimi mjaft të gjerë referencat e të cilë gjenden vetëm në origjinal 

Aleksandër Dugin: ç`është eurazianizmi – sfiduesi i globalizmit neoliberal?

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA