...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Basha dhe Meta përgatiten të minojnë Spak-un me amerikanë të paguar dhe taktika politike

Basha po përpiqet të krijojë një tjetër dinamikë përmes të cilës të pengojë punën e Spak-ut, puna e të cilit pritet të fillojë javën tjetër

Ylli Përmeti

20/07/2019 - 10:03

Në krye të tre vjetëve që kur u miratua reforma në drejtësi (20 korrik 2016 me 160 vota) krimineli i shumë krimeve politike, Basha, për të cilët nuk është dënuar ende, përmes një komunikimi me qytetarët, akuzoi deri diku me të drejtë, kriminelin Rama për krime politike dhe premtoi hetim dhe dënim kur të vijë në pushtet përmes një kuadri ligjor radikal dhe një ekspertize të huaj. “Tani, citoi Basha, Partia Demokratike, ka marrë dhe ka, ekpertizë të huaj në kontratë të plotë konsulence, të specializuar për hartimin e një programi të posaçëm për hetimin dhe rikuperimin të pasurive të vjedhura dhe të tjetërsuara të shqiptarëve”. Bëhet fjalë për firmën “Sonoran Policy Group” një firmë që si duket merret me “Global Private Diplomacy” siç citon në faqen e saj­— me të cilën PD-ja ka patur dhe një kontratë tjetër—që u njoftua nga shtypi i përditshëm se partia demokratike e kishte angazhuar në mes të qershorit për të ndërtuar një strategji kundër drogës dhe krimit të organizuar për opozitën shqiptare:

Sipas të dhënave të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, kontrata midis Partisë Demokratike dhe Sonoran Policy Group kap një vlerë 10 mijë USD në muaj për një total prej 40 mijë USD dhe është nënshkruar me 11 qershor nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi…Konsulenti do të punojë me opozitën shqiptare për të ndërtuan një strategji kundër  narkotikëve dhe kundër krimit të organizuar, si dhe të mundësoj takime dhe ndërveprime me zyrtarë të administratës, kongresit dhe pushtetit ekzekutiv në SHBA…“[Konsulenti] gjithashtu do të punojë me agjencitë vendore [në SHBA] dhe ato ndërkombëtare për të luftuar epideminë e krimit të organizuar [në Shqipëri]…Sonoran Policy Group udhëhiqet nga Robert Stryk, një ish këshilltar i fushatës së Presidentit Donald Trump nga Oregon.[1]

Në fakt, kjo është një përpjekje tjetër që synon të minojë Spak-un. Kujtoj se përpjekja e parë për të penguar refromën në drejtësi u ndërmorr në vitin 2017-të kur PD-ja ngriti çadrën në mes të bulevardit, një protestë luksoze që zgjatë gati gjatë muaj, dhe solli marrëveshjen e majit me Ramën. Pas saj filluan të krijoheshin institucionet e skanimit (vetingut), sepse mospërfshirja e PD-së e “bënte proçedurialisht të pamundur proçesin” (siç pohoi dhe Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi). Vonesa për krijimin e komisionit të skanimit ose vetingut siç përdoret përgjithësisht nga përtacët e shqipes, solli sipas tij “bllokimin e Këshillit të emërimeve në drejtësi (më konkretisht në Gjykatën Kushtetuese) për një vit”. “Ping-pongu i presidencës dhe kuvendit dhe konflikti me prokurorinë për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, ishte një tjetër zvarritje. Xhafaj pohon gjithashtu se “me pak kujdes dhe me më shumë vëmendje mund të kishim një ritëm shumë më të mirë” për reformën në drejtësi. Xhafaj nuk e specifikon ‘ritmin’ që përmend. Ndoshta ngaqë nuk do të “prishet” me njerëzit e përfshirë në institucionet e rinj. Sidoqoftë, dihet se ka patur vonesa edhe nga komisioni i skanimit sidomos lidhur me ritmin e skanimit të prokurorëve dhe gjykatësve dhe veçanërisht për prokurorët e Spak-ut. Ky është një proces i brendshëm dhe lidhet drejtëpërdrejt me aftësinë dhe zhdërvjelltësinë (ose me aracionalitetin siç e quan një studiues perëndimor, Bent Flyvbjerg, ose me racionalitetin instinktiv siç e quan Aristoteli) e njerëzve të përfshirë në të.

Sidoqoftë, Basha nuk harroi në komunikimin e tij të përmendte Spak-un, institucionin e ri të drejtësisë, sipas të cilit ai është penguar nga Rama, sepse ai ka kapur drejtësinë. Kapjen e Spak-ut e kanë përdorur shumë herë përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së, sidomos lidhur me komisionin e skanimit, sipas të cilëve ai është një instrument qartazi i PS-së (Bylykbashi), përmes të cilit PS-ja kalon ata që i duhen asaj duke shpërnjohur faktin se anëtarët e komisionit janë votuar nga të treja palët përfshirë dhe LSI-në. Këtë argument e përforcon dhe Meta i cili ka rezerva të forta për reformën në drejtësi duke akuzuar Ramën se ka kapur sistemin i ndihmuar nga një kor i strukturuar ndërkombëtarësh (Sorosi etj.). Sipas tij, reforma “nuk është zbatuar si reformë kushtetuese” por si “ramaformë”.[2]Shqetësimi i Metës lidhet me mënyrën se si u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme: jo me 140 vota por me 69 vota. Kjo zgjedhje u bë, sipas tij, falë “timonierit” Rama që shpiku një “PPP”—prokuror të përgjithshëm të përkohshëm (sipas një qendrimi në faqen e tij në “facebook”). Por ai shpërnjeh qoftë dinamikën e krijuar nga vetë ai dhe PD-ja për të zgjedhur sërish një kryeprokuror që vinte nga opozita qoftë, dhe më kryesorja, se Rama përdori pikërisht një nga dispozitat kalimtare për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Neni 109.[3]Në fjalë të tjera, akuza e Metës është krejtësisht e padrejtë. Kështu ai vërteton edhe një herë se nuk është president për të respektuar ligjet dhe kushtetutën por epshet e tij politike. 

Duhet thënë se Rama vetëm Spak-un nuk e “kap” dot sikur edhe ta dëshironte. Ai mund të kapë çdo pushtet tjetër juridik por Spak-un jo. Përkundrazi, është ky i fundit që do të kapë Ramën, Bashën dhe shumë kriminelë të tjerë. Por lajmi këtu është se Basha kërkon të anashkalojë Spak-un dhe të krijojë—kur të vijë në pushtet— një insitucion tjetër për të hetuar kriminelët si Rama. Për të realizuar këtë objektiv ai paska kontakt me agjencitë përndimore kur dihet se ato punojnë vetëm me qeveritë ndërsa po harton —me ndihmën e konsulentit amerikan— ligje për luftën kundër krimit:   

“Ne jemi në kontakt me agjencitë kryesore për luftën kundër krimit ndërkombëtar, nga Europoli tek agjencitë britanike, holandeze, gjermane, italiane dhe amerikane…po hartojmë disa ligje që tani për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave…”.

Ky pretendim, në fakt, është tjetër blof, sepse tregon jo vetëm paaftësi si parti për të hartuar ligje kundër krimit por dhe faktin se agjencitë janë subjekt i pushtetit politik dhe jo anasjelltas. Si duket, Basha s`e ka të qartë këtë çështje. Sidoqoftë, është e qartë se Basha me Metën po përpiqen të krijojnë një tjetër dinamikë përmes të cilës të nënvlerësojnë punën e Spak-ut. Për këtë dinamikë do të përdorin dhe mungesën e gjykatës kushtetuese. Por çfarë gjykimi pritet kur të fillojë punë gjykata kushtetuese?



[1]DOKUMENTI/ Partia Demokratike rinovon kontratën me firmën e lobimit në SHBA: 10 mijë dollarë në muaj për…Panorama, 3 korrik 2019.

[2]Reforma në drejtësi, rrugëtim i vështirë mes akuzave dhe debateve, Voa, 19 korrik, 2019.

[3]Për organizimin dhe funksionimin e rpokurorisë në Republikën e Shqipërisë, Ligj, Nr. 97/2016.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA