...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kryengritja kombëtare dhe strategjia (dhe taktikat e saj) për rrëzimin e Ramës

Me kushtet e reja shoqërore që janë krijuar dhe qëllimin e kryengritjes kombëtare për rrëzimin e Ramës dhe asgjësimin e klasës së vjetër politike, nevojitet së pari qartësimi i strategjisë

Ylli Përmeti

06/08/2026 - 09:22

Qëllimi i strategjisë është fitorja dhe ajo përdor taktika për të. Taktikat përcaktohen si tërësi e mjeteve luftarake dhe të veprimeve të luftës. Taktikat përdoren në sport por dhe kundër qeverive dhe pushtuesve të huaj. Siç e bën të qartë dhe përcaktimi, taktikat nënkuptojnë luftë por jo detyrimisht të dhunshme. Kryengritja kombëtare e vitit 2026 (dhe unë e quaj të tillë, sepse gëzon gjithë veçoritë e saj) ka përdorur dy-tre taktika—si mbledhja përpara kryeministrisë dhe marshimi i lirë në rrugët e Tiranës por një përpjekje vetvetitëse për ndalimin e qarkullimit të mjeteve në disa rrugë të kryeqytetit, ndërsa ka patur dhe ka mendime për përshkallëzim (si përdorimi i dhunës kundrejt kryeministrisë etj.).

Taktikë mund të quhet dhe përpjekja për zhvillimin dhe krijimin e Kuvendit Kombëtar si organ për përparimin e kryengritjes kombëtare; ai mund të jetë vendimtar jo vetëm për rrëzimin e Ramës por dhe për kalimin në fazën tjetër —të krijimit të një qeverie kalimtare— dhe themelimin e tij për të mbrotjur atdheun nga politikat kriminale të qeverive tona.

Kuvendi Kombëtar: parimet dhe qëllimet

Me krijimin dhe themelimin e Kuvendin Kombëtar mund të përparojnë me shpejtësi të madhe dy taktika paqësore: njëra lidhet me shënjestrimin e SPAK-ut dhe tjetra me ftesën për një grevë të përgjithshme disa javore ose mujore. Të parën e kam nisur unë që kur nisi kryengritja kombëtare, dhe është më e drejta, më e shpejta dhe më e paqta, ndërsa e dyta bart pasiguri, sepse nuk e dimë se sa njerëz do t`i përgjigjen një greve kombëtare disa mujore deri në rrëzimin e Ramës. Greva kombëtare mund ta rrëzojnë Ramën vetëm nëse asaj i përgjigjen më shumë se gjysma e punonjësve në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe nëse është e gjatë në kohë—të paktën dy-deri-në-tre muaj, sepse vetëm me ato muaj qeveria do të mbetet pa taksa dhe si pasojë detyrohet të dorëhiqet.

Por pa themelimin e Kuvendit Kombëtar ne nuk mund të përparojmë asnjë nga ato taktika me shpejtësi. Fjala ‘kuvend’ mendohet se është latine. Ajo vjen, thonë pretedentët e kësaj pikëpamjeje, nga fjala ‘convenire’ —e cila ka kuptimin e ‘bashkëvijmë’. Ajo përmendet për herë të parë në punët e Plautus, rreth dy-tre shekuj p.e.s. dhe ruhet e pandryshuar në gjuhën italiane sot. Nga ajo fjalë janë ndërtuar dhe fjalët ‘conventus’ (mbledhje) dhe conventum (marrëveshje, mbledhje apo marrëveshje e përbashkët).

Besohet se shqiptarët e kanë përdorur atë pas pushtimit romak (229-167 p.e.s.). Më parë ata me siguri kanë përdorur fjalë të tjera; ndoshta fjalën ‘këshilloj’ apo ‘bisedoj’ por dhe trajta të tjetra, në varësi të ndikimeve gjuhësore, sidomos gjatë “epokës helene”, e cila i paraprin perandorisë romake, meqënse si praktikë njihej dhe përdorej nga fiset dhe mbretëritë ilire për shekuj me radhë. 

Fjala kuvend tingëllon shqip meqënse ajo ka dy fjalë shqipe kuptimplote: ‘ku’ dhe ‘vend’. Shprehjet si “sipas vendit dhe kuvendit” dhe shprehje të ngjashme, shtojnë bindjen se fjala ka zanafillë shqipen; madje, me shumë gjasa, fjala ‘kuvend’ ka lindur pikërisht për të rimuar atë fjalë të urtë popullore dhe mund të mos ketë asnjë lidhje me fjalën latine.

Fjalori ynë e paraqet atë me tre kuptime: të bisedës së shtruar, ose bisedim; të mbledhjes së burrave; dhe të mbledhjes së gjerë të popullit dhe fushave të caktuara shoqërore ku rrihen e shkëmbehen lirisht mendimet për çështje apo shqetësime të rëndësishme. Si e tillë ajo është e njëkuptimtë (sinonime) me fjalën ‘bisedoj’ dhe shpesh përdoren në vend të njëra-tjetrës. Por si praktikë janë përdorur kryesisht si pasojë e rreziqeve të mëdha që i janë kanosur kombit tonë, kryesisht në mesjetë.

Kuvendi i Lezhës (1444), shënon të parin, kur princat arbërorë u bashkuan nën udhëheqjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndërsa më pas, gjatë periudhës osmane, praktika e kuvendimit u ruajt në përmasa të vogla dhe fetare, ndërsa një kuvend i rëndësishëm ishte Kuvendi i Arbërit (1703); dhe në shekullin XIX, praktika mori karakter të qartë kombëtar me Kuvendin e Prizrenit (1878), i cili organizoi lëvizjen kombëtare shqiptare; vijoi me Kuvendin e Pejës (1899–1900); më pas me Kongresin e Manastirit (1908) për njësimin e alfabetit dhe Kongresin e Elbasanit (1909) për arsimin kombëtar (fjala ‘kongres’, gjithashtu, është latine, e cila ka kuptimin e “ecjes bashkë”); dhe kulmi ishte Kuvendi i Vlorës (1912), kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, pasuar nga Kuvendi i Durrësit (1918) dhe Kongresi i Lushnjës (1920), që riorganizoi shtetin shqiptar.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u zhvillua Kuvendi i Mukjes (1943), ndërsa gjatë socializmit marskist kuvendi popullor, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, të udhëhequr nga partia komuniste, ishte organi më i lartë i pushtetit shtetëror dhe pas vitit 1990, kur nisi të themelohej “demokracia” përfaqësuese dhe kapitalizmi neoliberal, kuvendi mori një trajtë ‘pluraliste’ (me katër parti si fillim), por që nga ajo kohë ai diktohet tërësisht nga epshet e dy kryetarëve të partive kryesore ku ose kuvendohet pak ose aspak.

Parë nga këndvështrimi ynë—nevoja për të ndaluar shitjen dhe rrënimin e Shqipërisë nga qeverisja “Rama” dhe klasa jonë politike në tërësi— kuvendi është një mjet i domosdoshëm. Në afatshkurtër ai mund të shërbejë si përgatitës i rrëfenjës në nivel politik dhe juridik: ’politik’, në kuptimin se këshilli i tij, pasi të ketë shqyrtuar rrëfenjën politike, ai mban të njëjtin qendrim në shesh dhe hapësira të tjera (rrjete shoqërore, tv. etj.); dhe ‘juridik’ në kuptimin se ai vepron kundrejt organeve të drejtësisë me shpejtësi dhe ushtron trysninë e nevojshme (si me qendrime ashtu me veprime) me qëllim nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit.

Kjo lloj përgatitje është e nevojshme jo vetëm sepse e bën atë të njëzëshëm por dhe më të fuqishëm kundrejt armiqëve të tij—që në rastin tonë është qeveria “Rama” dhe klasa politike në tërësi. Paralelisht ai mund të përparojë dhe krijimin e qeverisë kalimtare, e cila do të marrë drejtimin e shtetit pasi të ketë njoftuar apo nisur hetimet Spaku kundrejt Ramës—vetë njoftimi se kanë nisur hetimet ndaj tij, është shkrepës i dorëheqjes së tij. Në këtë fazë, këshilli i kuvendit kombëtar kërkon nga presidenti i republikës—pavarësisht se është marjonetë e Ramës dhe amerikanëve— të caktojë datën e zgjedhjeve e parakohëshme (sipas nenit 92 të Kushtetutës, pika gj,) pasi qeveria kalimtare të ketë kaluar një vit në detyrë dhe të ketë përgatitur fushëveprimin për zgjedhje të lira dhe të drejta.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA