...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkaqet e përmbytjeve dhe masat e parandalimit

Dukuritë fizike dhe sociale shkaktohen në bazë të ligjit të probabilitetit dhe domosdoshmërisë, të cilin supozohet se e njohin elitat “shkencore”

Ylli Përmeti

10/11/2016 - 11:39

Përmbytja e Jugut nga dalja e lumenjëve, veçanërisht e Vjosës, në fillim të shkurtit të vitit 2015-të, dhe përmbytjet vijuese në fund të vitit 2016-të, shpalosi, edhe një herë, shtirjen kolektive dhe qasjen joshkencore të përfaqësuesve tanë në Kuvend: ata jo vetëm që nuk u shqetësuan për shkaqet e përmbytjes por ndërsa vajtonin dhe “solidarizoheshin” me popullin e përvuajtur nga zyrat dhe sallat e ngrohta - u përqendruan në një qasje të përgjithshme mjaft obskurantiste: se ajo ishte “fatkeqësi natyrore”! Ndërsa opozita akuzonte qeverinë se ajo duhet të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme me qëllim që të merrte ndonjë kompensim nga eurostrumbullarët (...) deputetët dhe ministrat “socialistë” kundërsulmonin duke përmendur përmbytjen e Veriut pesë vite më parë dhe, pa ndroje, anashkalonin qëndrimet kontradiktore të Ramës kur ishte në opozitë! Shfaqjet e përfaqësuesve tanë në vendndodhje, ku na komunikojnë pára kamerave me duar në xhepa, të pispillosur dhe me çadra që ua mbajnë shërbëtorët...se kanalet duhet të pastrohen,[1] është një tjetër shtirje dhe mendësi borgjeze. Por mendësia më obskurantiste shprehet me propagandimin e konceptit të ‘fatkeqësisë natyrore’.

Dukuritë fizike dhe sociale shkaktohen në bazë të ligjit të probabilitetit dhe domosdoshmërisë, të cilin supozohet se e njohin elitat “shkencore”.

Gazetarët dhe opinionistët, në anën tjetër, u përqendruan te dëmshpërblimi: ata na përmendën faktin se qeveria Berisha talli menderen me pupullin e Veriut kur i dëmshpërbleu me strategji: pára zgjedhjeve dhe rreth 15% të dëmit. Ndërkohë që spikasnin mashtrimin e qeverisë aktuale: se ajo do t’i dëmshpërblejë 100% të dëmtuarit! Mashtrimi lidhet me faktin se dëmshpërblimi, një pjesë e të cilit u realizua përmes bankave private, domethënë përmes shfuqizimit të kredive që kishin marrë qytetarët e dëmtuar, do të “ristrukturohet” me kursime publike. Sigurisht, nëse krahasojmë qeverinë Berisha me qeverinë aktuale, lidhur me dëmshpërblimet e përmbytjeve, mund të themi se kjo e fundit paraqitet më e dhimbshme. Por ato janë të njëjta lidhur me propagandën që ushtrojnë sa herë që vendi përmbytet: në vend të shqetësohen për shkaqet e përmbytjeve dhe të përveshin mëngët për të ndihmuar banorët e përmbytur me veprime konkrete në terren, organizojnë konferenca shtypi dhe mbledhin “shtabin e emergjencave” për të analizuar gjendjen! Janë, në fjalë të tjera, dy herë shkaktarë të përmbytjeve: një herë kur nuk mundohen të kuptojnë shkaqet e përmbytjeve dhe t’i luftojnë ata dhe një herë tjetër kur nuk përshihen me veprime konkrete në zonat e përmbytura. Qeveria “Rama”, në të vërtetë, gjeneroi një fond (6 milionë euro) nga BE-ja për të mbrojtur nga përmbytja, siç pretendohet, 12 mijë hektarë tokë bujqësore dhe rreth 15 mijë banesa, nga lumi Vjosa, Drinos dhe Osumi, duke ngritur vetëm argjinatura me beton, gurë dhe rrjeta metalike!         

Kështu, shkaku i përmbytjeve nuk mund të lidhet vetëm me rreshjet intensive, siç argumentojnë “specialistët”,[2] pa treguar shkaqet e rreshjeve intesive, apo argjinaturave dhe kanaleve, siç argumentojnë “specialistë” të tjerë në hapësirën mediatike: sepse rreshjet intensive shkaktohen nga ndryshimi i klimës. Kjo e fundit shkaktohet nga niveli i lartë i CO² në atmosferë dhe CO², nga teknologjia. Kjo e fundit buron nga ideologjia e rritjes ekonomike e modernitetit. Dhe rritja ekonomike – nga maksimizimi i përfitimit. Përfitimi, me rradhë, buron nga kuadri modern institucional. Ndërsa ky është një shkak sistemik, një shkak tjetër vendimtar, është mungesa e pemëve përgjatë pllajave të maleve, kodrave dhe brigjeve të lumenjëve; një i tretë është tejshfrytëzimi i rërës së shtretërve për ndërtime; dhe një i katërt është mungesa e bonifikimit të tokës. Janë, në fjalë të tjera, të gjithë këta shkaqe të ndërvarur — që ndikojnë vendimtarisht në përmbytjen e shumë ultësirave. Për të njëjtën arsye rreshjet do të kenë intensitet më të madh në të ardhmen dhe përmbytjet do të jenë më të mëdha dhe, ngritja e argjinaturave nuk mjafton për frenimin e ujit. Sepse argjinaturat duhet të rikonceptohen dhe të shoqërohen dhe forcohen me pemë ujëdashëse. Sepse pemët ndihmojnë në kanalizimin e një sasie të konsiderueshme të ujit thellë në tokë. Siç citon Monbiot në një studim,[3] ku kritikon përgjithësisht qasjen konvencionale dhe veçanërisht qasjen e qeverisë Britanike, sipas së cilës ne duhet të betonizojmë anët e lumenjëve (dhe deteve) dhe të mos ndërtojmë në vende të ulëta që të shpëtojmë nga përmbytjet...duke kundërshtuar se janë pemët ato që ndihmojnë vendbanimet dhe të mbjellat nga përmbytjet dhe erozioni, sepse, sipas studimit:

Uji fundoset në tokë poshtë pemëve 67 herë më shumë se kur gjendet mbi bar. Rrënjët e pemëve sigurojnë kanale poshtë të cilëve uji rrjedh, thellë në tokë. Toka bëhet si sfungjer, një rezervuar i cili thith ujë dhe pastaj e çliron atë ngadal. Ndryshe nga kjo dukuri, në kullota, majat e vogla dhe të mprehta të këmbëve të deleve llangosin tokën duke e bërë atë thuajse të papërshkueshme: një shtresë të fortë ku shiu ikën si rrëke.[4]

Ndërtimi i mureve nuk do të mbrojë qytetet tanë vetë-vetiu. Ne kemi nevojë të parandalojmë përmbytjet gjithashtu dhe të mbrohemi nga përmbytjet. Kjo do të thotë se ne kemi nevojë për kodra me korije dhe torfë funksionale. Do të thotë përdorimin e drurit të vdekur dhe mbështetësve të zhavorrit dhe pengesave të tjera në kulmet e sipërm të rrjedhave (kastorët do ta bëjnë këtë lloj pune falas). Do të thotë uljen e argjinimeve për të rilidhur lumenjtë në tokat e përmbytura, duke përmbytur fushat në vend të qyteteve. Do të thotë të lejojmë lumenjtë të gjarpërojnë dhe të gërshtohen. Do të thotë të krijojmë zona tampon rreth mbështetësve të tyre: në vende ku pemët, shkurret, kallamishtet dhe bari i gjatë lejohen të rriten, duke krijuar atë thyerjen hidraulike të inxhinierëve. Do të thotë të kundërtën e orgjisë së vetë-shkatërrimit që politika e shumë dekadave të qeverive dhe Europiane kanë inkurajuar: kullotje, kositje, djegie, kullim, kanalizim dhe dragim.[5] Ndryshe nga kjo qasje, e cila mund të vërtetohet qoftë teorikisht qoftë empirikisht, në hapësirën e tregut dhe përfitimit, propagandohet e kundërta, ‘se vendet e shkreta mund të gjelbërohen nëse rrisim numrin e gjedhëve dhe ushqehemi më shumë me mish dhe, gjelbërimi me rradhë do të absorbojë CO²’![6] Shkatërimi i pyjeve, në të vërtetë, ka filluar me ngritjen e ushtrive. Për shembull, mendimtarët e Greqisë së Lashtë shqetësoheshin kur populli i Atikës priste pishat përgjatë bregdetit për të ndërtuar anije për luftë dhe peshkim. Në atë kohë u krye një masakër e vërtetë mbi pyjet e bregdetit. Sot, atje gjendja është dramatike: sepse segmente të rëndësishme të bregdetit nuk kanë asnjë pishë dhe pemë për t’u mbrojtur nga erozioni. Por masakrimi më i madh i pemëve është shkaktuar dy shekujt e fundit — me lindjen e shtetit modern. Zgjidhja e kësaj problematike, rrjedhimisht, nuk mund të vijë thjesht duke ringritur një “njësi” specialistësh në nivel kombëtar dhe duke kërkuar borxhe nga Banka Botërore, siç na sugjeron një ish-specialist i socializmit.[7] Sepse edhe nëse konsiderojmë përvojën e SHBA-së, e cila ka ngritur një njësi kombëtare, ajo jo vetëm që është ngritur përgjatë periudhës social-demokrate (statiste) shekullin e kaluar kur blloku social-demokrat ruante principet keinsiane, por, siç tregojnë studimet,[8] Amerika do të kërcënohet më shumë se ç’kërcënohet sot nga përmbytjet që do të ndodhin në të ardhmen.[9] Përtej, sigurisht, avantazheve dhe disavantazheve ekonomike që kemi si vende në RRB të G/N.[10] Dhe “specialistët” amerikanë, njëlloj si britanikët, ndërsa shpërnjohin shkaqet, propagandojnë ngritjen e digave dhe pritave me beton. Kjo bëhet për dy arsye kryesore: së pari, sepse nga ndërtimi i digave do të vazhdojë pasurimi i sektorit të ndërtimit. Dhe dihet tashmë se me cilët bashkëpunon sektori i ndërtimit: me sektorin financiar dhe përfaqësuesit. Dhe së dyti, për t’u dukur...këta të fundit, se bëjnë vepra.

Të gjitha këto kur përqindja e pyjeve në Shqipëri është zvogëluar tmerrësisht shumë: nga 38 për qind që ishte me rënien e socializmit dhe 36 për qind në vitin 1997-të,[11] shkoi në 33 për qind në vitin 2005 dhe në 26 për qind në vitin 2015-të! Me zjarret dhe dinamikën kryesore të sistemit —përfitimin dhe mosndëshkimin— me keqadministrimin e pyjeve nga qeveritë (sektori i pylltarisë nuk është organizuar dhe zjarrfikëset janë me mjete të pamjaftueshme: si mund të pajiset zjarrfikëseja me pajisje kur elita politike ble automjete tejet të shtrenjta për parazitët e qeverive?) dhe keqedukimin e popullit, kjo përqindje do të zvogëlohet edhe më shumë. Kosova, për krahasim, është në një përqindje shumë më të mirë: rreth 42.96 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të saj është e mbuluar me pyll.[12] Ndërsa Gjermania është e buluar rreth 34 për qind me pyje, thuajse njëlloj si Franca, me Britaninë shumë më pak se 25 për qind.[13] Duhet theksuar se shifra prej 38 për qind është më shumë se një e treta e sipërfaqes së tokës. Kjo përqindje nuk ishte e njëjtë as në fillim të shekullit 20-të kur shoqëritë tona sundoheshin nga otomanët dhe përdorimi i drurit për djegie dhe ndërtim ishte kryesori.     

Përmbytjet, rrjedhimisht, mund të parandalohen vetëm nëse zhvillohen paralelisht principet demokratike dhe tërësia e ekonomisë. Sepse krijimi i ‘njësisë’ së parandalimit të përmbytjeve varet nga orientimi ynë politiko-ekonomik dhe buxheti. Nëse vazhdojmë të synojmë integrimin tonë në RRB të G/N, i cili në anët tona shprehet me integrimin tonë në BE/Euozonë, ne nuk do të kemi kurrë mundësi të zhvillojmë njësinë përkatëse. Sepse buxheti i qeverisë aktuale, apo çdo qeverie tjetër, do të jetë gjithnjë deficitar.[14] Dhe përsa kohë që buxheti do të jetë deficitar për aq kohë ne ose do të vazhdojmë të marrim borxhe -nga institucione ndërkombëtare- siç na sugjerojnë “specialistët”, ose do të tkurrim administratën publike dhe investimet ose të dyja bashkë. Ngritja e njësisë parandaluese, rrjedhimisht, kalon nga buxheti i qeverisë. Për të krijuar kushtet për një buxhet sufiçitar ne duhet të çangazhohemi nga orientimi ynë politiko-ekonomik dhe të adoptojmë principet keinsiane.

Për të adoptuar principet keinsiane ne duhet të bindim eurostrumbullarët dhe veçanërisht institucionet ndërkombëtare (FMN, BB etj.) me studime konkrete. Qeveria aktuale nuk mund ta ndërmarrë këtë politikë, sepse ajo s’ka zhvilluar asnjë studim konkret për efektet e politikave të G/N. Dhe kur nuk studiohet - nuk mund të kuptohen efektet. Përfaqësuesit tanë ndjekin thjesht instinktin (e imitimit) dhe pragmatizmin. Dhe dihet se pragmatizmi është armiku i përsiatjes. Sepse për të reduktuar sasinë e CO² në atmosferë imponohet ndryshimi i teknologjisë: ne duhet të lëvizim nga automjetet private në trena dhe tramvaj elektrikë — për njerëzit dhe për mallrat. Dhe nga industria kapitaliste me bazë energjinë e parinovueshme dhe të dëmshme për shëndetin e Natyrës, në energji të rinovueshme me bazë industrinë ekologjike — një objektiv që aktualisht vetëm Norvegjia e pretendon. Për të pyllëzuar pllajat e malave dhe kodrave, të breglumenjëve dhe bregdeteve, dhe për të rikonceptuar argjinaturat – ne duhet të gjenerojmë një sufiçit të majtueshëm për shpenzimet administrative, studimore dhe njerëzore, për institutin tonë kombëtar.          


[1]Kështu bëri edhe Edmond Panariti, Ministri i Bujqësisë,  së fundmi: Përmbytje në Lezhë dhe Shkodër, Top Channel, 22/01/2014.

[2]Për përmbytjet që kaq shpejt harruam, Dhimtër Vogli, Dita, 22 Mars 2015.

[3]Drowning in Money, George Monbiot, The Guardian, 14th January 2014.

[4]Po aty.

[5]Going downhill fast, George Monbiot, The Guardian, 30th December 2015.

[6]Eat Meat and Save the World? George Monbiot, The Guardian, 4th August 2014.

[7]Për përmbytjet që kaq shpejt harruam, Dhimtër Vogli, Dita, 22 Mars 2015.

[8]Shih p.sh., Earth under water – worldwide flooding, Climate State, Aug 8, 2013.

[9]Preparing for tomorrow’s storms, N. Y. Times, March 28, 2015.

[10]Shih, për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[11]Vëzhgim ekologjik i pyjeve të Shqipërisë, Instituti i kërkimeve pyjore dhe kullotave, biologjike dhe shkencave natyrore, Tiranë, 1997.

[12]Bujqësia, zhvillimi rural, pylltaria, peshkataria dhe siguria e ushqimit, Qazim Kukalaj, Nëntor 2012.

[13]Germany, its forests and one architect’s vision of green housing, FT, July 19, 2017.

[14]Shih, gjithashtu, Doganat dhe globalizmi neoliberal.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA