Marrëveshja e turpshme dhe kriminale e qeverisë “Rama” për gazin amerikan

Dy janë çështjet që na shqetësojnë lidhur me projektin e gazit amerikan të nënshkruar nga qeveria jonë: njëra lidhet me ndikimin që ka në mjedis, veçanërisht në Vlorë, dhe tjetra lidhet me mashtrimin e organizuar nga elita jonë dhe amerikania për të fshehur parablerjen e gazit amerikan nga qeveritë tona për 20 vitet e ardhshme
Ylli Përmeti
29/04/2026 - 15:37
Kjo shqyrtesë tregon mashtrimin e stërmadh të kreut të qeverisjes kriminale të Shqipërisë dhe ambasadorëve amerikanë në Athinë e Tiranë lidhur me marrëveshjen për parablerjen e gazit amerikan dhe dëmin e stërmadh që i bëhet kombit tonë nga marrëveshja përkatëse në dy nivele: ekologjik dhe ekonomik dhe për 20 vitet e ardhshme.
Implikimi i parë: marrëveshja pengon zhfrytëzimin e TAP-it.
Marrëveshja fillestare e Shqipërisë me TAP-in parashikonte në fazën e parë që vendi ynë të shërbente kryesisht si korridor kalimi për gazin azerbajxhanas i cili kalon nga Greqia përmes Shqipërisë drejt Italisë, një projekt ku investimi tërësor i TAP-it në Shqipëri u llogarit në rreth 1.5 miliardë euro, duke i sjellë vendit rëndësi strategjike (në kuptimin e rëndësisë ndërkombëtare), punësim të përkohshëm dhe përfitime ekonomike, por jo furnizim të drejtpërdrejtë për familjet dhe ndërmarrjet e Shqipërisë.
Për atë fazë qeveria jonë shpenzoi rreth 1.1 milionë euro për hartimin e Masterplanit Kombëtar të Gazit. Për të shmangur rolin thjesht kalimtar të Shqipërisë, në fazën e dytë (2017) u hartua plani kombëtar i gazit për ta kthyer Shqipërinë edhe në përfituese të drejtpërdrejtë të gazit të TAP-it, përmes ndërtimit të rrjetit të brendshëm të shpërndarjes. Për këtë fazë janë shpenzuar mbi 14 milionë euro në studime ku përfshihet projekti i pikës së daljes së gazit në Fier, por megjithatë zbatimi mbetet i ngadaltë dhe Shqipëria ende nuk ka një rrjet kombëtar që të furnizojë gjerësisht ekonominë dhe familjet e popullit tonë.
Kështu në vend të përparonte projektin e TAP-it dhe të ndihmonte popullin tonë me gas me kosto të përballueshëm, sidomos bujqësinë, Rama nisi mashtrimin e popullit në vitin 2021, lidhur me gazin amerikan, në bashkëpunim me ish-ambasadoren amerikane, Juri Kim, dhe e rifilloi edhe një herë atë pas pesë vitesh bashkë me ambasadoren amerikane në Athinë, dy javë pasi Athina nënshkroi fillimin e shpimeve në Jon, duke njoftuar një investim të bujshëm prej 6 miliardë dollarësh, i cili synon tregtimin e gazit amerikan dhe —siç thonë amerikanët— të “ulin varësinë” e rajonit “nga gazi rus” ndërsa qeveria jonë thotë se “diversifikon” burimet energjitike dhe rrit “pavarësinë energjitike”!
Të njëjtën propagandë përdorën dhe para pesë vitesh si Rama ashtu dhe amerikanët me në krye Kimin. Por me dy ndryshime të stërmëdha këtë herë: përdorimi i gazit amerikan këtë herë nxitet nga një ambasadore që ka të drejta diplomatike në Greqi dhe jo në Shqipëri ndërsa propaganduan një shumë të stërmadhe investimi: 6 miliardë dollarë!
Por po ta shohim shifrën përkatëse lidhur me çka pretendohet se do të zhvillohet—lundër përpunuese në det—dhe lidhjen e saj me linjën e TAP-it, kuptohet se bëhet fjalë për një mashtrim të përmasave të turpshme dhe sigurisht kriminale.
Lundra përpunuese e gazit në Aleksandhroupol në Greqi — e cila përfshin lundrën (terminalin), lidhjet me rrjetin dhe rrjetin mbështetës rajonal — kushtoi afërsisht 500 deri në 600 milionë euro. Në rastin e Vlorës, rrjeti që parashikohet është edhe më e kufizuar: sepse lundra në det dhe lidhja Vlorë–Fier për ta futur gazin në linjën e TAP-it, është ndërtuar. Gjykuar nga ato kosto dhe përgatitje që janë bërë gjatë viteve të fundit, pretendimi se amerikanët do të investojnë 6 miliardë dollarë është një gënjeshtër trashanike.
Çështja tjetër, që është tejet kritike dhe që po i fshihet popullit tonë dhe veçanërisht popullit të Vlorës, sepse projekti parashikon përdorimin e një lundre përpunuese, ku gazi amerikan i lëngshëm do të përpunohet në det përpara se të futet në rrjetin tokësor. Praktika ngre shqetësime mjedisore sepse dy janë praktikat mbizotëruese: njëra përfshin një njësi lundruese të ruajtjes dhe rigazifikimit — në thelb një anije e madhe në det që merr gazin e lëngëzuar amerikan, e ruan në det, e ngroh për ta kthyer sërish në gjendje të gaztë dhe më pas e fut në linjën e TAP-it. Procesi i ngrohjes bëhet kryesisht në dy mënyra: përmes avullimit me ujë deti, ku përdoret uji i detit për të ngrohur gazin në shkëmbyes nxehtësie, ose përmes një sistemi djegieje, ku digjet një pjesë e gazit (shpesh gazi që vetë çlirohet nga ngarkesa) për të prodhuar nxehtësinë e nevojshme.
Praktika e parë që quhet “open-loop”, shpesh përdor edhe klor për pastrimin e sistemit — një proces që mund të dëmtojë planktonin e detit, vezët e peshqve, biodiversitetin detar dhe ekuilibrin ekologjik; e dyta quhet “closed-loop”, e cila ul ndikimin mbi ujin e detit por përdor djegie shtesë gazi, duke rritur ndotjen nga çlirimet. Duke qenë se Gjiri i Vlorës lidhet me turizmin, peshkimin dhe afërsinë me zonën detare të Karaburun-Sazanit, të dyja praktikat janë katastrofike për mjedisin dhe shëndetin e popullit: të Vlorës në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi.
Përpjekja bart dhe një anë tjetër, të karakterit gjeopolitik: qendra në Aleksandhrupol të Greqisë mund të përballet me pengesa —për shkak se veprimtarët mjedisorë atje kërkojnë ndalimin e veprimtarisë së saj— për gjithë arsyet e përmendura, dhe si pasojë, amerikanët përgatisin një qendër tjetër në rast se gjykata greke ndalon veprimtarinë e tyre atje.
Ana tjetër është se përpjekja amerikane për të tregtuar gazin e saj, pengon përhapjen e gazit azerbajxhanas në vendin tonë ndërsa nuk mund të shitet në anët tona sepse gazi amerikan është shumë i shtrenjtë për popujt tanë, përjashto rastet kur amerikanët detyrojnë qeveritë ta blejnë atë. Pesë vite më parë paralajmëroja se amerikanët po shtynin një megaprojekt që nuk ishte fitim-prurës për ta (pikërisht sepse ka kosto të lartë) ndërsa pengonte përpjekjet e qeverisë “Rama” për të shfrytëzuar TAP-in. Pesë vite më pas, parashikimi im vërtetohet sa i përket ngecjes së shfrytëzimit të TAP-it ndërsa gjendja gjeopolitike do të përkeqësohet sepse elita jonë në bashkëpunim me elitën greke dhe amerikane, synon të zhvendosë vëmendjen e popullit tonë nga përpjekjet e Greqisë për të kapur Jonin dhe Otranton, ndërsa paralelisht shesin gazin e shtrenjtë amerikan (çmimi i gazit amerikan është rreth dyfish më i shtrenjtë se gazi Tap-it) dhe shkatërrojnë mjedisin tonë.
Çështja tjetër që duhet të na kishte sqaruar qeveria lidhet me “pastërtinë” e korporatave të përfshira në projektin e Vlorës për gazin amerikan, sepse si ndërmarrja greke ashtu edhe ndërmarrja amerikane kanë qenë të akuzuar, por në mënyra të ndryshme: AKTOR ka një shkelje të provuar në të kaluarën në fushën e konkurrencës (rast kartelash/falsifikim tenderësh), ndërsa ndërmarrja amerikane ka pasur vetëm mosmarrëveshje tregtare në arbitrazh dhe pretendime pa dënime penale. Sa i përket ndikimit (ose lobimit siç e quajnë ndrikullat tona), ndërmarrja amerikane vepron në Bruksel, ndërsa AKTOR vepron kryesisht si kompani zbatuese projektesh pa rol të madh ndikimi në institucionet e BE-së. Thënë, në fjalë të tjera, ato nuk janë të pastra pavarësisht dallimeve.
Në fund, vlen të përmendet se gjykatat evropiane kanë ndikuar vazhdimisht në projektet e gazit pasi kanë marrë padi mjedisore, përfshirë Francën (rastet e zgjerimit të gazit në Fos-sur-Mer, 2018–2022), Italinë (mosmarrëveshjet për rigazifikimin në Toskanë dhe Emilia-Romagna, 2017–2023), Gjermaninë (sfidat ndaj pikës së përpunimit në Brunsbüttel, 2020–2024) dhe Greqi, ku pika e Aleksandrupolit është kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme nga organizatat mjedisore atje dhe është paditur në Këshillin e Shtetit (gjykata më e lartë greke) që nga viti 2022–2023, duke e bërë atë një shembull veçanërisht të rëndësishëm për mosmarrëveshjet mjedisore dhe të lejeve në projekte të ngjashme energjetike.
Miçotaqi dhe ambasadorja amerikane në Greqi me siguri kanë të dhëna nga radhët e drejtësisë greke dhe besoj i druhen ndonjë vendimi për pezullimin e projektit. Kështuqë, kanë menduar ata, mirë është të përgatisim një tjetër fushëveprimi në Shqipëri, meqënse Ramën e kemi të dorës sonë, dhe kështu me një gur godasim dy zogj: i mashtrojmë shqiptarët edhe për projektin e Vlorës edhe për projektin e Jonit, ndërsa shesim për ca kohë gas deri sa të zgjohen, nëse zgjohen, dhe përpiqen ta ndalojnë me vendim gjykate.
Gazi amerikan parablihet nga qeveritë shqiptare për 20 vite
Një raport i Wall Street Journal zbuloi të vërtetën e madhe mbi marrëveshjen prej 6 miliardë dollarësh të lidhur me ndërmarrjen amerikane dhe greke —nën kujdesin e ambasadores amerikane në Athinë por dhe të Tiranës— dhe Shqipërinë e drejtuar nga kreu i qeverisjes kriminale për gazin amerikan, i cili tha në atë kohë se nënshkruajmë “sot një marrëveshje të jashtëzakonshme që do të sjellë më pas një investim shumë të madh, teknologji moderne dhe marrëveshje për furnizime.”
Sipas raportit, marrëveshja, për të cilën ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle (Gilfojël), luajti rol vendimtar, parashikon që shoqëria shtetërore shqiptare e gazit të blejë një miliard metra kub gaz në vit për 20 vjet, deri në vitin 2050. Gazi do të sigurohet nga ndërmarrja amerikane Venture Global përmes një lidhjeje të lidhur me ndërmarrjen greke Aktor.
Nuk bëhet, në fjalë të tjera, fjalë për “investim amerikan” por për parablerje të gazit amerikan nga qeveria, e cila më pas do të rrjepë qytetarët, duke ua shitur atyre me çmim të kripur, për të majmur ndërmarrjen amerikane dhe greke dhe një grusht njerëzish që qendrojnë rreth tyre, ku përfshihen ambasadorja në fjalë dhe njerëz të tjerë pranë Trampit.
Sipas Wall Street Journal, gjithçka nisi pas një vizite të papublikuar të Gilfojëlit në Tiranë në mars, ku ajo mbërriti pa punonjës të ambasadës dhe, së bashku me Christos Marafatsos dhe drejtuesin e Aktor, Alexandros Exarchou, u takua me kryeministrin Edi Rama për të biseduar bashkëpunimin energjetik. Disa javë më vonë, qeveria shqiptare mori një email nga Këshilli Kombëtar i Dominimit Energjetik i qeverisë së Trampit, ku këshilloheshin ndërmarrje që mund të bashkëpunonin me Shqipërinë për blerjen e gazit amerikan.
Në prill, Gilfojëli u kthye në Shqipëri për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes 20-vjeçare prej 6 miliardë dollarësh. Sipas raportit, marrëveshja i kërkon shoqërisë shtetërore shqiptare të blejë një miliard metra kub gaz në vit, ndërsa Venture Global thotë se nuk është palë në marrëveshjen shqiptare. Ndërkohë, Atlantic-SEE, sipërmarrja e përbashkët e Aktor dhe kompanisë shtetërore greke DEPA, njoftoi në qershor se do të dyfishonte sasitë e gazit që do të blinte nga Venture Global. Aktor vlerëson se të ardhurat para taksave nga marrëveshjet e LNG-së të nënshkruara ose në proces mund të arrijnë në 1.8 miliardë euro gjatë 20 viteve.
Raporti e vendos marrëveshjen shqiptare brenda një projekti më të gjerë, të quajtur “Vertical Gas Corridor”, i cili synon të shpërndajë gazin natyror të lëngshëm amerikan në Evropën Juglindore dhe Ukrainë. Ai ngre gjithashtu pikëpyetje mbi rolin e Guilfoyle në mbështetjen e një ndërmarrje të caktuar dhe mbi afërsinë e saj me Marafatsos, i cili është lobist i Aktor-it në Shtetet e Bashkuara.
Për Shqipërinë, megjithatë, pika më e rëndësishme është dallimi mes mënyrës se si u paraqit shifra prej 6 miliardë dollarësh dhe përmbajtjes së marrëveshjes të përshkruar nga Wall Street Journal: bëhet fjalë për një ndërmarrje afatgjatë të Shqipërisë për të blerë gaz, dhe jo për një “investim amerikan” prej 6 miliardë dollarësh.
Një tjetër episod i përshkruar nga Wall Street Journal lidhet me një përplasje të Gilfojël me ministrin grek të energjisë dhe me pretendimin e saj se ishte SHBA-ja pas rrëzimit të qeverisë rumune, e cila ra dy muaj më pas, përmes një votimi mosbesimi, (ose “mocioni parlamentar” siç e quajnë ndrikullat tona) dhe mund të bënte dhe në Greqi atë që po ndodhte atje:
“Në mars, gjatë një darke në Athinë ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë, Guilfoyle (Gilfojël) u përfshi në një rragatë me ministrin grek të energjisë, Stavros Papastavrou, në prani të të ftuarve të tjerë. Duke iu drejtuar rrëzimit të pritshëm të qeverisë rumune, Guilfoyle u tha të pranishmëve: “Ne mund t’ia bëjmë këtë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, sipas një të pranishmi që mori pjesë në darkë dhe njerëzve të tjerë që u njoftuan për këtë ngjarje. Biseda u acarua dhe Papastavrou iu përgjigj se SHBA-ja nuk mund ta zëvendësonte qeverinë e Greqisë, e cila ishte zgjedhur nga populli”.
Përmblethtas, çështja e gazit amerikan mund të quhet një nga skandalet më të mëdha që kanë ndodhur 35 vitet e fundit në Shqipëri, jo vetëm sepse qeveria jonë mashtroi dhe klasa jonë politike në tërësi heshti, të paktën deri tani, pas gati një jave që kur The Wall Street Journal zbuloi përmbajtjen e marrëveshjes, se për turpet dhe krimet që fola menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dihej se do të heshtte, bashkë me median e saj, dhe bashkë me gjoja profesorët dhe akademikët e universiteteve, por në të u përfshii dhe ambasada amerikane në Athinë e Tiranë.
...
Përditësuar
Zgjerimi i kapitalit amerikan në Shqipëri përmes megaprojekteve dhe sfidat
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 113 reads



